Me krijimtari letrare, Islam Balaj, merret që nga bankat e shkollës së mesme. Shkruan kryesisht poezi dhe prozë për fëmijë e të rinj. Herë pas here, merret edhe me publicistikë dhe me shkrime nga fusha e filozofisë. Shumë poezi të tij janë bërë tekste për këngë në Festivalet e Këngës për Fëmijë, si dhe janë recituar në Garat e Recitatorëve të rinj, duke u shpërblyer disa herë dhe me vendet e para.
Në vitin 2012 nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, nderohet me çmimin: “Ymer Elshani”, ndërsa në viti n 2014, në Panairin e 16 të Librit në Prishtinë, merr çmimin kryesor të Letësisë për Fëmijë, nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, për librin me poezi “Ngjyrat e shiut”.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.
Libra të botuara të autorit:
- “Dimri në pranverë” (poezi),
- “Shkaba në flamur” (poezi),
- “Zemra është zemër” (poezi),
- “Këmisha e ylberit” (poezi),
- “Ëndrra e Andit” (poemë),
- “Hënën s’e zë gjumi” (poezi),
- “Andi shkon në gjithësi” (poemë),
- “Porta e zogjve” (poezi),
- “Andi zhytës i thellësive” (prozë në vargje),
- “Fustani i mjellmës” (poezi),
- “Lulet bëjnë gjmnastikë” (poezi),
- “Aventurat e Andit nën ujë” ( roman),
- “Zemër në dritare” (poezi),
- “Vajza dhe Ylli” (roman),
- “Ngjyrat e shiut” (poezi) etj.
Poezi nga Islam Balaj
URA E IBRIT
Ç’ka që URA rri e heshtur,
Rri e shtangur
E bërë vrerë?
- Ah, ka vite, këmbë fëmije
Mbi kurriz ajo s’ka ndier.
Urë i thënçin,
Po urë s’është
Të lidh’ krahët e një lumi.
Njëri krah i ngeli jashtë
E tjetrit dhembjet s’ia mbytë gjumi.
Asaj korbat roje i bëjnë
Sikur t’ndjellin fatzi, kob…
T’bashkojë krahët nuk e lënë.
Me një krah si t’rrojë, o Zot?!!!
E IBRI ecën,
Turbullt ecën
Dhe ofshamën e mbyt n’veti.
Kërkon nëna fëmijën e vdekur
Që n’gji lumi sa s’ia treti.
ZOGJTË QESHIN ME KRAHË
Nga pika të vogla, të vogla shiu
Bëhet lumi
E me hapa të lehtë zogjsh
Behari vje’.
Nga sy yjesh të dremitur
Më vjen gjumi.
E në zemër të çdo fëmije
Përralla fle.
Në supe pemësh hënë e lodhur
Pushon krahët
Ndërsa era me harpë gjethesh
Këngët derdh.
Nën shi rrezesh si ujëvare
Një yll lahet
Ëndrra vjen më merr për dore
N’shëtitje m’nxjerr.
E zogjtë qiellit këmishëkaltër
Me krahë qeshin
Dhe tek krahë i bëhen ëndrrës
Veten mburrin.
F’mijët ëmbël n’gjumë buzëqeshin,
Veç buzëqeshin
Dhe buzëqeshjet i bëjnë rreze
YLBERË THURIN!
YLBERË THURIN!
AGU ME GISHTA FLORIRI
E hap agu dritaren
Me gishta
floriri
Në gjethet e syrit
Beharin
na zgjon.
Nga shtrati i zemrës
Ngrihet
bilbili
Dhe në degë të rrezeve
E thur
folenë.
Fustanet me ngjyra
Shpejt
i veshin lulet
Vjen dielli si princ
Dhe në gjunjë
u përkulet.
E hëna si nuse
E heshtur
pret lart
Pret mbrëmjen
t’i kthehet
ME PRINCIN E ARTË.
DY ZAMBAKË
NË HESHTJE PUTHEN
NË HESHTJE PUTHEN
Xhepat me ar i mbushi dielli
Edhe iku
Pas kodrës si hajn ai u fsheh.
E nata si një dhelpër
Lëpihet pas një shtegu
Hënën do ta hajë mbi re.
Yjet veshur me rroba qielli
Që nga lart
Ar na derdhin me buzëqeshje.
E në kopsht të ëndrrave
Nëpër natë
Dy zambakë
Po sa ëmbël puthen n’heshtje!
KU I MERR NGJYRAT SYRI
Brenda dy qepallash
Tërë një univers
Një botë përplot ëndrra
Një fushë
Një mal
Një det
E një lumë i gjatë malli
Si një udhë që s’ka mbarim
Dhe një tufë zogjsh prej ajri
Që fole kanë syrin tim
Të gjitha…
Të gjitha i ruaj aty;
I kam dritë në sy
Janë pikturë
E janë ylber
Aty ngjyrat syri i merr.
__________
Marrë nga sa-kra.ch
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen