Freitag, 21. März 2014
Haxhi Muhaxheri - Dhjetë poezi
SHQIPËRIA
Ishte nuse
që ia kishin zili perënditë
Nga shkëlqim i nurit të saj
dritë merrte edhe dielli
Kahmot e lakmonin
kodoshet e Olimpit
Ajo nuk jepej
ajo nuk merrej
Ata e mallkuan
trupin ia gjymtuan
Thonë se Europa atëbotë
Qeverisej nga djalli
21. 03. 2014
KOSOVËS
Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
Pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
E bimën dardane
Këngën e mortit
Ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie
ÇAMËRIA
Çamëria është
Lumë i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron
Ora e lutjeve që nuk mbaron
Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema jonë e krenarisë
Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut
Tregimi ynë për barbarinë
Plaga ime e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë
Çamëria është
Kodi i pazbërthyer i perëndisë
29.04.2013
NE DHE LISAT
Kemi diçka të përbashkët
Rrënjët thellë në tokë
Kokën lart në qiell!
Lisat lëshojnë shtatin
Ne rrisim hapin
Ata i përkund era e moteve
E fëmijët tonë
Djepat me ninullat e lokeve
Lisat puthin qiellin
Ne lutemi për diellin
Të sotmën dashuri
Të ardhmën lumturi
Ata bartin historine e moshës
Ne kujtimet e trishta
Të kohëve me grip
Tokën tonë
E madhërojnë lisat
Shekujve
E zbardhin plisat!
25. 02. 2014
LISAT DHE PLISAT
Askush mund t‘i numëroj lisat
Askush mund t‘i përulë plisat
Me lisat flasin legjendat
Me plisat flet historia
Në gjokset tona
Shpesh u thyen stuhitë
Të mos na priteshin lisat
E kokën të na e zbardhnin plisat
26. 02. 2014
POETI
Fle me të gjitha të dashurat
Dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zën frymëzimin e parë
Merr Udhën e Qumshtit
E gjuhën e yjve e mëson
Për vrimë të gjilpërës
Përbiron detin
Në kërkim
Të fjalës së pa thënë
Një këngë e re po vjen
PSE VDIÇ POETI
Çdo fjale
vargu a poezie
shpirt i dha nga vetja
Ndaj
Mos pysni
pse vdiç poeti
Ai veç lindje kishte
ZGJOHU POET
Ose: Thirrje për poetin Ali Podrima
Nuk jam engjull
Në tempullin e durimit
As memec i përgjumur
Zotin mallkoj
Që as kokën e ktheu
Kur Kosovës ia lidhje plagët
Zgjohu poet
Se përseri
Po „Tkurret Atdheu“
Zgjohu e zhvishi
Të gjitha marrëzitë e kësaj bote
Europa prap fle
Edhe djalli lirshem ngre krye
Zgjohu për tokën dardane
E për „gjakun që nuk falet“
Zgjohu ore burr i dheut
E ti zëm pusi të keqës
Se koha nuk pret
17.06.2013
YJET DO NA KENË ZILI
Edhe pse udhët na janë ndarë
Ne bashkë jemi
E dashur
Frymojmë nën të njëtin qiell
I njëjti diell na ngrohë
Moj
Në ëndrra shpesh takohemi
E dashurisë
I japim shpirt
Orët po luten për ne
Të gjitha nyjet
Do të zgjidhen
Prapë do ta lozim
Vallën e Psherëtimave
E yjet do na kenë zili
EJA
Që moti i jam falur vetmisë
E gjumi mërguar më ka
Shtigjeve të dhembjes
Bashkë me ëndrrat
Dhe kujtimet për ty e dashur
Kot dergjem në planetin e pritjës
Edhe lutjet e kanë humbur kuptimin
Ato as zoti më nuk i merr vesh
Damarët e zemrës mi dogji malli
E çmendia pamëshirshëm më pushton
Harroj të gjitha dhe eja rrezja ime
Ndizi edhe njëherë motoret e shpirtit tim
E zjarri i dashurise le ta ngrohe gjithe boten
Të puthemi te lozim te duhemi
Me afshin e dikurshem deri ne agim
1987
_______________Nga Rrahim Sadiku, shkrimtar
Mini ese për poezitë e Haxhi Muhaxherit
Poezia e Haxhi Muhaxherit shëtit nëpër kohë e ngulitet në truallin e atdhedashurisë, ku e gjen edhe etja prej poeti, edhe malli prej mërgimtari, edhe shtytja prej kërkimtari. “Damarët e zemrës mi dogji mall” na bënë të bashkëndjejmë ai, duke patur në horizontin e mendjes një kohë kur “yjet do na kenë zili” dhe “i njëjti diell na ngroh”, në atdheun ku janë zbrazur “të gjitha marrëzitë e kësaj bote” dhe aty janë shtruar edhe dhembje shumë të mëdha, të cilat i ndjejnë të gjithë, po që janë tragjike për zemrën e ndjeshme të poetit, që në poezinë e tij simbolizohet me të madhin Ali Podrimja, i cili edhe gjallë edhe tashti, na kujton se në mendjen krijuese “kënga e re po vjen”. Dhe kjo këngë e re madhërohet me plisat, lartësohet me lisat, lahet me dhembje e dashuri Ҫamërie, duke u shndërruar kështu në simbol fitoreje, dëshire që kjo e arritur të shkojë deri në fund, që bota shqiptare të jetë e ndritur dhe me vendin e merituar në trojet etnike e në botë.
21. 03. 2014
Nga "Ora shqiptare" - Facebook
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen