Dienstag, 23. Juni 2015

Opinion nga Jon Leka - Kur Zoti zbret në Llapushnik

Pushtimi qenka ai që paska ruajtur shqiptarët të mos ia hanë kokën njeri- tjetrit, në emër të féve të importuara prej gjithandej. Grupet radikale, të rinjtë në ISIS, mohimi, shembja, përdhosja e figurave të Nënë Terezes, Skënderbeut, tendenca e priftërinjve për të monopolizuar sa më shumë territor dhe historinë,  janë monumentet e ferrit të këtij realiteti.


Intoleranca prodhon histeri dhe kjo e fundit verbëron edhe racionalin më të ashpër.

Duket  sikur gjithandej ku ta lëshoj këmbën Zoti përdhos, çanë, çmend njerëzinë! Askush nuk e duron tjetrin dhe konflikti vendos pushtetin.

Mediat thanë se u dëmtuan varrezat – e aty nuk ishte varrosur askush. U shkrua se u prish themeli i një kishe – aty ku u prish murri i një ideje për tu ndërtuar një tempull fetar për katër – pesë familje katolike. Dhe të gjitha këto ndodhin mbi një copë dheu ku qenkan zhvilluar beteja të ashpra të vendorëve kundër pushtuesve të tyre. Aty paska bërë luftë UÇK kundër armatës dhe paramilitarëve serbë. Aty paskan lënë jetën dhe eshtrat shqiptarët e Llapushnikut për lirinë e tyre. Po në këtë liri që për kisha e xhami ne dje ia bëmë Llapushnikut fytyrën zi. Se e fyem, e akuzuam pse mbi atë tokë, ende të patharë nga gjaku i dëshmorëve të tij nuk lejon të ngritët një kishë, një kryq, një tempull që të gjakut e tij me fé ndryshe e kërkojnë si copë, seli për ata që i besojnë t’i kenë perëndi.

E shteti? Ky nxit me paaftësi, gjuan gurin fsheh kokën dhe le njerëzit të vriten si gjë e gjallë që nuk e kanë idenë çka të bëjnë me lirinë! E mediat: ato vend e pa vend ulërinë dhe sjellin faktet veç atëherë kur njeriun e kanë shndërruar në bombë që mezi pret ta bëjë kërdinë –  ngase tashmë ai si dinamit kërkon themelin e radhës që urrejtjen e akumuluar ta prek me fitil, ta ndezë, ta djeg çdo fije që lidhë njerëzit paqësorë për t’ua dhënë fjalën atyre që besojnë se kufomat janë ushtria më e denjë e Zotit që preferojnë!

*

Ngjarja sipas dokumenteve të botuara në të përditshmen Zëri.
 

Dokumenti i parë: Në vitin 2009 «Famullia e Lumja Nënë Tereza» në Llapushnik i bën kërkesë Drejtoratit për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë afatin sa më të shkurtër t’ia ndajë komunitetit katolik 5 hektarë tokë në vendin e quajtur «Boka».

 Çudi e madhe. Pse kaq minimalistë? Pse Ismet Sopi i Famullisë nuk ka kërkuar krejt Llapushnikun si zonë të Papatit? Pse në afatin sa më të shkurtër? Duhet me urdhëruar: që tash e gjithë Drenica shpallet pronë e Kishës. O bënja një herë si duhet o hiç.

Pse kërkohet ndërtimi i Kishës mbi një vend që u konsideroka si «vakëf» pasi aty paskan humbur jetën shumë vendorë në luftë?

Dokumenti i dytë: Reagon imami Musliu dhe llapushnikasit. Kryetari i BIK-ut Naim Tërnava i drejtohet Kuvendit Komunal me një letër me siglën, në njërën anë të gjitha gjuhët dhe në tjetrën vetëm në arabishte dhe kërkon që mos lejohet ndarja e tokës, respektivisht ndërtimi i kishës. Arsyetimi: 5000 banorët nuk kanë xhami e kërkesa qenka shty për ma vonë.

Falsifikatori i historisë, kryeimami gjysmëlegal, oligarku i larë me të gjitha ujërat e zeza dhe prindi i paguximtë që e shtyn të birin në vend të tij të bëjë apele për në ISIS arsyetim në letër nuk e ka as madhësinë e tokës, as se qenka rajon ku qenkan ushtruar betejat e UÇK. Ai kërkon që mos lejohet ndarja e tokës sepse implikueshëm aty e apska vendin një xhami që nuk qenka kërkuar që dikush të mos mendojë se bëhet revanshizëm. Ndaj kujt?

Loja vazhdon. Fillojnë punimet. Ndërpriten punimet. Kështu vite me radhë. Eskalon situata dhe llapushnikasit me ramazan e stomak të pabuktë e shkatërrojnë murrin – themelin e Kishës, që, siç thonë vendorët, qenka ndërtuar tinëz.

*

Në fakt historia e kësaj ngjarjeje është brum për një trajikomedi për ta shkruar ndonjë mjeshtër si Jeton Neziraj. Që skena të ishte sa më autentike si aktorë duhej të angazhonte po të njejtët injorantë: Ismet Sopin, Naim Tërnavën dhe Nexhat Demakun. Llapushnikasit do të luanin rolin e shikuesve e jo të statistëve; për të parë se çbëjnë primatët e tyre fetarë dhe politikë me ta. Në fund me gurr do t’i gjuanin ngase do të kuptonin se këta maskarenj tallen me lirinë dhe inteligjencën e tyre. I fyejnë ata. Janë për t’i dëbuar të gjithë.

Dhe jo vetëm kaq. Llapushniku sipërfaqësoi diçka që qe sa vite terrorizon shoqërinë kosovare; me vite teofilë paramesjetarë, gjysmë të shkolluar, të trajnuar shkollave të urrejtjes fetare përdhunojnë publikun me organizata, parti, ndërtojnë qindra xhami ilegale ku predikojnë fanatikë me mjekra estetikisht të gërditshme, priftërinj që ndajnë drejtësinë dhe historinë, kërkojnë monopol mbi atdhetari, patriotizëm, politikanë që rrejnë herë njërën e herë tjetrën palë për të mbushur thasët e grisur të tyre me sa më shumë pare.

Llapushniku nxori edhe diçka shumë më të rëndësishme në shesh, një të vërtetë që ndoshta shumë pakkush donë ta dëgjojë se: pushtimi, po robëria, qenka ajo që i paska ruajtur shqiptarët të mos ia hanë kokën njeri tjetrit në emër të feve të importuara nga gjithandej, e jo toleranca e tyre “gjenetike” siç e elozhojnë veten tirqebartësit e Ballkanit. Po kjo qenka e vërteta. Grupet radikale, të rinjtë në ISIS, mohimi, shembja, përdhosja e figurave të Nënë Terezes, Skënderbeut janë monumentet që e dëshmojnë këtë realitet.

Llapushniku nuk i ka fajet. Gjithë ne që dje shamë e përlamë Llapushnikun nuk na mbetet gjë tjetër se kokëulur tï kërkojmë ndjesë e të mësojmë se çka ndodhë, çka mund të ndodhë edhe më keq kur nuk egziston shteti. Llapushniku na dëshmoi edhe njëherë se nuk duhet të kemi asnjë fije tolerance ndaj intolerancës fetare. Kosova duhet të ndajë shapin nga sheqeri njëherë e përgjithmonë; o shtet sekular ku fetë, besimet janë private dhe hiç më shumë o le të vendos që vendi të shndrrohet në poligon idiotësh, fanatikësh paramesjetarë që duke kërkuar zotërat e tyre do tua hanë kokën tjerëve para se të ikin edhe vetë.

________________
Shkrimi është marrë nga gazetablic.com 
23 Qershor 2015

Sonntag, 21. Juni 2015

Qëndresa e atdhetarëve të Plavës e Gucisë

...për mbrojtjene  territoreve shqiptare në vitet 1879-1880

Shkruan: Eugen SHEHU

Vendimet e padrejta të traktatit të Shën Stefanit, për coptimin e trojeve shqiptare, ngjallën shpirtin e protestës në katër vilajetet shqiptare.Veçanërisht në muajt prill-maj të vitit 1878 u organizua nga atdhetarët shqiptarë një varg beslidhjesh krahinore, me ç’rast parashihej edhe një lloj organizimi ushtarak. Por në mënyrën më masive, lëvizja për rezistencë të armatosur në këto treva, të cilat këcënoheshin drejtëpërsëdrejti nga rreziku i aneksimit prej serbëve, grekëve apo malazezëve. Këto lëvizje të organizuara nuk munguan të hartonin edhe plane të veçanta se si do të shkohej në luftë nga do të merreshin furnizimet me armë dhe ushqime madje si duhet të vepronin me popullsinë e pambrojtur shqiptare në trevat më të kërcënuara prej monarkive ballkanike. Ky lloj organizimi i cili disa muaj më pas shërbeu për formimin dhe vendosjen e pushtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u ndje sidomos në trevat e Shqipërisë Veriore. Ndonëse të dalë prej një varfërie të skajshme, shqiptarët e këtyre anëve,shitën miellin që rritnin fëmijët për të blerë armë e municione të bindur se ora e madhe e ekzistencës apo asimilimit të tyre po afrohej. Armatosja e tyre u shoqërua me dhënien e besës si edhe organizimin ushtarak. Lidhur me këto përgaditje mendoj të sjell këtu, njoftimin që konsulli britanik në Shkodër i bënte Londrës më 4 maj 1878, ku pos të tjerave shkruante tekstualisht;

“Banorët e krahinave të Beranës,Plavës,Gucisë,Graniqit dhe të shpatave lindore të maleve të Shqipërisë Veriore, kanë formuar një lidhje për t’u rezistuar deri në vdekje kundër të gjitha orvatjeve që do të bëheshin për të ndryshuar gjendjen e tanishme të territoreve të tyre,pa marrë parasysh nëse këto orvatje vinin nga fuqitë e jashtme apo nga Porta e Lartë”.(S.Riza “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumenta angleze”–Prizren 1978, fq.191).

Lëvizja për bashkimin kombëtar me idenë e kundërshtimin deri në vdekje, të coptimit të trojeve shqiptare, u shtri edhe në radhët e shqiptarëve që ndodheshin jashtë atdheut,si në Stamboll, Egjipt, Bullgari, Itali etj. Janë me dhjetra telegramet,protestat apo memorandumet që shqiptarët jashtë atdheut përmes tubimeve të tyre, u dërguan Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë, duke kundërshtuar çdo manovër politike që ishte në dëm të tërësisë territoriale shqiptare. Për t’i bërë sa ma legjitim aksionet luftarake të tyre, fqinjët tanë nuk munguan t’u fryjnë flakëve të luftës fetare, kinse shqiptarët e krishterë apo katolikët nuk kishin asgjë të përbashkët me shqiptarët mysliman të cilët sipas tyre ishin të përkdhelurit e Portës së Lartë. Po të merret me mend prapambetja e viseve shqiptare në fundin  eshekullit të 19-të, kuptohet që kjo propagandë mundi të lozë një rol të caktuar në rrjedhën e ngjarjeve por ky rol ishte tejet i vogël. Shqiptarët të cilët nëpër shekuj i pati lidhur më shumë kombësia dhe besa përpara kësaj gjendjeje ditën të orientohen në kahjen e vëllazërimit kombëtar. Kështu,në një telegram në viset e Shkodrës, Ulqinit, Tivarit dhe Podgoricës i dërgonin në vitin 1878, ambasadorit francez në Stamboll, pos të therave do të shpreheshin ; “Ne katolikë e myslimaë,vëllezër prej shekujt dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh… pëlqejmë më mirë të asgjësohemi sot, se sa të vdesim nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar”. (S.Riza “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare “-Prishtinë 1978, faqe 12 ).

Po kështu, edhe në vise të Maqedonisë shqiptare, ushtrohet presion nga serbët, me idenë se duhet të largoheshin myslimanët pasi historikisht kjo tokë ka qenë e banuar prej ortodoksëve. Për më tej propaganda serbe po bënte thirrje të hapta që elementi ortodoks shqiptar të ngrihet e të kërkojë të drejtat e veta, duke nënkuptuar me këtë rast luftë vëllavrasëse ndërmjet shqiptare për hirë të bisedimeve të ndryshme fetare.Por asesi shqiptarët e këtyre trevave nuk mund të binin pre e deklarimeve të tilla ogurzeza. Kështu në protestën e tyre të vitit 1878 paria e Tetovës në një protestë që u dërgonte Fuqive të Mëdha, pos të tjerave do të kumtonte; “Ne banorët e Tetovës jemi më shumë se 30 mijë burra myslimanë, ndërsa të krishterë nuk janë më shumë se një e katërta. Pra myslimanët përbajnë shumicën si numër, por e lëmë menjanë këtë sepse si shqiptarë ne jemi të gjithë degë të dalë nga i njëjti trung, nuk kemi mosmarrveshje për asnjë çështje dhe jetojmë të gjithë të bashkuar”.( S.Riza , ”Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” – Prishtinë 1979, faqe 15 )

Pikërisht,në qershorin e vitit 1878, në Prizren u formua Lidhja Shqiptare, e cila, për nga përmasat, vizionet, organizimin e qendresës së armatosur,përbën një ngjarje epokale për fatet e shqiptarëve. Pa dashur të ndalemi mbi këtë kuvend madhorë të burrave nga katër vilejetet shqiptare, mjafton të themi se vetëm veprimi energjik politik, diplomatik dhe luftarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bënë Fuqitë e mëdha dhe Evropën në përgjithësi të kthejnë sytë nga viset shqiptare që po nëpërkëmbeshin. Ndërkaq Princ Nikola, në bashkëpunim të ngushtë me Carin e Rusisë dhe Portën e Lartë në vjeshtën e vitit 1878, organizuan seksionin e Mehmet Ali Pashës, i cili kish të bënte vetëm e vetëm me zbatimin e traktatit të Berlinit,për dorëzimin e viseve shqiptare nën administrimin e Cetinjës. Ndonëse u paralajmërua tri herë, Mehmet Ali Pasha,i “fryrë” prej lavdisë së korrur në Azi, donte të çonte deri në fund misionin e vet për coptimin e Shqipërisë veriore. Kaq mjaftoi që ai të ekzekutohej prej forcave të organizuara të Lidhjes Kombëtare të Prizrenit. Pamvarsisht se si u komentua vrasja e bujshme e tij në Stamboll, në të vërtetë ajo s’ishte gjë tjetër veçse vënie në jetë e rrezolutës së 2 korrikut 1878, sipas së cilës, cilido që do të dhunonte tërësinë territoriale të Shqipërisë, do të quhej tradhëtar. Merret me mend se pas kësaj vrasjeje, qeveria ruse parashihte pengesa serioze për dorëzimin e trojeve shqiptare në duar të Cetinës,në këtë mënyrë në shtatorin e vitit 1878 disa ditë pas vrasjes së myshirit të Stambollit,ambasadori rus pranë Portës së Lartë, i deklaronte Vezirit të madh se, nëse Mali i Zi do të luftonte me armë në dorë për zbatimin e kërkesave të Kongresit të Berlinit, Rusia nuk mund të rrinte duarkryq. E thënë më troç kjo parashihte dërgimin e ushtarëve rus në ata kufij, pra të tjera kokçarje për Stambollin. Është e kuptueshme që pas këtij momenti Rusia të mendonte shumë më seriozisht për faktorin shqiptar. Princi Lobannor në Stamboll me anë bisedash e telegramesh të shumtë, u përpoq të bindëte Fuqitë e Mëdha, të ndërhynte pranë Stambollit, i cili duhet të dërgonte sa më parë trupat ushtarake në Shqipëri, për të shuar rebelimin. Në vjeshtën e vitit 1878, duke parë vendosmërinë e shqiptarëve për të mos e dorëzuar Plavën dhe Gucinë i propozoi Cetinës që të hiqte dorë nga trevat e Gucisë dhe të merrte në vend të saj krahinën e Vasojeviqit. Për më tej Porta e Lartë i premtoi princit Malazez dhe një shumë të konsiderueshme të hollash. Por Nikolla e refuzoi në mënyrë të prerë këtë propozim, madje u shpreh se do të refuzonte çdo propozim të mëtejshëm, edhe nëse ky do të ishte në favor të Malit të Zi. Përballë kësaj situate që sa vinte e ndërlikohej, Porta e Lartë u përpoq të luante në të dy krahët. Kështu megjithëse ajo heshti në ditët e para të Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes,në tetorin e vitit 1879, më pas kur mësoi se aty ishte në rend të ditës mbrojtja e Plavës dhe Gucisë,ndëroi qëndrimin menjëherë. Konsulli britanik Sen Xhon i shkruan lidhur me këtë kuvend Londrës se; ”E alarmuar nga vendosmëria e delegatëve qeveria dha urdhër që Kuvendi të shpërndahej dhe anëtarët e tij të ktheheshin nga kishin ardhur”. (Dokumente britanike, raport i Xhonit, nga Prizreni, doku. 33).

Në ditët e fundit të tetorit të vitit 1879, qeveria e Malit të Zi kishte ndërmarrë disa manovra ushtarake, në afërsi të territoreve shqiptare duke keqtrajtuar madje disa shqiptarë etnikë. Lajmi u përhap në Shkodër si rrufe dhe mjaft prej atdhetarëve shkodranë të armatosur u bën gati të shkonin në Plavë e Guci. Në datat 26-27 tetor 1879 në drejtim të kufijve të kërcënuar shqiptarë u nisën rreth 250-300 burrat e parë ndërsa të tjerët organizoheshin në çetat e vullnetarëve. Krejt kjo gatishmëri la mbresa të thella tek qytetarët shkodranë por edhe tek burrat e Malësisë së Madhe të cilët u armatosën dhe u nisën drejt kufijve etnike shqiptare. Sodoqoftë, më 1 nëntor 1879, ishin forcat e princ Nikollës ato që sulmuan të parat, në befasi, të fshatit Arzhanicë. Ata mundën të djegin disa shtëpi të fshatit dhe të vrasin 30 gra e pleq të pambrojtur. Por kundërpërgjigjja e vullnetarëve shqiptarë ka qenë tejet e rrufeshme. Pas dy-tri orësh luftimesh të rrepta, malaziasit u tërhoqën në kufijtë e tyre sigurisht duke lënë disa të vrarë e plagosur. Duke parë se në kufijtë e Plavës dhe Gucisë po afroheshin forca të mëdha vullnetarësh shqiptarë të vendosur për të mbrojtur deri në fund tërësinë e tyre territoriale, Mali i Zi u tërhoq për disa ditë duke shtuar presionin e vet diplomatik tek Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha të cilat duhet t’i dorëzonin territoret shqiptare. Presionet ndaj Portës së Lartë nuk rreshtën gjatë këtyre ditëve, sidomos nga Rusia. Përballë këtyre ngjarjeve, Stambolli urdhëroi autoritetet osmane të Vilajetit të Kosovës dhe Shkodrës që të pengonin me çdo kusht dërgimin e vullnetarëve shqiptarë në kazanë e Gucisë. Gjithashtu u ngarkua Savash Pasha (ministër i jashtëm i Turqisë) dhe Xhevdet Pasha të cilët duhet të merrnin kontakte të menjëhershme me prijësit e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, për t’i bindur këta të dorzonin Plavën dhe Gucinë, por edhe këto lëvizje administrative dhe diplomatike të Portës së Lartë nuk patën jetë të gjatë.Ymer Prizreni kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 21 nëndor 1879, kundërshtoi në mënyrë të prerë urdhërin e Valiut, për rekrutimin e djemve të Kosovës në ushtritë perandorake. Përgjigjja e tij,përmblidhej në fjalët se “burrat e aftë për armë i duheshin Shqipërisë pasi do të luftonin për mbrojtjen e tërësisë së atdheut”. Në bazë të burimeve të shumta arkivore,në 27 nëndorin e vitit 1879, në frontin e luftës në kufijtë “turko-malazez” (nënkupto shqiptaro-malazez) u vendos shtabi ushtarak i Malit të Zi me në krye kryeministrin e Cetinjës , Njegoshin. I vendosur 10 kilometra në veriperendim të Plavës, ky shtab u bëri thirrje të gjithë vojvodëve të Malit të Zi të lidhnin besën për të marrë me çdo çmim Plavën dhe Gucinë. Në krye të shtabit ushtarak të malazezëve, Princ Nikolla emëroi Mark Milanin, i cili për nga e ëma kishte origjinë shqiptare,sidoqoftë veprimet e mëpastjashme vërtetuan se Princ Nikolla ishte gënjyer. Ndërsa me vendim të Komandës së Lartë Ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,shtabi i vullnetarëve shqiptarë u vendos në Guci, në afërsi të kufirit malazez.Me vendim unanim të Prizrenit, komandant i këtij shtabi u vendos Ali Pashë Gucia,ndërsa trupat e tjera vullnetare shqiptare, komandoheshin nga burrat e shquar të asaj kohe, si; Jakup Ferri, Haxhi Zeka, Sulejman Vokshi, Jusuf Sokoli, Kurt Asllani etj. Është për t’u theksuar fakti se ndërmjet vullnetarëve shqiptarë të Gjakovës, Pejës, Gucisë, Plavës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, u reshtuan edhe disa oficerë të ushtrisë osmane me origjinë shqiptare. Këta lanë karierën dhe gradat duke paraparë se pati ardhur çasti i lumë për t’i shërbyer atdheut të tyre.Ende nuk dihet me saktësi numri i vullnetarëve shqiptarë, të cilët u rreshtuan për të mbrojtur territoret etnike të tyre. Nga një varg të dhënash burimore del se nuk kanë qenë më shumë se 5 mijë vullnetarë shqiptarë, përballë 7-8 mijë malazezëve.Këto shifra janë kontradiktore pasi Mali i Zi, duke dashur të tërheq vëmendjen e Fuqive të Mädha ka deklaruar asaj kohe për 10-12 mijë shqiptarë të armatosur. Një gjë është e vërtetë se ndërsa forcat malazeze ishin të rreshtuara përgjatë vijës; Murinë; Pepaj, Arzhanicë dhe Velikë, vullnetarët shqiptarë ndërtuan pozicionet e tyre mbrojtëse në vijën; Guci, Kolenicë, Martinaj, Plavë dhe Nokshiq. Lumi Lim, i cili shërbente si një lloj kufiri midis frontit në fjalë do të jetonte në ditët më pas tmerret e një lufte trup më trup, ku shqiptarët mbronin lirinë e tyre, ndërsa malazezët kërkonin në mënyrë të padrejtë të pushtonin territore të rinj.

Në mëngjezin e 4 dhjetorit 1879,forcat malazeze filluan sulmet frontale në drejtim të fshatit Nokshiq.Sulmi i tyre qe i beftë deri brenda dy-tri orësh, malazezët mundën të përparojnë tepër. Vullnetarët shqiptarë duke mos ditur që Nokshiqi pati rënë në duart e malazezëve u drejtuan për atje të shkujdesur duke u ngjitur nëpër malet e velikës. Këto momente shfrytëzuan mjaft mirë forcat e Theodor Milanit të cilat u lëshuan të tërbuara mbi vullnetarët shqiptarë. Kaq është dashur që drejt Nokshiqit të ngarendin qindra shqiptarë të tjerë, nën komandën e Jakup Ferrit, Osamn Hotit, Halil Radonajës, Mushi Ramës, Balil Demës, Ismail Omeragajt etj. Gjenerali Njegoshiq, ndërkaq duke parë se drejt Nokshiqit po ngarendin mbi dy mijë shqiptarë, vuri në veprim edhe dy batalione me ushtarë malazez, të armatosur deri në dhëmbë, madje edhe me artileri të cilat ishin vendosur në Moraçë. Brenda disa orësh në Nokshiq e rrethina u vendosën mbi 4 mijë ushtarë malazez. Përballë kësaj lëvizjeje taktike të gjeneralit malazez, reaguan menjëherë prijësit e vullnetarëve shqiptarë. Këta vendosën të sulmonin malazezët trup më trup, duke hequr mundësitë atyre për përdorimin e armëve të artilerisë, si dhe armëve të tjera. Në këtë mënyrë në mesditën e 4 dhjetorit 1879, sulmi shqiptar pat hutuar krejt veprimet e malazezëve të cilët nën thirrjen e shqiptarëve dhe përleshjeve trup me trup, gati po demoralizoheshin. Pas disa orësht luftim në muzgun e ftohtë që po afrohej, forcat e Mark Milanit duke çarë rrethimin, iu afruan urës së vetme të lumit Lim. Pos edhe këtu u ndeshën me vullnetarët trima të Gjakovës. Në këtë mënyrë veç qindra të vrarëve “gjatë kalimit të Lumit Lim, të fryrë nga ujërat e dëborës u mbytën me dhjetra malazezë të tjerë”.(J.Vukiç “Plavsko-Gusinjska afera i oslobodenia Ulcinja” – Sarajevo 1929 , faqe 15 ).

Mali i Zi dhe në mënyrë të veçantë princ Nikolla, të gjetur të befasuar përballë kësaj humbjeje, ai nuk vonoi të planifikojë këtë humbje duke bërë me faj Portën e Lartë. Kështu me gazetën “Gllas Cërnogoraca” të 13 dhjetorit 1879, shkruhet se fajin e kishin jo vetëm vullnetarët shqiptarë por edhe qeveritarët turk. Mandej sipas kësaj gazete thuhet se gjatë sulmeve të shqiptarëve, kinse ishin dëgjuar edhe komanda në gjuhën turke çka “përligj” pjesmarjen e trupave turke në Nokshiq. Nikolla gjithashtu paralajmëroi Fuqitë e Mëdha,se nëse nuk do të ndërhynin që shqiptarët tu dorzonin vullnetarisht tokat e tyre, atëherë luftimet do të vazhdonin akoma më të përgjakshme, duke sjellë trazira në krejt Ballkanin. Nga ana tjetër në 15 dhjetor 1879, në Guci u mblodh Kuvendi i jashtëzakonshëm i përfaqsuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kosovës, i cili pas diskutimesh të zjarrta vendosi të mbrojë deri në pikën e fundit të gjakut çdo pëllëmbë toke amtare. Burrat shqiptarë të tubuar aty dhanë besën se do të ruanin nderin e vatanit me çfardo çmimi që do t’u kërkohej.Në lidhje pikërisht me këtë kuvend,do të shkruante duke cituar pjesë nga memorandumi: “Ne banorët e Plavës dhe Gucisë nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë”. Ne do të kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona “.

( Gazeta “ San Peterburskie Vjedemosti “ më 23 dhjetor 1879 ).

Në 26 dhjetor të vitit 1879 shtabi ushtarak i princ Nikollës,u duk sërish në Andrejevicë, në krye të ushtrisë prej 25 batalionesh ishte caktuar sërisht Mark Milani, i cili ndonëse humbi në mënyrë të turpshme në Nokshiq,përbetohej se do të kthente në vend nderin e humbur. Këtyre organizimeve ushtarake iu përgjigjën flakë për flakë shqiptarët, të cilët, dërguan në territoret etnike të tyre rreth 9 mijë vullnetarë, veçanërisht nga Peja, Prizreni, Gjakova e Shkodra. Në këto formacione nuk munguan të rreshtoheshin edhe qindra oficerë shqiptarë, të cilët dezertonin nga ushtria perandorake dhe niseshin direkt për në Guci. Mbase nuk duhet harruar fakti që në ditët e para të janarit 1880 pati organizime ushtarake dhe nga Shqipëria e Jugut për të luftuar në Guci, por Shtabi Ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,urdhëroi që ata të rrinin në pritje dhe të mos niseshin pa një komandë të tyre. Më 6 janar 1880 formacionet ushtarake malaziase ishin përqëndruara plotësisht përgjatë kufijve etnike shqiptare. Në vijën Velikë-Pepaj, ata përqëndruan rreth 5 batalione të mbështetur edhe nga artileria duke dashur të çanin me çdo kusht mbrojtjen shqiptare e mandej për të dominuar situatën. Por në këtë rast strategjia malazeze u zhvlersua përballë artit ushtarak shqiptar. Prijësat e Plavës e Gucisë duke futur në luftim rreth 300-400 vullnetarë në të dy krahët e Andrejevicës dhanë të kuptohej se donin të godisnin malazezët, pikërisht në shtabin e tyre. Gjatë gjithë natës, Mark Milanin e vojvodët e tjerë tërhoqën trupat nga Velika, Pepaj e Plava, duke mbrojtur nga të katër anët Andrejevicën. Pikërisht në mëngjezin e 8 janarit 1880, në momentin dhe vendin që armiku kursesi nuk e priste, vullnetarët shqiptarë të udhëhequr nga trimat Kurt Asllani dhe Nure Kurti, në tri kolona sulmuan befasisht malazezët në vijën; Velikë, Pepaj –Arzhanicë. Beteja e 8 janarit mbetet padyshim jo vetëm si simbol i heroizmit masiv të shqiptarëve, por edhe shembull i mjeshtërisë së Artit Ushtarak Popullorë. Këto batalione shqiptarësh ndonëse sulmuan malazezët sa dyfishin numerik të tyre, mundën t’i shëndrrojnë lëndinat e Velikës, Pepajt dhe Arzhanicës në teatër të dhimbshëm të epopesë legjendare.Gjatë kësaj kohe “disa forca të Lidhjes e sidomos plavasit dhe guciasit duke i ditur vendet mirë, nxituen për t’i prer rrugën ushtrisë së Mark Milanit e të tjerëve,prej kodrës së Nokshiqit nga ana e Ivanopoljes. Ata e vunë përpara ushtrinë e thyeme të Malit të Zi, duke hyr edhe në tokat malazeze. Humbjet e malazezëve qenë të mëdhaja.Të vramunit mbetën gjithë dimrin mbi tokë, pa u futë në dhe, pse malazezët nuk guxojshin me u afrue për me i varrosë”. (E.Plava “Plava dhe Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”-Tiranë 1995, faqe 87 ).

Jehona e betjës për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë ishte tejet e madhe. Pamvarsisht prej rezulltateve të arritura në ditët e janarit 1880, në të vërtetë me mbrojtjen që shqiptarët po u bënin trojeve etnike të tyre u jepnin të kuptonin Fuqive të Mëdha, që të mos luanin me fatet e tyre sikur të ishin jetimë.Një tjetër mesazh i këtyre betejave ishte edhe ndaj Portës së Lartë.Bashkimi i shqiptarëve nga krejt vilajetet e tyre,për një gjymtyrë të trupit,donte të thoshte se zotër të trojeve shqiptare ishin veç shqiptarët dhe askush tjetër. Në këtë rrafsh, goditej drejtëpërsëdrejti megalomania e Fuqive të Mëdha dhe paternalizmi i Portës së Lartë, sipas së cilëve, me kufijtë shqiptarë dhe në përgjithsi me çështjen shqiptare, mund të luhej si të dojë. Kjo dëshmoi të kundërtën,pra shqiptarët dëshmuan se ska pazarllëqe në kuriz të kombit dhe atdheut shqiptar.
_____________
Huazuar nga gazetadielli.com

Smajl Martini

Smajl Martini Ivezaj dhe qëndresa heroike për mbrojtjen e tokave shqiptare

Nga Gjeto Ivezaj

Smajl Martini Ivezaj, bajraktari  i Grudës së njohur, është një ndër shqiptarët më patriot, për të cilin deri më sot fare pak është bërë për nderimin e tij në rangun kombëtar. A e meritonte Smajl Martini një nderim të tillë, e sidomos në  përvjetorin historik të 100 vjetorit të Pavarësisë? Për këtë le të pyetët historiografia shqiptare, le të shfletohen arshivat dhe bibliotekat, edhe pse për personalitete të tilla ka pas shumë rezerva për t’ua vënë në dukje trimëritë dhe aktivitetin e tyre.

Smajl Martini është pa dyshim njëri ndër luftëtarët më të mëdhenj që pati Malësia, e për më shumë, gjithë Veriu i Shqipërisë.  Ai, qysh në moshën 18 vjeçare u dallua si një prijës trim dhe i vendosur në luftën kundër okupimit turk, duke marrë pjesë në shumë lufta çlirimtare. Nuk  mund të kalohen luftërat e njohura në Shkodër, Vraninë e Shipshanik, në Deçiq e Bukovik, në Plavë e Guci, në Pejë si dhe në betejën (Kryengritjen) e përgjakshme në tokat e Maqedonisë kundër Sadri Agë Pashës etj., duke qenë në ballë të kryengritjeve liridashëse kudo në trojet shqiptare të okupuara padrejtësisht prej pushtuesve historik, që tashmë njihen.

Smajl Martini, jo vetëm që vinte nga një familje me tradita patriotike dhe shumë e njohur në Malësi e më gjerë, siç ishin atdhetarët Preç dhe Bacë Vuksani të njohur për luftërat e viteve 1780, të thirrur “Princat e Grudës”, që u vunë në mbrojtje të Kalasë së Rozafatit në qytetin historik të Shkodrës, por edhe vetë  Smajli, në vitin 1835 i vuri gjoksin e me heroizëm shembullor mbrojtën këtë Kala dhe Kishën rrëzë saj, të quajtur “Zoja e Shkodrës”.

Janë historianë të njohur, të cilët kanë shkruar për këtë prijës e luftëtar të pamposhtur. Një ndër to ishte historianja e njohur Gradizhinia, që në vitin 1837 do t’i përshkruante këto beteja dhe Smajl Martinin si një hero për mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Perandoria turke e ndoqi hap mbas hapi veprimtarinë e Smajl Martinit, duke e dënuar në vitin 1883 në një izolim të përkohshëm për t’iu rikthyer dënimit të përjetshëm në vitin 1886, ku gjyqi ushtarak i Sulltanit do të dënojë bashkë me Smajl Martinin Ivezaj edhe një numër të madh malësorësh të Grudës, bashkëluftëtaret më të ngushtë të tij: Dedë Ula (Lulgjuraj), Ujk Dushi (Kalaj ), Shabë Smaku (Berishaj), Gic Gila (Grimaj Ivezaj), Prëk Gjetja (Ivezaj), Lulash Deda (Ivezaj) dhe Lucë Preka (Ivezaj).
 Internimi i këtij luftëtari në Diari-Bekir të Turqisë, bëri që ai, pas më shumë së dhjetë vjetësh të vdes në internim dhe, sot e kësaj dite, të mos i gjendet as varri.

Vite më parë ai do të merrte pjesë  bashkë me Baca Kurtin e Dedë Gjo Lulin në Lidhjen Historike të Prizrenit, në Qershor të vitit 1878.

Për të gjitha këto e të tjera, që saktësisht i kanë shpëtuar kohës dhe mundësisë për t’u dokumentuar, ekzistojnë shkrime deri në Ipeshkvinë e Venecias, ku Ipeshkvi i njohur edhe në fushën e historisë, Toni Assagazino do të shkruante për qëndresën liridashëse të Malësisë në vitin 1780, historianët Pjetër e Arben Teodori ( ACC.PO, fq 117) në vitin 1856 do të shkruajnë për rolin e këtyre bajraktarëve për të mbetur Malësia e pandarë nën territorin shqiptar, e jo ashtu siç ndodhi në të vërtetë. Njihet thënia e Smajl Martinit në shenjë proteste, kur mësoi se Malësia po copëtohej: “Nuk kam qenë dhe s’do të jem kurrë për copëtimin e trojeve tona të shtrenjta të lëna trashëgim nga të parët tanë.”

Po kështu, sipas  Andrija Joviçeviqit, Smajl Martini ka luftuar vazhdimisht edhe kundër sundimit malazias në tokat shqiptare të Malësisë, me të njëjtin intensitet që ka luftuar kundër pushtuesve turq, duke bërë që luftërat dhe qëndresa e kësaj familje të njihen deri në Amerikën e largët. Për këtë  është shkruar me datat 9 dhe 21 Maj të vitit 1911 në gazetën e njohur “The New York Times”.

Për të gjitha këto e të tjera veprimtari të këtij heroi popullor, folklori shqiptar njeh me qindra vargje në dhjetra këngë të shkruara e kënduara për të.

Smajl Martini edhe pse mbeti jetim në moshën 17 vjeçare dhe e dinte ç’do të thoshte lufta, i dha dy djem luftërave kundër Malit te Zi, Gjonin dhe Pjetrin, i dha nipin Martin dhe për më tepër i dha historisë tonë Tringë Smajlin e njohur. Pra, Smajl Martini Ivezaj duhet vënë në piedestalin që e meriton.

Disa të dhëna të shkëputura u moren nga:
Pr.Dr. Palokë Berisha “ Punime nga shkencat humanitare” Ulqin, 2011
Edi Shukriu “ Gratë e shquara  shqiptare”, Prishtinë 2003
Andija Joviçeviq, “ Malësia 1914-1923
“The New York  Times”  dt 9 dhe 21 Maj  1911

_____________
Huazuara nga malesia.org

Tradhtari që provoi ta shiste Shkodrën

“Imazhe të një tradhtie të hershme”. Kështu mund të quhen fotografitë e rralla të Esat Pashë Toptanit me oficerë dhe ushtarakë serb. Njeriu që tentoi të shiste Shkodrën për pushtet personal, zbulohet në disa fotografi të rralla, teksa shoqërohet me oficerë serbë, duke biseduar për fatet e territoreve shqiptare.

Esat Pashë Toptani ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së perëndimit dhe zbehjes së pushtetit osman dhe ofensivës grabitqare të fqinjëve të tanë, të fshehur pas “Aleancës ballkanike”. Shkodra u kthye në kasaphane dhe mollë sherri mes turqve dhe ushtrive ballkanike, kryesisht serbëve dhe malazezëve. Esat Pasha ishte caktuar zëvendëskomandant i Korpusit të Shkodrës, ndërsa komandant i të gjitha trupave të këtij korpusi ishte Hasan Riza Pasha, një ndër oficerët më të përgatitur të ushtrisë turke. Esat Pashë Toptani flirtoi si me malazezët ashtu edhe me turqit, për të ruajtur pozitat që kishte, duke pritur se ku do të anonte peshorja e fitores. Ndërkaq, vrasja e Hasan Riza Pashës dyshohet se u krye pasi ky i fundit kërkonte të ngrinte flamurin shqiptar dhe se shtabi xhonturk në qytet nuk ishte dakord për këtë veprim. Në këto kushte, xhonturqit bashkëpunuan me Esat Pashën, ndërsa ky i fundit pranoi, i tunduar nga fakti, që pas vrasjes së Hasan Riza Pashës, komanda e qytetit t'i mbetej atij. Po krahas bashkëpunimit me turqit, Esat Pasha kishte hyrë në marrëveshje me malazezët për hir të interesave të tij.


Takimet e fshehta

Esat Pasha kishte bërë disa kontakte të fshehta me krerët e ushtrisë malazeze e serbe. Më 5 mars 1913, Esati u takua me shefin e Komandës Ushtarake Malazeze, Princin Danilo, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm dhe tema kryesore e bisedës ishte: dorëzimi i Shkodrës. Për këto veprime të Esat Pashës kanë qenë në dijeni edhe qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha, të cilët në asokohe ishin mbledhur në Londër për të shqyrtuar gjendjen e krijuar pas luftës së parë ballkanike. Që më 10 prill 1913, diplomacia britanike informohet se Esat Pasha, i cili e kishte vrarë Hasan Riza Pashën, i ka kërkuar qeverisë malazeze një shumë prej 80.000 lirash turke për dorëzimin e qytetit të Shkodrës. Vrasja e Hasan Riza Pashës, sipas burimeve diplomatike ishte kryer nga Esat Pasha për të qenë i lirë në veprimet e tija që synonin drejt vendosjes në fronin e ri të princit të Shqipërisë. Shkodra u dorëzua në 23 prill 1913, pas nënshkrimit të tradhëtisë nga Esat Pashë Toptani një ditë më parë. Diplomatët njoftojnë se dorëzimi i Shkodrës është bërë mbi bazën e një pazarllëku midis Esat Pashës dhe malazezëve, dhe bisedimet kishin vazhduar me ndërprerje disa ditë në kushtet e një izolimi të plotë të sekretit nga autoritetet malazeze.


Fati i Shkodrës

Edhe pse Esat Pasha ia dorëzoi Shkodrën Malit të Zi, fati i këtij qyteti do të vendosej në Konferencën e ambasadorëve në Londër. Me ndërmjetësinë e Ministrit britanik të Punëve të Jashtme, Sir Edëard Grey-t, u arrit një marrëveshje ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë për kufijtë e Shqipërisë së veriut e të lindjes, dhe Shkodra i mbetej Shqipërisë.


Esat Pashë Toptani

Esat Pashë Toptani ka lindur në vitin 1863 në Tiranë. Esati meqë ishte rritur në Tiranë, me kohë e kishte zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, dhe duke qenë në shërbim të guvernatorit të Durrësit, Hafiz Pasha, ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte të bënte çfarë të donte pa u dënuar. Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani, komandant i xhandarmërisë së Janinës. Ky post i kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshalit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në Janinë. Esat Pasha, përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi merrte prej secilit 25 lira turke.


Forcimi i pozitave

Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori ryshfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. Më vonë Esat Pasha u transferua në Shkodër, me detyrën e shefit të xhandarmërisë. Nga pozita që kishte ai, bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë së tyre mund ta shqetësonin. Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës.

Bjeshkët e Tropojës, mrekulli e natyrorës...

Nga Ismajl BUÇPAPAJ

Bjeshkët e Tropojës, sinonimi i fjalës të madhërishme! Bjeshkët e Tropojës janë një bukuri që zoti i skaliti mrekullueshëm dhe jua dhuroi banorëve të këtyre anëve për të jetuar 3-4 muajt e verës duke i bërë këta banorë të lumtur me ajrin e pastër, ujin e freskët, pishën, ahun rudinat, burimet e shumta e mbi të gjitha bukurinë e tyre. Këto zona shtrihen në një lartësi 160 m deri 2500 m mbi nivelin e detit. Lartësitë e mëdha për tu ngjitur, terreni mjaft i thyer, largësia e madhe nga qendrat e banimit kanë qenë faktorë të mëdhenj për të bërë një jetesë komode për shekuj në këto zona. Kullosat e pafund të bagëtive me rendimente të larta qumështi e mishi. Vera me freski dhe kënaqësi shpirtërore kanë qenë faktorët kryesorë që tropojani nuk është ndarë për shekuj nga këto vende të bekuara. Në çdo vend, njeriu i ngjan natyrës që jeton, nuk është rastësi që në këto vende me lartësi të mëdha, me bukuri të rralla, me burime të shumta natyrore që dalin vrullshëm nga kreshta malesh të lindin e të rriten njerëz me shtat të lartë, të bukur e të vrullshëm si natyra që i rrethon, të pastër nga shpirti e mjeshtër të fjalës e të pendës. Nuk është rastësi që këngët e vallet e Tropojës janë aq të bukura. Nuk është rastësi që këto bukuri natyrore kanë nxjerrë me dhjetëra këngëtarë me zë bilbili, kanë nxjerrë poetë, shkrimtarë, gazetarë, politikanë, sportistë e artistë me emër në Shqipëri.


Tregtia e boronicës

Popullata, për ti përjetësuar emrat e këtyre bjeshkëve në mënyrë tradicionale i ka vënë emra të tillë si: Balcina, Ujëza, Bjeshkë, Valbona etj. Këto zona janë epiqendra e Eposit të Kreshnikëve ku poeti popullor ka thurur mijëra vargje popullore për Mujin e Halilin, madhësia, fuqia e bukuria e tyre vendoset në përmasat legjendare. Për zanat e maleve që bukuria e tyre është pasqyre e kësaj natyre. Natyra në këto lartësi është e larmishme më një pasuri të rrallë e të madhe të florës e të faunës. Pyjet e mëdha me ahun, pishën, bredhin, pajën kanë raporte të mrekullueshme me pllajat me rudina. Këto zona përmbajnë një numër të madh bimësh medicionale ku si pasojë popullata nxjerr përfitime të mëdha ekonomike. Boronica bimë medicionale e përhapur masivisht është mjaft e dobishme për shëndetin e njeriut, pasi kuron një sërë sëmundjesh. Kjo bimë mblidhet me shumicë nga popullata, e cila ka përfitime të mëdha ekonomike. Tregtohet në Kosovë me çmim mjaft të ulët. Ka ardhur koha që qeveria shqiptare të gjejë një zgjidhje, qoftë në gjetjen e tregjeve me leverdi për popullatën apo të ndërtojë një fabrikë përpunuese të këtij fruti, prodhimet e të cilit janë mjaft të kërkuara.


Infrastruktura

Këto zona gjatë vërës kanë me mijëra banorë, mysafirë dhe me qindra turiste nga vende të ndryshme të botës. Numri i banorëve që banojnë 3-4 muajt e verës është mjaft i lartë, po aq i lartë është dhe numri i bagëtive që kullosin në kushte mjaft të mira. Kërkohet nga qeveria shqiptare të përmirësojë infrastrukturën si rregullimin e rrugës së makinës, mbulimin me valë celulari, shërbim mjekësor për njerëz dhe kafshë dhe mbulimi me energji elektrike. Të gjitha këto do të bënin të mundur rritjen e numrit të popullsisë në këto zona fantastike. Vonesa e ndërhyrjes së qeverisë ishte me dëm të madh për këtë popullatë në përfitimet ekonomike dhe shëndetin e turizmit. Ka më shumë se katër vite që kryetari i komunës Margegaj po bën punë të jashtëzakonshme për hapjen e rrugëve të reja për të lidhur çdo bjeshkë me rrugë. Kjo komunë ka një pjesë të këtyre zonave në juridiksionin e vet për tu ndodhur para një popullate që kërkon të lidhet me rrugën e makinës. Komuna Margegaj e ndihmuar nga disa biznesmenë ka hapur mbi 50 km rrugë duke lidhur rreth 80% të këtyre bjeshkëve. Këto ditë u bë e mundur hapja e rrugës Padesh, Ujëzë dhe Sylbicë. Kjo rrugë bën të mundur hapjen e unazës së bjeshkëve. Përfundimi i kësaj rruge, ëndërr shekullore e kësaj popullate do të hapi rrugë e mundësi të mëdha për një jetesë komode por edhe për përfitime të mëdha ekonomike.


Prodhimi

Konkretisht në këto lartësi prodhohet thekra, qepra dhe hudhra, madje shitja e tyre duket të jetë mjaft e mirë. Blegtoria nga viti në vit është shtuar veçanërisht kafshë të tilla si lopa, dhia dhe delja. Një fakt mjaft i habitshëm është se në çdo bjeshkë shikon lesh delje të lënë në lëndina. Leshi i deles në ditët e sotme humbet, por me parë në mënyrë tradicionale zona e Tropojës e ka përdorur si lëndë të parë për prodhimin e sixhadeve, qilimave, jastëkëve e shumë produkteve të domosdoshme për shtëpinë e malësorit. Këto prodhime me vlera të jashtëzakonshme për odën e malësorit janë të rralla. Madje për nga cilësia e bukuria janë shumë të kërkuara në tregjet botërore, prandaj edhe qeveria shqiptare ka mendësi të ndërhyjë duke ndërtuar ndërmarrje që përpunojnë leshin dhe hapjen e ndërmarrjes të sixhadeve e qilimave. Kjo do bëjë të mundur punësimin e dhjetra njerëzve dhe blegtorët do të kishin fitime të mëdha ekonomike. Këto bjeshkë të rralla nga bukuria dhe pasuria me hapjen e unazës së rrugës së makinës patjetër do të njohin hap cilësor në jetesën e mijëra banorëve.


Apeli

 Ne u ndodhëm në ardhjen e makinës së parë nga zona e Padeshit në Sylbicë, pamë një pritje të mrekullueshme të banorëve të Sylbicës të cilët falenderuan kryetarin e komunës Margegaj, Rexh Byberin, i cili me iniciativën e vet personale me ndihmën e banorëve e biznesmenëve bëri të mundur hapjen e unazës së bjeshkëve. Këto vende kanë shumë mundësi natyrore që njeriu mund ti shfrytëzojë e pikërisht në Sylbicë në një lartësi mbi 200 m mbi nivelin e detit është ngritur minihidrocentrali i parë me ujin që rrjedh me shumicë në këto anë. Prodhimi i energjisë me mjete të thjeshta dhe me kosto të ulët ka bërë të mundur që këta banorë të kenë dritë elektrike, dushe dhe televizor. Ky fakt duhet propaganduar që një gjë të tillë ta bëjnë edhe banorët e bjeshkëve të tjera. Jeta në këto lartësi është e vrullshme, çdo ditë është një përpjekje për përmirësimin e jetës ekonomike. Bjeshkët e Tropojës përrallë natyrore kanë nevojë për sa më shumë njerëz të shijojnë bukuritë, klimën, tu japin sa më shumë të ardhura ekonomike me pasuritë e mëdha natyrore që mbajnë. Prandaj qeveria shqiptare që ka vite që rri indiferente përballë këtyre banorëve duhet patjetër ta njohë këtë zonë, të bëjë investime, se do të ketë frute të mëdha në të gjitha fushat për këtë popullatë të shumtë. Bjeshkët e Tropojës më madhështinë e tyre mirëpresin sa më shumë njerëz. Jeta në këto lartësi është e mrekullueshme, dihama e mrekullisë duhet të përhapet më shpejt, më larg, pasi janë vende që bëjnë një jetë të mrekullueshme. Bjeshkët ju mirëpresin...
___________________
Huazuar nga sot.com.al

Shtegu i Fushëbardhës në Labëri

Nga Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI & Angjelo KAZO

Të takosh historinë


Moti kish shkundur supet e vesuar dhe kish hedhur vellon e jeshiltë. Malet kishin hequr qeleshen e bardhë të dëborës. Në këmbët e tyre jeta rrjedh e qetë. Zhurmojnë veç rrugët nacionale e qendrat urbane. Fshatrat presin udhët që të “zgjohen”. Pasi kalon ujin e Ftohtë të Tepelenës dhe Shkallën e Zezë përhapet një dritë e ndritshme e luginës së Drinos. 

Në të majtë lamë Hormovën e kapedanëve dhe të historisë, ku pak kohë më parë Sheh Hysen Hormova kishte zhvilluar një takim mbreslënës. U kthyem djathtas. Morën rrugën që gjarpëron drejt Shtëpëzit, vendi ku u mbajt kuvendi historik i prillit 1914, ku kapedanët lidhën besën për luftë ndaj andartëve grekë. Ka kaluar një shekull dhe Shtëpëzi është mes gjelbërimit me kokën “pështetur” në faqe të malit. Ai ngjason me bedenat e një kalaje të stërlashtë. Vellua e jeshile e hijeshisë e qetësisë, e Shtëpëzit na fton si në një ballkon të luginës së Drinos. Pushteti i dukshmërisë është si në pëllëmbë të dorës, nga Lekëli në Kakavijë. Përballë tij, hijerëndë manastiri i Cepos, vendi i Zotave, një karakoll mijravjeçar i ngjarjeve heroike, me kuvende, ku “shkruhej” e ardhmja labe e shqiptare. Në të djathtë lugina e lumit të Kardhiqit kullon bardhësi dhe që përfundon me qafën e Skërficës dhe atë të Shtufit. Mali i Gjerë, i Lucës, i Pusit mbyllnin horizontin me rryma të freskëta mëngjesi, që pasojnë me ditë të shndritshme të mbushur me diell. 

Fshatrat e Labërisë në shekuj kishin qenë gjerdan në kuvende. Sa herë binte briri i luftës lebrit, gjirokastritët, lunxhiotët, tepelenasit e përmetarët ishin bashkë, sikurse thotë polifonia, lidhur “si fishekë gjerdani,/kush na prek i humbet nishani”. Kështu ishin mbledhur dhe para një shekulli, në fillim të prillit 1914 paria e kuvendi të kapedanëve dhe prijësave. Nga Fushëbardha Halil Sullo, legjenda e pushkës, burrërisë dhe mendjemprehtësisë së bashku me katër djem fushëbardhas: Dalip Kondi, Surja Tefa, Rizal Muho e Sejdi Baho. Nga Golëmi ishte kordinatori i katër çetave Solo Beqiri, luftëtar trim dhe i mençur. Nga Zhulati Hazhi Zeman Muxhai, luftëtari kombëtar Çerçiz Topulli, trimi dhe luftëtari i paepur Hasan Xhiku, legjenda e të gjithë luftrave me osmanët, grekun e italianin e 20-tës, Selam Musa Salaria etj. Prijësa e kapedanë të tjerë shkuan në kuvendin e Shtëpëzit, nga Kurveleshi i sipërm dhe Kardhiqi. Në takim ishin edhe kapiteni holandez De Ëaal, lejtnanti Juljus Sonne dhe ekipi mjekësor i përbërë nga ushtarakët Tido Reddinguis, Van Vliet dhe civili De Groot.Takimi i Shtëpëzit u inicua nga hollandezët mbështetur nga një batalion xhandarmërisë shqiptare. Qëllimi ishte që të vëzhgohej nga afër tërheqja e ushtrisë greke dhe rivendosja e autoritetit të shtetit shqiptar nën drejtimin e V.Vidit. Në fakt ishte direktiva e Fuqive të mëdha. Ushtria e grekut po tërhiqej nga Picari, Fushëbardha e Kardhiqi. Urdhëri i fuqive të Mëdha ishte që ata të dilnin jashtë kufirit të njohur të “Shqipërisë londineze” të miratuar nga Konferenca e Ambasadorëve. 

Takimi i Shtëpëzit ishte përzgjedhur në kohën e vendin e duhur. Shtëpëzi ishte një vendkomandë lufte në faqe të malit, që priste e përcillte kapedanë, ku lidhej besa si gjerdan i gatshëm për beteja. Kuvendi i Shtëpëzit ishte besë për lirinë. Burrat e bashkuar në idealin e lirisë lidhën besë që do të zinin pikësëpari të pesë shtigjet e Labërisë por shtegu i parë ishte qafa e Skërficës. Ata u bashkuan kundër synimeve të qeverisë autonomiste të Vorio-epirit me seli në Gjirokastër. Foli kapedani i çetës së Fushëbardhës Halil Sullo, i cili kërkoi nga hollandezët vetëm armë dhe municion. Gjithë burrat e fshatit ishin të gatshëm për luftë. Kishin vetëm pak mauxer, maliher e disa nagantë, një pjesë e tyre të fshehur në Qafë Dardhë që të mos i gjenin ushtarët e Xhavarrës (komandant i postës greke në 1914). Këto anë nuk kishin pasur ndonjëherë ndihmë shteti deri në këtë periudhë. Për herë të parë shikonin dhe mjekë hollandezë në Labëri. Personel mjekësor tradicional kanë qenë nënat labe dhe ilaçet popullore si melhem për plagët si dhe shehlerët, hoxhallarët e ca “doktorë” pleq e plaka që mjekonin me mjete rrethanore. Foli Sulo Beqiri, Kapedan Çerçizi, Xhaferi nga Gusmari, Latifi nga Progonati... “Fermani i kuvendit të Shtëpëzit” ishte i qartë: “...të mbyllet me çdo kusht e me çdo sakërficë Skërfica, kjo portë e moçme e Labërisë nga kapedan Halili dhe burrat e Fushëbardhës, Zhulatit e Rrëzomës, por edhe luftëtarë të tjerë. Kapedan Sulo Beqiri me çetat e tij u vendos nga Manastiri i Cepos, Qafa e Shtufit, Gryka e Kaparielit dhe Rehovës, Jomenin dhe me radhë.. gjithë shtigjet e Kurveleshit dhe të Labërisë”. 

Krismat për lirinë përcjellin historinë në një krahinë e treve luftarake të pa nënshtruar ndaj çdo pushtuesi. Ishin këta prijësa dhe çetat e tyre që përbaltën akademikët ushtarakë fqinjë, që hodhën në koshin e plehrave të historisë strategjitë e tyre, përfshi edhe ata ushtarakë grekë që kishin studiuar në akademitë gjermane. Kishin kaluar gjithë jetën me armë në dorë. Takimi pati dhe romuze, kur oficerët hollandezë kërkonin t’u mësonin lebërve artin e luftës dhe armët. Nuk e dinin se shqiptarët kishin lindur me armë. Lebërit ishin mjeshtra kur merrnin nishan në zemër dhe dinin t’i dërgonin plumbat në lule të ballit. Djalëria e labërisë këpuste dhe fijën e gjalmit me plumb. Dyfekun e kishin zanat. “Mësimi” i armëve në Shtëpëz nga lejtnanti Juljus Sonne i njohu me arsenalin e armëve të andartëve grekë që pothuaj ishin që të gjitha i markave bavareze gjermane me pushkë gjysëmautomatike, mitroloza e armë artilerie, topa të kalibrave të lehtë e të mesëm, por dhe thikat (bajonetat). Depërtojmë në gojëdhënën popullore, në arkivën e përjetshme të shqiptarit, por dhe në fondet dokumentare gjejmë ende krismën e betejave popullore të 120 burrave në Fushëbardhë, 60 burrave në Zhulat, 170 luftëtarëve të Golemit, 100 vetë të Lekëdushit, 80 vetë të Gusmarit, 46 burra të Rexhinit, 110 burra të Nivicës dhe çdo fshati të Labërisë. Çdo betejë në Labëri është një epope.

 

Udha historike në luginën e Kardhiqit

Tek Ura e Kardhiqit, ku rrahin erërat e shekujve ka një tabelë kilometrazh: “Fushëbardha 17 km”. Një stacion ku janë ankoruar malet e bukuria. Në të djathtë ura që bashkon brigjet dhe lejon të rrjedhin ujrat e bardha të Belicës që derdhen në Drino. Ujrat e maleve të krahinës së Kardhiqit derdhen tek këmbët e kalasë së lashtë të Palokastrës që daton bashkë me romakët. Lugina e lumit të Kardhiqit është një histori më vete. Është një “portë” natyrore, me çelësa tek Qafa e Zenele. Ky është “check point” (pikëkontrolli) i Cepos. Belica ose lumi i bardhë përshkon luginën e Kardhiqit, “mbledh” në një shtrat grykën e Kaparielit, rrëketë e malit të Pusit, lumin e Fushëbardhës, Çullunarin, grykën e Honit e Piriun, rrëketë që zbresin nga mali i Pusit, Grykës së Shurit, Gramatisë, lumit të Piksit, Qafës strategjike të Skërficës, etj. Udhëtim përmes kënaqësive e bukurive mahnitëse. Zogjtë, lumi, fëshfërima e erës, gjelbërimi masiv “flet” me gjuhën e vet. Bregu i Shehe, Çepuna e Zenelaj, vendbanime të lashta e të reja. Historia i njeh si “tuma” ilire. Në një shekull janë jetësuar pranë erës së urbanizimit. Më tej fshatra me rëndësi historike si Plesati, Kardhiqi, Prongjia, Kakodhiqi, Taronina, Zhulati e Fushëbardha. Peizazhi natyror e historik përzihen. Vende-vende natyra është dehëse me lule erëmirë në detin e gjelbërimit. Rruga ekzistuese dikur gjithë gumëzhimë është “e lodhur”. 


Rruga e re që do të lidhë Urën e Kardhiqit me Skërficën e Sarandën, “përton” të shtrojë transe të re. Koridoret e shtigjeve të lashtë kalojnë përmes gryka malesh që presin të gjallërohen sërish. Nga antikiteti e mesjeta nga kaonët ilirikë, molosëve epirotë të Pirros, maqedonasve të Aleksandrit të Madh, romakëve, sllavëve, osmanëve, grekëve, italianëve, gjermanëve panë e provuan të kalonin Skërficën, këtë “patkua strategjik”, shtegun e parë të Labërisë si një ndër pesë shtigjet e stërralltë të Labërisë. Punimet pesë vjeçare të rrugës së re kanë shkuar deri në këmbët e Kardhiqit, kanë çarë fushën e Kakodhiqit. Banorët e pakët të fshatrave gjysmë të braktisur nuk e besojnë javashllëkun që po shton shpopullimin dhe padurimin. Ka pasur dhe disa investime për shtëpitë e tyre, por që të gjithë banorët e ish banorët janë sy e vesh mbi të rejat e rrugës. Shumëkush pyet: “-Ku janë fshatrat me emër e histori si Fushëbardha, Zhulati..? Ku është jeta e gjallëria e dikurshme?” VKM-ja që mundësuan fushëbardhasit në maj 2005 për rrugën e re Ura e Kardhiqit-Sarandë vetëm 37 kilometra, e cila do lidhë dy shtigje të Labërisë Kardhiqin dhe Skërficën pranë Fushëbardhës, do rindezë shpresat e turizmit malor në një zonë me bukuri e peizazhe mahnitëse. Vetëm me rrugë turizmi malor do gjejë shtëpinë e vet.


Cepua si vendkomandë lufte dhe vend peligrinazhi

Manastiri i Cepos është ndriçim i memories historike të Labërisë për besimin e hershëm kristian të krahinës së Labërisë. Manastiri ka qenë në vijimësi shtëpia e kuvendeve. Historikisht kapedanët e prijësat mblidheshin poshtë shpatit verior të Malit të Gjerë, një prerje shkëmbore dhe një pikë dominuese strategjike midis Kardhiqit dhe Luginës së Drinos. Kurveleshi, Kardhiqi, Fushëbardha, Tepelena, Lunxhëria, Picari, Kolonja, Golemi. Këtu ishte parlamenti i fjalës dhe besës. Manastiri në Cepo njihej nga vendasit dhe të huajt, për pozicionimin gjeografik strategjik, si vendi i shenjtëruar i besimit, i bekimit dhe i faljes. Këtu ishte selia kundër të gjithë pushtimeve.. Në 1914 mori flakë dyfeku kundër andartëve të etur për tokë e gjak. Cepua ka pritur e përcjellë gjithmonë luftëtarë legjendë të njohur të Jugut të Shqipërisë si Çerçiz Topulli, Halil Sullo, Hasan Xhiku, Sulo Beqiri, Çelo Picari, Barjam Prongjia (Ligu), Hito Labi (Lekdushi) etj. Kënga e ka përjetësuar: “Cepo moj te manastiri,/Gjëmon pushka, buçet briri,/Sokëllin Sulo Beqiri,/Sa dëgjohej nga Erindi/E nxori pallën nga milli/ Se na rrethoi qafiri/U vra Vejo Strokë trimi,/Halo Godua lule prilli,/Elmaz Jaçe bojëmiri..”. Por kjo kala natyrore u shfrytëzua për kuvende e luftra në të gjitha brezat. 


Edhe gjatë LANÇ këtu u shkrua epope heroizmi e mençurie nga bijtë më të mirë të krahinës si Riza Veipi, Dilaver Poçi, Mustafa Matohiti, Karafil Bello, Shefqet Peçi, Adil Çarçani, e shumë të tjerë. Pas luftës strategët ushtarakë shqiptarë të mësuar në shkollat më prestigjioze të botës, e bënë Cepon kazermë ushtarake, vendkomandë. U ruajt tradita si vendgrumbullim luftëtarësh, si pikë referimi për kuvendet e brezat dhe ndërtimin e jetës. Nën këmbët e Cepos janë Plesati e Prongjia. Dielli i rreh vetëm në Perëndim në mbretërinë e heshtjes së manastirit me kishë bazilikë me kupolë, hajat, trapezari, hambarë etj., ku jo të gjitha mbijetojnë. Përballë vendlindja e Çelo Picarit, më tej Kolonja, Rehova e Golëmi i Çobo Golëmit. Trima e burra të mëdhenj të krahinës. Çelo Picari ishte djali i hallës së Çobo Golëmit. Të dy bashkë kur vinin në qafë të Skerficës për në Kurvelesh lanin këmbët e kuajve në burimet e Skërficës, që balta e moçalishteve të mos vinte në Labëri. Çelua dhe Çobua anulluan planin e zhvendosjes së Kurveleshit me arsyetimin: “A do donit që atë baltë kur të vdisni ta hidhni mbi trupin tuaj?” Populli këndonte: “Kur dil Çobua në Skërficë,/Të ligjtë bijnë e vdisnë,/Hajde sylesh i syleshit,/Del i pari i Kurveleshit,/Del Çobua me pallë sheshit..”. Rruga ecën paralel me lumin e kristaltë të “Joshe”. Prongjia e identifikuar me emrin e Bajram Ligut (Prongjisë), i cili vrau bimbashin e Gjirokastrës bashkë me Hito Lekdushin (Labin) më 1908 dhe shkroi histori në vigjilje të Pavarësisë. Zhurmëmadh në dimër “Kollopanashi” ku në bashkim me Belicën është një lapidar i 7 gushtit që përkujton batalionin partizan “Asim Zeneli”. “7 gushti” është zëvendësuar me “takim brezash” në Fushëbardhë, Zhulat… që vijë të shuajnë mallë me gjithçka të mirë të trashëguar në shekuj. Humelica, Zhulati e Kardhiqi janë “guri i rëndë” krahinor i së shkuarës. Fshatra me bedena, me qytetari të hershme, që nuk ngjasojnë. Humelica në kodër me gjurmë kishash, Zhulati në gropë me kalanë mbi kokë me gjurmë krishterimi, Kardhiqi në brinjë paralel me kalanë me gjurmë xhamish e tyrbesh. Historiani Halil Inalxhik (Hicri 835 Tarihli Suret-i Defter-i Sancak-ı Arvanid, Ankara: TTK, 1954) sipas Evlia Çelebia, Pukëvili..etj. 

Kalatë e muret e kështjellave kanë “harruar” të shkuarën, janë braktisur e tjetërsuar. Dritaret e dyert e banesave, pragjet, dyshemetë, tarracat, qemerët e gurit, kullat me frëngjitë, oxhakët kanë humbur mesjetarizmin. Urbanistika e karakteristikat, shkëlqimi dhe “madhështia” janë përkulur sikur duan të kërkojnë ndjesë. Në literaturën gazetareske: “Atë që nuk e bëri hakmarrja e Ali Pashës dhe luftërat e bënë vitet 90-të dhe skamja. Pukëvili, konsulli francez i Napoleon Bonapartit në Oborrin e Ali Pashë Tepelenës, shkruante për mbijetesën në shekuj e banorëve të zonës së Kardhiqit e Zhulatit.. Po sot? Kardhiqotët fshatarat e saj arianë në kohë të Alarikut që shkatërruan Epirin, kristianë ortodoksë kur perandorët e Kostandinopojës zotëronin Epirin, katolikë gjatë invazionit të normanëve dhe katalanëve, myslimanë pas pushtimit të Epirit prej osmanëve; ju fshehën pushtuesve edhe pse me veshje e identitet kaon. I mbijetuan hakmarrjes mizore të Ali Pashë Tepelenës, që afro 40 vjet pas çnderimit të Hankos, më 1812, rrethoi Kardhiqin dhe fillimisht ekzekutoi 60 burra të parisë kardhiqote. Aliu shkroi histori mizore në Kardhiq, në hanin e Xharahajve në Valare, për “faljen e madhe vëllazërore”, që në fakt ishte hakmarrja më e çmendur e shekujve me vrasjen e masakrimin e 705 burrave kardhiqotë. Nuk u përfillën as këshillat e komandantit mirditor Ndrek Gazulli. Thanas Vaja ishte nënshkrues i masakrës, dhe kënga e përjetësoi: “Mu te pusi i Valaresë,/I biri i Hanko kapesë,/Vrau shtatëqind e pesë..”. Historia mbart lavdinë, luftrat, fitoret, dëshmorët, tregon “bardh e zi” mizoritë, brengat, tmerret e tragjeditë. 


Të gjitha udhët të çojnë tek historia. 

Idriz Sulli, parlamentari i kanunit dhe sharteve labe është autor i dy kuvendeve madhështore, kuvendin e Besës në Senicë dhe atë të rrepeve të Agait (1773) pranë qytetërimit zhulatas dikur me kala, akademi e bibliotekë të famshme. Brezat mësojnë nga autorë si Ismet Elezi, Marko Koroni, Eqerem Vlora, Ramiz Harxhi, Riza Runa, Agim Hila, Bardhosh Gaçe, Bernard Zotaj, Albert Zholi, Laver Stroka, Rahmi Memushi, Arif Kazo, Mitat Kondi, Resul Bedo, Tamaz Kondi, Zeqo Cama, Muzafer Pula, Xhemil Çeli, Sejmen Gjokoli etj. Nga Taronina duket qartë Zhulati, ku një burrë të ulur këmbëkryq në mes të fshatit, si në kuvende, një perandor që ishte brenda rrapit shekullor të Zhulatit, por që e zbuloi me finesë artistike artisti Murat Shuquri Këraj më 17 gusht 2013. Kalaja “majë kodrine”, pa mure e gurë, por vetëm me ca radhë guri. U grabit në shekuj. Andartët më 1914 i rrëmbyen kambanën e sahatin për të shuar historinë. Zhulati quhej Julius/Zhul.. dhe heraldika botërore e njeh si kaproll në arkivat e Venedikut. Çelebi “Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, me 200 shtëpi .. Kalaja e Zhulatit madhështore si kalaja e Kordusit ose Benefshes në Peloponez, u ngrit nga mbreti i Spanjës dhe ka ndërruar “pronarë”, me Dukën e Venedikut, në shekullin e Bajazitit me Qedik Ahmet Pasha; në shekullin e XVII u sundua nga “Çarçanët”, (titull osman). Çarçanajt janë Gjikaj të Qeparoit, Senicës e Fushëbardhës. “Çarçanët”, komanduan edhe kalanë e Zhulatit.


Në fushëbardhën historike e lapidare të memorialeve

Në këtë trevë padyshim më i madhi është Papa Zhuli burri dhjetë shekullor. Në Taroninë një lapidar kujton të shkuarën luftarake, por dhe vetë duket sikur ka dalë nga LIIB. Në Taroninë mushkëritë zgjerohen nga ajri si parfum mali që të gudulis fytyrën. Para një çerek shekulli korierja e më vonë autobusi i Skënder Veliut, qëndronte çdo mëngjes në këtu, ku merrte “racionin” e Zhulatit, 10 vende të rezervuar në autobus drejt Gjirokastrës. Rruga gjarpëron grykës së Çullunarit në fundin e Hingës, emër i gjetur në zhargonin popullor. Kemi hyrë në Fushëbardhë. Ndihemi ndryshe. Gjaku lëviz me natyrshmëri e gjallëri. Takojmë vendin e këngës, trimërisë, mençurisë, për të cilën këngëtari virtuoz fushëbardhiot Murat Nelo Cama këndon: “Fushëbardhë nuk ka më lartë,/Këtu zoti derdhi mjaltë,/ Të dha bukuri e dije,/Mbretëreshe labërie...”..“Trimëri guxim i labit,/Për kët’ popull fisnik/Fushëbardha lapidare,/Por dhe Qafa në Skërficë...” Emri “Mbretëreshë Labërie” i takon princit të polifonisë pilurjotit me rrënjë Lefter Çipa. Ai erdhi i pari ta prekte memorialin “Fushëbardha 2014”. Fshati e vendbanimi historik ku ka jetuar Papa Zhuli, themeluesi i Kanunit të Labërisë, është i njohur edhe pse 933 vjet më parë në qershor 1081 u realizua dhe marrëveshja e parë në Labëri. Papa Zhuli edhe me këshillën e të urtëve të krahinës bëri pakt me ushtrinë e Boemundit (sipas revistës “Shejzat” Romë 1957). 


Udhëtari që zbret në Fushëbardhë e gjen vet emrin e fshatit. Fusha e bardhë flet shumë me dy lapidarë, një çezmë me emblemë dhe domethëniet e shekujve për ngjarjet. Monumentet dhe rrapi “monument kulture” tregojnë për luftë e qëndresë, për sakrificë e mbijetesë shekullore, për unitet njerëzor, dikur kanunor, përbën një kompleks vlerash të kulturës shpirtërore të bashkësisë labe, që ngjan si kala qindravjeçare të ndërtuar gur mbi gur, si monument i kulturës materiale, dhe të bashkarisht në unitet të pandarë si pjesë përbërëse e kulturës së kombit shqiptar. Jeta dhe e drejta zakonore janë të gdhendura dhe përbëjnë unitet vlerash zakonore; lirinë, barazinë, nderin, besën, mikpritjen, solidaritetin njerëzor.. Në Fushëbardhë nuk rreshtin gojëdhënat për Papa Zhulin, për mençurinë…për të drejtën zakonore labe. Historiografia nuk e ka thënë plotësisht fjalën e saj për këtë figurë të rëndësishme të Kanunit të Labërisë gjendet qysh atëherë dhe ka vepruar në praktikë krahas monokanunit bizantin, pavarësisht se ende nuk janë gjetur dokumente arkivorë. Një personalitet i kulturës labe e më gjerë studiuesi i apasionuar Fitim Çaushi, e analizon historinë përmes vargjeve të këngës si një nga këngët më të vjetra dhe më të bukura: “Lum, o bir, Petro Zhulati,/Kal i kuq sa gjysmë shpati,/Me Bizant të zu inati,/Ç’i bëre gjithë ata trima,/Me kuaj si vetëtima,/Jataganët vringëllima”.


 “Fushëbardhë 2014” - memoriali i luftës, qëndresës dhe mbijetesës

Përpara na shfaqet me përmasa të pabesueshme Memoriali “Fushëbardha-2014” në qendër të fshatit, i veçantë në llojin e vet, që mbart historinë e një shekulli më parë, që mbart emocion, mendim të thellë, vërtetësi e vlerë të lartë artistike. Ai flet për betejën në Qafë të Skërficës, në këtë istikam natyror, ku çeta bëri një qëndresë heroike për një javë rresht ditë e natë nga 20 deri në 26 qershor 1914. Memoriali fletë për bashkim e burrëri, për qëndresë dhe mbijetesë. Skërfica u kthye në një xhephane të vërtetë lufte. Rezistenca ishte mjaft e fortë dhe pati përgjakje nga të dy palët. Memoriali të kujton luftën që u bë fillimisht nga 11 fushëbardhas si detashment zbulimi i përparuar në Gurët e Bashe, tek Shpella e Dhespinës, Shkëmbi i Kaze, Nomeja e Qershisë, Përroi i Shametit, Qafa e Trullave, Gropa e Dërrasës poshtë Gramatisë, Vrahull e deri në Qafë të Skërficës. Memoriali flet më shumë se 1000 fjalë për luftën e Skërficës në një patkua strategjik të gozhduar në të dy anët e malit në darën e malit të Gramatisë dhe të Pylloit. Memoriali përjetëson Skërficën dhe burrat e shquar që u trupëzuan njësh me të në emër të lirisë: Halil Sullo, Dalip Kondi, Halil Nora, Rizal Muho, Sejdi Baho, Surja Tefa, Cenko Onjea, Mete Jonuzi si dhe 60 të plagosur që shkruan faqe heroizmi që u gdhend në panteonin e kombit. Memoriali përmban dhe Haxhi Muxhain nga Zhulati; ... që ranë dëshmorë në një xhephane të përbashkët lufte për Labërinë, por dhe dëshmorë të tjerë që jetën e bënë fli për atdheun. Dokumenti “dëshmor” i përket vendimin Nr. 162 datë 30.11.1979. botuar në librin “Dëshmorët e Atdheut”, me rastin e 100 vjetorit të shtetit. Memoriali përmban histori, luftë, qëndresë e mbijetesë. Në të janë të shkrira motivet, etapat, mendimi unanim i djemëve të Fushëbardhës, nderim për brezat e sakrificave sublime. 


Kënga “Fushat me lule, malet me dëborë,/Qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë,/Gratë e Kurveleshit nisen për në Vlorë..” është në çdo grimcë të memorialit. Dëshmitari okular, Ramiz Harxhi nga Gjirokastra, ka publikuar një shekull më parë në Amerikë të vërtetën për “Betejën e Skërficës: “Në luftën e rreptë, q’u bë në Skërficë,/Ku, kundër një tufe, luftoi një pakicë,/Grykën e Skërficës, shtegn’e Labërisë,/Ç’e kishin rrethuar shtazët e Greqisë....Trimërisht luftuan me rrëmbym sa s’thuhet,/Sa q’ajo betejë as mund të përshkruhet, /Të pavdekur janë gjith’ata luanë,/Që për nder të kombit u grin’e u vranë”. 

Skërfica është shtegu i udhës së lashtësisë, si pjesë e strategjisë së mbretërve. Në 230 p.e.s Antigonea. Qafa e Skërficës kjo fortesë natyrore ishte dhe në planet luftarake të kalimit ushtarak për të sunduar në Foinike, kryeqytet i epirotasve. Mbreti Skerdilaid, komandant ushtarak dhe sundimtar i shtetit ilir (217-205 pes), që ishte kunati i Teutës së Durrësit, 23 shekuj më parë, i solli fitoren Mbretëreshës Teuta mbi foinikasit. Skerdilaidi manovroi trupat në Skërficë dhe bashkë me Teutën për krijimin e një Fronti të Adriatikut kundër Romës. Skërfica ishte porta ku vendosej fati i luftës. Zotërimi i Butrintit, Onhezëmës (Saranda) erdhi pas marshimit të Skerdilajdit me ushtrinë në ngushticën e lumit të Kardhiqit, në Fushëbardhë dhe në Skërficë. Historiani grek Polibi, shkruan: “Kur kaonët morën vesh se Skerdilajdi me 5000 luftëtarë ilirë po vinte kundër tyre nëpër tokë, duke kapërcyer ngushticën e Antigonesë, dërguan një pjesë të forcave të tyre për të mbrojtur këtë qytet”. Më vitin 198 p.e.s., mbreti Filipi V u nis për të pushtuar “ngushticat e Antigonesë”, por në planet e luftës kishte dhe “portën” e Skërficës. Historiani romak Tit Livi, shkruan: “..ushtria romake e udhëhequr nga konsulli romak Tit Kuinkt Flamini, e ndihmuar edhe nga një bari vendas që dinte shtigjet, goditi nga pas shpine kampin maqedon në anë të lumit Aos (Vjosa e sotme).

Në shekuj Fushëbardha e Skërfica ishin dhe mbetën çelësi magjik në shtegun e parë të Labërisë. Në gjoksin e grykës së Skërficës u “gozhdua” kujtesa e luftës si ngjarje lapidare e madhore e fillimshekullit të XX. Misioni i thjeshtë, por i madh e i shenjtëruar: “ruajtja e tokës shqiptare”. Lufta zgjati nga 20 deri më 26 qershor 1914. Çeta e Fushëbardhës kishte edhe djem nga Zhulati, Golemi, Picari, Libohova, Gjirokastra, Delvina, Rrëzoma që në total shkonin mbi 120 luftëtarë. Komandoheshin nga Halil Sullo në shtegun e parë të Labërisë. Luanët flisnin me grykën e maliherit ndaj pesëqind andartësh. “Kali i Trojës”, nuk mundi të mposhtë “Patkoin strategjik” të Skërficës deri në largimin e gjithë banorëve drejt Vlorës. Fushëbardha e Skërfica të lidhura pazgjidhshmërisht nëpër shekuj. “Patkoin strategjik” të Skërficës e “zbuluan” për herë të parë dhe u ndeshën legjonet romake, Pirrua i Epirit tregoi muskujt në emër të forcës dhe krenarisë kaone, duke bërë që të lartësohej lavdia e forca e madhështisë ilire. Në Skërficë me marrëveshje me Papa Zhulin kaloi Boemundi, por u bë shteg i pakalueshëm për gjithë hasmët e të pabesët e Shqipërisë. 



Skërfica dhe Fushëbardha si binjake historike në mbretërinë e Zotave. 

Shkalla e Bregu i Erëzës bashkë me qafën e pesë priftëre janë mbushur me legjenda e mite që i pështjell Lëmëthi me mistere historike. Ato janë dëshmitare nga kaluan romakë, bizantinë, venecianë, osmanë, grekë etj. Vëndasit u ndeshën me perandoritë në Gjashtë, Lëkurës, Sarandë, Delvinë, Rrëzomë në të gjithë Kaoninë. Liria, dinjiteti, krenaria kanë shoqëruar në shekuj luftëtarët Fushëbardhas, zhulata.. në barikadën e shekujve. Ndaj u bënë barikadë për andartët e 1914-ës. Nuk harrohet “përqafimi” bajonetë më bajonetë e thikë më thikë më pushtuesit në Skërficë. Kaonia, Labëria, Fushëbardha ecin... në rrugën e prosperitetit. Dëshmorët e djeshmja dhe e sotmja bashkë. Rruga aty këtu ndriçon nga gurët e shndritshëm fosforikë, që Fushëbardha i ka me bollëk. Ngjan si bulevard pedonaleje e ndriçuar me drita të “mbira” nga dheu. Ato rezatojnë vetëm lartë. 

Dëshmorët e 14-ës, luftëtarët e tjerë në Skërficës nuk bënë pakt me dredhinë, sepse nuk u zihej besë të pabesëve. Dëshmorët u trupëzuan me kalanë natyrore të Skërficës, portën e parë të Labërisë. Ata ngelën në panteonin e kombit e memorien popullore të Kardhiqit, Rëzomës, Labërisë, mbarë kombit shqiptar. Fushëbardhën e kishte mbuluar një mbrëmje magjike ku tingujt e muzikës çanin muzgun. Hëna që sapo nxori synë mbi majin e Lucës si ta dinte që ishte festë nuk e linte fshatin të flinte. Fekste habitshëm mbi lapidarët e dëshmorëve, mbi sheshin e fshatit, shkollën, rrapin, çezmën e re, shtëpi më shtëpi dhe e kishte kthyer natën në ditë!.. Diku larg një lehje qeni, një këngë këndezi, një zile mushke, një blegërimë qingji... Çezma “thërmon” ujin me gurgullimë... Gjithçka flet. Yjet e hëna kuvendojnë gëzueshëm, vallëzojnë dorë më dorë shtegtojnë larg...Sami Frashëri shprehej: “Njerëzit i bëjnë të përjetshëm veprat”. Memoriali i 100 vjetorit të luftës, dëshmorëve të Skërficës dhe kontributit në luftë për liri e pavarësi flet shumë, thjeshtë e qartë. Nisma ka autorësi: “Shoqata “Fushëbardha”, Çuli, Trifoni, Nexhipi, Pajtimi, Banushi, Tiku, Teli, Flamuri...skulptori i talentuar Murat Këraj. 16 gushti 2014 po afron.. Këngë e monumente të reja sërish do ngrihen në Fushëbardhë, por memoriali i luftës, qëndresës e mbijetesës për betejën e Skërficës do tregojë gjatë shekullit XXI dhe në shekujt e tjerë.
___________
Huazuar nga sot.com.al

Fjalimi i Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve

Fan Noli, në veprimtarinë e tij politike dhe letrare veçohet për oratorinë e tij të pashoqe. Kulmin e oratorisë, Noli e arriti në fjalimin që mbajti në Lidhjen e Kombeve, në Asamblenë e Pestë të Lidhjes, më datë 10 shtator 1924.
 
 
Komentet e mediave botërore
 
“Fjala më e kthjellët dhe më e mençur” ( Mezzogiorno ); “Fjalë pa masë e zgjuar dhe e hollë” ( Gazette de Lausanne ); “Fjalë të drejta. Bombë e peshkopit shqiptar” ( Daily Telegraph ); “Peshkopi Kryeministër Fan Noli i Shqipërisë i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur u mbajti një nga fjalët që bëri bujë dhe pa dyshim një nga fjalët më piktoreske” ( New York Times )
 
 
Ja fjalimi i mbajtur nga Fan Noli
 
Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” Ç’kemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë nëpaqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëllmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë që Lidhja eKombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.
 
Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut. 
 
Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë? 
 
Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetësh? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbytenifort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri.
 
Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet.
 
Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të rracës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim.
 
Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, z. Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ar., për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeni prapë “Jo”. E dija.
 
Mirë, pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe se sa të bëjmë këtë. Them “më duket” – I guess – sepse dua që ju të gjithë të dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është i mbushur me O’ Connors, O’ Connells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër gjithë barrën e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqsuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen.
 
Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fortdëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë, punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, z. Kryetar, pse nuk i jepni fund këtyre llomotitjeve dhe pse nuk më jepni atë hua prej 500 milionësh fr.ar., që më premtuat para se ta merrja fjalën?
 
Dhe tani që iu përgjigja pyetjes së parë: “Ç’ka bërë Lidhja e Kombeve këta 5 vjetët e fundit?” , më lejoni të vij te pyetja e dytë dhe e fundit: “Ç’të bëjmë ne tani në këtë Asamble?” Përgjigja është shumë e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: “Fjalë, fjalë, fjalë” , dmth erë e asgjë më tepër. “Është një përrallë e dhënë prej një idioti plot me bujë e tërbim, pa kurrfarë kuptimi.
 
Cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit?
 
Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti, dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’i dërgojë një raport konferencës. 
 
Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli, nga ana e tij, do t’ia kalojë këtë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell. Dhe kur këto çështje të kenë bërë këtë cikël poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundëraportesh dhe mendimesh konsultative, atëherë do t’i dërgohen së fundi Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi.
 
Dhe kjo do të thotë, natyrisht, se e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë flluskat e sapunit. Por ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do të shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua “me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që helmojnë ajrin ku marr frymë.” Por ja, përse jua drejtova fjalën sot.
 
Dhe meqënëse po flasim për flluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me flluskën më kolosale që ka nxjerrë historia moderne, dua të them për planin Daues (Daëes). Por a është vërtet një flluskë? Jo, është një kombinacion flluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal.
 
Nuk është një flluskë ordinere, është një supërflluskë. Por është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha flluskat e vogla që ne lëshojmë këtu. 
 
Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpresidenti autorit të saj të shquar; por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda raparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vërtet t’i marrin. Nuk është aspak qëllimi im që t’i mërzis, por ky është fati. Kjo superflluskë e gjeneralit Daues do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes sëKombeve.
 
I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni, ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se z. Daues është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë , megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë përpjekjeve të kontrabandistëve.
 
 
Duke folur për flluska, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionësh, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashur Sekretar i Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një flluskë paqeje, një flluskë paqeje fort konsistente. 
 
Por jo, nuk është aspak një flluskë; ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike; por ia vlen të flitet për të? Z. Sekretar i Përgjithshëm, merreni dhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futeni në nekropolin tuaj.
Pasi iu përgjigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera. 
 
Para së gjithash në dritën e fakteve që u përmendën, a e vlen barra qiranë që të kemi një Lidhje të Kombeve? Së dyti, në rast se e vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqja universale?
Pyetjes së parë do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese. 
 
Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bën skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndroj aty si një ideal që interpreton aspiratat më fisnike të njerëzimit, ajo duhet të qëndroj aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. 
 
Ajo duhet të qëndroj aty si një pohim solemn i vullnetit universal për paqen, ajo duhet të qëndroj aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i saj, nevoja e domosdoshme e qenies së saj të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë të metat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë:
 
“Verweile doch, Du bist so schon!”
( “Oh, megjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”! )
Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e flluskave e superflluskave, që po na mbulojnë. Dhe pikërisht sepse popujt duan paqe, burrat e shtetit, politikanët u servirin atyre kohë pas kohe flluska arbitrazhi, flluska çarmatimi, flluska sigurimi dhe superflluska raparacionesh.
 
Por paqja nuk do të vijë prej traktateve; këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krim sa edhe vrasjet me pakicë. 
 
Duhet t’u mësojmë se ka vetëm një perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjithë tributë. Duhet t’u mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supershtetit që do të përmbledhë të gjitha tributë, të bëhen qytetar fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri. Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i paraprijë çarmatimit material, do të kemi gjithashtu bashkpunimin e vërtetë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes.
 
Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë se jemi të gjithë tribu të egra, derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë. Oh, vritini, varini, ndiqini, në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr!
 
Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lot të tjerë.
 
Përpara, o shokët e mi! Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përparimit të njerëzimit. Shpirti i Uillsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheq. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajën tuaj deri në pikën e fundit mundimet nuk do t’ju venë kot. (Duartrokitje të zjarrta nga publiku
 
August 19, 2014 - 18:32