Montag, 21. Mai 2018

Mehmetali Rexhepi

Mehmetali Rexhepi

Mehmetali M. Rexhepi u lind në Gjilan, më 4 korrik 1951. Shkollimin fillor dhe të mesëm, gjimnazin i kreu në Gjilan, më 1971. Studimet me ndërprerje, për shkaqe politike, i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën Albanologji.
Është njëri nga veprimtarët e çiltër për çështjen kombëtare, i cili u pushua nga puna dhe u burgos nga pushteti jugosllav.  
Mehmetali Rexhepi asnjëherë nuk iu shmang kërkesave që shtronin rrjedhat e kohës: pajtimit të gjaqeve, veprimtarive ilegale, politike, kulturore-artistike dhe humanitare.
Fushë-veprimtaria e tij ka shtrirje: në arsim e edukim; veprimtari atdhetare, humanitare; si poet, prozator, studiues, kritik letrar e eseist  dhe  në fushën e publicistikës. 
 Poezia e parë iu publikua te “Zëri i rinisë”, më 1968; mandej botoi në revistën e vetme letrare të asaj periudhe “Jeta e re” në Prishtinë, duke vijuar pastaj në faqet e kulturës te “Rilindja”, te “Flaka e vëllazërimit” në Shkup,  në “Plejada”(revistë letrare) e cila u pezullua prej pushtetit, dhe gjetiu, përderisa u censurua nga politika jugosllave,  për të mos u dukur deri në vitet e nëntëdhjeta.
Vëllimin e parë poetik “Frymë e fërguar mynxyrave”, e botoi në Prishtinë, më 1997.
Themeloi dhe udhëhoqi pothuajse një dhjetëvjeçar, në rrethanat e përndjekjes serbe, Klubin Letrar “Rexhep Elmazi” në Gjilan. Po ashtu, ishte njëri  nga themeluesit e SHHB”Nëna Terezë”, dega në Gjilan, e cila u shqua për veprimtari të dendur bamirësie në Gjilan e rrethinë, dhe për më shumë se dhjetë vite u shndërrua në institucion të mirëfilltë, që ndihmoi skamnorët e kësaj treve, pas pezullimit të gjitha burimeve ekzistenciale në Kosovë nga Serbia. 
Që nga nisma e “Flakës së Janarit” në Gjilan, e cila simbolizon flakën e dëshmorëve për liri e çlirim kombëtar, e shpërfaqur përmes veprimtarive përkujtimore-frymëzuese, kulturore, letrare-artistike, ishte dhe mbeti krushk besnik i rrugëtimit të saj.
Në konkurset letrare te “Flaka e Janarit”, “Lulëkuqet e Prillit”, e tjera, për prozën e shkurtë është vlerësuar me çmime të para, të dyta dhe të treta.
Për një mandat ishte drejtor i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, në Gjilan, gjatë viteve 2009-2012.  
Nga studiuesit, kritika dhe lexuesit krijimtaria e Mehmetali Rexhepit u vlerësua : “për origjinalitetin e shprehjes gjuhësore, shpesh eksperimentale, për ndjenjën e sinqertë e të fuqishme dhe mendimin e thellë. Shkrimi i tij buron  nga laboratori me kërkesa të saktësisë matematike të shkrimit, qoftë ai estetik, shkencor a publicistik.”
Mehmetali Rexhepi ka një mori dorëshkrimesh të pabotuara. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, po ashtu edhe i KL “Beqir Musliu” në Gjilan.
Mehmetali Rexhepi, tashmë i pensionuar, jeton dhe vepron në Gjilan.



Mehmetali REXHEPI

(Ç)MENDJA E GJENIUT   
     
një qark vezullor vetëtimthi më grish
tejet e largët fanitej ajo orbitë
çfarë fshihet në atë hije natë e mistershme
                                 ose ditë e përhershme
dhe tretja e kureshtjes ndoshta e prekjes
se si kemi vënë lidhjen e këputur të heshtjes
por ky yll minor që na bartë epshorë mbi shpinë e 
                                                                   nënlëkurë
ngjesh mes antonimesh gjithë zbrazësinë e sinonimet
gjithçka kanë brendësive të tyre yjtë
brumosi intimen shtyllat e trarët vertebrorë
  ndizen zjarre baticë-zbaticat e ujërave kalërues të frymës
mushkëri të thara në skarën Saharë e të ngrira akullnajore
nuk i mban dot frerët dorë e mpirë topash bore
dhe dashuria një univers që ngjizet 
me të gjitha vetitë e ngrirje-shkrirjeve
irnoset e përligjet
shënon tik-taket e pritjes vjen ora e goditjes
së cilës nuk i shihet dora 
përderisa sytë e mendjes ngërthejnë
 stil vetëtimash e rrufesh
 që zbrazin dufin e vet humbëtirës
 zbrazjet e tyre piketojnë  vegullinë e çudisë 
 mandatin ia dorëzojnë zbrazësisë
 qarqeve të rrotullimeve vezullore të universit
 vetëm në çastet e petaleve të mia gufon madhështia
 e kallinjve të shkundur të mendimit
 së toku me yll-kaltëroshen e flakim  kompleksin 
 e një dysheje minore udhës së ekuinoksit 
shfaqen e shuhen mrekullia
puthjet e diellit dashnor i zjarrtë i qiellit 
na mbajnë pezull e rreth tyre sillemi
pa i shkëputur duart e rrezeve dhe të  tërheqjes njeri-tjetrit
me kostume të ndërrueshme të modës së stinës
udhës së pafundme duke lypur fundin
Gjeniu kishte shkalluar  
me krejt aktet e intimes ekspozuar 
përderisa horri i pudrosur  
mes gishtash mban shkopin
ia përkëdhelë telat violinës
lajthitësve të politesës maskuar
  Ai nuk ua çjerrë dot maskat 
  misterin qiellor duke vëzhguar
rregullave të veshjes i shpërfillur i cullakuar
mes gjeniut e të çmendurit ishte (zh)bërë perdja
minutat e Tija shekuj të gjithësisë
e ngatërruar mendja vetëm në një shqisë
udhëkryqeve një kopje prej të marri
do t`i kositej livadhi
kokën prore drejt qielli drejtuar
nën këmbë i rritej e thahej bari
  dhimbje e thinjur e bjerrë
  mes njerëzish e pandierë
i  stepur vijon bredhëritjen e vendnumëruar
ai gjeni nga gjithësia i gllabëruar
prej të cilit iknin 
si prej një të çmenduri të pa denjuar 
anames mëkatarësh Ai somnambul  
rrëshqiti anë-majës

Gjilan, korrik 2017

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen