Balada e Selman Likës është nga ato mijra balada që, përmes këngës dhe tingujve të çiftelisë ka arritur deri në ditët e sotme.Baladat shqiptare mendoj se janë të madhërishme,që nga Konstandini dhe Dhoqina e shumë e shumë të tjera që ruhen në thesarin e vyer të krijimtarisë popullore. Baladat kanë një përfundim të dhimbshëm, tragjik. Edhe balada e Selman Likës ka një përfundim të tillë.Ajo ka arritur deri më sot falë folkut të pakrahasueshëm shqiptar. Çiftelia dhe sharkia kanë qenë ato që e kanë transmetuar brez pas brezi këtë baladë. Nga gojdhënat dhe, tregimet e të moshuarve të cilët sot nuk jetojnë më,përveç këngës,unë kam pasur fatin ta dëgjoj vetë edhe nga gojët e tyre. Ko baladë është ngjizur në truallin gjeografik të qarkut Dibër dhe, kjo ka një përfundim jo të zakontë me të tjerat. Ndryshimi me baladat tjera se këtu kemi të bëjmë jo me vdekjen e një nuseje,të një fisi, apo shtëpie…por për çudi me vdekjen e dhëndurëve në ditën e dasmës ku ata prisnin të shijonin natën e parë të martesës me nuset e tyre,të mbuloheshin me çarçafët e bardhë duke ju gëzuar ëndrrave të dashurisë,në vend të këtyre çarçafëve ata u mbështollën me qefinin e bardhë…Mjaft tragjike….Përveç këngës, unë kam dëgjuar edhe rrëfimet e më të moshuarve, por sidomos të babait tim që ishte nip i kësaj dere ku u zhvillua kjo baladë dhe hodhi rrënjë. Gjatë periudhës së ndërtimit socialist, me sa di unë kjo këngë nuk u këndua asnjëherë zyrtarisht. Ajo këndohej nëpër dasma, në odat e burrave,gratë me dajret e tyre nisnin vallen. Por më e gjallë, dhe me nota të forta elegjiake ajo u ruajt në gjysëm truallin e mbetur jashte kufijëve të shtëtit amë, Kosovë, Dibër të Madhe, Shkup,etj. Kënga ka pësuar ndryshime,por në thelb ajo përmban të vërtetën e dhimshme që ka ndodhur në trojet tona…aty ku ajo u përkund qysh kur lindi e deri më sot. Këtu nuk mund të lë pa përmendur rapsodët e rrallë si Salih e Feriz Krasniqi,Agustin Uka, vëllezërit Ploka, Haxhi Maqellara etj. Këta rapsodë e ruajtën me zërin e tyre të gjallë, ashtu siç është zhvilluar ngjarja në ato kohë të zymta kur trolli Arbënor vunate nën thundrën e pushtimit të huaj. Kombi ynë i vogël, ivogël se e lanë të tjerët dhe, kushtet historike që u zhvilluan, nxorri figura të mëdha historike që tashmë dihen. Pas vdekjes së Skëndërbeut lufta e organizuar me strategji të mirfilltë ushtarake pushoi. Por ajo nuk pushoi në asnjë çast,ku çdo shkurre,shkëmb,kullë, u kthyen në instikame të vetmbrojtjes dhe të një lufte të pashembullt kundër hordhive të huaja që e kishin pushtuar atë,duke e kthyer këtë tokë në një vatër zjarri, dhe të pa sigurtë për çdo pushtues,duke bërë skrificën më sublime, deri në dhënien e jetës. Pra në këto kushte, lindi kjo baladë e veçantë në llojin e saj….
Selman Lika atë ditë pasi u ul në mbrëmbje në kullën e tij,ndezi çibukun me duhan të fortë me eshkë, kurdisi sahatin që embante për qafe me dy zinxhirë të artë, e pyti edhe njëherë të shoqen se mos kishin harruar ndonjë gjë,dhe më në fund thirri një nga nipërit e tij. Ai ishte një burrë shtatlartë, kësula e bardhë si dëborë mbi krye, brezi i kuq i mbështillte mesin,tirqit e bardha me gajtana të zinj anash, opingat prej lëkure,musteqet e dredhura dhe vetulla të trasha. Ai fliste rrallë, pasi e peshonte mendimin me veten e tij,rrallë diskutonte edhe me të shoqen,dhe si të thoshte vendimin e tij, nuk luante prej asaj që kishte thënë.Këtë herë me të shoqen diskutoi gjatë dhe, ja dëgjoi me kujdes çdo fjalë. Kjo ishte e rrallë për natyrën e tij,por këtë radhë ai duhej të lëshonte pe… Në fund të fundit fëmijët i kishte me të,kishin kaluar kushedi se sa halle sëbashku dhe kishin vënë tërë këtë pasuri. Nuk ishin pak, por rreth dy mijë kokë dhen që numëronte. Dhe këto ishin falë punës së tyre, përkushtimit me vetmohim në ato male ku gjysma e motit ishte dimër.E, prandaj ai me medjen e tij këtë radhë e dëgjoi të shoqen deri në fund.Nuk e kundërshtoi si herë të tjera duke u bërë zevzek,por i aprovoi që të gjitha. Ai kishte vendosur që të dy djemtë Ahmetin dhe Musain t’i martonte në një ditë.E para, sepse dhe në moshë nuk kishin diferencë të madhe,ata kishin një vit ndërmjet njëri tjetrit dhe, e dyta punët i kishin ecur aq mbarë sa nuk mund ta përshkruante dot. Nuset i kështe zënë sipas zakonit në familje të dëgjuara dhe, që ishin gjashtë orë larg me kalë nga shtëpia e tij.Pikërisht në këtë pikë të mendimeve të tij ai dërgoi të thëristë kumbarin. Ai erdhi menjëherë dhe, pasi i diskutuan me hollësi të gjitha gjërat vendoësën të nisnin dasmën. Kumbara ishte një burrë i urtë,ai kishte peshën më të madhe sipas zakonit. Pasi u vendos dita e dasmës,u thirrën të afërmit, pra gjithçka u vu në vijë,mbetej vetëm kjo punë të shkonte mbarë e bukur.Dhe s’kishte pse nuk shkonte!
Pasi u caktuan krushqit që do të shkonin të merrnin nusen,u muarën me disa punë më pak të rëndësishme. E para ishte të pregaditej buka për rreth njëqind krushqit që do të kishin rrugën e largët për të marrë nuset.Dasma filloi…oshëtima e lodrave dhe e cyrleve,era mishit të pjekur kalonin malet dhe përzihej me retë. Krushqit meqënse kishin rrugë të largët u ulën nëpër sofra për të ngrënë bukë para kohe.Krushqit ishin pjesa më e madhe të hypur nëpër kuaj, ku i kishin zbukuruar me lule të rralla bjeshkësh që lëshonin një erë të këndshme.Por dy kuaj të kuq,të shëndetshëm, dhe zbukuruar më së miri ishin caktuar për nuset që do të vinin. Ata u nsën mes një gëzimi të pamasë,lodrat bënin që edhe pishat kërcenin nën ritmin e tyre,hutat,një lloj arme që përdorej në atë kohë përhapnin përrreth flakë e erë baroti.Pasi u larguan krushqit për të marrë nuset,në kullën e Selamn Likës mbetën vetëm të moshuarat,fëmijët dhe, guzhinjerët që pregadisnin bukën. Ndër këta ishin edhe dy dhëndrat e rinj që martoheshin atë ditë.Ata ishin veshur me rrobat me të reja,me kësula,xhamadana, dhe tirqë të rinj. Sipër kullës, në një distancë prej katër-pesë kilometrash kishin stanet ku mrizonte bagëtia. Stina nuk na bëhet e qartë se cila mund të ketë qenë.Por sipas ngjarjes së treguar mendojmë se ka ndodhur në muajt e verës. Selmani,pasi u nisën krushqit thirri djemtë, pra dy dhëndurët, pranë tij.
- A keni ngrënë bukë – I pyeti ai ata.
- Po-iu përgjigjën ata kokë ulur.Ata nuk e vështronin të atin asnjëherë drejtë e në sy.
- Atëherë-tha ai-derisa të vijnë krushqit,o burra deri në stan t’u hedhim një sy bagëtive.Dhe pasi të mbaroni menjëherë të ktheheni këtu. Djemtë u nisën menjëherë.
Ata u nisën me hap të shpejtë. Por zëri vrazhdë i Selmanit nga pas i ndaloi.
-Po armët- tha ai-ku i keni? Ku niseni pa to? Hee qeshi nën mustaqe, që tani ua morën mendtë telat. Fjalën e kishte për nuset që me të vërtetë dy djemtë ëndërronin. Tela, Selmani u thoshte stolisjes që mbanin gratë,kurse për burrat ai ishte i palëkundur,ata duhej të kishin armë,dhe aroma e tyre duhej të ishte aromë baroti. Ata u kthyen menjëherë në kullë, hodhën hutat krahut dhe u nisën për në stan. Koha ishte e mjaftueshme që, ata të mbaronin punë me bagëtinë dhe të ktheheshin në kullë për të pritur bashkë me tjerët dasmorët.Kur arritën në stan,ata në fillimi i dhanë bagëtisë kripë dhe ujë. Pastaj prenë me kadha degë me gjethe dhe, ua hodhën bagëtive. Në këtë kohë u dëgjuan të lehurat e qenëve. E lehura e tyre nuk ishte si herë të tjera kur binte ujku për të rrëmbyer ndonjë berr, apo kur kalonte ariu. E lehura ishte e egër, dhe qentë hidheshin përpjetë me furi. Në këto kohë u dëgjua një krismë e thatë dhe,angullimat e qnit që po jpte shpirt. Po kështu ndodhi edhe me qnin e dytë. Dy dhëndurët hoqën menjëherë hutat prej krahut dhe hapën zjarr andej nga erdhën krismat. Por, ishte e kotë,trqind huta shkerpën menjëherë përreth stanit dhe të dy dhëndurët e rinj ranë të vdekur në tokë.Bagëtia blegërinte dhe, hidhej mbi gardhin e vathës së stanit.
Kënga thotë:
Selman Lika nën qepen
Trqind huta ranë ndër dhen…
Kur e mori vesh Selmani se çfarë kishte ndodhur, u bë bishë. Rrëmbeu përnjehërë hutën e varur në çardakun e kullës dhe, u nis menjëherë në drejtim të stanit.Të gjithë burrat e aftë për armë kishin shkuar krushq. Fill i vetëm u sul me furi përmes pishave dhe aheve. Në këto moment mendja filloi t’i punonte si sahat. Duke e njohur terrenin pëllmëmbë për pëllëmbë,ai deduktoi se kishte vetëm një rrugë ku mund të kalonin. Dhe kjo rrugë ishte gryka e zallit që edhe të shpëtonte me kthinat e përrenjëve dhe të gorreve, por ama nëse ishe më i shpejtë dhe u dilje mbi krye duke shfrytëzuar çdo shkëm dhe gurë,ajo ishte një aleate sa për njëmijë luftëtarë. Koha nuk priste. Slmani me hutë në dorë, shpejtoi dhe u preu rrugën e zbritjes tek shtegu. Krisi pushka.Ai çdo pishe, lis e ah, e ktheu në instikam. Ulërima e tij çante qiellin.Huta villte zjarr të pandërprerë.I gjithë vendi përreth u mbush me erë baroti. Çdo gjujatje e Selmanit ishte një kokë. Klithmat e tij tmerronte bashibozukët.Më së fundi me strategjinë e tij që i shkreptiti në mendje i futi në luginën e zallit.Tani i kishte në pëllëmbë të dorës. Huta e tij mbi ta bënte kërdinë. Ndërrimi i pozicioneve të njëpasnjëshme nuk i dha kohë armikut të kuptonte se sa forca ishin. Më në fund ai ia dha vrapit në panik. Selmani nga sipër sokëllinte si luan sa dhe gjethet e drurëve dridheshin . Huta e tij bënte kërdinë. Më në fund një plumb e goditi në krahun e majtë. Sytë iu mjegulluan. Por me dorën tjetër shtrëngoi armën dhe ashtu i përgjakur filloi të qëllonte duke sokollitur “prite more prite Selman Likën”. Kishin kaluar plot pesë orë.Krushqit pasi kishin marrë nusen po ktheheshin me këngë në gojë, shkrehnin pushkë,lodrat oshëtinin. Selmani u kthye ashtu i plagosur në stan. Aty,të dy djemtë e tij, Ahmeti dhe Musai kishin dhënë shpirt mbi armët. Pak më tutje gjendeshin të vrarë edhe dy qentë. Sytë iu përlotën. Ai nuk i njihte lotët,por këtë radhë ata e mposhtën.I ktheu xhenazet për së mbari, u mbylli sytë dhe përkrah u vuri pushkët. Paskësaj shkoi tek qentë, edhe ata i shtriu pranë njëri tjetrit dhe, disa pika lotë të nxehtë ranë mbi ta. Pastaj, vetëtëtimthi mori një një vragë të shkurtërdhe u doli para krushqëve. Krushku i parë, ishte një burrë i urtë dhe trim i bajrakut.Ai kur e pa të zotin e shtëpisë me armë në dorë dhe të përgjakur, zbriti menjëherë nga kali. Pasi bisedoi për pak çaste me Selaminin,urdhëroi që krushqit të uleshin për pushim,dhe zgjodhi dhjetë burra që ti shkonin pas. Kur shkuan në stan,pregaditën dy vigje ku vendosën dhëndurët e vrarë.Pasi varrosën qentë me nderime,burrat morën dy xhenazet dhe u bashkuan me krushqit.
Tashmë ishin afër kullës.Dhëndurët e vrarë i mbartnin përpara burrat krushq dhe, të tjerët bashkë me nuset vinin prapa. Kur u afruan afër shtëpisë, graria që kishte mbetur aty dhe, e shoqja e Selamnit nuk kishin marrë vesh asgjë për ngjarjen. Ndërkohë ardhja e krushqëve u vu re nga ata. Dy motrat e dhëndurëve morën dajret dhe, dukë u bërë zë edhe grave të tjera fillua t’u binin atyre dhe të këndonin:
Heej lumi na or lumi na
Na vinë nuset mbi kuaj të bardhë…
Por për çudi lodrat dhe cyrlet nuk po binin. Pushkët nuk po shtinin ashtu siç ishte zakoni. E shoqja e Selmanit vuri re se diçka nuk po shkonte….zemra sa s’po i shkallmonte kraharorin. O Zot, çfarë mund të kishte ndodhë?!...Ndërkohë krushqit u afruan tek shtegu i oborrit,dy xhenazet u prinin përpara dhe, të tjerët këta burra që brenin hekurin me dhëmbë vinin kokë ulër pas.Menjëherë u mor vesh tragjedia. Askush nuk mund të thoshte asnjë fjalë. Krushku i parë që në këto raste kishte të gjitha atributet heshtëte dhe, ishte i zi si nata. Selmani me një krah të lidhur dhe i gjakosur me krye varë ecte pas tij.Dasmorët në heshtje vepronin pa folur asnjë fjalë. Dhëndurët të kthyer në xhenaze i vendosën në odën e burrave. Kurse nuset e reja me duvak i futën në odat e tyre.Pasi u ulën të gjithë burrat në konak,sipas zakonit fjalën e kishte krushku i parë.Por ai më mirë kishte dash vdekjen se të ishte në këtë gjendje. Por çfarë mund të thoshte ai?Atëherë Selmani nxorri nga xhepi sahatin e argjendtë dhe e pa.Akrepat e tij shënonin gjashtë e tridhjetë pasdite.U ngrit si një mal dhe, me hapat e tij të mëdha u drejtua për nga oda e nuseve.Në fillim shkoi tek nusaj e Ahmetit se, ajo ishte më e madhja. Si zakon ishte që duvakun ua hiqte dhëndri. Dhe Selmani me një peshë sa një shkrep në shpirt u drejtua vetë tek ajo.Në atë kohë është vështirë të përshkruhen emocionet që kishte dhëndri që do t’i hqte duvakun nuses,dhe nusja që do të shihte për herë të parë dhëndrin. Selmani pasi shkoi pranë saj e zunë të dridhurat.Të tillë të dridhura ai nuk kishte kaluar asnjëherë.Ngriti dorën e tij,kapi cepin e duvakut dhe e zbuloi nusen.Nusja ishte e bukur si hëna.Vështrimi i tij përshkoi ballin e saj të lëmuar si kadife.Ajo sytë i mabnte të mbyllur. Me një zë që i dilte nga shpirti,plot pikëllim dhe vaj i foli:
- Bijë e babait - Pasi u mbush thellë me frymë vazhdoi:-Fale babain sot oj bijë,se unë nuk kam djalë për të hequr duvakun…Një ngashërim i brendëshëm iu mblodh gulç deri në grykë dhe, ai ishte gati të shpërthente në vaj. Por e përcolli poshtë dhe kontrolloi vetveten. Nusja hapi qepallat e saj si krah dallëndyshje,lëvizi buzët si luleshtrydhe dhe, me një zë të butë si kadife iu përgjigj:
- Qëndro baba….Unë jam nuse në kullën e Selman Likës dhe vetëm e vdekur dal këtej.Trimave që bien nga pushka nuk u ka hije vaji por kënga.Unë vërtetë nuk kam sot burrë të më heqë duvakun,por do të pres atë djalin tënd të vogël që akoma nuk i ka mbushur të shtatë vjetët…Selmani Lika u ndryshua përnjëherë.Nuk e kishte më atë gjendjen plot ankth të fillimit.Jo më kot miqësinë e ishte kërkuar nga derë e dëgjuar.Dhe nusja e re shkrepi një pushkë më të madhe se ai me të bijtë. E puthi në ballë,e bekoi dhe buzët e thara nën mustaqet e mëdha i qeshën. Po të njëjtën përgjigje i dha edhe nusja tjetër.Atëherë ai me kryet lart u fut në odën e burrave.Megjithëse ajo ishte e mbushur plot kishte një heshtje të rëndë,heshtje varri.Burrat rrinin me kryet varë dhe vetëm pinin duhan. Selmani mori fjalën:
- Burra - tha ai.Ngreni krenat se jemi mbledhë për dasëm.Apo jo o krushku i parë.Ty të takon ndera e zakoni ta çosh deri në fund këtë punë ashtu siç të ka hije sepse,e do nderi i kësaj kulle. Buka që është ba gati për dasëm është sot për ne një bukë morti.Të shtrohen sofrat dhe të hahet buka e mortjes. Pasi të varrosim xhenazet të kthemi të gjithë kështu siç jemi e të vazhdojmë dasmën. Unë sot kam rilindur edhe njëherë.
Pasi varrosën dhëndurët u kthyen përsëri në kullë dhe nisi dasma.Kjo ishte një dasmë e padëgjuar më parë.
- Kënga thotë:
Selman Lika nën qepen
Trqind huta ranë tek dhentë
Ranë tek dhentë e ranë tek dhitë
Vjen haberi se u vranë barnjtë
Prej barnijëve kush ka mbetë
Met Musaj me t’vëllanë e vet
Ju a merr hakun ai babai i vet
Se për nji ka me vra njëzetë
……………………………….
Selman Lika sheh sahatin
Kanë mbetë nuset pa heqë duvakun…
Kjo është një nga ato baladat shqiptare që na ka arritur deri më ditët tona. Ashtu siç e pata dëgjuar, dhe po ashtu siç thotë kënga u mundova ta paraqes para jush… Ajo zë vend ne thesaret e historisë dhe të folklorit tone të mrekullueshëm e të pasur me visare ari…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen