Freitag, 18. April 2014

Jup Kastrati, një nga viganët e albanalogjisë

 
Kujtesë, në 90-vjetorin e lindjes:
 
Nga: Isa Halilaj
studiues, “Mësues i merituar”

1.
Prof. Dr. Jup Kastrati, një nga viganët e albanalogjisë, u nda nga jeta në shtator 2003, në moshën 79-vjeçare. Shkodra dhe gjithë shqiptarët, që e kanë njohur, e përcollën me nderimin më të merituar. Se u krijua një boshllëk i madh për shkencën albanologjike, për një nga themeluesit e saj. Po figura të tilla, si e Prof. Kastratit, kurrësesi, nuk harrohen.
Me 15 prill të këtij viti, në gjallje, Profesori ynë do të festonte 90- vjetorin e lindjes. Kujtesa e historisë, jeta dhe vepra e tij shkencore e atdhetare, na obligojnë që ditëlindjen e tij dhe gjithë datat në shenjë të këtij burri të madh të kulturës e shkencës shqiptare, t’i kujtojmë e respektojmë, me nderimin më të madh.
Prof.Jupi, veprat dhe jetën intelektuale e qytetare, i ka bërë vetë të njohur mjaft mirë. Po, në vlerësim të kësaj figure, janë shkruar edhe vepra e artikuj të shumtë. Kam parasysh këtu shkrimet e prof. Tomorr Osmanit, Begzad Baliut, Diana Kastratit, Mentor Qukut, Vehbi Hotit, Naim Kules e mjaft të tjerëve.
Me këtë shkrim modest, edhe unë, ish-student e bashkëpuntor i tij, po shprehi nga zemra dhe mendja respektin dhe vlerësimin më të lartë, për këtë personalitet të shquar të mendimit e veprimit shkencor shqiptar.
Arsimimi i tij, dëshirë e vullnet i pamposhtur, është realizuar me vështirësi e pengesa të kohës. Në vitet ‘30- ’35 të shekullit të kaluar, mbaroi filloren plotore shkëlqyeshëm. Pastaj i futet Gjimnazit klasik (’36- ’40) dhe Liceut Real (’41- ’44) në qytetin e lindjes, Shkodër. Pak kohë, në këto vite, ka vazhdur në Liceun “Galileo Ferraris”, Convitto Nazionale “Umberto I” në Torino të Italisë, që i vlejti shumë për horizont dhe kulturë të përgjithshme. Por, pikërisht në këtë periudhë rinie, gjatë pushtimit italian, si antifashist, është persekutuar, burgosur e internuar në fushë-përqëndrimin italian, Comando Z, te Kodrat e Tepes, në Shkodër. Pastaj, nga andej është dërguar peng në burgun famëkeq të Prizrenit, në korrik-shtator 1943, nga i cili, te Ura II e Vezirit në Kukës, u pushkatuan 16 shkodranë e kosovarë të burgosur.
 
2.
Që nga shtatori i 1946, shërbeu mësues në qytetin e lindjes, duke mos e ndërprerë për asnjë çast përpjekjen për arsimim në nivelet më të larta. Pasi mori ILP 2-vjeçar në Tiranë, shërbeu me përkushtim në Gjimnazin e Shtetit Shkodër. Aty shquhet një mësues dhe edukator meritor, me rezultate të larta. Krahas punës në mësimdhënie, nuk rreshti së paraqituri me shkrime tematike e problemore në shtypin e kohës.
E, pa shkëputje nga puna, arriti të mbarojë Fakultetin e Filologjisë, në UShT. Me këtë nivel përgatitjeje dhe me dëshirën që Shkodra të ketë arsimin e lartë, ai është nismëtar themelues, jo vetem i ILP 2 e 3-vjeçar të Shkodrës, nga 1957, por edhe ka meritën e kthimit të këtij institucioni në Universitet, me emrin “Luigj Gurakuqi”, në saje të kujtimeve dhe kërkesave urtake të këtij shkodrani të mirë, pranë organeve të larta shtetërore. Aty ai sherbeu pedagog e shef katedre i gjuhës shqipe. Është periudha më intensive e prof. J.Kastratit, në fushën e gjuhësisë dhe bëhet një nga themeluesit e Albanologjisë, në krah të Akademikëve E. Çabej, M. Domi e Sh.Demiraj.
Ka shërbyer në arsim mbi 57 vjet, nga të cilët 37 në arsimin e lartë, kryesisht në Shkodër. Ishte model për t’u marrë shembull në mësimdhënie, për përgatitje të thellë shkencore, për taktin pedagogjik e korrektësinë e edukatorit. Siç shënojnë edhe ish-studentët e ti,j Ismet Bala e Naum Kule, prof. Kastrati, ndryshe nga disa pedagogë që kërkonin ta sajonin autoritetin e tyre me poza fallse, nga toni kërkues dhe denigrues, që si të thuash përdornin pedantizmin e tyre shtrydhës, duke tundur “lëkurën e ujkut”, ai i jepte dritë e bindje auditorit, me njohuritë që jepte. I ishte i vetmi pedagog, që i vlerësonte studentët, në radhe të parë, me shprehjen “Ju faleminderit!” dhe, ngrohtë e ëmbël, udhëzonte: “ Për këtë çështje shikoni edhe njëherë leksionin; po shikoni te Çabej apo te Fatmir Agalliu dhe këtu e këtu… e pastaj bisedojmë përsëri…”. Kur studentët përgjigjeshin mirë e ndonjë merrej suksesshëm me punë shkencore, Profesori i vlerësonte si një hap i mirë i punës së tyre dhe vazhdonte nxitjen, “jemi te vonuar , bota ka ecur shumë përpara, prandaj nga me hap, të ecim me vrap !“. Kjo ishte në fakt motua e punës së tij.
Një meritë e veçantë e prof. Kastratit është mbrojtja e lidhjeve të punës me gjithë institucionet shkencore, në Shkodër dhe Tiranë ose në Prishtinë, Tetovë e Ulqin dhe me arbreshët e Italisë e të Greqisë, po dhe me studiues, ish-studentë e bashkëpuntorë të tij, si Xhemal Meçin e Ismet Balën, në Pukë e Tropojë; me Shefqet Hoxhën, në Kukës dhe deri me Novruz Shehun, në Tepelenë e Naum Kulen, në Fier. Ndërsa prof.esor Mark Tirtja, ish-student i tij në ILP, nuk harron ta vlerësojë atë si nxitësin e parë e kryesor të tij, “ për t’u marrë me punë kërkimore shkencore. Ai na ka trajtuar si koleg e familjar, në ato vite mjaft të vështira për ne”.

3.
Veprimtaria e Prof. Kastratit është e shumanshme, pedagogjike e shoqërore, shkencore e albanologjike, si në historinë e gjuhësinë shqiptare, albanologjinë, historinë e letërsisë shqiptare e në veçanti të asaj arbreshe, dialektologji e folklore, në historinë e shkollës shqipe e mendimit pedagogjik dhe, veçmas, në bibliografinë shqipe.
Punimet shkencore kryesore të tij janë përfshirë në mbi 30 vëllime studimesh, të botuara nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Tiranës, po edhe në Kosovë, Tetovë, Napoli, Kalabri, Salerno etj. Veprat e tija shkencore, të botuara e ribotuara që nga viti 2001, arrijnë në një kolanë prej 40 vëllimesh dhe 6 të tjera janë të sistemuara në dorëshkrime, që presin dritën e botimit, një trashëgimi serioze e albanologjisë. Mjafton të përmendim vetëm disa prej tyre, si: “Historia e Albanologjisë”, në 5 vëllime; “Historia e gjuhësisë shqiptare”, “Historia e gramatologjisë shqiptare”, “Sintaksa e gjuhës shqipe”; studime linguistike, filologjike e arbreshe; Bibliografi albanistike, ditar shkencor ose monografitë e bibliografitë e veçanta, si për Konicën, Skëndërbeun, De Radën, F. Shirokën, N. Mjedën (në bashkëpunim me K.Biçokun e M.Qukun) etj. Të gjitha këto, në disa vëllime.
Ai dha një ndihmesë të çmueshme në studimin e fonetikës e drejtëshkrimit, ortografisë, dialektologjisë e tekstologjisë e sintaksës, si dhe në përkthime gjuhësore. Të gjitha këto, me syrin e një mjeshtri, prej pedagogu e studiuesi të palodhur e diturishumë, për t’i bërë të kuptueshme e të asimilueshme në aspektin shkollor dhe publik.
Në bibliografinë e shkrimeve të prof. Kastratit, në periudhën 1941 – 1999, bie në sy shumica e organeve, brenda dhe jashtë vendit, në mbi 90 gazeta dhe revista, nga të cilat 25 jashtë Shqipërisë, si në Kosovë, Maqedoni e Mali i Zi, në Europë, Amerikë e Azi. Ky autor i shquar kishte informacion të thellë për studimet e kryera nga albanologë dhe studiues të tjerë të huaj, për vendin e historinë kombëtare shqipëtare. E, në këtë plan, shumë nga studimet e tij janë bërë të njohura e të publikuara në gjuhë të huaja, jashtë shtetit. Ai zotëronte mjaftë mirë gjuhët latinisht, italisht, frengjisht etj.
Shpirti i tij kërkues e krijues, në të gjithë veprimtarinë e tij, ka orientim kombëtar, besnik ndaj idealit të shqiptarizmës, që përvizoi Rilindja Kombëtare Shqiptare. Prof. Kastrati, me pjekuri e guxim, mundi t’i bëjë ballë fluktualitetit politik dhe ideologjik në vite e na dha vepra me përmbajtje të shëndoshë shkencore, edukuese e me theks kombëtar, në shërbim të brezave të rinjë.
Ishte pjesëmarrës në të gjitha konferencat albanalogjike e ato historike, brenda dhe jashtë vendit. Në sesione shkencore ka kumtuar mbi 120 tema e diskutime të frytshme. Më 1972 ka qenë delegat firmëtar e organizotor, në zhvillimin e Kongresit të Drejtëshkrimit. Me mençuri e guxim, ka mbrojtur e zbatuar besnikërisht Standartin e Gjuhes Letrare Shqipe, me idenë se, me një gjuhë e një komb, i shërbehet bashkimit kombëtar. Veçmas këtyre, e ka ndihmuar direkt Shkodrën, duke themeluar e drejtuar: “Buletinin për Shkembim Eksperience”, “Buletinin Shkencor” të ILP, në 45 vëllime; revistën letrare “Shkodra”, në 15 vëllime. Ka qenë redaktor te “Gjuha Jonë”, “Lidhja”- Kozencë, “Besa” etj.
Prof. Kastrati, që nga viti 1958, mori tituj shkencorë, shkallë pas shkalle, në 60 vitet e punës shkencore, duke patur udhëheqës shkencor, relatorë e recensentë, profesorët më me peshë të albanalogjisë, si E. Çabej, M. Domi, Sh. Demiraj, Dh. Shuteriqi, V. Bala, E. Lika etj., duke merituar gradat e titujt: “Kandidat i Shkencave”, “Docent”, “Doktor”, “Profesor” e “Akademik”, duke u renditur kshtu me dinjitet në radhët e themeluesve të Albanologjisë dhe shkencës shqiptare.
Është vlerësuar e nderuar; me mirënjohje, tituj, medalje e me urdhëra. Që nga 1979, me titullin “Mësues i merituar” e më 1987, “Mësuesi i Popullit”; ndërsa, në kuadrin e 75-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës i dha titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”.
Nuk mund të lëmë pa përmendur vlerësimin meritor, që i është bërë prof. J. Kastratit, më 1998, duke e përfshirë atë në “Enciklopedinë Ndërkombëtare të Bibliografive” (Edicioni i 13-të i intelektualëve botërorë).
Për të gjitha këto, në kurorëzimin e veprës e jetës së tij, ka patur edhe përkrahje, vlerësime kolegjiale, kolektive e instucionale, shoqërore e shkencore, në Shqipëri dhe në botën akademike të gjuhësisë e të albanologjisë. Pikërisht për këtë, ai përkujtohet dhe do të përkujtohet me respekt, jo vetëm në këtë 90-vjetor të lindjes, por gjithmonë, sot e në të ardhmen, nga brezat e studjuesve dhe botës akademike shqiptare. 
Tiranë, prill 2014

___________
Për "Ora shqiptare", këtë shkrim na e dërgoj prof. Murat Gecaj. E falënderojmë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen