Sonntag, 15. Dezember 2013

Gani Sadiku

Gani Sadiku u lind më 25.11.1963 në fshatin Gjyrishec, Malësia e Gallapit, komuna e Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Tygjec, të mesmen në Dardanë, ndërsa Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Tani është drejtor i Drejtorisë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të komunës së Dardanës. Me shkrime ka filluar të merret që nga koha kur ishte nxënës i shkollës së mesme. Kryesisht shkruan poezi. Në vitin 2006 nga “Nositi” i është botuar libri poetik “Strehim i qenies”.
Jeton në Dardanë.


VAJI I MBRETËRESHËS

nëpër faqet e librave të bukur
dëgjoja një ofshamë
mbretëresha qante
nuk desha t`ia dëgjoj vajin
ika me vrap
dëgjova një klithje
një ikje nga historia
u ula në pallatin e saj vetëm një çast
e pastaj më mori edhe mua historia
historia dhe fati ecën bashkë me mua
unë kalova nëpër spiralen e ofshamës
së mbretëreshës
mbreti i ri tash jam unë.

 

ERDHE BASHKË ME SHIUN

shiu që binte më bëri të lumtur
vetëtima zbardhi edhe brigjet e larta
në atë dritë mezi të pashë
qëndroje ulur në skajin e botës
por nuk zgjati shumë e ti prapë u zhduke
e luta perëndinë të shkrepë vetëm edhe një vetëtimë
t`i shoh të gjitha bukuritë
ty dhe natyrën bashkë
që u shoqëruat me erën
e udhëtonit drejt meje
ti për shpëtim
shiu për rrëmbim
era për dëfrim


NJË MIJË VJET MË PARË

sa larg është 1000 vjet më herët
sa afër je dhe nuk të shoh fare
nëpër mbretëritë e panjohura dukesh diku
ta ndjej aromën e mbretit të ri
1000 vjet më parë ta pashë kurorën në krah
e pashë vezullimin e yjeve të lashtësisë
t`i pashë këpucët e përgjakura
drita e diellit u rrëzua mbi supet tua
ike e dritën e le për të tjerët
tani pushon në errësirë.
1000 vjet më parë lozëm bashkë përtej dritës se diellit
edhe në errësirën absolute të pashë
e dita se je ti
të njoha
por ti erdhe e nuk më zhgënjeve
1000 vjet më vonë


SHTRËNGATA

një ushtimë ia shurdhoi veshin vdekjes
u rrëzua një lis i vetmuar
lisi i shtrëngatave
ra me majë përdhe
dhe asnjë lëvizje pastaj
pas tij erdhi stuhia
fërshëlleu dhe iku bashkë me shpresat
la qiellin e kërrusur përballë bregut të madh
lulet i kishte thyer
e këngën e zogjve e kishte ngulfatur në sqep
shikimet u thyen në ylberin shumëngjyrësh
atje ishte parajsa e varur me dyer të hapura
e lisi që priti shtrëngatat
u rrëzua në qetësi


PËRBUZJA

në kalanë e varur mbi kokë
mbi urën e thyer në gjysmë
mbi qiellin e krisur
ecën ngadalë pa u vënë re nga askush
derisa na u kujtua kënga
as heshtje
as këngë
por vetëm përbuzje
vetëm shpresa të varura
në urën e thyer


VARRET NË KULLËN E DJEGUR

në errësirën e pakuptimtë nuk pashë askënd
nuk dëgjova asnjë zë
asnjë këngë asnjë klithje
qetësi që në vete mban diçka të rëndë
diçka pa jetë
një fantazmë e padukshme që ndal një jetë
diçka që mban heshtjen si mbretëri
në kullat e djegura duken shenja varresh
e ne pritëm bashkë
pritëm një herë një
pastaj dy të panjohura
e dikur u bënë të gjitha të panjohura
bile edhe nëna më duket e huaj në këtë rrëmujë
në këtë labirint e humbëm rrugën të gjithë
çudi errësirë e pakuptimtë
eca e nuk pashë askënd
dua vetëm një fjalë ta dëgjoj nga goja e dikujt që quhet njeri
ngecje në hapësirën e pafund
e ku mund të gjejmë rrugë më të gjera
se në gjithësi
pse e ndalën diellin vetëm për ne
ndoshta ne jemi të përjetshëm
ndërsa jetëshkurtrit duan të kënaqen
apo duan të tallen me ne

 

S`MË LËNË TË LINDI

kam jetuar një herë
kam jetuar dy herë
dhe asnjë ndryshim në vetvete
kush ma mori lindjen
a ka lindje pa gëzim
do të ketë një lindje të heshtur
një shpirt pa fuqi
një lindje pa forcë të brendshme
kush është ai që i pari do të tregojë lindjen
ai do të qajë vetminë e shpirtrave
do të bëjë kurorën e një nuseje pa duvak
do të thotë mbret ende pa lindur djali
e unë do të lëvizi në djepin e heshtur
do t`i ngre muret e ishujve të rënë në vullkan
dhe do ta shuaj dritën e diellit për të pabesët


NJË PREMTIM

një zemër është thyer 1001 herë
një shpresë është ndarë në 1001 pjesë
një këngë është kënduar në 1001 melodi
një premtim për shpëtim erdhi 1001 herë
dhe kurrë s`u realizua


HESHTJA NË FSHATIN TIM

në pranverën e bukur
gjelbërimi më del përpara
e unë i dhashë rrugë shikimit
peizazhet ishin ushqim i shpirtit
në vete mbaja kënaqësinë
në vete ruaja këngën
përballë meje era lëviz barin
zogjtë cicërojnë
në majë të lisave foletë e ndërtuara
fluturat me shumë ngjyra fluturojnë pa zë
ushtima e lumit përkujton jetën
brigjet e larta ndeshen me qiellin e kaltër
një peizazh i pazakontë për mua
shtëpitë të heshtura pa zërat e dikurshëm
gati kishin rënë me kokë poshtë
lëndinat pa bagëti
përballë kam një histori që e di
një histori të pashkruar në mua
kam një etje të pashuar
unë e mbaj mend edhe jetën këtu
i mbaj mend edhe babin edhe xhaxhallarët
edhe gjyshin
por tash e shoh vetëm heshtjen
historinë e gjatë të ngujuar
brenda mureve të rrënuara
brenda oxhakut të pandezur
e jeta në këtë vend iku bashkë me njerëzit
lumi mbeti vetëm me malet e larta
zogjtë vetëm me fluturat


E DI KU JE

era më bart sa andej e sa këndej
por e di se ty do të gjej diku në pafundësi
diku ku edhe dielli e ka humbur shkëlqimin
diku ku krijesa nuk ka rëndësi
diku ku koha nuk numërohet
e di që ti je aty ku jeta dhe vdekja janë baras
aty ku dashuria dhe urrejtja mbillen në një saksi
aty ku shpirti ka peshën e planetit
e di që ti je aty ku gjithçka duket e bukur
por ti do të jesh më e bukura nga bukuritë e papara
se ti je piktura e perëndisë
po kush s`e di
se ti linde bashkë me diellin
udhëtove bashkë me erën
dhe ike bashkë me vdekjen


__________
Përgatiti për "Ora shqiptare", Sinan Sadiku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen