Më 1983 është dënuar nga regjimi komunist për veprën penale – propagandë armiqësore, ndërsa nga 12 maji 1998 e deri në fund të tetorit 2000 ka qëndruar në burgjet: Prizren, Lipjan, Dubravë e Nish, si rob lufte.
Prej vitit 1990 ka punuar si mësues në shkollat fillore e të mesme në rrethin e tij.
Nga viti 2004, në gazetën e përditshme “Lajm” ka ushtruar detyrën e redaktorit të kulturës dhe atë të redaktorit gjuhësor, ndërsa nga viti 2009 punon në Degën e Letërsisë në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë.
Me shkrime ka filluar të merret që gjatë kohës së studimeve, ndërsa ka marrë pjesë në sesione shkencore që janë organizuar brenda dhe jashtë vendit.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Libra të botuar:
- (1994) – Rekuiem për lisat (poezi) “Art Pena”, Prishtinë.
- (2003) – Labirinteve të tekstit letrar (Kritika dhe recensione), “Sheshi”, Prishtinë.
- (2007) – In medias res (recensione), “Era”, Prishtinë.
- (2008) – Simbolet florike dhe zoomorfike në poezinë e sotme shqipe (1945-2000), (monografi), Instituti Albanologjik – Prishtinë.
- 2010 – Fjalë prej guri (Vepra letrare e Azem Shkrelit”, Instituti Albanologjik – Prishtinë.
- (2011) – Prej pseudoteorive deri te plagjiatura, Instituti Albanologjik – Prishtinë.
- (2011) – n’Rezervat (poezi), “Brezi ‘81”, Prishtinë.
- (2013) – What’s Left of the Dream (poezi anglisht-shqip) – USA.
- (2013) – Shkrime kritike për letërsinë (studime, kritika dhe recensione), Instituti Albanologjik – Prishtinë.
- (2014) - Dita që kot e bart mbi shpinë (poezi), “Embeta”, Prishtinë.
Poezi nga Sali Bytyqi
SA HERË TË KUJTOJ TY
(Gruas sime, Dritës)
Sa herë të kujtoj Ty
Para syve më del Penelopa e lashtësisë
E unë jam Uliksi që shtegton në detin e pa anë.
Sa herë të kujtoj Ty
Para syve më del Vasha që pret në shtëpi
vite e vite
E unë jam ushtari që jep shpirt përtej
Urës së Qabesë.
Jetën ua kam borxh anonimëve të rreshtit të parë
Anonimeve të rreshtit të dytë e të rreshtit të tretë
Që i pritën me trupat e tyre bombat që u hodhën në mua
Anonimëve jetën ua kam borxh
Të gjithë atyre që i lanë fëmijët jetimë
e gratë e veja
Atyre që u gjetën eshtrat e atyre e që ua kërkojnë ende
Atyre që sot gjenden në listat e të zhdukurve…
Librat i shkruan hipokritët
Kjo botë është e Djallit
Që i ra hise kur u nda nga Zoti
Librat i shkruan hipokritët
Jezuin e dënoi Ati
Se mori mbi kurriz barrën e huaj
Jo E Drejta e Romës
Njerëzit e Mëdhenj janë largpamës
Prandaj edhe gënjejnë aq shumë
Kur flasin për gjërat që s’arrijmë t’i shohim
TË THIRRA EDHE SONTE
TË THIRRA EDHE SONTE
Të thirra
Të më vish në ndihmë
Ashtu siç e thërriste Homeri i verbër muzën
E Fishta zanat
Se
Njeriu
Mbetur nën gërmadha
Ka nevojë për ndihmë
Ndaj të thirra...
ÇDO GJË KALON, TI JO
ÇDO GJË KALON, TI JO
Mbyll sytë
Sytë Tu më dalin para
Hap sytë
Prapë të njëjtët sy shoh
Pamjet ia zënë vendin njëra-tjetrës
Në të njëjtin vend
Ti qëndron...
Më erdhe
Me buzët tua
Preke lehtë buzët e mia
Në kohën kur ndahej errësira nga drita
Dhe më the të heshtja
Të mos flisja asgjë
Vetëm të hapja sytë e të shikoja
Se ja po lindte një ditë e re
Ta jetoja sikur të ishte e fundit
Apo vetë Dita e Krijimit
TË PRES
TË PRES
Të pres,
Gjatë të pres
Dhe e ndiej thellë kënaqësinë e pritjes
Shumë gjatë
Të pres
Po nuk jam vetëm
Fytyra jote më përcjell kudo
Një jetë
Të pres
E s’ngopem duke shqiptuar emrin tënd...
FJALA ËSHTË DASHURI
FJALA ËSHTË DASHURI
E para ishte Fjala
Por edhe e fundit do të jetë
Ajo është dashuri
Fjala ishte para kësaj që shihet
Para kësaj që preket
Dashuri ishte ajo
Para se të ishte zogu në lis
Por edhe para se të dilte lisi nga dheu
Fjala ishte
Para se të notonte peshku në det
Por edhe para se të krijohej deti
Fjala ishte
Para se të lëshonte rrezet dielli
Por edhe para se të lëshonin dritë yjet natën
Ishte fjala
Dhe prapë
Kur më nuk do të jetë zogu në degë
Kur nuk do të jetë peshku në det
Dielli kur nuk do të lëshojë rrezet e tij
Fjala do të jetë
Se Ajo është dashuri
NË PRITJE
NË PRITJE
Duke të të pritur Ty
Numëroj sekondat minutat orët
Në fund e shoh se gjithë kjo punë ishte kot
Largësia nuk matet me orë
Ti je larg shumë larg
Je jashtë kohës e hapësirës
Atje ku vetëm shpirti Yt binjak mund të arrijë
Askush tjetër...
__________Marrë nga sa-kra.ch
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen