Freitag, 29. November 2013

Salih Zogiani - Anekdota 7


1. ATËHERË PO U KAJKA NANA TË GJITHËVE

Ishin shkuar do partizanë në Berishë të Drenicës. Duke shkuar në katund, e zatetin një çoban. Po e pyesin partizanët çobanin: - A e di kush jemi ne? - Jo, - u thotë çobani. - Ne jemi partizanë e po luftojmë që ta biem komunizmin. A e di çka është komunizmi? - Jo, nuk e di, - u thotë çobani. - Komunizmi, kur të vijë, ua kanë nanën krejt pasanikëve e i bën rrafsh me tokë. A po e merr vesh tash çka është komunizmi? - Po, tash e mora vesh, dhe u thotë: - Ne të tjerët e kemi nanën të kajtun, e pasanikëve po ua kajka nanën komunizmi, atëherë po u kajka nana të gjithëve.


2. E KANË VRARË BRAHIM HALLAQIN E S’PO E VRASIN KENEDIN

Kur u vra kryetari i Amerikës, Kenedi, nëpër oda flisnin dhe e pyetnin njëri-tjetrin me habi: - Si kanë mundur ta vrasin Kenedin? Në një odë, do arsimtarë e bisedonin këtë punë, duke thënë: - Si kanë mundur ta vrasin kryetarin e Amerikës me gjithë ato roja! Një plak i dëgjonte çka po flasin e qysh po e bëjnë kiamet, e dikur nuk u durua pa u thënë: - Po e kanë pas vrarë Brahim Hallaqin, burrë me dy palë mustaqe, që s’ka guxuar kush t’i dalë para, e s’po e vrasin Kenedin!


3. KUR S’DON-S’DON, KUR DON, TA MERR E TA ÇON

Një samarxhi i fshihte lirat në samar të vjetër, në dyqan. Një ditë, vjen një myshteri për të blerë një samar, kur nuk ish dugajxhiu aty po shegerti. I dhimbseshin paret të blinte samar të ri, po e blen një të vjetër, më lirë. Kur vjen dugajxhiu, po e sheh që nuk është samari i vjetër, e po e vet shegertin: - Ku është samari i vjetër? Kur i kallëzoj shegerti që e ka shitur, dugajxhiu ia nisi e po kërcen nëpër dugajë e po thotë: - Kur s’do, s’do! Mbas pak, kthehet ai myshteriu e po thotë: - A bën ta kthej samarin e vjetër, e të marr një samar të ri? - Bën, po qysh s’bën, - i tha dugajxhiu dhe menjëherë ia dha samarin e ri e s’i mori pare të tjera. Si u largua myshteriu, dugajxhiu ia nisi po kërcen, e po thotë: - Kur don-don, ta merr e ta çon!


4. ASHT VAKTI ME E MJELË LOPËN

I kish pas zënë hyqymeti dy veta në hajni. Njëri kish pas vjedhur lopë, e ai tjetri sahate. I kishin pas çuar të dytë në burg, në një dhomë. Ai hajni i lopëve kishte qenë ngucakeq. Shpeshherë e ngucte, me fjalë, atë shokun e vet, e i thoshte: - A thue sa asht sahati? Demek që ka vjedhu sahate. Njëherë ai nuk i kthente përgjigje, po kur ia teproi, edhe ky ia nisi t’ia kthente përgjigjen. Njëherë, kur e pyeti ai, - a thue sa asht sahati?, - ky ia ktheu: - Nuk e di se sa asht sahati, po asht taman vakti m’e mjelë lopën.


5 .NË TË MBETTË ZHIG PËR VËLLA, TA JAP ZENËN TIM

Njëri shkon ta shohë një mik, se kish dëgjuar që ishte shumë i sëmurë. Kur e sheh se ai miku ishte kthyer për atë dynja, e pyet: - A po të mbetet zhig ndonjë send për këtë dynja? - Po , - thotë miku, po më mbetet zhig për dy sende: E para, që s’e kam parë babën, se më ka vdekur para se të lindja unë dhe, e dyta, ta kisha pasur një vëlla. - Për babë, ishalla e gjen në xhenet, e sa për vëlla, që të ka mbetur fort zhig, po ta çoj do ditë Zenën tim, që të qet fare me çka ke, e të hiqet meraku i vëllait menjëherë, - i thotë miku


6 .NËSE NUK KAM HI FELLË, PO DU ME DALË

Njëri shoqërohej me disa shokë gjakovarë, që ishin në tarikat të dervishëve. Ata, duke e lavdëruar tarikatin, ia mbushën mendjen që edhe ky të shkonte në teqe e të pranonte të hynte në tarikat. Një ditë, shokët e çojnë te shehu, e ai i thotë: - A ke mendu mirë, se me ba vaki e me u ba pishman, të gjen ndonjë taksirat. - Jo nuk pendohem, se më kanë bindë shokët, - i thotë ky dhe hyri në tarikat. Kur morën vesh familja e tij, zunë ta qortonin ashpër dhe i thanë, ose të largohej nga tarikati, ose të izolohej nga familja e farefisi. Ky u detyrua të shkonte te shehu, po shkonte me turp, se ishte penduar dhe me frikë se mos po e gjente ndonjë fatkeqësi, qysh i kishte thënë shehu. Kur hyri në teqe, iu drejtua shehut e i tha: - Baba sheh, unë kam hyrë në tarikat para disa ditësh, mirëpo familja nuk po pajtohen kurrsesi. Erdha me të vetë, a ban me e këqyrë e me m’tregue: - Në koftë se s’kam hy fort fellë, e kam mendjen me dalë.


7. SHKO E MERRU VESH ME MULLIXHINË

Njëri, sa herë që bluante në mulli, kur e binte miellin në shtëpi, gruaja i gjithmonë i gjente behane, duke i thanë: - Ta paska blu butë, ja ta ka blu egër, ja trashë, ja fort im, e kurrë nuk ia begeniste blojën. Një ditë, duke e çuar ky gruan te miqtë, i ra nga mulliri, i ndali kuajt para mullirit, e i tha gruas: - Çu e shko n’mulli, merru vesh me mullixhinë, se qysh me ta blu millin, se kurrë nuk po të doket mirë, e m’ke lodhë tuj m’kritiku.

Reportazh - Nëpër Kosovën heroike


Nga Luigj Shyti

Gjurmës së rrugës “Adriatik - Alpe”

Dëshira për të shkuar dhe për të vizituar Kosovën, Kosovën heroike, Kosovën martire ku edhe çdo fije bari e ka rrënjën në gjakun e shqiptarëve të derdhur në shekuj, është e gjithhershme.
Në mëngjesin e një dite vjeshte, të freskët, por me diell, një grup nga Shkodra të përbërë prej 35 vetë gra e burra, nëpërmes luginës së Drinit i drejtohemi tokës kosovare. Deri në digën e hidrocentralit të Komanit udhëtojmë me autobus. Rruga kalon pa i ndier në mes bisedave të këndshme, herë serioze dhe herë me shakatë Dr. Pjerinit, Filipit, Karlos, Verës, Ndues, Gjystes, Agronit etj. Buzës së liqenit të Vaut të Dejës rruga ndjek konturet e kodrave dhe maleve që e rrethojnë. Nga Shkodra deri në Koman janë 437 kthesa dhe 173 ura e mbikalime ujore. Në digën e Komanit, Nikolini, ish nxënësi im na afrohet, na përshëndetë dhe na qerasë me disa fruta vjeshte që po i tregtonte aty.
Pas një pushimi të shkurtër aty, fillojmë udhëtimin drejt Tropojës, por tashti me traget. Në krahasim me rreth 2 muaj më parë, kur më takoi të udhëtoj me këtë traget, pronarët e tij kishin bërë mjaft përmirësime për kushtet e qëndrimit të udhëtarëve.
Megjithëse kohë e freskët shumica e udhëtarëve qëndrojnë në kuvertë për të parë bukuritë natyrore që të mundëson ky udhëtim.
Udhëtimi ynë për në Kosovë ka për qëllim që të bëjmë një shëtitje turistike në disa qytete e pika turistike dhe promovimin e librit “Korridori Adriatik – Alpe Lugina e zhvillimit” të shkruar nga Filip Guraziu, Karl Kamësi, Anton Leka dhe Eqerem Ago, në të cilin përfshihen projekti për ndërtimin e kësaj rruge si dhe shumë shkrime e mendime për këtë rrugë nga studiues, bashkëpunëtorë e dashamirës të këtyre zonave. Pra ne po udhëtonim në gjurmën apo sa më afër saj nga parashikohet të kalojë kjo rrugë.
Diskutimi mbi kuvertën e tragetit është energjik, optimist dhe konkret. Këtu, anës së liqenit, do të hapet rrugë e re nga Markajt deri në digën e Komanit – thotë Filip Guraziu, sepse duam që zona e Nikaj-Mërturit të lidhet më të.
Në gryken e lumit të Shalës, atij të Mërturit, por edhe në disa përrenj të tjerë do të ndërtohen ura të fuqishme. Rreth tyre grumbullohen edhe udhëtarë të tjerë të rastit, dëgjojnë e pyesin me kureshtje.
Një djalë i ri dhe që dukej i kulturuar, i afrohet ngadalë Filipit dhe me respekt dhe ngadalë e pyet:
- O xhaxhi, a do shumë kohë ndërtimi i kësaj rruge ?
- Sipas studimeve tona kjo rrugë mund të përfundojë për afro 3 vjet, - përgjigjet
ai.
Në fytyrën e djalit u duk një shkëlqim drite dhe sytë i holli në Shkëmbin e Rajës, afër të cilit po kalonim. Me siguri mendja e tij ëndërronte nëpër këtë shkëmb një rrugë të gjerë e të mirë përgjithmonë. Unë e pyeta këtë djalë se nga vinte dhe ku po shkonte. - Kam lindur dhe banoj në Durrës, por familja imë ka prejardhje nga Tropoja dhe po shkoj te të afërmit e mi. Unë i gëzohem këtij projekti dhe kësaj rruge, -shton ky djalë për të cilin më vjen keq që nuk e pyeta për emrin.
Me ne udhëtonin rastësisht edhe disa kosovarë që po ktheheshin në shtëpitë e tyre , të cilët dëgjonin dhe shikonin më shumë vëmendje.
Trageti ndalon pa arritur në Dushaj sepse prurjet e përrenjve dhe lumenjve anësor kanë grumbulluar materiale që pengojnë lëvizjen e mëtejshme të tij. Gjithnjë e më shumë do të mbushet liqeni e prandaj është e domosdoshme rruga automobilistike buzës së tij për të pasur komunikim të përhershëm.
Në anën e majtë të lumit Valbona, përballë qytetit Bajram Curri shtrihet një fushë e gjerë – Cernica. Ky emërtim është shumë i hershëm dhe tregon një vend të errtë nga pylli i dendur. Bile edhe emri i lumit Valbona del diku Cernica e që mesa duket nga që rrjedh nëpër gryka të ngushta e në hije dhe uji duket më i errtë. Në fillimet e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e më vonë Cernica u shpyllëzua, u mbollën pemë e kultura të tjera bujqësore. A ishte veprim i mirë apo jo i mirë është tjetër punë, por sot dukej si e shkretuar, toka djerre,pemë të radhuara, të prera, të thara, ndonjë lopë apo dele që kullotë ngeshëm të kujdesuar nga ndonjë plak a plakë.
Bashkudhëtari ynë por edhe bashkautori i librit, Eqerem Ago, mësues në pension së pari e ka filluar punën në Abat të Shalës në vitin 1953. Për herë të parë -thotë ai , kam pirë raki te frati në kishën e Abatit së bashku me kolegun tim të asaj kohe Beqir Broci, pastaj kam punuar në Pog e Mgullë dhe ruaj kujtimet më të mira e kam shumë respekt për popullin e Dukagjinit. Edhe unë –thotë Dr. Pjerini kam punuar në Dukagjin dhe ruaj kujtimet ma të mira për atë popull. Po ju tregoi diçka – vazhdon ai: Dukagjinasit janë shumë të gjendur në rrezik dhe në nevojë, mjafton t’u flasësh hapur. Vetëm me një fjalë timen u nisën 30 burra në një ditë dimri, nëpër borë dhe furtunë për t’i dalë përpara Ali Spahisë në Qafë të Tërthores të cilit i rrezikohej jeta kur po vinte nga Shkodra, sepse në atë kohë ishte me punë në spitalin e Bregut të Lumit.
Diku në një lëndinë në buzë të rrugës që të çon në Qafë të Morinës së Tropojës është një hotel në mes të gjelbërimit i ndërtuar rishtas. Nga larg shikojmë emrin e këtij hoteli “EL-FA-GE-SA” që sado u përpoqëm nuk arritëm që ta zbërthenim. Ulemi të pushojmë dhe Kujtimi, pronari i tij na pret me dashamirësi. E pyetëm edhe për emrin e hotelit. Ne jemi dy vëllezër që e kemi ndërtuar këtë hotel – thotë ai. Ato që shikoni ju janë shkronjat e para të emrave të emrit të katër fëmijëve tonë. I urojmë jetë të gjate fëmijëve dhe familjarëve të tjerë e suksese në punë dhe nisemi për rrugë. Pas pak hyjmë në një rrugë të re. Kjo është rrugë në zbatim të projektit tonë , na thotë Karloja, janë bërë 14.5 km duke filluar nga Qafa e Morinës, por me pak kujdes do të eliminoheshin shumë kthesa dhe duhej bërë më e gjerë duke llogaritur trafikun që do të kenë kjo rrugë, vazhdon ai.



“... O Kosovë o mriz me zana ...”

Jemi në Qafë të Morinës, 566 mbi nivelin e detit. Përpara syve tonë shpaloset Kosova e pamposhtur me fushën e saj të paanë, me njerëzit e saj të paepur, me erën e barotit dhe të shkrumbit të luftës së pamëshirshme të pushtuesve serb, me rrënojat - simbole të luftës, me varret masive, por edhe me përpjekjet për rindërtim e ndërtim të vrullshëm, për mbijetesë dhe gjallërim të jetës.
Po, “ ... O Kosovë o mriz me Zana,
Pesëqind vjet tuj pre sulltana...”

është e vërtetë si drita e diellit dhe komentet e mëtejshme janë të tepërta.
Ndërsa po udhëtonim në tokën kosovare, në drejtim të Gjakovës, në anën e majtë, në Golaj, përpara syve tonë na shfaqet një varrezë masive me trupat e vëllezërve tonë kosovarë të vrarë e të masakruar nga pushtuesit serb. Kaq shumë kurora ka këtu sa duken sikur kanë mbirë nga gjaku i tyre dhe kanë dalë nga dheu. Në autobus bie heshtja e sytë e të gjithëve mbetën aty deri sa qafa nuk e duroi më.
I pari që na pret në Gjakovë është Halil Ahmeti, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i shoqatës “Drini” Gjakovë-Shkodër, shumë dashamirës dhe i thjeshtë si në paraqitje dhe në komunikim.
Kur po pinim kafe, buzë lumit, burimi i të cilit është diku nga mali i Shkëlzenit, shikojmë të shkruar në një mur të ndërtuar thjeshtë e bukur, aty përballë fjalët-kushtrim të Sulejman Vokshit:
“ Në trojet tona jem tash mijëra vjet, një atdhe e kemi, Shqipërinë amanet”.
Vendosemi në një hotel që sapo është ndërtuar, në të dalë të Gjakovës për në Prishtinë, që mbante emrin “Elba” dhe që është një lumë në Gjermani e me sa duket pronarët e tij kanë ndonjë lidhje me këtë lumë, emigrimi apo ndonjë gjë tjetër.
Të nesërmen udhëtojmë për në Prishtinë. Rruga është pak e gjatë por s’ndjejmë lodhje. Prishtina është një qytet që po ecën shpejt në të gjitha drejtimet. Shëtitim nëpër rrugët e saj dhe shikohen ndërtime të reja e te vjetra të harmonizuara me njëra tjetrën.
Në një nga rrugët kryesore të qytetit, pothuaj ngjitur më Bankën e Kosovës që është një ndërtesë shumëkatëshe dhe bashkëkohore, ndodhet monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeu i vendosur mbi shpinën e Kalit e me shpatën e zhveshur në dorë. Piedestali i tij është i vendosur mbi imazhin e qelesheve të bardha e të rrumbullakëta, simbole të malësorëve shqiptarë e që thuhet se e pati brenda përkrenares së vet, një gjetje shumë e bukur e skulptorit. Pak metra më tej, në të djathtë të tij, në një lulishte është e vendosur shtatorja e Nënë Terezës. Ajo duket sikur te flet, të mëson e të tregon rrugën e vërtetë dukë rrezatuar dashuri e bashkëpunim.
Në një tavolinë të vogël një djalë i ri kishte ekspozuar për tregti disa gurë mineral. Ai tregon gjallërisht se ku janë marrë. Ky është gurë mineral nga Trepça, në horizontin tetë, ky është në horizontin .... etj – vazhdon ky djalë.
Pas dite udhëtojmë për në Prizren. Arritëm pasi qe errur. Është qytet i vjetër që zhurmon nga njerëzit dhe makinat. Përmes tij rrjedh lumi që ja shton bukurinë e që buron në malin e Sharrit. Në anën e majtë të lumit është shëtitorja tradicionale . Fillimisht na u dukën pak njerëz që lëviznin në atë rrugë, por aty rreth orës 20 filloi e u mbush plot e përplot, por ishte veçori se pothuaj të gjithë ishin të rinj.
Ndërsa po qëndronim në urën karakteristike të Prizrenit që lidhte dy brigjet, pran nesh kalon ngadalë një makinë prej të cilës vinin tingujt e një kënge të dhimbshme që bën fjalë për masakrat e serbeve ndaj popullsisë e qëndresën e kësaj të fundit:
“... Amanet moj motra ime,
Mos mbaj zi për jetën time...”.

Në hotel “President” në Gjakovë zhvillohet promovimi i librit. Ai është më shumë se promovim. Është një thirrje, është një këmbëngulje për ndërtimin e korridorit Adriatik – Alpe sepse rrugët janë arteriet e jetës. “Ky projekt – tha një folës nga Kosova, tregon se jemi gjallë, se dimë të projektojmë e ndërtojmë”. “Globalizimi i këtij mijëvjeçari duhet të na gjejë me kulturën e historinë tonë kombëtare” – tha midis të tjerash akademiku Nexhat Daci ish kryetar i Kuvendit të Kosovës, pjesëmarrës në tubim.



Amaneti i babait ...

Duke udhëtuar për në Prishtinë, pasi kishim kaluar kryqëzimin që të çon në Pejë, një makinë e vogël na parakalon dhe bën me shenjë që të ndalojmë. Enveri, shoferi ynë, ul shpejtësinë dhe ndalon afër asaj makine dhe disa zbresim nga makina. Nga makina e vogël dalin dy djem të rinj njëri rreth 30 vjeç dhe tjetri më i ri. Në dorë mbajnë disa pako që pas pak e morëm vesh se ishin të mbushura me ëmbëlsira. Po shikonim me kureshtje. Djali që ishte më i madh nisi të flasë. Unë jam gjakovar, quhem Faton Pozheku dhe ky është vëllai im. Nuk ju njohim asnjërin, por njohëm makinat nga targat se ishin shqiptare. Kam një amanet nga babai im që e quanin Xhafer, sepse tash nuk jeton më, që më ka thënë: “Kudo që të takohesh më shqiptarët e Shqipërisë t’i respektosh sa të jetë e mundur”. Ne jemi pas makinave tuaja sapo morëm vesh se jeni nisur në këtë rrugë – thotë Fatoni dhe të gjithëve më këmbëngulje na qerasë me ëmbëlsirë nga dyqani i tij të bërë posaçërisht për miq. Është amaneti i babait – përsëritë ai e fjala i ngecë në fyt disi sepse sytë i u mbushën me lot. Gjashtë orë kam qëndruar nën shkopinjtë e ushtarëve serb vetëm se i dhashë një cigare duhan një shoferi shqiptar – thotë pas pak Fatoni.
Ne u ndamë nga këta djem por kujtimi e amaneti i babait të tyre erdhi me ne.

 

Në shtëpinë e Lidhjes...

Kur hymë në oborrin e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit na gjendet përpara një burrë rreth të 50 –tave, i mbajtur, i thjeshtë dhe komunikues. Quhej Muzafer Muharremi, nga ky qytet, teknolog me arsim të lartë të mbaruar në Zagreb në vitin 1978.
Unë nuk jam punonjës i muzeut – fillon bisedën ai, por e pashë që erdhët e në këtë kohë nuk është vetëm roja këtu, dhe dëshirova që t’u tregoi ndonjë gjë, aq sa di unë për këtë vend. Pastaj vazhdoi, dikur, në lashtësi, siç tregojnë gojëdhënat, këtu ku është ndërtuar qyteti ishte një vend i mbuluar me therra (ferra) dhe quhej “Therranë” që do të thotë therra e anës.
Në oborrin e shtëpisë së Lidhjes shikojmë një burim uji, të sistemuar, që ndahej në dy degë e përsëri bashkohej nga fundi i oborrit. Brenda këtyre degëve oborri është i shtruar me kalldrëm. Myzaferi e pa që na tërhoqi vëmendjen prandaj na shpjegoi: -Këto dy degë simbolizojnë bashkimin Gegë e Toskë. Ndera ai fliste unë shikoja kalldrëmin që rrethohej nga këto degëzime e më ngjasonte me “kokrrat e shegës” të të madhit Gjergj Fishta:

“... Mej bashkue Toskë e Gegë,
Porsi kokrrat që janë në shegë...”


Tre herë është djegur kjo shtëpi – vazhdon Myzaferi, dhe gjithmonë është rindërtuar sipas origjinalit. Djegëja e fundit ka qenë me 10 maj 1999 nga serbët, të cilët pastaj e rrafshuar dhe në themelet e saj mbollën lule që të humbej çdo gjurmë e saj. Sapo përfundoi lufta ndërtesa e parë që u rindërtua ishte kjo shtëpi dhe u nderua për një javë. Ngjitemi në katin e dytë dhe shikojmë një dhomë jo të madhe, e mobiluar thjeshtë si koha që ishte. Duke u endur nëpër të sikur dëgjoj edhe në këtë moment tek flet, midis të tjerëve, edhe Mark Lula i Shalës, diku nga një qoshe e kësaj dhomë të vogël por që bëri emër të madh.

 

Në Çarshinë e Gjakovës...

 Po shëtitnim nëpër çarshinë e Gjakovës dhe shikonim ndërtesa të një modeli të vjetër të ndërtuara rishtas, dyqane të vegjël, dyer dhe dritare karakteristike, tamam për një vend si ky. Ishim para përmendores se Lidhjes së Prizrenit. Nga një kafe afër saj ngrihet një burrë, diku 45 vjeç, lë në tavolinë disa të afërm që së bashku po pinin kafe, dhe na afrohet. Quhet Osman Gojani, drejtori i monumenteve të kulturës së Gjakovës. Pas përshëndetjeve të rastit filloi të na fliste:
- Ky monument afër të cilit jemi, është ngritur në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, pra në vitin 1978, por serbët e shkatërruan me eksploziv më 13 maj 1999, por u rindërtua në 125 vjetorin e Lidhjes, pra në vitin 2003. Lufta në Gjakovë – vazhdon Osmani, filloi me 24 mars 1999 në mesnatë dhe brenda kësaj nate u dogjën 426 objekte të pazarit të vjetër dhe shtëpi karakteristike, përveç objekteve të tjera. Të gjitha rindërtimet janë bërë sipas origjinalit, pasi kemi pasur projektet e plota dhe në prag të luftës i kemi groposë në tokë në themelet e shtëpive, -thotë ai. Çarshia e Gjakovës është djegur katër herë dhe gjithnjë është ndërtuar sipas origjinalit.
Shikoni atë shtëpinë atje, dhe Osmani bën me dorë drejt një shtëpie të veçuar midis të tjerave, është shtëpia e Sulejman Agë Vokshit. Edhe ajo u shkatërrua nga serbët por e rindërtuam.


Plaku 84 vjeç...

Përball hotel “Pashtrikut”, në një lulishte të bukur është një gurë i madh, natyror, i pagdhendur, i vënë nga duar të kujdesshme. Në anën jugore të tij është vendosur një pllakë e thjeshtë në formën e hartës së Kosovës në të cilën shkruhet:
“ Në parkun memorial të qytetit “Dëshmorët e kombit” në Komunën e Gjakovës do të ngrihet kompleksi me vlera të luftës së UÇK-së.” Kjo pllakë është vendosur me 31 dhjetor 2005
Në të djathtë të këtij guri , në një shtyllë të lartë valëvitet flamuri shqiptar. Afër gurit në një nga stolat e kësaj lulishteje qëndronte një burrë i vjetër, i veshur thjeshtë por pastër, më një shkop në dorë që e tundte herë pas here. Në kokë mbante një kapuç (qeleshe) të bardhë si bora, të rrumbullakët, mbi ballin e tij tërë rrudha në të cilat janë skalitur gjurmët e jetës. I prezantohem dhe i kërkoj leje që të bisedojmë me të. Ai pranoi dhe së pari e pyeti për moshën dhe emrin.
-Jam 84 vjeç dhe quhem Imer Smajli, jam nga Morina. Gjatë luftës serbët më vranë djalin dhe që nga ajo kohë banoj në Gjakovë. Kollitet pak dhe disi e ngre zërin më lartë duke thëne: - Shqiptarët e Shqipërisë kam qeft me i pa si me pa vëllain ose mixhën (axhën). Me gazetarët a shkrimtarët, a si po u thonë, nuk jam fort i kënaqur sepse i ndryshojnë fjalët. Edhe për Marie Shllakun nuk i kanë shkrua si duhet dhe si është e vërteta. I ri kam qenë, por Marien e kam njohtë e takuar në shtëpinë time sepse familja ime ka qenë me ata që ka qenë edhe Maria. Në një libër për Marie Shllakun, këmbëngul Imeri, ata që nuk kanë punuar, ose kanë punuar keq i kanë paraqitur si dëshmorë.


Mirdita...

Gjatë zhvillimit të tubimit dhe të drekës në Gjakove, në tavolinën tonë, për të na krijuar një mjedis sa më shoqëror, kërkojnë leje dhe ulen një djalë i ri e i mirë që quhej Hysni Ademaj me nusen e tij Mirdita dhe shoqen e saj Suzana Ahmeti, bashkëshortja e Halil Ahmetit. Suzana është një grua e qetë, e thjeshtë që më shumë dëgjonte se sa fliste. Hysniut nuk i zinte vendi vend që të na krijojë një qëndrim sa më të mirë.
Mirdita është një grua e re, e mirë, e shkathtë, e ëmbël, që kishte dëshirë të na pyesë në dhe gratë tona, por edhe të flasë thjeshtë, pa mendje të madhe. Ishte mësuese në shkollën e mesme të Gjakovës.
-Kam jetuar një vit në Tiranë gjatë luftës dhe jam shumë e kënaqur.
Na tërhoqi emri i saj, prandaj e pyes se nga e ka rrjedhën.
- Unë jam prishtinase, por dashurin, shokun e jetës e gjeta në fshatrat e Gjakovës dhe jam shumë e lumtur për këtë. Babai im, -vazhdon ajo, ka mbiemrin Mirdita, sepse rrjedhim nga Mirdita, dhe për ta trashëguar dhe shtrirë sa më shumë, kur jam lindur më vuri emrin Mirdita. Ndjehem shume krenare për këtë emër, thotë Mirdita me vendosmëri.

 

... Ç’janë këto gjamë që po i bie era...

Gjatë udhëtimit nga Prizreni për në Gjakovë, në anën e majtë është Rugova historike, heroike, Rugova me bukuritë e saj të papërsëritshme, me Rugovësit e saj të fortë si shkëmbi për të përballur sfidat e jetës.
Ndërsa po udhëtonim dhe disa po flisnin për Rugovën, mua më vinë në mendje fjalë të një kënge shumë të vjetër, ndoshta mbi 200 vjeçare, që e kisha dëgjuar nga gjyshi e baba im, e që në Dukagjin këndohet si këngë maje krahu:
“...Ç’janë këto gjamë që po i bie era,
Luftë po bajnë Rugova e Peja......”
Kjo këngë bën fjalë për kohën e pushtimit turk kur qendra e Sanxhakut të Dukagjinit ishte në Pejë e Rugovësit kundërshtonin padrejtësitë që i bëheshin prej tij. Por edhe më vonë , në çerekun e parë të shekullit të kaluar, shumë Rugovës, por edhe më gjerë, detyrohen të lënë trojet e tyre nga terrori serb duke gjetur strehë në shtetin amë, e përsëri doli kënga:

“ ..............................................,
Zot ça bani Rugova e shkretë,
Zot ça bani e shkreta Rugovë,
Ka marrë ikën për i shokë borë,
Ka marrë ikën e ka dalë n’Shqipni,
Po shkrue letra e çon n’Serbi,
Thuaj Serbies ma sheh sherrin,
Ta shkyej postin e ta këputi telin,
Ti za grykat e ta vras asqerin...”


E do të duhej të vinte fundi i mijëvjeçarit të dytë e të agonte i treti që përfundimisht Serbisë ti shkyhej (grisej, copëtohej) posti e ti këputej teli, ti ziheshin grykat e ti vritej asqeri.

 

Mirëupafshim Kosovë...

Kur rrezet e diellit në mbrëmje përarojnë majat e maleve, të nesërmen do të jetë ditë e mirë. Edhe kur ne po largoheshim nga toka Kosovare, dielli kishte përaruar majën e malit të Pashtrakut. Me siguri nesër do të jetë ditë e mirë.
Natën e mirë Kosova trime e punëtore.
Mirëupafshim ! 


Tetor - 2006

Donnerstag, 28. November 2013

Luftat ilire – romake


Qëkur u themelua shteti Romës (që më vonë u shndërrua në perandori), pengesë të zhvillimit, po edhe të realizimit të aspiratave pushtuese e dominuese ndaj popujve e vendeve të tjera, e shihte dhe e kishte Ilirinë, shtetet e fiset ilire. Interesat e Romës ngatërroheshin dhe binin ndesh me ato ilire në të gjitha drejtimet: në rrafshin e shtrirjes territoriale, pasi fise ilire kishte në të dy anët e Adriatikut, Jonit e deri thellë në Alpe, Panoni, Thraki e deri në Greqi; në rrafshin e dominimit në det, pasi kapitenët ilirë të anijeve ishin zotërues të Adriatikut e të gjithë Mesdheut; në aspektin ekonomik, sepse hapësira ilire ishte e pasur, e shumëllojshme dhe tejet e nevojshme për Romën e dhënë pas krijimit të reparteve të mëdha ushtarake dhe luksit në të cilin jetonte parësia e këtij shteti. Disa here kishte pasur konflikte midis ushtarëve ilir e romak, po ato kishin qenë të rrepta sidomos në det. Dhe Senati i Romës venndosi të angazhonte gjithë poetncialin ushtarak e poliitik që kishte, për të nënshtruar e pushtuar Ilirinë. Luftat ilire-romake zgjasin pothuaj dy shekuj e gjysmë, po historia njeh tri beteja të mëdha e një kryengritje, gjithëilire, që ndikuan për rënien definitive të Ilirisë dhe që vulosën doninimin romak në Ballkan e në një pjesë të madhe të vendeve të njohura ne atë kohë.

 

Lufta e parë ilire-romake (229 – 228 p.e.s.)

Lufta e parë ilire-romake filloi në vjeshtën a vitit 229 para erës sonë. Flota romake, e përbërë prej 200 anijesh arriti në Korkyrë dhe e pushtoi këtë qytet të rëndësishëm ilir, pasi komandanti i garnizonit ilir, Dhimitër Fari, tradhëtoi dhe u hodh në anën e armiqve. Roma i shkëputi shtetit të ardianëve një pjesë të mirë të territorit dhe vulosi ndarjen e tradhëtinë, duke e emëruar Pinesin, djalin e mitur të Agronit, sundimtar të ligjshëm të mbretërisë ardiane, që si akt trazoi gjithë Ilirinë.
Sipas kushteve të paqes, të cilën ilirët u detyruan ta pranonin, atyre u ndalohej të lundronin përtej Lisit me më tepër se dy anije tregëtare dhe u zotuan t'i paguanin Romës tribut vjetor.


Lufta e dyë ilire-romake (219 – 218 p.e.s.)

Pas vdekjes së mbretëreshës Teuta, Dhimitër Fari mendoi se i erdhi rasti të bëhej sundues i Ilirisë. Ai u martua me Triteutën, të ëmën e Pinesit të vogël dhe u bë tutor i tij. Ai i shtriu sundimin mbi gjithë territorin ilir, që i kishte mbetur Pinesit. Duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të Romës, e cila ishte në luftë me galët dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të Kartagjenës, Dhimitër Fari u përpoq të shkëputej prej saj. Për këtë qëllim ai lidhi aleancë me Antigon Dosonin e Maqedonisë, e ndihmoi atë në veprimet e tij në Greqi për rivendojen e epërsisë maqedone në Peloponez dhe filloi luftën për rimëkëmbjen e shtetit të vjetër ardian. Më 220 Dhimitër Fari sulmoi parthinët, pushtoi qytetin e tyre, Dimalin, dhe vendosi këtu një garnizon të fortë ushtarak. Më vonë ai nënshtroi gjithë Ilirinë e jugut deri në Vjosë. Pas këtyre sukseseve Dhimitër Fari u muar vesh me Skerdilaidin, i cili, pas luftës së parë iliro-romake, me sa duket, sundonte i pavarur ndonjë krahinë veriore të shtetit ardian, dhe bashkë me të ndërmori, aty nga fundi i vitit 220, një ekspedite plaçkitëse në brigjet e Greqisë. Romakët nuk u pajtuan me këtë dhe sulmuan. Gjaku ilir u derdh rrëke, qëndresa ishte titanike, por Roma atë kohë po zhvillonte edhe beteja diplomatike e politike, të dukshme e të padukshme dhe Iliria u detyrua të linte edhe toka të tjera nën sundim të romakëve.

 

Lufta e tretë ilire-romake (më 168 p.e.s.)
 

Me ardhjen e mbretit Gent në fron ndikimi romak në Iliri filloi të zbehej dhe ky nisi të quhet "mbret i Ilirëve" (Rex Illyricorum). Edhe pse Genti u gjend përpara turbullirash të brendshme serioze, ai nuk kërkoi ndihmën e romakëve. Gjatë sundimit të Gentit, Shkodra, e cila ishte bërë tani kryeqytet i mbretërisë dhe qytete si Lisi, Rizoni etj. fituan gjallëri ekonomike. Në këtë kohë kontradiktat politike në mes të Romës dhe Maqedonisë. Sukseset e para të ushtrisë maqedone, gjatë luftimeve të vitit 171 në Ilirinë jugore e në luginën e Drinit, bënë që Genti të anonte nga Perseu i cili u zotua t'i jepte Gentit. Me ilirët e maqedonët u bashkua vetëm shteti i Epirit, i cili mori pjesë aktive në luftën kundër Romës. Në vitin 168 Genti filloi veprimet luftarake kundër Romës, por u detyrua të hiqte dorë nga luftimet e të kthehej në Shkodër, kurse flota pësoi dëme në det. Romakët, duke zbatuar parimin e tyre politik "përça e syndo", vazhduan sulmet. Të dy ushtritë kundërshtare u ndeshën per herë të fundit në Shkodër, e cila, sipas fjalëve të Tit-Livit, ishte aq e fortifikuar sa nuk mund të merrej lehtë nga romakët. Por kobin e tyre, forcat ilire nuk u mbrojtën në kala, por në fushë të hapët, jashtë mureve të Shkodrës dhe u thyen keq dhe mbreti u detyrua të dorëzohej. Iliria u shkatërrua, sepse pastaj romakët shkatërruan përfundimisht edhe ushtrinë maqedone e nënshtruan edhe Epirin.
Pushtimi romak u shoqërua me plaçkitje e shkatërrime të mëdha. Me lejen e Senatit, konsulli romak Pal Emili grabiti pa mëshirë popullsinë e Epirit dhe arin e argjendin e mbledhur ia ndau ushtrisë. Me urdhërin e tij e shkatërruan deri në themel 70 qytete të Epirit dhe 150.000 njerëz u kthyen në skllevër. Sasira të mëdha ari e argjendi (12 libra ar, 90 libra argjend, 13 mijë denarë dhe 120 mijë argjende të Ilirisë) u grabitën nga thesari i mbretit Gent. Në vitin 167 Genti dhe Perseu, bashkë me familjet e tyre, me plaçkë e robër lufte u dërguan në Romë si trofe. Kështu morën fund shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe u vendos sundimi romak.

 

Kryengritja e Madhe Ilire (gjatë viteve 6 – 9 të erës sonë)
 

Kryengritja e Madhe Ilire ndodhi gjatë viteve 6 – 9 të erës sonë. Në të, në fillim, morën pjesë Fisi i Desidiatëve, që kishin prijës Baton e Desidiateve dhe Fisi i Breukëve, të cilit i printe Batua i Breukëve. Kjo kryengritje jehoi tek të gjithë ilirët. Kryengritja shpejt u bë gjithilire dhe kryengritësit korrën disa suksese në përleshjet me ushtrinë romake. Kjo bëri që të shtohej numri i luftëtarëve dhe ilirët formuan një ushtri që numëronte 200 mijë këmbësorë e 9 mijë kalorës. Luftime u zhvilluan afër Dalmacisë dhë ne drejtim të Maqedonisë e në brendi të vendit, kudo kishte koloni romake. Kryengritësit ilirë depërtuan edhe në Itali. Kjo e shtyri perandorin Oktavian Augusiti të merrete vet përsipër shuarjen e kësaj kryengritje. Romakët sulmuan nga veriu e nga Maqedonia dhe arritën te Panonia, por u detyruan të tërhiqeshin, por romakët kishin punuar edhe nën dhe dhe gjenerali Tiberi bëri për vete Baton e Breukëve. Keshtu lindi përҫarja dhe Batua i Desidiatëve u tërhoq me forcat e veta në Dalmaci, ku zhvilloi beteja të rrepta. Batua i Desidiateve u detyrua të dorëzohej në kështjellën Andetri (Muqi i sotëm në veri të Spilit). Gjatë këtyre ndeshjeve u shquan edhe gratë ilire, që luftuan trimërisht, duke mos dashur të bëheshin skllavëresha të romakëve.
Hakmarrja e romakëve ishte e pashembullt dhe qytete e krahina të tëra ilire u shkatërruan, popullsia u vra, vendi u dogj dhe u plaҫkit pa mëshirë. Një historian romak shkroi se udhëtari, kur kalon nëpër Iliri pas kësaj, udhëton me javë me kalë e nuk sheh një vendbanim të qëndrojë në këmbë. Dhe, që nga ajo kohë e deri te dundjet slave (shek. VI e VII të erës sonë), Iliria nuk u mëkëmbë dot. Pjesa më e madhe e popullsisë së mbetur, u asimilua me kohë, kurse mbijetoi Fisi i Albanëve, shqiptarët e sotëm.


Përgatiti për "Ora shqiptare", Rrahim Sadiku

Mittwoch, 27. November 2013

Gëzuar 101 vjetori i Pavarësisë dhe i Flamurit!

Të gjithë vizitorëve të Portalit "Ora shqiptare" dhe shqipatrëve kudo që ndodhën, ua urojmë 101 vjetorin e Pavarësisë dhe të Flamurit! Gezuar!




Samstag, 23. November 2013

Salih Zogiani - Anekdota 6

Anekdota te zgjedhura nga pesë librat e botuara nga autori Salih Zogiani (Vazhdimi i gjashtë)

1. TAHIR BERISHA E I PODRIMSI

Në kohën e fashizmit, Mark Zefi i Shpenadisë e takon njërin që po shkonte në Drenicë e i thotë: - Shko te Tahir Berisha në Berishë e i thuaj Tahirit: - Të ka përshëndetur Podrimçaku dhe më ka porositur të ta këndoj një këngë. Kur shkoi ky te Tahiri, ia përcolli fjalët e Mark Zefit dhe ia këndoi këngën që e kish porositur: - Moj e mira qi shkon me edha, t’lumtë na t’lumtë na erdh pranvera! Tahiri, kur e përcolli, i tha: - Kur të shkosh në Podrime, përshëndete atë dostin tim dhe këndoja një këngë qysh po të them unë: - Moj e mira qi shkon me dhen, tërta-vërta kurrni sen! Kur u kthye ky në Podrime e ia këndoi këngën, qysh e kish porositur Tahiri, Marku menjëherë u mrrol, e mori vesh se puna nuk ishte bash mirë, qysh kishte menduar ky, se nuk kishte ardhur liria e vërtetë.


2. JAM MERZITUR KUR E KE KAPËRCYER ÇAKORIN

Halil Hima i Vranocit shkon në pyll e merr një krah dru. Derisa po kthehej, e ndal pylltari. Ai kishte qenë malazez. Ia shkruan Halilit që i ka prerë dyqind e dyzet copa dru. I tregon se çka ka shkruar dhe e pyet Halilin: - A po mërzitesh që do të dënojnë rëndë? - Jo, i thotë Halili, nuk po mërzitem hiç, jam mërzitur fort atëherë kur e ke kapërcyer malin e Çakorit e ke hyrë këndej, se tash, mbasi ke hyrë, shkruaj çka të duash.


3. MIKO, A PO M’NIMON ME E MAJTË MIQASINË

Aziz Veliqi i Shkarashnikut ishte bërë mik me Haxhi Hasin e Gllogofcit. Kur shkonte Haxhiu mysafir te Azizi, kur çohej për t’u kthyer, ai e përcillte deri te autobusi, gati gjysmë ore rrugë. Mirëpo, kur shkonte Azizi te Haxhiu, ky i thoshte “udha e marë” te dyert e oborrit. Një ditë, duke e përcjellë Haxhiu Azizin, e duke i thënë ‘udha e marë’ te dyert e oborrit, Azizi i tha: - Miko, a po m’nimon ta majmë miqasinë, se veç unë nuk muj me e majtë. - Po pse po thue k’shtu, çfarë gabimi kam ba? - e pyet Haxhiu. - Kurgja nuk m’ke ba, po unë po t’percjelli gjysë ore rrugë, e ti kqyre ku po m’thu udha marë, te dyert e oborrit, - i tha Azizi.


4. SHUNI, SE KA DASHTË ME U REGJISTRUE SHKA

Në regjistrimin e popullsisë të vitit 1971, një Brahimi i Kotorit të Drenicës, ishte regjistruar turk. Vëllai i tij, Qerimi, mundohet ta bindë se aty s’ka pasur turq kurrë, po kot, ai nuk e dëgjon dhe regjistrohet turk. Mbasandaj, shpeshherë nëpër ndeja, i bënin vërejtje Qerimit, duke i thënë: - Qysh, bre Qerim, e lejove vëllaun me u regjistrue turk!? Qerimit i vinte mërzi që ia përmendnin shpesh e u thoshte: - Shuni, se ka dashtë me u regjistrue shka.


5. A U KULLE, A M’U DOK?

Duke biseduar dy veta, të moçëm, për punë të dynjallëkut, e pyeti njëri tjetrin: - a fleni bashkë me grue, a damas? - Jo, s’flejmë bashkë, po damas, - i thotë ai. - Po qysh merrni vesh mes veti? - e pyeti ky. - Merremi vesh me temsil, me t’kullme, kur kullna unë, ajo e merr vesh e vjen te unë. - Po, kur don gruja, si e kini temsilin, a kullet edhe ajo, si ti? - Jo, ajo s’kullet, po m’drejtohet mu e m’thotë: - O ti njeri, a u kulle, a m’u dok? - e unë e marr vesh temsilin.


6. XHENETLISË I BJEN LËKURA

Njëri kishte pasur rast vdekjeje. E thirr hoxhën për ta larë kufomën. Ia çuan hoxhës kusinë me ujë të valë, duke menduar se e provon dhe e voktis si i duhet. Mirëpo, hoxha nuk e voktis hiç po ia qet ujin nxehtë, valë. Si ia qiti hoxha ujin, kufomës filloi t’i binte lëkura. Kur e panë, ata që i ndihmonin, se po i bie lëkura, i thanë hoxhës: - Hoxhë, çka u ba kështu! Hoxha e kuptoi se uji ishte shumë i nxehtë, po, për t’u nxjerrë diqysh, u tha: - Ky rahmetlia koka xhenetli, se xhenetlisë i bjen lëkura kur e lajnë.


7. TASH PO JU KCEN EDHE KIEVE

Njëri e kishte pasur një tarak të vështirë. Ku shihte ndonjë lopë, e ndiqte e i kërcente edhe pa u ethur. Një ditë i zoti i shtëpisë e çoi mëzatin për ta tredhur, e i tha mjeshtrit: - Allahile, tredhe mirë, se s’po kryhet tuj i njekë loptë e huja e po u kcen, ethë e pa u ethë. - Mos ki dert, se, kur ta tredhi unë, ka me u rahatu meniherë, - i tha mjeshtri, - edhe e trodhi. Mirëpo, taraku nuk u rehatua hiç. Mbas do dite, shkoi ky te mjeshtri, e si e pa mjeshtri, i tha: - A t’u rahatu taraku, qysh t’kam thanë? - Jo, more, - i tha ky, - nuk ke ba kurgja, përpara u kcejke veç lopve, e tash ia ka nisë e po u kcen edhe kieve.


8. GRUJA JEME ASHT VETËM E JEMJA

Në kohë të Shipnisë, një i Babushit kishte pasur dasmë. E kishte thirrur në dasmë një kushëri të vetin, që kishte dalë moti në Shipni. Ai kushëriri e merr edhe një kojshi të vetin, të Shipnisë. Kur hyjnë në odë, ai i Shipnisë ua bën dasmën për hair e i pyet: - Pse k’tu n’konak paska veç burra, ku i kini gratë? - Te na asht adet burrat rrinë veç, - i thotë i zoti i shtëpisë. - Ky adet s’asht i mirë, se te na n’Shipni rrimë bashkë, burrat edhe gratë, se ata që i pranon n’konak janë si anëtar t’familjes. Pse me u nda, kur nana e jote asht edhe nana e jeme, motra e jote asht motër e jemja, gruja e jote asht edhe gruja e jeme. - Jo, qe besa, nuk asht bash qashtu, se gruja e jeme asht veç e jemja, - i tha i zoti i shtëpisë.

Dienstag, 19. November 2013

Mehmet Shpendi

MEHMET SHPENDI
EMËR QË I BËN NDERË HISTORISË

Nga Prelë Milani

Mehmet Shpendi ka qënë e vazhdon të mbetët simbol i qëndresës popullore të Dukagjinit, nëpër udhëkryqet e historisë sonë kombëtare.Ky malësor fisnik pa ndonjë pozitë në administrimin e Bajrakut, pa asnjë previlegj apo funksjon ushtarak në hjerarkinë e shtetit osman.Arriti të përjetësohet në memorjen tonë kombëtare si lider popullor ve
gjëlisë së Dukagjinit, si kapedan i dëgjuar në ballë të betejave të stuhishme per ruajtjen e tërsisë toksore gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,në Kryengritjet e mëdha shqiptare antiturke të viteve 1910,1911,1912 dhe në Luftën e paharruar të Dukagjinit kundër Malazezve në vitin 1915, ku edhe u flijue për idealin më të lartë kombëtar lirinë e Shqipërisë.

Mehmet Shpendi ishte jo vetëm një atëdhetar me ndergjegje të ndritur kombëtare por një figurë komplekse me autoritet kombëtar i vlersuar me shumë konsideratë nga studjues e albanolog të shquar miq të nderuar të Shqipërisë. Siç shprehet Durham:” Një krijesë e e çuditëshme me sy të zinj, i shkathët i veshur me xhamadan të kuq të qendisur me ar. I stolisur me jelek të argjendtë, me armë të ngrira në brez, me qystekun varur gjithë finesë, qelibarin e duhanit dhe sahatin e derdhur i tëri (E. Durham.Lufta për Shkodrën fq56).

Ky ishte Mehmet Shpendi me përmast e një vigani ku ishin ndërthurur e mishëruar në mënyrën më të përkryer e bukura dhe e madhërishmja, guxim dhe mprehtësia, fisnikëria e thjeshtësa krenaria dhe forca e pa përkulur e pasjonit burrëror delikatesa dhe ndjeshmëria e një ashiku të lindur me dhunti të falura nga natyra.”Mehmet Shpendi ka qënë i pari (kryetar) i djelmisë së Shalës për sa qe gjallë nën prijën e tij djelmia e shalës mbrriti të quhej paria më e forte popullore pa të cilën flamurtari as krerët nuk nepnin vëndime” (Dom Ndoc Nikaj Kujtime të Jetës kalume AQSH,Dosja nr12).

Ndërsa Baroni austriak Nopça djelminë e Shalës te prime nga Mëhmet Shpëndi e quan opozitën e parë shqiptare në gjirin e shoqërisë malësore të asajë kohe”Mehmet shpëndi krioi shumë armiq, sidomos ndër ata që nxirrnin fitime, por nuk e vuri ujin në zjarr për ta sepse në anën tjetër bani për vete krejt vegjëlinë. (Nopça.FR Das Katholshe Nordalbanien Wien1.907). Djelmia e Shalës kundërshtoi komisionin e Xhibalit krijuar në vitet 1850-1860 që përbehej nga Krerë të Shkodrës dhe të Malsisë që kërkonin zbatimin e reformave centralizuese ne dëm të autonomisë vetëqeverisëse.Nën drejtimin e Mëhmet Shpëndit në vitet 1883-1915 u morën shumë vendime të drejta si ato për të përqindjen e fajdes. Caktimi i çmimit fiks të shitjes së drithit dhe ndalimi i shitjes së tij jashtë katundit, vëndosja e sunditpër ndalimin e shpenzimeve të tepërta në rast cermonishë mortore pasi shpenzimet e shumta që bëheshin kishin përkeqësuar së tepërmi gjëndjen ekonomike të malsorëve të varfër

Gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Mehmet Shpendi luftoi në Pipër, Velikë, Rozhnicë e Kërnicë. Ndersa që në vitin 1883 së bashku me Dedë Gjon Lulin kundërshtoi i pari komisjonin e Xhibalit tek çezmja e Koplikut ashtu siç ishte pozicjonuar edhe më përpara në Rjoll dhe Lohe qyshë me 1879. Por në jetën e tij të pasur me aktivitete patriotike spikasin dy çaste kulmore.Kryengritja e Qafës së Agrit e vitit 1910 ku u sfidua Turgut Gazi(Fitimtari) Pasha dhe zenja rober e 1500 ushtarë e oficera malazez të cilët jo vetëm u sfiduan por edhe u turpëruan pasi qenë të detyruar të kalonin të çarmatosur nën këndin e krijuar nga kryqëzimii dy pushkëve të përkuluar bajonetë më bajonetë që për Dukagjinsit ishte harkun e truimfit. Beteja e Agrit ishte një shkollë e shkëlqyer e artit të luftimit mbrojtës sepse bllokoi për dy javë rresht 3500-4000 forca turke të paisura me artileri e kavaleri. Pas kthimit të detyruar nga Puka në Shkodër.Turgut Pasha shpalli amnistinë e përgjithsshme për kryengritësit e Dukagjinit, por Mehmet Shpendi nuk pranoi të dorzohet, pasi e dinte se kjo ishte një kurth i pa besë për ta futur në qark së bashku me bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë që vazhduan qëndresën maleve të Dukagjinit. Risto Siliqi në veprën e tij “Pasqyra” botuar në Trieste në korrik të vitit 1912 në kapitullin Fatosat e shalës na jep një kronikë të gjerë të sulmeve të Berdi Pasha Efendisë në krye të 400 nizamëve të armatosur me matrina mitroloza dhe 4 topa për të ndjekur e aszgjesuar kryekomitët e Dukagjinit Mehmet Shpendi me 30 fatosat e tij të cilit i dogjën kullë e konak por siç thoshte autori, Shpendi ishe një shqarth i vjetër që nuk zihej mat. Në kryengritjen e Malsisë së Madhe të vitit 1911, Mehmet Shpendi drejtoi veprimet luftarake gjatë rrugës Vukël -Brojë. Konsulli austriak i Shkodrës me 11 korrik 1991 shkruante se qindra koçak ka shumë kohë që luftonjë në anën e kryengritësve. Ata kanë më shume se 100 pushkë malazeze e qindra huta me një fishek. Mehmet Shpendi në bashkpunim me Dedë Gjon Lulin, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin e disa patriot të tjerë malsore nënshkruajnë Momerandumin e Gerçës, (23 qershor 1911)ndërsa qyshë më përpara me 30 mars 1911 së Bashku me Isa Boletinin dhe Dedë Gjon Lulin kishin nënshkruar një Memorandum drejtuar fuqive evropjane me të cilin kërkonin autonominë e Shqipërisë.

Me 18 Mars 1911 Mehmet Shpëndi i shkruan një letër Komitetit për Shqipërinë e Lirë në Romë i cili e informonte:”Të nderuar Komitete për Shqipërinë, Potgoricë me 18 03.19911. Duke vijuar përpjekjën për çeshtjën tone kombëtare, morëm vesh se në Romë gjendet Komiteti juaj i nderuar.Ishtyrë nga dëshira e atëdhetaria marr guximin që me këtë letër t’u vë në dijeni të ngjarjeve të ndodhura dhe të disa problemevve të tjera, për të cilat mëndoi se jemi në një mendje. Pasi nizamët turq të ardhur nga Shkodra u futën në Dukagjin me të cilët mbajta disa ditë luftë, por për shkak të borës së madhe u detyrova të braktisë vëndin e të shkoi në Potgoricë. Këto ditë malsorët janë shtjellue dhe kërkojnë armë. Duam të të shkojmë sa më parë e të luftojmë për lirinë e atëdheut tone që të gjithë. Duke qënë prisë i krahinës kam nën komandë 10 mijë djem të aftë. Jemi në shkallë të lartë gadishmerie për të luftuar për shpëtimin e atëdheut.I shtyrë për të gjetur ndihmë i nxitur edhe nga kërkesa e parreshtur e malsorëve me anën e kësajë letre kërkojmë preraz në se jeni në gjëndje të na ndihmoni me armë.”Letra u shkrua gjashtë ditë përpara fillimit të Kryengritjes së vitit 1911 dhe është gjetur në matrialet e Mirash Ivanajt i cili asokohe ndodhej në Romë, eshtë përkthyer dhe plotësue me matrial sqarues nga studjuesi Pal Doçi. Në valën e fuqishme të Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912, Mehmet Spendi përkrah Bajram Currit në krye të forcave të pararojës shqiptare luftoi për çlirimin e Shkupit duke qëne udhëheqsi i luftëtarve të Dukagjinas në këtë evenimet të rëndësishëm kombëtarë citon historjani i mirnjohur Pal Doçi në monografinë historike kushtuar këtij fatosi të marterizuar, të atëdheut.

Edhe një herë në fillim të korrikut 1915 sfidon Kostandin Nikiçin por pikërisht me 15 korrik 1915 vritet dhe masakrohet barbarisht nga hordhitë Malazeze në Plan të Dukagjini së bashku me 79 malsorë të tjerë njëherazi duke mbetur flake e pa shuar e një meteoriti që flakëroi në qiellin e Malsisë në vitet më të rënda, duke mbetur përjetësisht një emër që i bën nderë historisë.Vdekja e Mehmet Shpëndit është një eposi përmasave homerike aq sa professor At Danjel Gjeçaj përfaqësuesi i shqiptarëve pranë Selisë së Shejtnjëri nga mëndjet më të ndritura të françeskanëve shqiptarë Mehmet Shpendin e ka quajtur Leonidhën e vertetë të Shqipërisë.”Shko Dedë në emën tëm e të shokëve e thuaju Markut Sadikut (prijsepopullor) e Bajraktarëve, të lëshojnë qafat e të dorzojnë armët! Ushtria e knjazit ashtë ajo që po e sheh vetë! Nëersa shqiptonte fjalët:”Të lëshijmë qafat e të dorzojnë armët”, tue rrudhë gishtin e gackeqës mëshehtas,mbasi pat pushue dorën e djajathtë nën gju sa mos me u pa prej të huajve, i dha shej djalit mëndemprehtë t’u thontë luftarëve tonë t’ia nisnin shkjaut pushkën sa ma parë e sa ma papritmas.U gëzuan oficerat e knjazit ma fort se të kishin marrë Stambollën, ke në mende të tyne, përkulën Mehmet Shpendin dhe xuerrën çka kërkojshin, por u rrejtën edhe i herë, si rrehën gjithmonë tradhëtarët.”(Danjel Gjeçaj Mehmet Shpendi i Shalës.fq34). Mehmet Shpendi defakto është një hero nga më të shquarit e shqiptarizmës por i pa celebruar si i tillë nga diktatura e kuqe për hirë të “mëkati” të djali të tij Pjetër Shpendi që udhëhoqi rezistencën antikomuniste në Qafën e Kolshit në Dukagjin në nëntor të vitit 1944. ”Shqiptarët e përkrahën revolicjonin e xhonturqeve por nuk përfituan as gjë nga frutet e tij prandaj plasën kryengritjet shqiptare dhe serish dolën në shesh një plejadë e shkëlqyer patriotësh si Isaml Qemali, Isa Boletini, Mehmet Shpëndi, Bajram Curri, Dedë Gjon Luli,Zefi i Vogël Hysen Budakova etj(Akademik Mark Krasniqi Gjurmë e Gjurmime .fq. 185)

Mehmet Shpendi është dekoruar me Medaljen e Artë të Shqiponjës dhe është emër që i bën nderë historisë...

Montag, 18. November 2013

Rrahim Sadiku - Ora


Ora

O romakët romakët romakët
Po na marrin me tradhëti…
Kisha ndalur fluturimin në kohë
Ata erdhën e trandën malet
Shpatë e tyre nuk fali gjë
Zjarr i tyre nuk la dru në këmbë
Nuk kisha më as log pushimi
Më ishin tharë edhe shikimet
E nisa një këngë vajtimi
E thirra hyjnitë të kishin mëshirë
E qiellit iu luta të lëshonte rrufetë
O doja të ndalej ajo mizori
Ishte vonë e trazimi shpërtheu
Nga anë e anës erdhën hordhi
U ndal mbarësia në atëbotë akulii
Botës u shtri gjysmëjeta mesjeta
O bullgarët sllavët vrasësit
Na erdhën me egërsi
U shtruan tokave tona
Na lane edhe pa shtëpi
E unë edhe një këngë vajtimi shtova
Hyjnitë nuk i pashë të kishin mëshirë
Qielli kaltrohej e kund s’ishin rrufetë
E zgjati e zgjati e zgjati ajo mesjetë
E populli im në vujatje në vuajtje në vuajtje
Populli im jeton o mbeti në jetë…



Besa shqiptare
 

Besa shqiptare lindi me dhembjen e madhe
fluturimit në kohë kur ngulmonte pashpresa
Kreshnikëria kur ngrihej mbi rrënojat e Atdheut
Mijëvjeҫarët kur priste si me shpatë historia
Midis kohës së vjetër e të re mbetur vazhdimësia
Parapellazgët e pellazgët e ilirët e albanët
Luftrave ngushtuar mësymjeve përgjakur
Për të mos kaluar përjetësisht në harrim
O sa dhembja sa dhembja sa dhembja
O sa qëndresa sa qëndresa sa qëndresa
Sa lumenj gjaku sa bjeshkë me kufoma o Zot
Ante ngjitur për tokën Diell në rrugën e dritës
Fenik për t’u ngjallur nga hiri i vetes
Perandoritë njëra pas tjetrës donin të mos ishim
Të vinin veten në themelet e lashtësisë
Pa të ardhme të na linin pa gjurmë mbi dhe
Po ne e donim o sa e donim atë që e kishim
Nga kohë të panjohura te kohë e shkrimit
Rrugëtim me shenjtërit Golgotës së betimit
Dritë bërë për botën në të gjitha kohët
ndjekjeve te mesjeta kur jeta na bëhej terr
Ferrin pamë në atë kohë egërsie
Që erdhi nga spepat e tundra me hordhi
E mësoi nga ne a rëndoi mbi ne
Po Ora shqiptare me fuqi perëndie
Na dha forcë e shpirt për arritje në amshim
Deri te fitorja e madhe deri te festimi
Ky dhe është ne e ne jemi ky dhe
As shkojmë kund as na hesht dot kush
Ora shqiptare na ngrafis e na jep fuqi
Deri tashti e tutje deri në përjetësi

 

Ora e malit

Ka shekuj e nuk ka gjumë
Ngrafisur janë Muji e Halili
Në duar robërie Kotorret e Reja
Lugjet e Verdha ndarë nga trungu
Mbetur larg ajo Judbina e famës
Kreshnikët dalë tej përrallës
Tuna mbytur rrugëtimit të gjatë
Shpatë Dardane s’ka as në muze

Ka shekuj e djegur nga etja
Për t’ҫetuar deri në Feniki
Namin arbëror duke bartur
Peshë e rëndë krenarie e gjaku
Ajkuna mbetur me lotë në sy
Omeri humbur që në lule të rinisë
E ajo Tanusha përjetësisht e bukur
E bukur po sa pavdekësia

Përjetësisht e trazuar ajo Iliri
Zilindjellëse mbetur për habi
Trazuar historisë në hapësirë
Gjithnjë me mallin me shpresën
Deri te bashkimi duke ecur
Zgjuar e somnambul duke kërkuar
Vallen e shtojzovalleve livadhe të blerta
Pasha tokë e qiell pasha tokë e qiell

 

Ajo bukuri

O etje për zgjimin
mirëserdhe në mallin im
ngushëllim mos më ofro
më ndjell ajo bukuri
veshur me petk drite
bërë pranverë
ardhur si agimi
shndërruar në lule
e paprekshme si kaltri
e plotë si ëndrra
e përhershme si shpresa
joshëse si dashuria

po prek të paprekshmen
brenda meje botë e botëve
jashtë meje këngë e këngëve
o më ndjell ajo bukuri

 

Urim

Në botën e etjeve ne,
mbushur edhe më shumë etje,
në rrugë kërkimi të jemi,
në realitet jete!