Donnerstag, 29. August 2013
Fran Ukcama dhe "Kështjella e kujtesës"
Dr.sc. Faik Shkodra
HIMN MBI LIRINË, PAVARËSINË
DHE BIOGRAFINË E POPULLIT SHQIPTAR
Fran Ukcama, “Kështjella e kujtesës”, Shtëpia botuese “Ymeraj”, Fier, 2012
Fran Ukcama, me çdo vepër të botuar, të përvetëson me kulturën letrare e artistike, me stilin origjinal, me temat aktuale, me hapësirat metaforike, simbolike dhe njerizuese që u bën ngjarjeve historike dhe vlerave kombëtare. S’ka dyshim se këto arritje të suksesshme të Franit do të duhej t’i shihnim, në radhë të parë, me botën e pasur shpirtërore e ndjenjore të tij dhe me frymëzimin që e merr nga brenditë e thella të temave të mëdha të historisë e të ngjarjeve të dhimbshme të jetës dhe të ekzistencës së shqiptarëve nëpër rrëmujat e shumta të epokave historike. Në secilën vepër Frani vjen me vlera e vrojtime të reja. Jeta e ka mësuar se njeriut të gjallë stuhitë nuk ia ndalin fuqinë, as fizike as krijuese, për realizimin e shestimeve dhe idealeve të veta. Dhe në këto stuhi që u zbrazën pa mëshirë mbi fatin e shqiptarëve, sikur pas sa e sa vjetësh e shekujsh jeta na qorton me shumë të drejtë se ne shqiptarët, duke mos e zbërthyer, duke mos e kuptuar e duke mos e qartësuar me mendje të ndritur të kaluarën, sikur na e tërheq vërejtjen se më shumë u munduam për të huajt, për dikë jashtë nesh e më pak punuam për vete, për kombin, për vatanin e fatin e popullit. Populli që lë në harresë historinë e vet, kanë thënë të mençurit, vështirë do ta ketë ta njohë të tashmen e më pak të dijë të orientohet drejt së ardhmes.
Enigmat e historisë me shumë të panjohur
Para se t’i them disa mendime e pikëpamje për veprën “Kështjella e kujtesës” të Franit, le të më lejohet të përsëris një mendim të Aristotelit, i cili, në kapitullin e katërt të librit të parë të “Retorikës”, thotë: “Nuk kam përfituar nga këto burime, sepse nuk dëshiroj të përmbledh mendimet e tjetërkujt dhe, mbi të gjitha, për të mos humbur atë unitet mendimi, që është shpirti i veprave të këtij lloji”. Nga ky mendim mund të kuptojmë se krijuesit e talentuar, me imagjinatën e bujshme, në veprat artistike, realitetin historik, jetësor dhe vetë njeriun e paraqesin si një enigmë, si diçka që në largësi të historisë së tij, të identitetit të tij, të fatit të tij fshihen mistere dhe këto mistere shtrojnë probleme me të panjohura të shumta, si diçka në fushën e matematikës.
Brendia e veprës “Kështjella e kujtesës” na befason me trajtimin e ngjarjeve të dhimbshme – ngjarje që kryesisht qëllim të qëllimeve kanë qëndresën e emrit, e për ruajtjen e këtij emri lypset sakrificë, vetëdije, ndërgjegje dhe ndershmëri në të gjitha epokat nëpër të cilat kaloi populli shqiptar, që shumë herë u shndërrua në Promete të vetëdijes së lartë të historisë së vet kombëtare dhe në këto rrëmuja populli kërkoi “aq dritë e rreze sa të shpërthejë tërë errësirën që u end nëpër shekuj”.
Vepra “Kështjella e kujtesës” sajohet nga esetë, tregimet, skicat dhe poezitë. Çka mund të themi për vlerat e këtij botimi?
Vepra, me përmbajtjen e formën e saj, është interesante si për nga kapja e temave ashtu dhe për frymëzimin me të cilin është shkruar. Hapet me poezinë Shqiponja me njëqind flatra, në të cilën përmes pesë strofave Frani këndon për 100= vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë 100-vjetor kujtohet rruga e mundimshme e popullit, përtërihet zëri dhe vepra madhore e Skënderbeut, i këndohet zjarrit kryengritës dhe bukës së shtruar në sofër, i këndohet mendjendriturit Ismail Qemalit. Në strofën e pestë autori sjell vargje të dhimbshme, vargje që flasin mbi copëtimin e tokave shqiptare, toka të mbetura nën administrimin e pesë shteteve të huaja, kryesisht shtete sllave dhe për të qenë të lumtur e të barabartë me të tjerët, thotë poeti, duhet të bëhet bashkimi ynë kombëtar. Me arsye Andrea Stefi thekson: “Bashkimi kombëtar luan rolin kryesor e është guri i parë për formimin tonë moral e material. Bashkimi kombëtar është sendi më kryesor për mëkëmbjen e një populli, një shoqërie, një Atdheu... Për çudi të madhe, ndër ne ende s’është rrënjosur mirë ndjesia e unitetit kombëtar. Jemi kapërthyer e s’po dimë të dalim prej një mentaliteti trashëgimtar i një bote të padritë e të pashpirt”.
Në tregimin “Kështjella e kujtesës”, sipas të cilit është titulluar vepra, Frani, me njohuri e burime të bollshme, me mendime të figurshme, me një narracion poetik të këndshëm e me mendime të pasura refleksive, paraqet vlimet nëpër kapërcej të shekujve, që si rrufe u zbrazën mbi historinë e shqiptarëve. Duke shkruar për traditën, besnikërinë, flakët e nëntorëve të viteve 1443, 1912 dhe 1944, autori na dëshmon idealin, përkushtimin, frymëzimin dhe ndërgjegjen e një krijuesi, i cili përmes artit të fjalës ndriçon të vërtetat dhe në këtë drejtim nuk i lejon vetes të jetojë jashtë rrjedhave dhe fatit të kombit të vet për të cilin me arsye pohon se e dimë çfarë ishim, por nuk dimë çfarë do të bëhemi.
Realiteti, ëndrra dhe aspekte të fatit historik të shqiptarëve
Rrëfimi bën fjalë për Skënderbeun, për gjuhën, për lirinë, për Krujën, për Arbëreshët, për skenarë historikë, për idealet e shqiptarëve, për flamurin, për nderin, për këngët e mbledhura në djepat e foshnjave, për legjendat, për mendimet e ndritura të iluministëve shqiptarë dhe të shkrimtareve të të gjithë brezave, si: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, për udhëtimet e Bajronit, për Veqilharxhin, De Radën, Tahsinin, vëllezërit Frashëri, Kristoforidhin, Jubanin, Seremben, Todrin, Çajupin, Fishtën, Mjedën, Gramenon, Çerçiz Topullin, Migjenin, Dedë Gjon Lulin, Bajram Currin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Jakup Ferrin, Elez Isufin, Ilaz Pashë Dibrën, Sulejman Vokshin, ndërsa rrëfimin e shquan thurja e mrekullueshme artistike. Brenda kompozicionit të tij gjejmë përshkrime, evokime dhe përfytyrime realiste, të paraqitura me gjuhë të figurshme dhe të dhimbshme që të vrasim mendjen për dramat e mëdha shpirtërore. Nga Franit mësojmë se “Abdyli ishte mendja e ndritur, Sulejmani ishte pushka e ndezur, Iljazi ishte fjala si guri, Shabani ishte baruti i terur. Fjalët ishin të shkurtra si krisma pushkësh: Të mbrohen trojet tona nga copëtimi”.
Në tregim nuk gjejmë ngjarje me përgjithësime abstrakte. Nga ngjarjet që bëhen objekt trajtimi lexuesi kupton se Frani udhëhiqet nga meditimet, pasqyrimet dhe depërtimet e zbardhjes së të vërtetave historike, shoqërore e morale të kohës së shkuar, të kohës së betejave të komandantëve legjendarë, si: Ymer Prizreni, Mehmet Beci, Ali Pashë Gucia, Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Rapo Hekali, Jakup Ferri dhe vazhdon të tregojë ardhjen e librave nga Stambolli e Bukureshti, Sofja e Athina, Misiri e Amerika, Roma e qendrat e tjera.
Në vepër janë përfshirë edhe mësuesit patriotë e krijuesit e dijes e të ruajtjes së gjuhës, traditës e shpirtit shqiptar, si: Babë Dudë Karbunara, Jani Minga, Atë Isaia, Jovan Ndreko, Jorgji Dhima e Vasil Gjoni, Mustafë Hoxha, Viskë Babatasi e Thanas Floqi. Nga ngjarjet e trajtuara në veprën “Kështjella e kujtesës”, Frani arrin t’i lartësojë e t’i përjetësojë tri mrekullitë, apo, siç do të thoshim, tri Mekat e shqiptarëve: Krujën legjendare – Krujën e heroit të parë kombëtar Skënderbeut, Vlorën historike me Ismail Qemalin dhe Prekazin e Kosovës me heroin legjendar Adem Jasharin e familjen e tij.
Në veprën “Kështjella e kujtesës” autori ka sjellë të dhëna të rëndësishme për luftëtarët dhe për figurat e ndritura të historisë dhe të kulturës kombëtare dhe përmes vargjeve si “Ç’u mbush mali” me një mjeshtëri të rrallë artistike te lexuesi rrënjos dashurinë për lirinë, për atdheun dhe për të parët tanë. U mor vesh, për tema të tilla kanë shkruar shkrimtarë të të gjithë brezave, por vepra e Franit dallon për gjuhën e zgjedhur dhe shumë lakonike, për narracionin, për sistemin e figurave dhe për këndin e vështrimit të së djeshmes.
Në këtë vështrim trajtohet realiteti, ëndrra dhe aspektet e ndryshme të fatit historik të shqiptarëve. Në kapjen e ngjarjeve feks e vërteta dhe, siç thekson Frani, në çdo kohë e furtunë njeriu duhet të ruajë individualitetin dhe ndershmërinë personale – sikur qenë: Ismail Qemali, një ideolog i rrallë, Isa Boletini, një lis me rrënjë të thella. Këto tipare të këtyre burrave të historisë kombëtare, kulturës e mendimit shqiptar i ka paraqitur me nota moderniteti edhe poeti i talentuar shqiptar fierak, Petraq Kote, kur thotë:
Ai është shpirti ynë . . .
Flamuri që luftërat e shpuan...
për të vazhduar me Ismail Qemalin
prapa të cilit shkon historia!”
Krijuesit e veçantë janë bërë të veçantë për faktin se luftën diplomatike, të bërë nga përfaqësuesit shqiptarë karshi politikave të të huajve, nuk e qesin në harresë – por në veprat e tyre e trajtojnë me të dhëna fort të sakta. Kështu ngjet me Fran Ukcamën, i cili në mënyrë artistike e përvijon aktivitetin diplomatik të Isa Bolteinit në Londër, e paraqet forcën mendore dhe intelektuale, paraqet largpamësinë dhe intuitën prej diplomati të Ismail Qemalit në raport me marrëdhëniet e marrëveshjet me diplomatë të shteteve me besueshmëri të jashtëzakonshme. Fuqia mendore dhe e drejta juridike qenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, por fuqitë luftarake dhe interesat për të përvetësuar tokat e Shqipërisë qenë në anën e shteteve fqinje dhe të vetë Evropës. Në këtë kontekst, me një ndjenjë pikëllimi e shqetësimi përtej çdo sinori – Frani e paraqet copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Londrës dhe, sipas tij, viti 1913 ishte viti më i zi i historisë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të botës demokratike në përgjithësi.
Shkrirje e një bote të pasur imagjinative, meditative, historike e poetike
Pikërisht në këtë Konferencë të Ambasadorëve nga prapaskenat dhe grackat e përgatitura nga më të fortit vendoset që Kosova “djepi i trimërisë, i bujarisë, i pasurisë “ të mbetet jashtë Shqipërisë londineze, bashkë me Tetovën, Dibrën, Strugën, Ohrin, Gostivarin, Shkupin, kryeqendrën e vilajetit të shqiptarëve, Kumanova, Ulqini, Tivari, Plava, Gucia, Hoti, Gruda, Kraja dhe e tërë Çamëria. Për të qenë ironia më e hidhur, thekson Frani, në shekullin XXI – kur Evropa është bërë e bashkuar – shqiptarët kanë mbetur të diskriminuar e të shpërndarë si vezët e qyqes në më shumë se pesë shtete. I tillë është Frani, i cili fatin historik të popullit shqiptar e bën temë aktuale duke hedhur dritë mbi tragjeditë e tij nga kohët e lashta e deri në ditët tona.
Vepra “Kështjella e kujtesës” trajton temën e historisë, por trajtimin e saj autori e bën ndryshe nga historianët. Trajtimi ndryshe është bërë me përdorimin e simbolikës dhe metaforave – që veprën e bëjnë një realizim të bukur sa artistik aq edhe estetik. Me këtë vepër lexuesi udhëton dhe bashkëbisedon me historinë e shqiptarëve, me figurat emblematike të diplomacisë, me emrat e kulturës dhe traditës shqiptare – dhe të gjitha këto çështje Frani, me një mjeshtëri e afinitet të rrallë, ka arritur t’i shkrijë në trajtën më të mirë artistike. Mbi problemet e rëndësishme kombëtare – Frani, duke hedhur dritë e duke shprehur qëndrimet – na e kujton tërë subjektin e romanit “Kështjella” të Kadaresë.
Vepra “Kështjella e kujtesës”, krahas fakteve të trajtuara dhe origjinalitetit që ka – me përmbajtjen e formën, stilin dhe intuitën, frymëzimin e kulturën e shkrimit është një vepër që shtjellon ngjarje, kap kohë të ndryshme, momente që lidhen me historinë e popullit shqiptar. Kjo histori është e hershme dhe si e tillë nga Frani paraqitet me gjuhën e simbolit, metaforës dhe ironisë. Thuhet se vetëm përmes artit të fjalës së bukur mund të trajtohet historia – e cila hedh dritë në fatin e në të kaluarën e popullit. Disa krijues të mëdhenj të letërsive të mëdha me të drejtë kanë vlerësuar për vete dhe për të tjerët, duke thënë shkoqur: “Unë kam diçka më tepër se një poet, sepse nuk kam sajuar asgjë, të gjitha më kanë buruar nga shpirti dhe nga e vërteta e jetës”.
Vepra e sipërthënë është shkruar nga shpirti fisnik i Franit dhe ky shpirt e ka ushqyer me të dhëna e burime të shumta. Po këto të dhëna Frani, si artist i ndjeshëm, ka arritur t’i vendosë në kohë të duhur dhe çdo gjë që vendoset në kohën e vet, është thënë para meje, bëhet e bukur dhe si e tillë mbetet një histori e paharruar dhe për kohët që do të vijnë!
Fran Ukcama, në trajtimin e çështjeve të mprehta të historisë, nuk tregohet i thjeshtë, i sipërfaqshëm – por me një energji prej një krijuesi brilant arrin ta shkrijë jetën, arsyen, sakrificën, shpirtin e dashurinë për tokën e për rrënjët e historisë së të parëve. Në këtë aspiratë e qëllim Frani shqiptarët i paraqet të patundur përballë tallazeve të historisë. Për lexuesit ai sjell vargjet e Nolit nga poezia antologjike “Anës lumenjve”. Sipas Franit asnjëherë nuk duhet ta harrojmë ndihmën e mbështetjen e Amerikës, e cila në momentet më të vështira tregoi përkrahjen e shqiptareve. Kështu bëri në vitin 1939 presidenti Uillson – kështu bëri Klintoni më 1999 ndaj politikës shfarosëse që Millosheviqi bënte mbi shqiptarët e Kosovës. Janë të fuqishme dhe të dhimbshme vargjet kur Italia fashiste e okupoi Shqipërinë:
“Ditën që hyri prilli, Pushoi këngën bilbili, Vendin e mbuloi zia, Ditë e zezë e robëria..."
Esetë, tregimet, skicat dhe poezitë e shkruara nga Frani shpalosin të dhëna të rëndësishme mbi historinë e shqiptarëve dhe këtë shpalosje e bën përmes trajtave të menduara mirë artistikisht. Në botën e shkrimeve në veprën “Kështjella e kujtesës” shkrihet një botë e pasur, sa imagjinative aq meditative, sa historike aq poetike. Autori me vizione të pasura mbi ngjarjet kombëtare ka sjellë në shkrime një pasuri të madhe të përshtypjeve që me vite janë thadruar në kujtesën e Franit dhe në saje të përshtypjeve tërë veprën e pasuron me një figuracion të pasur artistik mbi ngjarjet më të dhimbshme historike e kohën e shkuar të popullit shqiptar. Sipas përmbajtjes së veprës kuptojmë se Frani bashkëbisedon me ngjarjet e një kohe të largët dhe në këto largësi kohësh evokon – duke bashkëbiseduar me figurat, me brezat dhe me botën krijuese të rilindësve, duke përqendruar vëmendjen e interesimin në fatin kombëtar dhe në këtë rrafsh sikur bën grishje që ta ruajmë rrënjësinë dhe historinë tonë ashtu çfarë i trashëguam.
Portrete të idealistëve dhe luftëtarëve për lirinë kombëtare
Prej faqes 89 e deri në 99, Frani me aftësi e frymëzim spontan arrin t’i prekë në zemër problemet më të mëdha të kohës, të kombit, të figurave të shquara të letërsisë, të luftërave të lirisë, të heronjve të vigut etj. Nëpërmjet interrogacionit, ironisë së heshtur Frani arrin si një krijues i përndezur të paraqesë ngjarjet e mëdha të kohës së historisë kombëtare dhe emra të shquar të kësaj historie, si: Qemal Stafa, Vojo Koshi, Liri Gero, Mustafa Metohiti, Lufter Tala, Dino Kalenja, Dervish Hekali, Arif Arinatori, Zonjë Çurre, Shenjaze Juka, Ibe Palikuqi, Muslim Peza – për të vazhduar me Azem Hajdarin simbolin e demokracisë, Adem Jasharin – legjendën e lirisë së Kosovës. Siç mësojmë nga vepra, trajtimin e këtyre problemeve dhe figurave autori e bën me shumë përkushtim duke sjellë të dhëna të rëndësishme mbi lëshimin e rrufeve kërcënuese e shkombëtarizuese të shqiptarëve dhe vrasësve të tyre. Të gjitha këto fakte flasin se shkrimtari ka hyrë ndjeshëm në shpirtin e fatin historik të shqiptarit. Këto vlerësime na sjellin përpara thënien e një poeti të talentuar, Rrahman Dedajt, i cili, duke folur me rolin e letërsisë për fisnikërimin e njeriu, ndër të tjera, thotë: “Vepra fillon të jetojë vetëm atëherë kur të arrijë te lexuesi të bëhet pjesë përbërëse e botës së tij”.
Pas portreteve të idealistëve të mëdhenj dhe luftëtarëve të pashembullt për lirinë e shqiptarëve, si: Skënderbeu, Abdyl Frashëri, luftëtarëve të pavarësisë, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe trimave që i dhanë fund fashizmit, Frani në veprën “Kështjella e kujtesës” sjell shkrimet në ese, tregime, skica dhe poezi: Atdheu për mua, Qëndisim zemrat mbi flamur... Rrënjët ku i kemi, Zgjohem me atdheun tim, Trimi me shami të kuqe, Mbretëresha Teuta, Lulevjola e Teutës, Skënderbeu, Shenjat e fjalës, Frashëllinjtë, Sokëllimat e Rrapo Hekalit, për të vazhduar me rrëfimet: Rilindas, Në Prizren, më të bukurin vend, Flamuri i Dedë Gjon Lulit, Isa Boletini – poezi, Qendistorja e Flamurit, Jeta mbushun me enigma, Shteti si fëmijë, tregime, mandej vjen poezia Fan Noli, mendje deti, rrëfimi Pse e vranë Bajram Currin, tregimi Për liri si ujk i çartur vikas: O heej! Pritni djemtë e Mërturit, Luigj Gurakuqi, demokrat liberator, Hasan Prishtina si çetina, Naun Dako, rektor i Tibilisit, tregimi: Klasa jonë plot ngjyra, ja dhe Shqipëria, u këput një trëndafil (Qemal Stafa), Një kala, e tre dragonj, për liri ra një liri (Liri Gega), Obelisk në ballë të Fierit, Krenari për Shqipërinë, Elegji për pesë heronj, Ata ranë për atdhe, Dino Kalenja, i përjetshmi, Defteri, komandant Teli, Ara e trëndafilave – Kalaja e
Jasharëve, Sofra e zemrës priti 197 kosovarë – Baca Sali Krasniqi, poezitë: Moj shqiponjë pse s’je e qetë?, 100 vjet – pak apo shumë?! Gjergj Fishta – Përtej Homer dhe tregimi Besëdhani i Kosovës – shohim se autori gjithandej shkrimeve ka arritur ta përvetësojë materialin dhe ky material është bërë zëri dhe kënga e Franit, i cili tregohet se ka njohuri të bollshme që në krijimet artistike të këndojë me zjarr e me mall për vlerat e luftës, të gjuhës, të traditës, të zakoneve, të lirisë, të ngjarjeve të kohës e të historisë. Njerëzit e gjallë mësojnë për idealet dhe ndërgjegjen e krijuesve të veprave artistike, për të cilët shkruan Frani. Shkrimet e autorit të veprës “Kështjella e kujtesës” përshkohen me porosi të dobishme dhe këto vlera të rëndësishme do t’u nevojiten njerëzve, brezave të gjallë, të cilët edhe i pranojnë edhe i mësojnë vlerat e historisë dhe të traditës kombëtare. Duke i marrë parasysh këto të dhëna kuptojmë arsyeshëm e pa emocione të ndezura se, siç është thënë për Kështjellën e Kadaresë: ”Ky popull me shekuj pati dramën më tragjike dhe tronditëse në këtë truall ballkanik, ku edhe si i vogël, ai, karshi fuqive të tjera pushtuese, ruajti me dinjitet luftarak qenien e tij kombëtare nëpër kohë”.
Fran Ukcama në veprën e sipërthënë ka sjellë shumë të vërteta që përputhen me të vërtetat historike dhe realitetin e kohës.
Nëpërmjet fjalës artistike e trajtimit të ngjarjeve të mëdha të historisë dhe luftërave të shumta, që shqiptarët i bën, jo për të pushtuar të tjerët, por për të mbrojtur dhe për të ruajtur atdheun e të parëve, për të ruajtur dinjitetshëm identitetin e vet – ka arritur të japë kontributin e krijuesve më të shquar të Rilindjes, të luftëtarëve të shumtë, të cilët për lirinë e Atdheut u vetëflijuan. Po ashtu, me fjalë të përzgjedhura ka paraqitur bukuritë mahnitëse të natyrës së Shqipërisë natyrale, ka paraqitur zjarrin e vetëdijen e shqiptarit për dashurinë dhe adhurimin për atdheun, traditat dhe vlerat e veçanta të folklorit të pasur shqiptar.
Biografi e plotë mbi luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj
Në përgjithësi, vepra trajton ngjarje të rëndësishme të së djeshmes dhe brenda ngjarjeve është dhënë qëndresa dhe ndërgjegjja e njerëzve të veçantë, të cilët sot mbeten kampionë të dijës, të fjalës, të mendimit, të lirisë, të ndërgjegjes dhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës Republikë. Lexuesi në këtë vepër do të gjejë vrojtime, analiza, sinteza dhe vështrime të holla dhe brenda këtyre vështrimeve vijnë mesazhet e qarta.
Fran Ukcama ka lexuar veprat e autorëve klasikë – sidomos atyre grekë, dhe në gjurmët e përvojën e krijuesve më të shquar të këtyre letërsive në veprën “Kështjella e kujtesës” ka ndjekur mësimet duke krijuar kështu një vepër origjinale, vepër që na vë në dijeni se “çdo kohë ka jetën e vet, ngjyrat e pakrahasueshme, botën shpirtërore dhe nuk mund të përsëritet nga një epokë në tjetrën”.
“Kështjella e kujtesës” është himn i lirisë, pavarësisë dhe këngë për emrat më emblematikë të pushkës e të penës.
Gjatë leximit të veprës mësojmë se Frani me një përkushtim të veçantë e zell të madh ka arritur që në vepër t’i mishërojë dy kërkesa thelbësore, kërkesa që veprave u shtojnë cilësinë nga shumë aspekte. Këto dy kërkesa, siç thekson Gorki, janë: Dashuria për punën krijuese letrare dhe respekti për lexuesit. Sidomos kërkesa që ka të bëjë me respektin e lexuesit “është e justifikuar, sepse ai historikisht, është një i ri që porsa ka hyrë në jetë dhe libri për të nuk është dëfrim, por mjet për të zgjeruar njohuritë mbi jetën, mbi njerëzit”.
Vështrimin tonë mbi veprën “Kështjella e kujtesës” do ta përmbyllim me vargjet e zotimin, aftësinë dhe veprimtarinë e sa e sa brezave të shkuar:
“Duajeni gjuhën, duajeni vatrën Vatrën lidhur me lirinë, Dhe flamurin me Shqiponjën Mbi të gjitha Shqipërinë! Kokën lart, nderin e besën, Brez pas brezi, në bashkim Ruani Kështjellën e Kujtesës!”
Brendia dhe objektivat e veprës kanë shumëçka të përbashkët me veprat e rilindësve e krijuesve të letërsisë së sotme – sidomos vepra përkon me “Kështjellën” e Kadaresë, për të cilën kritikët dhe estetët kanë thënë se “Shkrimtarin nuk mund të mos e shqetësojë fakti i njohur se balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për një murim kryesisht në kështjellë. Ai është i vetëdijshëm se kjo është kushtëzuar nga rrethanat kritike historike që kanë shoqëruar fatin e popullit të tij”.
Një vend qendror në vepër zë pa dyshim figura dhe kreshniku i Kosovës, Sali Krasniqi, i cili gjatë bombardimeve, gjatë tmerrit që bënte Millosheviqi mbi shqiptarët e Kosovës, të cilët i shpërnguli, gratë dhe vajzat i përdhunoi, fshatrat i dogji, ndërsa njerëzit e të gjitha moshave i masakroi – po ky Sali Krasniqi, me zemrën bjeshkë e me shpirtin filantropik, strehoi 197 kosovarë nga Kaçaniku dhe, siç vlerëson Frani: “Unë shkrova këtë portret për t’u rrëfyer brezave të rinj dhe më gjerë se sa patriotike dhe me vlera kombëtare është gjendja pranë njerëzve në kohë të vështira”! Është e vërtetë se Sali Krasniqin e shquajnë vlera e virtyte të larta njerëzore e kombëtare. Ai është një simbol i dashurisë dhe i sakrificës për njerëzit, të cilëve u doli në ndihmë ashtu si e kërkon tradita dhe oda shqiptare dhe këtyre 197 kosovarëve lotin, dhimbjen dhe brengën ua ktheu në dritë, në shpresë dhe në qëndresë.
Vepra “Kështjella e kujtesës” është biografia më e plotë mbi luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj dhe Frani me përpjekje titanike ka gjetur rrugën e shprehjes më të përshtatshme për t’i artikuluar e për t’i shpjeguar ëndrrat, aspiratat dhe tragjeditë e popullit shqiptar. Kjo punë kaq e mundimshme e autorit na e kujton mendimin filozofik të Rrahman Dedajt se “për ta definuar të tanishmen, duhet të njohim të djeshmen, e cila është e pranishme në të sotmen e një sintezë e gjithë kësaj do të na ndihmonte që të krijojmë më lehtë vizionin për të nesërmen”. Kjo zaten mbetet porosia e gjithë veprës, dhe, sipas kësaj porosie, shqiptarët duhet të ecin atyre rrugëve që çojnë në realizimin e amanetit të gjithë atyre që për të sotmen e bardhë u flijuan. Këto ideale dhe vizione duhet të na udhëheqin drejt së nesërmes së ndritur në çdo pikëpamje. Ashtu qoftë!
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen