Mittwoch, 1. Oktober 2014

Shëruam plagë dhe ishim pjesë e trimërive

 
Kujtime nga Dr. Nejazi Luma
 
Shëruam plagë dhe ishim pjesë e trimërive, dhembjeve e krenarisë

Ishin vitet e tetëdhjeta kur së pari shpërthyen te unë ndjenjat patriotike që ishin grumbulluar me vite nga padrejtësit që i bëheshin popullit shqiptar nga regjimi jugosllav dhe shovenizmi serb. Isha student i mjekësisë dhe gjatë atyre viteve përjetova shumë momente të pakëndshme, në aspektin kombëtar,bashkë me shokun tim të ngushtë, Dr. Menduh Kaloshin. Me të u angazhuam edhe me shumë që të përfundojmë fakultetin dhe të ndihmonim popullin tonë. Dhe, menjëherë pas mbarimit të studimeve u punësuam në Shtëpinë e Shëndetit në Kaҫanik, ku hapur vërehej urrejtja e stafit maqedon ndaj gjithë punëtorëve shqiptarë, veҫmas ndaj mjekëve shqiptarë. Pakënaqësitë tona shtoheshin e gjendja vështirësohej dhe shumë punëtorë shqiptarë u largun nga puna, pa asnjë arsye. Këto padrejtësi na detyruan të organizoheshim që përmes sindikatës t’i shprehim haptas, qoftë edhe me protesta,kërkesat tona. Të gjitha këto padrejtësi arritën kulmin atëherë kur në krye të udhëheqjes erdhi organi i dhunshëm, që kishte të drejtë që në ҫdo moment të largonte nga puna cilindo punëtor shqiptar dhe numri i shqiptarëve u zvogëlua dukshëm dhe kjo ndikoi në uljen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Mirëpo, gjatë viteve të nëntëdhjeta, numri i mjekëve shqiptarë u rrit. Diplomuan Dr. Fadil Gashi, Dr. Lul Raka, Dr. Nijazi Raka, Dr. Nuhi Baftiu, Dr. Ekrem Dullovi, Dr. Bejtush Jaha, prandaj edhe u krijuan kushtet që të hapej edhe Ambulanca “Nëna Terezë”, në fshatin Bob. Në këtë mënyrë zbutej mjaft problem i mungesës së shumë kontrollimeve e shërbimeve shëndetësore për popullatën e kësaj ane. Këto shërbime e irrituan pushtetin lokal serb, sidomos organin e dhunshem në Shtëpisë e Shëndetit në Kaҫanik dhe ashpërsuan sjelljet ndaj punëtorëve shqiptar. Gjatë kësaj periudhe është bërë shpërndarja e materialit medicinal dhe atij harxhues e terapeutik nëpë gjithë rajonin e Komunës së Kaҫanikut. Kjo shpërndarje është bërë përmes organizatës sindikale dhe merita të mëdha kanë shpërndarësit e organizatoret e këtij aksioni. 

Ditët kalonin ndërsa gjendja politike dhe e sigurise keqësohej, vecanërisht me daljen në skenë të UҪK-së. Këto ndryshime të situatës ndikonin edhe në përkeqësimin e punës së përditshme, sidomos me ardhjen e disa personave serbë, që ishin të ndjekur nga lufta ne Kroaci. Pë rata nuk dihej në ishin punëtorë shëndetësor apo të dërguar me detyrë te posacme. Ata e keqësuan gjendjen totalisht dhe i ftohën njëherë e përegjithmonë marrdhëniet e shqiptave dhe serbëve aty. Atë kohë ndodhën ofanzivat serbe në Puset e Nikës e në Gajres dhe shqiptarëve u iku totalisht vullneti të punonin aty dhe më 26.ҫ3.1999 i gjithë stafi i punëtorëve shqiptarë u largua nga Shtëpia e Shëndetit. Kurse luftimet e UҪK-së dhe ofansivat në Puset e Nikës, në Gajres, në Kotlinë e në gjithë vendin, treguan se jemi të gatshëm ta mbrojmë atdheun tonë edhe me armë.
 

Më 23 shkurt 1999 ishte ditë e ftohtë. Herë pas here binte borë, por ishin zhurmat e bombardimeve të njëpasnjëshme ato që mbizotëronin ҫdo gjë. . Atë ditë nuk dola në Ambulancën e fshatit, sepse isha duke pritur lajm ose ndonjë urdhër për veprim. Orët ecnin e intenziteti i bombardimeve shtohej dhe oshëtima e tyre më e madhe vinte nga fshati Puset e Nikës. Nëpër rrugë nuk lëvizte askush. Isha duke pritur, në ankth të plotë, kur erdhi kërkesa që ekipi mjekësor të shkonte në fshatin Kotlinë, në Lagjen e Stremcës, afër lumit, ku ishin strehuar të plagosurit e asaj dite. Nuk dihej se sa të plagosur ishin. Dhe, dhe pa u hamendur e me nxitim shkova në ambulancë, qe e kisha shumë afër, i mora të gjitha materialet mjekësore që kasha dhe pasi mora informata të sakta për vendin ku gjindeshin të plagosurit, u nisa. Në Glloboҫicë ishte vendosur ushtria serbe, prandaj duhej të kisha shumë kujdes e të mos rrezikoja misionin tim, sepse rruga për në Kotlinë kalonte mu pranë rojes së kazermës serbe. Me mua u bashkua, pa hezitim, mësuesi im, Musli Luma. Dhe, mësuesi Musë para e unë pas, kaluam pikën e “ferrit”, gjegjësisht kazermën e ushtrisë serbe. Pas kalimit të kësaj pike shumë të rrezikshme, fitova bindjen se drejtësia, liria dhe fati të hapin rrugën për të cilën je nisur. Vazhduam rrugën dhe arritëm te vendi ku ushtari Vehbi Kuҫi, po na priste me pushkë në dorë. Ai na përshëndeti dhe na informoi për ngjarjet e luftës gjatë asaj dite të vështirë. Shtëpia ku ndodheshin të plagosurit ishte afër dhe me të hyrë brenda u përshëndeta e fillova punën time, duke bërë fashimin për ndaljen e gjakderdhjes nga plagët si dhe vendosjen e vijës intravenoze. Isha duke punuar kur u hap dera dhe në dhomë hynë Dr. Fadil Gashi e infermierja Gyltene Troni. Kjo më gëzoi pa masë, sepse u binda se i gjithë populli i këtij regjioni ishin të mobilizuar plotësisht. Të plagosurit ishin Servet Shkreta, Murat Loku, Brahim Brava dhe Mehmet Bilalli. Bashkë me Dr. Fadilin e me motrën Gyltene vlerësuam se jeta e atyre ushtareve nuk ishte në rrezik por u duhej mbikëqyrje e kuadrit mjekësor. Atë mbramje, bashkë me mësuesin Musë, u ktheva në Gllobocicë, për të vazhduar organizimin dhe mbrojtjen shëndetësore të popullatës së asaj ane, nga sulmet e mundshme serbe. Kjo ditë njihet edhe si fillimi i luftës me agresorin serb në regjionin e Komunës së Kaҫanikut dhe Komunës së Hanit të Elezit.
 

Rezistenca e ushtarëve të UҪK-së dhe e gjithë popullatës, i egërsoi ushtrinë dhe policinë serbe, kështu që ata më më 28.Shkurt 1999, ndërmorën ofansivën e dytë. Kjo ofansivë ndodhi kundër fshatit Gajre. Këte radhë ushtria serbe e pësoi edhe më keq, sepse hasi në rezistencë shumë të fortë. Në këto luftime frontale, UҪK-ja arriti të elimonojë një pjesë të madhe të ushtarëve serbë, po pati të vrarë e të plagosur edhe në radhët e saj. Ra dëshmor Hetem Hasaj, kurse u plagosën Naser Hasaj…. Pas kësaj date popullata shqiptare filloi t’i lëshonte shtëpitë e të strehohej në male ose të largohej në ndonjë vend më të sigurtë.
Ditët kalonin e lufta bëhej edhe më e ashpër. Erdhi edhe 8 marsi 1999. Atë ditë askush nuk mendonte për ditën e gruas, sepse agresori serb filloi bombardimet që në orët e hershme të mëngjesit. Banorët e fshatit atë kohë ishin nëpër shtëpitë e tyre. Askush nuk lëvizte, madje edhe kafshët ishin strukur e nuk dëgjohej asndonjë e lehur e qenit, as cicërimat e zogjve, sepse breshëritë e të shtënave bënin të strehoheshin të gjitha gjallesat. Ishin predhat armike që kishin mbuluar tërë atë hapësirë. Grykat e tanksave dhe i gjithë arsenali i artilleriesë serbe ishte e orientuar kundër fshatit Ivajë, ku atë kohë ishte vendosur Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës. Tërë ditën nuk u ndalën bombardimet, kurse popullata qëndroi e ngujuar. Ankthi zgjati deri ditën e nesërme, ku erdhi lajmi se ne gjatë ofanzivës në Ivajë kishin rënë dëshmorë Qani Luma e Osman Luma, nga fshati Glloboҫica, Murat Lika nga fshati Strazhë dhe Raif Koraqi nga fshati Kovaҫec, ndërsa të plagosur ishin Hafir Luma dhe Muhamet Malsiu. Në këtë ofanzive ka pasur edhe të plagosur të tjerë. Këto informata së pari i mora nga komandant i kompanisë, Ilaz Ceka. Ai na foli për gjendjen e të gjithë ushtarëve, që kishin marrë pjesë në këte ofanzive. Këto informata i mora kur si mjek iu bashkangjita kësaj njësie, nga komandanti dhe vllai im, Naim Luma dhe mësova atë që kishte ngjarë gjatë ceremonialit të varrimit të kushëririt, Qaniut dhe shokut tonë shumë të ngushtë, Osman Mustafë Lumës. Mësova edhe për rrezikun e madh gjatë tërheqjes së të plagosurit Muhamet Malsiu e për gjakderdhjen e madhe që ka patur ai, edhe pse i ishte e lidhur plaga. Mësova edhe për humbjet e armikut. Në këtë ofansivë kanë marrë pjesë shumë bashkëvendës të mi, si Selam Kasam Ceka, Sherif Brahim Luma, Hasan Rafiz Luma, Fatmir Misim Luma etj.
 

Koha prej tetë marsit e deri më dy prill ishte gjendja më e vështirë e gjithë popullatës dhe imja, që e kam përjetuar në jetën time. Gjatë kësaj kohe përjetova tmerret e largimit të popullatës nga trojet e tyre, ankthin kur njeriu nuk ka siguri as të lëvizë e as të qëbdrojë diku, as të rrijë në shtëpinë e vet. Gjatë kësaj periudhe kam përjetuar vajin më të dhimbshëm të fëmijes. Kam parë lotin e plakut (babait tim) i cili kur doli nga pragu i shtëpisë, tha: “Më ka vdekur nëna, më ka vdekur vëllai, me ka vdekur edhe fëmija dhe jam mërzitur shumë, por dalja nga shtëpia qenka dhimbje më e rëndë në jetë. Përjetova ndarjen e vllait nga vllai, të fëmijës nga nëna; të burrit nga gruaja; të shokut nga shoku si dhe të dashurit nga e dashura. Përjetova dhembjen pa kufi dhe përqafimin e zjarrtë të fëmijes; ashtu si përjetova edhe të qeshurat e ushtarëve tanë e ulërimën e armikut. Përjetova e ҫka nuk përjetova... Përjetova kulminacionin e ndjenjave emocionale që mund të durojë njeriu dhe bashkë me familjen time iu bashkangjita turmës së popullatës, për t’u vendosur te familjarë e të afërtë në Tetovë.
 

Pas sigurimit të familjes, unë dhe teknikun i lartë mjekësor, Shehip Luma patëm takim me Dr. Nexhmedin Karemanin dhe kushëririn tonë, Ilmi Jashar Lumën. Ata na ofruan ndihmën për grumbullimin e materialit mjekësor. Të nesërmën, të udhëhequr nga komandant Ilaz Ceka dhe nga Mustafë Lika, u nisëm për në Kosovë. Në këtë grup ishin edhe këta bashkevendës të mi: Xhelal Jahi Luma, Hasan Rafiz Luma, Ilaz Hasan Ceka, Fadil Kadri Luma, Mustafë Xhemal Lika, Fehmi Nebi Luma, Gani Jahi Ceka, Xhavit Shefqet Neziraj dhe disa ushtarë nga fshati Brod i Shtërpcës, të cilëve nuk ua di emrat. Udhëtimi ishte shumë i vështirë, sepse tërë natën këmi udhetuar nëpër malet e Sharrit, nëpër borë e me shi, të ngarkuar me material mjekësor e me armatim. Në orët e hershme të mëngjesit arritrëm në Shtabin e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, në fshatin Ivajë. Më dy prill 1999 iu bashkangjitëm UҪK-së. Në kuadër të Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte edhe kompania shëndetësore, ku unë si mjek dhe Shehip Luma, si teknik medicinal, u bashkangjitëm, për t’i ndihmuar ushtarët e Brigadës, të plagosurit si dhe civilët, që ishin strehuar sikishin mundur. Ne u vendosëm te tenda afër “kullës” së Hasanit (ushtarët e quanin ”Rambuje”), ku takuam Dr. Bejtush Jahën e Dr. Skender Ahmetin, të cilët na informuan për gjendjen shëndetësore të ushtarëve dhe të civilëve, të vendosur në male e përrocka, rreth e rrotull Kaҫanikut. Informatat për gjendjen shëndetësore të civilëve i kemi marrë edhe nga motra Gyltene Troni, e cila pjesën më të madhe të kohës rrinte me ta dhe ҫdo ditë komunikonte me stafin mjekësor. Gjatë qëndrimit, si mjek i UҪK ndjeva kënaqësinë e realizimit të ëndrrës për ushtrinë shqiptare në këto troje dhe pa ngurrim ndihmova aty ku ishte nevoja. Ka shumë raste që më kanë lënë mbresa në jetën time, por kësaj rradhe do t’i përmendi disa më të rëndësishmet prej tyre e ato janë:
 

Më 9 prrill 1999 ndodhi ofanziva në Kaҫanik e në fshatit Nikaj. U plagosën ushtarët Shefki Guri, Jashar Selimi e Fadil Bunjaku. Fadili ishte i plagosur shumë rëndë dhe edhe pse i përballoi plagët gjatë bartjes, nuk mbijetoi dot dhe gjatë intervenimit operativ në Spitalin e Tetovës, ndërroi jetë. Lajmi për vdekjen e Fadilit ishte trondites dhe shumë i rëndë për të gjithë ushtarët dhe për familjarët. As më 13 prill 1999 nuk kishte qetësi. Bombardimet serbe filluan që në orët e para të mengjesit në fshatin Sllatinë dhe nuk u ndalen deri në orët e mbramjes. Atje ishte ekipi shëndetësor, i përbërë nga Dr. Ekremi e tekniku Hamdi Dullovi. Ata gjatë asaj kohe i dhanë ndihmën popullatës civile e ushtarëve të plagosur. Por, ushtari Ramadan Murseli kishte marrë plagë në regjionin tibial të ekstremiteteve të poshtme. Ai arriti në mbrëmje te Kulla e Hasanit, ku na informoi për situatën e asaj dite dhe tmerret qëishin bërë ndaj popullatës civile. Të plagosurit Ramadan Murseli ia pastruam plagën, ia fashuam dhe caktuam terapinë. Ekipi shëndetësor: unë, Dr. Bejta, Dr. Skenderi Ahmeti e tekniku Shehip Luma konstatuam se ai nuk kishte rrezik për jetë, por se duhej transferuar në Maqedoni.
 

Në orët e para të mëngjesit të 23 majit na erdhi lajmi se në fshatin Kovaҫec, te shtëpia e Agim Koraҫit, ishte një i plagosur rënd. Ekipi shëndetësor, i përbërë nga unë, Dr. Bejtush Jaha dhe Dr. Skender Ahmeti, u nisëm me të shpejtë, bashkë me disa ushtarë dhe shkuam tek i plagosuri. Gjatë rrugës biseduam se kush mund të ishte ai i plagosur, sie ka plagën e shumë gjëratë tjera. Hymë në dhomën ku ishte i plagosuri. Aty ishin edhe disa persona, që nuk i njihja, bashkë me teknikun medicinal, Hamdi Dullovin, i cili po merrej me fashimin e plagës. Kur na vërejti neve,Hamdiu na informoi se i plagosuri ishte Rrahim Sadiku dhe se plagën e kishte marrë në hyrje të varrezave të fshatit Stagovë. Me ta parë plagën pamë se ajo ishte shumë e madhe, ishte amputim i shputës së këmbës. Menjëherë konstatuam se intervenimi kirurgjik ishte i domosdoshëm. Vendosëm që sa më shpejt të ishte e mundur ta transportonim në Tetovë. Ia vendosëm vijën venoze, tretjen fiziologjike si dhe e trajtuam me antibiotik e me analgjetik dhe e përgatitëm për ta transportuar menjëherë. Gjatë rrugës deri te kulla e Hasanit ia shtrenguam lidhësen disa herë, për t’ia ndalur gjakderdhjen, por suksesi ishte i vogël. Tërë natën qëndruam me të plagosurin, duke ia ndërruar tretjen fiziologjike, duke i dhënë analgjetikë e antibiotikë. Të nesërmën erdhën edhe katër të plagosur, që nuk ishin rrezik për jetë, por kishin nevojë për përcjellje dhe trajtim të mëtutjeshëm. Filluam rrugën, të përcjellë nga ushtarët dhe të gjithë të plagosurit, por kujdes të veҫantë kisha ndaj Rrahim Sadikut, sepse atij po i rrezikohej jeta më së shumti. Dhe kur arritëm në Puset e Nikës, u gëzuam shumë, sepse më dukej se e arritëm qëllimit e gjithë asaj që synonim për shpëtimin e të plagosurve.por aty u informuam nga Komandanti se kufiri eshte riminuar nga forcat serbe dhe eshte shume rrezik per tu kaluar prandaj duhet biseduar për ndonjë zgjidhje tjetër. Gjatë bisedës me komandantin, unë isha këmbëngulës që Rrahim Sadiku të transferohet patjetër sepse ai nuk mund t’i përballojë plagës, për shkak gjakderdhjes se madhe që ka patur dhe pasi ai është në shok hemorragjik. Nëse nuk transferohet ai do te vdes. Bisedën tonë për vështirësitë e transferimit e dëgjo i edhe i plagosuri. Pas pak ai më thirri e më tha: “Doktor, të lutem më jep një inxheksion kundër dhimbjeve e më ndihmo të hipi në mushkë dhe më lidh për të, që të mos rrezohem dhe, nëse kam jetë për ta jetuar, do të jetoj… Nuk dëshiroj që asnjë ushtar të humb jetën për mua, se nëse duhet të vdes dikush, rradha për vdekje është e imja.” Këto fjalë më emocionuan aq shumë dhe me të shpejt shkova edhe një herë te komandanti. Komandant Rufki Suma e kuptoi natyrën e rëndë të gjendjes së të plagosurit dhe menjëherë kërkoi vullnetarë, nga ushtarët, për kryerjen e kësaj detyre shumë të rënde. Pa u hamendur u lajmëruan ushtarët (vëllazërit) nga fshati Krivenik i Hanit të Elezit, Miqail dhe Fejzullah Krasniqi, të cilët menjëherë u nisën rrugës mbi fshat, për të ҫminuar rrugën e kufirit, nga do të kalonin i plagosuri dhe përcjellësit e tij. Këtë detyrë me shumë sukses e me shumë menҫuri e kryen këta dy ushtarë dhe i plagosuri e përcjellësit e tij kaluan kufirin pa ndonjë problem. Falë Zotit, sot Rrahim Sadiku jeton e kontribuon në shumë fusha sidomos në profesionin e tij. Edhe pse ka kaluar një kohë bukur e gjatë, ende nuk më heqen nga mendja fjalët e këtij të plagosuri dhe të bacës Faik Guri, i cili, pas humbjes së djalit, Feriz Gurit, erdhi e na tha: ”Nëse djali im ka vdekur, kjo luftë nuk do të ndalet, sepse kur e kemi kapur pushkën, e kemi menduar se mund edhe të vritemi. Ja ku e keni djalin tjetër, mereni me ju. Kjo luftë do të vazhdojë deri në ҫlirimin e plotë të këtij vendi”. Këto fjalë burrërore e ngritën lart moralin luftarak te të gjithë ushtarët e kësaj brigade.  

Agresori serb nuk ndalej. Ai mori edhe një ofansivë në fshatin Biҫec, më 25 maj, ku plagosi, rrezikoi e ndoqi gjithë fshatin, duke shkaktuar edhe shumë dëme materiale. Në këtë ofanzivë ishin këta të plagosur: Zekiria Vishi, Mustafë Bunjaku e disa të tjerë, të plagosur më lehtë. Të plagosurit, së pari, ishin trajtuar nga Dr. Ekrem Dullovi dhe Dr. Beqir Prushi e nga tekniku medicinal Hamdi Dullovi. Unë e Dr. Skender Ahmeti shikuam edhe një herë plagët e tyre dhe në konsultim me Dr. Ekremin, Dr Beqirin e me teknikun, konstantuam se këta të plagosur duhet të barten për trajtim të mëtëjemë në Maqedoni, edhe pse nuk e kishte jetën të rrezikuar.
 

Ishin ditët e para të qershorit. Rrezet e diellit ishin më të nxehta, edhe pse ishte mengjes i hershëm. Shumica e ushtarëve qëndronim jashtë, duke i shijuar ato rreze, pas mengjesit.Për një moment qetësinë e prishi një zë ushtari, që vinte duke vrapuar, para një karroce, tërhequr nga një kalë. Gjithë ushtaret u ngritëm në këmbë, sepse në karrocë shihej një një ushtar, dukej se ishte plagosur rëndë. Mora ҫantën dhe vrapova pwr te karroca. Aty, bashkë me të plagosurin, ishte edhe tekniku medicinal Hamdi Dullovi, i cili më informoi se i plagosuri ishte Kemajl Kolshi, i plagosur në regjionin abdominal e me gjakderdhje të madhe. Pas ekzaminimit, vërejta se i plagosuri kishte në shok hemoragjik, për shkak gjakderdhjes së madhe të brendshme dhe se shpëtimi i vetëm ishte intervenimi i mënjëhershëm kirurgjik. Bashkë me teknikun filluam të bëjmë tamponadën, por ishte e kotë, sepse ushtari në ato momente ndërroi jetë. Më kapluan ndjenja të thella dhimbjeje. Dëshiroja të ҫlirohesha disi. Më erdhi dëshirë të lëshoja një ulërimë të madhe, por më ngulfati morali i luftës. Me vetëm një shikim, ua bëra me dije ushtarëve se luftëtari Kemajl Kolshi ndërroi jetë. Ra qetësi e madhe dhe rrodhën lot për humbjen e një ushtari, shoku, vllai e miku shumë të dashur e të respektuar.
 

Në fund po them se ato ndodhi ishin edhe tejet emocionuese. Ndjej kënaqësinë dhe krenarinë që gjithë diturinë profesionale dhe mundin që kisha, ia dhurova popullit tim, gjithnjë i bindur se bashkërisht do ta realizojmë ëndrrën e kahmotshme: ngadhnjimin e lirisë për këtë popull e për këtë vend.
_______
Për "Ora shqiptare", Rrahim Sadiku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen