Sonntag, 16. August 2015

Pëllumb Gorica

Pëllumb Gorica Edhe pse është larguar prej vitesh nga Sulova e Poshtme, poeti Pëllumb Gorica s’ndahet dot prej vendlindjes. Është me origjinë nga krahina e Sulovës (Elbasan) dhe prej 20 vjetësh jeton në Tiranë. Shkruan poezi, merret me studime letrare, historike, kulturore.
Ai merr penën e shkruan vargjet e poezive që i burojnë nga shpirti, dhe i hedh ato në fletët e bardha që marrin më pas petale shumëngjyrëshe lulefjale.
Në vitin 2009 boton librin me titull "Sulova e poshtme në shekuj", e në prill të vitit 2014 boton vëllimin me poezi "Dallëndyshet e erës".



Poezi nga Pëllumb Gorica


TELAJO  E  ËNDRRËS
 
 (Piktorit të Popullit Vangjush Mio)
 
 Dielli të kish hedhur në vite një kurorë me rreze,
 penelat të ftonin për të derdhur dritë magjie,
 ashtu mbete, me kavaletin të hapur edhe pas reve,
 me dorën që hidhte rreze të reja nëpër agime.
 
Mbeti e verdha jote në pasqyrë liqenore
e shpirti flakërin si engjëll në Mal të Thatë,
ndriçon në kopshte drita vjeshtore,
ti e ul pa zhurmë në bezen e bardhë.
 
Dhe rende në kohë me shpirtin bohem vetmitar,
peneli yt shkrirë mes bari,
liqeni e ngrin lart një valë,
dhe vjeshta merr ngjyrë prej ari.
 
 
T’I  S’ERDHE  AS  SOT
 
T’i s’erdhe… as sot
dhe qielli keq u nxi…
Vetmia sytë po m’i përlot
e reja po ndjell vetëm shi.
 
Mbi gurin e një rruge
të pres, të pres “butësisht”…
As sot t’i s’erdhe­­­
qielli shira shkund pafundësisht.
 
 
LUMENJTË E MALLIT
 
Pikojnë fjalëza ylberesh,
siç pikon shiu nëpër fletë,
dëshira të fton të nderesh,
 të rendësh nëpër retë.
 
Eh, udhët trokitje zemre,
pjesë simfonie e pastër!
Vitet ikin pas një kënge,
qiejve u thith ajrin e kaltër.
 
Këtu kudo jam i pranishëm,
një syth prej peme të arrirë.
Edhe pse ndihem kaq i lirshëm,
gjoksin ma grish një humbëtirë.
 
Më ngjan vetja si atëherë
e s’e mat me vite moshën,
hija jote më ndjek pa ndjerë,
malli më puthet me tokën.
 
 
M’I ZBARDHI FLOKËT KOHA
 
 Kur të kujtoj më zë mërzia…
 Oh ç’kohë e parikthim!
 Në gri e veshur nostalgjia,
 revoltë gjer në shpërthim.
 
M’i zbardhi flokët koha e mefshtë,
me rrengje në çdo metër,
si udhëtari pa adresë,
s’më mbeti asgjë tjetër.
 
Shpirti s’ra si gjeth i tharë,
as si guri në pus,
ca ëndërra mbyllur në guackë,
më kot t’i ngjall i lus.
 
 
FLE ME HESHTJEN E GJETHEVE
 Kodrionit, qytetit të lashtë 2400 - vjeçar në krahinën e Sulovës
 
Kanë ikur larg qytetit të heshtur,
për të ikurit s’paska më kthim,
shkelim gurët, besnikë që kanë mbetur,
si gjurmë për lashtësinë ...
 
Kanë ikur larg dhe askush s'ka mbetur,
përveç historisë, muzgfshehur ndër ne,
bari i thatë mbulon gurët e gdhendur
e sytë bredhin Kodrionit që fle...
 
Fle me heshtjen e gjetheve erëmjaltë,
pranë malit të perëndive si mister.
Vjen poeti këtu e me hap të ngadaltë,
gdhend fjalë që s'ia merr as vjeshtë e as erë ...
 
 
INDENTITET I  MALLIT TIM
 
 Lotët si litarë shiu të pikuan
 e vjeshta rrëzonte gjethet e pemëve.
 Si zogjtë ëndërrat larg nesh shtegtuan,
 ua ngriti në qiell mëndjen bohemëve.
 
 Koha larg njëri-tjetrit na hodhi
 në dh’e të huaj, në kurbet,
 shpirti mallin në prehër e mblodhi,
 me lotët tuaj e bëri një det.
 
S’i nxinte dot kaq shumë vajtime
dhe aq më shumë këtë psherëtimë,
më mbylli keq nëpër kujtime,
indentitet i mallit tim.
 
 
JEHON JONI
 
Ngjyej sytë në ca rreze dielli,
përzier me motive të kaltra,
më buzëqesh shpesh qielli
e valles ia merr varka.
 
Dallgët shndërrohen në muzikë,
pulëbardhat si fëmijët gërvishtin fjalë.
Deti sot për mua qenka si mozaik,
gravurë e gdhendur, koralë.
 
Kredhur në kaltërsinë mitike,
zemra ndjesi më zgjon,
përmendem nga dehja kozmike,
më jehon deri larg deti Jon...
 
 
PËRGJIGJE NJË  ISHMIKU
 
 Ç’do shpirt i fortë, apo i trishtë,
 S’e mban për miq derën mbyllur,
 por ti ma mbylle tinëzisht
 me shpirtin tënd limon të shtrydhur.
 
Tek unë edhe zogjtë vijnë, trokasin,
se dashuri kanë ndjerë përherë,
me cicërima fjalësh flasin,
miqësi e tyre më bën nder.
 
Ti je mësuar të bësh lajka,
shpeshherë me fraza plagjiturë.
Ku të zë dita, s’të kap darka,
me ty dhe kafja është torturë.
 
Kudo bredh, por i përlyer,
se ti me miq bën veç pazar,
poet me shpirt të importuar…
Me ty çdo rrugë e kam të ndarë.
 
 
MOS IA BËNI VARRIN PREJ DHEU
 
Erdhën me trenat e ngrirë nga larg
e zhurmat gjëmojnë te sytë e një plake.
Me fytyrë të zbehtë fle heshtja në prag,
por gjokset ndizen prej një flake ...
 
Mos ia bëni varrin prej plisash dheu,
as ta prekni me duar të pista, të pabesa.
Veç kopshtit të praruar ku një ditë ajrin preku,
me vesë mëngjesi i shkruani ca rreshta...!
__________
Marrë nga sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen