Sonntag, 16. August 2015

Bora Arllati

Bora Arllati lindi në 18 janar 1996 në qytetin e Gjakovës. Është studente e letërsisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit publik “Fehmi Agani” në Gjakovë. Hobi të saj ka muzikën dhe vallëzimin, por talentin e vërtetë e ka shfaqur në letërsi me krijime të mrekullueshme në formën e esesë dhe poezisë. Që në klasë të parë, ajo botoi në revistën “Marigona” të shkollës “Zekeria Rexha” krijimin e parë me titull: “Unë Bora dhe bora e dimrit”.
Vëllimi me poezi dhe filoprozaikë “Përtej” është botimi i parë të cilin autorja e re e botoi në Maj të vitit 2014 derisa ishte maturante në gjimnazin “Hajdar Dushi”. 
Krijimet e saj shquhen për peshë metaforike dhe pjekurie. Është laureuar me titullin: "Krijuesja e re në artin e poezisë" për vitin 2014 nga LNShPA "Pegasi - Albania". Në Konkursin letrar “Dita Poetike Durrsake 2014” u nderua me Mirënjohje. Krijimet e saj janë prezantuar në serinë antologjike 12 vëllimëshe “Muzgu” në Tiranë.



Poezi nga Bora Arllati

TOKA IME

Shkel unë,
rrudhat e tua shkel,
zërin tënd e dua
dhe përkundem
si një valle mbi ty.

Ti më deh
princesha e dhimbjeve të mia,
balta jote më përkëdhel duart
sa herë përkulem mbi ty,
më gjunjë të puth për të thënë të dua
aroma jote më preh
o Tokë e bekuar !
          
Më prek
kur bie në krahët e tua,
dhe plagët t’i ndjej,
derisa në gjirin tënd
një ditë do të kem pushuar
duke pritur ura që lidhin udhët
unë, e vetme
deri në ekzistencën tënde, timen.



NË QAFËN E MALIT
 (Alpeve të Shqipërisë)

E përhumbur rrugëve të jehonës,
shkëmbinjtë zemrën ma ngritën lart mbi re
në çast, ashtu si mali
dhe trupi im u dorëzua
nën retë e bardha mbledhura në vatër.

Sa herë rreth këtij përbindëshi guror,
më ngjiten kujtimet
në stinët e veshura krejt ylber.

Më vjen të mbledh gjithë malin,
në pëllëmbë ta mbaj
se me mua do të ngjajë
faqet tona lehtë t’i bashkojë.

Dhe s’do pendohesha kurrë !
Me dritëzën ngjizur
ato bjeshkë ku puthin retë,
të jenë njësoj si mua.
Të dashurojnë gjithë botën
dhe bota t’u thotë: “Ju dua !”



PA HARTË DHE PA BUSULL

Papritmas si shtegtare e re vura bast
për rrugicat e pashkelura të shpirtit,
duke çarë kaltërsinë dhe gjuajtur retë,
në stacionin e fundit nga ishin nisur.

Nuk kam një hartë në ekuipazhin tim,
ne lamë pas kohe një ecje të bujshme,
kanosej mendja e padisiplinuar,
dhe ca kujtime të frikësuara, të plagosura.

Të mbyllura me vite në anijen e rrezikuar
nga rrufetë që ulërisnin e dukeshin aq afër,
larg sa vite drite të largët.
Pa hartë dhe busull
pa biletë dhe as itinerar,                      
fajtore e heshtur e pafajësisë
numëron vijat e bardha në kilometrazh.

Çfarë zbulova në të vërtetë ?
Nuk guxoj t’i vë emër,
me siguri do të gaboj
si Kolombi në kontinentin tjetër !



SI QUHEM ?!

Kërkoj të hap portën e mendjes
mes zhurmës së pafundme hipokrite.
Kush jam ?
Shpirtin tim, thua, di ta njoh ?
Aty ku jeta më solli natën
për të më dhënë ëndërr të re
për të më sjellë një iluzion të ri.

Kështu të ngopem me veten,
të harroj që po plakem
dhe e di se shumë larg
melodia e flladit me ecjen e qetë
do më ndjekë nga pas.

Por s’do më vërë faj
sepse ende nuk di përse jetoj
dhe pyes veten habitur,
si mund të quhem në këtë botë pa emër ?
Për të mësuar sido që të jetë
vetëm një gjë me emër të thjeshtë:
E vërtetë !


 

DALLGËT

Mendoj se jemi si dallgët,
në kurriz të njëra-tjetrës
godasim trupat e të tjerëve.

Mendoj se jemi si dallgët,
nxitojmë të marrim të etura
ç’të gjejmë në breg.

Mendoj se jetët ngjasojnë në dallgët,
sa më egër të na fryjë era,
aq më fort vërshojmë,
dhe gjithçka e tresim në ujin tonë.

Një ditë duhet të ndjejmë
qetësinë e ardhur nga puhiza,
si një zhurmë të bukur, një premtim,
dhe ndoshta për ne, i fundit harrim.



GURI
 
Ti nuk mposhtesh
as rrënohesh lehtë,
bir i një kokëfortësie të hidhur.
Përçmon të dobëtit, të parrugët
sepse egërsia të mbjell trishtim
thërrmimin e gjigandit kthen në rërë.
Nuk ka vend pa këtë peshë,
të ndarë me dhe.

E merr çdo grimcë,
kthen në copëza jete të pathyeshme
si pronat e të tjerëve.
Atij që të përkëdhel
i fal gjithë tokën mbarë,
të përzgjedhurën mes vorbullës
e bën të fortë si veten,
të palëndueshëm
nga kushdo që e hedh
në të hirtën dashuruar,
të mbesë gur i pandërtuar.

Si kopsht lëndine e papërlyer gurësh,
mbaj një gur në vend të zemrës,
kacavarur në shpresë,
bekuar në pavdekësi.
Pengesa në të cilën rrëzohem,
është gur i gurosur
që kërkon të gdhendet
në qëndrueshmëri…
Por vetëm malli
e thyen gurin që hodha pas !



NJË PIKË SYRI

Botë e pikësuar në një sy.
Brenda në sy
lexoj përgjigjet e pyetjeve
të syve të mi.

U rrëzova në rrugë.
Do kisha vdekur
po të mos isha mbytur nga sytë.
E zënë rob prej zërit
u strehova në sy.

Mund të vdes goditur prej sysh.
Do doja që edhe vdekja një sy gjumë të ish.
Bota është valltarja më e mirë
kur vallëzon në sytë e mi.
Gjatë varrimit më lini jashtë vetëm sytë,
rigat e shiut roje të syve në ëndërr janë.

Kur për sytë me ngashërim
do të qash tek rri në gjunjë,
sytë e tu mbi varrin tim,
varri im në sytë e tu.

Më mbyti loti i tij
në lojëra qerpiku e ndjell,
por kur më zgjat dorën
ndjej se më zhyt edhe më thellë.

Me sa mund e duroj këtë dhimbje si burrë,
në heshtje syri qahet me dënesë.
Cili shikim ka mbetur etur
që ky sy kërkon ta bëjë lot ?!
Në njërin sy hyra e gjitha,
sa e cekët m’u duk bota
të nesërmen kur ditën e re nisa!


 

ATA

Ajo, e qetë si aromë nate,
drita dukej se ia prishte magjinë.
Ai, si yll e përgjonte pas,
i lutej diellit të mos kishte kthim.

Ata, fshiheshin në ëndërr
s’i donin agimet, mëngjeset me zhurmë
përqafuar deri në vesën e mëngjesit
kur puthjet i fikte aurorë e qiellit.

Si Hëna shpesh ndërronin fytyrën,
lusnin mëngjesin edhe pak të vononte,
lodhur nga trillime historish
të vetmin shpëtim tek nata kërkonin.

Të dy dashuruar në ndjenjë
sa larg do të ish takimi përballë,
në ëndërr por jo kurrë në zgjim
si Dielli dhe Hëna
të ndarë nga i njëjti mallkim,
që afër janë por larg dritën kanë,
frymë nuk marrin
por fryma e tyre janë !

Dhe ja Dielli sonte preket nga Hëna
e gdhendur në mijëra magji,
por të gjitha digjen e shuhen të fjetura,
Ai si Diell që nga flakët ka dalë,
Ajo, Hënë që nga ai merr zjarr !



DRITË
                              
Më erdhe si copëz dielli
në këtë mesnatë acari.
Ti si ëndërr më tretesh në zgjim,
natës i përkunda djepin e gjumit
që ajo të mos ngrijë në harrim.
                              
Era e lodhur asnjë fjalë s’pipëtin,
kjo natë e qeshur me dhëmbë hënor
dhe sytë yjor mbushur nga katër anët,
mbeti zemërplasur këngë imja e trishtë
mendim i ftohtë ndër vetullën e brishtë.

Nesër kur dita e bardhë,
të çjerrë pelerinën e zisë,
do jem sërish në Titanikun e një gote
diku në fund të një fillimi,
kthyer në bustin bronz
që ngrohet nga drita jote.
Në shtratin e akullt
të netëve pa emra,
të pafytyra që kokën s’kthejnë,
ti mbetesh rreze e shkrepur,
që praron rrugën time
si i vetmi yll që shndërrit
kur terri mbi shpirtin bie !



OAZA JONË

Thatësia mbuloi qiellin e mendimeve.
Si shiu, lotët asnjëherë nuk i thave.
Por, pse vazhdon të digjesh përbrenda
kur zjarrin shove, braktise ?!

U formua shkretëtira e pluhurosur
që e deshe aq shumë
e ti vazhdon të ecësh pa lënë asnjë gjurmë.
Si udhëtove me ëndrra,
kur dheu ëndrrat në pluhur i kthen ?
                
Me hapat që përsëri të sjellin tek unë,
për aq kohë do kërkosh një oazë.
E more lotin tim,
me ëndrrën bashkë pikove
në shkretëtirën tënde
ku loti formoi oazë.                                



TINGUJT E LËNDUAR

Zërat më mbetën në mendje,
të ngrirë.
Tingujt e lënduar
përqafuan xhamat fshehtas
për të dëgjuar melodinë time.
Tingulli më mbeti vegël dhimbjeje,
krijuar nga nuhatje pasioni,
hedhur pa vetëdije në errësirë.

Kur zemrën aq të dëshiruar
ta rrëmbejnë
lutje, ethe të ëmbla,
kujtime, ëndrra
sa afër, po aq larg.

S’më lëshon, në pranga shpirtin ndjej
pa mundësinë e prekjes për shpëtim,
të dy përballë njëri-tjetrit
si dy të kundërt përbetuar
përjetësisht në heshtje bashkuar
robërisht në dashuri ndarë.

Një tingull i fortë
me vete na ka marrë,
si një piano e harruar që ëndërron dy duar.
Ne si dy harqe të ç’akorduar
shijojmë vetminë,
e kundërta na mban gjallë!



KRAHËT E ECJES

Ngrihesh
fillon ecën
gjunjët s’të mbajnë,
qesh
brenda dënes
në heshtje
për të mos u parë.

Je dërrmuar
tani zvarritesh
ke duar të forta
nise të rritesh
sytë të tradhtojnë
heshtjen heshtojnë.

Stuhi para vetes
mbahesh përsëri
kapesh këmbë e duar
sa zgjat kjo marrëzi
s’di çdo të thotë
rrugë e nisur
dita nesër
sërish e mërzitur.

Kur mbaron gjithçka
si mëngjesi që zbardh natën?
Kjo botë a ndalon
së shpërthyeri shtrëngatën?
Fshihem kur ditët
kalendari numëron
dërgoj zëra larg
ku mesnata kumbon.

Asgjë s’të ka mundur
flas me zërin tënd
në krahët e tu jam
vazhdoj të rend
me natën rrëzuar
Mesjeta aty
unë ngujuar
fajtor kujtimi për ty.



PORTA E BRAKTISUR

Dyert e hapura braktisa dikur
më vëzhgonte shkujdesur rinia ime
pas dritareve ku drita xhamat përmall,
freskia e pranverës do t’i thyejë
që të mund të përçajë.

Askush nuk përqafon dorezën e portës,
me mall si tani, kur duart plasaris.
Kujtimet digjen me diellin,
çajnë mishin e butë të zemrës
dhe zhvishem nga rëndesa e saj,
sulmojnë shigjetat e Erosit,
hapen gjithandej shpërthimet e dashurisë.

Tapinë e fundit firmos,
pronare kujtimesh do jem.
T’i jap forcë kurajos së tkurrur,
portën e zbrazur, të pafat
ta mbush nga gjithçka besoj !

  

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen