Mittwoch, 29. Mai 2013

Tahir Desku

Tahir Desku

Tahir Desku u lind më 1957 në Siqevë të Klinës. Shkollën fillore e kreu në Ujmirë, të mesmen në Klinë, kurse studimet për Gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. 
Fillimisht, ishte gazetar në gazetën e studentëve “Bota e re”. Pastaj punon gazetar në TVP gjatë viteve ’80, ku disa herë e largojnë nga puna. Kur e largojnë përfundimisht nga puna, ia mësyn eksodit, në SHBA dhe atje qëndron tetë vite. Atje kontribuon në lëvizjen kombëtare e politike të diasporës shqiptaro-amerikane. Kthehet në Prishtinë pak vite para luftës dhe nis e boton revistën kulturore, shkencore e letrare me titullin “Tribuna”. Pastaj kyçet në radhët e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke raportuar gjatë viteve 1998-1999, deri në çlirim.
Pas luftës zgjidhet kryetari i parë në liri i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë e kryente edhe punën e redaktorit të kulturës në Radio Kosova.
Për të gjallë ai botoi librat poetikë: “Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) “Idil e vetmi“ (1989) dhe “Engjëjt e lirisë” (2000). Një libër poezish të tij u përkthye edhe anglisht (2001), nga Fadil Bajraj, me titullin “Love and spring”. kurse mbas vdekjes, më 2006, nga LKSH-ja, iu botua libri poetik “Në cilin gjet e kam vdekjen”.
Tahir Desku është lauruar me rastin e 15-vjetorit të revistës së studentëve “Bota e re” me çmimin “Gazetari më i mirë i vitit”. Ndërsa me rastin e 30-vjetorit të kësaj gazete studentore, më 1998, kur ai gjendej në vijat e frontit, merr çmimin “Gazetari më i mirë në 30 vjetët e fundit”. Ai u laurua me të gjitha çmimet letrare të Kosovës, si nç manifestimet Mitingu i Poezisë në Gjakovë, Takimet e Gjeçovit, ndërsa në vitin 2000 shpërblehet nga LKSH për librin më të mirë të botuar brenda vitit në Kosovë. Ndërsa për kontributin e tij në Luftën Çlirimtare të UÇK-së, ai merr dekoratën “Urdhëri i Adem Jasharit”.

Poeti Tahir Desku la ndërruar jetë tragjikisht në fatkeqësi komunikacioni, më tre dhjetor të vitit 2005.


Poezi nga Tahir DESKU


BALADË
(Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998)

Kush është ai që zbret nga mali
Është Mujo Komandanti
Është ai, Muja vetë, me nëqind e dyzet
Nga po vjen, nga Tropoja a nga Vlora?
Kah vjen ai shkrin bora
Vjen në borë vjen në shi
Nga Shqipëria në Shqipëri

As hëna nuk kishtë dalë
Rrëzë bjeshke atë natë
Vetëm terri shtrihej si gjarpër i zi
Terri që ndante atdheun në dysh
Atdheun e moçëm nën qiellin gri
Dhe pjesën tjetër nën shi...nën shi...

E rruga ishte e largët tek zhdukej në pafundësi
Ai vështron fushat e paskaj të Kosovës
E mendon për zogjtë:
Nuk ka vend më t’bukur fluturimi
Kur flet me lumenjtë thotë:
Është vend i papushtuar
Kur numëron plagët shton:
Vetëm vdekja ia shton bukurinë Lirisë!

Pastaj zbardh dita e plogësht
Dhe ëndër e keqe numëron 36 herë
Dhëmbja shtron gjakun për dhe
Vashat shamizeza ulur nën një breg
Kanë ndalur pranverën e bimët që mbijnë
Diku në një shteg...diku në një rimë

Ai sërish ngritet dhe nis këngën e moçme
Që këndohej në anët tona:
Nuk po mundëm or shokë me folë
Se m’ka ra do gjak në gojë...




ME TË RËNËT

Sa do të kisha dashur
Të jem me ju sonte,
Me ju të mirët,me ju të mëdhenjtë
Të flisnim bashkë
Ç`ëndërr ish liria

Asgjë s`mbetet tjeter 
Veç neve kënga
E juve lavdia

Netëve të zymta
Shpesh e ndal mendimin,pyes
Ku e ka burimin
Gjithë ky zjarr ky mall
Kjo dashuri
Në cilën këngë zogu
Në cilën pupël shpendi
Në cilën val deti
Ky frymëzim

Gjithënjë më bëhet
Sikur s`jam ndër të gjallët

Edhe për të vdekur
Nuk ka më kuptim




MËRGIMTARËT

1.

Kur i barti harrimi me vete
Fyellin e vendlindjes e fshehën diku

Mes shtresave të zemrës
Dashuria mbyllet në pikë gjaku

Më e bardhë se pëllumbat
Mbi lumin e ballit tim

Letrat kanë ngjyrën e tokës
Mallin shtegëtarëve ua falin

Takohemi një ditë para vdekjes
Botë e vogël, puqemi në një pikë

Do të lindet një ditë
E pathëna mes vetmisë

Larg deteve , tej qeillit të hapur
Takohemi një ditë para jetës

2.

Këndej festat s’janë si dikur

Mund të digjen kujtimet

Gjithçka ka erën e bukës si gjaku

Kur etshëm vlon në damar

Në zemër zemra vdes thonë


Me shpirt hiqni mallin

Kur mbi kokë bie tjetër gur

3.

S’mund të na pëlcasë durimi një ditë
Në përqafimin e fundit dritë
Fyelli i vendlindjes bëhet gur




Në hijen e një peme

Nën hijen e një peme
i vetmuar jam shtrirë
në cilën degë
në cilin gjethë
e kam vdekjen

në cilën cicërimë zogu
është fshehur liria
përrallë e bukur

Kalimtari që iku
qenka tjertësuar
aspak s’i ngjante Atdheut

s’është siç thoshte
Lili Liria jonë
kur jeta formë zjarri krijon
eshtrat lëvizin mbi shtiza

e çdo gjë
merr formë fluturimi

Nën hijen e një peme
jam shtrirë për Dhe...




Unë do të vij

Kur të vijë pranvera
do të nisem tek Ti
se të dua shumë

Të kam shpikur me një zjarr të ri
se jeta ndërroi formën e vet

tash do të provoj dhembjen deri në gjak
që të jem afër teje

nëse vdekja më ndalon
ti prit derisa të vijë pranvera

Unë do te vij
tepër i bukur
tepër i ri




Kur të kthehesh

Ymer Shkrelit

Eh kur te kthehesh
ç’kullë kam ndërtuar
Drenicë-Babiloni
do ti shohësh
përmes vargjeplumbash

veç për fat jam çmendur
e kam harruar çdo gjë
ç’po rrej o zot mbaj mend
thoshe: Liria, Po

paj edhe të tjeret rrejnë
po thonë je në Europë
Azi Amerikë apo s’më kujtohet
ç’dreq thonë

mbrëmë kur ishim
Unë Ti Adem Jashari
pasi ike më tha:

kërkoj ca vargje
se s’po mund te vdes
hej, njeriu s’mund te vdes
se ka rënë mall i madh i Atdheut

Apo së paku pikturo Ballkanin
se thonë u zhduk
ra në Jon
e përpiu Deti i Zi
apo qielli gri
unë nuk di
thashë jam çmendur në pranverë

dhe kam vdekur një mijë herë




Unë nuk jam engjëll

eh po te mos kishin vdekur kujtimet
do të thurja vargje për Ty

se q’bukuri fshihej në sytë e Tu
ç’ëndërr strukej nën flokët e brishta
apo thellë në zemrën tënde
si një i vdekur
shndërrohesh në engjëll

do të flisja pastaj
si ikën ditët netët rrugët qytetet
festat dhe takimet
nën bli

eh po të mos kishin vdekur kujtimet

ik tash Lumë i Harresës
se sapo nuk vdiqa

duke të dashur



Meditim

Desha të them
pse nuk vdiqa
mes trandafilave
një natë të bukur vere
apo nën hijen e pemës
tek isha shtrirë për Dhe

pse bie fjala
në Prekaz a Kosmaq
nuk vdiqa
bri rrapit shekullor

ç’kuptim ka atdhedashuria
të jesh vetëm poetë i çmendur

pashë Zotin




Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen