Mittwoch, 23. Mai 2018

Lule nga kopshti i poetit Haxhi Muhaxheri

Haxhi Muhaxheri

1. ETA

Eta ëshë vendi 
Ku bashkohen lumenjt e jetës

Atdheu 
Ku rritet përmasa e dashurisë

Eta mban emrin zëri i universit
Perendesha që pushton zemrat
Ilaçi që sheron të gjitha sëmundjet
Lehona që i jep sisë Lirisë
Urdhëri i fsheht i Perëndisë

Eta është
Itaka ime e Dashurisë



2. ETA DHE KOMETA

As nata e mori vesh çfarë i ndodhi
Kur numërat ndryshuan në rrethin e shtatë
E Liria udhëtoj dimensioneve të panjohura
Bashkë me dritën që lëshuan rrufetë

Eta Eta 
Bërthamën godet Kometa

U thye kufiri ndryshuan polet pushuan ëndrrat
Në Teatrin e Qiellit u shfaqen dy silueta
E hënës një yll fshehurazi ia shkeli syrin
Pastaj doli fjala se veten burgosi tundimi

Eta Eta
Ku mbet Kometa



3. DIÇKA PO NDODH E DASHUR

E ndjej se diçka po ndodh e dashur
Rrugëtojmë me shpejtësi drite
Udhës së Qumshtit Galaktikave
E me mikroskop jonik shikohemi
Por heshtjen nuk e thyejmë

Eta
As pluhuri kozmik më nuk e shuan
Zjarrin e ndezur brënda nesh

Futur jemi labirintheve
Fushës magnetike të mendjes
Aty ngritur e kemi flamurin e bardhë
Shpirti na është zën peng moj
E kthim mbrapa nuk ka

Në gjakun e ndezur kapilarëve të zemrës
Atje ku hareshëm lozin protonet neutronet
Nisi proçesi i ngjizjes dhe brenda bërthamës 
U shfaq një dimension i ri për jetën

Eta
Tash edhe matematika e ka humbur imunitetin
Se dhjetra herë me zero shumëzuar të kam
Po përfundimi kurrë zero nuk më doli

Diçka 
Vërtetë ka për të ngjarë e dashur
Shkatrruar janë magjitë
E dyshimi është mundur
Lum unë i lumi...

Por... Dreqi e marrtë
Lodhur më kanë formulat
Ëndërrat keq më janë dehur
Koka më është ndarë në dysh
E sytë po më lën 
Dhe nuk e di ç’po ndodh...
Mjer unë i mjeri... 

Klinika mentale nuk pranon më pacient
Se çmendur janë edhe mjeket
Lum unë i mjeri... oh mjer unë i lumi

Kush më thotë sa është ora
Në ç’stinë jemi vallë
Po emrin... emrin si e pata...



4. KUR ETËN E ZË GRIPI

Kur Etën e zë gripi
Diellit i erren sytë
Plaket hëna
E shuhen yjet

Arratisen shkronjat
Vargjeve u bie pika
Muzat varin veten
Këngës i ndalet rrita

Vdesin lirikat
Ç'mëndet poeti
Loton qielli
E trazohert deti

Zgjohet laneti
Vajton planeti
Përhapen magjitë
E godet tërmeti



5. VARGJE ME GRIP

Kot bredh 
Brigjeve të mendjes
Ënd֝ërr më ëndërr
Viteve
Miteve
Lëgjendave
E historisë
Në kërkim të fjalës
Së humbur planeteve

Edhe nëntë bijat e Zeusit
I ka zën gripi
E dashur
Më nuk i ndihmon 
Vitamina C
E as çaji 
Me lëng limoni

Mbaje veten
Perëndeshë (I)lirie
Merr ngrohtësinë
E trupit tim
Puth diellin mëngjeseve
Shpirt jepu Lirikave
Që dashuria 
Ta vrasë sëmundjen
E kënga ta mund vajtimin



6. SA HERË TI MË SHKRUAN

Sa herë Ti më shkruan 
N‘shpirt më sjell qetësi
Yjet lozin valle
Veç për ne të dy

Pastaj kur më flet 
Nis e çel qërshia
Dhe mbi çati zemre
Këndojnë shtatë bilbila 

E kur Ti më vjen
Sikur ma hap qiellin
Bien shtatë daulle
E hëna puth diellin

Kur më puth në buzë
Shkrihet edhe bora
Sakaq del pranvera
Çel dhe lule vjollca




7. MË PRIT

E dashur
Nesër 
Ne freskun e agut
Do të bëhem ajër
E me shpejtësi drite
Do të vij 
Lehtë lehtë
Dhe të futem tinëz
Për vrimë të çelësit
Në dhomë
Në shtrat
Në ty
Dhe ta shijoj
Pllëmb për pllëmb
Bukurinë e Atdheut
Bashkë me melodinë
E Këngës së Psherëtimave

Nesër
Më prit zgjuar 
Princesha ime
Bashkë do ta pijmë
Kafenë e mëngjesit
Shoqëruar me lëng pjeshke
Llokum trëndafilash
E aromë djersësh
Nesër... Mos harro!



8. DJE ISHA MBRET

Dje 
Perënditë kanë folur 
Me një gjuhë
E në pëllëmbë të dorës
Më ka ardhur dielli

Dje
Pash lindjen time
Në mes të parajsës
E në shpirt
Më mbiu një lule

Dje
Një puthje
Ngrohu planetin
E zoti e bekoj
Dashurinë

Dje
Emër mori
Një këngë e re
Që askush
Nuk ia di fundin

Dje
Kanë pushuar
Të gjitha luftërat
Se paqja zuri vend
Në zemrat tona

Dje
Dehur më ka
Opiumi i buzëve
E gjumi më zuri
Për shtatë palë qejfe

Dje
Oh... dje isha mbret
E botën sjellur e kam
Në maje të gishtit
Lum unë i lumi



9. SONTE MOS MË KËRKONI

Kot më kërkoni sonte
Ju o miq të krisur
Se kam një luftë për ta nisur
E një beteje për ta udhëhequr
Me shtatë plagë në trup
Si Gjergj Elez Alia dikur

Sonte 
Mendjen e kam bërë një
Thellë e më thellë
Do të gërmoj
Minierave të atdheut
Në kërkim 
Të thesarëve të humbura
E në vetull
Do ta puth vdekjen

Sonte
Të gjitha medaljet 
Kam për ti dorzuar
Në shtrat
Dhe një nga një
Do ti mjekoj plagët
Qe të mbledh forcat

E pastaj do zhytem
Pusit të thellë 
Që kurrë 
S'i është gjetur fundi
Për të kërkuar
Trupat e miqëve të mi

Aty është mbytur Rizai
Aty është fundosur Hasani 
Oiiiiiih... oiiiiiih... medet...
Dikush mallkuar na ka
Dikush tinëz na vret

Ku dreqin mbete 
E dashura ime
Ndiz oxhakun të lutem
Se është ftohur dhoma
E duhet ngrohur gjakun 

Sonte... O sonte betuar jam 
Ne kokën time e tuajen
Se do të luftoj 
Deri n'fishekun e fundit
Për të rën pastaj me nder
Aty... në malin e shenjtë
Në log të mejdanit...



10. AJO NUK I DO GJËRAT E VOGLA

Ajo nuk i do gjërat e vogla imtësitë
se t‘mëdha i ka ndjenjat bardhësitë

Të madhe e do edhe shtëpinë
me shtrat të gjerë perandorak
dritare të hapura pëplot me dritë
e burrin vigan bash si perënditë

Eta është krejt botë n’vete
E n’shpirt i mban të gjitha mirësitë
dimension i panjohur lirie është ajo
e çilter madheshtore si republikë

Ajo nuk i do gjërat e vogla imtësitë
Është vet Perëndeshë që sh'ndritë




11. KËNGA E SHKRUAR MBI GJETHE DAFINE

Kaluan disa ditë qe s’jemi parë e dashur
E sytë m’janë ç’akorduar për mungesë gjumi
Në shthurje ndjenjash frymë mori vetmia
E n’ishullin e shkretë u luajt simfonia e heshtjes

N’mëngjesin e parë kur natën e përzuri drita
Shiu mbi dritare vallëzonte n’përqafim me erën
Një hajn i pa shpirt dikujt ia vidhte vargjet
Veç për ta sjell n’ëndërrën e tij pranverën

Misteret e Universit më varëshin rreth qafe
Fjalët përdridheshin dimensioneve të mendjes
Kur n’planetin Eta bekimi ju dha kësaj stine
E kënga për ty u shkrua mbi gjethe dafine




12. VEÇ PËR TY

Të hënën
të dua marrëzisht,
për të urrejtur 
të martën 
… prej dashnisë!

Të mërkurën 
të dua si sytë,
që të enjtën
të urrej sa veten 
… prej syrit të keq!

Të premten 
të dua si jetën,
për të urrejtur
të shtunën –
veç pak 
… prej xhelozisë!

Pastaj – të dielën 
të dua baras me Zotin 
e veten harroj
duke u lutur për Ty!




13. DASHURI E MALLKIM

I.

Kur Ti më mungon
Në sy më varet malli
E ëndërrat më nuk i zë gjumi
Trazohen edhe valët e detit
Dhe shkreptijnë rrufetë

Pastaj
Si i çmendur
Zbardh netët
Me portretin tënd
Fiksuar në mendje
E shpirti merr udhë
Tehut të shpatës

Kur Ti më vjen afër
Damarëve të zemrës
Bëhet rrëmujë

Pastaj
Frymëzohem
Digjem
Përvëlohem
Sulem
Tërbohem

E prapë 
Më mungon
E prap 
Më verbon

II.

Të duash është bekim
Më ke pas thënë
Një natë dhjetori
Po Ti 
Kurrë nuk e mësove
Se unë lindur jam
Ditën kur i vranë
Zogjtë mbi qërshi
Veç pse kënduan
Këngë dashurie
Dhe mallkimi mori dhenë

Thonë se atë ditë
Është thinjur dielli
Thonë se në atë çast
Është verbuar qielli

Thonë se atë natë
Ka lotuar hëna
Thonë se atë vit
Melodin e humbi kënga



14. MBRËMË

Mbrëmë aty ishe dhe ike
e mua më zuri gjumi
në prehërin e vetmisë

Mbrëmë 
kot trokita në portën tënde
në pëqafim iu hodhe heshtjës

Mbrëmë
as zërin ta dëgjova moj
e frymëzimet i zuri acari

Mbrëmë
nuk e di ç'dreqin pate Eta
por mua diellin verbuar ma ke



15. KUJDES ME GRATË

Në do ta kalosh 
Urën e Ferrit – fillo ta duash 
një grua të përhënur

Ajo – 
t’i djeg të gjitha stinët

Nëse do ta mësosh 
bukurinë e gënjeshtrës
dashuro një leshverdhë
që qanë e qesh në pasqyrë

Ajo – 
edhe Zotin e mashtron

Në daç veten ta mallkosh
jepi dashurinë një gruaje
Qe puthur e ka zhgënjimin

Ajo – 
do t’i vrasë edhe lutjet

Po deshe të marrësh 
plagë zemre – plagë shpirti
besoi gruas që t’puthë 
me zjarrin shuar buzëve

Ajo – 
mërdhin edhe diellin

Në daç veten ta vrasësh 
beso fjalët e një gruaje
që të thotë – Të dua
pas dimrit të gjatë të pritjes

Ajo –
lëkurën tënde do ta vesh



16. PESHA E KRYQIT

Sonte
Dua të jem 
Sy më sy me veten
E vetminë ta puthë në ball
Se kam ca llogari të hapura
Që më duhet ti mbyll
Përdhunshëm 
Unë i gjori
Oh...

Sonte
Deri në palcë
Kam për ta shijuar
Mungesën e Lirisë
Se mua shpirtin
Keq robëruar ma ke moj
He plastë kjo zemërmjera

Sonte
Në derën time 
Mund të trokasin
Veç frymëzimet e çmendura
E të shkruhet 
Një këngë e re vajtimi
Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiiih

Sonte
Ooooh... sonte...
E dashura ime
Sall një dëshirë e kam 
Të vijsh si era
E të futesh thellë 
Thellë në mua
Zjarrin të ma shuash
Dhe plagët e mendjes 
Të mi shërosh

Sonte
O miq
Më leni të qetë
Dua të pi 
Te pi 
Të pi 
E vetës 
Luftë ti shpall
Se vargjet 
Mi kanë zënë ethet
Medet

Ku je Kosova ime... 
Dielli im... ku je...
Loti e shpoj në gur

Bri zemre

Sonte
Eu... sonte
U harroft kjo natë
Bashkë më emrin tim

O Zot...
E rëndë qënka 
Pesha e kryqit...




17. SHKELJA E KUFIJVE

Në Ishullin Eta – ka nisë dimër i madh
Shpirtit përditë i shtohen akullnajat
E ëndrrat i merr kolla e thatë

Atje – përveç të zezës
Të gjitha ngjyrave u ka rënë pika
Dhe tash – nuk këndohen serenada
As lule u jepen perëndeshave

Në atë ishull të shkretë – ku magjia shëmton
Nuk bëhet më seks – as dashuri... si dikur
Dhe orgazma përjetohet krejt ndryshe

Atje – njerëzit shkërdhehen me numrat
Teoremën e Pitagorës - Kodin e Davinçit...
Orë e çast shkelin kufinjtë e ndaluar
E zotit – duan t’ja vjedhin fuqinë

Thonë se atje – nuk do të zbardh më dita
Thonë se atje – do të përseritet Atlantida



18. BORË MBI ITAKË

Kur diellit iu shua rrezja n‘sy
galaktikave mori udhë dhembja
një klithmë shpirti jehoj qiellit

Pastaj – fjala e mbetur peng
u shkrua mbi një gur varri
dhe loti vrau të gjitha simfonitë

Ç'borë e madhe ka rënë mbi Itakë




19. FUNDI I NJË ËNDRRE

Rrugës së ngushtuar të lotëve 
dogja të gjitha kujtimet
shkruara për ty
faqëve të zverdhura të kohës
dhe hirin e hodha
mes valëve të detit

Në stinën e vrarë të pritjës
orëve të zeza të durimit
këndova me zë mjellme
himnin e dhembjës

Kështu i dhash fund 
ëndrrës së moçme
me dhëmb të mbreht
se u dashka jetuar
edhe me shpirt ndër dhëmb
vaj unë i mjeri
kthim mbrapa s’paska

Sot mos dilni nga shtëpia
se priten rrëbeshe 
e goditje rrufesh

Sot as të vdisni nuk bën
se vajtojcave ju ka shterur zëri

Sot...
oh sot lutuni veç për mua
aman...
e shkronjën e parë të Lirisë
se diellin rob ma kanë zën
në pragun e çmëndisë
dhe n'shpirt më ther një fjalë
që humbur e ka udhën...




20. MORTIS AMORIS

Veten harruar e kemi
Duke i dashur të tjerët
Lum miku
Tash rrugën e gabojmë
Edhe në mes të oborrit
E aureola radioaktive
Sillet mbi kokat tona

Sonte n'mesnatë
Do të udhëtoj
Drejt Ishullit të Vetmisë
Atje ku dëgjohën
Sall këngët e vajtimit

Sonte do ti fshijë
Të gjitha adresat
E të zhdukem
Të zhdukem
Të zhdukem
Lagjes së të Marrëve
Që askush t’mos më gjej
Dhe n’kulmin e zhgënjimit
T’fundosëm n’Liqenin e Lotëve

Sonte... Oh sonte...
Diellit do i bien mustaqet
Hëna flokët ka për ti shkulur
Se një yll do të shuhet
E muza veten do ta vrasë 
Dhe kurrë më nuk do të shkruhen 
Lirika dashurie e as melodi malli

E dashur
Ti bëj gjumë të rehatshëm
Asgjë nuk do të mungoj asgjë
Madje...
As mungesa ime s'do të mirret vesh
Se hamshorë do të ketë gjithandej
Vetëm mashtrimit do ti grisen rrobat
Dhe dashuria do të verbohet
Në frymën e saj t'fundit...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen