Tregim
Tashmë gjendem në Galerinë Kombëtare të Arteve, i rrethuar nga një kornizë e shtrenjtë, i ngujuar në një bodrum, që shërben edhe si arkiv,me shpresë se do të ekspozohem më së fundi këtë tetor. Edhe pse humorin e kam të keq (u bë një vit që nuk ndihem mirë) lajmi i ekspozimit tim në sallën e ftohtë të Galerisë Kombëtare të shtunën e parë të tetorit më solli një farë ngazëllimi,duke më shkundur nga plogështia që me ka zënë prej shumë muajsh. Historitë e së shkuarës m’u shfaqen si në një ekran të mjegullt: hije që kërkonin të bëheshintë gjalla, histori që vetërrefeheshin, emocione të fosilizuara, që dhimbnin si kocka të gjymtuara nga reumatizma. Ky kam qenë unë dikur, mendova pikëllueshëm,duke patur parasysh burrin në pikturën e Marta K. (nuk më pëlqente mbiemri i saj Kasneci, ndaj gjithmonë e thërrisja Marta K.) të cilën ajo ia dhuroi Galerisë së Arteve, pak para se të ikte nga kjo botë.
Nuk e pata takuar në vitet e fundit të jetës së saj. “Nuk dua të më shikosh të rrënuar, të plakur”, më pati thënë, ndonëse unë e kundërshtova, i bindur se sëmundja e saj do të kalonte dhe se do të shërohej. Por ajo këmbënguli që unë të mos e takoja më. Para pesëmbëdhjetë vjetësh lajmi për vdekjen e saj u transmetua në televizion dhe ato ditë u fol gjatë për pikturën që ajo i pati dhuruar Galerisë Kombëtare të Arteve. E dija se bëhej fjalë për pikturën time,po këtë sekret nuk ia thashë askujt. Parase të ndahesha herën e fundit me Martën i pata premtuar se kurdo që unë të ekspozohesha do të shkoja të shihja veten time, nëse do të isha ende gjallë. “Dhe do të shikosh një të panjohur, tha, sepse ti asnjëherë nuk e ke njohur vetën tënde.” M’u lidh gjuha e nuk munda t’i them asnjë fjalë. Vetëm bëra atë premtim të turbullt, që tani më duhet ta mbaj. Disa premtime janë si amanetet, nuk i tret asdheu.
Edhe atë ditë, kur u ndava me Marta K. për të mos u takuar më kurrë, por edhe tani më mundon e njëjta enigmë: Përse Marta K e mbajti gjithmonë të fshehtë prej meje pikturën time? Nuk kam gjetur kurrë një shpjegim bindës. Ajombeti gjithonë për mua një grua e pakuptuar, siç janë në përgjithësi gratë.
Unë e pata njohur Marta K. kur isha student dhe ndiqja leksionet e detyruara të Anatomisë. Gjatë orës së parë të leksionit vajza që rrinte pranë meje, Antoneta, më tërhoqi vëmendjen:“Profesoresha nuk t’i ndan sytë”, më tha. Po dashurohet me ty”.
Ngrita kokën nga blloku ku po shkarravisja përhumbshëm, pa e patur mendjen te shpjegimet e saj për muskujt e fytyrës dhe atëherë në një çast të vetëm vështrimet tona u kryqëzuan. U befasova pak se ajo vërtetë po më kqyrte,edhe pse, sapo veshtrimet tona gjetën njëri-tjetrin, ajo nxitoi ta hidhte vështrimin jashtë, mbi kurorën e një pishe të tharë, që dergjej e lodhur nën diellin e pafuqishem të tetorit, matanë parvazit të dritares. Antoneta më goditi me gju poshtë bankës dhe më përshpëriti në vesh: “A të thashë!”. Vura buzën në gaz, po nuk fola. E dija se ku rje i lodhur dhe i bezdisur nga një punë që bën prej vitesh, duke përsëritur të njëjtat gjëra që i ke thënë vjet, parvjet e dhjetë vite më parë, mund ta humbasësh vemendjen pas diçkaje të rastësishme, ndërsa mekanikisht bën të njëjtën punë,shpjegon të njëjtët muskuj që i ke shpjeguar me dhjetra e dhjetra herë. Po përpiqesh ata largoja mendjen nga profesoresha, leksioni, vështrimi i saj pakmëparshëm, po kur ngrita kokën pas disa minutash u gjenda në të njëjtën situatë: ajo po më kqyrte e hutuar dhe vështrimet tona u kryqëzuan sërish. Pastaj dëgjova Antonetën që më pëshpëriste tëveshi: “Gjithmonë dashurohesh me femra më të mëdha se vetja?”
Më erdhi t’i ulëras “Idiote” në mes të sallës së leksioneve, por u përmbajta. Ndjeva nxehtësinë e kofshës së saj që e kishte ngjeshur pas times dhe mblodha këmbët si një vazjë e turpshme. Mbështeta kokën mbi dorën e djathtë dhe i ngula sytë mbi boshin e dërrasës së zezë, që orvatej të gëlltiste një kafkë njeriu të vizatuar shpejt e shpejtme shkumës.
Ishte e vërtetë. Për herë të parë pata shkuar me një vajzë disa vjet më të madhe se vetja, kur nuk isha më shumë se trembëdhjetë vjeç. Në fillim ishte lojë të rriturish, ku unë imitoja burrin, ndërsa ajo gruan. Në skenën e parafundit, atë të paragjumit,luajtëm atë skenë që luajnë zakonisht çiftët e martuar: bëmë dashuri. Sa zgjati kjo skenë nuk e mbaj mend. Por di që ishte diçka magjike dhe dramatike njëkohësisht. Kur po dilnim nga pylli vajza tha: “Do të luajmë prapë nesër”. Qeshte dhe ecte duke kërcyer në shtegun që zbriste nga pylli. Një tufë thëllëzash u ngritën fluturim me rrapëllimë para këmbëve tona. Vajza tha se nuk kishte frikë të bënte dashuri me mua. Kur u ktheva në shtëpi dridhesha. E ndjeja se isha zhytur keq në botën e mëkatit dhe se në botën tjetër më priste ndëshkimi i tmerrshëm. I fsheha sytë të mos m’i shihnin nëna me babanë. (E dija se gjithë të fshehtat e njeriut lexohen aty, në sy.) U ngjita shpejt e shpejt në dhomën time, në katin e tretë, kyça derën nga brenda dhe ushtriva mbi shtrat. Doja ta largoja mendjen nga loja në pyll, përpiqesha të mendoj për lumin, peshqit, gaforret, për hënën, muzgjet, yjet, po prapë loja nëpyll më terhiqte pamëshirshëm në vorbullën e saj mbytëse. Ngado që ktheja sytë shihja vetëm fundin e barkut të saj të errët, të mbuluar me qime të trasha, të spërdredhura dhe dora më zgjatej vetvetiu mbi dyshek, sikur përpiqej ta gjente e ta prekte shtatin e saj. Atë natë bëra një gjumë të ankthshëm dhe me ëndrra të frikshme. Një nga ëndrrat që më tmerroi ngjante krejt me rrëfimet që kisha dëgjua rpër shtrigat, që endën natën në errësirë si shkëndija të ndezura, futën nga kanatet e hapura të dritareve, ose nga vrimat e çelësave, shqyejnë gjokset e njerëzve dhe u hanë zemrat. Në ëndrrën time skenari kishte vetëm një ndryshim:shtriga nuk ishte një plakë e shëmtuar, po një vajzë, shoqja ime e klasës, Maria. Kur hapa sytë i tmerruar nga ëndrra, pashë një shkëndijë që u largua nga dritarja, duke humbur tutje në qiellin e natës. Atë çast mendova se do te vdisja në pranverë, po kur zbardhi dita e dielli shkelqeu nga të gjitha anët, e harrova ëndrrën dhe mbasdite, prapë vazhdova lojën me vajzën disa vjet më të madhe.
“A ka gra pedofile?” më pëshpëriti në vesh Antoneta. Dhe kur nuk mori asnjë përgjigje prej meje, tha: “Kjo profesoresha më duket si pedofile.”.Gjithmonë më kishte argëtuar rivaliteti i femrave për të fituar një mashkull,ndaj fjalët e Antonetës, në vend që të më zemronin, më bënë të buzëqesh. Ndjehesha i ngazëllyer që Antoneta shpiku një rivale e po shfrynte kundër saj, por nga ana tjetër, vështrimet e profesoreshës më digjinin si prush në shpinë,diku midis shpatullave. Ngrita sytë dhe pashë profesoreshën në fytyrë, pastaj,kafkën e vizatuar në derrasë të zezë, pastaj dyshemenë e pluhrosur, ku ende dallohej katrahura e gjurmeve tona të nxitura.
Kam kujtesë të keqe pamore. Nga ajo ditë mbaj mend vetëm se profesoresha i kishte sytë e gjelbër, të thellë dhe flokët gështenjë, të kapur me një karficë të errët në anën e djathtë. Pashë edhe se bulën e veshit të djathtë e kishte të shpuar, po nuk mbante veth. Asgjë tjetër nuk mbaj mend nga ajo orë leksioni, që mund të quhet edhe dita kur unë u njoha me Marta K., ndonëse nuk shkëmbyem asnjë fjalë as gjatë orës së leksionit dhe as gjatë gjithë atij viti mësimor. Duhej të vinte dita e provimit që unë të ulësha në tryeze përballë saj dhe dy profesorëve të tjerë të shkuar në moshë, që unë t’u përgjigjesha me gojë pyetjeve të tezës së provimitt ë Anatomisë. Gjatë përgjigjeve të mia,dukej sikur e kishte mendjen tjetërkund dhe vetëm një rast shprehu habi ngaqë unë i shqiptoja saktë termat në latinisht. “Kam studiuar katër vjet latnisht”, i thashë. Ajo më pyeti për emrin e profesorit tim të latinishtes. Pastaj mori librezen time dhe shënoi notën pa i pyetur dy anëtarët e tjerë të komisionit, që më dukeshin të bezdisur nga puna që bënin.
E falenderova dhe dola nga salla e provimit. Prapa derës po më priste Antoneta që ma kapi librezen nga duart dhe shikoi notën: “S’është keq kur të ka në qejf profesoresha”, tha dhe më puthi e gëzuar në faqe. Tani, kur e risjell në mendje këtë skenë, them se Antoneta nuk u gëzua gjithaq për notën time, po për faktin se profesoreshë Marta nuk do të na jepte më kurrë leksione dhe unë nuk do të tundohesha më nga veshtrimet e saj të pacipa prej putane plakë, siç i quante Antoneta, ndonëse Marta K ishte dikund rreth të dyzetave në atëkohë.
Herën tjetër e takova Marta K. në verë, gjatë pushimeve në plazh. Pasi pata notuar për më shumë se një orë, krejt i vetëm, shumë në thellësi,siç bëja zakonisht, sapo dola në breg, u gjenda ballë për ballë me Marta K. që po me kqyrte e përhumbur dhe e trembur, sikur po shihte një kafshë të rrallë. Kulloja i tëri ujë dhe sytë po me digjnin nga kripa. Edhe pse ndjehesha në gjendje qesharake, (brekët e lagura më ishin ngjitur pas trupit për faqe të zezë) e përshëndeta profesoreshën, duke i zgjatur me ndrojtje dorën. Më tërhoqi pranë vetës dhe më përqafoi ashtu të lagur, siç përqafohet një mik i vjetër, pastaj, tha se nuk duhej të lahesha më vetëm dhe sidomos nuk duhej të notoja aq larg. Siç duket më kishte përgjuar për një kohë të gjatë nga bregu. Ajo mbante veshur një bluzë të hollë pambuku mbi gjoksin e se cilës shkruhej në anglisht “Më fal”, dhe një palë pantallona të shkurtër, që i zbulonin kofshët e gjata e të drejta, tashmë të nxira nga dielli. Një njollë uji e kripur i qe krijuar mbi fjalën “Më fal” në bluzë nga përqafimi me mua.
Zgjati dorën dhe më rregulloi flokët e pshtjelluar nga uji,më tregoi se kishte më shumë se një muaj që pat ardhur këtu, se rrinte në shtëpinë e motrës, e cila prej vitesh jetonte si emigrante në Itali me të shoqin, se paraditëve punonte në shtëpi dhe tashmë vetëm mbasditeve bënte ndonje shtetitje në plazh, ose edhe lahej, megjithse nuk ndjehej mirë në ujë kur ishte vetëm: “Më pushton paniku, tha, dhe paniku është gjëja me e keqe që mund të të ndodh kur je në ujë”. Më tha se ndonjë pasdite mund të laheshim bashkë, por sigurisht nuk do të shkonim aq larg, se fundja deti njëlloj është dhe nuk ke pse të matesh me pafundësinë e tij. Ndërsa ajo fliste zumë të ecnim ngadalë bregut të detit. Atëkohë dielli po perëndonte, po mbytej i perflakur në tulin e errët të ujërave. Pas një farë kohe u kujtua të më pyeste se më kë kisha ardhur në plazh, me ndonjë vajzë apo me shokët. I thashëse kam ardhur me babain dhe nënën.
“Çun mamaje, tha, ende i bën pushimet me prindërit?”. Iu përgjigjashkurt “Po”, duke u skuqur. Pastaj një copë herë ecëm në heshtje nëpër brezin e lagur të rërës, pothuajse nëpër vijën që ndante terën nga uji. Herë pas here ndondjë dallgë tekanjoze na lagte këmbët.
“E di, më tha pas një farë kohe si të ishte zgjuar nga një ëndërr, unë pikturoj. Nëse ke dëshirë mund të shikosh disa nga punimet e mia që i kam këtu”.
“Patjetër, thashë unë pa u menduar, edhe pse ato kohë nuk merrja vesh nga piktura, madje, kur hapeshin ekspozita në kryeqytet, edhe pse disa studentët e kursit tim i vizitonin, unë nuk pata parë kurrë një ekspozitë pikture. E kisha ndarë mendjen të studioja biologjinë detare dhe gjithçka tjetër më dukej e parëndësishme dhe jo interesante.
Kur u ndamë e lamë që të takoheshim të nesërmen pasdite në plazh, pasi edhe ajo donte të notonte. U ktheva të çadra ku po më prisnin babai me nënën.
“Kush ishte ajo gruaja?, më pyeti babai.
“Profesoresha ime e Anatomisë”, i ktheva.
“Ah, tha babai, po pse nuk e ftove të pinim një kafe bashkë. Mund ta ftosh kur të duash për drekë, ose darkë”.
Nuk i ktheva përgjigje edhe pse e dija se babai ishte zemërgjerë e përpiqej t’i nderonte sa mundej miqtë e mi, qofshin keta studentë, mësues,apo profesorë universiteti.
Atë natë për herë të parë mendova për pikturën, u orvata tënxirrja nga humnerat e kujtesës ndonjë pikturë që kisha parë në të shkuarën nëpër libra, po përveç portretëve të gjyshërve që vareshin në mur, të punuara nga një piktor amator, nuk gjeta gjë prej gjeje. I dëshpëruar më padijen time, vonë pasmesnate më mundi gjumi. Pastaj në ëndërr shëtita nëpër një korridor që nuk mbaronte, në muret e të cilit ishin varur piktura të ndryshme: gra lakuriq që zgjasnin kryet nga pikturat dhe me përqeshin, portrete burrash të ashpër me sy të verdhë e të ligj, një vesh që kërcente nganjëra anë e tablos në tjetrën në një sfond livadhi të kositur a fushe gruri të korrur, një kuadër tjetër me disa kuaj të zinj që mbanin demonë të xhindosur më fytyra të egërsuara, një kështjellë nga frengjitë e së cilës derdhej llavë e zjarrtë, me tutje një kafkë, që lëkundej si lavjerrës e varur në një zinxhir qensh, me zgavrat boshe të syve që të tmerronin. Në murin tjetër të koridorit dukej tabloja e një liqeni mbi sipërfaqene të cilit llokoçiteshin shpend të ngordhur, drunj të shkulur, kufoma lopësh,derrash, dhensh dhe dhishë, si në ditën e kiametit.
Këtë e mbaj mend mirë se të nesërmen në mbrëmje, kur shkova në shtëpinë e Marta K. i fola diçka për imazhet që më kishin torturuar në gjumë. Marta K. tha se edhe ajo shihte piktura të ndryshme në ëndrra, por jo kaq të çmendura sigurisht. Dhe as kaq të frikshme. Qe ulur përballë meje në një kolltuk të ulët e të butë ngjyrë kafeje dhe më duket se shtati i saj i bëshëm fërgëllonte nën këmishëne hollë gjysmë të tejdukshme. Rrinte këmbë mbi këmbë, e lirshme si në shtëpinë e saj, dhe unë ia dalloja linjën e kofshës së majtë deri ku ndërpritej nga tuni i mbathjeve.
“Do të shikosh disa nga pikturat e mia?” me pyeti Marta K. dhe pa pritur pergjigjen time, u ngritn ga kolltuku. U ngrita dhe unë pas saj. Koridori ishte pothuajse i errët. Në gjysmerrësirë shqova disa dyer që dukeshin si tablo të mbështetura pas murit.Ajo hapi njërën prej tyre dhe ne u gjendem në një dhomë të ndritshme të mbushur me piktura, mbajtese, një tryezë plot me bojëra të ndryshme, tubeta, tasa të njollosur, penelë të futur nëpër vazo, disa albume të hedhur këndej andej, një karrike me shpinore të njollosur, një portret gruaje i varur në mur, që Marta K. tha se ishte nëna e saj, një riporodhim i imazhit të rinisë.
Marta K. më tregoi një për një punimet e saj, që mua më dukeshin abstrakte dhe të pakuptueshme, duke ma shpjeguar secilën me nga njëkoment të shkurtër. “Si mendon, me pyeti, kur mbaroi së rrëfyeri për pikturat,të dukem e çmendur? Ndoshta edhe jam”, tha.
Jashtë filloi të frynte erë dhe nga dritarja e hapur dhoma u mbush me ajër të lagësht deti. Në qiellin e largët te perendimit një re e zezë po ngrihej mbi det, e hidhtë dhe kërcënuese. Marta K. mbylli dritarën dhe uli grilat. Gjeti çelësin në gjysmerrësirën e krijuar dhe ndezi dritën. Atëherëpashë se studioja e saj ndriçohej nga të gjitha anët, përmbytej në dritë të verdhë artificale, që ndoshta dëpërtonte në orët e vona të natës në pikturat e Marta K. Dukej se ajo punonte në orët e vona të natës. Në pikturat e saj ndjehej prania e kësaj drite dhe sytë nëpër piktura shpesh ngujoheshin nga rrathë të errët pagjumësie. Atëkohë mendova sesi do’tia kish bërë Marta K. pa pikturat e saj, pa punëdorën e saj. Ndoshta dotë kishte qendisur këllefë jastekësh, mbulesa tryezash, këmisha fëmijësh, çorape, fustane, bluza. Ime më gjithmonë thurte me shtiza, çorape,triko, shoje, jelekë. Ulej në një stol të vjetër në oborr e thurte papushim, duke i lëvuizur gishtërinjtë me shkathtësi edhe pse punëdoret e saj nuk i vishte më askush. Punëdorët i bënte për vete, siç bënte Marta K. pikturat e saj.
“Kam pikturuar gjithmonë, qëkur isha katër vjeç, më tha Marta K. më zërin e përdëllyer të një gruaje që e ka të domosdoshme të rrëfehet. E di, sa herë më ka ndëshkuar babai se shkarravisja librat e fletoret mevizatimet e mia? Sa herë me dilte përpara një cope letre e bardhë, diçka pikturoja me lapës, një lule, një pemë, një peshk, një fytyre plaku, një kordele flokësh, një trup gruaje. Babai u tërbua njëherë kur gjeti të vizatuar në një fletore një djalë lakuriq. Kjo vajzë do na marrë fytyrën, i ulëriti mamasë duke i zgjatur viziatimin tim. Turp të kesh, klithi dhe mamaja. Këto gjëra mëson në shkollë ti?” E mblodhi shuk vizatimin tim dhe e grisi. Më vonë diçka i tha babait dhe të dy qeshën me njëri-tjetrin, po mua ma ndaluan të vizatoj. Ndoshta u gajasën me navitetin tim. Edhe pse në atë kohë isha pesëmbëdhjetë vjeçe, djalin lakuriq e kisha vizatuar me një penis fëmije gjashtëvjeçar. Atëherë vërtetë ashtu i përfyturoja burrat, me një organ të vogël dhe të pafajshëm prej fëmije. Ku ta dija unë si ishin burrat.
Në lagjen ku banoja unë banonte dhe një piktor, më tha, në një shtëpi të vjetër, gjysmë të rrënuar. Shtëpia rrethohej nja një kopsht që ngjante më shumë me një pyllishte se kurrkush nuk kujdesej për të. Studion e tij e kishte në një dhomë përdhese me dritare nga kopështi. Dritarja e studios së nëndheshme vinte rrafsh me tokën e mbuluar nga barishtet e egra. Unë futesha fshehurazi në kopësht, duke u fshehur përmes barishteve i afrohesha dritares dhe, e shtrirë barkas, përgjoja brenda. Piktori pikturonte me shpinë nga dritarja. Një pasdite kishte sjellë në studio një modele, ndoshta ndonjë nga të dashurat e tij. Unë shtanga kur pashë gruan e zhveshur lakuriq, ndërsa piktori vinte vërdallë me penel në dorë. Diçka i thoshte gruas, se ajo levizte, herë nxirrte më në pah gjoksin, herë hapte këmbët, njërën e shtrinte drejt, kurse gjurin e tjetrës e mbështeste lart të shpinorja e divanit. Piktori prapë nuk kenaqej, se shkoi vetë dhe po i a zhvendoste gjymtyrët dhe kokën në pozicionet që donte ai. Mua po më zihej fryma. Ishte hera e parë që shikoja një trup të zhveshur gruaje. Piktori tha diçka, se gruaja ia shkrepi te qeshurit. Ai i shko idorën mbi leshin e errët të pubisit, sikur ia lëmoi. Pastaj ndreqi telajon dhe zuri të pikturonte në kanavacë. Unë, e magjepsur siç isha, u zvarrita ngadalë mbrapsht nëpër bar dhe sapo dola nga kopështi ia mbatha vrapit. Atë mbrëmje isha tmerrësisht e dashuruar me piktorin. Gjatë dy muajve të asaj vere u përpoqa t’i bija në sy, sa herë e shikoja në rruguicat e lagjes, po ai as që me vinte re. Duhet të ketë qenë pak i trashë. Them se isha një modele, shumë më e mirë se modelet që pikturtonte ai. Kur ai nuk m’i hodhi që nuk mi hodhi sytë, vendosa të bëhem modele për veten time. Mbyllesha në dhomë, zhvishesha para pasqyrës dhe vizatoja veten time siç e shihja në paqsyrë, ose edhe me imagjinatë. Por ama këto vizatime i fshihja dhe mamaja me babanë, nuk m’i panë kurrë. Ende edhe sot i ruaj këto vizatime të hershme. Ndonjë ditë do të t’i tregoj”.
Marta K. heshti njëgrimë, pastaj tha me një farë mëdyshjeje: “Do të tregoj një pikturë qe e mbaj në dhomën e gjumit. Nuk ia kam treguar, askujt, kurrë. Eshtë sekreti im”. Më zur ipër krahu si një e dashur dhe më tërhoqi në dhomën e saj të gjumit. Dhoma dergjej në errësirë të plotë dhe unë përplasa kërcirin pas shtratit. Pastaj u përplasa te një karrike. Marta K më tërhoqi pas vetës dhe unë ndjeva ngrohtësinë e lagësht të trupit të saj. Atëkohë zgjati dorën dhe ndezi dritën. Para meje u shfaq megjithë madhështinë e saj piktura që varej në mur. Mbeta i shtangur si i goditur nga rryma elektrike. “Këtu, jam unë tha Marta K. unë dhjetë vjet më parë, jo kjo plaka që ke tani në krah. Atëherë isha e re”, pshëretiu.
Unë vështroja gruan lakuriqe në pikturë, krejtësisht i hutuar, pa mundur të lidh asnjë mendim timin. Ideja e parë ishte se po shikoja Marta K. të shtrirë lakuriq para meje, se gjoksi, barku, kofshet, pubisi i gruas në pikturë ishin gjoksi, barku, kofshet dhe pubisi i Marta K, që qendronte në këmbë pranë meje, pothuajse ngjithur aq sa unë ndjeja ngrohtësinë e trupit të saj, degjoja frymëmarrjen e saj, të rrahurat e shpeshtuara të zemrës. Pata një dëshirë përvëluese ta përqafoj Marta K., ta shtrëngoj fort pas vetes, ta puth pambarimisht në buzë, në qafë, në gjoks, në bark, po aty për aty u ndërmenda se Marta K. është profesoresha ime dhe leqet e këmbëve m’u ligështuan, m’u dridhën.Ndjeva se isha mbuluar me djersë të ftohta se një e ngjethur e akullt më përshkoi kurrizin dhe lëkura m’u mbulua më korriza të imta. Marta K. diçka kuptoi se me tërhoqi pas vetes dhe të dy u ulëm ndenjur në anën e shtratit. Me kqyri ngulmueshem në sy. “As unë nuk di si ta shpjegoj këtë pikturë, më tha. Po fundja kushdi ta shpjegojë vetën. Njëherë mendova se ka diçka nga L'Origine du monde e Gustave Courbet-it, por shpejt u binda se është diçka krejt tjetër, se ajo pikturë jam unë dhe askush tjetër. Dhe mbi të gjitha në atë pikturë është krejt jeta ime”. Nuk e kisha dëgjuar kurrë emrin e Gustave Courbet dhe as dija gjë për Origjinëne tij të botës. I dëshpëruar e krahasova vetën me një larvë që zvarriset nën një gjethe të madhe panje, e pazonja të mbrohet nga sytë e grabitqareve.
“Një ditë do ta dhuroj ty këtë pikturë, tha Marta K., ndoshta në takimin tonë të fundit. Nuk dua që këtë pikturë ta shikojnë sy të tjerë”.
Pas këtij premtimi u kthye nga unë, zgjati krahët dhe me përqafoi dhe buzet tona gjetën njëra tjetrën, në fillim të ndrojtura, pastaj vrullshëm, me zjarr, të papërmbajtura. Atë natë bëmë dashuri për herë të parë.
Tetori i atij viti erdhi te unë si një lajm i keq: Antoneta na paskësh qenë fejuar gjatë pushimeve verore. Thanë se qe fejuar me një jurist të ri, që punonte në bashkinë e qytetit të saj të vogël – familje e mirë dhe djalë me të ardhme. Kur e pyeten se si më kishte braktisur ashtu pa pritur e pakujtuar dhe ishte fejuar me një tjetër, Antoneta u paskësh thënë: “Dashnor i mrekullueshem, por burrë pa të ardhme”. Këto fjalë më dogjën dhe më inatosën njëkohësisht. Sillnin veç humbjes së të dashurës dhe një kumt të keq. U përpoqa ta harroja, t’ir rija sa më larg Antonetës, sikur nuk e pata njohur kurrë. Po gojët e liga më sillnin herë pas here lajme prej saj. Njëherë paskesh thënë vajzave: “Mirë thotë im atë, gruaja është si pjergulla. Ngjitet lart po u mbështet në pemë të lartë,po u mbështet në shkurre, thahet e stërkeqet, merr fund”.
Më erdhi plasja. Doli se isha dhe shkurre. Unë u mbylla në vete, ndiqja leksionet, u përqendrova edhe më shumë në studimin e biologjisë detare, e mbusha kokën me peshq, molusqe, oktapodë, sepie, iriqë, kandilë, gaforre ,karkalecë, kërminj, ngjala dhe përbindësha imagjinar deti, të lexuar në rrëfimete detarëve të lashtë. Më në fund arrita në përfundimin se Antoneta luftën nuk e bënte me mua po me veten. Fjalët e saj më bindnin se ajo po përpiqej të mënxirrte nga jeta e saj, të më harronte, kundër asaj çka ëndrrat i kumtonin në gjumë.
Të shtunave pasdite shkoja rregullisht në shtëpinë e Marta K. qendronim gjatë në verandë duke biseduar për pikturat e saj, por edhe artin në përgjithësi, dëgjonim muzikë, flisnim për letërsinë, për librat e fundit që kishin dalë dhe për poetët, e ndonjëherë më fliste edhe për idetë e punimeve të saj të ardhshme. Ajo më kishte tërhequr pa u kuptuar në botën e saj dhe unë tashmë pata filluar të lexoj libra për pikturën dhe për jetët e piktorëve. Në një nga këto të shtuna, nuk e mbaj mend saktësisht ditën, Marta K. me tha se do të më bënte një portret. “Portret, nuk është fjala e saktë, tha, por do të bëj një pikturë ku ti je i gjithi brenda saj”.
Aty për aty e mendova vetën duke pozuar për Marta K, i shtrirë neshtrat, ose në këmbë, (hu gradhi), në ecje e sipër, ose të ulur mbi një shkëmb, më kryet të rrasur mes duarve si mendimtar. Qe diçka e pamundur për mua edhe ta imagjinoja. Edhe në fotografi nuk dilja dot normal: shtrembërohesha, tendosesha, hutohesha, shpërqendrohesha, shndërrohesha, aq sa në momentin e shkrepjes së aparatit nuk isha më unë po dikush tjetër: fotot e mia më ngjanin të huaja, i urreja dhe veç fotove të detyrueshme të dokumenteve zyrtarë, nuk mbaja foto të tjera.
“Nuk mund të bëhem modeli yt, i thashë Marta K. me vështrim të ulur te shputat e këmbëve të saj. Nuk mund të pozoj”.
“Ajo pikturë m’u faneps ditën që të pashë për herë të parë në sallën e leksioneve, përse duhet të pozosh”, tha Marta K. Mori dorën time mes duarve tësaj të djersitura dhe shtoi: “Pothuajse e kam mbaruar”.
Marta K. ktheu kokën nga mali që kishim përballë verandës dhe treti vështrimin larg, në skaj të horizontit, sikur atje të fshiheshin sekretet e pikturave tësaj, sekreti i pikurës time. “Atë ditë kur të pashë për herë të parë shtanga,tha Marta K. Pata një zgjim hormonesh, një zgjim që nuk e pata provuar kurrë”. Papritmas heshti, sikur u pendua për ato që tha.
Nuk po kuptoja asgjë nga ato që thoshte. Si mund ta kuptosh se çfarë e bën një mashkull të veçantë e të papërsëritshëm në sytë e një femre?! Nuk dija asnjë përgjigje. Dija vetëm se Marta K. përsëriste shpesh: “Hormonet nuk gënjejnë”.
Pas asaj mbrëmjeje në verandë mendoja shpesh se si mund të isha unë në pikturë: kur shihesha në pasqyrë, ndërsa rruhesha, në dush, ndërsa fërkoja trupin me sapun (në pasqyrën e ngjitur pas derës së dushit, shikoja trupin timnën bashkat e shkumës) i shtrirë në shtrat në dhomën time të gjumit, gjithnjë imagjinojapikturën time, çdo herë në një variant të ndryshëm dhe në fund të fundit asnjëri nuk ma mbushte mendjen dhe as avitej kund, me pikturën që Marta K, as kur u sëmur dhe e mori vesh se do të vdiste, nuk ma tregoi.
Unë dhe piktura ime mbetëm të ndarë, ajo në bodrumin e Galerisë sëArteve, unë gjithmonë dikund tjetër, ajo në jetën e saj, unë në timen. Gjithsesi me dukej sikur piktura ime dinte gjithcka per mua, ndërsa unë nuk dija asgjë përtë. Kur zbulova thinjën e parë në flokë, e përfyturova dhimbjen që u shfaq nës ytë e piktures. Pastaj thinjat e shtuan si një bar i keq në kopësht, fytyra u plasarit si tokë e zhuritur nga zhegu, qafa u anua përpara, kurrizi filloi të tkurrej e të kërrusej, gjunjtë nuk ishin më aq të sigurtë e dridheshin herë pashere nën peshën e trupit që çdo vit bëhej më i rëndë. Piktura dhe unë ecnim në kahe të kundërt, aq sa kurdo që të shiheshim me siguri nuk do ta njihnim njëri-tjetrin dhe me e keqja, burri i pikturës do të zhgenjehej prej meje, ose edhe mund të më mohonte. Në një farë mënyre e konsiderova fat, që piktura u mbajt e paekspozuar për shumë vite, për arsye të panjohura për mua, po edhe për disa kritikë arti që herë pas here shkruanin për të. Kur më në fund u dha lajmi se piktura e Marta K. do të ekpozohej këtë tetor, u pushtova nga paniku, edhe pse askush i gjallë nuk do të krijonte një lidhje midis meje dhe pikturës. Si do të ishte vallë takimi ynë i parë pas kaq vitesh?, e pyeta vetën. U ndjeva keq, i humbur. Ah,Marta K, thashë me vete, në paqe të pushoftë shpirti, ta dish se në ç’telasheme ke futur? Pyetje të shumta mëmundonin. Si do të ndjehet ai tjetri në pikturë përballë meje? Jemi apo nuk jemi i njëjti burrë? Cilin deshi më shumë Marta K, mua, apo burrin në pikturë?
U ktheva dhe kqyra pikturën që më pati dhuruar Marta K. si për t’i kërkuar ndihmë. Në pikturë Marta K. e kishte fshehur fytyrën, por trupi i saj i gjallë, i shtrirë në atë shtrat me çarçafë të rrudhosur, si pas një nate të gjatë dashurie, fekste një dritë të trendafiltë dhe një kundërmim lulesh të egra mbushi mushkëritë e mia, madje pandeha se dëgjova një klithmë, një zë të largët e misterioz, që diç u mundua të më thoshte. Diku tutje në thellësi të pikturës m’u duk se dallova hijen time të dikurshme, hijen e fytyrës time të humbur.
Atëherë, i lehtësuar, shkova të rafti, nxorra kostumin më të mirë, këmishën e bardhë, zgjodha një kravatë të kuqe dhe i vura mbi karrike, sikur pas pak dotë nisesha për udhë. Ndjeshesha i ngazëllyer, pothuajse tridhjetë vjet më i ri, krejt si ai burri i pikturës. E di se kur të shihemi në Galerinë Kombëtare, burrit në pikturë do t’i ngjaj me një zotëri province, qesharak në elegancën dhe përkujdesjet e tij, por, tekefundit, ne s’mund ta shmagim njëri-tjetrin. Një histori dhe një emër gruaje na kanë lidhur përjetësisht
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen