Mittwoch, 19. August 2015

Veli Veliu

     Veli Veliu u lind më 25 maj 1958 në fshatin Muhovc, komuna e Bujanocit.    Shkollën fillore dhe të mesmen i ka kryer në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Një vit punoi arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore „Migjeni” në vendlindje. Ndërmjet viteve 1985-2002, qe gazetar dhe redaktor në gazetën e përditshme “Rilindja”. Pastaj punoi në Bibliotekën Ndërkombëtare „Hivzi Sylejmani” dhe në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Nga viti 2009 është lektor në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ishte kryeredaktor i revistave për të rritur informative letrare “Mileniumi”, “Oaza”, “Margaritari” (për fëmijë), dhe tani kryeredaktor i revistës “Syri ynë”, në Prishtinë.
     Shkruan për fëmijë e për të rritur: poezi, poema, tregime, romane, drama, ese dhe kritikë letrare. Për krijimtarinë e tij kanë shkruar kritikët: Prof. dr. Shyqri Galica, Ramadan Musliu, Abdullah Konushevci, Jakup Ceraja, Jonuz Fetahaj,  prof. dr.Agim Deva, Ragip Sylaj, Selim Krasniqi, Baki Ymeri, Sylë Osmanaj, Riza Graiçevci dhe Naim Maqedonci, ndërsa, nga studiuesit e huaj: Monika Mureshan dhe Marias Qelaru, kritikë rumunë!
     Veli Veliu jeton në Prishtinë dhe është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. 


Veprat letrare:

  • “Zogj merrmëni me vete” poezi, për fëmijë,
  • “Nën strehën e yjeve”, poemë për të rinj,
  • “Ditari i Zana Frangut”, prozë në formë ditari,
  • “Rrugët nuk ndalen”, poezi për fëmijë, në botim të Shtëpisë Botuese “Rilindja”,
  • “Rruga e rrezeve”, poemë për të rinj,
  • “Shqiponja”, poezi për fëmijë,
  • “Shtatë përralla”, poezi për fëmijë,”
  • "Vite të stuhishme”, triptik - poetik, 
  • “Besa e Konstandinit”, poezi për të rinj,
  • “Zogu i yjeve”, poemë për të rinj,
  • “Orët e pagjumësisë”, poezi për të rinj,
  • “Ama e Drinit të Bardhë”, poezi për të rinj,
  • ”Fundi i perandorisë së vogël”, poezi satirike për të rritur,
  • “Me Zotin e tokës”, poezi për të rritur, 
  • “Princi i këngës shqipe”, poemë për të rinj,
  • “1981” , (poemë për të rinj),
  • “Poema për Bujanocin”, për të rinj,
  • “Panteoni i Parnasit”, poezi për të rinj,
  • “Djepi i shqipes”, tregime për të rinj,
  • “Shpirti i dritës hyjnore”, përkthyer dhe botuar në gjuhën rumune,
  • “Sufletul Luminii Divine”.
  • “Vigan Epoke”, është poemë për të rinj kushtuar komandantit legjendar, Adem Jasharit,
  • “Në jugun e mallit tonë”, poemë për të rinj,
  • “Nën qiellin e tokës së ndarë”, sonete për të rritur,
  • “Katër kurora sonetike”, për fëmijë!
  • “Me buzëqeshjen e një Agimi”, tingëllima për të rritur.
  • “Shkolla e natës”, dramë për fëmijë
  • “Fatbardha”, dramë për fëmijë
  • “Dita e mësuesit”, dramë për fëmijë
  • “Bariu i vogël”, dramë për fëmijë
  • “Dryni i gojës”, dramë për fëmijë
  • “Lulja e lirisë”, dramë për fëmijë
  • “Maratoni”, dramë për fëmijë
  • “E bukura dhe shtatë mjeshtrit”, dramë për të rritur
  • “Xhaxhi Enver”, dramë për të rritur
  • “Frika nga ferri” dramë për të rritur
  • “Nata e tmerrit”, dramë për të rritur
  • “Në plazhin e madh të Ulqinit”, dramë për të rritur
  • ”Koka e shtrenjtë e majorit”, roman për të rritur,
  • “Gruaja e drejtorit”, roman për të rritur dhe
  • “Miku i panjohur” roman për të rritur.


Poezi nga Veli veliu


MË E BUKURA

Të gjitha femrat
Janë të bukura!
Më e bukura e të bukurave
- E dashura ime!

Me pamjen e shëmtuar
Janë vetëm shtrigat,
Që i helmojnë gjithnjë
Shpirtrat e pafat!

    
  
 DASHURIA

Përherë dëshirojmë të na befasojë me diçka,
Kur na qaset përmallshëm bota është e jona!
Fryma e saj e ngrohtë ndez zjarre të mëdha,
Thellë nëpër damarë, a mbyllet prore jehona!?

Nga udhët e gjata sa herë kthehemi të heshtur,
Diçka të panjohur në pritjen e re zbuluam!
Mes buzëve të etura trëndafili i posa çelur,
Dridhemi dhe vetëm qetësi të thellë du



HAKMARRJE E EGËR

Përtej tokës së heshtur
Deti i trazuar i fjalëve!
Palca e guri e ndezur
Nga goditjet e valëve!

Valët e hakmarrjes së egër
i hapin plagët më të thella!
Inati, që nga koha e  vjetër,
Ta kujtojnë jetën në shpella!

Përtej vatrës së shuar
Mallkimi të ndjek pas!
Me dhëmbët e shtrënguar
Tepër i rreptë një vrasës!

Pushoi kënga vendçe,
Tingulli i fundit u shua!
Për zjarrin e një etje
Nuk mjafton një krua!



 KATEDRALJA E PRISHTINËS

Fytyrat tona engjëllore të qeshura më në fund,
Ëndrra shekullore lëshon shtat për çdo ditë!
Në gjirin e tokës Nënë gërmohet gjithkund
mbi errësirën e mureve antike të hidhet dritë!

Me Nënën Terezë Kosova lulen e ballit lart,
Udhët e sheshet e lirisë mbushen me përmendore!
Gjergji i Gjon Kastriotit mbi kalë me shpatë,
Tokën e gjakut e lidhi me mbretërinë qiellore!

Me Katedralen Prishtina shumë më e bukur,
Shenjat e shenjta të gdhendura në lisa e në gurë,
Deri në kohën tonë janë ruajtur pa u zhdukur!
Nga dora e huaj s’ do të rrënohen më kurrë!

  

DRENUSHË E DRENICËS

Natë e ferrit, e lodhur i mbyll ngadalë sytë,
Unë u ula te koka jote -roje besnike drite!
Të ndiej si marrin frymë thellë mushkëritë,
Drenushë e Drenicës e përndjekur nëpër vite!



FAQEZIU

Grykës i pashpirt. I nxiste sherret,
Për së gjalli i hëngri të tjerët!
Prapa shpine gjithnjë foli,
Me ferra e mbyllte çdo shteg!
As vetvetja nuk i doli
Derisa e bëri dheun breg!

Në udhën e pikëllimit,
Skaj lagje së mjerimit
Një nga një u shpërndan natën
Të mërdhirë së ftohti!
Mbuloi balta baltën,
Asnjë pikë loti!



 RINI E PLEQËRISË

Trotuarit duke ecur ngadalë,
M’ u shkurtuan këmbët, nisi vallëzimi!
Toka u dridh përnjëherë, vallë?
Rruga e madhe pa shenja shqetësimi!

Dridhja ndodhi brenda meje,
Në shpirt u shthur çerdhja e qetësisë!
Një shigjetë më goditi në heshtje
Në pragun rinor të pleqërisë!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen