Ishte profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Qendrën arsimore "Skënderbeu" në Preshevë. Punoi përkthyes e gazetar në "Flaka e vëllazërimit" në Shkup. Ndërkaq, nga viti 1985 e deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë, punoi gazetar dhe redaktor i kulturës në "Rilindja" - "Bujku".
Është prezantuar në disa antologji poetike, në mesin e të cilave edhe në "Poets for world peace" të Akademisë Botërore të Paqes "Stefan Gil" të Kanadës, pastaj në disa tekste universitare, leksikone, albume, botime kritike etj., në shqip, anglisht, gjermanisht, rumunisht, boshnjakisht, kinezisht, mongolisht e gjuhë të tjera.
Në dy mandate ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ishte i angazhuar në shumë aktivitete, përfshirë këtu edhe juritë, komisionet e shumta etj.
Është fitues i disa çmimeve në poezi, kurse më 2006, për romanin "Shtatë ditë pas vdekjes", mori çmimin "Hivzi Sulejmani", të cilin LSHK e ndanë për veprën më të mirë të vitit të botuar në prozë.
Që nga paslufta jeton dhe vepron në Prishtinë, përkatësisht në Fushë - Kosovë.
Veprat e botua:
Poezi
"Klithje e përmallim", 1977
"Frymëmarrje", 1984
"Peizazh i ngrirë", 1994
"Rikthim dhembjeje", 1998
"Pikë në zemër", 2005
"Përtej harrimit", 2008
Poema
"Presheva", 1998
"Pallati me yje", 2006 (poemë për fëmijë)
Tregime
- "Lumja", 1982
- "Puthja vrastare", 2003
Novela
- "Hija e korbit", 2005
- "Zgafella e hutinit", 2005
Romane
- "Shtatë ditë pas vdekjes", 2006
- "Furtuna", 2007
- "Lëmë derrash", 2010
- "Ishulli i vdekjes", 2012
- "Tuna", 2012
- "Kalvari", 2012
Romane për fëmijë
- "Çamarrokët I",2015
- "Çamarrokët II"2015
- "Çamarrokët III"2015
Drama
- "Zibardhët", 1998
- "Monstrumiada", 1998
- "Ëndërroj për një ditë", 1998
- "Vdekje e hijshme", 1998
Publicistikë
- "Njeriu që rrezonte mirësi", 2010 (epabotuar)
Në gjuhë të tjera
- "Poezi të zgjedhura", kinezisht, 2010
- "Gatanje" (Fall), boshnjakisht - anglisht, 2012
- "Naopta lunga" (Natë e gjatë), rumanisht, 2012
- "Anatomia del dolore" (Anatomia e dhembjes), italisht, 2013
Poezi nga Mexhid Mehmeti
MBETËRESHA IME MUZË
mbretëresha ime muzë
pati dëshirë të marrë
të më shndërrojë
në luftëtar sozish e kafkash
më donte të tillë poet
në tokën kafkiane
këtë mund ta kenë dëshiruar
shumëkush
por tashmë nuk gjendeshin
kafka të tilla dashurish
mungonin gozhdëtarët
të kalëronin harbueshëm
qiellit me qerre dielli
tashmë
të ardhurit po villnin
po seksonin pabesisht
veshur me këmishë qashtërore
po më goditnin fort
me vetëtima sëpatash
të ma fshinin nga kujtesa
mollën e kuqe
më rrihnin pamëshirshëm
t'më shndërronin në moshtër
që kullot fushtirave të mortit
ndaj pa asnjë hezitim
këmbeva shpatën me penë
dhe përjetova
ekstazë (ri)ngjalljeje
tashti
ngjallem pas çdo fjale
pas çdo vargu
pas çdo rime besoj
tashti
me fyellin tim kangjelor
me pasionin e lulimtë
pas atij (ri)zgjimi biblik
shumëkujt do t'ia prishi
gjumin shekullor
nga sot e tutje
këmisha e bardhë në trupin tim
nuk do të jetë e bardhë
as dita e zgjimit
nuk do të jetë
dita e gjykimit
ndaj
mos më fajsoni
kur t'më groposni
atje ku "rrojnë" të vdekurit
në vendgjuetitë e përhershme
të qetësisë heshtake
o zot
do të më mungojë shumë
vetëm mbretëresha ime muzë
2012
VARGJET QË S'I SHKROVA
m'kanë zënë ngushtë
vargjet që s'i shkrova kurrë
m'akuzojnë (pa)drejtësisht
përse (nuk) shkrova
(më) shumë për dashurinë
për dashuritë
dashuriçkat
m'kanë zënë ngushtë
vargjet që nuk i shkrova
më pyesin (jo)qëllimisht
ku ndodhen tash
ish të dashurat e mia
m'kanë zënë ngushtë
vargjet që s'i shkrova kurrë
parakalojnë para meje
si në rreth vallëzimi
e ma mbajnë gojën mbyllur
t'mos e them përgjigjen
më kanë zënë ngushtë
vargjet që s'arrita t'i shkruaj
duan të shndërrohen në yje
ndoshta
për t'u parë më mirë
kujtimeve të brishta
m'kanë zënë ngushtë vargjet
që s'munda t'i shkruaj dot
m'akuzojnë (pa)drejtësisht
në këtë moshë të pa moshë
sepse e tepërt është tash
letra e bardhë -
e kotë joshja e saj
m'kanë zënë ngushtë
vjershat që s'arrita t'i shkruaj
janë shndërruar n'ofshamë
të gjitha
tok me të gjitha
ish të dashurat e mia
të cilave s'ka kush ua shkrinë
as me hukamë
lotin e gurëzuar n'qepallë
2013
NDJEHEM MBRET
kam vuajtur shumë
nga smundëri
e merakut të përtejmë
ndonëse
me këmbanë ringjalljeje
më gufmoi ylli i fatit
anedon kam rrojtur
si vetmitar
i bregut të nostalgjisë
këtu në kontinentin mëmëlindës
me mollën e kuqe në zemër
edhe sot
si ngahera
rroj vetëm në askundëri
të botës imagjinare
përplot errësirë
megjithëse jam ndjerë mbret
përherë
sepse
gjatë gjithë kohës
gjithjetësia
si mister i të lashtit gulm
dhe dashuria bukurillahtare
ma cungonin
mëmëdheun fatpadalë
duke ngujuar
legjendën tragjike
të të zezës hijeshi
të mortit
2012
TESTAMENT
nëse vdes nesër
për mua
mos thuani asgjë
as mos i përlotni sytë
por heshtni
heshtni më tepër se një minutë
sa isha gjallë
një minutë heshtjet
më patën ardhur maje hunde
tash së vdekuri
më shfletoni faqe për faqe
ngadalë e qetë
gëzueshëm
a nuk është thënë
sa e sa herë
jeta shkruan romane
vetëm këtë herë
më besoni në fjalë dhe...
nëse e takoni të dashurën time
i thuani se
nuk është bërë kijameti
në shkretëtirë
ende mbretëron
vapa përcëlluese
kurse në polin e veriut
bukuria vrastare
e bardhë e ftohtë
t'i verbon sytë
n'damarë ta ngrinë gjakun
kur të vdes
mos më vishni
si babain tim
me kostum solemn
mos më vëni kollare
si lak ekzekutimi n'qafë
as këpucë të reja
mos më mbathni
atje ku do të më shpijeni
nuk ka kush t'më thotë
i shkefsh me t'shëndoshë
në varrimin tim
nuk dua askush të mbajë fjalim
për të fituar poen politik
në varrimin tim
nuk dua as hoxhë
as pop
as prift
parajsën duhet ta kem merituar
pa ndihmën e tyre
ju të mirët
sypërloturit e mi
më shpjeni në varr
të nyndë
mbuluar me libra e fletore
vendet më intime
ose më mbështillni
me letrën e shkruar me jetë
nuk më duhen sarkofag
tabut a qefin
atje ku krimbat
do ta bëjnë punën
pa e pyetur askë
nesër nëse vdes
më varrosni solemnisht.
me këngë vaji në buzë
në përjetësi më përcillni
dhembshëm
ashtu siç e përcolla dikur
tek tjetri
të dashurën time
vdekur për së gjalli
2013
SERIOZISHT
a të kujtohet
si m'pate thënë
ditën e fundit
që bëmë dashuri
seriozisht
m'pate thënë
se jam tepër skeptik
dhe tepër egoist
kurse ty të duhej
një person normal
që nuk rron
mes botëve imagjinare
je i sëmurë
tapë i dehur
ndoshta edhe i droguar
më pate thënë
me gjithë mend
seriozisht
m'pate thënë
se nuk e pëlqeje
muzikën që dëgjoja
as vallet që vallëzoja
as filmat që shikoja
madje as librat që lexoja
janë ngarkesë shpirtërore
nuk kanë lidhje as me art
më pate thënë
dhe vazhdimisht
më shaje
e më kërcënoheshe
me fjalët
idioti im
mos
mos ma prek prapanicën
mos më kafsho
mos i fut hundët kudo
as gishtat
mos
mos
mos
sa herë
duhet ta përsëris këtë
më thoshe
teksa bënim dashuri
si të çmendur
përsëri
e përsëri
e përsëri
2013
DITËN QË MË LAGU SHIU
ditën që më lagu shiu
librin tënd
e kisha me vete
në xhepin pranë zemrës
e ruaja me xhelozi
shiu nuk na kurseu
as mua as emrin tënd
të shënuar në kopertinë
isha ndjerë keq
jo për veten e qullur
sa për librin
që e pësoi
nga pakujdesia ime
njëjtë isha ndjerë
edhe kur i lexoja
poezitë tua
në librin e lagur
isha tepër i pikëlluar
gjatë tërë kohës
sa tereshim me librin
pranë oxhakut
që ma ndizte zemrën flakë
drita magjike e zjarrit
përflaku ndjenjat
dhe dashurinë time
duke e praruar me ar
2014
NË TY SHOH
TË GJITHA GRATË QË I DESHA
TË GJITHA GRATË QË I DESHA
të gjitha gratë
që i pëlqeva dikur
tash i shoh në ty
të gjitha gratë
ama të gjitha
edhe ato
që nuk kam guxuar
t'ju flas
edhe ato
që nuk kam guxuar
t'ju buzëqesh
sepse në ty
gjendet krejt ajo
që kam parashikuar -
jeta që dikur e kam menduar
tash më thuaj
si duhet të veproj
çfarë duhet të bëj
që t'më besosh
për atë që po ta them
ndoshta mjafton
të të shtrëngoj me duar
të të puth me buzë
të të shikoj me sy
apo vetëm të t'i dëgjoj fjalët
që do të m'i thuash
pas kaq kohësh memecërie
më trego
çka duhet të të them tjetër
që t'më besosh
se në ty gjenden
të gjitha ish gratë e mia
të gjitha gratë që i desha -
dëshirova
sepse tash
je vetëm ti e dashur
e në ty ato
të gjitha
2013
_________
Marrë nga sa-kra.ch
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen