Samstag, 28. Juni 2014

Hamit Taka - Poezi


-Cikel nga Veriu

SI YLL VERIOR

Jugun e ndrrova me Veriun
Kjo ishte një ëndërr e vjetër
Nga Eposi i Kreshnikëve më lindi
Me vargje të shkruar në letër;...


Dikur shkëlqeja si një yll jugor
Në katund lexonin botimet e mia,
Dhe atij që mblidhte gërmat me dorë
Zemra i ndizej nga dashuria;

Ti pi lëngun diplomës sa dalluar
Dhe Medaljes që gjoksin ma ndrin:
Ah, kjo medalje, më thoshte nëna
Si skifter ta ha mushkërinë;

Po, nejse, prapë s’jam dhe aq keq
Si bëhet gjakmarrja e mësova
Dhe se vajzat shiten e blihen
Këtë veç këtu e dëgjova;

Po prapë ky pasioni përvëlues
Më djeg në zemër e damarë,
Si trëndafil i celur bubullues
Më del para një vajzë në acar;

Babait, o Zot, si t’ia themë
Të më dërgojë sa më shpejt ca para
Të ishte për nënën menjëherë
Do t’m’i dërgonte kursimet që ka;

As vajzat e lira s’i prekim dot më
Sot shteti ka ligje të rrepta
Po u lidhe me njërën dot nuk e lë
Në brazdë do t’më kalojë rinishkreta;

Sa për zakone nuk jemi aq larg
Pleqtë i nderojmë si shenjtorë
ç’do gjë bëhet me urdhër, komandë
Dhe Zotin e zbuam si një horr;

Oh, lamtumirë fëminia ime!
Adoleshencë, me tinguj harbuar,
Tani ndaj shtetit kam shumë detyrime
Nuk rend dot më fushës i harbuar...

Nënës i thartohet brumi në magje,
Mbi gazetë mbledh gërmat me dorë
Lodhet e shkreta e s’më gjen dot në vargje
Po prapë unë do të ndris si një yll verior;

 
 
VARGJE TE STISUR

Lashë kujtimin e nënës dhe jugën e butë…
Lamtumirë, nënë, ti prehu e qetë!
Për sytë e bukur të vendlindjes dhe të tutë
Zemra ime ngaherë plagë do të ketë!

Por nuk do të thurr më vargje të stisur
Për heroizma që bardët na shesin,
Do të këndoj agimet dhe përrenjtë e krisur
Që prej malit orteqe të bardhë zbresin;

Me bredhat e çveshur si shpata ngulur
Do të pikturoj vjeshtës peizazhin verior,
Do të vizatoj shtatë liqenjtë e Lurës
Nën një tis të verdhë hënor;

Do të këndoj borën, gjithçka që ndrin
Mbi një grimasë të akullt ylberore
Dhe atë jetë të gjallë, që poshtë lëvrin
Me mijra tinguj e këngë gazmore;

 
 
NE LURE

Mërmërit liqeni… Mbrëmje e qetë…
Feks pishnaja dritargjëndi
Nën një trishtim të butë, të lehtë
Zambakët hëna krejt i çmëndi;

Ti, fryj, puhizë njomështie!
Thuaja këngës, ti gjethnajë!...
Një thikë ma jep këtu në ije
I ftohti alpin shpejt do t’më hajë…
 
JUGE E BUTE

Një brengë malli më përpinë
Për vëndlindjen larg në Jug.
Dal e pres në një kodrinë,
Pres e pres jugën e burtë;

Damarët, shpirtin të m’i shkrijë,
Të sjellë vlagën për të mbjellë;
Breg më breg kur të arrijë
Aromën e nënës të më sjellë;

Aromën e ftoit në sepete,
Aromën e leshrave të rime,
Gjithë aromat që ka mbi vete
Futa blu e nënës sime.

* * * * * * *
“Përkundu, përkundu, varka ime”
Mbi ujanën rozë të Ulzës!
Ç‘mbrëmje-ëndërr, çfarë vezullime
Prekin lehtë flatrat e muzës!

Ç’kodra të gjelbra kaçurrela!
Ç’njomështi! ç’blerim hare!
Do pikturoj një varg manierash,
Do të krijoj një fe të re;

Eja, vashë e ylbertë jugore,
Në këtë magji-parajsën time,
Do të vesh me dritë yllore,
Me mëndafsh të luleve alpine!

Do të njoh me shtojzavallet
E Laçit, Bruçit dhe Urakës,
Do të shikosh duart e hënës
Se si shtyjnë velat e varkës;

Diga vetë do t’i japë çelsat
Të ndezësh dritat nëpër vargje,
Konstelacione yjesh do të zbresin,
Do kthehen befas në smeralde;

Përfund liqenit do të vallzojmë
Si ngjalë ti, unë si delfin,
Këngë turbinash do të dëgjojmë
Një brengë malli pa shërim;

Kjo bukuri që më mallëngjen!
Ky binom natyrë-njeri!
Në dhëmbje shpirti po ma ndjen
Se nuk do të kthehem më tek ty…
 
DO LE JUGUN, DO ZE VERIUN

Ah, e lodhshme fort jeta në Jug,
Mbjellje në vjeshtë, korrje në verë,
Në verë zheg e qiej të bruztë,
Në dimër shi, furtunë dhe erë;

Pa variacion, o jetë, më plake
Para kohe në monotoni.
Jo unë jetën s’e kam dhuratë
Rininë fushës t’ia bëj fli;

Do lë Jugun, do kap Veriun,
Do të blej një palë ski;
Dua borën, cingërimën,
Pranë oxhakut dimrit të rri;

Mish të tharë e të tymosur
Do të gatuaj në poçe balte
Dhe nën qiejt e çngjyrosur
Do t’i thurr unë bjeshkës vargje;

 
 
UJVARAT E BULQIZES

Ah, në Bulqizë kush ka qënë
Në pranverë, në prill e maj
Dhe mbresa, brenga s’i kanë lënë
Ujvarat si vajzat e saj!

Si ortekë nga malet hidhen,
Nën diell ndrijnë-harqe ylberi;
Kur prekin tokën treten, mblidhen
Pikla-pikla si lotë dreri;

Pastaj ecin luginës shtruar,
Gjarpërojnë në lugje, shtigje
Duket sikur janë penduar
Që lanë malet brigje-brigje;

 
 
JAM RRITUR NE MALE

Jam rritur në male me pyje e me borë,
Endërrat e mia mbajnë aromë trëndelinë;
Kam mbledhur me grushta qiellit vjeshtor
Yjet, që me dritë ma mbushën shtëpinë;

Jam rritur në kodra ku kullotat i kreh era
Dhe flladet trazojnë trifilin fije-fije,
Ku sorkadhja kërcen me lëvizje të prera
Në kërkim të partnerit me hove dashurie;

Jam rritur në fshat me bujq e blegtorë
Kam korrur grurin e thekrën duaj-duaj;
S’e mbaj mend ç’muaj, ishte maj a qershor,
Kur në lëmenj kam shirë drithin me kuaj;

Lëndina buzë përroit mbushur luleshqerra
Ishte qilim i butë, ku dielli pranë më ulej,
Me gishta më shpurpuriste leshrat kaçurrela,
Të më merrte në gji, mbi mua ai përkulej;

Në gjirin e natyrës kam lindur e jam rritur
Kënga e laureshës më ka nanurisur,
Ndan një gurre, ndan një shtegu duke pritur
Atje unë këngës herët ia kam nisur…

Freitag, 27. Juni 2014

Fran Ukcama - Kosovës duke iu ngjitur në maja


UDHËRREFIMTARI IBRAHIM RUGOVA 
 
Ai, ënderrimtari,
Gandi i kohrave moderrne,
Themeletari i historisë re
Prijës urtar, gojtari i kohes,
Kur Konopi n`fyt iu kput Kosoves,...

Shallin në n`qafë liroi për vete,
Ideor e folozof,
Në shtërngimet e shtërngatat,
Dhe mbi dimnat me rrufe,
Mendjen vuni busull të drejtes,
Presedenti i Republikes,
Fluturim si shqionjë,
Mbet mbi qiejt e Shqiptarisë,
Dje dhe sodit,
e përgjithmonë,
Si mbi det ndriçon fanari
Brezave udhërrefimtari,
në Altarin e naltë të Kombit!

 
 
AZEM SHKRELI DETI I BJESHKËS

Sot u nisa udhëve të Shkrelit, gjurmë më gjurmë pas milingojës,
Nuk po mbledh kokërrërra gruri, por fara vargu, fara fjale,
Urat, ylberet e qiellit, luginës së Drinit të Bardhë,
Me duhamën e Valbonës, laj figurat në rrueza trofte,
Ndjek një varg, gjëj një shteg , po lyp Detin n` zëmër të bjeshkës,
Deti, ku ma i bukuri diell, përshndritë vargje e poema,
N` Lugje të Verdha, n` vegshë orteku, gjëj tregimet dhe romanet,
Shkruar në vetull të nji shkambi, mbi gjoks ahu e çetine,
Fletorja, një bli i bardhë, ku bilbiliat kangët s`i prajnë,
Ku shungllon lahuta e motit, ku kreh telat n`erna lira,
Ku më merr jela e gjogut, Bjeshkeve t`Nemuna, tej në prehnin e artë të hënës,
Me gurgullimë shpirti ,motit ka skaliti të nesermen, zemra e madhe e poetit..
Hurb në gurrën e pashterrur, hurb e s`ngijem, mbes i etur,
në ujëvarat si bistekë, gurrave ku lodrojnë shqerrat,
lëshuar shpatesh mbi lulënaja , po kthej fisit ku guf ama,
ulem e puth lulet e majit, më deh aroma e bëhem bletë,
krahët i mbush nektar frymëzimi, e marr kurmin prej profetit ,
varse ari në shpirtin tim , një qershi më çel pranverë,
gajtan dredhëzash e boronicash, zanat që i dashuroi, Ai,
metaforat, gjithë lloj ngjyrash, mbetem, dehuri, i lumturuar,
sot që solla mbi krah fluture, ndezur unorit dhe eshkës,
vargun e drojtur, flakë i skuqun, si nxënsi para mesusesit,
Mësuesi i Madh, që në libra mbolli,vajin dhe gazin e Kombit,
njomi shpirtin nepër vise me visare, dritëzat si farëzat e jetës , ku kumbojnë,
aq sa Fusha e Kosoves, aq sa Prishtina me rrethe, aq sa gryka e Rugoves,
aq sa Prizreni i Lidhjes , aq sa Shkodra, sa Tirana, aq sa Myzeqeja, tej kufijve e rrethit botes,
aq sa Manastiri i shkronjes, aq sa Korça, kënga - lirë, aq sa visaret e Toskës
aq sa Vjosë , aq sa Shkumbin , aq sa trojet krejt shqiptare, Ulqin, Prishevë, deri n` Çameri,
Bredhi, i blerti n` shpatull të kreshtës, kuvendit, sofres së librit,
Ti fjala ari, urti mali, ashti i Arbrit, ti klasiku dhe moderrni,
lumi plot me tamel alpesh, Kapuç Dielli, Ti jeton te shpirti i Kombit,
si Deti i Bjeshke,
Det i i bjeshkës, Azem Shkreli !!!

 
 
KOSOVES KUR NDIZEJ TOKA DHE QIELLI

A asht Muji, a asht Halili,
A mos Gjergj Elez Alia , AI, që flakeron Ipari?!!
Luftë po bajnë të vijë Lira,
Kështjellë Kosova, rreth djemnia,
Si kreshnik Adem Jashari,
si bajloz përballë Sebia!

Vlon vullkani n`krahnuer të Kombit ,
Tym e flakë bjeshka e vërrini,
S`asht ma, Ai , shkumëbardhi,
Me valë gjaku dirgjet Drini!
Bashkue asht qielli edhe toka,
vetetimë shpirti i ndezun,
U.Ç.K, t` bekoi Nanëlokja:
- Hallal gjini,
në sulm !- të tha,
- Në sulm, pa epun ,
mbroni nderin, mbroni besën,
trojet kurrë mos i lini!!!

Ngrihet n`kambë prej shtratit plaku,
N`kambë asht ngritë prej djepit fëmija,
Dardanisë me rod shqiptari,
Të mbretërojë gjithmonë Liria!

U vërsulën egërsinat, dogjën e poqën,
Maleve t`ua ulin kryet,
Por barbarët pas turpin e morën,
Gjaku i Arbnit nuk u shprish...
N`shkamb rreth gjoksit të Kastriotit,
Forca e Arbrit doli në dritë,
Lisat ngulën rranjtë, qindëfish !

Dhe shqiponja i shtriu krahët,
Rroku Shkup e deri në Ulqin,
Prej Presheve e Bujanovcit,
Plavë, Guci e Manastir,
Aty ku shkronjat shqipe u skaliten me shkelqim,
Tej, ku i ka dejet Çamëria,
Ardhëmerinë ta gëzojë shqiptari,
Bashkim në flatra, Shqiptaria,
Andërra e shpresa , rreze dielli,
Andërra e shprea, - një kushtrim !

Ndritën trojet,u ngjallën Tëparët,
Qeshi dita, zbardhi koha,
Prinë Heronjtë, ngadhnjimtarët,
Konopin n` fyt kputi Kosova,
Liroi shallin rrethit qafës,
Gandi i kohës së re,
Filozof ` i Epokës moderrne,
Themeltar në histori, shekull më shekull, fanar brezash,
Presedent, Ibrahim Rugova !!

Qite zanin kupes së qiellit,
Jepa fushës, jepja malit:- O hee, heeej!
N`shtatë e shtatëdhjetë, gjallë, kush je!!
Me piskamë Kushtrimtari,
Ti, ndër shekuj rron mbas sodit,
Flamurtar, ku thërret lavdia, si shqiponja re mbi re,
ku Kosova, ku Shqperia, e ku mbarë Shqiptaria,
si në festa, dasma , gëzime, Ti i pari, je me ne,
si n` shtërngim, kur t` lyp Liria,
Ti sfiniks, Ti , prin në ball,
Në Altar, Hero i Kombit, Komandant Adem Jashari!

 
 
A I E KEMI FILOZOFËT

- Akademik, Prof. Rexhep Qoses-

A i kemi filozofët si kohnave u gjenden,
i kemi edhe unë këtë fort mirë e di,
nis zemren time në krahet e një shpendi,
për Rexhep Qosen dergoi një urim..

A i degjojmë filozofet, kur mendi` përcjellin,
medyshje jam, n`politikë e qeveri,
ketej dhe andej, ku Kombin e kemi,
të tjeret na i lakmojnë, ne i mbyllim sytë!

Ç`ka janë në antikë, mesjetë e me radhë,
para mendje ndriturit, te oxhaku i Kombit,
edhe njeqind vite, o shqiponja e zbardhë,
mendimesh e brengash, uritia prej zotit!




MË DËRGO NJË GRUSHT VALBONË

Motër moj që të pikon shpirti,
Dashuri , mjaltë të pikon,
Më dërgo prej zemrës së fisit,
Pak freski, një grusht Valbonë !

Motër moj, që të pikon shpirti,...

Mirësi, bojli në qershor,
më dërgo prej zemrës së fisit,
një sapllak, tamël me borë!

Motër moj, që të pikon shpirti,
Bujari nën një hije blini
më dërgo prej zemrës së fisit,
kangën e nadjes të një bilbili !

Motër moj, që të pikon shpirti,
Lotë orteku, shkri në krua,
Rrok çdo thep a maje lisi,
Puthmi trojet sall për mua!

Ti në Valbonë e unë në Fier,
Djegur mallit, dëshëruar,
n` telefona shpesh po ndihem,
zogjë të zbardhun,t` pa harruar!

Montag, 23. Juni 2014

Tipologjia ligjërimore e studiuesit Jorgo Bulo


Nga Majlinda Rama

"Magjia dhe magjistarët e fjalës" më herët dhe së fundmi "Shpirti i fjalës", janë dy nga librat studimorë të dimensioneve të gjera, të sjella nga akademiku Jorgo Bulo. Ky...
i fundit, sic duket edhe nga titujt që parazgjedh, është besnik i fjalës shqipe dhe, si i tillë, ka synuar të hulumtojë deri në thellësi të saj, me gjetje të një stili subtil titullues dhe një modusi tejet ekzistencial. Kësisoj, studimi si disiplinë kthehet në një hapësirë estetike aplikative.

E konceptuar në disa cikle ndarëse, kjo përmbledhje studimore sjell planin linear të një boshti bazik të letërsisë. Trajtesat e Bulos nisen nga emra autorësh të njohur e më pak të njohur, por gradacioni krijon një spirale vertikale, duke e orientuar lexuesin drejt hapësirave të panjohura, në destinatën e paracaktuar nga ai vetë, duke "ravguar" jo thjesht përmes dëshmive dhe logjikës vlerësuese e interpretative, por përmes hierarkisë analitike dhe duke depërtuar drejt esencës së tematikës së përzgjedhur.

Në prurjen më të fundit studimore, autori na paraqet zbërthime interesante. Artikujt e këtij almanaku shkencor, startojnë me "Mesharin" e Buzukut, jo vetëm si përpjekje e parë e shkrimit shqip, por si analizë e situatës historike e kishtare, një observim ndryshe, ku studiuesi depërton brenda dhjetëvjecarit 1552-1562, dekadë që pezulloi punimet e Koncilit të Trentos. Më tej përvijohet me klasikët e Rilindjes, duke mbërritur në krijimtarinë e Prof. Rexhep Qoses.

Interesi i autorit rrok hapësirën e problematikës përtej letrares, rrafshi i analizës së "Shpirtit të fjalës" presohet jo vetëm mbi fjalëtimin letrar e gjuhësor të autorëve e veprave të përfshira, por në tërësinë integrale të funksionimit të veprës si një e tërë, brenda kontekstuales kohore dhe tejkohore, duke na sjellë shqyrtime e forma mirëfilli të një stili të rrallë, dëshmi eventuale të një zhbiruesi të hollë, të një njohësi elitar dhe një selektuesi sqimatar në procesin kërkues-studimor.

Sa herë kemi prurje të studiuesit Bulo, aq herë përftohen lexime të reja të veprave, autorëve e cështjeve të trajtuara prej tij, duke krijuar një përmasë të re vlerësuese dhe njohëse. Ky është një kontribut që studiuesi e jep prej vitesh në hapësirën letrare, gjuhësore, mitike, historike e kombëtare. Për më tepër, autori e pasuron panteonin e fjalëtarëve të shqipes, duke hedhur dritë dhe mbi disa figura jo fort të ndricuara gjatë rrjedhës së kohës.

Misionari i fjalës, Jorgo Bulo merr përsipër të mentojë edhe një cështje tejet interesante që ka të bëjë me identitetin e kombit dhe sjelljet aproksimative, teksa proklamon forma lidhjesh, duke na bërë më lucidiv në këtë qasje.

“Identiteti i shqiptarëve si popull shprehet në gjithë format e jetës së tyre, në traditat historike dhe në kulturën e tyre shpirtërore e materiale, si zonë e hartës etnografike e kulturore të Evropës’’, - shprehet ai tek “Identiteti shqiptar përballë globalizmit’’.

Në librin “Man For Himself”, Erich Fromm shprehet:Nuk ka deklaratë më krenare që mund të bëjë njeriu, sesa kur thotë: ‘Do të veproj në harmoni me ndërgjegjen time!’’. Pikërisht këtë bën studiuesi Bulo. Maturiteti operues i tij është kod i përgjegjësisë afirmative të krijuesit dhe studiuesit korrekt, sepse, para së gjithash, ai kërkon ta cojë shkencën e studimeve në të tjera nivele, duke na servirur vepra të shumanshme e atributive si shfaqje e një potenciali të madh intelektual që ai posedon.

Nëse vëmë re, në këtë libër nuk ndiqet kurrsesi një trajektore taksative. Piramida kulmon me mbishfaqjen dhe ballafaqimin e cështjeve të rëndësishme kombëtare që cenohen apo debatohen herëpashershëm në varësi të interesave individuale apo grupore. Bulo ka gjykimin dhe këndvështrimin e vet mbi cështje të tilla, të cilat i shfaq në shkrime, si: “Shqipja standarde përballë kompleksit të Rozafës’’ apo “Mallkimi i dytë i gjuhës shqipe’’, cka i jep librit kuptimësi semantike velevuese, ndërsa shumë pjesëza studimore i paraqet si intermexo brenda së tërës, duke sjellë risi strukturore.

Te “Mallkimi i dytë i gjuhës shqipe’’, shkruar si një mënyrë replikuese, Bulo nuk stigmatizon, por sjell alternativa përcuese e bindëse, të një argumenti aspak hipotetik, të qarta, të vetëdijshme me mesazhin se kryefjala e shqiptarëve është Shqipja e Artë. Fryma polemizuese bazohet mbi sërëzimin e argumenteve, duke u përpjekur për të qëndruar larg kurthit të subjektivizmit.

Dëshira e Bulos për të mbajtur gjallë dëshmi të shkruara te shqipes së largët, vjen qartësisht edhe te paraqitja e poemës “Kënkat e Krujës’’, me autorësi të nipit të Zef Serembes, Kozmos, një poemë, që sic shprehet autori, është pjesë e ngrehinës poetike kushtuar Skënderbeut, të cilën Bulo e artikulon në formatin neologjik “skënderbejada arbëreshe’’.

Ndërtimi i muzave identitare kombëtare është një tjetër vertikale e vëmendjes së Bulos, që lidh kultin pagan të Malit të Tomorrit me kultin poetik të romantikëve shqiptarë, duke krijuar simbiozë të gjeografisë së shenjtë dhe formës kuptimore.

‘’..kulti i Tomorrit u shndërrua në kultin e malit ku ka selinë perëndia e lashtë e shqiptarëve...Ky kult nacional i shqiptarëve në letërsinë romantike u kthye në një kult poetik të cilit iu drejtuan shumica e shkrimtarëve romantikë si K. Kristoforidhi (1830-1895), Naim Frashëri (1846-1900), A. Z. Çajupi (1866-1930), Asdreni (1872-1947), H. Mosi (1885-1933), N. Mjeda (1866-1937)...’’. ”Mali i shenjtë i Tomorrit-nga kulti pagan te miti romantik’’.

Diskursi studimor i gjithëdijshëm i Bulos mbërrin deri te bejtexhinjtë. Një ndër emrat më të njohur të kësaj letërsie, padyshim mbetet Hasan Zyko Kamberi, të cilin autori na e sjell të ridimensionuar. Vlen për t’u vecuar fakti se, për t’u siguruar autorëve të kësaj letërsie një status të merituar letrar, autori bën edhe një sqarim të termit ‘bejtexhi’, teksa shprehet:

“...nuk ka asnjë ngjyresë përkeqësuese, pra nuk përdoret në funksion aksiologjik, vlerësues, por në funksion tipologjik. Këta autorë, që ndoqën modelet poetike të letërsive orientale, u quajtën bejtexhi, prej termit bejt, që është dyvargëshi (distiku), një formë strofike e poezisë orientale...’’

Me veprën “Shpirti i fjalës’’, studiuesi dëshmohet si një protagonist i fatit kulturoro-letrar të vendit, duke e pasuruar atë me revelacione që peshojnë rëndë në rrafshin shkencor.

Nëse lexojmë “Falsifikatorë dhe mistifikatorë’’, qartazi vëmë re një shkrim apologjik të gjithëmerituar të figurës së Andon Z. Cajupit, sepse ky është misioni i studiuesit tonë; të sjellë, të hulumtojë e të përplaset kur duhet për të mbrojtur atë që konsiston në vlerë të përkorë të historisë sonë kulturore e letrare.

Përmes një shpalosjeje enumerative, autori parabolizon një model të një kalibri të lartë letraro-studimor, me një rrjetëzim trajtësor e konfiguracion të zgjeruar empirik.
Studiuesi përzgjedh nivele letrare dhe rrok një sintezë artikuluese me teknika të sofistikuara profesionale, duke shpërfaqur edhe në këtë libër, fizionominë e vet të patjetërsueshme, cka e bën predominues në disiplinën e ligjërimit. Ai merr përsipër të na sjellë më të gjallë botën letrare, botën diskursive që pulson në historinë e letërsisë përmes procedimesh fiksionale.

Autori Bulo ka ngritur me këtë libër një sistem të ri, padyshim ngashnjyes që zhdavaritet si një eudirë, kumbi i së cilës dëgjohet larg dhe shëndosh themelet e dinastisë së studimeve letrare shqipe. Elementet tekstuale kodifikojnë forma të reja të shkrimit në bashtinën e shkencave letrare dhe paraqesin cështje të prekshme tipologjike.

Sipas shprehjes “Gjuha është guacka materiale e mendimit’’, studiuesi Bulo ka tjerrë fenomene shkencore të cilat shpërthejnë përmes një gjuhe simplicitive e intertekstuale, duke e mbajtuar larg tautologjive, që shpesh mbërthejnë instiktivisht tekstet studimore. Në vizionin e këtij libri studimor e analitik bashkëveprojnë një sërë elementesh inkorporuese si një simbiozë e dijes, eksperiencës, narrativitetit, cka e bën imponues dhe determinant.

Pa asnjë dyshim, akademiku Bulo është vetëdija jonë në shkencat letrare. Emri i tij ecën paralel me dijen e kultivuar dhe këmbënguljen për të lënë thesare në letrat shqipe. Me veprat e tij, autori renditet ndër kolosët e gjeneratave studiuese dhe sot ai përbën një institucion në funksion të fushës arsimore, pedagogjike dhe jo vetëm. Jorgo Bulo mbetet një ndër studiuesit më në zë të fundshekullit XX dhe fillimshekullit XXI dhe një ndër ligjëruesit letraro-gjuhësor shumështresor.

Xhemajl Rudi - Cikël poetik


Muaji i 11-të
 
Muaji i 11-të
i qëndresës
i përjetësive
i nëntorëve
kur fitoret ishin të mëdha
kur vjeshtat ishin në frute të pjekura
e vreshtat ishin me lëngun e purpurt
me tri ngjyrat, ...

kur dehjet ishin të përëndërrta.
E bardha me raki rrushi të mirë në ndjesi të hollë
e kuqja me verën e aromës së pjergullës sa shekujt e lashtë
e zeza pikonte pasioneve fisnike e bartej në krahët e shpendit hynor

 
 
N`shtigje

Kur në shtigje fillon me ra nata
dhe pishtarët nuk ndizen më
dhe llampat nuk janë të varura
as yjet as hëna në qiell nuk janë
dhe një gotë verë mund të jetë
në strajcën e ushqimit të pakët
dhe një pushim i çlodhjes për hir të gotës
si një ndriçim tek shpirt i natës pikon, e sytë ëndërrojnë
qiellin e largët,
udhët dhe detin e kaltër dhe fundin e shtegut n`agun e Ri

 
 
Kërko të sotmen

E kaluara është në shuplakë të dorës
ec më tej, vërej hapin e parë,
pastaj të dytin e kështu koha është në kuptimin njerëzor
e sotmja, kjo kalimtare, që na shpie në udhët e errëta
tek të panjohurat
në ato që s‘i kemi parë, na shpie në tana sprovat
Por e tashmja jemi ne, kalimtarë çasti dhe ecim si kalorës
apo ndoshta si skllevër të erërave, apo të përtokur si zvarranikët
që thuren e tërthuren ndër shkëmbinj, si në sarkofagët e lashtë
apo në livadhe, lugje e kodra a shpatije...
Aty në faqet shterpe të pasqyrës, aty ku janë tana kohët
në një pikënisje tek një fillim i përhershëm, tek një zgjim i paardhur
Kërko të sotmen, e kaluara është në vijat e dorës
dhe shikimi është në sytë e së nesërmes, në mendjen e hijes
së djeshme, si në prehrin e saj të blertë
ajo vragë e sotme e verbër, ajo ëndërr e kalorësisë që na shpie
në faqen tjetër tue e pa veten në sytë tanë
dhe atë pjesë që ende s`ka mbërri me u shtri ndër ne
sipër hendekut tonë, si harku i jeshiltë i kalorësve

 
Ne dhe bota

Kush jemi ne
ata siç na shohin
apo siç duan të na shikojnë të tjerët
me syzet e tyre
as të zeza as të bardha as të përhimta,
ata që nuk mund të na shohin ashtu siç jemi
apo që na shikojnë përmes përthyerjes së hijeve të së keqes
Kush jemi në të vërtetë,
ne apo ata që gjykojnë, që na mallkojnë
apo ata që na bekojnë,
dhe nën bekim janë hendeqet e rrënimeve
Dhe ne jemi ata që e ndiejmë se jemi, që e kuptojmë qenien
e së tashmes sonë me sytë tanë, me syzet e ngjyrave njerëzore
Fjala dhe përjetimi dhe urtësia dhe reagimi i dhimbjeve
dobësia dhe fuqia jonë, mbijetesa dhe vazhdimi ynë
e djeshmja dhe e ardhmja
apo në të tashmen e frymës së përhershme jemi... 

Kopshti i blertë

Bari ka blerue në kopësht
dhe fijet janë nëpër erën e ditës
dhe në vesën e mëngjeseve e mbajnë shkëlqimin
dhe kopshti ka marrë pamje brerore dhe degët pikojnë
sytheve të luleve, në hijen e dritës së parë të mëngjesit

E shtrihet marsi dhe gufon në ngjyrën jeshile në barin e njomë
e në degët me ngjyrat e reja, dhe nëpër sythe të freskëta
dhe marsi dhe era dhe shiu i palos përdhe fijet e barit
i lakojnë erërat prej çasteve, andej kah perëndon dielli
andej ku hijet tona e shohin përmasën e vet

Dhe ngjyrën e kopshtit të kaltër e të detit të njelmët,
atje tej erërave
tej atyre që nuk fryjnë asgjë, tej përthyrjeve të egra,
tej keqkuptimeve, tej marrëzive të kohës,
aty ku shkaba
ndihet në kopshtin e saj, në qiellin e gjerë, të thellë e të lirë

 
Shtigjet

Shtigjet e heshtjes
i heshtin shtigjet
dhe frymojnë
dhe erërat i përshkojnë
si udhët
si lugjet dhe brigjet
dhe krojet atje lart te shkëmbinjtë
dhe majat e maleve
si kunora ku bien kaltërsitë
dhe retë dhe murmurimat
dhe në vetëtima
shkëlqejnë
në ditët e turbullta
në netët pa yje, në qiellin kur s`është hëna
dhe heshtja ngjitet lart deri te qielli
kudo zbret dhe shket si vesa prej sythit të kohës
n`shtigje dhe n`heshtje dhe n`kohë,
n`turbullime, n`vetëtima dhe në natën e zymtë pa yje, pa hënë

 
Ballkoni i kaltër

Ballkoni im i kaltër
si sytë e tu
si kënga ime
për ty
si violina e tingujve pa mbarim
si fryma jote në dridhjet e zërit tënd
tek pentagrami i notave
tek shpirti yt
tek mbrëmja që s‘ka mbarim
asgjë s‘është e pakuptimtë
asgjë nuk është e rastit
as çasti
as mbrëmja jonë
Dhe ballkoni
ndriçon për ty
këndon dhe valëzon si harmonia e flokëve në mua
në qiellin e largët e të gjerë
si det i pafund ku fryn puhia e mëngjeseve të tua

 
Eja

Eja në udhën e erërave
të atyre që vijnë rrallë
dhe bëjnë kthesa të moteve
Atje diku lart
tek malet te kodrat e lashta
aty ku gjelbëron përvit stina e re
dhe udhët janë të rrahurat e ecjeve
nga ata që shembin hijet e djajve të moteve
Një dashuri është zonjë e shekujve
e dheut është, si shkaba
e maleve dhe e kurorave të reja të kohës që vjen
Atje eja, ku mjegullat bien mëngjeseve si verbimi i natës
aty ku krojet rrjedhin pranë shkëmbinjve në gurët e kohës
aty ku dëbora është e përhershme,
e vetme është
si bardhësia e saj, ku erërat vërshojnë në udhët e frymës së re

 
Jeta

Jeta është udhë takimesh
pikë ndarjesh
ëndrra të ndërprera
dhe të mundshmet ideale
të arrira deri në cakun e parafundit

Jeta është fitore me gjysma të gjysmuara
me përhumbje e dëshpërime para cakut të fundit
dhe shpresa të lindura në dëshpërime të thella
aty ku përpjekjet kurrë s`janë ndalë, as brezat s`kanë mbarue

Samstag, 21. Juni 2014

Xhevahir Cirongu - ‘’Drenica’’ e Durrësit...

 
Nga Xhevahir Cirongu

‘’Drenica’’ e Durrësit dhe 15 vjetrori i çlirimit të Kosovës

(Me rastin e 15 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë,qërshor 1999 e të çlirimit të mbarë Kosovës martire).

Memoriali ‘’Luftëtari i Lirisë’’ te ‘’Drenica’’ Durrës.


Sa herë që marrin vizitorët e ndryshëm rrugën për në Shqipëri, ata do stacionojnë pak çste te memoriali ‘’Luftëtari i Lirisë’’ në qytetin bregdetar
të Durrësit. Qytetit të Durrësit i është shtuar edhe një simbol tjetër, që na tregon e do na tregojë në shekuj historinë e bashkimit të të gjithave trojeve shqiptare. Prill 1939! Prill 1999! Vite lufte në këto dy ngjarje me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Njëri vit ’39, i kobshëm për popullin shqiptar. Atëherë kur ‘’Sorrat’’ e zeza Musoliane zbarkuan dhe pushtuan Shqipërinë. Ishte 7 prilli i vitit 1939-ës. Qielli i shqipes u nxi dhe toka rënkonte nga çizmja e fashizmit Italian. Por, Kosova martire edhe pas Luftës së Dytë Botërore, mbeti nën thundrën e serbit. Një padrejtësi e historiisë dhe e politikës së kohërave ndaj popullit të vogël shqiptar , por me shpirti të madh që në gjak ka lirnë. Familja patriotike e Sadri Kapitit ka dhënë kontributet e saj si në luftën e Dytë Botrore në çlirimin e Shqipërisë,por edhe në vitin 1999 në çlirimin e Kosovës.Sadri Kapiti ishte invalid I LANÇ. Këtë vit festojmë 70 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë e të 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Dy festa që do mbeten simbole në shekuj për ne shqiptarët.

Mbas 60 vitesh që nga viti 1939,erdhi viti plot lavdi me bekimin e ‘’Baba Tomorri’’ muaji prill me kurorë të bardha lulesh, ku qe shkruar Liria e Pavarsia e Kosovës! Ishte prilli i vitit 1999-ës!Këtë vit, shqiponjat shqiptare nga perëndimi e diaspora erdhën në Durrës; te ky qytet i lashtë e historik, pranë valëve të detit adriatik. Pikërisht, atje te vatra patriotike e pagëzuar me emrin’’Drenica e Durrësit’’ e vëllezërve ‘’Kapiti’’. Ata ishin luftëtarët e lirisë, të cilët lanë luksin e perëndimit, dhe s’kursyen përveç të tjerave, as edhe gjakun e tyre për çlirimin e gjysmës së kombit e të atdheut, të Kosovës martire.

Në atë kohë,e gjithë bota u tund si tërmet. Popujt e kombeve në gjithë globin, panë me sytë e tyre në stacionet televizive e në gazeta, barbarizmat e gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nga ky barbarizëm i pashoq, bota e qytetëruar, s’e kishte parë më parë. Si rrjedhojë i këtij gjenocidi, nga Kosova u larguan mbi 800 mijë shqiptarë. Peshën kryesore e mbajti Shqipëria: mbi 500 mijë veta. Bijët e bijat, të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë , nga gjithë trojet shqiptare e diaspora; ju përgjigjën trimërisht thirrjes së Atdheut, për çlirimin e Kosovës nga okupatori shekullor serb, që edhe ajo të ishte e lirë dhe e pavarur. ‘’Drenica’’ e Durrësit, u bë kryeqendra e pritjes dhe e bashkimit të të gjithë vullentarëve të lirisë, për t’i thënë përfundimisht pushtuesit serb se, ky vend këtu ka zot. U desh shumë sakrificë e gjak, që të vinte dita e lirisë dhe pavarsia e Kosovës. Pikërisht, qërshori i këtij viti 2014-ës, populli shqiptar do festojë me madhështi 15 vjetrorin e Çlirimit të Kosovës e 70 vjetorin e Çlirimit nga bisha nazifashiste të Luftës së Dytë Botërore , nëntor 1944- nëntor 2014. Shqipëria u bashkangjit kualicionit dhe frontit antifashistë botëror, qysh në fillimet e tij, me në krye aleatin tonë të madh ShBA. Pas kaq dekadash, erdhi koha që SHBA-ja, iu gjend në krahë shqiptarëve, e në veçanti Kosovës. Ishte pikërisht, aleati ynë strategjik SHBA, e cila udhëhoqi NATO për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Dhe më pas, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpallt Shtet i Pavarur e Sovran.

Historia flet në çdo kohë, por bën edhe apel që ajo të mos harrohet kurrë. Të kujtohet e t’u flasi brezave. Sot, në qytetin e Durrëst, pas kaq vitesh nga ajo ngjarje madhore e vitit 1999, për popullin shqiptar e të Kosovës martire, qëndron kryelart memoriali ’’Luftëtari i Lirisë’’. Aty, te ai lokal i vogël ( ish dikur) buzë detit adriatik, u shkrua me gërma të arta e të lyera me gjak dëshmori Liria e Pavarësia e Kosovës. Memoriali ‘’Luftëtar i Lirisë’’ përjetëson historinë e lavdishme të luftës së Kosovës, e të kombit tonë. Përveç memorialit është shkruar edhe një libër që fletë për atë lokal të vogël, por që u kthye në një ambasadë e vërtetë diplomatikoushtarake. Libri me titull ’’Atdhetarizmi jeton në përjetësi’’, me autor Bedri Tahiri nga Vushtrria e Kosovës, midis ngjarjeve të tjerave të cilat janë të shumta, flet edhe për kontributin atdhetar të familjes së Sadri Kapiti. Janë të shumtë inetektualë, akademikë, diplomatë e politikanë, shoqata të ndryshme atdhetare e kulturore, që u janë drejtuar instancave më të larta shtetërore si në Shqipëri e Kosovë që ‘’Drenica e Durrësit’’ të shpallet Muze Historik Kombëtar. Ne po sjellim disa vlerësime në këtë shkrim, sepse ato janë të shumta që kanë bërë personalitete të të gjithave fushave.

Me të drejtë gazetari Thanas Mustaqi në një reportazh të botuar në gazetën ‘’Zëri i popullit’’ më 9 prill të vitit 2000, shkruan se, ’’ Populli e ka shpallur me zemër ‘’Drenicën’’ një ‘’Mekë’’ të atdhedashurise.’’
"Sadri Kapiti ka qenë burrë mbi burra. Fakti është që edhe bijtë ndoqen besnikërisht rrugën e tij"- ka thënë z. Qemal Mançe, , ish-kryetar i Shoqatës së Invalidëve të LANÇ për rrethin e Durrësit, tashmë i ndjerë.’’

‘‘Drenica’’ e Durrësit është qendra kryesore e frymëzimeve atdhetare të buzë detit, është Tempull atdhetarie. Më vjen mire që kjo shtëpi lirie dhe tempull i atdhetarisë, pikërisht u pagëzua nga poetët dhe artistët. Ajo e ndërshqiptarizoi këtë vend, nga i cili buroi jetësimi i çështjes sonë madhore, çlirimi kombëtar.’’
(Xhevahir Spahiu, poet e akademik)

’’Ushtria Çlirimtare e Kosovës është Lëvizja më e mirë që ka krijuar populli shqiptar.Ajo ngriti tensionin botëror dhe i dha argument Amerikës dhe botës së qytetëruar për ta bërë politikën’’ (Spartak Ngjela, avokat) ’’Emri i nderuari ‘’Drenica’’ do të kujtohet gjithashtu edhe si kontribut atdhetar e patriotik i djemëve të familjes së respektuar Kapiti. Ajo meriton që të kujtohet një qëndër e edukimit atdhetar dhe patriotik të brezit të ri. (Bujar Muharremi, ish diplomat e ambasador i Shqipërisë në Kosovë, tashmë i ndjerë)

’’Ky është një moment historik i cili si i tillë duhet të përjetësohet nga të dy qeveritë tona, në Tiranë e në Prishtinë, dhe kjo të futet në planprogramet e tyre si pjesë e histories kombëtare ku brezat e rinj ta vizitojnë rregullisht.’’ (Ilir Malindi,shkrimtar e avokat).

Shfletojmë dokumentat e kohës, të cilat u shkruan në zjarrin e luftës për çlirimin e Kosovës. Kanë kaluar 15 vjet që nga ajo kohë, dhe qërshori i këtij viti, 2014, na jep krenarinë ligjitime. ‘’Lufta nga 28 shkurt 1998 e deri më 23 mars 1999 u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave jugosllave. Ndërsa nga 24 mars 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veriatlantike NATO me bombardime të përditshme në caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së detyroi forcat serbomalazeze dhe Kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviçin të nënshkruaj kapitullimin në Kumanovë.’’

‘’Nga Memoriali “DRENICA” atë ditë festive historike, iu dërgua një letër përshëndetëse Xhorxh Bushit, të cilën, para të pranishmëve e lexoi publicisti dhe krijuesi i njohur, z. Bashkim Hoxha. Nga kjo deklaratë ne shkëputëm këtë fragment ku thuhet:
‘’… Nëpërmjet jush ne dëshirojmë t’i shprehim mirënjohjen tonë Kongresit të SHBA dhe institucioneve të tjera ligjvënëse amerikane, të cilat kanë qenë gjithnjë të ndjeshëm në miratimin e një varg rezolutash, ku është denoncuar dhe dënuar shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhuna dhe terrori sistematik i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, dënimi i politikave të spastrimit etnik….’’

Qërshori 2014-ës, erdhi edhe më i bukur! Këtë radhë me aromë Lirie!. Atje te Memoriali ‘’Luftëtari i Lirisë’’ në Durrës do vendosim tufa lulesh me aromë lirie në këtë 15 vjetor e përgjithmonë në shekuj. Kështu do jesh mot e jetë e qeshur Kosova ime!

Durrës, 11 qërshor 2014.

Një vizitë në klinikën e kardiologut Kristaq Pavli


Tregim nga Luan Çipi

Në takimin për kafen e mëngjesit me pensionistë vlonjatë te “Kafe Rossi” në bulevardin Skelë-Vlorë, sot u fol për dr. Kristaq Pavlin, kardiologun e shquar vlonjat. Sapo ishte ndarë nga vizita te ai, z. Petraq Gjonçe, njëri prej shokëve tanë pensionist, që si çdo kush në moshën tonë, ndiente shqetësime dhe largim nga normaliteti shëndetësor.
-Të shoh krejt normal, deklaroi dr. Kristaqi, pas një vizite të kujdesshme vizuale dhe pasi lexoi parametrat në aparaturat që dispononte. Për tensionin arteriali, do vazhdosh të mjekohesh si edhe deri me sot, pa asnjë shqetësim!
-Të faleminderit. Më bëre një kontroll të plot dhe më qetësove! Po, sa duhet të të paguaj?
-Asgjë! Ti më pagove me falënderimin, kënaqësinë dhe besimin tënd! Ne, si miq te vjetër, me këtë rast edhe u çmallëm e u relaksuam reciprokisht!
Shoku ynë pensionist na tha se u largua nga dr. Kristaq Pavli, pasi u përpoq t’i jepte atij një monedhë minimale simbolike, duke i thënë:
-“Po të shpërblej thjesht vetëm konsumin e aparaturave, se ato duhet të zëvendësohen, qoftë dhe për amortizimin e tyre moral”.
Doktori, e morri monedhën, ma futi në xhepin e xhaketës sime dhe më tha:
-Jepu nga ana ime nga një kafe, pesë shokëve pensionistë të tavolinës!
Kjo ngjarje, e pa rëndësishme në dukje, më krijoi ndjesi të veçantë, me mendimin hipotetik se dhe Hipokrati i Madh, do ndihej krenar po të ndodhej si ne, në raste të tilla simbolike humane, tashmë të pazakonta e të harruara.
Mendimi më shkoi shumë vite të shkuara, ndofta pesëdhjetë vjet më parë, kur unë përfytyrova njohjen dhe formimin e figurës për Kristaq Pavlin, këtë personalitet, tashmë tepër të nderuar. Njohja ime e hershme, me prejardhje që nga prindërit tanë miq, ka lidhje me kohën kur Kristaq Pavli, ende gjimnazist, vinte shpesh në shtëpi te shoku i ngushtë i tij, gjitoni im i paharruar, kimisti dhe veprimtari shoqëror me vlera eprore, Vaso Suli dhe unë, majë murit të avllisë së shtëpisë sime, i sodisja i gëzuar kur ata loznin basketboll atje, te një shtyllë me kosh të improvizuar.
Mu kujtua ajo rini e artë vlonjate, ku, veç Kristaq Pavlit dhe Vaso Sulit (Kryekëshilltari i Bashkisë së Rrethit të Vlorës, që pati një vdekje të parakohshme aksidentale), ishin aty edhe Petraq Karaja, Petraq Truja, Kristaq Loli, Lame Fandi, Qerim Vrioni, Agim Shuka, Bajram Bala, Nardi Gjyli, Hito Jazo, etj. Ata ishin djem të zgjuar, të shkathët, të etur për dije e përparim, që secili shkëlqeu në jetë e në shoqëri, duke u bërë nderi dhe krenaria e vendit.
Kujtimet dhe çka dëgjova i gëzuar sot, nga shoku im pensionist ish mësuesi i nderuar Petraq Gjonçe, më shtynë t’i bëja me një herë një vizitë mirësjellje në Klinikën e tij, te “Laboratori Mjekësor Bio Skelë Vlorë”, mikut tim të hershëm, kardiologut Kristaq Pavli. Laboratori Italo-Shqiptar “BIO” ndodhet në katin e dytë, te një ndërtese shumë katesh në hyrje të rrugës se re “Arianit Komneni” Po aty, në një ndarje të posaçme, është dhe Klinika Kardiologjike e dr. Kristqa Pavlit.
Dr.Kristaqin e gjeta jashtë vizitash, të lirë, në një klimë dhome rregulluar kënaqshëm nga kondicioneri freskues, duke lexuar një revistë mjekësore italisht, nën tingujt qetësues të një opere të Verdit. Nuk u çudita se e dija që muzika dhe gjuha italiane janë një nga pasionet e tij të kahershme, krahas aftësisë prej poligloti të tij dhe dëshirës së përhershme për lexim.
Sa më pa, dr. Kristaqi, që mua mu duk i rinuar dhe vital, u ngrit shpejt dhe më përqafoi me mall e dashuri. Kishim mbi 6 muaj pa u parë, pas largimit tim për në Holandë e Kanada..
-Kam mësuar nga shtypi dhe nga shokët se, ti Luan i dashur, ke botuar dy libra te reja, gjatë kësaj kohe, që unë i pres me padurim!
-Edhe për të dhuruar këto dy libra me tregime e poezi, kam ardhur. Ja ku i ke! Lexim të këndshëm!
Dhe në sytë e tij prej lexuesi dhe adhurues librash letërsie, arti e mjekësie, pash të shprehej dukshëm falënderim e kënaqësi. Dr. Kristaqi më ftoi për kafe, po unë duke menduar për orarin destinuar për vizita mjekësore, i shpreha falënderim dhe i thash se sapo u ngrita nga kafja e tij, paguar nga paratë që i dha ai për këtë qëllim, pacientit Gjonçe.
Biseduam gjatë për djemtë e tij të suksesshëm dhe që njeri prej tyre, edhe ai kardiolog në Spitalin “Nen Tereza” Tiranë, tanimë ka barrën të përballojë edhe porositë e rekomandimet e tij të shumta, ndërsa më i vogli, jurist i suksesshëm dhe me disa mastera shkencor pas universitare, punon në profesionin e tij, te “SOROS” në Amerikën e largët.
-Vijnë pacientë të shumtë vlonjatë të vizitohen, sipas traditës dhe “namit” këtu te unë, vazhdon të më shpjegoj Dr. Kristaqi, po shkenca dhe teknika kanë evoluar dhe specialistët e mirëfilltë, me aparaturat e posaçme, janë përqendruar sipas fjalës së fundit të shkencës mjekësore të përparuar, në Kryeqytet, në klinikat dhe spitalet shtetërore dhe private, ndaj unë nëpërmjet djalit tim, ndërhyjë për t’i dërguar pacientët e mi të posaçëm edhe atje.
Çka dëgjova momentalisht nga dr. Kristaq Pavli, më solli në kujtesë një tjetër ngjarje, gati 30 vjet përpara:
Isha në Tiranë për një vizitë me një mbesën time te kardiologu, i famshëm për kohën, dr. Spiro Qirko, edhe ky me origjinë nga Narta e Vlorës. Kur po niste të vizitohej mbesa ime, dëgjohet një zhurmë e pazakontë te porta, hapja e saj e vrullshme dhe një ndërhyrje e shpejtë dhe e zhurmshme. Ishte një pacient që vinte nga Vlora dhe kërkonte të vizitohej urgjent, se ndryshe nuk arrinte dot orarin e trenit për t’u kthyer në Vlorë.
Dr. Qirko i qetë dhe i kujdesshëm, pasi na merr leje, nis e komunikon me pacientin e paduruar:
-Vjen nga Vlora për t’u vizituar te kardiologu në Tiranë? Po si nuk të vjen rëndë dhe kapërcen e fyen kardiologun vlonjat?
-Po kam hall koke, o vëlla, jam duke vdekur dhe vijë te doktori i shquar, më i miri i kohës, Spiro Qirko! Fundja dhe ai vlonjat është!
-Ta them unë, me kompetencë, unë pikërisht Spiro Qirkoja “i shquar” siç thua ti: Doktori Kardiolog më i mirë dhe më i shquar i kohës është bash Kristaq Pavli. Ai kardiolog, që duhet të ishte këtu me mua, po që tani e keni ju në Vlorë. Ai, që ma ka kaluar mua e më ka lënë pas, qysh kur ishim bashkë student!
Mua, mu shtua respekti, kur dëgjova modestinë dhe altruizmin e skajshëm të Dr. Spiro Qirkos, por nuk mund ta harroj kurrë këtë konsideratë për shokun dhe kolegun e tij, Dr.Kristaq Pavlin, këtë mjek të aftë qysh në rini, tani “Nderi i Qytetit të Vlorës”. Me të drejtë kjo ndjesi e hershme kishte ngelur te unë e pashlyer nga vitet dhe është shumëfishuar me arritjet e tij në karrierë, duke u mbartur e akseleruar në trashëgimëni vlerash pambarim, mandej deri te djemtë e tij të denjë.
Në portën e Klinikës së Kardiologjisë “Pavli,” po trokisnin. Hapja e derës shfaqi para meje një radhë të madhe pacientësh. Prisnin me padurim: kompetencën mjeshtërore të mjekut të shquar e me shumë përvojë, fjalën e tij të ëmbël edhe ajo shëruese, ose rekomandimin e tij jetëdhënës për më tutje...
Kaq. Më shumë do isha pengesë. Ishte saktësisht koha për t’u larguar...
 
Vlorë, më 20.06.2014

Donnerstag, 19. Juni 2014

Të ketë më tepër vëmendje për letërsinë...

VERA ISTREFAJ: UROJ E SHPRESOJ QË TË KETË MË TEPËR VËMENDJE PËR LETËRSINË, ARTIN E KULTURËN!

 Nga Murat Gecaj
 

Nga leximi i një jetëshkrimi për ty, jam njohur me disa fakte…A mund t’i informojmë edhe lexuesit, shkurtimisht?

-Po, patjeter… Kam lindur në Kukës dhe këtu kam mbaruar gjimnazin, nė vitin 1994. Jam diplomuar në shkencat humane dhe studimet master i kam kryer në fushën e drejtësisë. Jam e martuar, nënë e dy djemve, Veronikut 18-vjeçar dhe Klevisit 14-vjeçar. Jam juriste në profesion dhe punoj në administratën publike, këtu në qytetin e lindjes.

Krahas punës së përditëshme, je dhe mjaft aktive në veprimtari të ndyshme shoqërore…Cilat janë ato, më kryesoret?

-Kam marrë përsipër që të jem avokate, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kryesisht të grave dhe vajzave, gjë që më sjell mjaft kënaqësi, pa prjashtuar shqetësimet e njohura. Në këtë kuadër, jam drejtore Ekzekutive e Qendrës së Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale, si dhe koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarrje”, për qarkun e Kukëst. Si veprimtare e shoqërisë civile, kam një përvojë 20–vjeçare.
Kënaqësi e veçantë për mua ishte ceremonia e vitit 2009, në Tiranë. Aty u përzgjodha një nga 10 njerëzit më me ndikim në bashkësi, në shkallë kombëtare.

Qyteti i Kukësit është afër Prizrenit e Gjakovës dhe tërë Kosovës…Çfarë lidhjesh ke me bashkatdhetarët tanë atje, si në fushën e krijimtarisë dhe të veprimtarive shoqërore?

-Përherë jam në bashkëpunim me ta, për çeshtje të letërsisë, artit, kulturës e më gjerë. Pika doganore e Morinës nuk na pengon aspak, që të ecim në të njëjtat rrjedha. Kur më nderuan e më dhanë çmimin e parë, në Akademinë Letrare “Esat Mekuli”, përfundimisht m’u rrënjos mendimi, se jemi “një”.

I kaluam, si pa dashje, tri pyetje dhe dikush mund të mendojë se e “harruam” krijimtarinë tënde…Por, jo! Pra, kam dijeni se, deri tani, ke publikuar katër libra me poezi. Cilët janë ata dhe tematika e tyre, sigurisht shkurt?

-Që në vegjëli kam botuar vjersha e skica, në revistat dhe gazetat e kohës. Ndërsa në vitet e fundit i kam mbledhur poezitë e mia në 4 libra, përveç një almanaku të botuar më 1991, ku jam perfaqësuar me 76 poezi dhe një ese.
Titujt e vëllimeve poetike janë: “Shiu i fundit”(Prizren 1999), “Nënqeshja e ëmbël” (Prizren, 2001 ), “Në akuj digjem”(Prishtine 2003) dhe “U jepem udhëve”(Prishtine 2005). Tematika kryesore e tyre është “gjerdani” i problematikave të ditëve të sotme, si dhe ndjesive, mendimeve dhe emocioneve femërore.

Po, libra të tjerë në “sirtar” ose dorëshkrim a ke, cila është përmbajtja kryesore e tyre dhe kur mendon që t’i publikosh?

-Se shpejti do të dalë në qarkullim një vëllim lirikash dhe më pas, në vjeshtë, një tjetër vëllim poetik. Pavarëisht të gjithave, (ndoshta, po e them pa modesti), para lexuesve do të jetë sërish: Vera, e thjeshtë, delikate në dukje, nën peshën e mendimeve dhe emocioneve të forta, nën mantelin e jetës si femër, grua, nënë e veprimtare shoqërore, përballë sfidave të kohës.

Jemi nga një qark, pra unë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ti nga Kukësi…Çfarë mund të tregosh për krijuesit e kësaj treve, sidomos për koleget e miket shkrimtare, poete e artiste?

-Me kënaqësi mund të them se, tashmë, ka çfarë flitet për letërsi e arte edhe në Qarkun tonë, Kukës. E kam fjalën për dukuri të reja stilistike dhe për më tepër mund të flitet për një letersi edhe me mjaft autore femra, si në poezi e prozë. Duke kërkuar ndjesë, që nuk mund t’i përmendi të gjitha këtu, psh, në rrethin e Tropojës janë të njohura krijueset: Brunilda Zllami, Nafije Salihaj, Enkelejda Tahiri, Pranvera Gjoni, Migena Ramaj, Elona Zhana, Valbona Hykaj, Fatjona Geci, Zyra Ahmetaj etj.; ndërsa në Kukës e Has: Nermin Spahiu, Zaide Noka, Haxhire Haxhiu, Majlinda Palushi, Sabajeta Peposhi, Ganimete Thaçi etj.

Besoj, erdhëm në fund të bisedës sonë dhe të falënderoj për përgjigjet tua, të shkurtëra, por domethënëse! Po, a ke merak të shtosh ndonjë gjë tjetër?

-Gjithmonë dua ta nënvizoj, pra dhe me këtë rast, në mbyllje të bisedës sonë: Uroj e shpresoj që të ketë më tepër vëmendje për letërsinë, artin e kulturën nga ata, që i paguajmë me taksat tona, edhe në tërë qarkun e Kukësit!

 Tiranë, 16 qershor 2014