Sonntag, 21. Juli 2013

Sidorela Risto

Sidorela Risto është një vajzë e re, poete, pianiste dhe studiuese e talentuar, bija e poetit dhe botuesit të njohur Petraq Risto. E lindur më 25 maj 1983, ka mbaruar studimet e mesme dhe ato të larta për letërsi në Hunter College, New York, Usa, po përfundon masterin me temë Jame Joyce, po në atë kolegj. Ka botuar librat poetikë: “Pegaso”, “Ku e vërteta gënjen të vërtetën”(në shqip dhe anglisht) “Aprila” (në shqip dhe anglisht), “Harta e verbër” “ The Blind Map” (në shqip dhe anglisht). Shkruan ese, përkthen, etj. Këtë cikël e dërgoi autorja nga New York-u për botim te "Gazeta e Athinës".
 
 
DIÇKA PËR NOTIMIN
 
I
Vetëm.
Mendja ulet në kështjellën prej rëre
loti formon baltën
unë pi gurët e vetmisë
jeta s'më jep ujë
dhe mbytem.
Një peshk i vogël: unazë në grep.
 
II           
Në fëmijëri bëja not peshku
duart në formë lutjeje
vallëzonin mbi det
këmbët luftonin pafajsinë e valëve
gjysmë vals, gjysmë flamenko
gjysmë peshk, gjysmë njeri
fytyrën baltës, shpinën qiellit
isha fëmijë.
 
III
Tani bëj not delfini
përqafoj jetën me krahë të rëna
krahë e këmbë të lodhura
zhytja është luftë njerëzore
lutjet plumba dhe goja grykë pushke
Me Zotin komandant qëlloj
armik nuk kam
armiq kam plot
delfin naiv jam.
 
IV
Jeta është stomak peshku.
Si Xhona në barkun e balenës
jam unë perlë e ndotur në barkun e botës
Të dy kërkojmë një vend të huaj
Ai Ninivitët unë Parajsën.
 
V
Hapuni valë, hapuni,
peshkaqenve dua t’u largohem
notoj në oqeanin e vetes.
                       
Brooklyn, 2004
 
 
PA SHIJE
 
Zemra ime garniturë
me degë shelgu,
mbi një pjatancë puplash të këputura.
Zogjtë kanë evoluar në peshq
barkpërpjetë dhe të verbër,
tik-taku i zemrës fle në një krevat avulli.
                           
Kripë dhe piper
t’i jap shije muskulit pensionist,
për hir të hidhërimit.
Fluturat shijojnë nektarin
e një luleje të vyshkur,
dhe largohen
në rimishërimin
e një jete tjetër,
ku unë jam gruaja e pasionit.
 
Shpirti im s’ka më flutura,
i joshe ti të gjitha.
Një kupolë drite
kur krijesa e urtë eci pranë
si një flakë qiriu që të gudulis dëshirat.
Prushi im është shumë i ndritshëm për oreksin tënd,
kështu unë djeg drurët e thatë,
vloj pasionin jashtë zemrës.
 
Ndërsa ti pi kafe me pëllumbeshën,
tik-taku i zemrës fle në një krevat avulli.
 
 
LOTË TË IMPROVIZUAR
 
Pikëza uji
trokasin këmbët mbi
sipërfaqen e ftohtë
si rënie të ngrira daulleje
të një xhazi të varfër.
 
Në një vaskë me ujë
dy qirinj në formë gjetheje
lundrojnë mbi petale trëndafili -
varka të zbrazura puthin
horizontin e kuq.
 
Nën ujë
një rrymë kujtimesh
luan melodi të heshtura
mbi telat e butë
të gishtërinjve të vyshkur
 
Djersa kafshon lehtë gjinjtë kumbull,
prekja është fantazmë e dëshirës.
 
Vetëm, peshk i rrudhur.
 
 
KAPITEN PA BUSULL
 
Gishtërinjtë përkëdhelin
gjethet që notojnë mbi dallgë
shegën e çarë-nota të ëmbla
në një pentagram te kuq.
Sy të kaltër pushojnë
Në bregun e rrezeve te perëndimit tim.
Një kapiten pa busull
i humbur ne zjarrin
e pentagramit të kuq:
                                Shega nota pikon.
Ti je Hermes që luan në harpën e erës.
 
 
NË KËRKIM
 
Dashuroj me dashuri që merr frymë
apo me dashuri që vret,
me dashuri që pushton
apo me atë që vë pranga?
 
A urrej me dashuri pasioni
Më urrejnë sepse dashuroj e heshtur?
Nuk e di,
dashuroj një mur.
 
 

KËRCEJ ME MOTRËN

 
Gramafoni i vjetër rrotullohet ngadalë
si çadra e një geishe në vallëzim.
Hap, hap, hap në vitet ’20,
Kokëlarta, duart si balerina mbi supe,
lëvizje të lëmuara.
Unë vërtitem si kos i ngrirë në një kaush akulloreje.
Ti shtyp gishtin e vogël të këmbës.
Unë rrëzohem, ti qesh.
Merre shkopin e bambusë,
jam gati të ec në botën e vjetër të viteve ’20. 
____________________
Burimi: Revista ADMET

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen