Sonntag, 16. Februar 2014

Memetali Rexhepi - (SH)KRIMI

Ky tregim ka marrë çmimin e parë në Konkursin letrar të Manifestimit "Flaka e Janarit" 2014
 
Mehmetali REXHEPI ( Gjilan )

(SH) KRIMI

Perceptimi i pohimit të parë ishte ndotës. Si dukej, i pa qëmtuar, i ardhur kuturu, siç vjen jashtëqitja. E kishte ndier kundërmimin, madje dhe avullimin e mutit të sapodalë nga zorra e trashë, të një muti të madh, siç thuhej, sa sana. Kujtonte se ishte njëra nga metaforat më të zhveshura të poetit, se nuk i bënte nder kur pohoi “Liria është një mut i madh”
Metafora zbërthehej e përtrollitur.“Muti i madh” i lirisë nuk la as kë, sikurse Motin, pa e përmutur. Ajo përmute ëndrrat, djersët, gjakun, çiltërinë e kulluar, Pirgun e lartësuar mbi ato kulme, shkrumbin e buzëve grevave të urisë, afshin e derdhur nevojtoreve të mbikëqyrura... Lotsjellësin, pengun rinor zyrave ku shfrynin uraganet, gjallimin birucave të bezdisë së minjve...
Atëbotë, jashtë grilave dridhej ngjyra e verdhë e mallëngjimit...
Zhgënjimi e shpinte te shqetësimi e mallëngjimi. Pse ndeshej aq dendur me mallëngjimin? Ndoshta për t`i zbutur dy gjendjet e para? Ose ia lëshonin kryet e vendit njëra-tjetrës? Në diskursin mallëngjyes Moti shihte ligështinë. I dukej se këtë diskurs po e përmbushnin pafuqia, vogëlsia dhe zvetënimi.
Lëre pra, pa shkëlqim Pirgun e vetëmohimit! - Moti qortoi vetën e tij të pezulluar.
- Gojart, Pagëzoni tërësisht u tjetërsua. Dua të dëftoj se me gjoks jam duke i shtyrë ndeshtrashat e kësaj jete të zgjebur.
- Dëgjo: më tajit lëng i pelinit, si të ishte nikotinë, ndonëse duhanin nuk e kam pirë, marramendja m`i sjell shtjellat, rrjedhojë e mllefit të pa zbrazur...
- Dhe... Dhe... Një nyjë, e fshehtë, lidh vullnetin tim.
- Bacë, ç`është ajo nyje e padukshme? Kush mendon se do ta lidhte stoicizmin tënd?
- A?

Leximi i paragjykimit:

