Sonntag, 2. März 2014

Liridona Shehu

Liridona Shehu u lind në fshatin Lukinaj, në trevën e Hasit të Prizrenit, në janar të vitit 1992. Mësimet e para të shkollës fillore i mori në fshatin e lindjes, ndërsa gjimnazin e mbaroi në Romajë. Sot Liridona studion Gjuhë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Është studente e dhjetsheve. Vjershat e para yllka e poezisë i botoi në Revisën letrare ‘FID...ANI’, që kur ndiqte mësimet në nëntvjeçare. Derisa vijonte mësimet në gjimnazin „Gjon Buzuku“ në Romajë, Liridona botoi përmbledhjen e parë me poezi titulluar ‘ALFABET ZEMRE’. Ajo shumë e përkushtuar vazhdon studimet në vitin e dytë të Fakultetit të Filologjisë. Krahas studimeve Liridona me shumë pasion në vargjet e saj, vë dritë yjesh e bulëzim lulesh. Ditë e më tej bindem, që s’kam gabuar, kur e quajta ‘yllka e poezisë’.


KËNGA E ZEMRËS

Kaltërsinë e qiellit
Ia vesha trupit
Këmishë nate

Etjes i fala gurgullimën e përrenjëve
Zjarrmin e diellit mbolla
Gjymtyrëve të ngrira,
Qafore vara yjëzit e bukur.

Vesën e mëngjesit zgjodha
Vaskë për trupin tim…
Kaqurrelit i lidha lulet pranverore,
E gjethet zbukuruese

Hënës i vodha dritën,
Për hijeshi të fytyrës
Shpirtin ushqyer me zë bilbili
Këngë e zemrës sime

Ti dhe poezia jote
Melodi e dashurisë
Drithërimat e shpirtit
Tinguj të përjetësisë


BRISK E SHPATË

Kombinim jo i zakonshëm
Brisk-shpatë…

Shpatë, për të hapur vrimën
Brisk, për të depërtuar në të

Shpatë, e mprehtë sa shpirtmadhësia
Brisk, i pastërt si artdashuria

Shpatë, me ar e mbuluar
Brisk, prej argjendi ndërtuar.

Shpatë, me dekada në jetë-udhëtar
Brisk, këmbët tash ka nisur të marrë

Shpatë, një pedagog i mrekulluar
Brisk, një nxënës i përkushtuar.

Shpatë- një burrë i hollë
Brisk, një vashëz e njomë.

Shpatë-briskë
BRISK-SHPATË
Udhëtarë liridashës
Nisur drejtë një rruge të artë!


JAM HAJNESHË

Jam mjeshtër hajneshë,
S’më cyt ari, argjendi as vezullima
Vargu po, kënga, melodia…

Mbrëmë ia vodha këngën zogut
Dritën hënës, rrezen diellit
Bardhësinë borës, kaltërsinë qiellit.

Sonte vodha ngjyrat e ylberit
Aromën e trëndafilit, gjelbërimin e pyllit
Bukurinë e yllit.

Nesër mbrëma do të vjedh,
Majën e penës, vargun e poezisë,
Tangon e fundit, drithërimat e zemrës
Ëndrrën më të bukur, puthjen pulësimet…..!


PRUSH

Ngjitu
Andej kah s'ngjitet njeri
Zbrit pastaj
Ligji i Njutonit vlenë akoma
Shtype, ndrydhe, shtrydhe
Krejt përdridhe ...
Mos u mat me diellin
Ta xhelozon hapin
Hënës kurrë mos i beso më shumë se Asaj.
Papagajtë se kanë harraur zanatin
S'ka gjë...
Shkrimtarët i liruan pëllumbat
''n'postmodernizëm''
Zgjidhe gjuhën
Por mos fol
Veq shkruaj
E din Ti...
Kujto ''ai dashnori para teje s'qe bash i cmendur,
Ti je cmenduria e ketij dimri te zjarrtë''
Thoshte Ajo.
Hapëro kulmeve pa borë
Ndal!
Qitja tymin
Flakën vjell Ajo,
Ti prushi mbetesh
AI: Zhdukuuuu
Ajo: Plassss
Dhe plasen të dy nga çmenduria.


KOHË

Vjeshta ka zaptuar dyert e kameleonëve
T'ia qepte edhe gjuhën, hëmm...shpetim
Dita ma plasë shpirtin
Sa herë që gdhinë e nxirë nga tymrat e atyre
Veç nata hallin ma di
Sepse ia kurthon trurin të pagdhendurve.
Se nga ç'metal i kanë dhëmbët vallë
Aq thellë e kafshojnë bukurinë
Aq pamëshirshëm, aq.....
Shiu peshon mallin e përvëluar
Gjethet janë rënduar,
Sa e sa mëkate të verës kanë mbajtur mbi supe të shkretat.
Degët sikur s'pritojnë të rrijnë kryelartë e të zhveshura,
Po hiç s'ka faj vjeshta hiç
Duhet dënuar vera që i stolisë me lloj-lloj ngjyra.
E Ti Kohë, mos prito
Kur t'kalon kah dera e meitëve
Lëshoja bre një zë sa më stentorik se s'bëhet nami!
E di që po ta marrin hisen me letra t'vizatuara
Por t'paktën trego se po kollitesh akoma
T'njoh për burrneshë!

______________
Për"Ora shqiptare", Fehmi Berisha

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen