Sonntag, 11. Mai 2014

Ernest Koliqi

Nuk janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifët aq mirë në shtresat letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të pacaktueme të... zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e letrave t´ona.[1]
 
Ernest Koliqi (20 Maj 1901 - 1975) lindi në Shkodër në një familje me origjinë nga Dukagjini, e rënë në krahinën e Anës Malit, e mandej në Shirokë të Shkodrës.[2] Djali i Shanit dhe i Age Simonit, në gjirin e një familje të madhe me vëlla Mikel Koliqin, i pari kardinal shqiptar, Viktorin, Guljelmin, Lecin, e motra Margeritën dhe Terezinën.[3] Është themelues i tregimit tonë modern, ndërkohë dhe poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, madje dhe dramaturg, gjithsesi dhe veprimtar politik, të kulturës së politikës dhe të politikës së kulturës, gjithmonë kombëtare, të gjysmës së parë të shekullit XX.[4]

Familja në zanafillë kishte mbiemnin Kolaj, por nga tregtia e vazhdueshme me Malin e Zi i mbet Koliqi nga një periudhë e mbrapa. Ndoqi mësimet e para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. I ati, Shani e dërgon për të studjuar në Itali kur ishte 15 vjeç. Studion në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia. Në gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), të cilën e themelon vetë me disa bashkënxënës, boton poezitë e tij të para në italisht. 1921 - Kthehet në Shqipëri dhe ristudjon shqipen me themel, mentori i tij Imzot Luigj Bumçi e prezanton me përfaqsuesit më premtues të brezit kulturor, si Kolë Thaçi, Kolë Kamsi, Lazër Shantoja, e Karl Gurakuqi.[5]

Në një konkurs për himnin kombëtar, mes krijuesve të rinj e jo të rinj, merr pjesë edhe Ernesti i cili vlerësohet me çmim të parë nga një juri e përbërë prej Gj.Fishtës, F.Nolit, M.Frashërit, L.Gurakuqit.[6] Ku dy vjet më pas themelon së bashku me patër Anton Harapin dhe Nush Topallin, revistën "Ora e Maleve", me drejtor gjegjës Shuk Gurakuqin. 1924 Bën pjesë në Shoqërinë patriotike "Bashkimi", e krijuar nga Avni Rustemi. E thërret L. Gurakuqi në Tiranë si sekretar personal. Më vonë bëhet sekretar i Ministrisë së Brendshme. I nxitur nga L.Gurakuqi dhe miqtë e tij, dërgon në shtyp poemthin dramatik “Kushtrimi i Skëndërbeut”. Kjo vepër i dha shpresën për të hyrë përgjithmonë në botën e letrave shqipe. Për shkak të lidhjeve të tij të reja politike, detyrohet t'emigrojë për pesë vjet në Tuzla të Bosnjes,[6] për t'i shpëtuar ndonjë goditjeje nga forcat zogiste, pas lëvizjes së dështuar të Nolit. 1929 - I ndikuar nga ky rreth shqiptarësh, Koliqi shkruan vëllimin me tregime “Hija e maleve”, vëllim i cili e pagëzon edhe si krijuesin e prozës moderne shqiptare. Me një stil të mrekullueshëm narrativ, ai arrin të paraqesë në këtë botim një sërë episodesh të jetës malësore nën ndikimin e rregullave të ashpra të Lekë Dukagjinit por pa munguar edhe skenat e jetës qytetare shkodrane. Me këtë vëllim ai mirëpritet të kthehet në qarqet letrare në Shqipëri. 1930 - Mbretëria shqiptare e fal Koliqin dhe e emëron mësues të thjeshtë gjimnazi. Nga viti 1930 ishte mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë ku i jep mësim mes të tjerëve edhe Petro Markos;[7] dhe në gjimnazin e shtetit në Shkodër ku i jep mësim Lazër Radit. Ku dhe i porositur nga Mustafa Kruja me mbledhë librat e bibliotekës së tij që qe shpërnda ndër françeskanë e jezuitë.[8] derisa shtrëngohet, sërish për arsye politike, të largohet për në Itali. Në vitin 1932 botoi vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” (me një parathënie nga Fishta), një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Aligierin, Petrarkën, Arioston, Tasson. 1933-34 Regjistrohet në Universitetin e Padovës për të vazhduar studimet. Edhe pse me punë në Padova, Koliqi nuk i shkëput lidhjet me Shqipërinë. Bashkëpunon me redaksinë e të përjavshmes kulturore “Illyria”. Gjitha vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinëve” ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane dhe gjejmë të pasqyruar shpirtin e poetit me ndjesina atdhedashurore. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. Në një sërë botimesh periodike dhe veprash të tij, Koliqi afirmohet si një talent i letërsisë shqiptare. 1935, Itali - Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Ky vëllim novelash, siç vëren Miaser Dibra, i përket një shkalle pjekurie më të madhe të autorit. Po këtë vit boton edhe poemthin në prozë “Quattuor”. 1936 - Emërohet Lektor i Shqipes pranë Universitetit të Padovës që drejtohej nga Carlo Tagliavini. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” (me parathënie nga Tagliavini). Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D'Annunzio-n.[5] Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. 1937 kryen studimet në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqiptare”), tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj, që u mbërrit me ndihmën e disa kangëve që ia dha Atë Bernardin Palaj. Tashmë i mirëjohur si albanolog, ndoshta kreu i studimeve shqiptare në Italí.[5] 1939 - Emërohet titullar i Katedrës së Gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë por nuk do të rrijë gjatë pasi po këtë vit nis punën si ministër arsimi në qeverinë shqiptare. Me të marrë në dorë ministrinë e arsimit, ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe i vihet përpilimit e botimit të teksteve shkollore. Sa qe Koliqi ministër u arrit:
 
  • botimi i historisë së letërsisë, me kritere të shëndosha, në dyvëllimshin “Shkrimtarët shqiptarë”(1941), nën kujdesin e Namik Resulit e K. Gurakuqit.
  • botimi i të parës antologji në shqip: “Bota shqiptare”(1943).
  • mbledhja e folklorit për të plotësuar veprën “Visaret e kombit” (vëllim me materiale nga folklori ynë)
  • thirrja në Tiranë e Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 (Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave).
  • botimi i vëllimeve “Rreze dritë”, “Te pragu i jetës”, “Studime e tekste”.
  • themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940.
  • hapja e shkollave shqipe në Kosovë; hapi edhe një shkollë të mesme në Prishtinë dhe mundësoi dërgimin e studentëve nga Kosova me bursë në Itali dhe Austri.
 
Para dhe mbas pushtimit italian bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj.[6]
 
Si Ministër i Arsimit në kohën e pushtimit italian në kabinetin e Sh. Verlacit e n'atë të M. Krujës, gjatë Luftës së Dytë Botërore; në shtatorin e vitit 1941 kur me një vendim, mbi 200 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare.[9] [10] Nga 1942-43 ishte kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe largohet nga Ministria e Arsimit duke lënë pasues Xh. Kortshën. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën.[6] Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari.[11] Në zgrip e kapitullimit të Italisë fashiste, zavendëson Terenc Toçin në krye të Këshillit të Lartë Fashist, gjë që do t'i kushtonte edhe më tepër në syzet e regjimit që do të vinte.[5] 1944 - Largohet për në Itali. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e P. Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën.[7] Vepra e tij letrare u ndalua edhe pse nuk përmbante asfarë shenje a parashenje politike. U ndalua për shkak të veprimtarisë politike të autorit, përkatësisë fetare dhe gjuhës letrare të përdorur. “L’Albanie Libre” është një e përkohshme e sapo dalë në Romë me të cilën Koliqi fillon bashkëpunimin. Ndër të shumtat shkrime, këtu nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane - e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. 1957 - Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare.
 
Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. Vëllimi ka tekste shqip e përkthime në italisht.
 
Themelon të përkohshmen “Shêjzat”(“Le Pleiadi”)që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Jo vetëm shpaloste letërsinë bashkëkohore në botën shqipfolëse, por gjithashtu i dha za letërsisë arbëreshe dhe vazhdoi me lavrue autorët e paraluftës, shumë prej të cilëvet të vdekur e pjesa tjetër në mërgim, që denigroheshin aq shumë nga kritikat e Tiranës. Koliqi kështu shërbeu si një zë i largët kundërshtues i shkatërrimit kultural të Shqipërisë nga rendi Stalinian i vendosun. Prej veprimtarisë së tij, letrare e politike, u sulmue nga autoritetet shqiptare e pas-luftës si përfaqësuesi kryesor i letërsisë borgjeze, reaksionare e fashiste. Më 1983 historia e letërsisë shqipe i referohet pasivisht si "Koliqi tradhëtari".[5]

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. /Martin Camaj/

1959 - Boton vëllimin “Kangjellat e Rilindjes”(“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 - Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.” (Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi”(“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 - Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë europiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 - Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1969 - Më 4 Maj i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1970 - Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren "Gazeta Shqiptare" të Bari-t më 1936), që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 - Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 - Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malcís, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV). 1975 - Vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros po në këtë qytet me datën 18, i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.[6]
 
Koliqi ishte themelues e drejtues revistash, ku botohej e trajtohej letërsia e kultura shqiptare si: Ora e Maleve, Shkëndija, Shêjzat, etj. Si letrar Ernest Koliqi shquhet si krijues në prozë, madje së bashku me Mitrush Kutelin konsiderohet themelues i prozës moderne shqipe. Përktheu në gjuhën shqipe poetët e mëdhenj italianë: Dante, Petrarka, Ariosto, Tasso, Parini, Monti, Foskolo e Manxoni, që i përmblodhi në dy vëllime të librit Poetët e Mëdhej t’Italís I dhe II. Përgatiti, përktheu në italisht dhe botoi Antologjinë e lirikës shqiptare në vitin 1963. Me librat e tregimeve: Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili janë krejt të veçantë. Vepra poetike me pretendime më të mëdha e Koliqit është Gjurmat e Stinve (1933). Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit). Shkroi nën pseudonimet Hilushi, Hilush Vilza, Borizani.
 
Pasardhës të Koliqit, sidomos në këmbënguljen e gjetjes së veçantive vendore në gjuhë e në jetë, në letërsinë shqipe bashkëkohore para së gjithash konsiderohet Anton Pashku.[12]

 
Veprat
 
Kushtrimi i Skanderbeut, (1924) [13]
Hija e maleve (1929),
Gjurmat e stinëve (1933),
Tregtar flamujsh (1935) [13]
Pasqyrat e Narçizit (1936),
Symfonia e shqypeve (1936),
Kangjelet e Rilindjes (1959),
Shija e bukës mbrume (1960),
Albania (1965),
Epika popullore shqiptare (1937).
 
 
Mirënjohjet
 
  • Medalje arit e Shoqnís “Dante Aligheri”.
  • Ylli i artë për Meritë të Shkollës.
  • Akademik ordinar i Akademisë Tiberiane.
  • Akademik Nderi i Akademisë Teatine të Kietit për Shkencat.
  • Antar i Akademisë së Abrucit për Shkencat dhe Artet.
  • Antar efektiv i Akademisë së Mesdheut.
  • Antar Nderi i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet shqiptare.[6]
  • Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë
 
 
Burimet

1.^ Gurakuqi K.. "Shêjzat", Vj. VII, 1963, nr.5-8, faqe 163.
2.^ Nga jeta e vepra e E. K.
3.^ Viktor Koliqi, i fshehti dhe i ndjeshmi vëlla shkrimtar - Intervistë me prof. Ardian Ndrecen
4.^ Visar Zhiti: Rrënjët lëvizin
5.^ a b c d e Ernest Koliqi, novelisti i famshëm
6.^ a b c d e f Ndër vite me Ernest Koliqin.
7.^ a b Petro Marko, "Intervistë me vetveten"
8.^ "Shêjzat" 1973, botim përku...jtimor për Mustafa Krujën
9.^ Letër nga Ernest Koliqi dërguar Karl Gurakuqit, Romë, 16–3–1951.
10.^ Hyqmet Zane
11.^ Izer Maksuti: Norbert Jokl - Figurë e shquar e albanologjisë
12.^ Flori Bruqi: Tue ndertue ledhe permbi troje t`ona.
13.^ a b Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut
______________
Huazuar nga WIKIPEDIA

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen