Sonntag, 16. August 2015

Naxhije Doçi

Naxhije Doçi është e lindur në Therandë (Suharekë) në Familjen Bajraktari të Therandës. Kjo familje më së dy shekuj ishte prijetare në luftërat për liri të tokave shqiptare, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit njëzet ishte e përndjekur dhe e burgosur pse vepronte me përkushtim për t’u çliruar nga pushtuesi serb në Kosovë. Babai i saj, Destan Bajraktari, profesor, ishte i anatemuar nga pushtuesi serb, i burgosur politik, folklorist dhe autor i 40 veprave poetike e folklorike.
Naxhije Doçi shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen, Normalen në Prizren, Fakultetin Filologjik-Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë. Mbi 30 vjet ka punuar profesoreshë në shkollat e Prishtinës, e nga viti 2000 Shefe në Drejtorinë për Arsim të Komunës së Prishtinës dhe zëv. drejtor.
Në vitet e 80-ta në shkollën ku punonte, tani Shkolla e Mesm Teknike “28 Nëntori”, në Prishtinë, për shkak të reagimeve të shpeshta ndaj ndëshkimit të nxënëve shqiptarë, që dilnin në protesta kundër pushtimit dhe diskriminimit serb në Kosovë, bije në sy për të keq tek administrata e shkollës dhe më gjërë. Reagimet e saj do të vazhdojnë edhe në kohën e ndryshimit të amandamenteve kushtetuese në vitin 1989 në Kosovë, segregacionit në shkolla dhe helmimit të nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e Kosovës, më 1990. Në klasën ku ishte kujdestare e klasës (kl. IV) i helmohen 23 nxënëse nga helmet toksike misterioze serbe dhe me ndihmën e nxënësve të paprekur nga helmimi i bartë me veturën e vet dhe si të mundet nxënëset e helmuara të klasës, as të gjallë e as të vdekura, për t’i dërguar deri në spital, si edhe nëpër shtëpitë e tyre. Angazhimet dhe veprimet e tilla do të kritikohen rrebtë nga administrata diktatoriale e kohës dhe për këtë do të ftohet disa herë në bisedat e ashtuquajtura informative në SUP-in e atëhershëm tmerrues serb, si edhe do të merret vendimi për përjashtim nga puna si profesoreshë. Në vitin 1991 një vendim i tillë makabër do të bastardhohet, se tani të gjithë nxënësit dhe mësimëdhënësit shqiptarë ishin të përjashtuar e të diskriminuar nga e drejta për shkollën shqipe. Edhe gjatë mbajtjes së mësimit nëpër Shtëpitë-Shkolla është torturuar fizikisht e psiqikisht prej policëve serbë, që hynin me barbari të paparë edhe në orët mësimore, në Shtëpinë-Shkollë.
Nga viti 1989 Naxhije Doçi është marrë intenzivisht me aktivitete të organizuara arsimore e politike në të mirë të Kosovës. Ka punuar shumë për shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare në Kosovë, si edhe për të drejtat e saj.
Është themeluese e Degës së IV te Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prishtinë, ndërsa në vitet 1992-1997 zgjidhet edhe nënkryetare, si edhe kryetare e FGLDK për këtë Degë.
Pas luftës zgjidhet sekretare gjenerale e FGLDK dhe kryetare e Degës së II të FG, në Prishtinë. 
Nga viti 2010 dhe aktualisht është nënkryetare e Forumit të Gruas të LDK.
Më 2004-2007 zgjidhet deputete në Kuvendin e Kosovës
Më 2005 shpallet ambasadore e Paqës Universale në Botë.
Në Kongresin Mbarkombëtarë të Gruas Shqiptare, mbajtur në Prishtinë më 2012 shpallet "Gruaja Shqiptare e Vitit"

Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK) dhe Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar - Prishtinë. Anëtare e QKPSHA - Gjakova, në Gjakovë. Nënkryetare e Pegasi - Kosova dhe anëtare e LNPSHA “Pegasi”- Albania.

Naxhije Doçi është autore e këtyre librave:
“Shpirti i dërmuar-Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, Prishtinë 2001, (330 f).
“Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar ”-Prishtinë -2009, (445 f.)
“Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, Prishtinë -2010, (441 f.).
The Serbian crime and rape against the Albanian Woman in Kosova 1997–1999”  Prishtinë – 2013, (465 f.)
“Kohë flakadanësh të lirisë”, poezi, Prishtinë - 2012, (205 f.)
“Times of flambeaus of fredoom” - Pristinë, 2012, (205)
UDHA E KOMBIT-Ëndërr e dehur e rrënjës”-Poezi, Prishtinë -2015, (120 f.).

Ka marrë pjesë në shumë tubime letrare e shkencore në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri dhe është vlerësuar me me mirënjohje dhe tituj nderi, si:

Titulli “Krenaria e LNPSHA – Pegasi - Albania”, Tiranë 2009.
Titulli: “Publiciste e vitit 2013 për Kosovë”-“Pegasi”-Albania.
Mirënjohje: “Ulpiana Krenaria jonë”-Kuvendi Komunal-Prishtinë (Drejtoria për Kulturë) -2013
Mirënjohje: “Engjëlli i Prishtinës” - 2014
Vendi i tretë–Konkursi Letrar - Therandë – 2014 dhe 2015
Vendi i dytë – Konkursi Letrar –QKPSHA “Gjakova”- maj 2014 etj.

Naxhije Doçi është autore e shumë fejtoneve gazetareske për tmerret e luftës në Kosovë, vlerësimeve shkencore dhe e punimeve etnografike e gjuhësore.
Është recenzuese veprash letrare dhe autore tekstesh shkollore si:
“Fletore pune e gjuhës shqipe”, për kl.e IV.
“Fletore pune e gjuhës shqipe”, për kl. e V-të.
Libër leximi për kl. e III – “Mësojmë shqip”
Është e martuar dhe jeton në Prishtinë me bashkëshortin, prof. dr. Rexhep Doçi.



Peezi nga Naxhije Doçi

URIME ME GJUHË ZEMRE

Tokë e idhujve të dritës
nuse shekujsh Kosovë
me mbi dhjetë vjet shtet me dekret
ngjyrash purpuri të Pavarësisë,
urime me gjuhë zemre
Vitit të Ri Shkollor-2012
me Abetaren kombëtare të diturisë,
unifikim i përmalluar thellësie.

Nëpër këndet tua të buzëqeshura
fillimshtatori i pikturimit sublim
parakalon me hove të guximshme
në dashuri shpirti për ta ndezur
derdhjen e lumit në gurgullimë.

Brerore me shpresa të etura si magji
për lirinë e shumëpritur
një shekull peng-plagomë
sot është festë e madhe
në pëllëmbën tënde të virgjër,
hapëkrah dyert e shkollave
tempujt koherentë të bardhësisë
për mijëra cicërima zogjsh
me tinguj përmasash të jetës,
për mijëra përtëritës të ardhmërisë.

Në universalen e vazhdimësisë
nuk dua ta shfletoj të shkuarën e trishtë
me pranvera të ngrira zymtësie
kur ngulmet i bënim fshehurazi
nëpër kthinat e harrimit
në sfidim tjetërsimi.
Muzgun e lamë mbrapa, në mbamendje të historisë
si kujtim i dëlirë urtësie
me jehun e disiplinuar natyrshëm.


VASHAT E KOHËS SIME
           
Vashat e kohës sime ëndërrimtare ishin
skuqeshin gjer te veshët kur me tjetrin flisnin
zemrën mbushur vrull sytë plotë zjarr i kishin,
në gonxhe trëndafili buzëqeshjet iu shndrisnin.

Punëtore ishin vashat e kohës sime
me veshje të bardha bartur në shtresime.
Lojërat fëmijërore pak kohë i gëzonin
nëpër vite rriteshin më shumë përjetime
e në pajë nusërie rininë e kalonin.

Idhuj ndër vegime vashat e kohës sime                
të heshtura përherë dhe me shpirt t’plagosur
në ankthe durimi flisnin me gëzime
për thyerje pengesash moteve në ndërrime
dhe komponim këngësh n’dashuri ngjyrosur
me vrulle shpresash brymosur.

Rreze purpuri vashat e kohës sime
në reflektim ngrohtësish
tok me kohën ngritur
me vepra të mëdha jetën e përtërinin
me tingëllima zemre deri te rruga e ndritur.

Vashat e kohës sime në krenari rrënjosur
për zbulim reliktesh shkrirë në pikturime
në ngritje themelesh shpirt e trup murosur
për lirinë e bardhë shekujve ngurosur.


MBI QYTETIN AKUAREL

Mbi qytetin akuarel
rrënjë-prush i ruajtur në shtresime
mbi Prishtinën me sy dielli
kodrash valëzore në përthekime
pranvera stinë e dehur
me buzëqeshje lulegjakesh të çelura.

Hapësirës së thelluar në ngjyresë shpirti
sheshet me emërtime krenarie:
“Gjergj Kastrioti-Skënderbe”,
“Ibrahim Rugova”,
“Nëna Tereze”,
“Zahir Pajaziti”,
jetë e tyre hirësi mbi dhe
për liri e njëjtësi shndëriti.

Me vrullin e dashurisë së përtrirë  
lagjet në skalitje kohësh, 
Ulpianë, Kodra e Diellit, Dardani,
Kodra e Trimave, Tauk Bahqe e Arbëri,
Qytet i Vjetër, Taslixhe e Kalabri
dhe gjithandej përreth nëpër mrekulli
prore me etje shpresash të thinjura
për agminë e harlisur në pikturim.
Nëpër damarët e shpërthimit të blertë
trasetë përplotë drunjë me fletë
në flakërim bujshmërie,
epilog i përkryer.

Ndezur përmallimesh prush
vargu në gufim të virgjër frymëzimi
në gjurmim ninullash të ruajtura
përkundur në djepin e lashtësisë
liqenit të përgjumur,
peizazheve të shirta të Gërmisë.
Jehut kumbues të lirës
e djeshmja kronikë e paharruar kujtimi
nëpër dhembjet e mbetura,
e sotmja ylber i harkuar përmasash
me dalldisje të pëlcitura guximi
në mundje të heshtinës që mundon,
as tundjen e tepruar s’e pranon
në buzetjen e magjepsur!


DHJETË VJET KUJTIM KRENARIE
 (Babait tim atdhetar e letrar)

Ishte fundshkurt 2005 në përshëndetje
tash plotë dhjetë vjet
gjithkah nëpër shtigje të shtrira
acar i ngrirë në pushtim
kallkan i ndezur
ku edhe hukama kristalizohej
mbi buzët e përvajshme nga përmallimi
për orën e ndaluar.

Dhjetëvjetësh i këputur në cep të endrrës
në kujtim krenarie me drithërimë 
për poetin atdhetar fjalë-artë
vargjesh të panumërta në vjershërim
motivesh të ndryshme,
për të rritur e për fëmijë,
folkloristin euridit.
           
Fjalët e urta në renditje shkrimi
mbi 65 mijë njësi mençurie
dëshmi e papërsëritur në rrjedha kohe
mbledhur me përkushtim frymëzimi
udhëtimit maraton të pandalur
nëpër gjurmët e ruajtura me dashuri zemre
rrënjës së lashtë të fisit arbëror, 
plisit sfond i derdhur bardhësie.

Rini e burrëri në kornizë historie
me jehun e derdhur sublim,
sfidues koherent i robërisë së zezë
mbi pëllëmbën e trashëguar
larë me rrëke gjaku gurgullimë.

Të fundmen luftë i moshuar e përjetoi
gjithçka shkrumb e hi në vitin 1999
mbi nënqiellin purpur të Kosovës
nga dorë e pushtuesit serb-barbar.
Në pragun e shtëpisë zemërzjarrtë qëndroi,
askund nuk shkoi në rehatinë për vete
me besimin e plotë shkrirë në shenjtëri
për dritësirë mbi mjegullnajë
nga trimëritë e gufuara në bjeshkë e në vërri.

Nuk e linin as përkushtimet e djegura
renditur në palëzime motesh
nëpër çelitë e errëta pa numër
sizif përkues në Fortesë të Ifit.
E fundit qoftë lufta për jetë e mot
për popullin tim rrënjë-dëlirë
denbabaden në tokë të vet
ishin fjalët uruese të tij.


BUZË DETIT NË DURRËS

Dyrrachiumit të lashtë
Durrësit të sotëm të ri
valëzimet e detit qetë-qetë,
e herë me suvalë-stërkala
në përmbysje kohësh ekliptike
që etjet nëpër thonj m’i shteruan,
madhështitë hirësuese të gjyshërve
renditur nëpër palëzime motesh
me ironi të gurëzuar m’i kafshuan.

Nëpër ujin si kaltërsia e qiellit,
apologjia e zgjimit tim krenar
ndrydh ngecjet e akullta
të vetëdijësimit tonë të drobitur
në përthekim dashurish të këputura
nga gjenezë e vetë e frymimit.
Më përqafime të dehura agmie
qetëson ndjeshmërinë e trishtë
të shekullit njëzet që shkoi
me diell të zënë në pusi
kur jeta dremitej me dhembje e vragë
vetëm nëse përmendej emri Shqipëri.

Vrullet përflakje të dehura hirësie
në komponim melodish të ylberta
me domosdonë e urtësisë së hapur
në mendje e në zemër,
trokëllimë provokuese në ndërgjegje
për kronikën e përbashkimit 
të tokave shqiptare,
nëpër mote trishti padrejtësishtë të ndara,
           në një emër.

__________
Marrë nga sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen