Freitag, 8. November 2013

Salih Zogiani - Anekdota 4

Anekdota te zgjedhura nga pesë librat e botuara nga autori Salih Zogiani

1. VENDIN E FJALËN NUK MUND T’M’I LUAJË ASKUSH

Një plak, kur e kishte parë për të parën herë Binak Alinë, nuk ia kishte mbushur syrin hiç, siç kishte dëgjuar për të, andaj i tha: - More Binak Alia, qysh kam ndi, se t’ka shkue zani deri te mreti për mençuni e burrni, a po m’tregon se qysh e ke mbërri këtë famë? - Po, po të trgoj, - i thotë Binak Alia, Unë, kur ulem, e di ku e kam vendin, e gjithmonë ulem në vend temin. Po edhe kur e flas fjalën, para se me folë, e mati mirë, pra e di ku e kur duhet me folë e kur me u ndalë. Edhe mbreti me hi, vendin dhe fjalët nuk mundet me m’i lue, e për qato m’ka dalë zani, - i tha Binak Alia.


2. DJE KAM PAS HANGËR HURME

Nëna e çon çikën te doktori, se kish nisur ta humbte të parët. Doktori i thotë se të parët ka nisur të humbë duke hëngër shumë hurma. Ia jep do ilaçe, e i thotë të ëmës ta çojë çikën edhe te kadia. E çoj nëna çikën te kadia e i kallëzoi se çka i ka thënë doktori, po kadia i tha: - Ejani nesër, se sot nuk mund ta ndreq këtë punë. Të nesërmen, kur shkojnë, kadia merr vendim që çika të mos hajë më shumë se tri hurme në ditë, e i thotë çikës: - Po i hëngre më shumë se tri hurma, do të hash treqind dajakë. Mbasandaj i kthehet të ëmës e i thotë: - Po hëngri çika më shumë se tri hurma në ditë, ti do të hash katërqind dajakë. - A u morëm vesh? - u thotë kadia. - Po, - i thonë ato, po, pse nuk na e kryeje këtë punë dje, po u desh të vinim edhe sot? - Dje nuk mund të ndaja drejtësi, se dje edhe unë kisha hëngër hurma, - u thotë kadia.

  
3. VEÇ EDHE NJË VIT KE TË DREJTË TË PERZIESH

Rexhë Kodra i Prekazit i kishte mbushur një palë duq me grurë dhe i çon në Vushtrri t’i shesë, për të blerë kripë, vajguri etj. Kur arrin afër magazes, e sheh një tubë zall skaj rrugës. Ndalet e i qet disa palë grushte zall, për të ar¬dhur më rëndë dhe e përzien mirë, për të mos u hetuar. Magazineri, Sulejman aga, mbasi e mat gru¬rin, e fut dorën në duq, e mbush nji grusht, për të parë se çfarë gruri është. Kur e sheh se ishte përzier me zall, i drejtohet Rexhës: - Mixha Rexhë, grunin e paske t’përziem me zall! - Po lujnë fëmija me zall n’hajat t’hamarit e nashta edhe kanë qit n’grunë. E pa Sulejmani se nuk po tregon drejt, e i tha: - Sa vjet i bane, mixha Rexhë? - I kam mbush gjashtëdhetë e katër, - i tha Rexha. - Me përzi veç edhe nji vit paske afat, e masandej duhet me e hjek këtë tabiat, - i tha Sulejman aga


4. KJO ËSHTË NANA

E kishte rritur nana veç një djalë. Kur u rrit djali, ia nisi e po e rrah nanën e vet. Një ditë, kur djali e rrahu fort, nana shkoi e kallëzoi në hyqymet. Dy zapti, bashkë me plakën, shkuan për ta marrë djalin e saj. Derisa shkonin zaptitë thoshin se do ta rrihnin djalin fort. Nana, si nanë, u tut se mos po ia mbysin djalin, e kur pa njërin duke ardhur rrugës, po u thotë zaptive: - Qe, ai që po vjen udhës është djali im. E zunë zaptitë e po e rrahin atë kalimtarin, edhe pse ai u thoshte se ajo nuk ësht nana e tij, se nana i ka vdekur moti, po ata nuk i besonin. Mbasi e rrahën, i thanë: - Merre në shpinë, çoje në shtëpi e mbasandaj kthehu këtu. Kur e çoi ky plaken në oborr të vet, vëllezërit po i thonë: - Kush është kjo që po e mban në shpinë? - Nana, - u tha ky. - Po çfarë nane, ajo na ka vdekur moti?! - Valla edhe unë thosha ashtu, po tash po them qysh po thonë zaptitë, po edhe ju do të kishit thënë kështu, - u tha ky.


5. VEÇ RRI ASHTU QYSH JE

Njëri kishte dëgjuar se njerëzit budallenj nuk po i marrin në ushtri. Shkon te një njeri i mençur e i tregon se si kishte dëgjuar dhe e pyet: - Nuk po e di se qysh me ja ba unë për mos me shkue ushtar? Ai e njihte mirë këtë djalin, e i tha: - Ti veç rri qashtu qysh je e mos e nd’rro, se kurrë ushtar nuk kanë me të marrë. - More po tutna që po më marrin, - i thotë ky. - Jo, n’koftë se nuk i marrin budallët, unë të garantoj se ty nuk kanë me t’marrë, e nëse t’marrin, unë dy hektarë tokë kam me t’i falë, - i thotë ai


6. E DUA SE E KA DUHANIN TË MIRË

Fazli Sopjani i Harilaçit ka pas ikur në Shqipëri, menjëherë pas Luftës. Vëllanë e Fazliut, Murtezin, shpesh e kontrollonin milicia mos po vinte Fazliu. Murtezi ka qenë fukara dhe shumë i urtë. Një ditë, duke u kthyer prej malit me do rremba të druve në krah, afër katundit e ndalin dy milicë e po i thonë: - Mos po i çon vëllait bukë në mal, se kemi marrë vesh që Fazliu po sillet këtej. - Jo, valla, nuk e kam parë Fazliun prej që ka ikur, veç dola t’i marr këta rremba të druve, - u thotë Murtezi. Njëri prej milicëve i thotë Murtezit: - Të besojmë, nëse na tregon diçka drejt? - Po, - thotë Murtezi – në ditsha, drejt do t’ju tregoj. - A e do Shqipninë? - i thonë ata. Mbasi e përbenë që t’u tregonte drejt, Murtezi u thotë: - E dua Shqipninë. - E, tash, - i thonë ata - të na tregosh drejt, pse e do? Murtezi zihet ngushtë e s’di çka t’u thotë, se nuk e kish menduar që do ta pyesin kështu. Mbasi mendon pak, u thotë: - E dua, se kam dëgjuar që e ka duhanin të mirë, duhan tarabosh.


7. TI KISHE QEF ME TA LADRU KAFEN

Kishte shkuar dhëndri te miqtë. Ia qet baballëku një kafe, po kur ia jep filxhanin, ia jep së uluri e s’luan vendi. Dhëndrit iu duk që s’e bëri hesap, që ia dha kafenë pa luajtur vendi, e kur shkoi në shtëpi i tha gruas së vet: - Ai baba i yt nuk m’ka ba hesap hiç. Kur ma qiti kafen, ma dha për s’ungjti, bile s’lujti vendi. Kur shkoi kjo te baba i vet i tregoi që burrit i kish mbetur hatri që s’ke luajtur vendi, kur ia ke dhënë kafenë. Kur shkoi dhëndri së dyti herë, ia qiti baballëku një kafe, e mori filxhanin në dorë e ia nisi po endet nëpër odë. - Çka u ba që po endesh kështu me filxhan n’dorë? - e pyeti dhëndri vjehrrin. - Mora vesh se ti kishe qef niherë me ta ladru kafen, e tani me ta dhanë me e pi, - ia ktheu baballëku.


8. PËR MOS ME U KORITË, HAJDE TI

Burri e gruaja, kur u moshuan, u morën vesh për të fjetur ndaras, se u vinte keq prej fë¬mijëve të flinin bashkë. Burri flinte në odë e gruaja në qiler. Një ditë burri i tha gruas: - Qysh, bre grue, nuk t’ shkoi mendja nji herë me ardhë n’odë natën? - Qe besa, more ti njeri, shpesh m’ka shkue menja me ardhë, po u tutsha mos po koritemi t’dytë, unë që erdha, e ti nashta nuk je gati. E për mos me u koritë asnjani, hajde ti kur t’dush, se unë gjithmonë jam gati, - i tha gru¬aja burrit.


9. ISH HYP N’KOLICË

Njëri e blinte verës një dhi për tambël, e dimrit e priste. Një dhi i qëllon fort e mirë për tambël, e vendos ta mbajë. Mbasi nuk kish cjap, shkoi e pyeti një të katundit: - A ban me e pru me e majtë? - Po, bjere, - i tha ai. Mbasi dhia nuk ecte, e qiti ky në karrocë, e çoi e majti, edhe e pyeti se qysh mund ta dijë a ka majtë, a jo? - Këqyre nesër n’sabah, n’koft’ se han, ka majtë, n’koft’ se përtypet, nuk ka majtë, - i tha ai. Të nesërmen, e këqyri, ajo përtypej. E qiti prapë në karrocë, e e çoi. Për ta ditur a ka majtë a jo, të nesërmen i tha gruas: - Shko e këqyre dhinë a po han, a po përtypet. Shkoi ajo e u kthye për t’i treguar burrit. Si hyri në odë, burri e pyeti: - A po hanke, a po u përtypke dhia? - As s’po hanke, as nuk po u përtypke, - i tha ajo. - Po, çka po bajke ajo virane? - Ish hypë n’kolicë, - i tha ajo.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen