Freitag, 20. Dezember 2013

Përvijim mbresëlënës në “Triremën Poetike Joniane”

Intervistë me poeten Zejnepe Alili - Rexhepi

Një përvijim mbresëlënës në “Triremën Poetike Joniane”, në Sarandë

Intervistuan: Lugina Ajro dhe Albulenë Zulbehari

 

Mbresat tuaja nga udhëtimi në Sarandë?

Udhëtimi në qytetin e Sarandës, është i një mbrese të veçantë për mua, sepse atje njihesh me lashtësinë dhe modernitetin njëkohësisht, atje gjejnë hapur portën e mikpritjes e bujarisë shumë poetë të ftuar në Manifestimin Ndërkombëtar Poetik - “Trirema e Poezisë Joniane”.
Është tejet domethënëse, që në Sarandë, të dish të vrojtosh vëmendshëm detin dhe thesarin në të, gjë që nënkupton të njohësh atë botë të tërë legjendash që të përcjellin imazhe ëndrrash e realitetesh…! Deti është hapësira e pafund që i lag brigjet e këtij vendbanimi e fortesat e gurta janë harku më i natyrshëm i ndërlidhjeve kulturore e qytetërimeve, pasi ato kanë të njëjtin “shtrat lindjeje” - Jonin. Andaj, poeti Timo Mërkuri, shprehet: “Te zemra jonë fillon deti”, lajtmotiv ky, që përcakton metaforën unikale të Artit Jonian.

 

Çfarë ishte “Trirema Poetike Joniane”?

Manifestimi poetik “Trirema Poetike Joniane” organizohet nga Klubi i Krijuesve Jonianë, dhe këtë vit ishte edicioni i VII-të, me radhë. Kryetari i këtij Klubi është poeti i mirënjohur, Agim Mato. E bukura e “Triremës”, ishte pjesëmarrja e poetëve nga vendet, brigjet e të cilave lagen nga Deti Jon, si: Shqipëria, Greqia dhe Italia, po sigurisht edhe shumë poetë të vendeve tjera: Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia… Unë, isha e ftuar nga treva shqiptare e Maqedonisë dhe të them të drejtën ishte e një kënaqësie të veçantë pjesëmarrja në këtë manifestim, meqë për së afërmi njihje fisnikërinë e Krijuesve të Klubit Jonik.
Në saje të “Triremës” u realizuan: Ora poetike e mbrëmjes së parë, vizita në qytetin e lashtë të Butrintit, homazhi tek busti i poetit Bilal Xhaferri dhe Hoxha Tahsin (është për t’u veçuar njohja me Antikën, të motrën e poetit dhe Bejazen, mbesën e B. Xhaferrit) dhe promovimi i librit “Kur flasim për Artin Jonian…”, të T. Mërkurit. Në mbrëmjen e fundit poetike, recituan të gjithë poetët e ftuar, të cilëve iu shpërndanë mirënjohje, si dhe shpërblimi me logon Klubi i Krijuesve Jonik, me figurën e pulëbardhës dhe dorës, që shkruan poezi dhe bën art. Vërtet, e çmoj këtë simbolikë, mbi të gjitha, për mesazhin që përçon, andaj do të thosha: …Dhe deti e pulëbardhat e Jonit, nuk e sjellin pranë vetëm brishtësinë dhe ngrohtësinë e vargut poetik, por një pleksje të pafundësisë qiellore dhe kaltërsisë ujore, midis të cilave fluturon ky shpend, që sfidon hapësira e josh shpirtëra poetësh, këtu e gjetiu në botë, për t’i lënë fillikat përpara legjendave e Perëndive.

 

Lajtmotivi i Klubit të Krijuesve Jonik?

Kam përshtypjen se Klubi Jonik shërben si urë miqësie e poetëve të më shumë viseve, sepse poezia e tyre reflekton një botë shpirtërore ku dallgëzon deti e trazon aromën e ullinjëve dhe të mbush syrin me nuanca portokalli. Të ecje gjithandej këtij qyteti, mbusheshe frymë me aromën e portokajve e pemëve të ullirit, kësaj peme të lashtësisë ilire. Në të vërtetë, vetë Joni është misteri i një shtegëtimi heroik, romancash homerike e virgjiliane, herë-herë edhe danteske “fryt i një frymëzimi jonian, që na shpie tek legjendat”.
Pjesëmarrja në “Triremën poetike” - Sarandë, 2013 është kënaqësi dhe frymëzim, në të njëjtën kohë, sepse aty, jo vetëm që njihesh me vargun e shumë poetëve, por edhe ndesh kujtesën kultorore, si gërshetim i një arti shumëshekullor, që të magjeps me vlerat dhe identitetin që ka. E vlerësoj si jetike thënien: “Të kultivosh Artin Jonian, duhet të jesh i madh sa bota joniane…”! Me respekt: Zejnepe Alili – Rexhepi!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen