Sonntag, 8. Dezember 2013
Albert Zholi - Nën ethet e dashurisë
Kishin kaluar disa muaj. Një periudhë e dhimbshme, e trishtueshme, kur çdo ditë mundohesha ta harroja. Vetja më dukej si një shkëmb i vetmuar në zonat detare më të pashkelura, ku të vetmet ndjesi gjallese ishin valët apo dallgët e detit në trupin shkëmbor që ka humbur interesin e ambientit përreth. Asgjë nuk më hynte në sy, asnjë vajzë nuk më bënte përshtypje. As gjokset e zbuluara, as këmbët si shampanjë të femrave provokuese… Më dukej se nuk do të dashuroja dot më. Po, kështu më dukej. Jeta më dukej krejt bosh, e zbrazët, pa nerv. Me Ponin kisha shijuar gjithçka që mund të provosh në një dashuri që të ka mbërthyer të tërin, që të ka sunduar në çdo qelizë: të puthurën, netët e zbardhura, prekjen ndezëse, pasionin e shfrenuar. Shtatmesatare, flokëzezë, e qeshur, e freskët, faqet e mefshta, me atë gropëzën provokuese kur lumturohej, të bënin të mos e largoje shikimin për asnjë çast. Qeshja e saj, e zbukuruar nga dhëmbë të gjatë simetrikë, ishte kthyer në pjesë të jetës sime. Kjo tërheqje kurmore më bënte që shkollën ta shikoja pa ndonjë interes, me shokët isha tepër indiferent dhe në shtëpi rrija si i hutuar. Isha munduar në të gjitha mënyrat ta harroja Shqipen (apo Ponin), por kujtimi i puthjeve të saj, i ledhatimit të flokëve, i shtrëngimit të trupit, i mbrëmjeve në errësirë, ndërsa yjet na ishin dëshmitarë, nuk mund të më shkëpusnin asnjë minutë nga ajo. Ajo më mësoi pasionin e trupit: të puthurën. Atë të puthur ku buzët puqen fort te njëra-tjetra, ku gjuha depërton te goja e së dashurës dhe kallet te ty, ku dhëmbët gërvishtin njëri-tjetrin dhe çjerrja është kënaqësi primare, kur shija e pështymës në urëkalimin e dy gojëve bëhet shpërthim i fjalës. Ajo më mësoi magjinë femërore. Po, më mësoi, sepse ajo e kishte kaluar dashurinë e parë, ndërsa unë jo. Dhe unë e pranova ashtu siç ishte, duke pasur më shumë eksperiencë se unë dhe duke marrë rolin e një mësueseje.
Sillja shpesh ndërmend pjesëza nga dashuria jonë. Kujtimet ma lehtësonin sadopak dhimbjen. E kisha pyetur për dashurinë e saj të parë si një fëmijë i zënë në faj. Nuk doja ta lëndoja për asnjë shkak. Ajo pyetje më lindi vetvetiu. Por edhe asaj nuk i bëri përshtypje dhe nuk e mori për ters. Filloi të më tregonte shpenguar. Aq shpenguar, sa unë kurrë nuk do të tregoja ndonjë dashuri timen në prani të saj. Kishte qenë një e diel maji. Dhe ja rrëfimi i saj:
- U njoha me të në vitin e dytë. Ai ishte në vitin e katërt. Ishte i pashëm dhe shumë i hedhur. Në fakultet krijonte situata dhe binte në sy. I kishte dalë nami si feminist dhe vajzat e adhuronin, por edhe i trembeshin. I trembeshin, sepse ai luante me dashuritë. U takuam në ditëlindjen e një shoqes sime, Evës. Ai ishte shok lagjeje me vëllanë e saj. Në festë erdhi i pashoqëruar dhe në fakt në atë ambient bëheshim tri femra dhe dy meshkuj “single”. Në kërcimet e para të gjithë ne shihnim njëri-tjetrin. Unë nuk e kisha marrë mundimin të çohesha për vallëzim. Nga mesi i mbrëmjes papritur ai u gjet para meje.
- Mund të kërcejmë ? – më pyeti gjithë delikatesë. Ngrita paksa kokën për ta dalluar më qartë. Sytë e tij shkëlqenin nën atë ndriçim neonesh. Shikimit tim zhbirues ai iu përgjigj me një buzëqeshje të ëmbël. Sa interesante m’u duk ajo buzëqeshje! U ngrita instinktivisht. As vetë nuk e di se si. Sa pa u ngritur mirë, ai më hodhi dorën e djathtë në bel, më kapi fuqishëm dorën e djathtë dhe nën tingujt e muzikës filloi të më rrotullonte. Kërcente në mënyrë perfekte. Unë mundohesha t’i përgjigjesha ritmit të tij. Fustani filloi të merrte valëzimin e dallgëve në mesditën vjeshtore, aq sa më dukej se ai do të më ngrihej mbi kokë. Brenda vetes ndieja se nga ai fluturim edhe mbathjet tashmë ishin bërë vitrinë e të ftuarve, por nuk po më bënte përshtypje asgjë. Të gjithë po ndiqnin furoret tona nëpër dhomë. Gjatë rrotullimeve, koka ime u mbështet instinktivisht te qafa e tij, ndërsa gjoksi im ishte puthitur me leshnajën e tij të dendur. Kishte një erë karakteristike mashkullore, atë erë që femrat e kërkojnë dhe e imagjinojnë shpesh kur bredhin lirshëm në vegimet e dashurisë. Pas minutash të tëra rrotullimesh, kur koka më vërdallosej dhe këmbët filluan të humbnin ekuilibrin, ai ndaloi rrotullimin dhe në rrëzë të veshit më pëshpëriti:
- T’u morën mendtë ë? Ia vlente të sakrifikoje për një vallëzim të tillë. Je e mrekullueshme!
Se ç’ndjeva brenda vetes. Buzëqesha. U gëzova pa masë nga ato fjalë. Nuk i kisha dëgjuar nga asnjë mashkull. Isha gati që, nëse ai merrte mundimin të më puthte, t’ia haja buzët me dhëmbë, në pamundësi të një puthjeje të bukur që atëherë nuk dija se si t’ia jepja. Buzëqeshjes sime ai iu përgjigj me buzëqeshje.
- Nga Tirana jeni? - pyeti me zë serioz.
- Jo, nga Vlora,- u gjegja me gjysmë zëri.
- Nga Vlora?! Ua, sa mirë! Kam dobësi për qytetin tuaj. Në Vlorë shkojmë familjarisht çdo verë për plazh. Vlora, siç ka detin, ka edhe femrat.
Unë buzëqesha sërishmi.
- Studente, apo e keni njeriun tuaj Evën?
- Jo, e kam shoqe kursi.
- Pse, edhe ju studioni për Ekonomi-Financë?
- Po,- u përgjigja duke buzëqeshur.
- Edhe unë për atë degë studioj. Jam në vit të katërt. Nuk më keni parë ndonjëherë në shkollë?
- Jo, nuk ju kam parë,- gënjeva unë.
Ai mblodhi supet dhe prishi buzët. E ndjeva që nuk i erdhi mirë. Kishte të drejtë, pasi në të vërtetë atë e njihnin të gjithë.
- Si ju quajnë? - më pyeti me ton inatçor.
- Shqiponja.
- S’të përshtatet ky emër me pamjen. Brune me sy bojë qielli! Dukesh kaq delikate, sa nuk ke asnjë përafrim më shqiponjën. Me siguri ta ka vënë babai emrin,- tha i sigurt.
Unë qesha me vendosmërinë e tij. I kishte rënë pikës. Labët duan ta nxjerrin në pah trimërinë.
- Po, babi këmbënguli për këtë emër. Jemi dy motra dhe ai ...
- Lëre mos e vazhdo. Pushka, kënga dhe flamuri - trio që nuk ju ndahet kurrë ju labëve.
Unë qesha me zë koke nga ajo batutë, sepse ishim bërë tërësisht objekt bisede për të tjerët.
- Mua më quajnë Bujar. Muzika mbaroi, ndërkohë që kavalieri psherëtiu dhimbshëm duke më shkëputur dorën nga beli.
- Sa shpejt mbaron kënaqësia. Do të vij të të marr prapë,- më tha duke u përulur paksa në shenjë respekti. U skuqa e tëra. Isha shumë e emocionuar. Më hyri në zemër menjëherë. M’u duk shumë tip. Ndihesha e lumturuar, edhe pse më sikletoste fakti që të gjithë shihnin nga unë. Pa e mbledhur ende veten, më afrohet Eva.
- Qenke shejtane e papame. Kërcen si balerinë. Nuk është e lehtë t’i tërheqësh vëmendjen Bujarit. Ai është aq indiferent ndaj femrave, sa të bën të pëlcasësh, sepse femrat i krijojnë vetë terren. I ngjiten si mjalti. Je bërë kryefjala e mbrëmjes,- më tha dhe më rrahu shpatullat. Unë i buzëqesha ende e turbulluar nga vallëzimi dhe fjalët e Bujarit. S’më kishte folur asnjë mashkull me aq ëmbëlsi dhe mistrecllëk njëherësh. Deri në atë moment më kishin propozuar dy-tre meshkuj, por fjalët e tyre më dukeshin standarde, pa lidhje, pa shpirt, pa emocion. Ndërsa fjalët e tij se ç’kishin brenda, dinakëri, finesë, që të bënin të mendoheshe. Në dy- tre vallëzime të tjera ai nuk kërceu, por më shikonte vetëm mua. Unë kërceva një herë me vëllanë e Evës dhe një herë tjetër me një të panjohur. Ata diçka më fjalosnin, por unë nuk e kisha mendjen. Nuk u ktheva asnjë përgjigje, por në çdo rrotullim shihja nga Bujari. Sytë tanë përplaseshin mbas çdo rrotullimi. Vëllai i Evës, pasi më pyeti disa herë për kush e di çfarë, duke parë se nuk mori përgjigje shfryu i inatosur dhe filloi t’i hidhte këmbët kot më kot. Nuk e la vallëzimin në mes vetëm e vetëm të mos më ofendonte. Gjatë këtij harku kohor, kur shikimet tona thuajse ishin kryqëzuar në mënyrë të pambarimtë, Bujari më shkeli dy-tri herë syrin e djathtë.
- Horri, - thashë me vete. Edhe më pëlqeu, edhe më erdhi inat për atë veprim prej rrugaçi. Më pëlqente se shprehte afinitet, dashuri, dëshirë për komunikim, por nga ana tjetër më vinte inat se isha e bindur që kështu vepronte me shumë femra. Ndoshta edhe në këtë ditëlindje, kur unë nuk e kisha mendjen, mund t’i shkelte syrin edhe ndonjë femre tjetër. Apo s’kishte nam të keq. Do të më pëlqente që ajo lloj shkeljeje syri të më përkiste vetëm mua. Kur ora shënoi kapërcimin e mesnatës dhe në dhomë u fikën dritat për të ndezur qirinjtë e tortës, ai befas u afrua dhe më puthi rrëmbimthi në faqen e djathtë, po ashtu rrëmbimthi u largua. Unë shtanga. Nuk mund ta mendoja të arrinte deri në atë pikë. Faqja filloi të më digjte. Vura dorën në të. E hoqa menjëherë pasi më dukej se do të më përcëllohej. Përsëri një dyzim i brendshëm. Nga njëra anë doja ta qëlloja me pëllëmbë, sepse mendoja se po më merrte për një vajzë mendjelehtë dhe qullace, nga ana tjetër ndieja një kënaqësi të paprovuar deri atëherë as në ëndërr. E ndoqa me sy siluetën e tij që prapakaloi rrethin e të ftuarve dhe ndaloi larg të gjithëve, në një cep të dhomës. Rrinte indiferent, si i vetmuar, sikur nuk kishte bërë asgjë dhe nuk njihte asnjeri në atë ambient. Ishte me të vërtetë një njeri i çuditshëm, interesant, krijonte situata. Kur ceremonia e fikjes së qirinjve të tortës mbaroi dhe u ndezën dritat, ai rrinte sërishmi aty, në cep të dhomës, duke parë rrethinën me indiferencë. Kur unë i hodha vështrimin sërishmi, më shkeli syrin dhe më puthi dorën në distancë. Çfarë t’i bëje atij njeriu? Ta shaje, ta qëlloje, ta pështyje, apo ta përqafoje? Ai të çarmatoste me veprimet e tij. Të çarmatoste deri në atë farë feje sa në fund ishe e detyruar ta përqafoje. Nënqesha me vete, duke tundur kokën. Kurrë s’e kisha menduar se brenda disa orëve do të njihja një njeri kaq interesant dhe do të bija kryekëput në dashuri me të. Po, kisha rënë në dashuri me të që në takimin e parë. Në këtë moment, nga magnetofoni u përhapën tingujt e një valsi. Ai nuk priti. Nga aty ku ishte, u sul si shigjetë në drejtimin tim. Më futi dorën në bel, dorën tjetër e shtrëngoi tek imja dhe filloi të kërcente. Të gjithë e duartrokitën atë gjest dhe u hapën në formë rrethore duke bërë tifozllëk. Si me komandë u ulën të gjithë në gjunjë, duke na shoqëruar me sy dhe trokitje ritmike duarsh sipas muzikës së valsit. Vetja më dukej si në ëndërr. Ai vallëzonte në mënyrë të përkryer. Unë nuk kam qenë asnjëherë keq në këtë drejtim, madje në shkollë të mesme mbahesha si më e mira për të kërcyer. Rreth 20 minuta ne ishim paria e asaj mbrëmjeje. Bujari herë pas here më afronte gojën te rrëza e veshit dhe më thoshte:
- Sa e mirë që je! Si s’të kam parë në fakultet! Duket që kam qenë qorr.
Unë nuk i flisja. Gjithë peshën e trupit e kisha lënë te dora e tij, duke e lakuar trupin mbrapa me një harkore rrotullimesh. Kur mbrëmja ishte drejt përfundimit, ai më tha:
- Poni, ti do të flesh këtu sot, apo do të ikësh në konvikt?
- Jo, do të rri këtu,- i thashë. Eva më ishte lutur që në shkollë.
- Sa keq! Sa do të doja të bëja diçka për ty sonte! Të paktën të të shoqëroja për një copë rrugë. Do të ishte kënaqësi. Po ja që ndonjëherë fati nuk të përkëdhel.
Psherëtiu.
- Atëherë unë po iki. Pse të rri kot. Unë mendoja se do të të çoja në konvikt. Ah, sikur kjo mbrëmje të ishte në shtëpinë time! - psherëtiu dhe u largua në drejtim të Evës. Duke takuar atë, iu drejtua të gjithëve:
- Kalofshi mirë dhe me mendje në kokë. Mos u turbulloni shumë dhe në gjumë pafshi ëndrra të bukura. Natën.
- Natën, - i kthyen të gjithë përgjigje duke qeshur. Unë shihja në drejtim të tij dhe nuk më besohej se do të ikte. Për një moment desh iu turra pas, t’i lutesha të më shoqëronte në konvikt. Atë natë nuk fjeta. Rrotullohesha në krevat kot më kot, ndërsa mendja ishte arratisur te Bujari. Në mend përcillja gjithë dialogun me të. Sidomos gjestet e tij, të
paperceptuara ndonjëherë në një formë të tillë tek unë nga ndonjë mashkull. Shkelja e syrit, vështrimet e tendosura, puthja e papritur, pëshpëritjet në vesh, kanë qenë dhe mbeten sulmet më të bukura mashkullore për t’i rrëmbyer zemrën një femre. Të nesërmen që në mëngjes, megjithëse ishte ditë e diel dhe njerëzit zakonisht koten në shtrat, Bujari priste poshtë shkallëve të pallatit të Evës. Unë detyrimisht u çova paska herët, pasi gjithë natën shtëpia ishte lënë në zallamahinë e mbrëmjes së kaluar. Pasi bëra disa punë sa për të vënë gjërat nëpër vende, i thashë Evës se do të nisesha për në konvikt. Sa zbrita shkallët u përballa me Bujarin. Shtanga. Nuk e prisja një gjë të tillë. Ai më buzëqeshi dhe më zgjati dorën. Unë zgjata dorën time instinktivisht. Ai ma mblodhi në dorën e tij leshtore dhe u ul paksa në gjunjë, duke më puthur me delikatesë mbi gishtërinj. Qesha. Atij njeriu nuk kishe çfarë t’i thoshe. S’mund t’i mbaje inat. Të befasonte.
- Poni, mbrëmë nuk kam fjetur. Kam menduar vetëm për ty. Më beson? Jo! E di. Ndoshta të kanë folur keq për mua. Po ti ke fjetur?
- Po,- e gënjeva sërish duke u skuqur në faqe. - Pse të mos flija?
- Pse? Ndoshta nuk e kupton ç’do të thotë dashuri. Ndoshta je indiferente ndaj një propozimi serioz të një mashkulli po kaq serioz. Ndoshta nuk të bën përshtypje një e puthur vjedhurazi. Apo mos je e zënë?
- Si e zënë? - bëra të paditurën.
- Hëm! Mos u hiq kaq e pafajshme. Nejse. Mos ke ndonjë të dashur dhe të prish punë?
- Jo, nuk kam. Nuk kam kohë për dashuri. Kam gjëra më interesante për të bërë.
- A e di ti Poni se kur je e dashuruar punët të ecin më mbarë? Jo për gjë, por i bën më me qejf. P.sh, je e mërzitur, ke marrë një notë jo të mirë, je grindur me një shoqe dhe në këtë kohë vjen dhe të kërkon për kafe i dashuri, më fal, le të themi shoku më mirë. Uleni të dy në kafe dhe ai të thotë: Mos e çaj kokën, jeta kështu e ka. Lexo më shumë për provimin tjetër ose bëj edhe ndonjë kopje se nuk të gjen gjë. Ose për shoqet të mbush mendjen se ato flasin prapa krahëve nga zilia, xhelozia, moskuptimi, diferenca e kulturës, etj... Tak-fak të ikën mërzia. Këtë ta bën shoqëria, sepse ti nuk pranon të themi dashuria. Qartë. Eh, sa gjëra të bukura nuk duam t’i përvetësojmë ose t’i kuptojmë! Jemi racë e keqe ne njerëzit.
Unë e shikoja në sy dhe heshtja. Të bllokonte çdo mendim. Ai të bombardonte me fjalë.
- Si thua, ulemi dhe pimë një kafe?
Isha në mëdyshje.
- Jo, sot kam shumë punë. E lëmë për herë tjetër, sepse dua të shkoj në dhomë të lahem, të ndërrohem, të bëj ca punë…
- E kuptoj. Ti kur lahesh bëhesh më e bukur, por besoj kur je në dush je edhe më e bukur. Kur të bie uji nga lart. Bie mbi flokë pastaj në fytyrë. Ti vendos duart mbi fytyrë që të mos djegin sytë nga shkuma që zbret nga flokët e zinj dhe heq ujin. Pastaj uji kalon në qafë. Oh, sa e bukur është qafa jote e gjatë nën vërshimin e ujit! Pastaj në gjoks. Eh, uji është më i gjithëpushtetshmi mbi femrat. Vetëm uji do të ikë nga kjo botë i ngopur nga femrat. Nëse do të ndërrohesha me diçka, vetëm me ujë të ëmbël do të ndërrohesha. Pse jo me ujë deti, do të thuash ti, edhe aty futen dhe lahen të gjitha femrat. Por ka një ndryshim të madh, e dashur (kur më tha e dashur zemra desh më doli nga kraharori), në det ka shumë zhurmë. Ka edhe shumë meshkuj. Ka edhe fëmijë, edhe pleq dhe nuk mund ta shijosh lakuriqësinë e një femre (Zot, çfarë nuk nxirrte nga goja! Të torturonte, të gozhdonte). Uji i ëmbël i dushit të krijon intimitet, atmosferë joshëse, qetësi, vetmi, dëshirë për…nuk e them. Je dakord?
- Jo, nuk jam,- ia ktheva vrikthi. Ai u step.
- Përse e dash… Më fal se ti nuk do fjalë ledhatuese. Përse Poni? Çfarë nuk shkon nga këto që thashë unë?
- Sepse kjo tregon se ti je i etur për lidhje të shumta. Kërkon të shijosh shumë femra. Të jesh ujë pa përmasa, sepse pa përmasa i do edhe femrat. I do kudo dhe kurdoherë, do të hysh në dushe ku rrjedh ujë. Mos vallë edhe unë jam një dush dhe ti uji i çdo dushi që lan qindra femra në ditë? Sa ikën nga unë, dëshiron të provosh të shkosh në një dush tjetër e tjetër…? Në sa dushe lahen femrat, aq do të kalosh në ditë o ujë i kristaltë?
Ai heshti. Më shikonte në sy dhe nuk po më përgjigjej. Nuk e priste reagimin tim. U hutua. Kurrë nuk e prisja që të hutohej ai njeri, që situatën e brumoste gjithnjë në favor të tij.
- Nuk më kuptove.
- Të kuptova shumë mirë.
- Jo, aspak. Unë, kur thashë të jem ujë, dua të jem për atë femër që dua. Sepse vetëm uji shijon çdo pjesë të trupit pa frikë dhe turp.
- Por the edhe atë që uji do të ikë i ngopur nga kjo botë. Ti, siç duket, kërkon sasi dhe jo dashuri në jetë, apo jo?
- Këto i thashë sa për muhabet mi gocë. Pa pakëz humor, muhabeti bëhet funebër. Aq më tepër që ti je një vajzë më serioze se ç’duhet.
- Ku e di ti që jam serioze?
- Pse bar ha unë? Nuk kam unë aq eksperiencë dhe haber për të dalluar femrat? Po ja, le të analizojmë se kush je. Nuk pi duhan, nuk pi alkool, nuk mban minifunde, nuk ke pasur asnjë të dashur, nuk del natën jashtë, skuqesh për ndonjë zhargon, nuk flet vetë me zhargone, nuk ke shkuar asnjëherë në disko, nuk lyhesh së tepërmi... Do më? Kam edhe ca gjëra të tjera, por do t’i mbaj për vete. Poni...
- Bujar, tani do të ndahemi. Takohemi herë tjetër të pimë një kafe,- i thashë dhe i zgjata dorën.
Ai ma zgjati dorën i mërzitur, pa atë entuziazmin e mëngjesit. Ma mbajti dorën disa sekonda në dorën e tij duke më parë në sy. Me atë vështrim dukej sikur më thoshte:
- Me vërtetë do të ikësh? Nuk të vjen keq të më lësh vetëm?
Sapo më lëshoi dorën, unë u largova duke e përshëndetur.
- Mirupafshim, - më tha ai ftohtë dhe me gjysmë zëri. Pas asaj dite ai më priste çdo pasdite kur mbaronte mësimi te dera e jashtme e fakultetit. Ramë shumë në sy. Dy vajza të fakultetit filluan të më shihnin shtrembër dhe të më flisnin nën zë. Siç duket, ishin të dashurat e Bujarit. Kështu kaluan dy muaj. Unë vetëm sa e takoja te hyrja e fakultetit dhe ai më shoqëronte deri në konvikt. Një të shtunë dhjetori, kur Tirana gjëmonte nga bubullimat dhe rrjedhat e shiut, ai erdhi që në mëngjes në konvikt. Kishte marrë hua makinën e një shoku. Kur zbrita, ai më tha:
- Poni, kam nevojë për ndihmën tënde. Kam shumë për të shkruar sot se po punoj me një pjesë të temës që kam për mbrojtje diplome. Hajde në shtëpi të më ndihmosh pak me kompjuterin. Unë do të punoj te portativi i një shoku, ndërsa ti tek ai i shtëpisë. Mos ki merak, i thashë edhe nënës që do të punoj me një shoqe. Po të kërkoj ndihmë. Kam mbetur shumë mbrapa.
Për një moment u stepa. Nuk dija çfarë t’i thosha. Hera e parë që fytyra e tij shprehte sinqeritet dhe dashamirësi fëminore.
- Ja, sa të vishem dhe erdha, - i thashë duke vrapuar nëpër shkallë. Pas disa minutash u ktheva. Shiu jashtë binte me gjyma sa nuk mund të shikoje as dy metra larg.
- Më mirë, - thashë me vete,- nuk na pa asnjë nga shoqet. Deri te dera e makinës u struka nën çadrën e tij duke e kapur për krahu.
Kur u futëm brenda, nën gjëmimin e shiut në llamarinën e benzit, ai më tha:
- Kot s’ikëm më këmbë. Me atë ëmbëlsi që më fute dhe më mbajte krahun, jo shi, borë dhe breshër, por edhe tërmet, vullkan dhe tajfun nuk do të kisha ndierë. O Zot, sa moment të bukur që kalova! Të lutem, mund ta lëmë makinën këtu dhe të ikim më këmbë ashtu si përshkuam distancën deri në makinë? - tha me një ton serioz dhe ndaloi makinën.
- Zbresim, - më tha duke e fikur atë dhe hapi derën.
E kishte me gjithë mend. Nga ai çdo gjë mund të prisje.
- Jo, jo. Nuk kam qejf të lagem në shi.
- Eh, nuk kemi shije të njëjta. Për dashurinë çfarë nuk do të jepja. Unë edhe në Himalaja do të ngjitesha. Bukuria e dashurisë është te sakrifica dhe vështirësia. Filloi të ngiste makinën me shpejtësi marramendëse. U gjendëm sakaq në shtëpi. Aty nuk gjetëm askënd. Ishte një shtëpi me shije, një sallon i lyer me hidromat ngjyrë kremi. Aty ishte instaluar dhe kompjuteri. Pa parë ende me vëmendje përreth, Bujari më tha:
- Ulu. Ja ku e ke kompjuterin dhe shënimet e mia mbi tavolinë i ke. Vetë u sul në kuzhinë. Pas pak më vuri përpara një gotë me lëng frutash.
- Gëzuar! - më tha duke e trokitur gotën me timen.
-Gëzuar! - i thashë duke i buzëqeshur. Fillova të punoja, por me mendjen se nga çasti në çast duhej të vinte ndonjë nga pjesëtarët e familjes. Kaluan disa minuta dhe e pyeta Bujarin:
- Ku janë të shtëpisë? Këtu nuk ka zhurmë fare.
- Pse, nuk ndihesh rehat? - pyeti ai duke m’u afruar. Kaloi nga mbrapa dhe mbështeti bërrylat te karrigia ime. Buzët e tij ishin afër ndijimit tim. Dëgjoja frymëmarrjen e tij dhe më dukej se diçka do të ndodhte. Nuk kisha rehat. Frymëmarrja e tij shprehte epsh. Ndieja frikë. Nuk kisha ndierë kurrë kaq afër një mashkull. Nuk kisha puthur askënd, pa le më të bëja seks. Papritur ai më kapi llapën e veshit me dhëmbë. Trupi m’u rrëqeth. U skuta brenda vetes. Mendja nisi të më vërdallisej vendçe. Lëngu i frutave sikur më dha një përgjumje. Bujari filloi të më puthte me afsh në buzë, gushë, veshë, sy. Gjuhën ma futi si tyrielë në vrimën e veshit. U dalldisa. Nuk e kisha shkuar nëpër mend, jo më ta provoja një gjë të tillë. Fuqitë m’u prenë. E lëshova krejt veten nën pushtetin e duarve të tij. Hunda dhe goja e tij depërtuan nëpër gjoksin tim. Kënaqësia dhe frika ekuilibronin njëra-tjetrën. Nuk kisha pikë fuqie të bëja kundërshtimin më të vogël.
- Të bëhet ç’të bëhet, - thashë me vete. Pas pak minutash isha lakuriq. Nuk reagoja fare dhe vetja më dukej si një vdekatare nën pushtetin e perëndisë. Lëngu i frutave tashmë po më jepte një shije të athët në gojë. Diçka duhej të kishte brenda atij lëngu. Bujari më mori në krahë dhe më derdhi lehtësisht në krevatin dopio. U sul drejt meje si skifter. Pastaj…pastaj… dhembje... dhembje... U rrotullova sa majtas-djathtas, bëra ca tentativa për kundërshtim. Ndjeva se kofshët m’u lagështuan. Nuk e di se çfarë më ndodhi. Kur Bujari u ngrit, pashë se ishin njolla gjaku. Kisha humbur virgjërinë. Pa dashur ca pika loti më ranë nga sytë në faqet e bëra prush. Shkova në banjë dhe u pastrova. Pastaj u shtriva në krevat dhe fillova të meditoja. Bujari u afrua dhe rrinte te koka ime, duke më ledhatuar flokët. Por unë nuk e ndieja fare praninë e tij. Më dukej tepër i largët. Pastaj më zuri gjumi. Nuk e di se sa fjeta. Kur u ngrita, i thashë Bujarit të më çonte në konvikt. Ai nuk hezitoi. Fliste tërë entuziazëm gjatë rrugës, por unë nuk e dëgjoja. Zëri i tij dukej se ndijonte nga humnera. Dhe ai po çuditej me reagimin tim. Heshtje, vetëm heshtje dhe ndonjë pikë loti. Nuk e di se si mbërrita në dhomë. Edhe kur zbrita nga makina, Bujarin nuk e përshëndeta. U shtriva drejt e në krevat pa u folur shoqeve. Fjeta plot 24 orë. Kur u ngrita, më dukej se më mungonte diçka nga vetja. Kisha humbur gjallërinë, freskinë, dëshirën për komunikim. Nuk doja të më afrohej askush. Thirrjeve të Bujarit, kërkesave të tij për të dalë, nuk u ktheja fare përgjigje. Interesimi i tij sa vinte dhe shtohej për mua. Ndoshta indiferenca ime e kishte çorientuar. Sjellja e tij ra në sy, aq sa nxori në pah edhe xhelozitë e dy vajzave të tjera ndaj meje. Ishin të dashurat e tij. Dalëngadalë fillova ta rimerrja veten. U ambientova me zhvirgjërimin dhe me mënyrën se si ma punoi. Mbas asaj lufte të gjatë me vetveten, ndoshta i dhashë të drejtë dhe nisa ta shihja si një akt dashurie. Filluam të dilnim, të shkonim në kinema, të frekuentonim ndonjë lokal.
Kështu vazhduam disa muaj. Gjithsesi, ishim nën vëzhgimin e dy të dashurave të tij, që mua nuk linin rast pa më provokuar. Një shoqe më tha që njërën prej tyre Bujari e takonte ende fshehurazi meje. Nuk mund ta besoja, duke pasur parasysh ato që më thoshte Bujari kur ishim bashkë: “Të dua, s’kam dashur asnjë femër sa ty. Ti je dashuria ime e vërtetë. Ti më qetëson, prandaj të kam si shpirt. O Zot, çfarë fati kam pasur!”. Këto ia tregova Evës, ndërsa ajo nuk e besonte që Bujari mund t’i shqiptonte këto fjalë. Por ato fjalët e shoqes sime, që më tregoi se ai shkonte me një tjetër konviktore nga “Filoqyli” kur nuk vinte tek unë, më ndezën një xhelozi të jashtëzakonshme. Ky fakt më linte pa gjumë. Një ditë i thashë Bujarit se do të ikja në shtëpi se kisha një hall. Ai më përcolli deri te stacioni i autobusit. Në fakt shkova deri në Durrës dhe u ktheva. Në orën kur mbaronte mësimi po vëzhgoja para “Filoqylit”, në anën tjetër të rrugës, duke hetuar gjithçka pa më parë njeri. Zemra më rrihte fort. Sa filluan lëvizjet e para të studentëve, pashë në oborr Bujarin. Vura dorën e djathtë para syve. Nuk doja ta shikoja më vazhdimin e filmit. Por patjetër duhet të faktoja çka dyshoja. Ai filloi të vinte vërdallë oborrit. Kur ja, pranë tij u afrua një bionde shtatlartë duke u tundur si një anije nën ndikimin e dallgëve në një det të trazuar vjeshte. Përplasën duart qepallçe, përplasën kokat si demat në shenjë përqafimi dhe u nisën. Nuk durova më. Vrapova duke i ndjekur pas. Sa morën rrugën për te stadiumi “Qemal Stafa”, ata u mbështetën te muri i pallatit dhe filluan të putheshin. Unë qëndrova 2-3 metra larg tyre dhe shikoja. Dëgjoja tërë neveri të thithurat dhe pllaq-plluqet e buzëve. Për një moment më lindi një ndjenjë sadizmi brenda vetes. Të merrja një copë gur dhe t’ia përplasja në kokë Bujarit. Por shpejt e mblodha veten. Binte ndesh me natyrën time një veprim i tillë. Çuditërisht e zotërova veten. Kur u ngopën së puthuri, ata u shqitën nga krahët e njëri-tjetrit dhe u kthyen me fytyrë nga unë për të vazhduar rrugën. Sa ngritën kokat shtangën. Bujari u pre në fytyrë dhe filloi të belbëzojë diçka. Unë nënqesha, tunda kokën dhe u largova me vrap, duke i lënë ata në habinë e tyre. Pas pak dëgjova zërin e tij të më fliste:
- Poni, Poni!
Sa i largët më dukej tashmë ai zë! Sikur vinte nga asgjëja. Thuajse i panjohur. Nuk po më ngjallte më atë emocion dhe mezipritje. E kalova shpejt situatën. Dukesha e qetë. Pas disa qindra metrash fillova të ecja me hap normal, pa nxitim dhe e bindur se atë moment hodha një hap të sigurt dhe të duhur. Në këtë moment dëgjova një dihatje prapa. Nuk e ktheva kokën, por vazhdova të ecja. Kur ja, ai më doli para dhe më kapi nga krahu.
-Poni, më fal! Më fal, ke të drejtë!
Pranë nesh u shfaq edhe biondina.
- Si, i kërkon falje dhe nga ana tjetër vjen me mua? Idiot, hëm, - dhe pështyu në tokë.
- Kujdes ti kokëlakër se ta këpus kokën. Zhduku tani dhe mos e kthe kokën pas se të bëra dysh. Xhins kurve, - iu kundërpërgjigj ai duke shtrënguar dhëmbët.
Sa turp më erdhi nga ato fjalë të dala nga goja e tij. M’u duk si një rrugaç. Ajo u largua pa kokëçarje, sikur t’i kishte thënë dikush hajt të shkojmë të hamë një drekë. Kuptova se një femër e tillë këto fjalë donte. Pasta Bujari u kthye nga unë.
- Tani, pas kësaj që pe, duhet të më falësh, – dhe tentoi të më hidhte dorën në qafë. Unë ia largova dorën me qetësi duke i thënë:
- Dëgjo Bujar. Unë këtë nuk ta fal kurrë. Të fala virgjërinë time, dashurinë time të parë, sinqeritetin tim. Unë të fala ç’kishe bërë më parë. Por nuk mund të ta fal kurrë, kurrë, këtë të sotmen. Nuk mund të përqafoj një njeri që sapo ka puthur një tjetër. Ti nuk je më për mua dhe nuk e meriton dashurinë time të pastër. Deri para disa orësh isha gjithë inat. Haja veten, isha gati të bëja edhe krim në emër të dashurisë. S’mund ta besoja. Tashmë ajo krizë kaloi. Jam e qetë. Njoha ty dhe veten. Errësirën dhe dritën. Në këtë moment rrugët tona ndahen. Kupton? Jemi shumë larg njëri-tjetrit. Jo gjeografikisht. Ne nuk përputhemi në asgjë. Nuk doja ta besoja kurrë, por tashmë ky është një realitet. Lamtumirë!
- Poni, unë ... dëgjo, më jep një rast.
- Po m’u afrove pas këtij çasti do të bëj ndonjë veprim të pakontrollueshëm që do të të kushtojë shumë,- i thashë dhe shtrëngova dhëmbët. U largova si nuk e kisha menduar. Ai e dinte kokëfortësinë time. Pas atij momenti ai më dërgonte sinjale gjithmonë. Më dilte në rrugë. Më dërgonte letra...”- përfundoi Poni tregimin atëherë.
Ky rrëfim i femrës që dëshiroja më shumë më ishte kthyer në makth. Sesi më vinte... Doja që ajo të ishte vetëm e imja. Doja që ajo të mos kishte asnjë marrëdhënie tjetër. Doja të mos kishte asnjë kujtim kaq të veçantë. Sa xheloz u bëra nga ky tregim. Mezi e kapërdija faktin që ajo kishte shkuar në shtrat me një tjetër. Patjetër ai duhej të ishte bastard që e kishte tradhtuar. Por Poni ishte në krahët e mi dhe unë do ta mbroja nga tradhtitë. E doja shumë për ta keqtrajtuar, por jo gjithçka varej nga unë.
... Pas pushimeve verore, kur nisi sezoni i shkollës, unë ndjeva qysh në takimin e parë se ajo ishte ftohur me mua. Ishte një ditë e ngrohtë shtatori. Poni sapo ishte kthyer nga Vlora për të filluar studimet në vitin e tretë të ekonomikut. Jo më shumë se 8 muaj më parë ne kishim provuar (ose më mirë unë) marrëdhënien e parë seksuale dhe pas asaj dite kishim filluar të dilnim shpesh. Por kjo vjeshtë sikur kishte zverdhur edhe ndjenjën e saj për mua.. Pas ardhjes nga pushimet, vetëm sa më përshëndeste dhe nuk pranonte të dilnim bashkë. Unë kisha dëgjuar se dashuria e parë nuk harrohet. Kisha frikë gjithmonë se ajo do t’i kthehej dashurisë së parë dhe gjithmonë doja t’i tatoja pulsin. Kohët e fundit kisha parë se në fakultet vinte shpesh Bujari. Ai sërish i dilte para, i fliste, e shoqëronte deri në konvikt. Disa herë isha matur t’i dilja para dhe t’i jepja një grusht në fytyrë. Ponin e shihja që nuk ishte e qetë. As me të nuk qëndronte, as me mua nuk sillej si më parë. E pyesja shpesh veten se mos e kisha lënduar pa dashje. Mos vallë e kishin gënjyer? Unë në vetvete isha i qetë. Nuk e kisha tradhtuar. Nuk e kisha menduar kurrë diçka të tillë. Më dukej gjëja më e pështirë të kishe një femër si Poni në krah dhe të shkoje me një tjetër. Një ditë e ndala dhe i kërkova shpjegim përse sillej ashtu me mua.
- Takohemi në orën 19.00 te mensa,- më tha.
Mbrëmjen e prita me padurim. Kur erdhi m’u duk se linda përsëri. Brenda vetes ndjeva një kënaqësi të pamasë. Fytyra e saj, buzëqeshja, era e trupit, të folurit, malli im për të...
- Ulemi te lokali këtu afër dhe pimë një çaj?- e pyeta.
- Po, ulemi, - më tha.
U ulëm pa folur. Porositëm nga një çaj dhe nisëm të shihnim njëri-tjetrin ngultas. S’dija si ta pyesja. Isha i hutuar. Por nuk mund të duroja..
- Poni, çfarë ke me mua? Pse nuk më flet. Pse je larguar nga unë?
Ajo më shikonte ngulthi në sy dhe herë pas here tundte kokën. Pasi rrufiti një gllënjkë çaj, m’u drejtua:
- Arben, më vjen keq, por ne nuk mund të vazhdojmë më bashkë.
- Poni, vërtet, çfarë, ne bashkë… jo, si? Nuk mund ta besoja…
- Ke të drejtë Beni. Ke shumë të drejtë. Unë po të vras dashurinë e parë dhe unë e di më mirë se kushdo se sa e rëndë është shkëputja nga dashuria e parë. Por kështu rrodhën ngjarjet. Nuk po të lë se je njeri i keq, se je njeri pa vlera. Përkundrazi, ti je njeriu më i mirë që kam njohur. Je njeriu më i sinqertë. Unë kurrë nuk do të largohesha nga ty në emër të një dashurie të re. Unë po largohem vetëm në emër të dashurisë së parë, të asaj dashurie që ti po humbet. Do të kthehem prapë te Bujari.
U stepa. Nuk mund ta besoja një gjë të tillë.
- Ai gjatë gjithë kësaj kohe nuk më është ndarë,- vazhdoi ajo. - Ndenji dy muajt e verës në Vlorë, afër shtëpisë sime. Më ngjalli me të njëjtat përmasa dashurinë e parë. U tregua shumë këmbëngulës. Më mposhti. Dhe ti duhet të më falësh. Ti je mashkull dhe e ke më të lehtë (ku e dinte ajo se e kisha më të lehtë? Me kë tallej ajo? Ku e dinte ajo se si vuaja unë?). Do të lejoja që të më mallkoje, të më qëlloje, të më përbuzje nëse do të largohesha në emër të një dashurie të tretë.
Unë e dëgjoja si i mpirë. Goja ime ishte kthyer në eshkë. Nuk mund ta shikoja dot në sy. Ata sy më mposhtnin. Zemra nuk e kryente funksionin e saj. Në këtë moment dikush u ul pranë nesh. Ngrita kokën me përtesë, mëdyshje. Kur ç’të shoh ? Ishte Bujari. Ai më zgjati dorën.
- Ky është Arbeni, për të cilin të kam folur,- i tha Poni qetësisht. Ndërsa unë brenda vetes zieja. Më vinte ta zija atë njeri me grushte, me shkelma, me thonj, me gurë… Ai po më rrëmbente dashurinë, gjënë më të bukur, ëndrrën e jetës sime. Por e ndieja se nuk isha i zoti të bëja asgjë.
- Çohemi?- më tha Poni për të më nxjerrë nga ajo situatë.
- Jo, unë do të rri edhe ca,- i thashë.
- Atëherë mirupafshim dhe do të jesh gjithnjë miku ynë. Ponin mund ta takosh sa herë të duash,- më tha Bujari duke më shtrënguar dorën. Ishin çaste të paparashikuara. Kurrë nuk e mendoja se ai do të vinte aty dhe do të sillej në atë mënyrë. Ai, ai që..
Nuk e di se si mbërrita atë natë në shtëpi. Nuk fjeta. Të shtëpisë u shqetësuan. Në këtë gjendje kaluan muajt deri në përfundimin e shkollës. Isha tjetërsuar. Kur shihja Ponin ose Bujarin në rrugë ndërroja drejtim. Një herë e cilësoja Ponin si femër të pabesë dhe më pas e emërtoja si hipokrite. Disa herë të pavendosur dhe mendjelehtë. Një herë mendoja se Bujari do ta shkelte dhe Poni do të vinte sërish tek unë. Unë do ia falja? Pse jo. Në emër të dashurisë së parë edhe ajo ia fali Bujarit. Disa herë mendoja se ai do të zihej për gjëra të kota dhe ajo nuk do ta falte. Kështu kaloi një vit shkollor. Një vit torturë, çoroditje, meditime, shikime nga larg të Ponit... Kur unë për çdo ditë bluaja këto prapësi, një ditë, para se të mbaronte shkolla, më ndali Poni:
- Beni, urdhëro këtë ftesë dhe mos bëj gabim të mos vish,- më tha duke u larguar. Më kishte munguar tmerrësisht buzëqeshja e saj.
- Shtanga. Ajo ftesë ishte për mua. Javën e parë të gushtit ata bënin ceremoninë. Martohej dashuria ime e parë me të dashurin e saj të parë. Ftesën e përcolla ditë të tëra nëpër duar. Të shkoja? A mund ta përballoja unë atë ditë, kur dashuria ime më e bukur të hidhte vello me dikë tjetër? Si? Të shkoja?
***
Ajo mbrëmje gushti ishte me të vërtetë interesante. Hëna ishte e plotë dhe mua më ngjalli idenë e tjetërsimit. Sa e sa ëndrra të pashpresa drejtoheshin në fytyrën e hënës dhe ajo, si një vajzë çapkëne, i bënin të gjenin dashurinë e humbur. Kisha një besim të tepruar në pjellorinë e hënës. Edhe pse ishte gusht, freskia kishte gjetur shteg në atë pragmbrëmje. Lokali në periferi të Liqenit Artificial të Tiranës kishte marrë ngjyrën e festës. Kamerierët ecnin nëpër sallën e mbushur me lule. Në sallë mund të ishin mbi 200 veta. Të gjithë ishin në pritje të nuses. Kur ajo hyri, të gjithë u ngritën në këmbë. Orkestra ia mori një kënge karakteristike tiranase. Të gjithë filluan të këndonin dhe të duartrokisnin. Poni ishte edhe diell, edhe hënë. Vezullonte e tëra. Ajo filloi t’i përshëndeste të gjithë me një ndriçim farfuritës në trup. Pasi kishte bërë disa metra, u step para dy vajzave. Edhe ato këndonin e duartrokisnin hyrjen e saj. Njëra ishte bionde, ndërsa tjetra një brune e lezetshme. Poni qëndroi disa sekonda para tyre pa u zgjatur dorën. Pastaj filloi të kërkonte dikë me sy. Kur shikimet tona u kryqëzuan, ajo çeli në fytyrë. U drejtua me hap të nxituar tek unë.
- Beni, me makinë ke ardhur?
- Po, - i thashë i habitur.
- A më pranon si nuse kështu si jam? A do të ma falësh gabimin që kam bërë?
- Pse, si është puna?
Bujari qëndronte ende aty ku e kishte lënë Poni. Ishte nemitur.
-Ai është i pandreqshëm, prandaj hajde ikim. Ai të rrijë me dashnoret e pacipa. Nuk e bëra të gjatë, por u ngrita vrikthi. Ajo më futi krahun sikur të isha dhëndri i asaj dasme dhe u drejtuam për te makina. Të gjithë kishin shtangur. Asnjë lëvizje. Vetëm për disa sekonda ne ishim jashtë oborrit të lokalit. Unë nuk mund të besoja asgjë. Isha si në ëndërr. Tashmë isha njeriu më i lumtur në botë. Kisha pranë dashurinë time të parë, kurse ajo po linte në zymtësinë e vet dashurinë e saj të parë, të tradhtuar dhe të fyer njëkohësisht. Vetëm munda ta pyes:
- Poni, përse u largove dhe ç’lidhje kishin ish-të dashurat sot në dasmë?
- Po, dy të dashurat e tij ishin të ftuara në dasmë. Ato ishin ftuar enkas nga ai që unë të kuptoja që tashmë që po martohesha, doja apo nuk doja, do t’u nënshtrohesha tekave të tij. Ishte një provokim. Ai e dinte dashurinë time për të. E dinte se do të isha besnike. E dinte që nuk mund të gaboja dhe se familjet tona nuk mund ta pranojnë ndarjen dhe largimin nga burri. Ishte një testim i karakterit tim. Në këto kushte ai mund të bënte ç’të donte pas këtij provokimi, nëse unë do ta pranoja. Martesa vuloste në këtë mënyrë nënshtrimin tim ndaj tij dhe pas këtij momenti ai mund të bridhte ku të donte, me kë të donte dhe unë s’mund t’i kërkoja llogari. Llogaritë i kishte bërë sipas psikologjisë labe, karakterit të tij dhe jo të personalitetit tim. Ai i ka bërë të gjitha të studiuara. Donte të merrte një grua të ndershme për të krijuar familjen e tij dhe ai të bridhte pas qejfit me kë të donte.
- Je menduar mirë?
- Këtë radhë nuk e luan topi.
- Je nusja më e bukur që kam parë. Si po të dukem si dhëndër?
- Të dua Beni. Të dua shumë. Sot e pranoj që ti je jeta ime. Ti je gjithçka. Më je gjetur në ditët më të vështira dhe unë nuk ta harroj kurrë. Njeriu që të gjendet në ditë të tilla barazohet me Zotin. Kush nëpërkëmb atë që i bën nder dhe i jep ndihmë në ditët më të vështira, është kafshë dhe jo njeri. Të dua, të dua, të dua!
Unë u deha nga lumturia. Ajo nuk m’i kishte thënë kurrë ato fjalë, ndaj e besova. Më parë, kur unë i thosha që e doja, ajo nuk më përgjigjej. Tani po. Ajo tha me plot gojën: Të dua!
“Volksvageni” im ekonomik më dukej si një avion që nuk po ecte në rrugët plot gropa të Tiranës, por në hapësirat ndërplanetare, drejt një planeti jashtëtokësor, ku ne, në vetmi të plotë, duhej të shijonim natën e parë të një martese të shumëpritur.
Freitag, 6. Dezember 2013
Salih Zogiani - Anekdota 8
1. RENDIN E MUHABETIT E PRISH KRYET
Anton Çetta shkon mysafir në Llaushë. Kish pas ecur këmbë prej Skenderajt deri në Llaushë e ishte lodhur shumë. Kur hyn në odë e ulet, i shtrin këmbët për t’i pushuar. Kur e sheh një plak që Antoni i ka shtrirë këmbët, i thotë: - Mos e prish renin e odës, o Anton Çetta! - Jo, more burrë, unë mendoj se kamtë s’e prishin as renin e odës, as muhabetin, po e prish kryet, - i thotë Anton Çetta.
2. PER BEGUN E KALLI EDHE ODËN
Bajram Curri kishte shkuar mysafir n’Vranoc. Vranoci e kishin pas pritur mirë e i kishin bërë muhabet edhe si burrë i njohur, po edhe si të fisit të vet. Për të bërë hyzmet në odë, i zoti i shtëpisë e kishte pas caktuar Ali Murtezin. U bënte hyzmet Aliu pa përtesë. Mirëpo, kur ia dha gacën Begit, për me e ndez cigaren, e shtrëngoi mashën fort e i shpëtoi gaca e i ra në qilim. Kur e pa i zoti i shtëpisë se Aliut i ra gaca në qilim e u djeg pak qilimi, i bërtiti: - Eu Ali, eu, po unë t’zgedha me ba hyzmet si ma t’zotin, e ti a po e sheh se çka bane, e kalle qylymin. - Aiii, po unë për Begin e kalli edhe odën, e le ma ni qylym, - i tha Aliu.
3. UNË JAM SALLATË
Një Xheladini, kur e merrte fjalën, në odë, më nuk linte kurrkënd të fliste. Në një odë, ku kishte qenë edhe Mulla Sherifi, i Kërzharekës, ia nis të flasë Xheladini edhe e zgjat muhabetin shumë. Dikur, kur e tepron, Mulla Sherifi i thotë: - Xhelë, l’sho pak ren, se oda asht e tanve, edhe muhabeti duhet me pasë karar. - Hoxhë, unë jam sallatë, ia kthen Xheladini, demek me kimet. - Po, n’kofsh sallatë, duhet me e ditë se sallata nuk qitet me kazan, po me sahan, - i tha hoxha.
4. KAM ME E BLE NI DHEN
Një sheherli i Pejës kishte shkuar mysafir te një katundar në Rugovë. E presin mirë e i bëjnë muhabet. Për darkë, pos të tjerave, qesin pite edhe kos të kulluar të dhenve. Kur e kërkon kosin sheherliu, i pëlqen shumë e e ha një kalanicë kos. Mbasi e hëngër sheherliu kosin, po e pyet të zotin e shtëpisë: - Çfarë kosi asht ky kaq i shishëm? - Ky asht kos i dhene, - i tha rugovasi. - Si t’shkoj n’Pejë, pa e ble ni dhen s’e la, - i tha sheherliu. - Jo, miko, duhet me pasë shumë dhen, se me ni delme nuk bahet kosi, - i tha rugovasi.
5. ZJARMI EDHE VERËS E KA SHYHRETIN E VET
Kishin qenë tre vëllezër, të martuar. Dy vëllezërit e mëdhenj i rrihnin gratë shpesh, i vogli nuk e rrihte kurrë. Një ditë, kur shkuan në arë, për të prashitur, dy vëllezërit e mëdhenj i thanë të voglit: - Pse ti nuk po e rrehë gruen kurrë? - Nuk po e ban punën me e rrehë, se e kisha rrehë, - u tha ky. - Qe, na po t’msojmë me e ba punën për me e rrehë, e po e kqyrum a po guxon, - i thanë ata. Masi sot e ka renin me e pru bukën, kalle nji zjarm, e ajo sigurisht t’qorton, e ti rrehe. I dëgjoi ky, e kalli zjarrin e po pret se çka do t’i thotë gruaja. Si erdhi gruaja, e lëshoi bukën e u tha kunetërve: - Puna e marë, - e u afrua te burri i vet, ngat zjarrit, e po i thotë: - Po mirë e paske kallë këtë zjarm, se zjarmi edhe verës e ka shyhretin e vet. Ata vëllezërit nuk bënë zë, po, kur shkoi gruaja, ata i thanë vëllait: - S’paske faj që s’po e rrehshe, se nuk p’e bajka punën me rrehë.
6. BANI EDHE JU GAJRET
I kishte pas vdekur gruaja një të Dunavit të Gjilanit. Kur i shkonin gratë e fisit për ta parë për vdekje, i thoshin: - A po mun ban gajret? - se asht zor pa grue. Ati i ishte tekur e u thoshte: - Qashtu asht, e di që asht zor për mu, veç edhe ju bani gajret.
Samstag, 30. November 2013
Halit Methasani - Tregime nga Khalil Gibran
Shqipëroi: Halit Beka (Methasani)
Vdekja e poetit është jeta e tij
Krahët e errëta të natës e mbështollën qytetin mbi të cilin natyra kish hedhur një vello të bardhë dëbore, dhe burrat braktisën rrugët për në shtëpi, në kërkim të ngrohtësisë, ndërsa veriu frynte si të donte të futej nëpër kopshtijet batall. Diku në periferi qëndronte një kasolle e vjetër, mbuluar tërësisht nga dëbora, gadi në rrëzim. Në atë fshehtësi të errët ishte një shtrat ku shtrihej një i ri që lëngonte për vdekje, tek vështronte dritën e zbehtë të llampës së vajit, që mekej gadi në shuarje nga era që hynte. Ai, një djalë në pranverë të jetës, kish parashikuar plotësisht që ora e paqme e çlirimit të tij nga dara e jetës, po afrohej me shpejtësi. Ai priste me mirënjohje vizitën e Vdekjes, dhe mbi fytyrën e tij të zbehtë feksi një agim shprese, dhe mbi buzë një buzëqeshje keqardhëse. E në sytë e tij, falje.
Ai ishte poet që vdiste nga uria në qytetin ku jetonte pasuria. Pati ardhur në këtë botë prozaike që të gjallërojë zemrën e njeriut me thëniet e tij të bukura e kuptimthella. Ai, si shpirt fisnik, i dërguar nga Perëndia e Mirëkuptimit të ngjallë e të zbusë shpirtin njerëzor. Por, ah! Ai me gëzim duroi lamtumirën e ftohtë të tokës, pa marrë një buzëqeshje nga banorët e saj.
Ai merrte frymën e fundit e s’kishte njeri bri shtratit, të shpëtonte llampën e vajit, e vetmja shoqëri, dhe disa pergamenë ku kish shkruar ndjenjat e tij të zemrës. Sikurse dha e mori me takatin e mbetur, ngriti duart drejt qiellit, lëvizi sytë e pashpresë sikur donte të shponte tavanin, për të parë yjet mbi vellon e reve.
Dhe tha, “Eja o Vdekje e bukur, shpirti mezi po të pret. Afromu e më çliro nga vargonjtë e jetës, se jam lodhur së tërqehuri ato zvarrë. Eja, o Vdekje e ëmbël, e më hiq nga fqinjët e mi që më kanë parë si të huaj sepse u shpjegoja gjuhën e engjujve. Nxito o Vdekje paqësore e më largo nga kjo mizëri që më la në qoshen e errët të harresës sepse unë nuk e gjakos të dobtin siç bëjnë ata. Eja, o Vdekje e butë e më mbështill në krahët e bardhë sepse unë nuk u duhem njerëzve të mi. Më pushto o Vdekje, plot dashuri e mëshirë, le të prekin buzët e tua të mijat që nuk provuan kurrë puthje nëne, që s’ka prekur faqe motre, që s’ka përkëdhelur gishtrinj të dashure. Eja e më merr o Vdekje e dashur”
Atëherë, bri poetit që vdiste u duk një engjëll i bardhë që kishte një bukuri të mbinatyrshme e hyjnore që mbante në duar një tufë me zambakë. Ajo e pushtoi atë, i mbylli sytë që të mos shihte më, përveçse me sytë e shpirtit. I dha një puthje të gjatë, të thellë thithëse që i la një buzëqeshje të përjetëshme përmbushjeje në buzët e tij. Atëherë kolibja u boshatis dhe vanë e shkuan të gjithë pergamenët e letrat që poeti i kish shpërndarë ashtu kuturu, i hidhëruar.
Qindra vjet më vonë kur populli i atij qyteti u zgjua nga sëmundja e dremitjes së mosdijes dhe pa agimin e diturisë, ata ngritën një përmendore në lulishten më të bukur të qytetit dhe festuan çdo vit për nder të atij poeti, shkrimet e të cilit i kishin çliruar.
Oh, sa mizore është mosdija!
Nga Khalil Gibran - Profeti, Përktheu: Halit Beka (Methasani)
(origjinali: Death of a poet is his life)
Sauk, Tiranë.
Prill, 2010.
Qyteti i të vdekurve
Dje u tërhoqa nga tollovia e mizërisë dhe u nisa për kah fusha, gjersa arrita një bregore ku natyra kish hedhur rrobat e saj të hijshme. Tani mund të merrja frymë.
Shikova pas, dhe qyteti u shfaq me xhamitë dhe banesat hijerënda të mbuluara me tymin e dyqaneve.
Unë mblodha veten të shqyrtoj qëllimin e njeriut, por munda të përfundoja vetëm se: pjesa më e madhe e jetës së tij njihte vetëm përpjekje dhe vështirësi. Pastaj u mundova të mos merrem më me atë çka bijtë e Ademit kishin bërë, dhe i përqëndrova sytë në fushë, e cila është froni i lavdisë së Zotit. Në një cep të veçuar të fushës vura re një palë vorrezë të rrethuara me plepa.
Atje, mes qytetit të të vdekurve dhe qytetit të të gjallëve, përsiata. Në çast solla ndërmend qetësinë e përjetshme të trishtimit të parë e të pafund.
Në qytetin e të gjallëve gjeta shpresë dhe dëshpërim; dashuri dhe urrejtje, gaz dhe brengë, begati dhe skamje, besim dhe paganizëm.
Në qytetin e të vdekurve është varrosur dhé në tokën që Natyra në qetësinë e natës e shndërron atë në bimësi, e pastaj në shtazë, e pastaj në njeri. Sikurse mendja bridhte kësisoj, pashë një xhemat që lëvizte ngadalë dhe me nderim, shoqëruar prej një muzike që mbushte qiellin me melodi trishtuese. Ishte një varrim i mirëpregatitur. I vdekuri pasohej prej të gjallëve që qanin e vajtonin largimin e tij. Sikurse kortezhi mbërriti vendvarrimin, klerikët u mblodhën të luten dhe të djegin temjan, dhe muzikantët t’u fryjnë e bien veglave të tyre, në vajtim për të larguarin. Atëherë krerët dolën përpara njëri pas tjetrit dhe recituan lavdërimet e tyre me fjalët e mirëzgjedhura për panegjirikë.
Së fundmi, turma u largua, duke e lënë të vdekurin të pushojë në qemerin më të bollshëm e të bukur, mjeshtërisht i punuar në gur e hekur, dhe i rrethuar prej kurorash të shtrenjta të spërdredhura lulesh.
Lamtumirëdhënësit u rikthyen në qytet dhe unë mbeta, duke i parë ata nga një largësi dhe duke folur butë me veten, ndërsa dielli po zbriste në horizont dhe Natyra bënte pregatitijet e shumta për dremitje.
Atëhere pashë dy njerëz që mundoheshin nën peshën e një arke të drunjtë, e pas tyre një grua të rreckosur me një foshnje ndër duar. Në fund pasonte një qen i cili, me sy të dhimbshëm, pa një herë gruan dhe pastaj qivurin.
Ishte një funeral i varfër. Mysafiri i Vdekjes kish lënë pas në një shoqëri të ftohtë një grua të mjerë dhe një foshnje për të ndarë me të brengat e saj dhe një qen besnik, zemra e të cilit e ndjente largimin e shokut të tij.
Ndërsa arritën vendvarrimin ata e vendosën qivurin në një kanal larg prej shkurreve të mirëmbajtura dhe gurëve të mermertë, dhe u larguan pasi i thanë pak fjalë Zotit. Qeni u kthye për herë të fundit të vështrojë varrin e shokut të tij, dhe ai grup i vogël njerëzish u zhukën pas drurëve.
Unë i hodha sytë qytetit të të gjallëve dhe thashë me vete, «Ai vend u takon të paktëve». Pastaj pashë mbi qytetin e zbukuruar të të vdekurve dhe thashë, «Edhe ai vend, të paktëve i përket. O Zot, ku është qielli i të gjithë njerëzve?»
Ndërsa thashë këtë, shikova drejt reve, përzier me rrezet më të gjata e më të bukuara të diellit. Dhe dëgjova një zë nga përbrenda meje: «Atje!»
Sipas THE CITY OF THE DEAD e Khalil Gibran
Përktheu në shqip Halit Beka (Methasani)
1 Dhjetor, 2013
Pallati dhe kasollja
Pjesa e parë
Sukurse nata ra dhe dritat llamburitën në shtëpinë e madhe, shërbëtorët qëndruan tek dyert e mëdha për të pritur mysafirët në ardhje; dhe mbi rrobat e kadifenjta duken sumbullat e arta.
Karrocat e mëdha u futën në oborrin e pallatit dhe fisnikët hynë, veshur me rroba të mrekusllueshme dhe të stolisura me bizhu. Veglat muzikore mbushën ajrin me melodi kënaqëse ndërsa personalitetet kërcenin nën muzikën shlodhëse.
Në mesnatë ushqimet më të mira e të shijshme u shërbyen mbi tavolinat e bukura, zbukuruar me turlilloj lulesh të rralla. Gostiarët hëngrën dhe pinë me bollëk, gjersa radha e verërave filloi të luajë rolin e saj. Në agim turma u shpërnda rrakapjekthi, pasi kishin kaluar një natë të gjatë dehjeje dhe grykësie që ua nguti trupat e lodhur në shtretërit e thellë në një gjumë të trazuar....
Pjesa e dytë.
Në buzëmbrëmje, një burrë i veshur me rroba pune të rëndë qëndronte para derës së shtëpisë së tij të vogël dhe trokiti në të. Si u hap, ai hyri dhe përshëndeti banorët në një mënyrë të gëzuar, dhe u ul mes fëmijëve që po loznin tek oxhaku. Pas pak kohe, e shoqja e kishte darkën gati dhe ata u ulën rreth një sofre të drunjtë për të ngrënë. Pasi hëngrën ata u ulën rreth një llampe me vajguri dhe folën për ngjarjet e ditës. Kur pjesa e parë e natës kish kaluar, të gjithë qëndruan të heshtur para Mbretit të Dremitjes me një këngë lavdie dhe mirënjohje në buzët e tyre.
Khalil Gibran - The palace and the hute
Shqipëroi nga anglishtja: Halit Beka (Methasani)
Durrës, 26 Tetor, 2013
Gaz dhe lot
Ndërsa dielli tërhoqi rrezet e tij nga kopshti dhe hëna hodhi të sajat mbi lulet, u ula nën pemë, zhytur në bukurinë e natyrës, duke vështruar përmes degëve yjet e shpërndarë që xixëllonin si ashkëla të argjendta mbi një tapet blu, dhe arrija të dëgjoja edhe nga larg murmurimën gërrvishtëse të përroit që këndonte hyrjen në luginë. Kur zogjtë u strehuan nëpër degë, dhe lulet mblodhën petalet e tyre, një qetësi e frikshme zbriti, dëgjova shushurimë këmbësh nëpër bar. M’u duk sikur pashë një çift që po i afrohej kopshtit tim. U ula nën një pemë prej nga mund t’i shihnja, por jo edhe të më shihnin.
Pasi pa rreth e qark, dëgjoj djalin të thotë:
-Ulu pranë meje, e dashur, dhe dëgjo zemrën. Buzëqesh, se lumturia jote është e ardhmja jonë. Gëzohu sepse ditë të bardha na presin për ardhmërinë sonë.
Shpirti më nguc për dyshime në zemrën tënde, e dyshimi në dashuri është mëkat.
‘Së shpejti ti do të jesh e zonja e kësaj bote që ndriçon ajo hënë e bukur, do të jeshë së afërmi zonja e pallatit tim dhe të gjithë shërbëtorët e dadot do t’u binden urdhërave të tu”
“Buzëqesh, e dashur, si floriri që më buzëqesh nga sënduku i tim eti”
“Zemra s’më lë të të fsheh sekretet e saj. Dymbëdhjetë muaj rehati e udhëtime na presin. Për një vit do të shpenzoj floririn e babit në liqenjtë blu të Zvicrës, dhe të sodisim ndërtesat e Italisë dhe Egjiptit dhe do të pushojmë nën kedrat e shenjta të Libanit. Do të takosh princeshat që do të të kenë zili për rrobat e bizhutë.
“Të gjitha këto që do të bëj për ty, vallë, a do të të kënaqin?”
Pas pak i pashë tek ecnin e shkelnin mbi lulet, si një pasanik mbi zemrat e skamnorëve. E, sikurse m’u zhdukën nga fushëpamja, nisa të bëja një krahasim mes dashurisë e parasë dhe të analizoja pozicionin e tyre në zemër.
Paraja! Burim i dashurisë së shtirë, rrjedhë e dritës dhe fatlumësisë së rreme, pus i ujit të helmuar, dëshpërim i moshës së thyer!
Ashtu i zhytur në mendime siç vazhdoja të endesha, një çift i dëshpëruar e si lugetër më kaluan aty pari dhe u ulën në bar. Një djalë i ri e një vajzë e re që kishin lënë stallat e fermës në fushat aty pranë për këtë vend të freskët e të mënjanë.
Pas pak çastesh heshtjeje të plotë, dëgjova këto fjalë të shqiptuara me psherëtimë nga buzët e thara nga vapa: “ Mos derdh lot, e dashur, dashuria që na hap sytë dhe na skallavëron zemrat na bekon me durim. Ngushëllohu në vonesën tonë, sepse ne kemi bërë një betim dhe kemi hyrë në faltoren e dashurisë, sepse dashuria do të kthehet në mjerim, sepse pikërisht në emër të dashurisë ne vuajmë pengesat e varfërisë dhe ashpërsinë e mizerisë dhe zbrazëtisë së ndarjes. Unë do t’i përball këto vështirësi derisa të ngadhnjej e të të jap në dorë një fuqi që të të ndihmojë në të gjitha gjërat në përmbushjen e rrugës së jetës”
“Dashuria, - që është Perëndia- do t’i dëgjojë psherëtimat tona dhe do të shohë lotët tanë tek digjen si temjani në altarin e Saj, e ajo do të na shpërblejë me fuqinë e karakterit. Lamtumirë, e dashur, më duhet të iki para se hëna e ngazëllyer të zhduket”.
Një zë i dlirë, i përgjëruar në flakën zhuritëse të dashurisë, dhe me zemërimin e pashpresë të mallit dhe ndjesinë e ëmbël të durimit, tha: “Lamtumirë, i dashur!”
Ata u ndanë, dhe këngën e vajit të bashkimit të tyre e mbuluan ngashërimet e zemrës sime.
Unë hodha sytë në natyrën e përgjumur, dhe me pasqyrime të thella zbulova realitetin e diçkaje të madhe e të paanë- e diçkaje që asnjë fuqi s’mund ta detyrojë, ndikojë a përvetësojë e asnjë pasanik s’mund ta blejë dot. Dhe as nuk mund të zhduket prej lotëve të kohës apo të vdesë nga pikëllimi, diçka që nuk mund të zbulohet nga liqenjtë blu të Zvicrës apo ngrehinat e bukura të Italisë.
Është diçka që mbledh forcë me durim, rritet permes pengesave, ngroh në dimër, lulëzon në pranverë, çliron fllad në verë, dhe mban fruta në vjeshtë- Unë gjeta dashurinë!
Përkthyer më 4 Gusht 2010
Ng Halit Beka (Methasani)
Sipas "Joy and tears" e Khalil Gibran

Para kurorës së bukurisë
Një dite të rëndë i ika fytyrës së zymtë të shoqërisë dhe zhurmës marra-mendëse të qytetit, e i hodha hapat e lodhur kah rrugica e gjerë. Ndoqa rrugën me shenja të rravijëzuara dhe tingujt muzikorë të zogjve, gjersa arrita një vend të mënjanë ku degët e shtrira të pemëve i pengonin rrezet e diellit të preknin tokën
Qëndrova atje, dhe ishte argëtuese për shpirtin – shpirtin tim të etur që s’kish parë asgjë veç mirazhit të jetës në vend të ëmbëlsisë së saj.
Isha i zhytur thellë në mendime dhe në to Zanat e mija po lundronin për në kupë të qiellit kur papritmas m’u shfaq një Orë, veshur me një degë hardhie që e mbulonte pjesërisht trupin e saj të zhveshur dhe me një kurorë lulëkuqesh mbi flokët e artë. Sikur ta kish kuptuar mahnitjen time, më përshëndeti duke më thënë «Mos ki frikë prej meje, unë jam Bukuroshja e Xhunglës»
«Si mundet një bukuri si juaja ka arritur të jetojë në këtë vend? Të lutem më thuaj kush jeni, dhe që nga vini?» - e pyeta unë. Ajo u ul plot hijeshi mbi barin e blertë dhe u përgjigj, «Unë jam simbol i natyrës! Jam virgjëresha e përherëshme që stërgjyshërit tuaj adhuronin dhe për nder tim ata ngrenin faltore dhe tempuj në Balbek dhe Xhabeil».
Dhe unë guxova e thashë, «Po ato flatore e tempuj shkuan e vanë kot dhe eshtrat e të parëve të mi të dashur u bënë dhé, asgjë s’ka mbetur për të përkujtuar perënditë e tyre, pëveç fare pak të gjorëve dhe faqet e harruara në librin e historisë»
Ajo u përgjigj: «Disa perëndi jetojnë në jetën e adhuruesve të tyre dhe vdesin në vdekjen e tyre, ndërsa jetojnë një jetë të përherëshme dhe të pafund. Jeta ime zgjatet prej botës së bukurisë të cilën ti do ta shohësh kudo që i hedh sytë, dhe kjo bukuri është natyra vetë; ajo është fillimi i gëzimit të bariut ndër kodra, dhe lumturia e fshatarëve në ara, dhe kënaqësia e fiseve të shtangura mes maleve dhe fushave. Kjo bukuri i tregon të vërtetën të urtit në kurorë».
Atëherë unë thashë, «Bukuria është një fuqi e tmerrshme». Dhe ajo përgënjeshtroi, «Qëniet njerëzore i tremben çdo gjëje, madje edhe vetes. Ju keni frikë qiellin, burimin e paqes shpritëroe; ju i frikeni natyrës, limani i pushimit dhe qetësisë; Ju i tuteni Zotit të mirësisë dhe e akuzoni atë me zemërim, ndërsa ai është plot me dashuri e mëshirë.»
Pas një heshtje të thellë, i përzier me ëndrra të ëmbëa, unë pyeta, «Më fol për atë bukuri të cilën njerëzit e shtjellojnë dhe përshkruajnë, secili sipas kuptimit të vet; Unë kam parë atë të nderohet e adhurohet në mënyra e forma të ndryshme»
Ajo u përgjigj, «Bukuria është ajo që të tërheq shpirtin, dhe ajo që i pëlqen të japë dhe jo të marrë. Kur e takon Bukurinë, ti e ndjen se duart thellë brenda vetes shtrihen përpara që ta sjellin atë në thellësi të zemrës tënde. Është madhështia e përzier me pikëllim e gëzim; ajo është e papara që ti sheh, dhe e paqarta që ti kupton, dhe e pazëshmja që ti dëgjon – ajo është e Shenjta e Shenjtëve që zë fill në vetëvete dhe mbaron tej e përtej përfytyrimit tënd tokësor.
Atëherë Bukuroshja e Xhunglës m’u afrua dhe m’i vuri duart e saj plot aromë mbi sy. Dhe si u tërhoq, e pashë veten të vetmuar në luginë. Kur u riktheva në qytet, trazira e të cilit s’më bezdiste më, përsërita fjalët e saj:
«Bukuria është ajo që të tërheq shpirtin, dhe ajo që i pëlqen të japë e jo të marrë»
Khalil Gibran – Before the throne of Beauty.
Shqipëroi nga anglishtja: Halit Beka (Methasani)
Durrës , 25 Tetor, 2013

Ardhja e Anijes
Mustafai, i përzgjedhuri e i dashuri, i cili ishte në ditët e fundit të jetës së tij, kish pritur dymbëdhjetë vjetë në qytetin Orfali për anijen e tij të rikthehej e ta shpjente sërish në ishullin e tij të lindjes.
Dhe në vitin e dymbëdhjetë, në ditën e shtatë të javës, muajin e pjekjeve, ai iu ngjit kodrës jashtë mureve të qytetit dhe vështroi kah deti: dhe pa anijen që vinte nëpër mjegull.
Pastaj portat e zemrës së tij u hapën vrikthi, e gëzimi i fluturoi mbi det. E ai mbylli sytë në heshtje të shpirtit e u lut.
Por ai i zbriti kodrës, një trishtim e mbuloi dhe me zemër mendoi: Si të shkoj në paqe dhe pa dhimbje? Jooo, jo pa një plagë në shpirt, këtë qytet s’e lë dot.
Të gjata ishin ditët e dhimbjes që kam kaluar brenda mureve të tij, dhe të gjata ishin netët e vetmisë: e kush mund t’i ikë dhimbjes e vetmisë së tij pa një peng?
Mjaft grimca të shpirtit i kam shpërndarë këtyre rrugëve, e sa shumë janë fëmijët e mallit që ecin cullak në këto kodra, e unë s’mund të largohem prej tyre pa një barrë e pa një dhimbje.
Nuk është një rrobë që e hedhe tej nga trupi sot, por një lëkurë që e rrjep me duart e mi.
As mendim që e lë pas meje, por një zemër me uri dhe etje ëmbëlsuar.
E megjithatë s’e shtyj dot më.
Deti që i thërret të gjitha gjërat tek vetja, edhe mua më duhet të nisem.
Sepse po të rri, ndonëse orët digjen në terr, është si të ngrish e të kristalizohesh e në kallëp të derdhesh.
Me dëshirë do ta merrja me vete gjithçka është këtu. Por, si të mundem vallë?
Një zë s’mund ta bartë gjuhën e buzët që atij krahë u jep. I vetëm duhet ta gjejë eterin.
Dhe e vetëm, pa folenë e saj shqiponja matanë diellit do të fluturojë.
Tani që kish mbërritur në rrëzë të kodrës, ai u kthye sërish nga deti, dhe pa anijen t’i afrohet limanit, dhe mbi bashin e saj marinarët, bashkatdhetarët e tij.
Dhe shpirti iu qajt atyre, e tha:
Bij të nënës së lashtë, ju ngarës të baticave. Sa shpesh në ëndrrat e mija keni
lundruar. Dhe tani më vini në zgjim që është ëndrra ime më e thellë.
Gadi jam të iki, dhe lakmia për velat gadi të presin erën.
Veç sa edhe një herë frymë të marr nga ky ajër i ndotur, veçsa edhe një vështrim dashurie ta hedh pas.
E pastaj mes jush të rri, lundërtar mes lundërtarësh.
Dhe në ty, o det i stërmadh, o e pagjumja nënë.
Veç edhe në pështjellim kjo rrymë të bëjë, veç edhe një murëmërimë në këtë lëndinë. E pastaj tek ju të vij, një pikë e pafund tek i pafundi oqean.
E ndërsa ecte, ai pa nga larg burra e gra t’i lënë fushat dhe vreshtat e tyre, tek nxitonin për te portata e qytetit.
Dhe ai zërat e tyre dëgjoi të thërrisnin emrin e tij, e nga fusha në fushë thërrisnin e njëri-tjetrin për ardhjen e anijes lajmëronin.
Dhe ai i tha vetes:
- A të jetë dita e ndarjes, dita e mbledhjes, vallë?
Dhe a të thuhet vallë se mbrëmja ime është agimi im.?
Dhe, a t’i jap atij që plorin në mes të brazdës e ka, apo atij që rrotën shtrydhëse të rrushit e ka ndalë.?
A të bëhet zemra ime pemë plot e përplot mbushur që t’i vjel e atyre t’ua jap?
Dhe a të derdhen dëshirat e mia si burim që kupat t’ua mbushë?
A jam unë harpë që dora e të Plotfuqishmit të më prekë, apo fyell ku fryma e tij përmes meje të kalojë?
Vallë një gjahtar qetësie jam unë, dhe ç’thesar në qetësi kam gjetur ku me plotbesim veten të hedh?
Nëse kjo dita e korrjeve është, në ç’arë e në ç’stina të harruara farën ta kem pas hedhur vallë?
Nëse kjo vërtetë është çasti kur unë gallustrën të ngre, flaka që në të të digjet s’është e imja.
Bosh dhe errët do ta ngre gallustrën time.
Dhe rojtari i natës do ta mbushë atë me vaj, dhe po ai do ta ndezë.
Këto gjëra ai i tha me fjalë. Por shumë gjëra në zemrën e tij mbetën pa thënë.
Sepse ai vetë nuk mund t’i rrëfente të fshehtat e tij të thella.
Dhe kur ai hyri në qytet, të gjithë njerëzit erdhën ta takojnë, dhe të gjithë i qaheshin atij si me një zë.
Dhe pleqtë e qytetit dolën përpara e thanë:
Mos ik ende prej nesh.
Mesditë ke qenë në dritëhijen tonë, dhe rinia jote ëndërr për ne të ëndërrojmë na ka dhënë.
I huaj për ne nuk je, dhe as mysafir, por biri ynë dhe i dashuri i shtrejtë për ne.
Mos na i mundo sytë me mallin për fytyrën tënde.
Dhe klerikët e uratat i thanë atij:
Mos i lër valët e detit të na ndajnë tani, dhe që vitet që mes nesh ke kaluar të në kujtime të shndërrohen.
Mes nesh një shpirt ke shetitur, dhe hija jote dritë ka qenë në sytë tanë.
Shumë të kemi dashur. Por pa fjalë dashurinë e kishim, dhe me vello ka qenë mbuluar.
E prapë tani ajo qan mbi ty, dhe zbuluar para tej qëndron.
Dhe ashtu ka qenë përherë që gjer në çastin e ndarjes ajo thellësinë e saj të mos njohë?
Dhe të tjerë erdhën e iu përgjëruan atij.
Por ai s’iu përgjigj. Ai vetëm uli kokën, dhe ata që ishin pranë i panë lotët t’i rrëshkasin mbi gjoks.
E kështu, ai dhe njerëzit ecën drejt sheshit para tempullit.
Dhe atje nga faltorja doli një grua e quajtur Almitra. Ajo ishte fallxhore.
Dhe ai e vështroi atë me butësi, sepse ishte ajo që e kërkoi dhe besoi në të qysh kur ai s’kishte veçse një ditë në qytetin e tyre.
Dhe ajo i thirri e i tha:
O Profet i Zotit, gjatë kohë ke që skajshmërisht ke kërkuar, për anijen tënde qëmoti ke që i kërkon largësitë.
Dhe tani ajo anije ka mbërritur, e ti patjetër duhet të shkosh.
I thellë është malli për tokën e kujtimeve të tua, dhe vendbanimi i dëshirave të tua më të mëdha; dhe dashuria jonë s’të lidh dot, e as nevojat tona dot s’të mbajnë. Megjithatë, para se të ikësh këtë kërkesë e kemi, që të na flasësh e të fshehtën tënde na e rrëfe.
Dhe ne fëmijëve tanë do t’ua japim, e ata fëmijëve të tyre, dhe kësodore s’do të vdesë kurrë.
Në vetminë tënde jetën tonë ke kundruar, dhe me syçeltësinë tënde qarjet na i ke dëgjuar, ashtu si të qeshurat në ëndrrat tona.
Prandaj, tani na u hap përpara nesh, e na thuaj ato që ty të janë zbuluar - mes lindjes dhe vdekjes, ç’ngjet.
Dhe ai u përgjigj:
O njerëz të Ortfalisë, nga këto që mund t’ju them unë, ç’mund ta shpëtojë atë që edhe tani shpirtrat tuaj i lëviz?
Khalil Gibran
Shqipëroi: Halit Beka (Methasani)
Durrës, 21 Nëntor, 2013

Dje dhe sot
Grumbulluesi i arit hyri në parkun e pallatit të tij, dhe bashkë me të edhe hallet që e mundonin. Dhe mbi kryet e tij silleshin telashet ashtu si huta mbi kërrmën e saj, gjersa arriti tek një liqen i bukur, i rrethuar nga statuja të mermerta.
Ai u ul atje duke soditur ujin që derdhej nga gojët e statujave si mendime që rrjedhin lirshëm nga imagjinata e një të dashuruari, dhe kundronte fort pallatin e tij i cili ngrihej mbi një kodrinë si nishan në faqen e një virgjëreshe. Pamja e bukur i zbuloi faqet e dramës së jetës së tij të cilat ai i lexoi me lotët që i rridhnin nga sytë e mbuluar prej tyre e që e pengonin së shikuari futjet më të dobëta të njeriut në natyrë.
Ai shikoi pas me një pendesë therëse, tek pamjet e viteve të herëshme të jetës së tij, thurur në yrnek prej perëndive, gjersa nuk e zotëronte dot më dhimbjen. Ai tha me zë kumbues, «Dje unë i kullosja dhentë në luginën e blertë, i gëzohesha qënies sime, i bieja fyellit dhe e mbaja kokën lart. Sot unë jam i burgosur i lakmisë. Floriri të çon në flori, pastaj në siklet dhe së fundmi në mjerim.
Dje isha si bilbil, fluturoja i lirë aty-këtu nëpër fusha. Sot jam rob i pasurisë së paqëndrueshme, rregullave të shoqërisë, dhe taksave të qytetit, dhe shokëve të blerë, të kënaq njerëzit duke u pajtuar me ligjet e çuditshme dhe të serta të njeriut. Unë u linda të jem i lirë dhe të shijoj të mirat e jetës, por e shoh veten si një kafshë pune të ngarkuar aq rëndë me flori saqë po i thyhet shpina.
«Ku janë fushat e gjera, përrenjtë këngëtarë, flladi i freskët, afrimiteti i natyrës? Ku është perëndia ime? I kam humbur të gjitha! Hiçgjë s’ka mbetur pos vetmisë që më trishton, floriri që më tall, robërit që më mallkojnë nga pas shpine, dhe një pallat që e kam ngritur si një varr për lumturinë time, në madhështinë e të cilit kam humbur zemrën!
«Dje unë u sillesha stepave dhe kodrave bashkë me vajzën e endacakut; virtyti ishte shoqëria jonë, dashuria qejf, dhe hëna rojtarja jonë. Sot jam mes grave me bukuri të mangët që e shesin veten për flori dhe diamante.
«Dje isha pa gajle, ndaja me barinjtë gjithë gëzimin e jetës; hanim, luanim, punonim, këndonim së bashku me muzikën e së vërtetës së zemrës. Sot e gjej veten mes njerëzve si një qingj i trembur mes ujqërve. Tek eci rrugëve, ata më vështrojnë me sytë e tyre urryes dhe më tregojnë me gisht me përçmim dhe zili, e teksa mvidhem përmes parkut, shikoj fytyrat e hakërryera gjithë kundër meje.
«Dje isha i pasur në lumturi dhe sot jam i varfër me flori.
«Dje isha një bari i gëzuar që shihte mbi kokën e tij siç shikon një mbret i mëshirshëm me kënaqësi mbi vartësit e tij të kënaqur. Sot unë jam një skllav që qëndron përpara pasurisë sime, pasuria ime që më ka grabitur bukurinë e jetës që dikur kisha.
«Më fal, Gjykatësi im! Nuk e dija se pasuria do të ma copëtonte jetën dhe do të më çonte në qelitë e vuajtjeve dhe në marrëzi. Ajo çka mendova se ishte lavdi s’është hiçmosgjë pos një ferr i përjetshëm.
Ai e mblodhi veten e lodhur dhe eci ngadalë drejt pallatit, duke psherëtirë dhe përsëritur, «Këtë quajnë njerëzit pasuri? A është ky Zoti të cilit i shërbej dhe adhuroj unë? A është kjo ajo çka kërkoj nga toka? Pse s’e këmbej dot këtë për gjë grimcë kënaqësie? Kush më shet mua një mendim të bukur për një ton flori? Kush më jep një çast dashurie për një grusht gurësh të çmuar? Kush më jep një sy që të shoh zemrat e të tjerëve, dhe të më marrë të gjitha sëndyqet në shkëmbim?»
Ndërsa ai mbërriti portat e pallatit, u kthye dhe pa drejt qytetit si Jeronimi pat shikuar Jeruzalemin. Ai i ngriti krahët në një vajtim të kobshëm dhe thirri, «O njerëz të qytetit të zhurmshëm, që jetoni në errësirë, që nguteni drejt mjerimit, që predikoni gënjeshtra, dhe flisni marrëzira...deri kur do të mbeteni të paditur? Gjer kur do t’i bindeni zhulit të jetës dhe do të vazhdoni të braktisni begatinë e saj? Pse vishni rroba të leckosura të ngushtësisë ndërsa pëlhura e mëndafshtë e bukurisë së natyrës është stolisur për ju? Llampa e diturisë po shuhet; është koha ta mbushni me vaj. Shtëpia e padijes po shkatërrohet; është koha ta rindërtoni e ta ruani atë. Hajdutët e padijes e kanë vjedhur thesarin e paqes suaj; është koha ta rimerrni!»
Atë çast një burrë i varfër qëndroi para tij dhe i shtriu krahët përpara për lëmoshë. Teksa shikonte lypsarin, iu hapën buzët, sytë i ndritën me një butësi, dhe fytyra e tij çliroi mirësi. Ishte sikur e djeshmja që ai kish vajtuar tek liqeni kish ardhur ta përshëndeste. Ai e përqafoi varfanjakun me dashamirësi dhe ia mbushi duart me flori, dhe me një zë të sinqertë, me ëmbësinë e dashurisë, tha, «Eja prapë nesër dhe sill me vete bashkëvuajtësit tuaj. Të gjithë plaçkat tuaja do t’ju rivendosen.»
Ai hyri në pallat duke thënë, «Gjithçka në jetë është e mirë; madje edhe floriri, sepse ai të jep një mësim. Paraja është si një instrument me tela; ai që nuk di t’i bjerë si duhet, do të dëgjojë vetëm muzikë të çakorduar. Paraja është si dashuria; ajo vret ngadalë dhe dhimbshëm atë që e mban, dhe e gjallëron tjetrin që e derdh mbi shokun i tij.»
Khalil Gibran – Yesterday and today

Durrës, 27 Tetor, 2013.
PAQE
Shtrëngata u qetësua pasi i përkuli degët e pemëve dhe mëshoi rëndë mbi të lashtat në fushë. Yjet u dukën si mbetje rrufeshë, por tani heshtja sundoi gjithandej, sikur lufta e Natyrës të mos kish ndodhur kurrë.
Në atë kohë një vajzë e re hyri në kthinën e saj dhe u gjunjëza pranë shtratit duke u ngashëryer idhët. Zemra e saj u përvëlua me hekë por më në fund i hapi buzët e tha, «O Zot, sillma atë në shtëpi shëndoshë e mirë. Më janë shterruar lotët e s’mundem më, oh Zot, plot dashuri e mëshirë. Më ka sosur durimi dhe gjëma po kërkon të ma pushtojë zemrën. Ruaje atë, o Zot, nga shputat e hekurta të luftës; hiqe atë nga e tillë vdekje e pamëshirshme, se ai është i dobët, i qeverisur nga i forti. Oh Zot, ruama të dashurin tim, që është vetë biri yt, nga armiku, që është armiku yt. Mbaje atë larg nga rruga e detyruar për në dyert e vdekjes; lëre t’më shikojë, ose eja e më shpjer mua tek ai.
Qetësisht, një djalë i ri hyri. Kokën e kish ...të mbështjellë me fasho qull me jetën që i ikte.
Ai iu afrua asaj me një përshëndetje lotësh e të qeshurash, dhe ja mori dorën dhe ia vuri tek buzët e tij që i digjeshin. Dhe me një zë si me porosi e kaloi pikëllimin, gëzimn e bashkimit dhe pasigurinë e reagimit të saj, tha «Mos ki frikë nga unë, se unë jam idhulli i përgjërimit tënd. Gëzohu, se paqja më ka sjellë prapë shëndoshë e mirë tek ty, dhe njerëzorja ka rivendosur atë çka babëzia u përpoq të rrëmbejë prej nesh. Mos u trishto, por buzëqesh, e dashura ime. Mos u shushat, se dashuria ka fuqi ta dëbojë vdekjen; magji që e pushton armikun. Unë jam ai, i vetmi yt. Mos më merr për lugat që ka dalë nga shtëpia e vdekjes që të vizitojë shtëpinë tënde të bukurisë.
Mos u tremb, sepse unë tani jam e vërteta, e shpëtuar nga shpatat dhe zjarri që t’i kumtoj njerëzve ngadhnjimin e dashurisë mbi luftën. Unë jam fjala hyrëse e dramës së gëzimit dhe paqes.
Atëherë vajza mbeti pa fjalë dhe lotët e tij folën me gjuhën e dashurisë; dhe engjujt e haresë mbetën pezull mbi atë banesë, dhe dy zemrat rikthyen besimin e hequr prej tyre.
Në agim ata dy qëndronin në mes të fushës duke soditur bukurinë e natyrës së lënduar nga shtrëngata. Pas një heshtje të thellë e ngushëlluese, ushtari i tha të dashurës së tij, « Shiko errësirën, që po lind djellin»
Shqipëroi Halit Beka (Methasani)
Nga origjinali: Peace, e Khalil Gibran.
Durrës, 26 Tetor, 2013
Jeratisja
Zoti e ndau një shpirt nga Vetvetja dhe e shndërroi në bukuri. Mbi të derdhi tërë bekimet, hijeshitë e mirësitë. Ai i dha asaj kupën e lumturisë dhe i tha:
«Mos pi nga kjo gotë, vetëm nëse harron të shkuarën dhe të ardhmen, sespe lumturia s’është hiçgjë veçse një çast». Ai, gjithashtu i dha asaj edhe një gotë me pikëllim dhe i tha: «Pi nga kjo gotë dhe do të kuptosh domethënien e çasteve të rrufeshme të gëzimit të jetës, sepse pikëllimi veç gëlon.»
Dhe Zoti derdhi mbi të një dashuri që do ta braktisë atë përgjithmonë me ofshamën e parë të kënaqësisë tokësore, dhe një ëmbëlsi që do të zhduket me njohjen e parë të lajkave.
Dhe ai i dha asaj mençurinë e qiejve që të çon në rrugën më të drejtë, e vendosi në thellësi të zemrës së saj një sy që shikon të padukshmen, e krijoji në të një dhembshuri e mirësi ndaj të gjitha gjërave. Ai e veshi atë me vellon e shpresës që doli nga engjujt e qiejve, prej penjve të ylberit. Dhe ai e fshehu atë nën hijen e hutisë, që gjendet në agimin e jetës dhe dritës.
Atëherë Zoti e mori zjarrin përvlues nga stufa e zemërimit, erën tharëse nga shkretëtira e padijes, rërat therëse nga brigjet e egozmit, tokën e ashpër prej nën këmbëve të kohërave, i përzjeu bashkë dhe me to jeratisi Njerinë. Ai i dha njeriut një fuqi qorre që e xhindos e shtyn atë në zemërim që shuhet vetëm para plotësimit të dëshirës, dhe i dha atij jetë, që është lugati i vdekjes.
Dhe Zoti qeshi e qau. Ai ndjeu një dashuri të madhe dhe dhembshuri për njeriun, dhe e futi atë nën udhëzimin e Vet.
Halit Methasani
Përktheu nga anglishtja e Khalil Gibran The Creation
Durrës, 30 qershor, 2013
Krimineli
Një djalë i ri me trup të fortë, i lodhur nga uria, u ul në pjesën e këmbësorëve në rrugë, duke u shtrirë dorën të gjithë kalimtarëve, lypte e përsëriste shtrirjen e dorës tek të gjithë, lypte e përsëriste këngën e trishtueshme të dështimit tij në jetë, ndërsa vuante nga uria dhe poshtërimi.
Kur erdhi nata, buzët e gjuha e tij ishin tharë nga etja, ndërsa duart bosh, si stomaku.
Ai e mblodhi veten dhe doli jashtë qytetit, ku u ul nën një pemë e filloi të qajë me hidhërim. Dikur i ngriti sytë në mëdyshje drejt qiellit, ndërsa uria po e gërryente përbrenda, e tha:
«O Zot, shkova tek pasaniku e kërkova punë por më përzuri ngaqë dukesha leckaman. Trokita në derë të shkollës, por s’më dhanë ngushëllim ngaqë isha duarbosh; kërkova çdo punë që të më jepte bukë, pos asgjë nuk vlejti. Në dëshpërim kërkova lëmoshë, por ata, besimtarët, më panë e thanë: «Ai është i fortë dhe përtac, e s’duhet të lypë»
O Zot! Është vullneti yt që nëna më lindi dhe tani toka më kthen prapë tek Ti, para kiametit.
Pamja e tij ndryshoi. U ngrit dhe sytë i vezulluan me vendosmëri. Bëri një shkop të trashë nga një degë e pemës dhe e drejtoi për nga qyteti, duke thirrur: « Kërkova bukë me gjithë fuqinë e zërit, e s’më dhanë. Nuk e fitoj me fuqinë e muskujve! Kërkova bukë në emër të mëshirës, por njerëzia nuk m’u përgjigj. Do ta marr tani në emër të së ligës»
Vitet që kaluan djalin e bënë grabitës, vrasës e shkatërruaes shpirtrash, i mposhti të gjithë kundërshtarët, grumbulloi mjaft pasuri, që ia kaloi atyre në pushtet. Admirohej nga kolegët, zili e kishin hajdutët, i tutej vegjëlia.
Pasuria e tij dhe pozita e rreme ngadhnjyen gjer tek Emiri që e caktoi mëkëmbës të tij në atë qytet, - procesi i trishtë pasoi me governatorë të pamatur. Vjedhjet u përligjën, shtypja u mbështet nga qeveria, ndrydhja e të dobëtit u bë normë; mizëria krehur e lëvduar.
Kështu i bën prekja e parë e egoizmit njerëzor kriminelët prej të përkulurve, bën vrasësit prej djemve të paqës, kështu rritet lakmia e njerëzisë e godet prapë njerëzimin me njëmijëfish.
Khalil Gibran: The Criminal
Përktheu nga Anglishtja HALIT METHASANI
29 qeshor, 2013, Durrës - Shqipëri

Freitag, 29. November 2013
Salih Zogiani - Anekdota 7
1. ATËHERË PO U KAJKA NANA TË GJITHËVE
Ishin shkuar do partizanë në Berishë të Drenicës. Duke shkuar në katund, e zatetin një çoban. Po e pyesin partizanët çobanin: - A e di kush jemi ne? - Jo, - u thotë çobani. - Ne jemi partizanë e po luftojmë që ta biem komunizmin. A e di çka është komunizmi? - Jo, nuk e di, - u thotë çobani. - Komunizmi, kur të vijë, ua kanë nanën krejt pasanikëve e i bën rrafsh me tokë. A po e merr vesh tash çka është komunizmi? - Po, tash e mora vesh, dhe u thotë: - Ne të tjerët e kemi nanën të kajtun, e pasanikëve po ua kajka nanën komunizmi, atëherë po u kajka nana të gjithëve.
2. E KANË VRARË BRAHIM HALLAQIN E S’PO E VRASIN KENEDIN
Kur u vra kryetari i Amerikës, Kenedi, nëpër oda flisnin dhe e pyetnin njëri-tjetrin me habi: - Si kanë mundur ta vrasin Kenedin? Në një odë, do arsimtarë e bisedonin këtë punë, duke thënë: - Si kanë mundur ta vrasin kryetarin e Amerikës me gjithë ato roja! Një plak i dëgjonte çka po flasin e qysh po e bëjnë kiamet, e dikur nuk u durua pa u thënë: - Po e kanë pas vrarë Brahim Hallaqin, burrë me dy palë mustaqe, që s’ka guxuar kush t’i dalë para, e s’po e vrasin Kenedin!
3. KUR S’DON-S’DON, KUR DON, TA MERR E TA ÇON
Një samarxhi i fshihte lirat në samar të vjetër, në dyqan. Një ditë, vjen një myshteri për të blerë një samar, kur nuk ish dugajxhiu aty po shegerti. I dhimbseshin paret të blinte samar të ri, po e blen një të vjetër, më lirë. Kur vjen dugajxhiu, po e sheh që nuk është samari i vjetër, e po e vet shegertin: - Ku është samari i vjetër? Kur i kallëzoj shegerti që e ka shitur, dugajxhiu ia nisi e po kërcen nëpër dugajë e po thotë: - Kur s’do, s’do! Mbas pak, kthehet ai myshteriu e po thotë: - A bën ta kthej samarin e vjetër, e të marr një samar të ri? - Bën, po qysh s’bën, - i tha dugajxhiu dhe menjëherë ia dha samarin e ri e s’i mori pare të tjera. Si u largua myshteriu, dugajxhiu ia nisi po kërcen, e po thotë: - Kur don-don, ta merr e ta çon!
4. ASHT VAKTI ME E MJELË LOPËN
I kish pas zënë hyqymeti dy veta në hajni. Njëri kish pas vjedhur lopë, e ai tjetri sahate. I kishin pas çuar të dytë në burg, në një dhomë. Ai hajni i lopëve kishte qenë ngucakeq. Shpeshherë e ngucte, me fjalë, atë shokun e vet, e i thoshte: - A thue sa asht sahati? Demek që ka vjedhu sahate. Njëherë ai nuk i kthente përgjigje, po kur ia teproi, edhe ky ia nisi t’ia kthente përgjigjen. Njëherë, kur e pyeti ai, - a thue sa asht sahati?, - ky ia ktheu: - Nuk e di se sa asht sahati, po asht taman vakti m’e mjelë lopën.
5 .NË TË MBETTË ZHIG PËR VËLLA, TA JAP ZENËN TIM
Njëri shkon ta shohë një mik, se kish dëgjuar që ishte shumë i sëmurë. Kur e sheh se ai miku ishte kthyer për atë dynja, e pyet: - A po të mbetet zhig ndonjë send për këtë dynja? - Po , - thotë miku, po më mbetet zhig për dy sende: E para, që s’e kam parë babën, se më ka vdekur para se të lindja unë dhe, e dyta, ta kisha pasur një vëlla. - Për babë, ishalla e gjen në xhenet, e sa për vëlla, që të ka mbetur fort zhig, po ta çoj do ditë Zenën tim, që të qet fare me çka ke, e të hiqet meraku i vëllait menjëherë, - i thotë miku
6 .NËSE NUK KAM HI FELLË, PO DU ME DALË
Njëri shoqërohej me disa shokë gjakovarë, që ishin në tarikat të dervishëve. Ata, duke e lavdëruar tarikatin, ia mbushën mendjen që edhe ky të shkonte në teqe e të pranonte të hynte në tarikat. Një ditë, shokët e çojnë te shehu, e ai i thotë: - A ke mendu mirë, se me ba vaki e me u ba pishman, të gjen ndonjë taksirat. - Jo nuk pendohem, se më kanë bindë shokët, - i thotë ky dhe hyri në tarikat. Kur morën vesh familja e tij, zunë ta qortonin ashpër dhe i thanë, ose të largohej nga tarikati, ose të izolohej nga familja e farefisi. Ky u detyrua të shkonte te shehu, po shkonte me turp, se ishte penduar dhe me frikë se mos po e gjente ndonjë fatkeqësi, qysh i kishte thënë shehu. Kur hyri në teqe, iu drejtua shehut e i tha: - Baba sheh, unë kam hyrë në tarikat para disa ditësh, mirëpo familja nuk po pajtohen kurrsesi. Erdha me të vetë, a ban me e këqyrë e me m’tregue: - Në koftë se s’kam hy fort fellë, e kam mendjen me dalë.
7. SHKO E MERRU VESH ME MULLIXHINË
Njëri, sa herë që bluante në mulli, kur e binte miellin në shtëpi, gruaja i gjithmonë i gjente behane, duke i thanë: - Ta paska blu butë, ja ta ka blu egër, ja trashë, ja fort im, e kurrë nuk ia begeniste blojën. Një ditë, duke e çuar ky gruan te miqtë, i ra nga mulliri, i ndali kuajt para mullirit, e i tha gruas: - Çu e shko n’mulli, merru vesh me mullixhinë, se qysh me ta blu millin, se kurrë nuk po të doket mirë, e m’ke lodhë tuj m’kritiku.
Reportazh - Nëpër Kosovën heroike
Nga Luigj Shyti
Gjurmës së rrugës “Adriatik - Alpe”
Dëshira për të shkuar dhe për të vizituar Kosovën, Kosovën heroike, Kosovën martire ku edhe çdo fije bari e ka rrënjën në gjakun e shqiptarëve të derdhur në shekuj, është e gjithhershme.
Në mëngjesin e një dite vjeshte, të freskët, por me diell, një grup nga Shkodra të përbërë prej 35 vetë gra e burra, nëpërmes luginës së Drinit i drejtohemi tokës kosovare. Deri në digën e hidrocentralit të Komanit udhëtojmë me autobus. Rruga kalon pa i ndier në mes bisedave të këndshme, herë serioze dhe herë me shakatë Dr. Pjerinit, Filipit, Karlos, Verës, Ndues, Gjystes, Agronit etj. Buzës së liqenit të Vaut të Dejës rruga ndjek konturet e kodrave dhe maleve që e rrethojnë. Nga Shkodra deri në Koman janë 437 kthesa dhe 173 ura e mbikalime ujore. Në digën e Komanit, Nikolini, ish nxënësi im na afrohet, na përshëndetë dhe na qerasë me disa fruta vjeshte që po i tregtonte aty.
Pas një pushimi të shkurtër aty, fillojmë udhëtimin drejt Tropojës, por tashti me traget. Në krahasim me rreth 2 muaj më parë, kur më takoi të udhëtoj me këtë traget, pronarët e tij kishin bërë mjaft përmirësime për kushtet e qëndrimit të udhëtarëve.
Megjithëse kohë e freskët shumica e udhëtarëve qëndrojnë në kuvertë për të parë bukuritë natyrore që të mundëson ky udhëtim.
Udhëtimi ynë për në Kosovë ka për qëllim që të bëjmë një shëtitje turistike në disa qytete e pika turistike dhe promovimin e librit “Korridori Adriatik – Alpe Lugina e zhvillimit” të shkruar nga Filip Guraziu, Karl Kamësi, Anton Leka dhe Eqerem Ago, në të cilin përfshihen projekti për ndërtimin e kësaj rruge si dhe shumë shkrime e mendime për këtë rrugë nga studiues, bashkëpunëtorë e dashamirës të këtyre zonave. Pra ne po udhëtonim në gjurmën apo sa më afër saj nga parashikohet të kalojë kjo rrugë.
Diskutimi mbi kuvertën e tragetit është energjik, optimist dhe konkret. Këtu, anës së liqenit, do të hapet rrugë e re nga Markajt deri në digën e Komanit – thotë Filip Guraziu, sepse duam që zona e Nikaj-Mërturit të lidhet më të.
Në gryken e lumit të Shalës, atij të Mërturit, por edhe në disa përrenj të tjerë do të ndërtohen ura të fuqishme. Rreth tyre grumbullohen edhe udhëtarë të tjerë të rastit, dëgjojnë e pyesin me kureshtje.
Një djalë i ri dhe që dukej i kulturuar, i afrohet ngadalë Filipit dhe me respekt dhe ngadalë e pyet:
- O xhaxhi, a do shumë kohë ndërtimi i kësaj rruge ?
- Sipas studimeve tona kjo rrugë mund të përfundojë për afro 3 vjet, - përgjigjet
ai.
Në fytyrën e djalit u duk një shkëlqim drite dhe sytë i holli në Shkëmbin e Rajës, afër të cilit po kalonim. Me siguri mendja e tij ëndërronte nëpër këtë shkëmb një rrugë të gjerë e të mirë përgjithmonë. Unë e pyeta këtë djalë se nga vinte dhe ku po shkonte. - Kam lindur dhe banoj në Durrës, por familja imë ka prejardhje nga Tropoja dhe po shkoj te të afërmit e mi. Unë i gëzohem këtij projekti dhe kësaj rruge, -shton ky djalë për të cilin më vjen keq që nuk e pyeta për emrin.
Me ne udhëtonin rastësisht edhe disa kosovarë që po ktheheshin në shtëpitë e tyre , të cilët dëgjonin dhe shikonin më shumë vëmendje.
Trageti ndalon pa arritur në Dushaj sepse prurjet e përrenjve dhe lumenjve anësor kanë grumbulluar materiale që pengojnë lëvizjen e mëtejshme të tij. Gjithnjë e më shumë do të mbushet liqeni e prandaj është e domosdoshme rruga automobilistike buzës së tij për të pasur komunikim të përhershëm.
Në anën e majtë të lumit Valbona, përballë qytetit Bajram Curri shtrihet një fushë e gjerë – Cernica. Ky emërtim është shumë i hershëm dhe tregon një vend të errtë nga pylli i dendur. Bile edhe emri i lumit Valbona del diku Cernica e që mesa duket nga që rrjedh nëpër gryka të ngushta e në hije dhe uji duket më i errtë. Në fillimet e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e më vonë Cernica u shpyllëzua, u mbollën pemë e kultura të tjera bujqësore. A ishte veprim i mirë apo jo i mirë është tjetër punë, por sot dukej si e shkretuar, toka djerre,pemë të radhuara, të prera, të thara, ndonjë lopë apo dele që kullotë ngeshëm të kujdesuar nga ndonjë plak a plakë.
Bashkudhëtari ynë por edhe bashkautori i librit, Eqerem Ago, mësues në pension së pari e ka filluar punën në Abat të Shalës në vitin 1953. Për herë të parë -thotë ai , kam pirë raki te frati në kishën e Abatit së bashku me kolegun tim të asaj kohe Beqir Broci, pastaj kam punuar në Pog e Mgullë dhe ruaj kujtimet më të mira e kam shumë respekt për popullin e Dukagjinit. Edhe unë –thotë Dr. Pjerini kam punuar në Dukagjin dhe ruaj kujtimet ma të mira për atë popull. Po ju tregoi diçka – vazhdon ai: Dukagjinasit janë shumë të gjendur në rrezik dhe në nevojë, mjafton t’u flasësh hapur. Vetëm me një fjalë timen u nisën 30 burra në një ditë dimri, nëpër borë dhe furtunë për t’i dalë përpara Ali Spahisë në Qafë të Tërthores të cilit i rrezikohej jeta kur po vinte nga Shkodra, sepse në atë kohë ishte me punë në spitalin e Bregut të Lumit.
Diku në një lëndinë në buzë të rrugës që të çon në Qafë të Morinës së Tropojës është një hotel në mes të gjelbërimit i ndërtuar rishtas. Nga larg shikojmë emrin e këtij hoteli “EL-FA-GE-SA” që sado u përpoqëm nuk arritëm që ta zbërthenim. Ulemi të pushojmë dhe Kujtimi, pronari i tij na pret me dashamirësi. E pyetëm edhe për emrin e hotelit. Ne jemi dy vëllezër që e kemi ndërtuar këtë hotel – thotë ai. Ato që shikoni ju janë shkronjat e para të emrave të emrit të katër fëmijëve tonë. I urojmë jetë të gjate fëmijëve dhe familjarëve të tjerë e suksese në punë dhe nisemi për rrugë. Pas pak hyjmë në një rrugë të re. Kjo është rrugë në zbatim të projektit tonë , na thotë Karloja, janë bërë 14.5 km duke filluar nga Qafa e Morinës, por me pak kujdes do të eliminoheshin shumë kthesa dhe duhej bërë më e gjerë duke llogaritur trafikun që do të kenë kjo rrugë, vazhdon ai.
“... O Kosovë o mriz me zana ...”
Jemi në Qafë të Morinës, 566 mbi nivelin e detit. Përpara syve tonë shpaloset Kosova e pamposhtur me fushën e saj të paanë, me njerëzit e saj të paepur, me erën e barotit dhe të shkrumbit të luftës së pamëshirshme të pushtuesve serb, me rrënojat - simbole të luftës, me varret masive, por edhe me përpjekjet për rindërtim e ndërtim të vrullshëm, për mbijetesë dhe gjallërim të jetës.
Po, “ ... O Kosovë o mriz me Zana,
Pesëqind vjet tuj pre sulltana...”
është e vërtetë si drita e diellit dhe komentet e mëtejshme janë të tepërta.
Ndërsa po udhëtonim në tokën kosovare, në drejtim të Gjakovës, në anën e majtë, në Golaj, përpara syve tonë na shfaqet një varrezë masive me trupat e vëllezërve tonë kosovarë të vrarë e të masakruar nga pushtuesit serb. Kaq shumë kurora ka këtu sa duken sikur kanë mbirë nga gjaku i tyre dhe kanë dalë nga dheu. Në autobus bie heshtja e sytë e të gjithëve mbetën aty deri sa qafa nuk e duroi më.
I pari që na pret në Gjakovë është Halil Ahmeti, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i shoqatës “Drini” Gjakovë-Shkodër, shumë dashamirës dhe i thjeshtë si në paraqitje dhe në komunikim.
Kur po pinim kafe, buzë lumit, burimi i të cilit është diku nga mali i Shkëlzenit, shikojmë të shkruar në një mur të ndërtuar thjeshtë e bukur, aty përballë fjalët-kushtrim të Sulejman Vokshit:
“ Në trojet tona jem tash mijëra vjet, një atdhe e kemi, Shqipërinë amanet”.
Vendosemi në një hotel që sapo është ndërtuar, në të dalë të Gjakovës për në Prishtinë, që mbante emrin “Elba” dhe që është një lumë në Gjermani e me sa duket pronarët e tij kanë ndonjë lidhje me këtë lumë, emigrimi apo ndonjë gjë tjetër.
Të nesërmen udhëtojmë për në Prishtinë. Rruga është pak e gjatë por s’ndjejmë lodhje. Prishtina është një qytet që po ecën shpejt në të gjitha drejtimet. Shëtitim nëpër rrugët e saj dhe shikohen ndërtime të reja e te vjetra të harmonizuara me njëra tjetrën.
Në një nga rrugët kryesore të qytetit, pothuaj ngjitur më Bankën e Kosovës që është një ndërtesë shumëkatëshe dhe bashkëkohore, ndodhet monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeu i vendosur mbi shpinën e Kalit e me shpatën e zhveshur në dorë. Piedestali i tij është i vendosur mbi imazhin e qelesheve të bardha e të rrumbullakëta, simbole të malësorëve shqiptarë e që thuhet se e pati brenda përkrenares së vet, një gjetje shumë e bukur e skulptorit. Pak metra më tej, në të djathtë të tij, në një lulishte është e vendosur shtatorja e Nënë Terezës. Ajo duket sikur te flet, të mëson e të tregon rrugën e vërtetë dukë rrezatuar dashuri e bashkëpunim.
Në një tavolinë të vogël një djalë i ri kishte ekspozuar për tregti disa gurë mineral. Ai tregon gjallërisht se ku janë marrë. Ky është gurë mineral nga Trepça, në horizontin tetë, ky është në horizontin .... etj – vazhdon ky djalë.
Pas dite udhëtojmë për në Prizren. Arritëm pasi qe errur. Është qytet i vjetër që zhurmon nga njerëzit dhe makinat. Përmes tij rrjedh lumi që ja shton bukurinë e që buron në malin e Sharrit. Në anën e majtë të lumit është shëtitorja tradicionale . Fillimisht na u dukën pak njerëz që lëviznin në atë rrugë, por aty rreth orës 20 filloi e u mbush plot e përplot, por ishte veçori se pothuaj të gjithë ishin të rinj.
Ndërsa po qëndronim në urën karakteristike të Prizrenit që lidhte dy brigjet, pran nesh kalon ngadalë një makinë prej të cilës vinin tingujt e një kënge të dhimbshme që bën fjalë për masakrat e serbeve ndaj popullsisë e qëndresën e kësaj të fundit:
“... Amanet moj motra ime,
Mos mbaj zi për jetën time...”.
Në hotel “President” në Gjakovë zhvillohet promovimi i librit. Ai është më shumë se promovim. Është një thirrje, është një këmbëngulje për ndërtimin e korridorit Adriatik – Alpe sepse rrugët janë arteriet e jetës. “Ky projekt – tha një folës nga Kosova, tregon se jemi gjallë, se dimë të projektojmë e ndërtojmë”. “Globalizimi i këtij mijëvjeçari duhet të na gjejë me kulturën e historinë tonë kombëtare” – tha midis të tjerash akademiku Nexhat Daci ish kryetar i Kuvendit të Kosovës, pjesëmarrës në tubim.
Amaneti i babait ...
Duke udhëtuar për në Prishtinë, pasi kishim kaluar kryqëzimin që të çon në Pejë, një makinë e vogël na parakalon dhe bën me shenjë që të ndalojmë. Enveri, shoferi ynë, ul shpejtësinë dhe ndalon afër asaj makine dhe disa zbresim nga makina. Nga makina e vogël dalin dy djem të rinj njëri rreth 30 vjeç dhe tjetri më i ri. Në dorë mbajnë disa pako që pas pak e morëm vesh se ishin të mbushura me ëmbëlsira. Po shikonim me kureshtje. Djali që ishte më i madh nisi të flasë. Unë jam gjakovar, quhem Faton Pozheku dhe ky është vëllai im. Nuk ju njohim asnjërin, por njohëm makinat nga targat se ishin shqiptare. Kam një amanet nga babai im që e quanin Xhafer, sepse tash nuk jeton më, që më ka thënë: “Kudo që të takohesh më shqiptarët e Shqipërisë t’i respektosh sa të jetë e mundur”. Ne jemi pas makinave tuaja sapo morëm vesh se jeni nisur në këtë rrugë – thotë Fatoni dhe të gjithëve më këmbëngulje na qerasë me ëmbëlsirë nga dyqani i tij të bërë posaçërisht për miq. Është amaneti i babait – përsëritë ai e fjala i ngecë në fyt disi sepse sytë i u mbushën me lot. Gjashtë orë kam qëndruar nën shkopinjtë e ushtarëve serb vetëm se i dhashë një cigare duhan një shoferi shqiptar – thotë pas pak Fatoni.
Ne u ndamë nga këta djem por kujtimi e amaneti i babait të tyre erdhi me ne.
Në shtëpinë e Lidhjes...
Kur hymë në oborrin e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit na gjendet përpara një burrë rreth të 50 –tave, i mbajtur, i thjeshtë dhe komunikues. Quhej Muzafer Muharremi, nga ky qytet, teknolog me arsim të lartë të mbaruar në Zagreb në vitin 1978.
Unë nuk jam punonjës i muzeut – fillon bisedën ai, por e pashë që erdhët e në këtë kohë nuk është vetëm roja këtu, dhe dëshirova që t’u tregoi ndonjë gjë, aq sa di unë për këtë vend. Pastaj vazhdoi, dikur, në lashtësi, siç tregojnë gojëdhënat, këtu ku është ndërtuar qyteti ishte një vend i mbuluar me therra (ferra) dhe quhej “Therranë” që do të thotë therra e anës.
Në oborrin e shtëpisë së Lidhjes shikojmë një burim uji, të sistemuar, që ndahej në dy degë e përsëri bashkohej nga fundi i oborrit. Brenda këtyre degëve oborri është i shtruar me kalldrëm. Myzaferi e pa që na tërhoqi vëmendjen prandaj na shpjegoi: -Këto dy degë simbolizojnë bashkimin Gegë e Toskë. Ndera ai fliste unë shikoja kalldrëmin që rrethohej nga këto degëzime e më ngjasonte me “kokrrat e shegës” të të madhit Gjergj Fishta:
“... Mej bashkue Toskë e Gegë,
Porsi kokrrat që janë në shegë...”
Tre herë është djegur kjo shtëpi – vazhdon Myzaferi, dhe gjithmonë është rindërtuar sipas origjinalit. Djegëja e fundit ka qenë me 10 maj 1999 nga serbët, të cilët pastaj e rrafshuar dhe në themelet e saj mbollën lule që të humbej çdo gjurmë e saj. Sapo përfundoi lufta ndërtesa e parë që u rindërtua ishte kjo shtëpi dhe u nderua për një javë. Ngjitemi në katin e dytë dhe shikojmë një dhomë jo të madhe, e mobiluar thjeshtë si koha që ishte. Duke u endur nëpër të sikur dëgjoj edhe në këtë moment tek flet, midis të tjerëve, edhe Mark Lula i Shalës, diku nga një qoshe e kësaj dhomë të vogël por që bëri emër të madh.
Në Çarshinë e Gjakovës...
Po shëtitnim nëpër çarshinë e Gjakovës dhe shikonim ndërtesa të një modeli të vjetër të ndërtuara rishtas, dyqane të vegjël, dyer dhe dritare karakteristike, tamam për një vend si ky. Ishim para përmendores se Lidhjes së Prizrenit. Nga një kafe afër saj ngrihet një burrë, diku 45 vjeç, lë në tavolinë disa të afërm që së bashku po pinin kafe, dhe na afrohet. Quhet Osman Gojani, drejtori i monumenteve të kulturës së Gjakovës. Pas përshëndetjeve të rastit filloi të na fliste:
- Ky monument afër të cilit jemi, është ngritur në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, pra në vitin 1978, por serbët e shkatërruan me eksploziv më 13 maj 1999, por u rindërtua në 125 vjetorin e Lidhjes, pra në vitin 2003. Lufta në Gjakovë – vazhdon Osmani, filloi me 24 mars 1999 në mesnatë dhe brenda kësaj nate u dogjën 426 objekte të pazarit të vjetër dhe shtëpi karakteristike, përveç objekteve të tjera. Të gjitha rindërtimet janë bërë sipas origjinalit, pasi kemi pasur projektet e plota dhe në prag të luftës i kemi groposë në tokë në themelet e shtëpive, -thotë ai. Çarshia e Gjakovës është djegur katër herë dhe gjithnjë është ndërtuar sipas origjinalit.
Shikoni atë shtëpinë atje, dhe Osmani bën me dorë drejt një shtëpie të veçuar midis të tjerave, është shtëpia e Sulejman Agë Vokshit. Edhe ajo u shkatërrua nga serbët por e rindërtuam.
Plaku 84 vjeç...
Përball hotel “Pashtrikut”, në një lulishte të bukur është një gurë i madh, natyror, i pagdhendur, i vënë nga duar të kujdesshme. Në anën jugore të tij është vendosur një pllakë e thjeshtë në formën e hartës së Kosovës në të cilën shkruhet:
“ Në parkun memorial të qytetit “Dëshmorët e kombit” në Komunën e Gjakovës do të ngrihet kompleksi me vlera të luftës së UÇK-së.” Kjo pllakë është vendosur me 31 dhjetor 2005
Në të djathtë të këtij guri , në një shtyllë të lartë valëvitet flamuri shqiptar. Afër gurit në një nga stolat e kësaj lulishteje qëndronte një burrë i vjetër, i veshur thjeshtë por pastër, më një shkop në dorë që e tundte herë pas here. Në kokë mbante një kapuç (qeleshe) të bardhë si bora, të rrumbullakët, mbi ballin e tij tërë rrudha në të cilat janë skalitur gjurmët e jetës. I prezantohem dhe i kërkoj leje që të bisedojmë me të. Ai pranoi dhe së pari e pyeti për moshën dhe emrin.
-Jam 84 vjeç dhe quhem Imer Smajli, jam nga Morina. Gjatë luftës serbët më vranë djalin dhe që nga ajo kohë banoj në Gjakovë. Kollitet pak dhe disi e ngre zërin më lartë duke thëne: - Shqiptarët e Shqipërisë kam qeft me i pa si me pa vëllain ose mixhën (axhën). Me gazetarët a shkrimtarët, a si po u thonë, nuk jam fort i kënaqur sepse i ndryshojnë fjalët. Edhe për Marie Shllakun nuk i kanë shkrua si duhet dhe si është e vërteta. I ri kam qenë, por Marien e kam njohtë e takuar në shtëpinë time sepse familja ime ka qenë me ata që ka qenë edhe Maria. Në një libër për Marie Shllakun, këmbëngul Imeri, ata që nuk kanë punuar, ose kanë punuar keq i kanë paraqitur si dëshmorë.
Mirdita...
Gjatë zhvillimit të tubimit dhe të drekës në Gjakove, në tavolinën tonë, për të na krijuar një mjedis sa më shoqëror, kërkojnë leje dhe ulen një djalë i ri e i mirë që quhej Hysni Ademaj me nusen e tij Mirdita dhe shoqen e saj Suzana Ahmeti, bashkëshortja e Halil Ahmetit. Suzana është një grua e qetë, e thjeshtë që më shumë dëgjonte se sa fliste. Hysniut nuk i zinte vendi vend që të na krijojë një qëndrim sa më të mirë.
Mirdita është një grua e re, e mirë, e shkathtë, e ëmbël, që kishte dëshirë të na pyesë në dhe gratë tona, por edhe të flasë thjeshtë, pa mendje të madhe. Ishte mësuese në shkollën e mesme të Gjakovës.
-Kam jetuar një vit në Tiranë gjatë luftës dhe jam shumë e kënaqur.
Na tërhoqi emri i saj, prandaj e pyes se nga e ka rrjedhën.
- Unë jam prishtinase, por dashurin, shokun e jetës e gjeta në fshatrat e Gjakovës dhe jam shumë e lumtur për këtë. Babai im, -vazhdon ajo, ka mbiemrin Mirdita, sepse rrjedhim nga Mirdita, dhe për ta trashëguar dhe shtrirë sa më shumë, kur jam lindur më vuri emrin Mirdita. Ndjehem shume krenare për këtë emër, thotë Mirdita me vendosmëri.
... Ç’janë këto gjamë që po i bie era...
Gjatë udhëtimit nga Prizreni për në Gjakovë, në anën e majtë është Rugova historike, heroike, Rugova me bukuritë e saj të papërsëritshme, me Rugovësit e saj të fortë si shkëmbi për të përballur sfidat e jetës.
Ndërsa po udhëtonim dhe disa po flisnin për Rugovën, mua më vinë në mendje fjalë të një kënge shumë të vjetër, ndoshta mbi 200 vjeçare, që e kisha dëgjuar nga gjyshi e baba im, e që në Dukagjin këndohet si këngë maje krahu:
“...Ç’janë këto gjamë që po i bie era,
Luftë po bajnë Rugova e Peja......”
Kjo këngë bën fjalë për kohën e pushtimit turk kur qendra e Sanxhakut të Dukagjinit ishte në Pejë e Rugovësit kundërshtonin padrejtësitë që i bëheshin prej tij. Por edhe më vonë , në çerekun e parë të shekullit të kaluar, shumë Rugovës, por edhe më gjerë, detyrohen të lënë trojet e tyre nga terrori serb duke gjetur strehë në shtetin amë, e përsëri doli kënga:
“ ..............................
Zot ça bani Rugova e shkretë,
Zot ça bani e shkreta Rugovë,
Ka marrë ikën për i shokë borë,
Ka marrë ikën e ka dalë n’Shqipni,
Po shkrue letra e çon n’Serbi,
Thuaj Serbies ma sheh sherrin,
Ta shkyej postin e ta këputi telin,
Ti za grykat e ta vras asqerin...”
E do të duhej të vinte fundi i mijëvjeçarit të dytë e të agonte i treti që përfundimisht Serbisë ti shkyhej (grisej, copëtohej) posti e ti këputej teli, ti ziheshin grykat e ti vritej asqeri.
Mirëupafshim Kosovë...
Kur rrezet e diellit në mbrëmje përarojnë majat e maleve, të nesërmen do të jetë ditë e mirë. Edhe kur ne po largoheshim nga toka Kosovare, dielli kishte përaruar majën e malit të Pashtrakut. Me siguri nesër do të jetë ditë e mirë.
Natën e mirë Kosova trime e punëtore.
Mirëupafshim !
Tetor - 2006
Abonnieren
Posts (Atom)