Mittwoch, 29. Mai 2019

Emin Z. Emini

Emin Z. Emini

Emin Z. Emini, (1970), studimet për regjisurë teatri dhe studimet postdiplomike për dramë i ka kryer në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ndërsa studimet doktorale i ka ndjekur në Qendrën për Studime Albanologjike (QSA) në Tiranë. Ka shkruar dramat “Një shi i butë”, “Ai&Ai”, “Gruaja pa emër”, disa skenare e dramatizime dhe ka inskenuar shfaqje nga dramaturgjia botërore dhe ajo kombëtare. Ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK). Gjatë mandatit të tij, TKK është antarësuar në Rrjetin Evropian të Teatrit (Europian Theatre Convention). Ka botuar disa punime shkencore dhe ka marrë pjesë në disa konferenca e festivale vendore e ndërkombëtare të teatrit, në cilësinë e panelistit, kritikut a të jurisë profesionale.
Ka botuar librat me poezi “Asaj ia kam vjedhur vargjet”, “Stinët e Moirës”. Është laureat i disa çmimeve për poezi dhe teatër.
Është profesor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës.


Poezi nga Emin Z. Emini


e sotmja

sot 
jam unë dhe hiri që jemi një
dhe bomba hidrogjenike e diellit kurdisur në paanësinë
dhe luzmimi i pranvertë i bletëve
dhe gjaku i kaltër lumëngrirë i pinguinëve perandorakë
dhe varri çelur me lule të egra në gjoksin tim 
dhe brenda tij ti
dhe pakuptimësia

dhe të gjallët dhe të vdekurit 
dhe të gjithë dhe gjithçka
në ditën sot ekziston

dhe je ti e vogla dhembjemadhja ime moirë 
dhe universi i vogël i të madhit zot
sot
prandaj jam



e nesërmja

më pati thënë
nesër
e nesërmja nuk erdhi
kurrë
nuk ekziston 
moirë

ajo dhe ti 
keni emrin pritje
kotpritje

shpresë e rrejshme te zoti
gënjeshtër perëndish
mallkim i përgjithmonshëm i kohëve 
shpikur nga sinapsat e çakorduara

stinë që as ka ardhur
as do të vijë ndonjëherë

është frikë 
guxim është

e nesërmja u përket atyre
që nuk kanë rrugë për në të sotmen
*
nuk vjen godoja nesër
qe dje 
sot ka mbetur urna
nuk e kujtoni harruat
në varr u kall e djeshmja

vetëm edhe sot merr frymë godoja
duajeni dhe vriteni 
vriteni dhe duajeni
mos e lini për herë tjetër
për kësmet 
nuk ka ditë nesër
nesërim
betohem në kokën time të krisur 
në pjeprin e çarë nën saçin e diellit
ëndërr kryeneqe është
*
nesër nuk është ndajfolje
është mëkat herezi
fjalë e pakuptimtë
që shkurt prerë ia kemi këmishën 
për t'ia miratuar kuptimin mashtrimit

fëmijë i palindur
paqenësi

paqenësisë 
dhënë i kemi 
eshtra gjak mish shpirt 
ekzistencë

në besim qorr jeton e nesermja
fal zbulimit madhështor të njerëzve me herdhe gjeniale
bërë kod e injektuar në palcë
në pemën e frymëmarrjes sonë prej injorantësh fatlum'

jashtë dimensionit të universit 
universit që nuk njeh kalendarë
e nesërmja jeton sot
*
sot
në ne




e djeshmja 

plakë që ka vdekur është
e djeshmja
plakë e posalindur
me thinja bebusheje rioshe
të gjata 24 orëshe

me thinja të bronzta 24 shekuj të moçme
thinja të krehura nga gishtat e moteve të 24 mijëvjeçarëve
thinja të 24 milionë a miliardë vjetdrite 
vite 
që askush nuk i mban mend

e megjithatë frymon frullon
diton
ne kuptimësinë e mosekzistencës së saj
në kujtesën ngrirë të thërmijave të paszjarrit
mbyllur 
brenda urnës sonë

krejt çfarë s'dihet 
përveç asgjësë që provohet nga të gjithë
është vdekja

ajo vjen gjithmonë
në ditën sot

qepë e qelbur a ftua erëmirë
rron e vdekur
në arkivolin e kujtimeve 

e djeshmja je ti
moirë




asnjërës sime

ka shumë moira sot
siç për shembull
eva e pamëkatshmja e mollës së mëkatit 
doruntina e nëntë varreve të konstantinëve 
zhan d'ark eskimezja anonime ana frank 
lukja e virgjër që shiste mishtë e saj strukur në lëkurën e huaj
monaliza që ua ka vjedhur me sytë vëngër
buzëqeshjen vejushave
elektra e pakompleks
lolita e mikut tim të çmendur pas bukurisë së fajshme 
që fëmijërinë ia maste me inch me foot me spermë
nënëshenjta bojëgjakja gonxhja
spikerja e parashikimit të motit në televionin kombëtar kamboxhian
gjyshja e kësulkuqes rilindur nga barku i ujkut
ajkuna ana artemida aida 
helena e trojes së rrënuar nga  shprishja e gërshetit të saj
aktorja e teatrit të rrugëve
desdemona dora d'istria diana
gruaja ime princesha kontesha dukesha mbretëresha e esha pafund
pijanece heroina perëndesha e shejtane
dhe për shembull edhe gra të tjera 
kukulla e kukudhe e kukuvajka
floçka e feçka e ferra

ka shumë moira sot

dhe je ti moirë
që je të gjitha bashkë
që nuk je asnjëra nga këto




ëndërr e përditshme

oktapod e kisha pushtuar
të voglin të dashurin të pafajshmin
të vetmin atdhe 
që ma lanë
Iphone 4s

kryeneç nëpër giruset e trurit të tij
sërfoja 
i vetmuar në mesin e gjithë njerëzve të globit

fluturoja me pendla të kaltra zogu 
çilja guacka në pafundin e detit
fluturave të fundbarkut trishtimin ua korrja
shpresën shprazja zbrazëtirave të kozmosit

kjo i bjen se piqja qiqra në hell

*
diku pashë të shkruhej 
kund tjetër dëgjova të flitej 
herë hapur herë tinëz 
për

1 të drejtën e gishtit të sutës së bombës atomike
2 misterin e përjetshëm të vezullimës verbuese të qimës më të gjatë të pubisit të marilyn monroe
3 fëmijën që flinte në asfalt pranë nënës së vizatuar me shkumës
4 proteinat çudibërëse të jargës sē kërmillit në luftën estetike kundër mplakjes
5 therjen humane të qengjit lazdrak të shën gjergjit
6 trajnimin e transgjinorëve
që t'i ofrojnë shërbimet me kriptovalutën bitcoin
7 gjyqin kundër shoshës së ozonit dhe dioksidit të karbonit për ngritjen e temperaturës së bythëve njerëzore

për shtatë e shtatë mijë e shtatë mrekullitë e botës përtejmoderne pra
të shekullit XXI 

ti
ishe në askund e në askohë

*
dikur
hapa kutinë e moçme 
në kapakun e saj picërronte sytë e ngrirë
buzëqeshja mëkatshëm e bukur 
gdhendur me kthetra
me mjaltë pelini lyer

dhëmbë është e vërteta
dhëmbë

paskëtaj
iu bëra erë flamurit të saj
e paturpësisht dënesa në heshtje 
e e qava

plagët e këmbëve të prera
ia mëkova me petale pranvere e melhem merimange

*
pip qe shpirti 
torzo mbeti

*
ike 

*
nuk të fajësoj
grackë të kishte vënë nata e zezë

e terrtë nëpër errësirë
ktheve shpinën
tinëz mëngjesit

*
gjinkallat e dimrit në kishë
thurën himnin e acarit 
në stinën e epikës
lirisë sate ia vranë diellin

pasi i shpërthyen me gjilpëra antibiotikësh stërkalat e dritës
qiellit tënd të murrmë
në natën e lirikës 
ia varën kryeveprën e tyre 
atë
artistikën 
skulpturën e diellit

ti kishe qafë
prandaj nuk ishe e gënjeshtërt
prandaj dhe
nuk të prisja të ktheheshe

tashmë ti
moti në atë mot të zi
ishe kthyer në personazhin e perëndimit të së dieles
me surrat saharaje

*
të hënën e ditës me hënë 
hapat e tu 
shkelen barin e yrtit tim

kambana e trinës së gjoksit
ra në numrin 044 201 707

ç'dreqin do 
kushdo qofsh 
në këtë pakohë

u përhëna

shembe gardhin
mes teje e meje

ti 
erdhe
e ekrantë
për të parën herë
as e bukur as e shëmtuar

nga sytë e gjelbër
shkarkove hejbet e mallit

shkilnim në gaca

në shuplakë kishe dhëmbët e bardhë
qelq të tejdukshëm

mollën e kuqe 
që sall një herë 
dikur 
mëkatshëm e kishe kafshuar
ta dhashë

ta fala

*
kanatat e qiellit u çelën 
avulli i hukamës sate 
ujëvarë derdhej në xhamin e dritares

alo oo ooo

*
s'qe kush tjetër
veçse ato të zakonshmet të përditshmet
ato
ëndrrat e mia kurvat e mia

*
i mbylla perdet e atdheut tim
bip bip bip

Samstag, 25. Mai 2019

Avni Azizi

Avni Azizi

Avni Azizi u lind më 06 shtator 1970 në Tërpezë të Vitisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Viti. Studioi Gjeografinë dhe Letërsinë në Universitetin e Prishtinës. Vrulli i tij krijues nisi që nga mosha e re. Alkimia e pasioneve dhe emocioneve të magjishme, e ushqyen nëpër vite dhe i shërbyen për të forcuar hulumtimin në zemër të fjalëve. Mesazhi i thellë, i pasionuar dhe realist përmes artit e inkurajon atë për të theksuar këtë punë të formësuar në ushtrimin shkrimor. Ai shkruan poezi, prozë, ese dhe publicistikë. Ka publikuar një vistër shkrimesh të zhanreve të ndryshme publicistike, letrare, studiuese e politike. Avniu më 1995 ka botuar përmbledhjen e parë poetike “Buzëqeshjet e Thyera” dhe më 2015 “Fonemat e Ribërjes” ndërsa më 2016 romanin “Kodërrahu” dhe librin eseistikë “Shpërputhje Kulturore” së shpejti pret të publikoj përmbledhjen e re të poezive “Fusha e Heshtjes”...


Poezi nga Avni Azizi


 ARTI E NATA

Pasmesnatë dhe asgjë e jashtëzakonshme
Dita ka nisë të rrokulliset në orën e saj të dytë
Kohë kur pastruesit me kamion mbledhin plehrat
Dhe në panteonin e zhurmës ku thyhet premtimi
Në qetësinë e natës sesi më zdirgjen para syve
Artikuj gjysmë të lexuar apo veç të nisur
Helm i shtypit të verdhë që vjen e bëhet i zi
Besëtytni stisje gënjeshtrash biçim analistësh...
Shpirtra që u dhimbsen edhe yjeve

Njerëzit shpesh ulen në errësirë dhe ëndërrojnë
Shkruajnë letra vuajnë sepse nata pos që frymëzon 
Ajo të merr nën ombrellën magjike nën botën e saj
Qetësisht të përhumb si errësira mbi një syprinë lumi
E cila nëpër natë si një piano e zezë vezullon...

(Edhe zezona miku im me kohën krijon vetëdije
Dhe në marrëdhëniet shpirtërore lidhet disi nyje)

Shpirtngushtësia vjen e bëhet më e padurueshme
Zhurma godet si një një i dehur portën e shtëpisë
Bëhet më e fortë se një metaforë
Ndonëse ajo mund të jetë shumë më e rëndësishme
Më e vlefshme se bukuria e venitur e shkërmoqur
Në varrezë makinash në gjethe të grisura hithrash
Ku si thika të ndryshkura ngrihen lart
Si tmerr gjarpërinjsh kur zvarriten nëpër art

Nganjëherë më vjen ta godas tastierën
Gjithë shkronjat e saj të shpërndahen dhomës
Ta rrokullis tavolinën dhe nga ekrani
Të rrjedhin gjithë këto mori fjalësh
Si fibra sintetike të varfërisë së skajshme
Refuzime dhe si pika acidi të përçarjeve

Por nata shtrihet e prajshme dhe plot butësi
Si një reflektim gëzimi dhe qetësi mendimi
Si fjalë të pashprehura dhe të pa shtrembëruara 
Të cilat çdo çast janë të gatshme të shkëputen
Nga degët e pemës si neurone të dhembjes
Pastaj si gjethe të fluturojnë shtigjeve
Fshehtësive të yjeve maleve dhe dashurive

Për t’u bërë gjithçka e bukur si një ëndërr 
Shpirti i lirë duhet t’i pushtojë shpatet e lartësive
Si një shqiponjë kur përshkon kreshtat e maleve
Bukuri e një shikimi në momentet e shpresës
Apo si fluturim në butësinë e ëndrrës

Sepse edhe një ëndërr ka një moment fluturimi
Dhe kur frikësohemi nga ato të bukura lartësi
Edhe ëndrra ikën në fluturim

E mira mbi të keqen mbahet mend përgjithmonë
Asnjëherë sinkroni akullnajash ngritur nga fyerja
Dhe aksioma proverbash të këqija...

(Terri është e veshja e njerëzve me fytyra të liga
Ngaqë njerëzit e ndritur janë aq të pjerrtë
Saqë ajo nuk ju rri mirë)

Le të përpiqemi ta bëjmë pak më të mirë këtë botë
Për shembull për dy njerëz
Të cilët përpiqen të ngrenë lart një dashuri
Tymi i bardhë porsi një lutje le të ngjitet qiellit
Natë e pasmesnatë mbi çdo paragjykim e thyerje
Në vend të egjrës hithrave të ketë dritë rrezatuese
Dhe kurrë fushave tona errësirë rraskapitëse



TË JESH I HUAJ

Kam menduar
Se njerëzit si ti nuk qajnë
S’dinë çfarë është trishtimi

Retë e mërzisë
Si trishtim i gaztë
Paskan mbuluar qiellin

Mbahu mik!
Se në prehrin e mjegullave
Edhe yjet digjen

Diku larg ne s’jemi të huaj
Ani se çdo ditë
Bëhemi më të vjetër

Në dhomë heshtja
Qëndron si një trëndafil
Në kopsht shpërtheu
Breshër 



MES LULEVE

Një degë ëndërronte për këngët e zogjve
Kur një erë e goditi dhe ajo ra e plagosur
Pranvera sikurse derdhi gjithë lotët e luleve
Duke i shkruar në trung epigram të bukur

Me sy të blertë krahëlehtë si një flutur
Këtu porsi një yll u shua ajo degë e pemës
Ky nishan në shtat le të na kujtojë përherë
Tingujt e gjelbërimit në gjethet e dhembjes



PEMA E JETËS

Dyshimet janë si vetëtimat
Fluturojnë nëpër thellësi
Si gjethe të thata

Dhembja është pyll i thellë
Që rrit shqetësimin
Si pagjumësia orët

Besimi është shpresë
Pa besim në kuptimin e jetës
Nuk ka kuptimin e besimit

Shpresa është dritë
Pa shpresë në kuptimin e jetës
Nuk ka dritë të shpresës

Drita është dashuri
Pa dritë në zjarrin e zemrës
Nuk ka lule dashurie



KITARA E PRANVERËS

Në pëlhurën e tingujve të pranverës
Muzika e blertë shfaqet e ndjeshme
Si kurorat e pemëve plotë melodi
Shkëlqyese si zemra e një lule pjeshke

Pranvera do na depërtoj në çdo skaj
Bukuri e gjelbër e çuditshme verbuese
Me gjerdan rrezatues në qafën e luleve
Me ringjalljen dhe festën e gjetheve

Meloditë lindin kur zemrat e kitarave
Si rrezja me tokën akordohen bindshëm
Luajnë dhe tingëllojnë me njëra-tjetrën
Si tela të lidhur përmes një kënete

Gishtat do na shkasin mbi telat e jetës
E telat sikur do kërcasin me zemërim
Përmes këngëve do na dehen shpirtrat
Si harmoni lulesh shfaqur në gjelbërim



KRAHËT E ERËS

U fshehën vitet
Si ëndrrat e mjegullta
Si psherëtima të paqarta
Ato u shkrinë në heshtje
Dhe gjithë lulet e bardha
Ato më të bukurat
Erërat e zemëruara
I morën me vete

U shtrydhën ditët
Si një shpirt i mpirë
Rrëshqitën nëpër muzgje
Sikur të ishin pëshpëritje
Dhe çastet e mira
Ato më të këndshmet
Stuhitë e mërzitura
Me fjongo të zeza i lidhën

U ngatërruan orët
Nëpër flokët e thinjura
Ujëvarat e ndarjeve
Rrodhën nëpër botë
Veç shpresat mbetën
Si imazhe të ndritura
Ultësira të buta
Dhe sy të erës pa lot



NË AEROPORT

Mërzinë nuk e fshihja dot
As mes bagazheve
As mes njerëzve
As shkallëve

Dhe kur avioni mori lartësinë
E toka rrëshqiste si një rreze
Papritur si një pemë në dimër
Mbeta pa gjethe



GODITJA E GARDIANIT 

Aty koha nuk matej me orë
Por të rrahurat në kokë na trokisnin
Në qeli errësira sikur krijonte
Figurën e orës në dritare

Aty çdo gjë ishte si një mashtrim
Madje edhe vetë qielli
Nuk e njihte shkëlqimin e yjeve
Vetëm mbijetesa si një besim
Ishte si ishull i shpresave me gjethe

Gjembat e zinj gërryenin shpirtin
Ngulitur deri në kocka si një çakall
Jeta pa shkëputje endej në mundim
Heshtja pas shpinës numëronte hapat

Edhe në fillesën e gjumit dhe ëndrrës
Dhe në fushën e qetë të mendimit
Gardianët si sëpata të mprehta
Si ushunjëza thithnin qetësinë

Aty gjithë rrugët ishin të shkurtra
I gjatë veç keqtrajtimi i shokëve
Dhe rruga e ndritur e idealeve
Kryqëzuar në altarin e moteve

Errësirës së shurdhër iknin vitet
Duke shkelur mbi supe rininë
Çdo çast demaskonin errësirën
Dhe çdo ditë sillnin më afër lirinë

Atë dimër në Pozharevac përfundova
Aty një gardian i përzgjedhur i CZ-së
Me gjuhë të trashë plot urrejtje
Çdo ditë projektonte e nxiste grindje

Dhe një ditë pasi më kishte përgjuar
Kur po këndoja Vajzën me Kaçurrela
Ai i shfaq pranë duke sharë e bërtitur
Mua sikur në dorë më mbeti bucela

Një mendim i pastër seç më erdhi
E dhimbshme të komunikoj me ty
Në sytë e mi nuk sjellë ndonjë të re
As fytyra jote e rreme që vret
As qeshja jote që është prej helmi

Ai më kërcënoi me grushte
Pastaj me armën që ishte fuqia e tij
Si palaço i dehur si armik i pamatur
Vetëm të vjellë poshtërsi...

Botën e ndjeva si një britmë
Që vinte si nga thellësia e detit
Si pranë vashës me kaçurrela
Ndjeva fluksin e forcës së grushtit tim
Dhe gardianin faqezi e godita

Gjaku rridhte në korridorin e pistë
Duke skuqur mbi një bar të thatë
Por rrezet e ngrohta po agonin
Mbi egërsinë e dimrin e acartë

Këta ishin djalëria e pafat e atdheut
Të cilët errësirës po i kërkonin brigjet
Për të zbritur në detin e hapur të lirisë
Ku vlimi i gjakut do të ndizej në breg

Në ag gjuaja me gurë murin e zi
E atje bien fjolla të buta mbi atdhe
Qielli lart më bëhet sikurse një puhi
E vitet si shokët me flokët gri..



BIRI IM

Ka njerëz që të hyjnë në zemër pa arsye
Arterieve - ata të bëhen fanarë pa kuptuar
Të japin shijen e ndjenjës ëmbëlsinë e lirisë
Dhe dimri të bëhet si një fletë e shkruar

Disa të marrin shpirtin dhe të përqafojnë...
Dhe  mprehin thikën në muzgun e shpellës
Me gjithë plagët mos u dorëzo se herët a vonë
Ata do mbeten si bajga në diellin e verës



SA HERË DUA

Sa herë dua të nisem për atdhe
S’di se si zgjohet diçka te mua
Si tinguj lahute

Se si nisin e pëshpëritin rrugët  
Sikurse era e buzëqeshur 
Duke parë fytyrën e diellit

Se si më kaplon një ngrohtësi
Sikurse nëpër pllaka betoni
Kur vapa theket
E misri në prush piqet

Dëshirat më bëhen si buqeta
Dhe shkojnë larg larg
Deri sa nisin jonet e para të mërzisë
Që duken si shkurre të krasitura

Si i munduri keq më vjen të qaj                                
Të qaj o të qaj deri në ngashërim
Por si me butësinë e nënës
Shtrëngueshëm më përqafon atdheu im



HAPAT

Hapat janë si ngjyrat si nuancat e tyre në shkëlqim
Në jetë ka hapa të matur por ka edhe të shpejtuar
Të mëdhenj apo të vegjël si ndonjë çast vështrimi
Ju duhet veç një, për ta kuptuar cakun apo gabimin

Të rëndë janë hapat sidomos ata që kthehen prapa
Të vegjël të plogësht veçmas ata kur jemi nxituar
Jepi kohë kohës e cila ikën si shkëlqimi i një rrufeje
Për të kuptuar largimin apo ata që vijnë drejt teje



NJERIU DHE PEMA

Ta shohësh mirë njeriun vërtet është si pema
Disa gjethojnë bëjnë hije dhe të kënaqin me aromë
Lidhin frutat rëndohen dhe piqen në kohën e duhur
Shijen dhe ëmbëlsinë shumë njerëz e breza u shijojnë

Të tjera edhe pse ndjekin diellin dhe ujitjen e shiut
Edhe pse krahëhapur në kopsht a në pyll ndjekin stinët
Nga ato porsi shija e një dardhe të egër në sinor
Mbetet veç kujtimi për hijen dhe çlodhjen e njeriut



PËRMBYTJA

Gjithë lotët e botës përplasen në dritaren time
Pranë meje me tendencë të mugët si shiu që bie
Lundrojnë si një univers shenjat nuancat dhe fjalët
Siç fluturojnë mbi mjegullën e një liqeni pulëbardhat

Lutem që shiu të lagë deri në palcë trungjet e pemëve
Mijëra net të mos ndaloj për të kthyer dritën e bardhë
Sa trishtueshëm kur rrezet zhduken hap pas hapi
Si një rrëshqitje e dhembshme nëpër plagë

Shiu si shiu duket se ka përmbytur krejt katin e parë
Dhe banakun ku dy pensionistët luanin shah dikur
Ndoshta edhe lumi nuk është më e pamje tjetër ka marr
Ka ikur me jehonën e melodisë së atij flautit të vjetër

Në këtë peizazh përherë do ketë duar që zgjaten
Sy pretendues të ujshëm dhe shikim të dëlirë
Kur çdo godinë duket e gatshme si një dorë e ngritur
Për të përshëndetur dhe për të thënë lamtumir



URA  E FJALËS

Dua atë momentin kur fillon ndërtimi
I urës së fjalëve që rrëshqasin
Si një pikë shiu në xhamin e një makine
Inkurajim për të udhëtuar ngadalë
Sikurse hapat duke numëruar 
Me pamjen transparente dhe afatgjate
Ndërkohë që dielli perëndon atje dhe këtu

Dua atë çastin e ndjenjës së furishme
Për të flakur ombrellën në shiun si litarë
Dhe uji të ketë mbushur këpucët e mia
Troku të mos dëgjohet të jetë krejt i mbytur
Të ngatërrohen lidhëset në fortësinë e thembrës
Si dikur ato të Franc Kafkës rrugëve të Pragës

Dua atë sekondën kur në ndjenjat e ankthit
Shpresa me vela të thyera gabimisht ka qëndruar 
Stuhi nëpër arterie në fytyrë çrregulluesi
Rrugëve me kalimtarë të panjohur që nxitojnë
Nga ata të cilët zjarrin e plagës askush nuk ta di
Kur ti kalon pranë mureve të betonta 
Flokëshprishur si dikur James Joyce nëpër Dublin

Dua atë pikën e shikimit të depërtueshëm
Kur sytë e pafajshëm e vështrues sikur të pyesin
Për gjitha pse-të e botës së shtrembëruar
Dhe tërë në atë trishtim sikur jep ëmbëlsi të mekur
Si lutja e Arthur Rimbaud në një morg Marseille
Para se ta lëshonte dorën e babait të vdekur

Dua rënien e saktësisë së stolisur 
Kur mbi një shkëmb bien petale si mendime
Që derdhen si helmi në kupën e dëshpërimit
Dhe dridhen malet nga grushti i rëndë i goditjes
Si dritë nëpër fluturim të errësirës 
Pranë nënkresës stilolapsi, ora dhe vaji i motrës
Dhe ikja e hershme e poetit Migjen 
Në sanatoriumin pranë Torinos

Dua urën e fjalëve kur nisë e ndërtohen harqet
Ku themeleve valohet diçka si qëndrueshmëria 
E dhembjet bëhen një valë e lehtë me butësi 
Ku shqetësimet e hirta vallëzojnë me yjet dhe hënën
E fjala është fjalë plot shend e verë
Dhe erërat e ndryshimeve fryjnë gjithashtu 
Ku ylberi shumë ngjyrësh përthekon brigje e dete
Ndërkohë që dielli lind përsëri atje dhe këtu



POEZIA

Poezia është shkop peshkimi
Paraqitje e shkurtër
E peshkut në lirinë e tij

Është nata e stolisur me hënë e yje
Perla e një gjerdani në qafën e një gremine

Shpirt i pakapshëm në një trup fjale
Kur vet zëri deklamon vargje

Poezia është pafajësia në objektiv të zemrës
Kur gjuha si një asket në heshtje mbërthehet

Pluhur prej ari është poezia
Era që përhapë enigmën

Poezia është kripa e dyshimit
Paradoks i tensionuar i mendimit

Është koha që nuk lejon të kaloj kohën
Fëmijëria e çdo momenti

Poezia zbret nga pema e Darvinit
Por nuk ka asnjë evolucion në antropologjinë e saj

Topografia e saj është në hartën e duarve
Si lumenjtë dhe përmbytja e një shpirti të tejmbushur

Poezia është loti që nuk mund të shprehet
Dilema e heshtjes që ngadalë vret...
___
Për "Ora shqiptare", Sabit Abdyli

Montag, 13. Mai 2019

Daut Maliqi

Daut Maliqi

Daut Asllan Maliqi lindi më 25 nëntor 1939 në Busavatë të Kamenicës (Kosovë). 
Gjatë karrierës 28 vjeçare në gazetari, punoi në të përditshmen “Rilindja“ e "Bujku" (27 vjet), si dhe në radiostacione. Si pedagog, kontriboi në edukimin e arsimimin e brezave duke punuar ne tri shkolla fillore dhe një të mesme në Kamenicë.
Dauti shkruan kryesisht me poezi për të rritur e për fëmijë dhe jeton në Kamenicë të Kosovës

Ka botuar këta libra:
  1. “Rrjedhë lumi “
  2. ”Gjuhën ma patën prerë që në fëmijëri”
  3. “Nuk me doli ëndrra “
  4. “Përmendore e zemrës”
  5. “Toka ime “
  6. "Kullat e krenarise" 


Poezi nga Daut Maliqi


NE DHE BOTA                              

Ne dhe bota
Sikur jemi ndarë,
Mbyllur si në kuvli,
Dot gjë pa parë.
Gjë pa shikuar
Kujtojmë, dimë shumë,
Edhe kur punojmë,
Sikur jemi në gjumë.
Nuk zgjohemi dot,
Edhe kur jemi zgjuar,
Sikur s`na bëhet vonë,
Gjithë jemi të harruar!



KOHËS

Kohës lakmoji të paarritshmen,
Ta pastrojë veten nga mëritë,
Lakminë e urrejtjen t`i dëbojë,
Te mbesë rrethuar nga dashuritë.
Të ndalë etjet e pakuptimta,
Njerëzorja të bëhet kudo lidere,
Mendjes e shpirtit t`i japë shumë dritë,
Dituria të ketë sa më shumë ndere.



BREDHJE NËPËR STINË

Bredhim nëpër stinë, 
Pa itinerar,
Me aromë lulesh shoqëruar
Kudo pranverë në sy,
Verë në mendime,
Vjeshtë në etje,
Dimër kur na duhet fshehtësi.

Fluturojmë në lartësi,
Të kapim hënën me dorë,
Shpresën ta ngulim në tokë e qiell,
Dritën ta marrim nga yjet, 
Dielli të na bëhet zemër
Me bukën, ajrin e ujin.

Kur shiu bie në horizonte,
Rrugë të mallit bëhen lumenj,
Fatin tonë biblik e lidhim nyjë,
Me koloritin e ngjyrave të ylberit,
Nisemi deri tek ëndrra,
Në shtizën e lajmërimeve varur,
Një flamur flet për ne.



NË TEH KOHE

Përditë na vrasin,
E vritemi përditë,
Duke gënjyer veten,
Verbuar mendjen, sytë!

Dhe të parë zgjedhim
Vetëm të nënshtruar,
Atdheun e shesim,
Darkë pse na kanë shtruar!

Si individë
Digjemi, përpëlitemi,
Si komb ushqejmë ndarjen,
Thjesht, zvarritemi!

Dhe na kanë vrarë,
Dhe ne vritemi përditë,
As i vjen keq njeriu,
Sa na ndihin perënditë!

Vetes s’i ndihmojmë sa duhet
Për të qëndruar vertikalisht,
Si gjethe biem nga trungu,
Pa pikë mëshire, sigurisht!



TI JE...!

Ti je dielli i vendlindjës time,
Ti je hënê që shdritê tokën e qiellin
Ti je lule trendafili,
Krenaria e gjithë njerëzimit.
Ti je bjeshka ime,
Ti je zanë e malit,
Ti je lum i atdheut,
Ti je nënê kreshnike,
Ti je lulekuqe e Kosovës.
Ti je votra ime,
Ti je shpirti i unitetit,
Je madhêshtia e mëmëdheut.
Ti je gjuha ime më e mira n’botë,
Je dritë rinore e shkollë jetësore,
Ti je Tokë Arberore,
Më njerëz e bukuri madhështore.
Ti je Shqiperia ime,
Ti je lule e njerëzimit,
Krenaria shqiptarizmit.
E ju lideret politikë
Në Kosovë e Shqiperi, 
Keni kujdes mos ia njollosni,
Popullit tonë tê lashtë,
Dinitetin, besën, e krenarin!
Dine miré populli nuk ua falê!



“Mos pshtyni në dritë”...!

Në zemrën time,
Ka vend vetëm për
Dashuri njerëzore,
Për familje të shendoshë,
Dhe humanizem e sinqeritet!
Në mendjen time,
Mbreteron e verteta,
Lufta për dije, dinitet
E mendim pozitiv.
Si rrezet e diellit,
Që ngrohin tërë botën,
Si hëna që shdritë natën,
Jeta e njeriut të begatohet.
Ndër shekuj në robëri,
Ti e bukura çifteli,
Më tingujt madhështor,
E këngëve të rapsodve,
Mbajtet kujtimet e shpirtin e atdheut.
Koha ecë e nuk ndalet,
Dhe keni kujdes o njerêz:
“Mos pshtyni në zjarm,
Mos pshtyni në dritë”
Na ka lenë amanet,
I madhi poet Martin Camaj.

25 prill 2019