ditën e Shën Gjergjit, i thuhej, se është spërkatur shtëpia me pika gjaku e dheu varresh, ndërsa nën pragun e shtëpisë fshehkej një copëz letre me një (sh)krim të pa deshifrueshëm. (Sh)krimi deshifrohej pos nga sy të huazuar nga djalli, të atij peng vënësh që për çdo sy pranvere e njëzuaka shpirtin me qoftëlargun, për ta shituar Motin. Si i dukej atij, ishte pikërisht motra, personazhi që i vinte për t`ia qarë hallet mu në Shën Gjergj. Njëra dilemë i thoshte: je i lajthitur, ke shkalluar, tjetra: mos ia jep bukën gjithë kujt se buka jote të vret! Ajo s`ishte gjithë-kush. Bukën e jepte Moti, porse binte e zgjohej pa vullnet, i thyer, i fyer...
Rrjedha e jetës e mbërthente në vorbulla që nuk dukeshin askund. Me gjithë se, vorbullat e ndiqnin, ato nuk ishin të dukshme për çdo kokë. Të shumtët shihnin me sy, të paktët shihnin me mend. E thëna e shkruar diku ishte shkruar dhe për të, për të mos u lexuar nga ai. Leximi nuk e lante, as e shpëlante, as ia njomte kafshatat e thata. Të thënat e shkruara në letër peng i vjetër, mbetur i lakuar, urë me tri harqe, së cilës rrodhi, rrjedh dhe do t`i rrjedhin kumte fonemash, iluzionesh të ngazëllyera, nami i flluskuar... Përderisa rrotull kokës rrëmuja... Peng aty, peng këtu, peng mes fytyrash të shpërfytyruara. Ecejake të gjata grackave të buta për të mos rënë në gracka të forta. Tatim për, për, për... Paria e hipur mbi shpatulla njerëzish majmej nga vota e bekuar dhe nëmur. Era shpalonte faqet e librit të pashkruar... Diku nuk pranin mësymjet e bartjes së ajrit në Marsin e trillit të kuq.
Bindja e skajshme për dijen nuk i kishte dhënë shkas luhatjes nga magjia. Shkaset dymendjesh i vinin varg e vi: gjysmë-enigmatike, me doza të frikshme, ndjesi ngërthesash të brishta...
Moti i tundur sjellkej mes shkencës dhe alkimisë.
Arsyeja dhe ndjenja kishin humbur udhën tek njëra-tjetra. Çimentonte digën e së parës: çahej. I qasej së dytës: avullohej. Hidhej andej, kthehej këndej. Bindja i ngurtësohej si akull dhe i shkrihej po si akulli. Dogmës po të ishte letër do t`ia fuste flakën. E duhej kapur për diçka... Për çka? Le të hyj në vallen e neutroneve të atomit, si yjtë kapur pas orbitave, si vërdalla e joneve të afshit.
Assesi t`i paqësoheshin mëdyshjet për nyjat e lidhura të vullnetit. Por pengu i gjakimit nisej si plasaritje e zgjerohej në zgot. Zgotit tij frynin erëra të ftohta të dëshpërimit, zgjerohej zbrazësia e vullnetit. Moti i druhej dergjës së gjatë për Pirgun. Një jetë të tërë për ta forcuar e zbukuruar. Ai Pirg krejtësisht indiferent e minorë në mjedisin me arkitekturë marramendëse pirgjesh prej qelqi.

* * *

Kë ta shigjetonte për rropatjet e tija Moti? Motin pa stil pehlivani e pa fyt makiavelisti? Magjinë e zezë provinciale? Sedrën e mos vardisjes liderëve të shpifur? Mbylljen e ritmit në rrethin tematik? Fasadën e vjetër të Pirgut? Pagëzorët...?
Shtronte pyetje që nuk arrinin skajin e tij hermetik. Ai besonte se ende nuk iu kishte thyer Pirgu. Kur t`i thyhej Pirgu a do të mbetej ai? Çfarë do të mbetej nga ai? Ku do të mbetej ai? Kush do të mbetej ai? Së fundi zuri të reflektojë: përse të më mbetej ajo vlerë që as hahej, as pihej, as q..., as vishej dhe, po të vishej prishte etikë dhe estetikë.
Harkohej ditëve për të nxirë, harkohej netëve për të zbardhur si diell, mbi një grumbull letrash dhe një laps grafiti, për t`i gërvishtur kuptimet e fshehura dhe, kur zbardheshin disa sosh, trazimit i hiqej kapaku i vlimit.
Moti nxiroste portrete të përveçme pa përjashtuar veten. Shkopinjtë e zinj që qenë përplasur duarve, këmbëve, kurrizit, vitheve, krahëve, kokës, ende i vërtiteshin dhe i vareshin në varëse të rrotullueshme palltosh para fytyrës. Pritja sikur e ftonte trajtën e goditjes edhe kur qasej përkëdhelëse. Si të përqafej kobra demokratike me thimthin helmues të kollares lidhur për qafe? Rrudhej shpirti, rrudhej lëkura, mllefi fryhej dhe do të pasonte e çara.
Rastësia ia zbardhi Pagëzonin në trotuar, me kollare të zezë e këmishë të bardhë:
- Tungjatjeta Mot!
- Tungjatjeta Pagëzon krye-pari!
- E di Mot, e di.- Të bardhën e letrës e ke shkruar me të kuqen.
- Ke të meta mik. Nuk ke ditur t`i përulesh paqes së re.
- (M)ik?!
- Si t`i përulem paqes së re?
- Sipas masës tënde paska paqe të re dhe të vjetër?!
- Po ja: mbi letrën e bardhë praroje mitin e prijësit të ri.
- Shiko si po i grah Ai turmës së butë, për të kullotur aty, këtu dhe atje ku pritet ende të mbijë bari.
- Ku më shpika cinizmi yt Pagëzon krye-pari? - Ta nxiros Pirgun tim të bardhë, identitetin tim të artë?!
- Ha-ha-ha-ha... Ha-ha- ha... - “Nuk i them as po as jo/ mos e humb djalë-o...”
Tej këtij dy vargësi garues Moti nuk lëvizi... Iu duk se po e nëpërkëmbte moria e kominosheve me kazma, shatër e lopata, avuj djersësh, kor i çakorduar... Ai përtoi t`ia shthurte gardhin parfumit cinik të Pagëzonit. Kjo mynxyrë ia skuqi dhe përcëlloi faqet.
- Je mbyllur në dogmë Mot.
- Kush më thotë?
- A ke ndonjë koncept Pagëzon?
- Pirgun tënd...?
- Ç`është kameleoni për ty?
- Zvarranik me strategji jetese, talent i kamuflimit, gllabërues i viktimës së marrë.
- Zvarranik dinak e përvetësues pritash,si ti?
- Mot, dje, më dhimbeshe, jo sot.
- Pse dje, pse sot?
- Sepse të gjithë i fusin duart në gjepat e gjerë e të thellë të shtetit, dhe:
- Për çfarë të duhen ty ato të gjymtat duar? - Hë?
Deshi ta gjuante me një epitet të gurtë të idiotit, me gjithë atë ngjashëm qe etiketuar edhe nga Edlira e kurorës. Dendur i shtoheshin epitete të kësisoj mendësie. E priste diku një dorë të zgjatur; dorën e daljes nga izolimi, ndër këmba të pa dukshme dhe rrëshqitje në pikë të rrafshit, lajthitje të radhës... Shikonte, por nuk shihte. Assesi t`i shihte kurdisjet e hierarkive, dytësorëve, tremorëve. Në lojëra të tilla gjithnjë ishte humbës; ngase lojërat asnjëherë nuk luheshin me të njëjtin ritëm e në të njëjtin variant.
- Paska tumirje të papara të banditëve për hierarkinë e tyre!
Nuk kuptohej: i fliste Edlirës a largësisë tij.
- Ku je ti, Mot? - E pyeti Edlira kur po shtrihej Moti në shtrat, me vijëzimet e hirta të mërzisë në fytyrë.
- Jam aty ku kundërmuaka “e shenjta”, lavirja liri!
- Jam aty vetëm pas aktit të kryer të zbrazjes, për t`ia ndier athtësinë lavires! Dhe për të vështruar...
Moti ende e mbante në kafazin e kraharorit peng fluturimin e shqiponjës kryengritëse.
Goditej nga çdo anë:
- Si na zezove ati im në mjerim!
- Pse nuk i lyen fjalët me mjaltë, por i nxjerr pelin?
Heshtje vrastare e Motit.
- Pse nuk qëndis lajka, pse nuk sheqeros rrena? Ku i ke ngrykë-marrjet, rraha-shpinat, përqafimet, duartrokitjet, bekimet, lavdërimet... Harqet e lutjes nuk të janë taksuar, as varrosur? Së paku me një begati të tillë mbush gjepat, ati ynë!
Pezmi ironik i Galdimit i tymoste Motit lotin.

* * *

Pakëz, fare pakëz e përmbushte përditshmërinë materiale Moti, aq dhe asisoj sa nuk u mjaftonte të vetëve. Të vetët tundoheshin prej erë-ëndjeve të akëcilëve. Me buza-vajë, përderisa varësia nga Moti ishte fija e vetme ngrehje në skajin tjetër të litarit.

Protesta dhe laku:

me aq sa ngopej Moti nuk ngopeshin dot të tijtë. Ata donin sa e si akëcilët përreth. Mospasja i mbante të ndezura ngjyrat e protestave. Për çudi, në rrethin e zbrazët të mospasjes, i hynin kundrimet e së madhërishmes. Tashmë pajtohej me mynxyrën: më e lehtë do të ishte përballja me luanin e uritur, se sa me shijen e zmadhuar të bishës Galdim. Ai i pëlqente shkëputjet dhe pikë- nguljet e mendjes... Ato dhunti lozonjare, krejtësisht të tijat, pa tatim ia ruanin peshën e humbur në rendin e ndryshuar të shtëpisë. Në majën e dëshpërimit koka i mbështillej me përkufizime universale. Ndoshta pse ajo kokë mund t`i ndizej nga tendosja, mendja i fluturonte në universin e ftohtë. Njeriu është meteor që digjet shpejt dhe lë ose nuk lë prapa shkëndija. Secili njeri e ka meteorin e vet dhe, vijëzimet e shkëndijave të shkurta a paksa më të gjata. Mahnitjet e tija për gjithësinë e yjtë e shkëputnin nga bezdia e përtrollitur e së rëndomtës.
Mahnitja është dhunti hyjnore a çmenduri e shkëputur nga e rëndomta. E rëndomta, me duart e saja kanxha e të brishta petale, dhunshëm e me përkëdhelje e shkëpuste nga fluturimi dhe e gjuante në vorbullën e mjedisit të uritur. Kjo vorbull ia parashtronte rendin e gjërave të xhunglës: i lypte forcë, djersë, gjak, flijim, pendesë, kurvëri, shtrirje, lot, qeshje të ngrirë, arrati nga vetvetja, lojën e aktorit në skenën e shpifur, parime të rrotullueshme si rrotat e auto-makinës, fshirje të së djeshmes për evolucionin e të sotmes, ri(sh)krimin e jetë(sh)krimit...
Deri sa Galdimi për lek ia sjellke lakun në fyt e nuk e varte, ja pse e dëshironte vdekjen.
- Si u dëshiruaka vdekja ejani më pyesni mua? - kumtonte dëshpërimin Moti.

(Sh)Krimi:

si ta piketonte atë që i shkelte në vatër me këmbë të zjarrtë? Ndonëse përqafoheshin, por pse për çdo Shën Gjergj, kur vinte ajo, i lidhej nyjë diçka?! Përse ta meritonin lidhjen nyje pikërisht mendja, duart e këmbët e tija?
- Përse më ndjek kjo mynxyrë? Pse? Pse? Pse? - Shkundi dhimbjen Moti, sikur të shkundte një trung peme me fruta të kalbura që i binin kokës.
Moti pa dashje, mynxyrshëm u shty të merrej me magjinë, ndërsa magjiken e bartte si dhunti, si diamantin më me vlerë, të cilin nuk e varte në qafë e, ia praronin rrezet e çasteve, i mbyllej në një shqisë, të cilën ia kishte përjashtuar makutëria e jetës. Shkrimi i frymës saj lypte sytë e mendjes, thellësinë e gjerësinë e Magut, shqisën e dhjetë të tij, që do t`i shndërronte prekjet në magji.
- Ku është ai(sh)krim i (sh)krimit të fatit tim?
- Shfletoje Librin e Urtarëve, ngase i mungon Pirgut tënd e, do ta gjesh aty - pleqëroi Magu. 

 SHIFRA: LIRIA PËR TY

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen