 |
| Daut Maliqi |
Daut Asllan Maliqi lindi më 25 nëntor 1939 në Busavatë të Kamenicës (Kosovë).
Gjatë karrierës 28 vjeçare në gazetari, punoi në të përditshmen “Rilindja“ e "Bujku" (27 vjet), si dhe në radiostacione. Si pedagog, kontriboi në edukimin e arsimimin e brezave duke punuar ne tri shkolla fillore dhe një të mesme në Kamenicë.
Dauti shkruan kryesisht me poezi për të rritur e për fëmijë dhe jeton në Kamenicë të Kosovës
Ka botuar këta libra:
- “Rrjedhë lumi “
- ”Gjuhën ma patën prerë që në fëmijëri”
- “Nuk me doli ëndrra “
- “Përmendore e zemrës”
- “Toka ime “
- "Kullat e krenarise"
Poezi nga Daut Maliqi
NE DHE BOTA
Ne dhe bota
Sikur jemi ndarë,
Mbyllur si në kuvli,
Dot gjë pa parë.
Gjë pa shikuar
Kujtojmë, dimë shumë,
Edhe kur punojmë,
Sikur jemi në gjumë.
Nuk zgjohemi dot,
Edhe kur jemi zgjuar,
Sikur s`na bëhet vonë,
Gjithë jemi të harruar!
KOHËS
Kohës lakmoji të paarritshmen,
Ta pastrojë veten nga mëritë,
Lakminë e urrejtjen t`i dëbojë,
Te mbesë rrethuar nga dashuritë.
Të ndalë etjet e pakuptimta,
Njerëzorja të bëhet kudo lidere,
Mendjes e shpirtit t`i japë shumë dritë,
Dituria të ketë sa më shumë ndere.
BREDHJE NËPËR STINË
Bredhim nëpër stinë,
Pa itinerar,
Me aromë lulesh shoqëruar
Kudo pranverë në sy,
Verë në mendime,
Vjeshtë në etje,
Dimër kur na duhet fshehtësi.
Fluturojmë në lartësi,
Të kapim hënën me dorë,
Shpresën ta ngulim në tokë e qiell,
Dritën ta marrim nga yjet,
Dielli të na bëhet zemër
Me bukën, ajrin e ujin.
Kur shiu bie në horizonte,
Rrugë të mallit bëhen lumenj,
Fatin tonë biblik e lidhim nyjë,
Me koloritin e ngjyrave të ylberit,
Nisemi deri tek ëndrra,
Në shtizën e lajmërimeve varur,
Një flamur flet për ne.
NË TEH KOHE
Përditë na vrasin,
E vritemi përditë,
Duke gënjyer veten,
Verbuar mendjen, sytë!
Dhe të parë zgjedhim
Vetëm të nënshtruar,
Atdheun e shesim,
Darkë pse na kanë shtruar!
Si individë
Digjemi, përpëlitemi,
Si komb ushqejmë ndarjen,
Thjesht, zvarritemi!
Dhe na kanë vrarë,
Dhe ne vritemi përditë,
As i vjen keq njeriu,
Sa na ndihin perënditë!
Vetes s’i ndihmojmë sa duhet
Për të qëndruar vertikalisht,
Si gjethe biem nga trungu,
Pa pikë mëshire, sigurisht!
TI JE...!
Ti je dielli i vendlindjës time,
Ti je hënê që shdritê tokën e qiellin
Ti je lule trendafili,
Krenaria e gjithë njerëzimit.
Ti je bjeshka ime,
Ti je zanë e malit,
Ti je lum i atdheut,
Ti je nënê kreshnike,
Ti je lulekuqe e Kosovës.
Ti je votra ime,
Ti je shpirti i unitetit,
Je madhêshtia e mëmëdheut.
Ti je gjuha ime më e mira n’botë,
Je dritë rinore e shkollë jetësore,
Ti je Tokë Arberore,
Më njerëz e bukuri madhështore.
Ti je Shqiperia ime,
Ti je lule e njerëzimit,
Krenaria shqiptarizmit.
E ju lideret politikë
Në Kosovë e Shqiperi,
Keni kujdes mos ia njollosni,
Popullit tonë tê lashtë,
Dinitetin, besën, e krenarin!
Dine miré populli nuk ua falê!
“Mos pshtyni në dritë”...!
Në zemrën time,
Ka vend vetëm për
Dashuri njerëzore,
Për familje të shendoshë,
Dhe humanizem e sinqeritet!
Në mendjen time,
Mbreteron e verteta,
Lufta për dije, dinitet
E mendim pozitiv.
Si rrezet e diellit,
Që ngrohin tërë botën,
Si hëna që shdritë natën,
Jeta e njeriut të begatohet.
Ndër shekuj në robëri,
Ti e bukura çifteli,
Më tingujt madhështor,
E këngëve të rapsodve,
Mbajtet kujtimet e shpirtin e atdheut.
Koha ecë e nuk ndalet,
Dhe keni kujdes o njerêz:
“Mos pshtyni në zjarm,
Mos pshtyni në dritë”
Na ka lenë amanet,
I madhi poet Martin Camaj.
25 prill 2019
 |
| Qerim Raqi |
Qerim Raqi ka lindur më 22.mars 1965 në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliq). Ai ka studjuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin filologjik në Prishtinë. Në Universitetin e Halmstadit në Suedi, ka studjuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi, me orientim të ngushtë Letërsi komparative.
Punon mësimdhënës dhe jeton në Halmstad të Suedisë.
Veprat:
- ”Gjak në mallin tim”, SHB ”Era ” Prishtinë, 2010
- “The Orpheus’ Broken Lyre“, SHB “Marin Barleti”, Tiranë, 2011
- “Antologji e poezisë suedeze”, SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2019
Poezi nga Qerim Raqi
SONET SHEKSPIRIAN I FUNDSHEKULLIT
Gjaku do t´na mallkojë na përfshiu zezona
qielli do t´mërrolet nxihet në t`ziun mot
varret do t`qohen peshë thirravajeve tona
si fantazmë Hamleti o Zot
në konak të huaj do t´i bëjmë jetëvdekjet
gjuha do na lidhet nyje malli të na mbytë
tej Urës së Qabesë ashti do na mbetet
derisa vetveten ta hamë të na mbesë në fyt
i akullt këtu dielli buka shumë e kripur
ankthi s´na lë të qetë shpirti na kjason
kur emri t´ na tretet qenia t´na ketë ikur
ndërgjegje e vrarë dilemën tonë shalon:
në atdhe të vriteshim në betejë nga një i zi plumb
a këtu të vdesim nga malli të bëhemi shkrumb?
PRAP KOLLI I KEQ
në qiellin e hirtë, në pejsazhin gri
qentë pas shpinës kafshojnë emrin tonë
në lëkurën e athshme, në t´thyerën bri
prap një koll i keq me vjeshtën e vonë
gjaku pëlcet në revoltë zë e ngrihet
se një natë një shekull kishte fjetur
nga ashti pikon loti rrënja mpihet
në herbarium lulëkuqja e etur
një fetus me mjekërr pjellë në fund të verës
don të përbijë globin si një kokërr rrush
e korbi i zi flatron mbi prag të derës
gacë e m`buluar n`mes hirit me prush
diçka po na e zë frymën në rrënjë në farë
t`ía vëmë njëherë durimit litarin në fyt
t´mos na pëlcasë emri si kripa në zjarr
që vetvetës mos t`ia nxjerrim sytë.
(janar, 1992)
SIMFONIA E GJAKUT
kur valle e vdekjes
përfshin atdheun Prekazin
jasharajt
me breshëri plumbash
shkruajnë
alfabetin e qëndresës
vdekja bëhet lirikë gjaku
në çifteli këputen telat e durimit
njëri tel akordohet në dhembje
tjetri në krenari
gjaku ngrihet në këmbë
kacakqe jasharqe krisin krismat
isove partiturave atdheut
epika ikën nga librat fjalët
”shumë po ndrin ky diell e pak po nxen”
këndon Hamza
yjet zbresin poshtë
në kullën e jasharajve
këmbëkryq ulet epika vetë Shabani
legjenda nxjerr flakë nga goja
dhe hynë drejt në histori
dhjetë dymbëdhjetë njëzetedy yje bien
shkrumb sofrës së atdheut
pëllumbat e gjakut
në mur epika
merr sharkinë e Hamzës
gjysmëdjegur këputen telat e dhembjes
njëri tel i akorduar në krenari
tjetri në dhembje këputur
Ademi për një oktavë më lart
shtrëngon telat e qëndresës akordit të gjakut
në flakë kënga në flakë vdekja
ndërgjegjës sonë i japin shkollë
shkruajnë me plumba në flakë
alfabetin e qëndresës
dhe këndojnë
jasharajt
kur vdesin në këmbë
vdesin bukur
lindin kur vdesin
duke kënduar
simfoninë e gjakut
VITET PA TY
vitet, padiktueshëm
hanë vetveten, hyjnë
në vrimën e zezë
universi im tkurret
në një pikë
vetmie
thika të dhembjes
më hyjnë në asht
kthetrat e mungesës sate
gati sa nuk vdes
nga malli
pëlcas
NË SYTË E TU
në sytë e tu
kam lexuar më shumë
se në tërë letërsinë botërore
në shpirtin tënd
luftrat e të gjitha luftërave
i kam ndjerë
në heshtjen tënde
të gjitha heshtjet e botës
kanë rënë si perandorët
në fjalën tënde
të gjitha shpresat…
KLITHMË E HESHTUR DASHURIE
kur me syrin gështenjë më vështrove
unë në heshtje putha
dritën në sytë e tu
kur dorën ma shtrëngove
një forcë e pashpjegueshme
hyri trupin tim
me përaqafimin tënd
të gjitha pikëpyetjet e jetës sime
morën përgjigje
kur buza jote
preku buzën time
togje pulëbardhash më dilnin nga krahërori
kur mollët ...
ah , mollët kur i shtrydha
pjalm jete mbushej shpirti im
qumësht i bardhë yjesh
pema jonë në rrënjë i bënte frutat
kur bëmë dashuri
të gjitha qelizat u mblodhën në një pikë vlimi
për të shpërthyer pastaj në një klithmë të heshtur kënaqësie
DALLGË TË ÇMENDURA
në këtë ditë
të çmendur
etjeje
më pijnë kujtimet
pa ty
në këtë det
të çmendur
zemrash
lahem mungesës sate
në këto dallgë
të çmendura
malli
Sarandë, 13. 07.2017
SË SHPEJTI...
së shpejti të gjitha ditët e orët
do të bëjnë vetëvrasje
dhe fëmijët e tyre- minutat,
të stërlodhur nga maratona e gjatë e vrapimit,
do të arrijnë cakun:
të hedhin këmbët
mbi pragun e motit që po vjen
dikund
njerëzit do të ngrejnë dolli
me gotat e shampanjës
me urimet më të mira
për shëndet e gëzime
do të pikturojnë me fjalë të bukura
fytyrën e panjohur të një viti që mbase nuk i do,
që mbase nuk i falë
derisa mundohen ta fshijnë
tërë fytyrën e asaj që lanë pas
të një viti plotë ankth e shqetësime
derisa fjalët e këqija dhe mëkatet
e vitit paraprak
rëndojnë ndërgjegjen e tyre
gurë të rëndë në qafë
thika të mprehta
në fyt...
Halmstad, 31.12.2017
SIMFONIA
të rrahura të shpejtuara zemrash
me ritmin e ndjenjës së bardhë
ëmbëlsi rridhte damarëve të gjakut
lumi i puthjeve vërshonte
drejt Qetësisë
një urë shprese ndërtohej në ato çaste
pika zjarri pinin etjet malli puthte etshëm
në gjirin e detit tënd unë pija jetë
çdo gjë bashkohej
me tingujt blu
në allegro...
a ka poezi,
simfoni më të bukur
se ajo që krijohet
me ritëm zemre?
 |
| Muhamet Mjeku |
Muhamet Mjeku ka ardhur në jetë me 12 prill 1943, në Shipitullë të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin dhe Fakultetin Filozofik, në Prishtinë.
Fillimisht ka punuar si profesor në Shkollën Ekonomike në Prishtinë, pastaj në Shkollën e Mesme të Mjeksisë, ku jipte dy lëndë, shqip e latinisht. Dhe mëpastaj, në Gjimnazin “Ivo Llolla Ribar”, tash “Sami Frashëri”, aty ku më 1960/61 e kishte regjistruar klasën e parë. Aty Muhameti takoj edhe disa profesorë të kohës kur ishte nxënës, dhe nuk mund t’i besonte vetes se tash do të bëhesha kolegë me ta.
Ndërkohë atij iu shfaq dëshira qe të bëhej gazetar, sepse qysh si gjimnazist dhe më pas student në gazetën “Rilindja” kishte botuar disa shkrime dhe poezi në faqen e kulturës dhe në “Zanin e Rinisë”; ndërsa më herët në revistën “Pioneri”. Muhamet kishte besim në vete se mund ta kryente si duhet profesionin e gazetarit, që në atë kohe lakmohej nga shumëkush.
I bindur në këtë, në qershor të vitit 1971, pas një testi provues, filloi punë në të përditshmen “Rilindja”. Këtu punoj deri në maj të vitit 1974 prej nga kaloi në Televizionin e Prishtinës. Ndoshta për opinionin e sotëm është interesant se në rubrikën e kulturës të gazetës "Rilindja" në atë kohë punonte një elitë intelektualesh, si: Vehap Shita, Anton Pashku, Musa Ramadani, Gani Bobi, Mensur Raifi, Ibrahim Kadriu, Ali Podrimja, Jusuf Buxhovi, Dedë Mirdita, Nexhat Halimi, Sylë Osamani, Mensur Pozhegu dhe unë. Në Televizionin e Prishtinës ka punuar si gazetar, redaktor i lajmeve dhe udhëheqës i rubrikës së brendshme. Afro një vjet e gjysmë, derisa u adaptua ndërtesa e Televizionit të Prishtinës, ka përgatitur tri herë në javë ditarin (lajmet) nga studio e Televizionit në Beograd, prej nga emitoheshin lajmet në gjuhën shqipe.
Ka sajuar një numër të emisioneve dokumentare në Kosovë dhe jashtë saj. Ka realizuar disa dokumentarë nga një udhëtim atraktiv shumëditësh (45) në Afrikë, bashkë me gjiruesin e TVP- Urim Ukimerin. Po ashtu, ka realizuar edhe një deokumentar në Berlin në vitin 1975 me rastin e 30 vjetorit të ngadhnjimit mbi fashizmin.
Për shkak të “lëshimeve ideo-politike”, përballë konceptit të politikës së atëhershme serbe, është suspendur disa herë. Gjatë grevës së minatorëve të “Trepçës” është larguar nga procesi i punës për një vit bashkë me disa kolegë, dhe më pas është marrë gjashtë herë në biseda informative nga organet e sigurimit shtetëror të Federatës, Serbisë dhe Kosovës. Kur Sllobodan Millosheviq erdhi në Fushë-Kosovë në vitin 1989, për shkak të përgatitjes së një emisioni special kontestues që u emitua për tërë rrjetin jugosllav, u suspendua dhe iu ndalua hyrja për një kohë të caktuar në lokalet e televizionit, bashkë me kolegun Nuhi Bytyqi, me të cilin e kishin përcjellë ngjarjen. Shtypi serb dhe politika serbe këtë emision e anatemoi si diverzion kundër sistemit jugosllav, me theks të veçantë sulm mbi politikën e popullistit, Sllobodan Millosheviq.
Në Televizionin e Prishtinës ka punuar deri më 5 korrik 1990, kur ky institucion u okupua nga policia serbe dhe u nxorën dhunshëm të gjithë punëtorët shqiptarë, me përjashtim të ndonjë shqiptari të “ndershëm”, siç e shpiku këtë term asaj kohe politika në Beograd. Muhameti ka qenë redaktori i parë i ditarit të Televizionit të pavarur në Prishtinë, 1975 dhe redaktori i fundit i ditarit të orës 7:30 (lajmeve), 5 korrik 1990 kur policia serbe mbylli këtë institucion iformtivo-kulturor.
Pas mbylljes së televizionit botoi librin “Shaban Polluzha dhe Lufta e Drenicës”, që ishte libri i parë për një temë tabu. Ky libër u botua në 10.000 ekzemplarë. Më parë po në këtë temë kisha botuar një fejton në 13 vazhdime në revistën “ Zëri i Rinisë”. Libri është botuar dhe është shpërndarë fshehtas në Kosovë, Zvicër, Gjermani etj.
Pas botimit të këtij libri dhe mbylljes së Televizionit të Prishtinës, iu përgjigj thirrjes së veprimtarit dhe biznismenit të njohur, Harry Bajraktari për nxjerrjen e gazetës “Illyria” në New York, ku punoj si editor i parë i saj.
Përpos librave, ka botuar një seri artikujsh publicistik dhe disa fejtone me karakter politiko-historik. Njëherit, ka qenë pjesëmarrës në projektin “Kombi-rrugët e bashkimit kombëtar”, New York 1997. Ka në dorshkrim librin "Ditari i Luftës”.
Jeton në SHBA.
Disa nga librat e botuara
- "Lufta e Drenicës - Shaban Polluzha", Prishtinë 1991,
- "Vdekja në Bunker", Prishtinë 1996,
- "Pse sulmohet Drenica?", New York 1998
- "Kosova në dimrin e vitit 1945”, Prishtinë, 2003,
- "Shqiptarët 120 vjet pas Lidhjes së Prizerenit”, New York 1997,
- "Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës”, New York 2008,
- "Binak Alia dhe Brezat pas tij", New York 2016.
- "Familja Mjeku-rrugëtimi i saj historik", 2019.
Fragment nga libri "Shaban Polluzha"
Gjenocidi
Një skenë, motiv që vetëm një film artistik mund ta përthekojë, e që tregon se si u ruajt kujtesa e një populli të shtypur dhe të robëruar në mënyrën më klasike, është ai i 30 janarit 1945, në Tërstenik të Drenicës, shkruan Ismail Syla, duke u ndalë në një fragment të librit tim :" Shaban Polluzha dhe Lufta e Drenicës".
Pas tmerrit që u bë në Tërstenik nga kriminelët serbë e malazezë, në fshat mbretëronte psikozë se mos po ktheheshin prapë e po vrisnin edhe ata që kishin mbetur. Ngse ishin ekzekutuar të gjithë burrat në lagjen e Spahiajve dhe lagjet tjera si dhe nga frika që ishte futur në mesin e grave e fëmijëve, bashkohen nga tri-katër familje në një shtëpi.
Në fillim të shkurtit 1945 kur u intensifikuan luftimet në mes forcave të Shaban Polluzhës dhe të partizano-çetnikëve, në Tërstenik u përhap lajmi se do të vijë një brigadë tjetër dhe do të vriste të gjithë ata që që i kishin shpëtuar masakrës së 31 janarit, thotë Hava Spahiu. Frika nga një terror i sërishëm, i detyroi shumë familje të këtij fshati të lënë plangë e shtëpi dhe nëpër borë e të ftohtë të niseshin për në Obri, ku mendonin të gjenin strehim për të shpëtuar jetën. Të ngarkuar me plaçka në shpinë, të lodhur e të tronditur nga terrori që kishin përjetuar, arrijnë deri në gjysmë të rrugës, ku takojnë hallën Sofi, gruan e Ukë Spahiut, që kthehej nga Obria.
Ajo u thotë kthehuni se andej kah jeni nisur, ka plot ushtarë që po djegin shtëpi dhe po vrasin njerëz të pafajshëm.
Pas këtij rrëfimi te ne ra heshtje pikëlluese. Në atë çast nuk dinim çka të bënim, thotë Mehaz Mjeku, i cli si fëmijë u gjind tek dajët e tij në Tërstenik. Deshem të niseshim në një drejtim tjetër por rrugët ishin të bllokuara nga bora e madhe dhe, në drejtim tjetër, nuk kishim kurrfarë sigurie. Fëmijët qanin, këmbët dhe duart na ishin mpirë nga acari, i vetmi qen që kishte mbetur, filloi të ulurinte dhe në ato çaste u krijua një gjendje e rëndë psikoze në mesin tonë, kujton ngjarjen Mehazi. Në rrethana të tilla vendosem të ktheheshim në shtëpitë tona, pa marrë parasysh se çka mund të na ndodhte më pas.
Erdhi edhe ajo mbrëmje e frikshme, si shumë mbrëmje që pasuan në shkurtin e atij viti të tmerrshëm(1945). Llambat e vajgurit nuk guxonim t' i ndiznim, se frikësoheshim që ato mund të jenë shkaktare që prapë, në atë hapësirë të izoluar dhe tërësisht të pikëlluar, të vijë dikush dhe të bëjë masakër tjetër. Ne fëmijët binim të gjumë, ndërsa gratë më të moshuara rrinin gjatë tërë natës në dritare duke këqyrë se mos po kthehej ndonjë brigadë çetnikësh e po na priste në gjumë...
Nga ditari im në Amerikë dhe gjatë bombardimeve të NAOTO-s në Kosovë
Vetëm një ditë pas masakrës në Likoshan dhe Qirez, gazeta më e famshme në Amerikë "The New York Times" e datës 1 mars të vitit 1998, botoi një artikull të gjerë, ku fillonte në faqen e parë dhe përfundonte në të pestën. Në faqen e parë ishte botuar edhe një fotografi e tre ushtarëve të UÇK-së me maska që, sipas gazetës, vendnodhja e tyre ishte në pjesën perëndimore të Çiçavicës, mbi fshatin Qirez. Ata, për këtë gazetë prestigjioze, deklaronin se"luftonin për lirinë e Kosovës dhe kishin nevojë të madhe për armë". Njëri prej ushtarëve, gazetarit i kishte thënë se duart e tij të zbrzëta presin një pushkë. “ Sytë i kemi nga Perëndimi”, shkruante The Neë York Times, duke vënë theksin në Washington.
Këtë artikull, në mesin e shumë shqiptarëve, e kishte lexuar edhe Agron Alibali, një intelektual i zhvendosur nga Shqipëria në Boston, nëse s’gaboj në vitet e 90-ta. Meqenëse për një kohë kisha mbajtur lidhje me të për shkak të një punimi të tij, botuar në librin "Kombi", të cilin e kishim përgatitur për botim me shkrimtarin Naum Priftin, me bëri një telefonatë dhe çuditërisht i shqetësuar me tha: "A po e shihni çfarë kompromitimi pa na bëjnë ata njerëz me maska në Kosovë". I habitur nga ky gjykim i tij i ngutshëm, i thashë se s’kishte informacione të mjaftueshme, duke ia bërë me dije se ata po luftonin për lirinë e Kosovës, por ai sikurse nuk u besonte fjalëve të mia. Nga biseda u ndamë ftohtshëm...
 |
| Vaid Hyzoti |
Ikim, biri im!
1.
Duhet të nisemi sa më parë
Në një rrugë pa kthim.
S’ka vend për ty këtu, biri im!
S’ka rënë shi, por toka është e butë,
Ne na duket se është dhé i hedhur.
Themelitë nuk po na zënë,
Çdo çast mund t’ia behin rrufetë.
Biri im, jemi të përndjekur!
2.
Shkuan rend vitet si tespihe
Edhe ti, sa shpejt u rrite!
Shih babain: i kanë rënë flokët,
Si një gruaje me kancerin e gjirit!
Ti tmerrohesh të më shohësh dorën:
Thonjtë?
M’i morën, bir, për kullat e fildishit,
Të ngrenë kështjella disney të rreme,
Kështjella kartoni marramendëse
Që ne t’i thamë sa ishe i vogël.
Na fal, bir, për ëndrrat e kota,
Që të “gatoi” babi, mami, motra!
3.
Po prapë je i vogël, ndaj s’të duan këtu,
S’ka vend për ty, se ende ke prindër.
S’të veshin dot për Irak kapotën,
Prindërit aq keq e flasin anglishten.
S’je ende gati për kostum për të rritur.
Kostumet që priten në rrobaqepësitë ushtarake,
Je ende i mitur të të varin zinxhirin
Si medalion në kakinë kollare!
4.
Të morëm në gjyq – ti vetëm 5 vjeç!
Gjyqtaren zezake e sjell ndër mend?
Të pyeti për emrin, të pyeti për moshën.
Të vështirë e kish
Të shqiptonte emrin tënd.
Të pyeti në të pëlqente këtu.
Pse serioz i the një “No” të thatë?
Të trembi zezakja me ryben e zezë,
Apo prisje të kishte lodra në gjykatë?
Si e parandjeve
Vendimin e zi që do marrë?!
Të morëm në gjyq për të pagëzuar:
Atje për ne ishte kisha e parë.
Të morëm.
Kuptove që këtu s’të duan.
Më fal, biri im, ke baba të marrë!
5.
Si të bëjmë me dhomën tënde të gjumit,
Pse ngulmon ta marrim me vete.
T’ia falim ndonjë të gënjyeri si ne,
Të paguaj avokatët e gënjeshtrave
Të tmerrshme!
Ti prapë ngulmon për lodrat e shumta.
Sigurisht, dikujt tjetër t’ia lëmë përsëri!
Përndryshe dënimin do ta kemi të rëndë
Veç pse të gënjyem për të tillë fëmijëri!
Ne t’i blemë lodrat, bir, t’i blemë,
Amerika t’i mori. Por ti mos shaj,
Se të hidhen në grykë, të vrasin, të urrejnë.
Fali shqiptarët, bir, nuk kanë faj
Se janë si ne dikur, me ëndrra, me shpresë;
Pa ditur akoma – ah ëndërr e pabesë!
Fali prindërit që me lodrat vetëm të lanë,
Mos shto dhimbje për nënën dhe babanë!
Na duhej, bir, të punonim aq gjatë
Dhe ty të burgosur të linim në shtëpi!
Se mbete jetim me prindër të gjallë,
U rrite pa dhele, pa fëmijëri!
6.
Do të ikim, bir, se ku s’e dimë akoma.
E ç’të duhen lodrat, librat, dhoma,
Kur babin sapo të dalim përjashta
Një polic pa grada mundet t’i vërë pranga!
Mund të jetë kinez, italian, çifut, spanjoll,
Polak çubardhë, ose sykuq mongol,
Hundëpipë nga Xhamajka, a dreqi e di se ku,
Ka urdhër që të huajt mos t’i lërë këtu.
7.
Si thua, bir, a shkojmë nga erdhëm?
Ikim atje ku emrin ta dinë,
Të takosh gjyshen nga nëna,
Se edhe babi është përvëluar nga malli
Për prindërit e tij që jetojnë në varreza.
Se i dënova sa ishin të gjallë:
Të çova larg, përkëdhelje s’të dhanë.
E prapë ne do të kërkojmë falje
Derisa të kuptosh ç’do të thotë gjyshe,
Mami fshehtas do të fshehë lotin
Se do t’i duhet të punojë “përkthyese”.
S’pati kohë, bir, të rrinte me ty gjatë,
Punonim për taksa, avokatë.
Po kemi frikë se edhe atje do të trembesh,
Bombat e Gërdecit shpërthejnë çdo ditë.
Ndonëse s’do shohësh gjyqtare të zezë
Që të “pandehur” të marrë fëmijtë,
Se në vendin tonë të gjithë janë njësoj,
“Të pandehur” janë të rriturit dhe fëmijtë.
(Sa të rritesh, bir, të kuptosh nga qeveritë.)
8.
E di që malli mundet të të marrë
Për përrallat që babi i kthente në vjersha.
Për Edenin, mitin e rrallë,
Që fëmijërisë sate i gjeta...
Për Manhatanin që qiellin ka ombrellë,
Statujën e Lirisë me farin e ngritur.
Besomë mua: janë prej kartoni,
Tullumbace në qiellin e verës.
Ne t’i zgjodhëm (sa rëndë gabuam)
Të të mbushnin fëmijërinë e ëndrrës...
9.
S’pate fat për baba, more bir.
Nuk ke faj, fatin ta jep jeta.
Babin nuk e duan këtu,
Se ai flet dhe shkruan të vërteta.
Babi s’di të bindë me gënjeshtra
Dhe së zezës nuk i thotë e bardhë.
S’di pse emrin ende s’e ka ndërruar;
Mbetet i pagëzuar, mysliman!
Është shqiptar, nuk është sicilian,
Madje s’hyn anëtar i Kubesë.
S’është sheik, nuk është arabian
Që së paku të kish naftë të shesë!
Gjithsesi, ne duhet të ikim,
Jemi të huaj, pa emër këtu.
Për ty, biri im, ne harrrojmë vetveten,
Veç na trego udhën.
Të ikim,
Po ku?
 |
| Isak Ahmeti |
I
sak Ahmeti (1946), poet, përkthyes letrar nga gjuha gjermane dhe italiane, studiues i letërsisë, autor i shumë veprave zhanresh të ndryshme, i përfaqësuar në shumë publikime brenda dhe jashtë vendit dhe së fundmi edhe në FJALORIN ENCIKLOPEDIK të ASHA të Kosovës(2018).
Profesor shumëvjeçar në Gjimnazin e Vitisë, ish Kryetar i Komunës së Vitisë (1988-89),anëtar i LSHK, anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve me seli np Paris, laureat i shumë mirënjohjeve, çmimeve dhe diplomave, edhe i Çmimit prestigjioz dhe Diplomës "Ndre Mjeda" dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë(2013) me motivacion "Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkime shkencore rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës "(Kukël, 23 nëntor 2013).
Poezi nga Isak Ahmeti
DRITA E PËRJETËSUAR
Gjithçka ka
Qielli
Toka
më thonë
Duaje Krijuesin
Ai është Drita
dhe unë
Dritë dua
Dritën
e amshuar
DRITË E SË VËRTETES
Zot
Dritë e së Vërtetës
në emër të dashurisë
flake errësirën
Na ndihmo
ta njohim
dashurinë tënde
Shpërblyese
KOHA
Koha
Zot
Vepër e jote
për krijesat e tua
Kohën e bëre
bashkë
me Qiellin
dhe Tokën
KOHA FLET PËR TY
Koha
Zoti in
flet për Ty
Do të kalojmë nga kjo jetë
në një kohë tjetër
Ti i bashkon
Qiellin
dhe Tokën
Fjala jote
deri në fund të kohës
Je libër i gjallë
që lexohet
përjetësisht
I LUNTUR FALË TEJE
Ti me ke bërë
që të ekzistoj
Jetoj falë teje
Ishe para se unë të jetoja
Zoti im
Shpëtimtari im
nga Ti më vjen gjithë mirëqenia
Falë Teje
jam i lumtur
GJITHÇKA ME DASHURINË TËNDE
Përmes Hirit tënd
linda dhe u bëra
krijesa jote e dashur
Unë jam dhuratë e jotja
Zoti im
Gjithçka bëre me urtinë tënde
është dritë
që i prin secilit hap timit
Qofsh i lavdëruar
JE I PËRSOSUR
Zot
gjithçka bërë
me frymën tënde
është e përsosue
Burimi i dashurisë sate
nuk shtjerrë asbjëherë
Dituria ime
e lindur nga Ti
të përket Ty
në fillim e mbarim
TË PËRGJEROHEM ZOTI IM
Në heshtje
kridhem në lutje
e bashkohem me Hirin tënd
e Ti ngrohtësi me fal
dhe vetminë time e zhbën
ankthin tim
Lutja ma qetëson shpirtin
dhe dritë më sjell
të mos e ndal hapin
e shtegtimit
NË EMRIN TËND
Në emrin tënd
Zot
ne pagëzohemi
Në emër t'Atit
të Birit
dhe
të Shpirtit të Shenjtë
Ujëvarë
e dashurisë
dhe e shëlbimit
Zot
ti që
na dhuron jetën
qoftë e plotë lavdia jote
edhe në belbëzinet e mia
poetike
E TASHMJA E GJIHKOHËSHME
Zoti im
Ti je i gjithëkohshëm
që përmes Hirit tënd
gjithëkohësi
shpirtit tonë i dhuron
për të bërë të ngjashëm
me veten
Ti kohën e mat
vetëm me dashuri
dhe dashuri mbjell
NUK E DI
Nuk e di se ç'është koha
po e di se
këto fjalë poetike
prush të dashurisë
po i shqiptoj në kohë
në vazhdim të kohës
në ghakim të dritës sate
për ta zhbërë terrin tim
E KRIJOVE FJALËN
E krijove Fjalën
mrekulli e mrekullive
Thelbi i dashurisë
dritë e mendjes
Fjala
shkëlqim i përjetshëm
FJALA
Në fillim ishte Fjala
Fjala ishte tek Zoti
dhe Fjala ishte Zot
Gjithçka u bë nga Ai
nga Ai rodhi jeta
dritë e njerëzve
Fjala
Dritë në errësirë
___
Poezitë janë marrë nga libri i sapo botuar: "Dritë e përjetësuar", me parathënien nga Anton Nikë Berisha.