Samstag, 7. September 2013

Shefqet Dibrani: Në kujtim të një date

 
KUSHTETUTA E KAÇANIKUT
VULOSI FATIN E KOSOVËS

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila për historinë është e njohur si “KUSHTETUTA E KAÇANIKUT”, e vulosi fatin e Kosovës, pasi ky veprim ishte akti më sublim kushtetues e juridik dhe më fundamental i shprehur unanimisht si vullnet i shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, ndërsa barra e përgjegjësisë politike rëndonte ...
padyshim mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës si subjekti i vetëm që kishte bërë shtrirje organizative në gjithë hapësirën e Kosovës. Nëse zhvillimet e mëvonshme shoqëroro-politike shikohen nën prizmin e retrospektivës mund të mendohet se askush në atë kohë nuk ka qenë aq i sigurt se pikërisht 7 Shtatori 1990 po vuloste fatin e ardhshëm të Kosovës.
 

Kjo ngjarje politike vinte si rezultat i një lëvizjeje të madhe politike që ndodhte në Kosovë, kur Kuvendi i Kosovës më 2 Korrik 1990 kishte nxjerrë Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës. Ky akt shprehte kontinuitetin e përpjekjeve të pareshtura që kishin bërë breza të tërë shqiptarësh që nga luftërat për pavarësi në fillimet e shekullit të kaluar të cilat janë karakterizuar me heroizma e luftëra të pashoqe për të kurorëzuar fitoren e lirisë, si dhe krijimin e shtetit sovran.
 

Delegatët e Kuvendit të Kosovës me rastin e nxjerrjes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator 1990, sikur e kryen një obligim kombëtar që fati historik ua ngarkonte atyre. Bashkë me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës e cila e shpalli pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 1990, do të kurorëzoj një fitore të rrallë e cila do të ndikoj drejtpërdrejtë edhe në të gjitha zhvillimet politike që do të pasojnë në Kosovë dhe për rreth saj. Këto akte juridike do të plotësohen edhe me Rezolutën që e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 tetorit 1991 për "Kosovën Republikë, shtet i pavarur dhe sovran" që do ta përforcojnë politikisht idenë e vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës karshi ndryshimeve të mëdha politike që ndodhnin në atë kohë në tërë Ballkanin Perëndimor dhe përgjithësisht në Evropën Juglindore.
 

Pavarësia e Kosovës dhe pozita e saj juridike e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, ishte edhe një veprim i matur dhe i studiuar mirë për t’i realizuar aspiratat e gjithëmbarshme dhe për t’u përmirësuar pozita shoqëroro-politike e saj, për t’u qartësuar forma administruese si dhe pozita e administrimit territorial të Kosovës në kohën kur në federatën e gjeratëhershme kishin filluar lëvizje të mëdha politike të cilat do të çonin këtë krijesë artificiale deri te shpërbërja përfundimtare, në të cilën Serbia kishte një rol të perandorisë karshi republikave dhe krahinave autonome të asaj federate.
 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, i ndërtoi në themelin e vet përcaktimet politike të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe ato i ngriti në parime themelore të saj. Si promotor i të gjitha këtyre lëvizjeve pa dyshim ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nga kjo distancë kohore duhet të ndihet mjaft krenare për veprimet, si edhe për largpamësinë e saj politike. Pastaj deklarimi me Referendum, 26 - 30 shtator 1991, ishte pa dyshim edhe një akt tjetër për të dëshmuar përcaktimin politik të Kosovës dhe të popullit të saj.

Rrethanat shoqërore e politike në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë i detyroi delegatët e Kuvendit të Kosovës për të përcaktuar fatin e ardhmërisë së tyre, dhe për këtë arsye më 2 korrik 1990, ata shpallën Deklaratën Kushtetuese, me të cilën qartë precizohej pozita juridike e Kosovës në kuadrin e ish Jugosllavisë e cila tashmë kishte marrë tatëpjetën e shkatërrimit të saj dhe nuk kishte më forcë që do ta pengonte këtë proces në shthurje e sipër.

Për t'u sendërtuar ideja e pavarësisë gjatë kësaj kohe në skenën politike të vendit një ndikim të madh po luante Lidhja Demokratike e Kosovës e cila drejtohej nga letrari i njohur i asaj kohe dr. Ibrahim Rugova i cili me kalimin e kohës u bë si një simbol që rrezatonte shpresë dhe realizim të aspiratave shekullore për pavarësi, që padyshim me te, si me askënd tjetër Kosova eci drejt pavarësisë së saj.
 

Në këto përpjekje të gjithanshme që i bënte Lidhja Demokratike e Kosovës, në kuadër të rrethanave dhe zhvillimeve politike u bënë përgatitje për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, si një forcë ushtarake e cila do ta detyronte Serbinë të hiqte dorë nga Kosova. Por kryeneçësia e udhëheqjes serbe do ta qon vendin e tyre në humnerë, jo vetëm duke u konfrontuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës por me kalimin e kohës ajo u përball edhe me intervenimin e NATO-s e cila i dali në krah UÇK-së dhe popullit të Kosovës.

Pra Serbia me aventurat e saj u përball në shkurt të vitit 1998 me luftën e armatosur të UÇK-së, kurse në pranverën e vitit 1999 u konfrontua edhe me NATO-n, e cila përfundimisht e largoi ushtrinë serbe nga Kosova dhe Kosovën e solli në një stad të ri politik.

Data 7 Shtator 1990, dhe e tashmja më e përparuar e Kosovës, detyrimisht obligon qytetarët e saj, institucionet vendimmarrëse për të përkujtuar me dhjetëra figura politike e intelektualë të dëshmuar të cilët u flijuan për t'u materializuar synimet e kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë historike dhe për t’u kurorëzuar përpjekjet shekullore të brezave të tërë të shqiptarëve.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen