Montag, 2. September 2013

Fatmir Musai

Fatmir Musai u lind në qytetin e Elbasanit më 29 mars 1955. Tre vitet e para të shkollës së mesme i kreu në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, për të përfunduar në gjimnazin ”Dhaskal Todri” të qytetit të lindjes, në vitet 1969-1974. Më 1978 mbaroi për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Fakultetin e Ffilologjisë të Universitetit të Tiranës.
Për 14 vjet punoi si mësues e gazetar në rrethin e Librazhdit e, më pas, po si mësues e gazetar në rrethin e Elbasanit, deri në vitin 2007.
Sot është drejtor i Kulturës, Rinisë e Sporteve në Bashkinë e qytetit të Elbasanit.
Fatmir Musai ka botuar 4 libra: “Thirrja e jetës” (poezi) dhe “Në rodhan” (vjersha për  fëmijë) që kur ishte student. Më pas, në vitet 2001 dhe 2007, ka botuar vëllimin poetik  “Sfidë” dhe librin me esse, tregime e përsiatje “Dhe engjëjt simulojnë”. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1977, ndërsa sot është anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” me qendër në qytetin e Elbasanit.
 
 
Poezi nga Fatmir Musai
 
SPONDILOARTOZA

Spondiloartroza s’paska shërim,
Përjetësisht me vete do ta mbaj,
Do më marrë malli: Një luleshtrydhe
Ta këpus kur çel në maj!
 
Por qaramanët kurrë s’i kam duruar.
Unë sëmundjen time e shoh me nderim:
Të paktën,kurrë s’do ta njoh përuljen,
Siç s’ma njohu shpirti im!



MUNGESE E PERJETSHME

Më ikën gjyshërit
një e nga një,
Dy gjyshet napëbardha
me hënëz në ballë,

Dy gjyshërit e urtë
me flokët si re…
E di: Përjetësisht
do më mungojë një përrallë!



Dora

Ta kasha dorën kaci
E prush të merrja nën hi.
 
T’i kasha gishtat si darë
E gozhdë të shkulja në trarë.
 
Ta kisha grushtin varre
E gurë të thyeja me të.
 
… Të gjitha këto,
sa mirë që s’i kam.
Më mirë një Dorë,
se Putër me nam!



KLITHMA E IKJES

“Ju të ligj e ju sakatë,
Amanet ju lemë gratë!”
                          Populli

Ku i latë gratë, a derëzes,
Ç’hall ju preu mes për mes?!
 
Eh, të gjorat, sa duruan,
Gojëkyçurat s’ju mallkuan!
 
Sakatët u hapën cicat,
Cicat ranë mbi patericat!
 
Të ligjtë i shpunë në misra
Dhe, pastaj, u bënë ministra!



BALSAMOSJA

Ai që shpiku balsamosjen,
Jetës, padashje, i bëri dhunë!
… Filloi kështu Era e Diktatorëve:
Pesë mijë vjet
rrebesh e fortunë!



KOB

Po, o i famshmi Kadare,
Profecia i tregoi dhëmbët:
Ata “… i ngritën nga balta
dhe i rivranë të rënët!”
 
Por në pavdekësinë e veprës së tyre,
I valë është hiri i dëshmorëve aty,
Që ta shpërndajnë këtë hi kujtimesh,
… Duhet të të rivrasin edhe TY!



MONOLOGU I LYPESIT

Ti, botë e ndyrë, që më mashtron përditë
Dhe si mbeturinë më flake në sokak,
Me patericën time të simuloj mëshirë!
Mos u revolto!
… Të gënjej fare pak!



NDERIM FISIT EZMER!

Cigan ezmer, o arixhi,
Që kuajt kujton me nostalgji,
Vate xhambazllëku, vate e humbi,
Ti bredh me “Benz”, “Opel” e “Audi”!
 
O bir besnik i fisit endacak,
Që botën e deshe pa kufij e pa cak,
Nderim stërgjyshit tënd me nam
Që pa Dekret krijoi
të parin Bashkim Evropian!



KAVIET

Kafshëza pushbardha,
brejtës të gjorë,
Mbyllur në kafaz
barbarisht,
Kjo botë pa ju
do t’ish më e mjerë
Dhe çmime “Nobel”
më pak do t’kish!
 
Po gjuhë ju s’keni
të akuzoni
Për genocid
qenien Njeri…
Këtij plangprishësi,
këtij bir Neroni,
Çmimin “Nobel”
ia ka dhënë një mi!


Burimi: prishtinapress.info

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen