Ky tregim ka marrë çmimin e dytë në Konkursin letrar të Manifestimit "Flaka e Janarit" 2014
VDEKJA BANALE
Pak para se të arrija në fundin e rrugës së mbushur me ferra e driza, një dorë e padukshme, përkundër dëshirës sime, ma kthente kokën mbrapa. Me sy të vagëlluar me një shikim zhbirues, fillova ta vështroja një njeri me trajtë të neveritshme.. Sa herë e vështroja më dukej disi i panjohur dhe sikur e shihja për herë të parë… “ Një krijesë me pamje të këtillë duhet të jetë i vdekur, madje edhe i harruar nga të gjithë!”, më thoshte një mendje e tërbuar me do tinguj të shurdhër… Njeriu që kishte vendosur të vinte pas meje derisa ta takoja fytyrën e vdekjes, lëshoi një qeshje krikëlluese. Dukej i dërrmuar nga pesha e mllefit dhe e urrejtjes së paqartë. Merrte frymë me vështirësi të madhe sa dyshoja se vuante nga asfiksia nga e cila në çdo çast mund të vdiste… Kur i ktheva sytë e mendjes në një kohë kaherë të perënduar, më kapluan do drithërima të fuqishme… “ Po ky qenkëshka ai fatkeqi që para një kohe të papërcaktuar e gjeta në një rrugë të braktisur e pastaj nga dhembshuria e varrosa në një fushë të shkretë, atje ku korbat ndërtojnë foletë e tyre” më tha zëri i mendjes së tërbuar… Dukej sikur në të njejtën kohë ishte i gjallë dhe i vdekur, sikur i takonte kësaj bote dhe botës së përtejme…
Vazhdova të zvarritem mekanikisht nëpër atë rrugë të boshatisur pa ditur ku shkoja e as çka kërkoja. Pak më vonë hetova se durimi kishte zënë të më këputej si fije të holla të perit. Me një mllef që më vlonte pa pra e kam vështruar përsëri atë fytyrë të mërzitshmne, nëpër të cilën më dukej sikur sorollatej një shpirt i zi…
- Unë…- i thashë me një zë të egër që përhapej valë-valë nëpër hapësirën e boshatisur e pastaj rrëshqiste në tokë si të ishin copa akulli…- unë nuk jam armiku yt për të cilin mendon ti!…Mos më merr në qafë kot… Më lerë të jetoj i qetë…
Ngadalë e ngriti kokën e këputur, të cilën e mbante me duart e gjymta që të mos i shkëputej nga trupi. Me ata sy të vegjël si të laraskës zuri të vështronte kohën që ia rëndonte trupin si të ishte një gur i rëndë. Vetëm atëherë iu kujtua se atë gur të rëndë gjithnjë e kishte bartur mbi shpinë e mbi shpirt, megjithatë kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend ta pyeste veten përse ishte i detyruar ta barte e as përse nuk e lironte veten nga ajo barrë e rëndë… …
- E di që nuk je armiku im…- foli me do tinguj të çakorduar pasi u kredh në mendime të thella për një kohë të gjatë, nga të cilët kushedi përse frikësohej. Me sytë e vagëlluar i pa tingujt si rrëshqitnin nga goja e tij e pastaj zhdukeshin bashkë me ajrin nëpër rrugën e boshatisur si shpirti i tij…- Jam i detyruar të të vij pas derisa të vdesesh…
Vazhdova të çapitem me hapa të qetë nëpër atë rrugë të panjohur për të cilën kisha bindje se nuk më shpinte atje ku dëshiroj po atje ku nuk dëshiroja. Gjithnjë në jetë më kishte ndodhur kështu: nisesha në një rrugë që shpresoja të më shpinte te një vend i dashur e në fund gjithnjë më shpinte në një vend që nuk e dëshiroja. Gjithnjë në jetë kisha hyrë në rrugë të gabueshme nga të cilat nuk kisha qenë në gjendje të dija se ishin të gabuara. Mirëpo, kur kisha arritur në fund të tyre e kisha të vështirë të kthehesha edhe njëherë e të nisesha nga fillimi… Njeriu i çuditshme vazhdonte të vinte pas meje kokulur. Një hije e zezë zvarritej nëpër fytyrën e deformuar nga pesha e viteve të perënduara. Në mes të fytyrës së shkallmuar kishte zënë vend një diell i fikur që kishte trajtën e një njeriut të lodhur e të rraskapitur, i cili nuk mund të zgjohej nga një gjumë i mbarsur me shqtësime. Ai diell i vjetëruar në jetën e tij kishte perënduar vetëm një herë e pastaj kishte harruar të lindte përsëri…
- Ti ke ndikuar që unë të shndërrrohem në një hije të vdekur! Për shkak të gënjeshtrave tua erdhen një natë vjeshte dhe më zgjuan nga gjumi i vdekjes…- vazhdoi të fliste me atë zë të ftohtë, i cili i ishte bërë pjesë përbërse e jetës së tij të dështuar… - Kur më shqetësuan nga gjumi i vdekjes, njëri prej tyre më tha troç: ose ti, ose ai gënjeshtari e hipokriti nesër pa aguar mirë mëngjesi…
… dhe në atë çast në imazh zuri vend një pikturë e vjetër dhe e nveritshme, e cila shpeshherë arriti të dilte nga ëndrrat e lodhura. Një turmë njerëzish të përgjumur, të cilët nuk ishin në gjendje as të flinin, as të zgjoheshin nga gjumi i mundimshëm, vështronin qiellin e shqyer, i cili dukej sikur së shpejti do të lëshohej mbi kokat e tyre.. Askush nuk ishte në gjendje të thoshte pse mëngjesi i shumëpritur nuk po shfaqej me kohë, por vonohej mjaft shumë… Shikimet e të gjithëve ishin përqëndruar te një qenie e mjerë që qëndronte e ngrutësuar në mes të turmës së shfrenuar. Askush nuk gunxonte t’i thoshte vetes pse një qenie e parëndësishme kishte zënë vend në mes të një fushë së paskajshme dhe qëndronte duke pritur vdekjen ta shpinte në ferr. Të gjithë mendonin për do gjëra të përgjysmuara, me të cilat e mbushnin hapësirën e kokave të rënduara me do mjegulla që e ndryshonin trajtën orë e çast. Më në fund një njeriu e vrau indifrencën dhe heshtjen e mbarsur e pastaj klithi me një zë që më shumë i ngjante klithmës së njeriut që vdes nga dëshpërimi…
- Është koha që të gjithë të qeshim, madje të qeshin me zë të lartë sa të pëlcet qielli e retë të zbresin në tokë… Gënjshtari tash do të bën vetëvrasje…
Pas tij foli një tjetër, të cilit dukej sikur i mungonte koka dhe gjysma e trupit…
- Nuk është koha për të qeshur! Koha është për të qajtur me zë të lartë! Vdekja e parakohshme është ndëshkim…E kemi denuar njeriun e gabuar…
Një tjetër, të cilit i mungonin këmbët, e ngriti gishtin tregues e pastaj foli me një zë që më shumë i mungonte:
- Nëse qeshim me vdekjen e dikujt Zoti do të na ndëshkon me një qeshje tepër të gjatë, e cila nuk do të përfundon as pas vdekjes sonë…
Një tjetër mundohej të dilte nga lëkura e vet, ngase aty bënte shumë nxehtë.
“Kjo ditë e çakorduar është shkëputur nga koha dhe nga jeta jonë e pastaj bën jetë të pavarur në trupat e do njerëzve që kanë vdekur para një kohe të gjatë” i tha veteves me zë të heshtur.
Një tjetër që mbi supet e dërrmuara bartte një mal të mbushur me lisa të vjetër më shumë se njëqind vjet, i tha vetvetes: “Njeriu që gjendet pa vullnetin dhe dëshirën e vet në mes të fushës së braktisur ka kohë që ka vdekur, madje i është nënshtruar një vdekjes tepër banale. Po të isha në vendin e tij do të refuzoja t’i nënshtrohesha një vdekjes kaq banale… Për një fjalë naive, e cila nuk i kujtohej edhe sikur t’ia prenin kokën dy herë, ngase çdo herë i rrëshqiste nga sipërfaqja e mendjes, trupi i tij tash i nënshtrohet procesit të dekompozimit derisa të shndërrohet në një objekt të nevetritshëm…
Pas një kohe i ngjau sikur një vdekje tepër banale, të cilën kohë më parë e shihte syhapur në imazh, i mbështillej rreth qafër si gjapër…
SHIFRA: Miku i vjetër
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen