Po më fliste një zë: O ti që ke marrë lapsin në dorë e kujton se duke shkruar do ta ndërrosh botën, ndalu! Po ta them se të shkruash për fitoren, për të cilën sapo ke rënë fli, do të thotë të kujtosh e të mos i kuptosh kohët, as ato që shkuan e as ato që do të vijnë. Ashtu si nuk i ka kuptuar askush deri sot. Prandaj mos u ndal, shkruaj. Se, të shkruash do të thotë të bashkëjetosh me dhembjen e ta ndjesh krenarinë; të besosh se po bëhesh një me të papërsëritshmen; do të thotë të shtosh shpresat se je dikush e me këtë të sfidosh ardhmërinë... Të bëhesh i rëndësishëm edhe për vete... Duke u bërë kështu një me kujtesën, me rrugën e gjatë e të mundimshme të asaj që nuk harrohet dot. Shkon kështu duke bashkëjetuar me fatin historik të këtij populli, duke u bërë pjesë e pandarë e udhëtimit të të vdekurve me të gjallët, si në legjendat e lashtësisë. Fillon e ndjen në vete peshën e padurueshme të plagëve shpirtërore, të mundimeve, të varrëve që nuk ka bari t’i shërojë; të ballafaqimit me jetën e cila me vulën e saj bëhet e pranishme kudo... Je me kohën e që ka mbetur në mendje e me zemrën që thërret për të mos u harruar kurrë... E di se kur shkruan këto, vazhdimisht i ke në mendje dëshmorët e lirisë, gjakun e derdhur, lirinë që vjen pa ty e për ty, të cilën me mend e sheh se si po e gëzojmë e se si do ta gëzojnë brezat e ardhshëm, deri në amshim... Prandaj duaje edhe më fort këtë dhe në të cilin do të pushosh përjetësisht... Mos e ndal dorën, shkruaj. Dhe nderoje secilën ditë, secilën dhembje të shkaktuar në këtë luftë. Jepi kuptim secilës qëndresë, secilës rënie për liri, secilës ecje drejt fitores. Bëhu emër drite dhe hap për ecje kah epopetë e shumta, të cilat krijojnë vërtetësinë e të pandalshmes, të demonstrimet, të vuajtjeve burgjeve, të vendosmërisë deri në flijim... Shihe se kudo është një rrjedhë historie e vetëm një qëllim: liri për të robëruarit, jetë për të munduarit, përjetësi për të rënët. Se jeta shkon tutje, po më e kuptimshme bëhet kur asaj i besohet me secilën pore. Vetëm ashtu me të janë e do të jenë idealet, ëndrrat për të arritshmen e për të paarritshmen. Janë edhe plagët. Plagët që i mbjellin dhe ujisin lulëkuqet e përkushtimit, udhëtarët e mbetur rrugëve pa fund, që nuk duan t’ia dijnë për erëra, për ngrica, për tërmete... E, së bashku me ta janë të gjitha bukuritë dhe përjetësitë e këtij dheu... Prandaj beso në ideal. Idealizo. Me ty është kuptimi i gjithë dhembjes për shokët e vdekur, për veten, për ata që nuk dihet se si kanë përfunduar... Është dhe krenaria për gjallërinë e dheut e mdhështinë e Atdheut... Me ty është besimi se gjaku i derdhur do të shpaguhet me jetën e brezave, se vdekja për atdhe mbetet më shumë se lindje, se ajo është një me këngën e fëmijëve dhe mbush qytetet, sheshet, rrugët, rrugicat, shtëpitë në këtë Kosovë që frymon lirshëm: me ty e shokët tu ishte vetë ardhmëria, është dheu dhe kuptimi i Atdheut...
Zëri sikur po fliste e unë ndoqa rrugën e gjakut që po bashkohej tutje me gjakun e të tjerëve dhe sikur nuk më erdhi mirë që ashtu, fare pa zhurmë e sikur nuk po ndodhte gjë, po e lëshonte trupin tim...
Zëri sikur po fliste e unë ndoqa rrugën e gjakut që po bashkohej tutje me gjakun e të tjerëve dhe sikur nuk më erdhi mirë që ashtu, fare pa zhurmë e sikur nuk po ndodhte gjë, po e lëshonte trupin tim...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen