 |
| Selajdin Shabani |
Selajdin Shabani u lind më 29 shtator të vitit 1969 në fshatin Runicë të Kumanovës. Shkollën fillore dhe të mesme ka mbaruar në Kumanovë e Gjilan, ndërsa Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Për më shumë se një dekadë ka punuar në Radio Shkup dhe për dy vite në Televizionin e Maqedonisë, programet në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe paralelisht ka punuar edhe në gazetën “Flaka”, në gazetën “Koha Ditore” botimi në Maqedoni; gazetën “Lajm” Maqedoni/Kosovë dhe së fundi në gazetën “Shqip”.
Ka marrë disa çmime për gazetari dhe poezi.
Veprat:
- “Ndrydhje”, (1999),poezi,
- “Mes stinëve të një gazetari”, (2006), libër me shkrime për konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni
- ”Përtej Momentit”, (2008), skica e reportazhe nga periodiku i kohës
- “Më shumë se Unë” (2014), poezi,
- “Të kam thënë... Lajdins”, (2018), poezi
Poezi nga Selajdin Shabani
JETA ME SHUMË DYER...
Jeta ka më shumë dyer e më pak çelësa,
por pak puthen njëri me tjetrin,
jo të gjithë hyjnë e dalin dhe dyert mbeten të ndryshkura.
e vrimat e derës mbeten frymëmarrje e ndonjëherë edhe shpresë.
Jeta ka edhe deriçka
që sa herë mërzitesh
ta gjen një ngushëllim.
Jeta ka edhe pirg, ku TI,
mund të shikosh e të mos flasësh
e miku im veç shikon
dhe kërkon shfajësim,
e jetës nuk i mungojnë as dritaret
me perde të bardha e të zeza
ku shikimi tretet larg dhe kthehet në pikën e takimit.
Jeta ka edhe reze dhe lëviz si brava të ndryshkura
me pak dhe shumë borxhe...
NDJESIHOLLË DHE HESHTJE DASHURIE
Dhe mund ta di saktë frymëmarrjen dhe shikimin tënd
por s’po dua ta di, edhe pse e ndjej,
se mendja pastaj më bëhet vërdallë,
i kam frikë vetes,
Se mund të të trokas vakt e pa vakt
si muzë poetike
të lodrojë e notojë si në baltë
që edhe ashtu s’di të vallëzoj.
Hesht, por endem përreth teje
Si një i huaj,
që kërkon një të njohur dhe s'e ka takuar moti kohë.
E di se ndjejmë bashkë,
ndjesihollë dhe heshtje dashurie!
LOJA ME GJARPRIN
Sa e sa herë kam hy në lojë vdekjeje,
me ty gjarpër,
edhe kur na kanë thënë se je i shtëpisë dhe mbrojtës i saj,
dhe të kam sjellë qumësht në shtrofullën e oborrit, të bunarit e arrës
por unë s'të kam besuar,
as kur na kanë mësuar,
se ti nuk sulmon i pari,
kur kam mund ta shuaj etjen dhe të pimë ujë bashkë.
Jo rrallë më ke goditur në sy,
edhe pse ti i verbër
më ke mbështjellë për qafe si bollë
dhe më ke kafshuar me dhëmbët helmues:
Edhe në gurë, edhe në lumë,
edhe në besë, edhe në fushë.
Ti nuk i zbulove gjurmët
edhe pse ishe me dy kokë edhe në gjumë
dhe loja me ty mbeti e pafund
Mos i zë besë gjarprit!?
E unë vazhdoj të luaj përsëri me ty, pa ditur se do fitoj ndonjëherë, Gjarpër!?
HESHTJA SI MALLKIM
Sa e sa herë kemi heshtur
Kur është dasht të bërtasim deri në kupë të qiellit
sa e sa herë jemi kallur në heshtje
dhe kemi duruar kafshimin e gjarprit e të qenit
dhe jemi fërkuar si eshkë dimri.
Heshtjerëndë mes nesh:
heshtje varri, heshtje sehiri,
heshtje guximi e heshtje lufte,
heshtje dashurie e heshtje heroi,
duke shkelur nëpër mote,
duke pritur pikat e shiut,
por asnjëherë nuk jemi shterur si pus
dike duruar më shumë se heshtja në heshtje
duke u mekur në mallkim
e, ne frymojmë në heshtje
TINËZISHT
Duam të jetojmë si në ëndrra e zhgjëndërr,
dhe të dukemi si fisnikë,
por të veprojmë tinëzisht,
hetojmë e jetojmë: herë si gjarpër - me dy kokë,
t’i fshehim gjuhën dhe këmbët
dhe të kafshojmë pak nga pak dhe prapë të dukemi faqe e hisebardhë!
Duam të jetojmë: herë si mace nën sofër,
herë si engjëll e herë si dreq
herë si prift e herë si hoxhë
herë si bollë e herë si mollë.
Syrin e kemi shqiponjë,
mendjen vërdallë,
shija nuk na dihet,
shijojmë çfarë na vjen dhe bëhemi aktorë
herë ëmbël e herë pelin e me naze
ty e mua ndoshta s’na pëlqen
por, na jemi këta në gjen!
DASHURI NË SHIKIM TË PARË
Takimi ynë ishte i rastësishëm
Në një nga rrugët e vjetra të qytetit
shikimet tona u puqen si në
telat e rrymës,
si në pikëpjekjen e shigjetave,
duke u stepur në mes të udhëkryqit
duke ndalë edhe kalimtarët,
asnjëri nuk lëviznim nga stepja dhe të gjithë na vështronin!?
Kishim harruar se ku jemi:
as që dëgjonim, as nuk lëshonim rrugë
derisa ty të ranë lulet nga dora
të cilat i kishe për dikë tjetër dhe desh mi fale me të dy duart,
dhe mua fishkëllima e tjetrit
më kishte zgjuar nga kllapia,
ku nuk kisha dëgjuar as orën e dorës që mu thye
duke u ndalë e puqur në 14 e 14!
Unë ika në njërën anë
por me kokën kthyer pas teje,
por mbeti dashuria në shikim të parë
duke e kërkuar njëri-tjetrin deri sa u gjetëm te guri dhe rruga e dashurisë!
PËRBETIM I RREJSHËM
Sa e sa herë kemi bërë BE rrejshëm
në Emër të Zotit
dhe kemi bërë akte tinëzisht në emër të tij
Sa e sa herë jemi përbetuar në emer të babës e nanës
dhe kemi vjedhur pak jetë
dhe kemi vrarë si shumë dashurinë
dhe kemi e s'kemi kërkuar falje
sikur asgjë nuk ndodh.
Fshihemi pas lotëve, pasqyrës, qëndrimit, dyshimit e lutjeve,
hedhim gurin dhe fshehim dorën
dhe sikur harrojmë
se Zoti është dëshmitar,
Por edhe Zotin jemi munduar ta gënjejmë,
ashtu siç e kemi gënjyer veten një jetë të tërë e mote pa fund
duke u vonuar në kohën e duhur!
MË SHUMË SE NJË HERË
Kam falur më shumë se një herë
po edhe aq herë kam ulur kokën,
kam mbyllur sytë sikur që s'po shoh,
duke vënë syze dielli
kam heshtur edhe kur kam pas të drejtë
por edhe kam bërtitur deri në kupë të qiellit,
kam ngjirur andej e këndej,
si aktor në një teatër
kam këlthitur me zë e pa zë
si një i trandur përballë vdekjes
kam çjerrë nëpër udhëkryqet e jetës
duke gërvishtur në tokë e në qiell
duke lënë një gjurmë kohe
kam ofshamur e psherëtitur deri sa kam fishkëllyer,
dhe nuk di a kam qenë i mirë apo i egër
për vete apo për të tjerë
dhe jeta eci si lojë që s’e fiton kurrë!
ME ZJARRMI NËPËR FYTYRË
Si nuk ke një pikë mëshirë?
Ëndrrat për t’i shkrirë!
Si nuk ke një pikë dëshirë?
Ëndrrat për t’i shtrirë!
Si nuk ke një pikë të ngurtë?
Ëndrrat për t’i shthurë!
E ëndrrat vazhdojnë të mbesin ngrirë,
ku as Dielli nuk t’i shkrinë.
Ti vazhdon të mbetesh ngrirë?
Me zjarrmi mbi e nën fytyrë!
IKJE NËPËR HIJEMOTE
Të pata thënë Lajdins
shumë e shumë herë,
se, ikja (s’)është shpëtimi yt,
në një mot e përjetë!
Sa e sa herë pate sprovuar ikjen, Lajdins,
me shpirt e pa shpirt,
po aq herë ishe ndrydhur,
duke mbetur i trandur.
Kohë hijerëndë, Lajdins,
je gjurmë dhe hijëz e kohës.
Ikje: kemi ikur dhe po ikim
si hijelehtë nëpër yje
për të frymuar si shtat e si fije
dhe për të(mbi)jetuar në retë e vjeshtës.
Po ikim si stinët e vitit,
me plagët e kriposura,
ikje në heshtje, ikje përtej detit,
ikje si fantazmë, folenë s’e le!
Lajdins!?: SA E URREJE KËTË IKJE!
por, Shqiponja a ik, Lajdins!?
NJË COPËZ JETE
Jeta të jep më pak se e meriton Lajdins
ani pse ke ëndrra dhe ëndje
askush s’të pyet,
edhe pse të gjithë të duan e të lajkatojnë,
kur TI, u duhesh!
Jeta të shtrydh e të ndrydh, Lajdins
ani pse TI je i dashur dhe këndshëm
ajo vjen e fryrë dhe si e gëzuar
por të vret pa mëshirë.
Jeta të vret për ditë nga një ditë, Lajdins
e të fikë ditë e natë,
të shtrëngon si në ankth
dhe të lë pa gjurmë.
PUTHJE SI LUMË
Sa herë të kam puthur
Jam etur edhe më shumë
Nuk jam ndalë si përroskë,
kam vazhduar si lumë
në flokun dhe trupin tënd
edhe në gjysmëdritë, edhe në gjysmëhënë,
edhe në mëngjes, edhe në gjumë!
Kur të kam puthur
Frymëmarrja sa herë më është ndalë,
Po aq herë më është rritur
si tension i zemrës së lartë!
Puthje si lumë
RIKTHIM I VONUAR I DASHURISË
S’të kuptova,
kur koha dhe ora kërkonte t’i puqnim buzët dhe këmbët
dhe të lidheshim si me kthetra,
si mish e thua.
Ika duke të lënë në stuhi toke,
si krua duke pritur të eturin,
e t'i përballove mote e sfida duke më prit
se do të kthehem një ditë se do të kthehem një stinë
dhe vërtet unë u ktheva ditëve dhe një fundjavë gushti:
më shijove një ditë - tri puthje e ca përqafime,
një ditë tjetër ledhatime
dhe një fillimjave tjetër dashurinë.
Dhe më s'doje t'ia dije për mua
dhe më nuk po takohemi
koha shkel pa dritën e saj
duke të pritur përsëri me një kumt.
Por t’i s'vjen e nuk dukesh askund
dhe nuk lëshon asnjë zë,
pos që më vërtitesh si peng i dashurisë së vonuar!
 |
| Demir Reshiti |
Demir Reshiti, lindi më 24 qershor 1963 në fshatin Bresanë të komunës së Sharrit (Dragash, Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skenderaj, ndërsa Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Gazetarisë dhe studimet postdiplomike për gazetari në Universitetin e Prishtinës.
Shkruan kryesisht poezi, prozë dhe publicistikë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Laureat i çmimeve të para për poezi për fëmijë në “Takimet e Gjeçovit” dhe në manifestimin tradicional “Ora e Tahir Deskut”.
Libri i tij “Abetaka” është ribotuar nëntë herë.
Aktualisht, punon në Radio Kosova.
Veprat:
- Trung i ndarë, 1992
- Ofshamë,1995
- Abetaka, 1995
- Reshje nën Pikëllimë, koautor, 1996
- Ngutëm ta kapërcej kohën, 2000
- Libri i Mrekullive, 2001
- Libri i Gjeneratës, monografi, 2009
- Mik me Diellin, 2012
- Luleborë Sharri, monografi - koautor, 2016
- Libri i Mrekullive, vjershave të zgjedhura për fëmijë, 2017
- Endje, kritikë letrare, 2019
Poezi nga Demir Reshiti
MË FAL KOSOVË
Me ujin e pavdekshëm ia lava sytë jetës
E shkova ta pres pranverën ndër male
Me mallin për ty u nisa me të gdhirë
Që ujkun e zi ta godas në ballë
Përtej çdo vetmie përtej çdo trishtimi
Ikën ditët, netët, kohët...
Kalorës kohërash u bëra tërë jetën
Ç’nuk bëra për ty Kosovë
Detit ia vodha thellësitë e pafund
Kur fushës vinte vdekja
E lumit rridhte gjaku
Kur korbat nxinin qiellin
E trishtimi qe bërë pjesë e jetës
Më fal Kosovë
Nëse s’kam bërë sa duhet për ty
MIK ME DIELLIN
Loti i shpirtit m’u lag nga thatësia
Mbështetur pas grilave të harresës
Kokën e shtrydhur nga bindjet e mia
Terri ma shtyn përtej vdekjes
Dielli përgjumshëm ngjitet drejt qiellit
Mëngjesin e mugët qorton
Përbuz poshtërueshëm këngën e gjelit
Dita e re sot po vonon
Gjithë këto vite mbyllur pas grilave
S’di se çfarë dite çfarë stine çfarë muaji
Shok kam bërë diellin një rreze të tij
Më tregon mëngjeset s’më le të vuajë
UNË I BURGOSURI QË MA KANË PRERË GJUHËN
Gjumi ka mërguar s’di se ku
Dhimbja mbi mua shkel me thembër
Plagët më nxijnë si retë e mugëta të qiellit
Eshtrat më kërcasin pamëshirshëm në humbëtirë kohe
Heshtja trishtimin ma shton
Një pikë e ftohtë djerse shkëputet nga balli që rënkon
Rri i hutuar si një zog i mërdhirë
Unë, i burgosuri që ma kanë prerë gjuhën
Sodis zërat e ujërave që rrokullisen strehëve
Përgjumjen ma shkund një kërcëllimë shuli
E dyerve të blinduara që mbyllen si në kor
Gardiani Daut me një grumbull çelësash në dorë
Më vështron dhimbshëm
Mua të burgosurin që ma kanë prerë gjuhën
E unë i heshtur
Cicërimat e zogjve mundohem t’i hedh në vargje
Një klithmë gërryese kapërcen grilat matanë
Dhe përbuzjen derdh tej portës së blinduar
MALLIN PIKTUROJ
Mallin pikturoj në një copë qiell
Një shi i ftohtë ma ngrin buzëqeshjen
Dhimbjet i shkruaj në copëza letre të verdha
Dhe si pa kohë nisem rrugës së gjakut tim
Drejt perëndimit të kuqërremtë
Shaloj Kalin e Trojës
Deri te një hije shelgu
Ku merr fund pikturimi
Dhe nis fshirja e kufijve
Këtu
Nën hijen e shelgut vajtues
Këputet kënga e përvajshme
Këtu...
NËNA MIJËVJEÇARE
Një nënë si zanë mali
Dallon nga të tjera gra
Grua që i ndrit balli
E s’mposhtet si një kala
Një gruaburrë që lindi titanikë
E me sy shemb barrierat
Shpend gjigant sokoleshë
Një grua jo si të tjerat
Tërmetet pluhurin ia shkundën
Që ndër shekuj e kishte në kraharor
Dallgët e trazuara plagët ia shpërlanë
Që nga luftëra të gjata kish marrë
Një shqiponjë jo si të tjerat
Që pezull rri fluturim
Dy krahë që na përkëdhelin
Dy sy që falin dashuri
Një nënë jo si të tjerat
E bukur si zanë
Një nënë mijëvjeçare
Është nëna jonë
 |
| Rifat Ismaili |
Rifat Ismaili ka lindur me 24 mars 1968 në Durrës. Prej vitit 1986 ka filluar të shkruaj dhe të publikoj në gazetat dhe revistat e kohës. Njëkohësisht, është marrur edhe me përkthime.
Nga viti 1991, jeton në Itali.
Veprat:
- Tregime, Dea 1997
- S'jam gjithnje Kolomb, poezi - ese dhe perkthime, Dea 1998
- Nje vend burrash, roman, Amfioni&Zeti, 2002
- Dilemat e lirise njerzore, ese dhe shkrime, DDS 2011
Përkthime:
- Asnje kenge dashurie, tregime nga Carl Bukovski, Naim Frasheri 2002
- Postieri i Nerudes, Antonio Skarmeta, Ideart 2003
Poezi nga Rifat Ismaili
NË SYTË E MI, KODRAT E TUA, SHQIPËRI
Kaq shume pranvere ne zemer te Firences
Vec dimer kam une ne fytyre
Vjeshta i shkul nga pemet fletet
Nga trupi im me shkul dhe miqte.
Ne syte e mi, kodrat e tua, Shqiperi
Ulen si pellumbat mbi statujat e vjetra
Ne qiell ngrihem me to perseri
Humbim permes endrrash te fshehura.
Nuk i kam as engjejt ketu prane
Te me conin diku ne shtrat perendish.
Te flija gjume me nje pate te bardhe
Te shkruaja i dehur mbi qafa perrish.
Por asgje s'po ndodh ne kete qytet
Vec une endem kot neper muzg
Ne fole dritash ti me rreshqet
Diku brenda meje bie dhe humb.
Dhe une se c'kam tani nje dhembje
Qe dot se bej te arte mengjesin
Marr lumin ta ngjis si ylber ne qiell
Pikat e ujit pa u ngjitur lart vdesin...
C'me shkon mendja tek ty atje
Tek te pafundmet tonat dashuri
Tek te shkurtrat dite te perjetshme
Ku ti si nje meteor i fshehur rri.
LUTJE
Kjo lutje ne heshtje eshte
Per tere ata qe vdiqen
Qe shkuan e u harruan
Per tere minutat e heshtjes
Qe shpirtin ma munduan...
Per joshjen e pare te gruas
Me druajtjen e purpurt te agimit
Per fshehtesine e tingujve
Qe i perngjajne burimit...
DO HYJ NË ZËMRËN TËNDE
Do hyj ne zemren tende
Do hyj e me s'do dal
Se ti me le pa mendje
Se ti me le pa fjale.
Se ti me le pa gjume
Se ti me le pa zjarr
S'kam me c'te mbulohem
Kam ftohte edhe mall...
Se ti me me buzeqeshe
Si nje diell i ngrohte
Ra nje zog ne mbremje
Mbi mua si lot.
Do hyj ne zemren tende
Do hyj e me s'do dal
Si nje kupe me vere,moj
Afsh e endrra me fal.
Hajde,bukuroshe,hajde
Eja mike,vec nje here
Si krua rridh mbi mua
Me laj me pak pranvere.
NUK DUA...
Nuk dua me vere
As veshtrime s'dua te pi
Eja ti hon brenda me merr
Te jem si hici i lire.
Eja ti murg me percill
Ne qiellin pa rikthim
Dua te ndjek pa shprese
Yje e zogj ne udhetim.
Te ndjek kuajt e eres
Kur mbesin larg pa fryme
Ti ve zjarrin vetes
Te bie tokes si bryme.
Se dua lakuriqesine
Nuk dua as fjale te pi.
Do bej dhe pa dashurine
Pa gaz une prape do rri.
Nje shkrep dua te jem
Nje thike mbushur me gjak
Te godas pareshtur veten
Per veten te marr hak.
ME QIRI TË SHUAR
Udheve te panjohura si ere shkoj
Ne trup kam vec gjelberim
Shpesh, kerkoj dicka qe s, eshte
Qe shkon dhe vjen si enderrim.
Shpesh, dhimbjet si rete e zeza
Ne qiellin tim rriten vazhdimisht
Prej vjeshtes, muzgjet e nderprera
Me shkojne si metafora, natyrisht.
Ikjet e mia ne te tjera vende
Ku diell do kete me shume se cdo here
Me mbeten ne mendje si unaza te shkelura
Qiejve bredhin si yje pa shprese.
Porsi shkembinj tek flijohen ne det
Ashtu ne cdo kohe shemben iluzionet
Kerkoj permes permbysjes veten
Me qiri te shuar oreve te vonshme.
27 tetor 1993
LODRA HESHTJEJE
...a s'te duket
se ben ftohte
dicka thyhet
dhe kercet
sado bute
sado lehte-
shkel mbi toke...
 |
| Besnik Camaj |
Besnik Camaj (1960), është ligjërues i informatikës grafike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara, në Yverdon-les-Bains të Zvicrës. Në botën letrare, është i njohur si Bes Camaj.
Veprat:
- “Grimca të rinisë”, poezi, 1979, Dukagjini, Pejë, 2011.
- “Diellit tim”, poezi, Konica Color, Tiranë 2009.
- “Rrugës jam”, poezi, Toena, Tiranë, 2015.
- “Leksikon i autorëve shqiptarë në Zvicër”, me bashkautor Shefqet Dibrani, Faik Konica, Prishtinë, 2016.
- “Strehë dashnie”, OM, Prishtinë, 2018.
Poezi nga vëllimi "Strehë dashnie"
NË KËTË BOTË
të marrë
unë jam rrugë
e ti strehë
që veç pikon
e deh
Kurrë
nuk u bëmë bashkë
sa i ngushtë ky shteg
për t’u ça
sa e shkurt kjo jetë
për t’u nda
Republikë
strehë e dashnisë sime të pambarueme
anipse copë-copë
kam ra n’dashni me ty edhe pa t’pasë
më ke ngrohë
m’ke dhanë dije e m’ke ba hije
më thërret n’emën e mbiemën
m’i mbron rrënjët edhe fijet
e sa herë dua me t’përshndetë
bahem pluhun i rrugëve tua
t’kapi për strehe
e ngreh kryet me t’pa
e me ta ba me dorë
sakaq shi e breshën m’godet në kokë
bahem qull
rrugë me gropa
kajherë edhe ndoj fërfëllizë
m’i shkund flokët
e m’i çnduk një nga një
veç atyne t’fortave
që janë tha n’qëndresë
e n’pendesë
kanë marrë ngjyrë shkëmbi
po unë nuk të lëshoj doresh
se kështu m’ke gatu
edhe nëse të heq ndojherë kur djersij
të vë prapë mbi kokë
s’mundem pa ty
edhe ashtu kimet janë rrallu
të mbramat janë me fat
shkretina po hapnohet nga shkujdesja
tash krejt çka bie mbi
rrëshqet curril
kajshëm e skajshëm
ta dish
aty mbas veshit
i kam mbledhë tana pikat e shiut
e i kam shpërnda në tela t’shpirtit
me u tha e me u tretë bashkë me erën
dhe me atë shijen që s’më hiqet
asnjëherë nga mendja
e dashtun
t’kam ruajtë
ashtu si kam mujtë
me krahë e pa krahë
në breshën e stuhi
me njëqind mijë telashe
e me shumë kufij
bukur shpesh
m’asht dridhë zemra
nga veshët e mureve
nga telat shpues
dhe nga anijet e pa kthim
po edhe nga ikja e çasteve
kur kapeshim për asnji gja
e nuk shiheshim sysh
kur folnim pa mendu
e i kthenim shpinën njani-tjetrit
në vend që t’i kuronim plagët
pa këmbana
e të jetonim bashkë
me mendje t’ndritun
e dashni t’pafikun
ma e dashtuna ime
të vë prapë mbi kokë
po tash të plotë
me tana skajet
dhe nuk të heq më
që të më mbrosh
e të më ruash bjeshkët
me gjithë ata shtigje e ata brigje
ku e lashë frymën time
n’vrap me këngë
për lule t’bukura
dhuratë për gjyshet
nanën
dhe për disa mësues të mirë
dua të m’i ruash
dhe kthjelltësitë
e Ujit të Ftohtë
të Synit Kaltër n’veri e jug
e të burimit të Drinit
ku futja kambë e duar
për t’nxjerrë një troftë
që s’e kish’ kush atëbotë
dua të ma ruash edhe tamlin
e atij gjini që pikon gurkalanë
dhe ajrin që mban peng atë princeshë
si dhe drithërimat mes mureve
të kanionit tetujvarësh
dhe gjithë ato kështjella
e mrekulli të tjera
që me një t’hedhun sysh
m’i përpijnë fjalët
e ma tejmbushin shpirtin fllad
streha ime e dashnisë
edhe matanë
kam me t’mbajtë mbi kokë
mbi vete
deri sa të tretem
në kristalet polifonikë
të trupit tand
e të bahem gati me rimbi
në një botë tjetër
me ma shumë dashni
këtu po ndalem pak
me marrë frymë
e po i bie shkurt
kësaj rruge të pasosun
me vargje t’mbushuna
që kanë nisë me iu dridhë shkronjat
në fund t’fundit le ta dinë të gjithë
se të dua shëndetplotë
dhe dua me t’pa në dritë t’synit
kur t’mi mbyllësh qepallat
për t’fundit herë
Prishtinë, 11 mars 2017
Në det
u zhyta krejt
mandej
ngrita kryet
si përgjumshëm
hapa sytë
e brita
pak ujë se vdiqa
N’ecje
çdo ditë
bregut t’lumtë
e shoh
nji njeri t’urtë
me një libër të pashkruem
e të harruem nën sqetull
dhe një tjetër n’dorë
kohë-pas-kohe
e shfleton nga pak
flladit djersët
merr frymë
e ftyra i del
n’shesh
tue ça
Si
shi sigjim
kacavaresha
ujvarës së qiellit
atë ag
ajo
ofshau butshëm
për të dytën herë
doli në terrasë
vnoi mbathjet mbi tel
e cigaren mbi buzë
dhe më thau tanë jetën
e lume
 |
| Mimoza Gjetaj |
Mimoza Gjetaj lindi në Shkodërs me 5 korrik1971. Shkollen fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjës, kurse studimet në Fakultetin Ekonomik në Tiranë.
Pasioni i saj ishte poezia. Ka filluar te shkruaj në moshë të re dhe fillimisht krijimet e saja i ka botuar në revstën "Zëri i Rinisë".
Në vitin 2018 botoi librin e saj të parë me poezi me titull "Dallgëve të jetës".
Nga viti 1999, jeton në Itali.
Poezi nga Mimoza Gjetaj
MUNGESA MË MUND
Heshtja turturuse
Nuk i la vend lamtumirës...
Ndjej të ftohtë në shpirt,
Nuk di!!!
Për sa kohë do të kërkoj puthjen tënde
Asnjëri nga ne nuk pati guxim
Ta thyej heshtjen që s’na lë të flasim
Distanca është bërë urë ndarje...
Kopshti i ëndrrave këtë vjeshtë
ka aromën e gjetheve të verdha
si bota e shpirtrave tanë të ngrirë...
Kam frikë nga e nesërmja
malli m’i rrënon muret e shpirtit
nga altari vije vetëm zëri i një ndjesie
që m’i shurdhon veshët e dashurisë...
MALLIN S’E MUNDI DOT
Malli që ndjej për ty më ka pushtuar
Më djeg nga brenda si prushi nën hi
Dritat e shpirtit m’i mban ndezur
Me rreze engjëlli nga altari i shpirtit
Ngrohtësi zemre për të të dhuruar...
Malli që ndjej për ty më mban gatitur
Si besimtarin para altarit të lutjeve
Mbylli sytë, dua të të shoh me sytë e hënës
Të të flas ëmbël me dritën e yjeve
Me bukurinë e luleve të ta stolisë ballin...
Përqafimet i shpërndaj si stërkalat dallgët
Mbi syprinën e blertë të shpirtit të bukur
Të mijëra dëshirave që bien nëpër mua
Si shiu i ngrohtë mbi lulet e pranverës
Që pres të t’i dhuroj në secilën ditëlindje...
Vetëm me frymën e kësaj shprese
Nuk e shuaj dot mallin që ndjej për ty
Dua rreze nga dielli i dashurisë për mua
Akullin në shpirt ta shndërroj në lumë freskie
Të ujis lulet e dashurisë që ndjej për ty....
Merrem!
Më dërgo larg dhe ku të duash
Por jo përtej ëndrrave tua
S’dua të fundosem në heshtjen time
Buzëqeshjet tua qëndrojnë përballë meje
Si valët e qeta në detin e pa trazuar
Fjalët dhe butësia e zërit tënd
Përkëdhelin pasqyrshëm imazhin tim
Më dërgo larg dhe ku të duash
Por jo përtej ëndrrave tua
Midis heshtjes dhe vetmisë
Nëpër mua rrjedhë e rrjedhë shpresa
Si ylberi ndez çdo vështrim
Çdo fjalë që më bën të të ndjej
Edhe më shumë praninë tënde .
Ndaj, luteni ta lini lirshëm
rrjedhën e dëshirave tona të vërshojnë
Mos i mbyll portat e pafajësisë...
 |
| Muhamet Rogova |
Muhamet Rogova u lind në vitin 1944 në Gjakovë. Arsimin fillor, të mesëm dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike i kreu në Gjakovë. Pastaj ka kryer studimet në Fakultetin Filozofik, dega e albanologjisë në Prishtinë dhe studime pasuniversitare në degën e gjuhësisë, mori mori titullin “Magjistër i shkencave filologjike”.
Në maj të vitit 1981, për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, arrestohet dhe denohet me nëntë vjet burg.
Pas lirimit nga burgu, me inisjativën e tij formohet Shoqata e Intelektualëve në Gjakovë e më vonë Forumi i Intelektualëve Shqiptar.
Ka punuar mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë, në Gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovë.
Deri më tash ka botuar këto libra:
- “Kujtime nga Burgu”,
- “Lojërat popullore të Gjakovës (Etnologji),
- “Aromë Gjakove” dhe si bashkëautor me Prof. Migena Arllatin
- “Toponimet në Gjakovë (Mbiemrat-emrat familjar)
Fragment nga libri “Kujtime nga burgu”
Ishte korriku i vitit 1981. Më erdhën për vizit nëna, motra dhe dy vëllezër. Ata më lajmëruan se më 13 korrik , pra para disa didësh, më kishte lindur djali të cilit ia kishin vënë emrin Besfort. Ata ma uronin prapa grillave lindjen e djalit. Sa u gëzova, aq u merzita. Ishte shumë e rëndë që në një pozitë të tillë të ta sillnin të tjerët lajmin për lindjen e djalit dhe të uronin për lindjen e tij në burg prapa grillave. Djali na kishte lindur dy muaj pas burgosjes time. Përpiqesha të mbahesha për të mos u treguar i mërzitur para tyre. Edhe ata përpiqeshin të më jepnin kurajo E kisha ditur se do të më lindë djalë. Sinjalet më kishin ardhur përpara përmes ëndrrave. Kështu kishte ndodhur edhe me lindjen e tre fëmijëve të tjerë.Për Filloretën dhe Jeronimin për shembull.Përpara se të vinin në këtë botë., i shihja si engjuj duke ardhur nëpër qiell. Para se të lindëte Kushtrimi,më erdhi një zë në ëndërr e më tha në vesh;”Djalë”. Kurse për Besfortin që sapo ka lindur, pak më ndryshe. E shoh sikur më kishte lindur djalë. Atë fëmijë të posalindur, e mbaja në një dyshek nën sqetull dhe me te shetisja nga një rrugë në tjetrë, duke hyrë e dalë nëpër dyer të ndryshme nëpër ambiente të zymta. Kjo ëndërr më jepte të kuptoja se shtegtimet e mia nëpër burgjet e Jugosllavisë do të ishin të gjata. Unë ashtu e komentoja etë ëndërr.
Kur u ktheva në çeli pas vizitës, isha shumë i merzitur. E merrja me mend se sa të vështirë e ka pasur gruaja ime momentin e lindjes pa qenë burri i saj pranë si është zakon i për t’iu gjedur në ato momente të vështira. Edhe nëna do ta ketë përjetuar shumë rëndë këtë lindje. Ne në familjen tonë e kishim zakon që sa herë të na lindëte ndonjë fëmijë, organizonim ceremoni. Ftoheshin të afërm e me plotë gaz përpiqesha ta organizoja atë ceremoni sa më bukur. Gëzimi mbulonte tërë familjen se po na shtohej edhe një anëtar në familjes. Në ato çaste më parafytyrohej fëmijërija ime. Isha rritur pa e njohur babanë të cilin e kisha parë vetëm përmes fotografive që na dërgonte nga Greqia apo Turqia ku jetonte si emigrant politik. E dija se me çfarë peripetishë isha rritur, në varfëri dhe pa përkrahjen e askujt. Ishte tepër e rëndë. Tani mendoja se si do të rriteshin fëmijtë e mi. Ata në shtëpi, nën presionin e qeverisë, se njeriu kur i prishte raportet me qeverinë, edhe rrethi dhe populli po të përbuznin. Këtë e kisha përjetuar vetë në fëmijërinë time. Në këtë kohë babaj im jetonte në Turqi si emigrant politik dhe i zhytur në pleqëri të thellë dhe krejtësisht i vetmuar. Kush e din se a ka dëgjuar për burgosjen time. Nëse kishte ndëgjuar, si do ta ketë përjetuar. Me keqardhje apo me mburrje se edhe djali i tij e kishte vazhduar të njëjtën rrugë si ai dikur. Ja si po u përsëritka historia. Këtë rast mund ta quante dhembje krenare. Dikush në këto rrethana u dashka të sakrifikohet, paçka se i ra shorti familjes tonë si dhe shumë familjeve të tjera shqiptare. Në këtë kohë, në kokë më silleshin lloj-lloj mendimesh dhe nuk dija t’ia gjeja fillin. Isha i tëri i topitur.
Mbase këto janë ligjet e dialektikës, mendoja me vete. Ashtu si kokrra e misrit që hidhet në arë e asgjësohet dhe prej saj del filizi i ri që e përtrinë jetën. Ashtu po ndodhka edhe me mua. Unë që aq shumë e dua lirinë, u dashka ta humbë lirinë personale për ta fituar atë lirinë e madhe, lirinë kolektive apo lirinë kombëtare dhe për këtë megjithate duhet të ndiehemi krenar. Hysen Gega shpesh e përdorte një thënje, mbase që e kishte dëgjuar nga Jusuf Gërvalla me të cilin ka bashkëpunuar; “Burgjet plotë, liria te dera”. Si mund të na vinte ndryshe ajo liri e ëndërruar? Paçka se ne duhej të sakrifikoheshim. Kështu ka ndodhur gjatë të gjithë historisë.
Nga fundi i korrikut, mua dhe Hysenin që ishim bashkë, na nxorën nga qelia ku ishim dhe na dërguan në një qeli tjetër, në anën tjetër të koridorot. Ishte një qeli e përbashkët me gjashtë shtretër në dy kare, tre poshtë e tre lartë. Në atë qeli kishte edhe të burgosur të tjerë si Shefqet Telaku nga Banja e Malishevës, student, Fatmir Zekolli nga fshati Bllacë e Suharekës, nxënës në gjimnazin e Prizrenit. Aty ishte edhe një goran nga Dragashi por i burgosur për aksident në trafik dhe tani edhe unë me Hysenin që na dërguan. Ishte kënaqësi kur të takoheshim me fytyra të reja. Takimi me shokë të rinjë në rrethana të burgut konsiderohej si ngjarje me rëndësi. Pasi u prezantuam me njëritjetrin, filluan bisedat më të gjata në mes nesh. Shefqet Telaku na tregonte se si kishte marrë pjesë në demonstratat e Prishtinës dhe të Prizrenit dhe se si në ditën e dytë të martesës së tij, plicia i kishin shkuar në shtëpi dhe e kishin arrestuar, ende pa u njour mirë me nusen. Ky rrëfim i tij seç ma kujtonte baladën e Ago Ymerit.
Ndërkaq, Fatmiri ishte një djalë i ri 17 vjeç, siç thuhej, ende pa i djersitur mustaqet. Me një trup ende të palidhur e me fytyrë të njomë. Tërë kohën ulej në një kënd të qelisë dhe këndonte këngë trimërie e revolucionare. Edhe Hyseni shpesh e këndonte këngën e Bec Sinanit me plotë pasion. Kurse unë ua komentoja ato këngë në aspektin letrar e historik.. Kur e shikoja Fatmirin, një djalë ende të parritur mirë, më dhimsej pa masë. Kur e pyesja se a po merzitet që kaq i ri kishte rënë në burg, pa një pa dy më përgjigjej; “Jo bre burrë, mos e thuej këtë fjalë! Vetëm për një gjë po më vjen keq që nuk kam bërë ma tepër për çështjen tonë. Unë vetëm mora pjesë në demonstrata, ashtu si kan vepruar pjesa më e madhe e rinisë. Ishim marrë vesh me shokë për të dalë në demonstrata. Për atdhe duhet të punohet më tepër”
Një ditë prapë e pyeta Fatmirin;
- Fatmir, kur të del në gjykim, a do të pendohesh
- Mos ma thuaj bre këtë fjalë, si të pendohem unë? Vetëm për një gjë po më vjen pak rëndë, që nuk i di gjanat dhe historinë qysh po e dijshe ti e me folë edhe në gjyq. Atë që nuk kamë arritë ta boja në kohën e demonstratave, me ua thonë atyre në gojë e troç, se ky popull nuk ka me e ndërpre aktivitetin pa e fituar lirinë e plotë.
Kur e shikoja këtë djalë të rinj, ende të parritur si duhet, me këtë bindje e me këtë karakter, e vendosmëri, po unë, çfarë duhet të bëja. Po të tjerët që janë akoma më të pjekur, çfarë duhet të bëjnë? Unë në sytë e të tjerëve për rreth shihja lirinë. Liria vetëm mund të vonojë, por një ditë ajo do të vijë patjetër. Ashtu siç thoshte Ismail Qemaili; se “Ky popull me një rini të tillë mëkat të lëngojë nën robëri”
Nëse gjatë ditës bisedonim për probleme të ndryshme, e lexonim gazetën dhe e komentonim bashkarisht si dhe këndonim këngë të ndryshme, në brëmje, kur vinte koha për të fjetur, ata kërkonin që t’iu mbaja ndonjë ligjëratë me karakter politik apo historik. Mbasi shtretnit ishin në dy kate, njëri mbi tjetrin, uleshim në shtretërit e lartë dy nga dy përballë njëritjetrit, këmbëkryq dhe filloja t’iu flisja për tema të caktuara më parë. U mbaja tema historike duke folur për historinë e popullit shqiptar që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, tema të ditës, tema sociale, etnografike, por edhe për tema të ndryshme politike, të rrjedhave politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Të gjitha këto ligjërata ishin në funksion të ngritjes dhe të formimit kombëtar e intelektualë, me qëllim të ngritjes dhe të formimit ideologjik, me qëllim të kuptimit sa më mirë të rrethanave politike në të cilat ndodheshim dhe perspektivën që e priste popullin shqiptar. Me një fjalë, shekulli i XX ishte shekulli i lirisë së popujve të robëruar e të skllavëruar. Edhe populli shqiptar i Kosovës i takonte kategorisë së popujve të robëruar në mes të Evropës. Kur popujt e robëruar të Afrikës e të Azisë po e fitojnë lirin, si mund të lëngonte nën zgjedhë në mes të Evropës populli shqiptar? Ata për çdo natë kërkonin nga unë t’iu mbaja nga një temë të tillë. Në vend se nata në atë qeli të burgut të ishte e trishtueshme, ajo kthehej në ankth të pritjes për të dëgjuar gjera të reja. Ata tregonin interesim të jashtëzakonshëm he dëgjonin me interesim shumë të madh temat që iu mbaja. Ato që nuk kishin arritur t’i mësonin gjatë shkollimit të rregulltë, përpiqeshin t’i plotësonin me njohuri të reja gjatë atyre brëmjeve. Në ato rrethana, burgu ishte shëndërruar në një shkollë për ta, kurse për mua ishte një kënaqësi e veçantë se edhe në burg, gjeta nxënës që aq shumë i kam dashur dhe i mbaja orët e mësimit që aq shumë më mungonin.
Me këta njerëz të mirë nuk e ndieja peshën e burgut. Aty më kujtohej thënja e Maksim Gorkit; “Burgu për revolucionarët eshtë vetëm një vend pushimi për të marrë energji të reja për të vazhduar më vonë me përvoja të reja dhe forca të përtrira”.