Samstag, 28. September 2013

Ymer Elshani

Ymer Elshani lindi më 1948 në Korroticë të Poshtme të Drenasit. Kreu fakultetin për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe një kohë të gjatë punoi në arsim. Botoi dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane. U vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të Vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë të tij.



Veprat e Ymer Elshanit:

  1. Anija e miqësisë (vjersha)– RILINDJA, Prishtinë,1972.
  2. Çka ëndërrojne lulet (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë. 1971
  3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman) – RILINDJA, Prishtinë.1971
  4. Loti udhëtar (tregime) – RILINDJA, Prishtinë, 1977
  5. Ishulli i lumturisë (tregime)- RILINDJA, Prishtinë,1973
  6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman) – RILINDJA, Prishtinë,1975
  7. Guri i çmueshëm (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1977
  8. Unaza magjike (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë,1980
  9. Plaku me violinë (tregime) – RILINDJA, Prishtinë1984
10. Kaloresi i bardhë (poemë) – RILINDJA, Prishtinë, 1987
11. Perjetimet e bardhoshit (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1989
12. Ylli ëndërrimtar (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë, 2000
13. Vajza e diellit (tregime) – RILINDJA, P. 2000
14. Njohja e trimave (tregime e përralla), ROZAFA, Prishtinë, 2000
15. Perralla per ylberin (poemë) – ROZAFA, Prishtinë,2000
16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura) – ASDRENI, Shkup, 2000
17. Zogu i lirise (vjersha) – ZEF SEREMBE, Prishtinë, 2001
18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema) – ROZAFA, Prishtinë, 2002
19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha) – GUTENBERG, 2001
20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura) – ROZAFA, Prishtinë, 2004
21. Udhetimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman) – Prishtinë, 2008




Poezi nga Ymer Elshani


ÇELËSI I ARTË 
 
Çelës i artë është – mirësia, 
Çelës  tillë pranvera ka; 
         Tërë natyrën 
         Ngjallbleron - 
gëzon njerëzit  botë shqim 
Dhe çdo zemër hap – pushton! 
 
Çelës i artë është ngrohtësia, 
Çelës  tillë dielli ka; 
         Botën ngjall, 
         I jep jetë – 
Nuk kursen rrezet e tij 
Dhe çdo zemër e hap lehtë! 
 
Çelës i artë është – fjalë e ëmbël, 
Çelës  tillë mund  kemi 
        Unë e ti, 
         gjithë sa jemi; 
Fjala e ëmbël bën mrkulli – 
I hap zemrat si me magji!... 
 
 
  
 
SHQIPONJA 
 
Shqiponja e mprehtë – vetëtimë, 
Vetëtimën e ka marrë – 
Nga retë e qiellit. 
 
Bebëzat e mbushura – 
Shkëlqim, 
Shkëlqimin e ka marrë –  
Prej rrezeve  diellit. 
 
Në qiellin e gjerë  arbëror 
Valon si flamur – kurorë. 
 
Krahët – shkëmb i fortë, 
Fortësinë ia kanë rritur – 
Ndeshjet me stuhi. 
 
Zemrën – flakadan i plotë, 
Zjarrin ia ka shtuar – 
Etja për liri!... 
 
 qiellin e gje arbëror  
Qëndron si roje – kurorë. 
 
 
 
ASNJË DITË KOT NUK VJEN… 
 
Asnjë ditë kot nuk vjen 
Sjell dhurata – a s’e vëren? 
     Bletës një shportë mjaltë – 
     Pas fluturimit t’gjatë; 
     Minatorit xehe shumë – 
     Pas djersës t’derdhur lumë; 
     Lokomotivistit – udhëtime t’reja – 
     Nga Lublana der’te Peja; 
     Muratorëve –  soliter 
     Një kat  ri përnjëherë; 
     LonitTeutës e Meritës 
     Pesa n’detyra t’matematikës; 
     Mollës  re – plot sytha; 
     Kërmillit t’vogël – dy britha; 
     Peshkatarit larg  det 
     Pas lodhjes – peshk  rrjetë 
Asnjë ditë kot nuk vjen 
Sjell dhurata – a s’e vëren? 
Se ç’do t’marrim peshqesh 
Do  varet dhe – prej nesh 
 
 
 
METEORËT E TOKËS 
 
Llambat – 
N’koka t’minatorëve 
Kur zbresin n’galeri me radhë 
 
Ngjajnë 
 meteorë  bardhë 
 
Fenerët 
xixëllonjave  enden 
Mbrëmjeve mbi lumësharrak 
 
Ngjajnë 
 meteorë endacakë. 
 
Sytë e nënave 
Kur i përqafojnë fëmijët 
Me dashuri  zjarrtë 
 
Ngjajnë 
 meteorë  artë. 
 
 
 
 
DASHURI ARITMETIKORE 
 
Njëshi dhe Zeroja 
takuan njëherë 
moti  pikë  ditës, 
 një faqe  Aritmetikës. 
 
- Ah, sa e bukur qenke, 
o Vashëz flokëblertë, 
o Vashëz faqeplotë!... 
psherëtiu Njëshi atëbotë. 
 
- Edhe ti paske 
hundë të bukur, të drejtë!... 
foli, e emocionuar Zeroja 
me një zë të butë, të lehtë. 
 
U shikuan me ëmbëlsi. 
U shikuan me simpati. 
Pranë e pranë u afruan. 
Dhe nga ajo dashuri 
e madhe e sinqertë 
lindi atëbotë – numri 10!... 
 
 
 
 
A SHIHET SHARRI? 
 
Vallë nga ai Yll 
Si xixë zjarri 
 
A shihet Sharri? 
 
Vallë nga ajo Kometë 
Me ngjyrë rubini 
 
Si duket Drini? 
 
Vallë nga ai Planet 
Në orët e vona 
 
A duket Kosova? 
 
Vallë nga Hëna 
A mund të shoh 
 
Kur buzëqesh nëna? 
 
 
Nëse është e mundur  
Kjo gjë – s’përtoj 
 
Në Hënë të udhëtoj. 
 
 
 
DALLËNDYSHJA 
 
 Shigjetë e qiellit. 
Gjerdan i prillit. 
 
Një fole e ke 
N’strehë të shtëpisë, 
Tjetrën – n’zemrat tona 
Çerdhe t’dashurisë. 
 
Ëndërr e kroit, 
Plepit, lumit, ftoit. 
 
N’pranverë ia shton 
Një kat haresë, 
Kur ik në vjeshtë 
E ruajmë n’kujtesë. 
 
Yll i kaltrisë. 
Motër e puhisë. 
 
Me diellin n’kraharor 
Pas diellit udhëton. 
Retë s’e pengojnë, 
Deti s’e frikëson. 
 
 
 
 
TELEGRAMET E PIKËS 
 
Në fund të çdo fjalie, 
Kur mendimi mbaron, 
Unë e kam vendin. Stop. 
Kjo duhet t’i jetë 
E qartë çdo fëmije 
Dhe të mos harrojë. Stop. 
Nëse dikush pyet 
Atëherë Pikëpyetjen 
Zëvendës kam. Stop. 
Nëse uron, dëshiron e përshëndet 
Atëherë Pikëçuditja 
Më zëvendëson. Stop. 
Po të më përdorin 
Gjithnjë ku duhet 
Do të kërkoj. Stop. 
T’u vëhet prore 
Pesë në drejtshkrim 
Stop. Stop. Stop. 
 
31.5.1987 
 
 
 
 
RREZJA 
 
Biletë as pasaportë s’ka 
Nëpër botë udhëton pa pra. 
 
Bie në gur – s’thehet 
Bie në thikë – s’prehet 
 
Pa zile, pa këmborë 
Zogjtë në çerdhe, pyje i zgjon. 
 
Bie në det – s’mbytet, 
Bie në baltë – s’zhytet. 
 
Tërë botën pallat e ka 
Diellin në hapësirë e quan Baba. 
 
 
 
 
VALLJA E KALTËR 
 
Kur detet 
Në t’gjitha kontinentete 
     Rroken 
     Dorë për dore 
     Në një valle 
     Të kaltër – 
     Vëllazërore 
Bashkë me oqeanet 
Nga t’katër anët 
     Atëbotë 
     Kjo është vallja 
     Më e gjatë 
     Në botë! 
     Globit 
     I buzëqesh fytyra, 
     Është i gëzuar, 
     Kur sheh 
     Bijtë e tij 
     Të hareshëm, 
     Të bashkuar!...   
 
 
 
 
PËRQAFIMI 
 
Dielli e përqafon 
Tokën – 
Me rreze t’arta. 
 
Deti e përqafon 
Tokën –  
Me vale të kaltra. 
 
Ylli e përqafon 
Tokën – 
Me syrin gëzimplotë. 
 
Unë e përqafoj 
Tokën – 
Me buzëqeshje t’ngrohtë!...  
 
 
 
 
YJET 
 
Margaritarë – 
Në gjerdanin gjigant 
Të kaltrisë. 
 
Sy kurreshtarë –  
Në ballin e madh 
Të Gjithësisë. 
 
Stoli – 
Në xhaketën kaltroshe 
Të kupës së lartë. 
 
Inxhi –  
Në kraharorin e madh 
Të qiellit t’kristaltë. 
 
 
 
QËNDRESA 
 
E sulmoi me acar veriu, 
E sulmoi me pjalm dimri, 
Por kokrra e grurit qëndroi! 
         Nga ajo u mbush në verë 
         Plot me kokra t’reja kalliri… 
 
E sulmoi lukunia e ujqve 
Tufën e pafajshme n’vërri, 
Por dreri brirëmadh qëndroi! 
         Në këtë luftë aim bet I shtrirë 
         Por shpëtoi grigja e tij… 
 
 
 
 
KARCELLI  DIKË 
 
Tha  
Karcelli Dikë 
 
- I pari 
Dua t’jem n’atletikë! 
 
I pari 
- Në kërcime. 
 
I pari 
Në rrotullime 
 
I pari 
-N’ vrapime. 
 
 
 
BUBULLIMA 
 
Daulle e reve – 
Fishek i hedhur në tokë. 
 
E qëllon lisin, 
Por lisat nuk zhduken 
Lisa ka shumë në bokë! 
 
Krismë e patkonjve 
Të kuajve të zi’. 
 
E djeg barin, 
Por bari ka rrënjët 
Rritet përsëri! 
 
E reve kryeneçe 
Shamatë e gjatë 
 
Që grinden për rrugë 
E rrugët s’kanë skaj 

Në qiellin e lartë!


Freitag, 27. September 2013

Arsim Halili dhe "Gjurmët e qëndresës"

Mbresa leximi

Shkruan FADIL CURRI

PROZË E PERSONAZHEVE
ME FABULËN E VETËFLIJIMIT

Arsim Halili: "Gjurmët e qëndresës"(tregime), SHB "Nositi", Dardanë 2011

Libri prozaik i Arsim Halilit "Gjurmët e qëndresës" në 62 faqet e tij ka tre tregime, të cilët nyje ndërlidhëse kanë fabulën e fatit të censuruar të personazheve fatkobe dhe imponimin e padrejtësisë së pavullnetshme e të pameritueshme. Krijimet mëtojnë të jenë novela, por strukturalisht janë shumë më afër tregimit për shkumë arsye.
Në tregimin e parë "Shpendi-shpëtimi i maleve" bëhet fjalë për personazhin me po të njëjtin emër nga titulli, i biri i Ukës së një familjeje atdhetarësh, e cila i strehonte dhe ndihmonte ata që nuk pajtoheshin me regjimin antipopullor dhe e luftonin atë. Shpendin, profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë, regjimi serb e kishte halë në sy. E burgosën me qëllim ta përfitonin dhe të mësonin nga ai ku gjendeshin atdhetarët dhe UCK-ja. I detyruar nga gjendja e veshtirë sociale dhe trysnia e policisë, largohet në Perëndim. Kur plas lufta në Kosovë(1998, 1999), përmes rrugëve ilegale i bashkangjitet UCK-së. Futet në Kosovë dhe fshehurazi një natë e viziton familjen e tij. Kur merr vesh policia, i kërcënohet familjes se do t’i djegë të gjithë për së gjalli, po nuk u dorëzua Shpendi. Babain ia marrin peng dhe ia burgosin, të cilin nuk e gjejnë të gjallë as të vdekur pas përfundimit të luftës në Kosovë. Shpendi te bashkëluftëtarët cmohej trim i urtë. Në betejë një snajper serb e godet për vdekje. Përkundër të ligave që ë e ndjekin, Shpendit të ndjerë pas luftës i lind një djalë, ngase gruaja e tij ishte me barrë. Vazhdon jeta e gruas së tij me dy bijat dhe djalin. Ajo ishte punëtore shëndetësore.
Në tregimin tjetër "Gjurmët e qëndresës" tema është gjendja e vështirë e jetës shqiptare para luftës së Kosovës. Gjatë pastrimit etnik, edhe familja e Bedriut e braktis Kosovën e vendoset në kampin e refugjatëve kosovarë të Stenkovcit në të hyrë të Shkupit. Gjatë kotrollit mjekët konstatuan se gruaja dhe e bija e Bedriut janë të sëmura dhe se u duhet trajtim mjekësor më me kujdes. Gruaja diabetike kishte sheqer të tepërt në gjak, kurse e bija ishte e sëmurë nga TBC Pas mbarimit të luftës, si pjesa dërmuese e shqiptarëve, u kthyen në shtëpitë e tyre në Kosovë. Gruaja kishte keqardhje për shtëpinë e djegur dhe ia shtoi sëmundjen diabetike, ndaj edhe vdes. Varfëria e sëmundja e pllakosin familjen e Bedriut. Kërkon punë dhe nuk gjen dot. Djali i tij i mitur, Rinori, shpirtërisht e ndjen mjerimin familjar, sidomos sëmurjen e motrës. Një ditë në banjo me sapun shkruan se "tani do të keni një copë bukë me tepër që ta hajë e motra" dhe nga plika në zemër vdes. Përkundër pasluftës anarkike e asociale, nuk mungojnë shpirtmirët, si doktor Xhevati dhe familja e tij.
Në prozën e fundit "Rrugë me gjemba" përsëri ngjarja përqëndrohet në familje, këtë herë të Fehmi Krasniqit. Albani, i biri i tij, pasi kryen shkollimin fillor në fshat, ndjek mësimet në Prishtinë, ku, si në gjithë Kosovën, mësimi zhvillohej në shtëpi private. Në bibliotekë merr librin për Skenderbeun dhe rrugës gjatë një kontrolli policor, ia gjejnë serbët. E marrin në lokalet e policisë dhe i shtrojnë pyetjet e tyre të rëndomnta se kush e ka nxitur ta lexojë. Albani buirrërisht mbahet kundruall maltretimeve të policisë dhe nuk jep asnjë dëshmi në dëm të të tjerëve. Gjatë luftës së Kosovës Albani i bashkohet UCK-së, ndonëse i vie keq që i ndërpret studimet dhe e lë vetëm të dashurën e tij, Tringën, stundente. Një ditë para se plumbi serb ta qëllonte për vdekje, Albani i shkruan letër profetike Tringës, ku i fliste për heroizmin clirimtar dhe dashurinë. E poroisit këtë letër ta lexojë gjatë varrimit të tij, të cilën porosi e shpie në vend Tringa gjatë varrimit të Albanit. Vëllai i Albanit, Vegimi, shpesh shkon dhe i deërgoin lule të freskëta te varri, duke kujtuar me krenari vetëflijimi deri në vdekje dhe puënt tjera liridashëse për popullin e tij.
Libri i Arsim Halilit "Gjurmët e qëndresës" na e freskon kujtimin e jetës shtypëse të një populli, ferr i vërtetë me rrezik të zhdukjes. Galeria e personazheve identifikon preokupimin e autorit, ku ballafaqohen dy botëra aspiratash me identitete të kundërta. E para, është e shtypur, e nëpërkëmbur, e robëruar, e burgosur dhe vrarë, por krenarinë e vet e ruan me vetëflijim mortor. Kjo vërehet te personazhet dhe familjet e tyre, të cilat përjetojnë vdekje, por nënshtrim assesi. Shpendi ose "Shpëtimi" me nofkën e tij luftarake që e deshi familjen, popiullin e atdheun; Bedriu që në familjen e tij pësoi shkaqet e robërisë dhe që nuk i shpëtoi as clirimi, sepse kishin lënë gjurmë vdekjeprurëse; Albani i Femiut si i ri me bindjen "për dashuri jap jetën, për atdhe jap dashurinë", janë personazhe gërshetuese. Këta qarkullojnë brenda familjes, bërthamë kryesore e vendit dhe kombit, në të cilat gëlonte për përdhosje dhe shkatërrimi sunduesei. Robëria dhe lufta, me të cilat përballej populli (përmes persoinazheve) sjellin të liga të ndryshme, si është edhe vdekja e Rinorit të mitur, i cili nuk arrin ta përballojë mjerimin familjar me varfëri, papunësi të babait dhe motrës së sëmurë nga TBC-ja dhe që mposhtet nga infarkti vdekjeprurës. Bota e dyrë, kundërshtare dhe armiqësoree së parës, që ishte liridashëse e humanitare, është sundimtarja dhe antipoipullorja. Reflektohet përmes regjimit serb, policisë që me cdo kusht donte ta vriste dëshirën shqiptare për liri përmes vrasjeve, futjes së përcarjeve, maltretimeve, shpifjeve individuale, pastaj duke bastarduar familjet, ta ketë më lehtë rrejtin evet spiunus ta shtrijë në popull..
Fabula e veprimit të personazheve zhvillohet si pasojë e mentaliteti sundues mesjetar serb përballë vullnetit të pamposhtur të personazheve liridashës, të cilët kanë metaforën e tyre, si ishte vdekja e profesorit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, Shpendit, zhdukja e babait të tij, Ukës: vdekja e gruas së Bedriut, djalit të tij Rinorit dhe sëmurja nga TBC e së bijës; vdekja e studentit Alban dhe zhbëria e dashurisë faktike me Tringën. Rrëfilmi dritëron nëntekst me porosi pozitive, shpëtrimin e ideales dhe parimores, si është lindje e djalit të Shpendit pas vdekjes së tij, që mëton të shprehë vazhdinësinë e të revolicionares në familjen e Shpendit të Ukës. Ngjashëm metaforike ështe edhe nderimi që i bën Vegimi, vëllai i Albanit kur dërgon lule të freskëta te varri i heroit dhe kujton të bëmat heroike. Personazhet e këtyre tri prozave të librit të Arsim Halilit kanë peshën e rëndeësisë së edukatës popullore te brezat eë ardhshemn, për të kujtuar rrethanat e paraluftës, gjatë luftës dhe të pasluftës në Kosovë, pjesë te historisë së dhembshme, por krenare të popullit shqiptar, për përpjekjet e tija deri në clirim nga sunduesit serbosllavë. E mira e pakrahasueshme është se letrarizimi i luftës si në këtë libër është i rrallë në industrinë letrare shqipe, por përballë kësaj qëndron mangësia e ndikimit ekipor redaktues. Po të ishte dora e ndikimit redaktues, emocionalja dhe ideshmëria në këtë prozë do të ishin më të ndjeshme, më rrezatueshe dhe më me bukuri mbresëlënëse. Krahasimisht kundruar me mbresa interkulturaliti, libri i Arsim Halilit "Gjurmët e qëndresës" i ngjjan pamjes së pikturuar, ku autori nxitimthi derdh ngjyrat dhe preokupoimet e tija, që për hirë të faktologjisë fabulative, flijon urbanizmin letrar, gërshetimin ideo-artstik, synimin e autorit.

Dienstag, 24. September 2013

Zejnepe Alili - Rexhepi: Shtatë poezi


Mos më ngushëllo

Ecim gjurmëve të kohës,
të prira nga thundra kuajsh të tërbuar
që verbërisht ndiqen deri në fitore.

Ecim lodhshëm shtigjeve
që se mundin plogështinë,
s’e mposhtin trishtimin e shekujve.

Ecim të tronditur:
ti , unë , ai…
si valë të rrëmbyeshme lumi.
Atëherë... e tani!

Vatra të braktisura...
sy të shterrur, shpirtëra të venitur,
viktima të kohës pa gjurmë.
Me ç’forcë ecim në hap me kohën?!

 

Gjaku trengjyrësh

Pranvera erdhi e zbehtë,
pa gjallëri ishte moti...
këmbëkryq s’u ula në fron
e bindur në gjakun blu,
simbol qetësie e bardha...
i kuq qe turpi që gëlltitëm
në thërrime buke, dekada nën hije.
Çmendurisht më gërryen dyshimi...
Jo, bekona Zot!
Karpatet s’janë djepi ynë,
ne jemi fis I-lirë,
në dej na valon gjaku i kuq
vrullshëm e ndjejmë në kapilar,
emrin Alban apo Shqiptar.

 

Udhëtim nëpër shekuj

Në hartat e çara nga varfëria,
shtrihen copëtimet ilire
kafshuar nga gjarpërinjtë e gjakut!
Sa të tmerrshme qenë zgjimet e kombit,
të thyera imazhet e dritës,
shkretëtirave ku e pashuar është etja.
Mos më zhdukni gjeografinë o të marrë,
as harqet e urave që lidhin miqësi
Për një fron nga Londra, Parisi...
në konkurset e Evropës m’u mposht fisi!
Që atëherë, tonat rrënkime
mbajnë dhembjen e shekujve:
në gaz lotsjellës notonte Kosova,
Shqipëria tretej në hijen e vetëshkatërrimit
që Tetova... Dibra e Çamëria, të luten për mëkatet.
O ju që kuptoni gjuhën time!
Më falni hartën e lashtë të krenarisë
kur joshëse e madhështore frymonte Iliria.

 

Kurora lirie thurin vashat
(Dëshmorëve të kombit)

Më . . . 999 mote rrënkimesh,
lot gjaku, dhembje e zjarrtë malli...
Atje, ku ndër shekuj shqipet ngritën kullat
Se donin fluturimin e lirë lartësive
e qielli të përmbyste barbarët, dhe
bajonetat e tyre të përskuqura
me dashurinë e njomë fëmijërore.
Lotët e nënave, mallkimet e gjysheve
qenë vrer trishtimi për shumë jetë
si hije të stepura shpirtrash të ngujuar.
Fundi i kësaj bote mizore qe dita e re,
lulëkuqet e njoma vaditur me gjak,
kurora dëshmorëve do t’u thuren me mall
nga vashat me fytyrë kah lindja e diellit,
atje ku fillon e mbarron së shkruari historia.

 

Për nder të Lokes

Buzë Vardarit sodisja veten...
Jam pjesë e këtij nënqielli!
Lumi, eh lumi
rrjedh si jetë e trazuar
valë–valë…
si balli i rrudhur i Lokes
lodhur pritjeve
për birin, nipin
ndarjen kujton
sa trishtuese...
Një ftesë për varrin e panjohur
këndeve të Evropës,
ku tretet dashuria
për dheun, gjuhën,
nderin e Lokes.
Na mori lumi,
me valët e trazuara si jeta!

 

Kalimtarët e heshtur

Vit i mbrapshtë...,
si ëndërr shtegtare,
shekull trishtues
në dhembjen që shpërndan
mbi tragjikën njerëzore.
Lot malli e dashurie,
portrete shqiptare,
klithje çmendurie,
kur kujtimet shterren
si hije nate në ndërrim
në valë jete përpëliten
zogjtë e mallit në pakthim.
Njerëzit heshtin nga lodhja,
në fole të vjetër shuajnë zjarrin,
i tret e i josh ardhmëria...
me sy dashurie presin diellin.

 

Shpirti i të burgosurit

Jeta lëngon mbërthyer në pranga
Në kullën me katrorë të gurëzuar
Aty ku deshën të burgosin dhe shpirtin
Të mjerët gjakpirës të etshëm
Prenë shtigjet e mallit për liri
Pranguar në kthinat e kullës së hekurt
Shpirti zvarritet për një rreze pas grilave
E dhembja skalitet në relikt historie
Telat e kafazit shkrihen nga zjarri i lotit
Dashuria pas pak i zbut vuajtjet
Flladi i lirisë miklon shpirtrat e përvuajtur
Ditët marrin ngjyrën e diellit
Sa madhështore dhe e dashur bëhet jeta

Mittwoch, 18. September 2013

Si u internua Abdyl Këllezi

SI U INTERNUA NE KOTE ABDYL KËLLEZI  ANËTARI I BYROSË POLITIKE, KRYETARI I KOMISIONIT TË PLANIT
TË SHTETIT SHQIPTAR
 

Nga Gëzim Llojdia
 

1.
Kota është një qytet,dhe një fshatë. Ndodhet buzë Shushicës dhe ka një vjetërsi moshe prej 50 vjet. Është krijuar si fillim fermë blegtorale e Llakatundit aty nga viti ’61. Më vonë ndahet dhe bëhet më vete fermë bujqësore e blegtorale. Një soj bashkimi ku ata nga fshatrat që nuk e hanin dot punën atje gjenin marifetin dhe zbritnin ne fermë. Kota ka qenë një vend i heshtur. Aty nga viti ‘20,kur u bë lufta,u vendos një garnizon ushtarak dhe është vrarë një gjeneral. Një shqiptar nga Shkoza me emrin Kanan Mazeja theu nofullat thonë aty pikërisht ku ka qenë porta e fermës gjatë luftimit me italianët,aq deshën rapsodët që ti bënin rapsodi si :”Kanan Mazeja nga Shkoza me një nofull copa-copa...,dhe këtë vend që ishte i humbur e shkretuar i vunë edhe bejte të tilla si :”Obobo se çënka Kota më e mirë se Europa.... Thoshin këta,pra bejtexhinjtë. Emri i saj ka një legjende interesante dhe intriguese. Unë këtë e kam lexuar nga një mësues tërbaciot vite më parë,italianët e kishin ngritur garnizonin e quanin kuotë 860 m ,ajo ishte kodra,duke u shqiptarizua ajo erdhi dhe u quajt nga kuotë në Kotë...Kota ka qenë një qendër e internimit. Peta që ishte një sektor i saj ka pasur vetëm të persekutuar. Në Kotë u internuan zv/kryeministri i diktaturës Abdyl Këllezi deri ditën që u muar dhe u pushkatua. Një pasdite maji sollën në këtë qytezë të vogël dy skoda,ngarkuar me rraqe. Në Kotë ,thonë për vaki dhe rrahje mblidhen të gjithë .Në fakt nuk ishte asgjë nga të dyja .Kishin sjellë anëtarin e byrosë politike, zv/kryeministrin,kryetarin e komisionit te planit të shtetit shqiptar,Abdyl Këllezin. Në atë fermë internuan edhe familjen e Vasil Katit,madje Pranverën ,në Tiranë e njihni, ishte shpallur mis Tirana në fshehtësi. Ndërkaq në këtë fermë u mbyllën me internim edhe motra e Xhevdet Mustafes ,dhe gjyshërit e Tedi Papavramit, doktori plak dhe e shoqja, vuajtën ikjen e nipit në Francë. Ferma buzë Shushicës kishte një sektor të sajën që quhej Petë dhe e kishte vetëm me të internuarit ordiner,siç i quante regjimi qindra familje që ikën pas viteve ’90 nëpër fshatrat dhe qytetësit e tyre ose mbeten atje mes baltës në dimër dhe pluhurit të zhegut. Kjo e fundit ka mbetur gërdallë. Sot atje në atë sektor pa ujë të pijshëm, por me dy liqene artificiale,jetojnë vetëm dy familje.
 


2.
Zv/kryeministri ishte me bashkëshorten Safeten e thërrisnim ne një grua fisnike nga Kosova. Dhe tre djemtë,Leonin,Yllin dhe Maksin. Si dhe nusen e djalit dhe një vajzë të vogël. Njëri nga tre fëmijët e zv/kryeministrit ra në dëshpërim dhe kaloi një depresion gjithë kohën e internimit .Zv/kryeministrin i dhanë një hyrje të zgjeruar dhe pas disa ditësh ai filloi punë si drejtor i fermës së Kotës. Ndërkaq tre fëmijët e tij dhe nusja e djalit u sistemuan në punë shtetërore. Këllezi doli ditën e parë për të shkuar në punë me një kostum të zi .Shkoi në fermë dhe pyeti:”Ku janë forcat sot në korrje gruri,ku ne Buallar? Mori administratën e hypi në makina dhe u nis vetë .Të nesërmen përsëriti këtë pyetje:”ku janë forcat sot korrje gruri në Petë, hypi administratën dhe rinis kështu një punë duke e bërë fermën të ndriste. Të gjithë këto ndryshime u raportuan lartë. Mirëpo dihet se fati ishte paracaktuar .Kështu vunë spiunët që në atë fermë nuk mungonin të ishin të paktë,për t’u kundërpërgjigjur;Punon armiku për të fshehur të vërtetën...Një ditë atij i erdhi gjysma e keqe,urdhri i trishtimit. Hiqej nga drejtor ferme dhe vendosej shpërndarës karburanti,pra të zihej me zetoristët e shoferët që ai regjim i kishte nën hyqmën e tij .Megjithatë ai gojë kyçur çdo ditë shkonte i përpiktë të hapte rubinetin e naftës dhe një mbrëmje korbi erdhi më i zi se i pari lajm. E morën. Që nga ajo natë ai nuk u pa më në vajtje ardhjet e tij në fermë e vogël. Lajmi i pushkatimit të tij u muar vesh në një biçim salle kulture që kishte ferma. I kishin dërguar edhe familjes lajmë që të vinte. Erdhi bashkëshortja Safetja dhe djemtë. I deleguari lexoi letrën e KQ të PPSH ku thuhej se armiku Abdyl Këllezi u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua,sall buçiti ;”Poshtë armiku” dhe i binte këmbëve në çimento,ndërsa asaj bashkëshortes së tij i ndrisnin pikëzat e lotit. Të nesërmen bashkëshortja vuri në kokë një shall të bardhë,shenjë zie. Ç’praj asaj dite djemtë dhe nusja e djalit ju vunë punës,i mbyllën në shtëpi dhe fituan një respekt që askush nuk mundi ti haronte, për edukatën,moralin dhe normat e larta të jetës,sado që i provokonin,i ndiqnin e i torturonin nëpër punesat më të zeza,ata mbetën deri në fund fisnik të një jete internimi.
Pranvera e vitit 1975. Orët e fillimit të internimit dhe zhdukjes nga skena politike të ish-ministrit,anëtarit të Byrosë politike .Ditë maji. Dy skoda me rimorkio lëvizin nga dyert e bllokut të udhëheqjes shqiptare. Ndërkaq dy automjetet e rënda morën drejtimin për në jug të vendit. Blloku dhe rojet e armatosura mbyllën portat. Atje udhëheqësi sapo ishte zgjuar kur u shua zhaurima e skodave. Enigma e kureshtarëve kur ndiqnin automjetet, që largoheshin .
-Iku dhe një nga Byroja politike!
Tani automjete do të shtegtonin nëpër asfaltin e butë tej kryeqendrës së vendit. Njerëzia brenda tyre shikonte brengosjen deri në dridhjen nga pikëllimi. Në sytë e tyre,vërtet lexoje:
-Për ku ishte drejtimi i automjeteve?
Të dhëna në dy automjetet ishin 7 pjesëtarë të familjes Këllezi, të tjerët punonjës të sigurimit. Në automjetin e parë udhëtonte ish-kryetari i komisionit të planit të shtetit me bashkëshorten në tjetrën, tre djemtë, Leoni me bashkëshorten Marjetën dhe vajzën 6 muajsh,Ylli dhe Maksimi.
15 qershori 1975 flitej se ishte lexuar një buletin nëpër të gjithë institucionet shtetërore, ku godiste si armik Abdyl Këllezin. Vetëm ca kohë më parë po më konkretisht në maj të vitit 1975 ,Abdyl Këllezi u shkarkua nga detyra e anëtarit të byrosë politike. Tre djemtë e tij dhe nusja e djalit Marjeta u hoqën nga puna për ti përcjellë në internim .Leoni asaj kohe punonte në Institutin e fizikës bërthamore. Ishte specializuar në Kinë. Leoni më kishte folur për jetën në Kinë. Me tregonte anekdota dhe kinezërit e pafund.
Ne ,tha kishim me vete mjeshtrin e uzinës traktori që do të bënte kopje sepse kinezët nuk i jepnin gjithçka. Mjeshtri shikonte me sy kur dhe i vizatonte në hotel gjithë çfarë kishte parë me sy. Një herë tjetër na shpunë për të vizituar fshatin e lindjes së Maos .Udhëtuam me tren,me avion me makinë,tre ditë për të mëritur në Shaoshan. Atje nuk kishte kuzhinë evropiane. Ata kishin dëgjuar që shqiptarët hanë pilaf dhe na kishin përgatitur një lloj çorbe d.m.th pilaf, që notonte në gjalpë . Leoni i rrëfente bukurish bukur ndodhitë .Ylli gjendej gjatë asaj kohe në universitete më ngjanë në inxhinieri. Kur përfundoi zborin ushtarak e fakultetit shkoi direkt në internim. Ndërsa Maksimi pësoi një traumë të rëndë.
 

3.
Kur dy skodat me rimorkioi qëndruan në buzë mbrëmje në një qytezë të tipit socialist, kallaballaku, që u mblodh aty pyeste kurioz se kush po vinte për internim. Bëhej fjalë për zv/kryeministrin e qeverisë, anëtarin e byrosë politike. Në pallatin dy kate ndërtuar në vitin 1962, tip sovjetik në katin e dytë kishte ditë, që skuadra e ndërtimit po meremetonte hyrjen ku do të strehoheshin të internuarit, mirëpo nuk njihej se kush do të ishin banorët. Në atë zonë sillnin shpesh të internuarit e regjimit por ca më larg saj në një sektor ku vdisje për ujë dhe të hante të gjallë balta në dimër dhe pluhuri në zheg të verë,quhej Petë. Qyteza, quhej Kotë dhe ishte krijuar vetëm në vitin 1961,si ndërmarrje blegtorale fillimisht dhe më vonë bujqësore. Aty ishte administrata, zyrat, rrjeti i dyqaneve të shërbimeve të NTSH, pallate banimi, ofiçina, furra e bukës, kinemaja e vjetër te vatra e kulturës, shkolla 8 vjecare, postë-PTT .
Gjendej në këmbë të fushë së Ahmete, poshtë ishte lumi dhe sipër maja e gjatë. Atë ditë unë kam parë zv/kryeministrin, që u fut direkt në banesë. Abdyl Këllezi i emërua drejtor I fermës bujqësore:”Kanan Maze” të Kotës. Ishte operativ. Që ditën e parë pyeti:
- Ku punojnë forcat e punës?
-Në korrje gruri.
Urdhëroi dy makina mblodhi administratën dhe vetë shkoi në krye të punëve. Kështu veproi çdo ditë.
Ku janë kombajnat sot?
-Në Brusnje. Makinat dhe administrata shkonte ku punonin njerëzit dhe nxirje buka e gojës. Vetëm pas ca muajsh erdhi urdhëresa ,që Abdyl Këllezi hiqej nga drejtor ,çuditërisht dërgohej të furnizonte me naftë automjetet e fermës. Më datën 4 shtator Abdyl Këllezi arrestohet. Abdyl Këllezi ish-ministër dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, i ekzekutuar me pushkatim në vitin 1976 si "armik i popullit. Atë ditë vjeshte e thirrën si zakonisht.
-Të kërkojnë te karburanti. Ish-anëtari i Byrosë politike morri çelësat e cisternës,xhaketën e hollë dhe dolli nga pallati .Mirëpo bc e degës ishte fshehur pas pallatit të parë ku ishte edhe rruga. Aty i hodhën prangat lexuan akuzën në emër të popullit , ndërsa anëtari i Byrosë politike shikonte për të fundit herë banesën ku kishte lënë,bashkëshorten ,tre djemtë, mbesën e vogël 10 muaj dhe nusen e djalit. Një ditë të vitit 1976 buzë-mbrëmje fronti thirri një mbledhje për të lexuar një nga të shumtat buletine, që përcilleshin në popull direkt nga udhëheqja e lartë. U thirrën edhe familja e Këllezit ndërsa i deleguari lexoi buletinin ku flitej se Abdyl Këllezi ishte pushkatuar. Bashkëshortja dhe djemtë mbajtën një qëndrim burrëror.
Unë i kam njohur në internim tre djemtë e familjes Këllezi. Nusen e djalit Marjetën dhe Holtën e vogël dhe më pas Dorianin ,që lindi në atë qytezë të vogël. Për këtë familje fisnike është folur gjatë. Qëndrimi i tyre atje ka qenë i pashembullt .Pasqyra e punës dhe qëndrimit të tyre na rrëfen lëndën që ka dhuruar tek ata Zoti ynë. Ndrit pasqyra. Tek shpirti i diellit. Unë do t’u rrëfej atë që ata e kanë bërë pak ose aspak nëpër medium. Marjeta, Leoni, Ylli arrin të realizonin nga dy-tre norma në ditë në punët më të vështira siç ishte qilizma,hapja kanali etj. U ngrinin normën. U ngritën normat,mirëpo ata të tre arrinin të bënin nga tre norma në një ditë. Në këto kushte u rritë edhe Holta Këllezi në atë qytezën e vogël ,që zgjerohej buzë lumit. Çapkënia vajzë. Mësuesit u vunë përpara një dileme të madhe. Ç’duhej bërë me këtë vajzë të shkëlqyer?
10 ishte pak nga njohurit e saj që i dhuronin të dy prindërit.
Marjeta Kellezi ka Studiuar në Universiteti i Tirane .Fakulteti i shkencave te natyrës .Dega fizike. Lindur më 1952.

4.
Holta Këllezi është mbesa e ish-anëtarit të Byrosë politike të Shqipërisë. U lind në bllok. 6-7 muaj shkoi në internim në një nga fermat bujqësore në jug të vendit. Dielli i praruar lind në lindje,ndonëse gjelbërimi zë fill në mërmërin pranverore. 16 vite pra diku në vitet ‘91 më vonë,mbante statusin e të qenit e lirë në vendin e vet. “Kreshtat” përmbi biografin e saj nuk do të njolloseshin më me nënshkrimin:”mbesa e armikut të popullit”.U shkollua dhe sot punon në Kanada.
Disa të dhëna :Ka Studiuar në University of TiranaI.e martuar me Gjergji Vani.Flet Albanian,English,Italian.Lindur më Dhjetor 16.
Përshëndetje Holta
Dua të bëjë një interviste me ty.


1-Pyetja: Ju keni lindur ne bllok por u rritet ne internim. Ç’farë mund të thoni për këtë Kontraste?

Holta Këllezi:
Unë nuk e kam njohur jetën e bllokut, pasi kam shkuar në internim 6-7 muajsh kështu qe nuk kam arritur kurrë te bej dallimin midis këtyre jetëve. Unë njoh vetëm një jete fëminore, atë të internimit.

2-Ju keni shkuar ne internim rreth 7 muajsh dhe u larguat ne vitet ‘90.Si ishte jeta ne internim?
Jeta në internim ishte e vështirë sidomos vitet e para te fëmijërisë i kujtoj si tepër te vështira dhe jo në perspektiven e jetës së gjithë familjes sime por në perspektiven e një fëmijë që mundohej të kishte një jetë normale, por që në CD hap i bëhej me dije, që ishte jo si gjithë të tjerët.

 3-Ju u kanë mohuar të drejtat si nxënëse e dalluar a mund të thoni disa raste...

Ishte pak e vështirë ta kuptojë pasi në moshë të vogël nuk arrin të perceptosh pse ti duhet të jesh ndryshe nga të tjerët. Mbaj mend, që deri në klasë të parë asnjë fëmijë s’luante me mua dhe jo se nuk donin por sepse prindërit kishin frike ti lejonin fëmijët e tyre të luanin me mua .Kur kam shkuar në klase të parë e të dytë, kam filluar të kem shokë dhe ja di për nder mësueseve të mija të shkollës fillore, që u thonin fëmijëve te shoqëroheshin me mua .Me pas duke u rritur kam pasur shoqëri shumë të mirë, që vazhdoj ta mbaj dhe tani.

4-Si e kishit menduar jetën nëse nuk do te hapej vendi ynë drejt Evropës?
Me thënë te drejtën do duket ndoshta pak e çuditshme, po unë gjithmonë kam besuar në ato vite me pafajësinë e një fëmije që po të mësoja patjetër do më jepej e drejta e shkollimit të lartë,kurrë nuk më shkonte ndër mend që do jetoja përjetë në fshat,ndoshta ka qenë një sens i brendshme që më fliste,se di, po kurrë s’kam qenë pesimiste si tip. Nuk më shkonte në mend kuptohet, që do ndodhnin gjithë ato ndryshime por fakt është që shpresa e mban njeriun gjallë ,prandaj ndoshta dhe motoja e jetës sime gjithmonë ka qenë:bëj gjithçka ke në dorë dhe më e mira do të ndodhi"

5-Me se merrni aktualisht?

Aktualisht kam prej vjetësh që jetoj ne Toronto_Canada,jam e martuar me dy çuna dhe punoj ne fushën e stomatologjisë .Jam e kënaqur me jetën time dhe e jetoj jetën ne maksimum.

6-Prindërit tuaj kane vuajtur mjafte dy intelektual u dërguan direkt ne punët e bujqësisë si e kane përjetuar dramën e vuajtjes.

Prindërit e mi janë shume te shtrenjte për mua, sa je fëmijë nuk e kupton se ç’farë kane bërë apo ç’farë kane arritur ne jete .Duke u rritur kam kuptuar më shumë dhe kam arritur ti vlerësoj në maksimum jo vetëm për sakrificat që bënë në jetë por mbi të gjitha për ata çka janë. Dy njerëz të mrekullueshëm që megjithëse sistemi i goditi shume fort nuk ndryshuan po ngelën po ata të mrekullueshëm. Ajo çka vlerësoj më shumë ke ta është qe më mësuan të mësoj ,punoj fort, të jem e ndershme ,të respektoj gjithë njerëzit pavarësisht prejardhjes apo statusit te tyre social,të kem një buzëqeshje në fytyre dhe mbi të gjitha, të mos urrej asnjë e askënd. Kjo e fundit është një arritje e madhe për mua pasi vuajtjet e bëjnë njeriun shumë lehtësisht të urrej. Dua të përmend pak njeriun me të cilin kaloja pjesën më të madhe, të kohës në internim,njeriun që ishte i pari të më dilte në mbrojtje kur dikush më ngacmonte dhe që më përcolli një fortësi mendore,gjyshen time të dashur, që tani s’jeton më. Them se kam qenë me fat, që në jetën time jam rritur nga prindër të këtij niveli dhe nga një gjyshe, që çdo kush do e kishte zili.

Faleminderit Holta.

Zyba Hysa

Zyba Hysen Hysa indi në fshatin Kokrevë të rrethit Librazhd më, 26 qershor 1955. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas në Elbasan, ku në vitin 1974 merr diplomën e mësuesisë. Në 1979 mbaron kursin filozofik dhe më pas ushtron profesionin e mësuesisë në lëndën gjuhë shqipe, në fillim në Vulçan, Polis Gostimë të Librazhdit dhe që nga viti 1999 në Vlorë.
Krahas punës së mësuesisë, është marrë edhe me veprimtari të shumëta kulturore e shqërore dhe ka bashkëpunuar me shumë gazeta dhe revista.
Krijimet e para poetike i ka botuar qysh në vitin 1972 në gazetën “Shkumbini” të Elbasanit.
Deri më tash ka botuar këto libra:  “Shkreptima Dhembjeje” (poezi) 2002, “Festa e Abetares” (poezi për fëmijë), “Erë Shqipërie” (poema) 2004, “Dritë në Llakatund” (poezi për fëmijë) 2005, “Kur Shpirti Vallëzon” (monografi artistike) 2006, “Obelisku i Bektashizmit” (studime) 2007, “Sikur...” (poezi) 2009, “Nënë Engjëllore” (poemë) 2010, “Lumi Kërkon Detin” (poezi), “Mbretëresha ime” (tregime), “Sharrajt në Jetën e Kombit” (studim historik).
Është anëtare e Institutit të Kulturës Mbarëkombëtare. Jeton në Vlorë

Kliko dhe lexo ==>> Poezi nga Zyba Hysa



Sonntag, 15. September 2013

Dy kandidate shqiptare për Parlamentin e Austrisë

DONJETA KRASNIQI
DHE RILINDA REXHEPI

 Shkruan Ramiz Selimi

Mësimi i gjuhës shqipe prioritet

Në zgjedhjet parlamentare në Austri me 29 shtator konkurojnë mbi 2000 kandidatë nga 14 parti gjithsej. Ky numër është me i madh se në zgjedhjet e kaluara. Kjo rritje ka të bëjë kryesisht me faktin se partitë në radhët e veta kanë emëruar kandidat edhe nga emigracioni.
 
Përderisa gjenerata e parë e emigracionit pati vështirësi me nostrifikimin, integrimin dhe adoptimin, gjenerata e dytë edhe pse në numër jo të mjaftueshëm po arrin gradualisht të marr përgjegjësi në drejtimin e jetës së tyre. Në zgjedhjet e ardhshme kemi një numër të kandidateve që vijnë nga viset shqiptare si: Donjeta Krasniqi nga (SPÖ) dhe Rilinda Rexhepi nga (ÖVP)

Po e bëjmë prezantimin e kandidateve shqiptare nga Austria e Epërme për Parlamentin Austriak.
 
Donjeta Krasniqi e cila kandidon për Partinë Socialiste të Austrisë (SPÖ) është 24 vjeçare, studente e Fakultetit Juridik në Linz, ka emigruar si dy vjeçare me prindërit e saj nga komuna e Pejës. Ajo gjendet në listën Federale të SPÖ-s në numrin 29, kurse në listën e Landit të Austrisë së Epërme me numrin 11. Është kandidatja me e re në moshë dhe brenda partisë së saj Donjeta e gjen veten në krahun e majtë.
 
Rilinda Rexhepi kandidon për Partinë Popullore të Austrisë (ÖVP) është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, ka përfunduar shkollën e lart ekonomike, është drejtoreshë e kompanisë REX. Rilinda ka emigruar si 8 vjeçare nga komuna e Prizrenit. Ajo gjendet në listën e ÖVP-s me numrin 32. Si drejtoreshë Rilinda është konservative dhe i përket krahut të djathtë.
 

Fushatë e përbashkët e kandidateve në Steyr dhe Kirchdorf
 
Pas fushatave që kandidatet kanë patur në Linz, shoqata “Mergimi” nga Steyri me kryetarin e saj Miftar Zagragja dhe shoqata “Albafol” nga Kirchdorfi me kryetarin Ymer Aliu organizuan tubime me bashkatdhetarë nga këto anë për të ndihmuar fushatën zgjedhore të kandidateve.
 
Shoqatat thanë se do të angazhohen maksimalisht për të ofruar mbështetjen e kandidateve dhe u bënë thirrje anëtarëve të tyre që të votojnë për kandidatet shqiptare, duke besuar që ato do të angazhohen seriozisht për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë. Në emër të shoqatës Miftar Zagragja tha se :” Ne do të mobilizojmë anëtarësinë për të ju votuar, por njëkohësisht ne kemi edhe kërkesat tona. Kërkojmë nga ju nëse hyni në Parlament që të angazhoheni në riformulimin e ligjit për aplikimin e vizave për të martuarit dhe fejuarit nga Kosova. Jemi i vetmi shtet në Europë që jemi të kufizuar me moshën 21 vjeçare për të marr vizën. Ju dëshirojmë fat dhe sukses ne zgjedhje”.
 
Zoti Aliu nga shoqata ”Albafol” tha se:” Është i lumtur dhe krenar që më në fund edhe nga komuniteti ynë dalin kandidat serioz për Parlamentin Austriak. Shpresojë shumë që programet e juaja dhe puna e juaj, të na ndihmojnë në ruajtjen e identitetit. Ne do të bëjmë të pamundurën që të sensibilizojmë anëtarësinë tonë për të ju votuar juve. Kërkesa e jonë është ndalja e diskriminimit në shkolla dhe punë, duke ju afruar mundësi të barabarta secilit nga ne”.
 
Në fjalën e tij publicisti Ramiz Selimi ju tha kandidateve:” Për komunitetin tonë nuk është aspak me rendësi se për cilën parti ju garoni. Për ne është me rëndësi dhe jetike të na tregoni hapur se, a e keni mbështetjen dhe hapësirën e nevojshme nga partia, të merreni seriozisht me problemet dhe hallet tona? Neve nuk na duhen kandidat vetëm sa për sy e faqe, neve kemi nevojë të jashtëzakonshme në angazhimin e juaj të pa rezervë në rritjen e numrit të atyre që vijojnë mësimin në gjuhen shqipe, nga 6% tani në 50% në vitin e parë, e pse jo pas dy viteve në 80%. Elektorati i juaj është komuniteti shqiptarë, ju duhet ti kontaktoni ata, ti bindni për programet dhe qëllimet e juaja sepse vetëm ata mund të ju dërgojnë në parlament, e jo programi i Partisë.
Ftojë të gjithë komunitetin shqiptarë në Austri të shfrytëzojë drejtën e votës, duke votuar motrat tona. Ne në Austri të Epërme jemi një numër i mjaftueshëm shqiptarësh për të ju mundësuar atyre hyrjen në parlament”.
 

Programi i Donjeta Krasniqit, kandidate nga SPÖ

Pastaj kandidatet shpalosen programin e tyre duke filluar me Donjeten, e cila tha se, do të angazhohet për azilkërkuesit, ku pas kërkesës për azil dhe pritjes gjashtëmujore ti lejohet e drejta e punës. Ajo e kujton periudhën trevjeçare të babait të saj si të papunë dhe vështirësitë e shumta që atë kohë hasen. Nuk është  njerëzore dhe në dinjitetin e njeriut që t`i pamundësohet dikujt të drejtojë vetë jetën dhe fatin e vet tha ajo, çdo azilkërkues pa marr parasysh se nga vjen duhet të punojë dhe të financojë vet jetën e vet.
 
Përvojat e saj në arsim gjatë shkollimit të saj nuk janë më të mirat, ka raste kur është ndier e diskriminuar, ajo dëshiron që këto dukuri ti minimizon në shoqërinë Austriake. Donjeta tha:“Si e re dhe emigrante kam përjetuar se si sistemi shkollor ka provuar të më nxjerrë jashtë binarëve të tij. Sistemi ynë shkollor provon që t`i ndajë fëmijët si egjrën nga gruri dhe kjo është gabim. Për këtë arsye kam konstatuar se mund të ndryshoj diçka vetëm nëse luftoj vetë kundër saj”
 
Si çështje tjetër të cilën do ta ngrehte në parlamentin e vendit, në rast se do të zgjidhej, ajo thotë se do ti ndihmonte familjet që kanë studentë, duke ju dhuruar atyre ndihma familjare deri në moshën e 26 vjeçare. Kjo ndihmë ka qenë praktikuar më parë por ndërkohë është hequr. Siguria sociale është temë jetike për studentët, thotë ajo.


Programi i Rilinda Rexhepit, kandidate nga ÖVP

Rilinda Rexhepi tha se nuk do ta lexojë programin e Partisë Popullore (ÖVP) siç bëri kundër kandidatja, por do të përqendrohet në prioritetet e saj për komunitetin shqiptarë. “Duke e parë rrezikun potencial të asimilimit, unë prioritet numër 1, kamë vendosur arsimin plotësues të gjuhës shqipe. Pse? Pasi që vetë vij nga një familje si shumica e familjeve tjera kosovare, gjatë shkollimit tim kamë arritur ti identifikojë problemet që unë hasa. Shumë fjalë që flisnim në familje nuk gjendeshin në fjalor, ato fjalë që nuk i kuptoja gjermanisht nuk mund ti përktheja në formë korrekte për shkak të mungesës së gjuhës letrare. Është jetike për fëmijët tanë, për ardhmërinë e tyre, që së pari t’a mësojnë gjuhën shqipe mirë, pastaj nuk do të kenë pengesa në mësimin e gjuhës gjermane dhe shkollimin e dëshiruar. Do të bëjë të pamundurën që mësimin shqip ta bëjmë obligues në Austri. Unë nëse zgjidhem deputete, do të angazhojë një ekip në teren, duke kontaktuar të gjitha familjet shqiptare që kanë fëmijë, për ti bindur ato për rendësin e mësimit të gjuhës shqipe.
 
Pika e dytë në programin tim është integrimi i shëndoshë dhe pa rrezik asimilimi në shoqërinë austriake. Kur them integrimi mendoj në kyçjen dhe marrjen pjesë të komunitetit tonë në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke filluar nga subvencionet e deri të vendimmarrja. Këtu nuk është punuar sa duhet deri me sot, nga ata që kanë pasur përgjegjësinë e integrimit, me anashkalimin e komunitetit tonë. Me ardhjen time në Parlament këto gjëra do të ndryshojnë, sepse ne meritojmë shumë më shumë, se kaq.
 
Prioritet i tret është kontaktimi i trurit nga komuniteti ynë në Austri, për ti inkurajuar ata në bërje të biznesit. Unë do të jem në shërbim të tyre, kamë informacione se një numër i bashkatdhetarëve është mirë i kualifikuar, por ata janë të detyruar të bëjnë punë tjera, në mungesë të informacionit. Unë do jem krahu i fort i tyre, që ata të guxojnë të formojnë kompani, pse jo pas një kohe të bëjnë edhe partneritet me kompanitë nga vendlindja”.
 
Ato kërkuan njëzëri daljen e sa më shumë qytetarëve në zgjedhje dhe të votojnë për kandidatin e tyre. Votuesit duhet të kenë parasysh se nëse votojnë për Donjetën, duhet të votojnë Partinë SPÖ dhe poshtë shënohet emri i Donjeta Krasniqi, kurse ata që duan Rilindën votojnë Partinë ÖVP dhe poshtë shkruajnë emrin Rilinda Rexhepi.