Baki Ymeri u lind në Shipkovicë (1 gusht 1949), nga babai shqiptar Ajvaz Voka ish-veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, dhe nga një nënë rumune Ajshe (Aurelia) Ymeri, që e përvetësoi gjuhën shqipe. Baki Ymeri kreu Gjuhën dhe Letërsinë shqipe në kuadrin e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969-73). Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, arratiset në Rumani (1973), vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1974) dhe Bukuresht (1975). Ndërkohë shkruan, përkthen dhe boton artikuj e studime mbi shqiptarët, përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë. Gjatë aktiviteteve të tij në shërbim të lirisë dhe të paqes në Kosovë e në rajon, ai akuzohet, ndiqet, arrestohet (1975) dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit, me gjashtë vjet burg të rëndë (1976). Akuza e procesit të montuar politik ishte: "bashkëpunim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë socialiste jugosllave".
1971-1990 : bashkëpunon me shtypin shqiptar të Kosovës dhe Maqedonisë ; përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas. Jep kontribute publicistike, edhe për letërsitë e popujve tjerë të Ballkanit. 1990-2003: Paralelisht me mbrojtjen e provimeve të doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, afirmon dhe mbron me guxim publicistik, çështjen e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, në shtypin rumun dhe atë shqiptar. Merr pjesë aktive në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është veprimtar i dalluar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, iniciator për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, redaktor dhe sekretar i redaksisë së revistës Shqiptari në Bukuresht, të gjitha aktivitetet duke i kryer vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash. Është autor i tetë librave origjinalë e të përkthyer (poezi dhe monografi mbi diasporën shqiptare), njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i mbi dy mijë artikujve të botuar, zbulues i dokumenteve origjinale të shoqërisë “Drita”, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan : “Njeriu i Vitit 2001”.
Baki Ymeri është i njohur si krijues, poet, publicist, përkthyes,shkrimtar,gazetar dhe eseist. Ai është autor i shumë krijimeve e librave të botuara në gjuhën shqipe dhe atë rumune, si dhe në gjuhë të tjera. Në angazhimet e tij të gjithanshme, emrin e tij e hasim edhe si një ndër krijuesit e brezit të ri shqiptar, brez të cilit i ra si detyrë e kohës që të ballafaqohet me ngjarjet tragjike që e tronditën Ballkanin si pasojë e qëllimeve të errëta të shovinizmit serbo-sllav, që tentonte të shfarosë popullin shqiptar në Ballkan, kryesisht kosovarët, me qëllim për t'ua marrë trojet etnike. Në atë kohë të vështirë, Baki Ymeri mban qëndrime të rrepta kundër dhunës, duke bërë thirrje përmes fjalës së tij krijuese, gazetareske, publicistike, për paqe e vëllazërim, për drejtësi, liri dhe pavarësi, sidomos për çlirimin e shqiptarëve të shtypur nga kolonializmi pansllavist serb. Baki Ymeri ka përkthyer librin Lumina Dardaniei - Drita e Dardanisë.
Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar. Merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbështet dhe bashkëpunon me emigracionin shqiptar kudo në botë. Bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në vendlindje dhe jashtë, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, të gjitha aktivitetet duke i kryer vullnetarisht. Bakiu, Xhelku Maksuti, Avni Spahiu dhe Kristia Maksuti Nëpër vite ka botuar në revista të ndryshme mijëra vargje nga vepra e dhjetëra shkrimtarëve rumunë klasikë e bashkëkohorë, në gjuhën shqipe, maqedone dhe sllovene, si dhe disa vëllime që u përkasin poetëve që pasojnë:
Nikita Stënesku (Ekspozitë e të palindurve, Prishtinë, 1986);
Angjel Dumbrëveanu (Kënga e mullibardhës, Shkup, 1986) ;
Sllavko Almëzhan (Xhuxhmaxhuxhët harruan të rriten, Prishtinë, 1989) ;
Marin Sorescu (Eja të ta them një fjalë, Prishtinë, 1990),
Halil Haxhosaj (Umbra cuvintelor/Hija e ëndrrave), Bukuresht, 2004),
Karolina Ilika (Duke dashur në fshehtësi, Pogradec, 2004),
Sali Bashota (Exilul sufletului/Ekzili i shpirtit, Bukuresht, 2004),
Ibrahim Kadriu, N-a ramas timp pentru sarbatori (S'mbet kohë për kremte), Bukuresht, 2005).
Bibliografi lirike: "Kaltrina" (botuar ne shqip-rumanisht, Bukuresht, 1994) ;
Dardania (botim bilingv, Bukuresht, 1999; Zjarr i Shenjtë (Tetovë 2001) ;
Lumina Dardaniei/Drita e Dardanisë (Muzeu i Letërisës Rumune, Bukuresht, 2004):
Drumul Iadului spre Rai (Rruga e Ferrit për në Parajsë), Bukuresht, 2005.
Për poezinë e tij kanë shkruar: Marin Soresku, Oktavian Soviany, Luan Topçiu, Radu Voinesku, Xhelku Maksuti etj.
Baki Ymeri është koautor i disa monografive mbi shqiptarët e Rumanisë, njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujve mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë Drita, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, i vlerësuar me lavdërimin e "Mirënjohjes" ne disa raste. I vlerësuar nga Instituti biografik Amerikan në listën e vlerësimeve të atij instituti për vitin 2001, si: Njeriu i vitit 2001. Jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, boton, udhëheq dhe shpërndan revistën Shqiptari/Albanezul. Duke e mbyllur kete profil për Baki Ymerin, po theksojmë se Bakiu ka bërë vazhdimisht përpjekje që me punën e tij si krijues dhe si një aktivist atdhetar shqiptare në Rumani, të japë kontributin e tij në krijimtarinë letrare shqiptare si dhe të kontribuojë edhe në çështjen shqiptare në Ballkan, punë e cila i bashkëngjitet veprimtarisë atdhetare të mijëra krijuesve të tjerë, dhe intelektualëve shqiptare nga Kosova, Shqipëria si dhe emigracioni shqiptar, për të sjellë një paqe stabile në Ballkan, duke punuar për realizimin dhe harmonizimin e kulturave të vendeve të Ballkanit drejt një mirëkuptimi e paqe të perjteshme. Bakiu i bashkohet me krijimet e tij edhe një libri te ri mjaft modest që po krijojmë sëbashku me disa autorë shqiptarë, poetë e prozatorë që gjenden në emigracion.
Poezi nga Baki Ymeri
SHIPKOVICA
Pas pesëmijë vitesh
Nga Parajsa erdha ta shoh
Se si e prisni dritën në vatër
Dhe si i lansoni ëndërrat
Në zemër të Dardanisë
Kur Zoti ishte Zot
Që i ndëshkoi barbarët
Me zjarr e barot.
.
Fëshferimë yjesh,
Thëllënxat shtojzavallet,
Engjëjt e librat,
Fran Kola e Mnjaku,
Vokallarët dhe Gjura,
Bishat e Vardishës
Dhe Përroi i Kishës.
Muret e shtëpive të vjetra
Porsi në çerdhe e mbajnë frymëmarrjen
Qenje e gjallë
Historia hyn dhe del nga dyert
Bebzat i drejton tejmatanë Kalasë
Ngazëllimin e mban mes oborresh
Qetësi mbëlton mes shtatoresh
Shtëpi lidh mes shtëpishë
Mure lidh mes muresh
Sulltani na i ndërroi emrat
Por jo edhe shpirtin
Naimi e mban të pashuar dritën në vatër
Historia merr frymë
Ndërmjet mureve
Ajo i shpërlan teshat
Teshat e bardha presin
Çfarë hijeshie
Teshat e bardha flasin mes veti
Zjarri kënaqet në vatra
Njerëzit dëgjojnë ç’thotë era në mbrëmje
Muret dëgjojnë ç’thonë trëndafilat në mëngjez
Pasqyrat dëgjojnë çka thotë
Shëmbëlltyra juaj në mesditë
Teshat e bardha
Rrjedhin përmes shkumës së natës
Unë kthehem në zemër të Transilvanisë
Dardania e qëndis flamurin e Pavarësisë
Për njohje e jo për hatër
Qenje e gjallë
Historia ta pjek bukën në vatër
ËNDËRR
Ishuj plot dritë
Ëndërroj,
Majë malesh
Flamurin
E kombit tim
E shpaloj
Dhe ëndërroj:
Rrafte librash
Nën qiellin e hapur
Dhe në të gjitha këto konture
Je ti si një dritë
E mbështjellë me erëtimë.
FQINJËT E DRITËS
E dashur,
Eja të bëhemi fqinjët e dritës!
Ti as që e di
Se përballë teje
Gjenden rafte
Bibliotekash të ndritura.
Eja! Të pëshpërita,
Hapi këto libra të lashta
Dhe lermë
Të ta përkëdhel trofenë!
QË NË SHIKIM TË PARË
Para së gjithash
Ne rrinim mes librave,
Ne një qendër të shkëlqesisë,
Të pritjes dhe të dashurisë.
Të ftoja në këtë Kështjellë
Fëshfërimash dhe vështirë
Më vinte të besoj
Se trupi yt bleronte
Pranë meje
Dhe, o, si piqeshin
Dhe si i vilja
Mes fëshfërimave të librave
Frutat pyjore të buzëve tua!
Çfarë vjeshte, para së gjithash
Dhe ne, mes librash:
Që në shikim të parë.
ARGUMENT
Për pafajshmëri
Nuk gjej asfarë argumenti:
Jam vetëm një mjeshtër
Që të ka zgjedhur
Duke të zalisur
Brenda një nate -
Lezetshmëri kalimtare
Që e kaplon ekstaza
Derisa te këmbët e tua
Dita i sjell
Argumentet e dritës.
LIED
A s'e sheh, e dashur
Se jemi sëmurë
Nga kjo dritë
E shenjtë
Për të qenë përsëri atje
Ku vdisja pas teje
Kur lulëzoje?
O ZOT!
Thuhet se gruaja
Nuk ka Zot.
Dhe megjithate,
Si e ke ngjeshur
O Zot,
Kur në trajtën e saj
E ke vënë shpirtin tënd?
Dhe si është e mundur
Të vuaj duke e parë
Dhe më vjen t'i përkulem
Dhe të të harroj!
Nëse në trajtën e saj
E ke vënë krejt dashurinë
E shpirtit tim,
Atëherë si është e mundur
Që ta lësh mbi dhe
Kur ti mirë e sheh
Se do të bëhet Zot?
E MBESHTJELLE NE FJALET E MIA
Nuk e di ciles grua
Ia vodhen krejt mendimet
Një ditë, kur kaploi muzgu
Dhe përnjeherë, mes nesh,
U shuan mrekullitë.
Nisi dëbora e parë
Dhe ranë aq shumë flokë,
Aq sa mund të bien -
Kur të kaplon një valë vetmie.
Të lusja, atëhere, ças për ças:
Eja dhe thuamë se çka mbeti pas
E mbështjellë në dashurinë tingëllore
Apo në dritën e fundit të një ore!
Tani, mbështillu në fjalët e mia
Porsi në mëndafshet
Që lindja i sjell prore,
Të përqafoj,
Thuajse përmbi to:
Mrekullitë bëhen hyjnore.
PASTEL
Guaca e gjinjve tu
Ishte e shenjtë si hëna,
Ngjyra e tyre e bardhë
Ishte porsi shkuma
Në bregun e detit.
VARFËRIA E FJALËVE
O Zot, çfarë nate!
Ka aq varfëri për rreth
Saqë më kaplon trishtimi.
O Zot, çfarë nate!
Ki kujdes,
Ki kujdes për shpirtin tënd!
Më pëshpërit çapkënja
Që ma sjell
Dritën e fjalëve pa hije.
SHTATOR
Nga koha e prej kohëve
Fshih-më, e dashur!
Mbro-më, valëzo-më,
Fshihi fshehtësitë e tua,
Mendimet bëji guralecë,
Me të gjitha sekondat
Luti valët
Të mos më harrojnë!
Në kroje rrjedhëse vishu,
Shtretër prej ujërash shtro-më,
Pastaj çvishu
Dhe vazhdo të notosh
Valëve të përjetshme
Të bukurisë
Duke shkruar për çiltërsi
Me dritat e shtatorit.
RIMA TË DASHURUARA
I gjeta të përqafuara,
I gjeta të hidhëruara,
Ngase s' janë bashkë -
Hidhërimi është i lashtë.
Por hidhërimi i ri
U duket më i mirë:
Për atë marr një rruzull vese
Dhe një rreze hëne,
E qes hidhërimin mënjanë
Dhe ndërmjet
Ditëve të kryqëzuara
I përzjej me pluhura të magjepsura
Dhe më kaplon gjumi
Në shtratin e rimave të përqafuara
PAS SHIUT
Pas shiut, botën e kaplojnë mendimet.
Dergjet, njësoj siç pemët
Që vuajnë nga vetmia.
Madje,
Edhe vashat e reja të qytetit
Thuajse i ka kapluar pleqëria,
Bile edhe ata që s' kanë kurfarë ideje
Për shndërrimin e fjalëve në dritë,
Duket se e kuptojne ç'është vuajtja.
DASHURI NË NJË QYTET TË PANJOHUR
Zhgënjimet
Vijnë e shkojnë
Porsi femrat e reja.
Ato janë
Yje pa dritë.
Aq fjalë
Nuk thonë për to
As ujërat
Që kalojnë
Nën urat e shembura.
Në natën e kaltërt
Mendoja se dashuria
Ka sy të zinj
Dhe flokun si mjalta.
O, ata sy të kaltërt,
Për mua ishin
Nata më e zezë.
MJALTE
Më thuaj
Nga cilat stinë të të ftoj
Me flakërat e dëshpëruara të acarit?
Më thuaj, cilat drita ti tuboj
E të të mbështjell me to - e vluar
Me kohën e borërave që perëndojnë
Kur dëbora ka harruar se është shuar?
Eja, ti, mjaltë e shijuar
Nga gjuha e Zotit!
LUTJE
Zot i shtatit tënd,
Ditën e shtunë do të bëhem -
Ditën kur pa ty
Do ta ndjeja veten të shembur. .
Prit-më, edhe nëse s'vij
Dhe ruaje fuqinë tënde
Për ta shuar etjen time për ty!
SHERRIM
Vetëm për ty jetoj,
Vetëm pranë teje mund të flatroj,
Me ty mund të shkëpus nga fjalët
Flatra të mëdha.
Vetëm për ty marr frymë,
Për ty mund të luaj me zjarrin,
Me zjarrin që na e shërron
Sëmurjen e dashurisë.
Vetëm për ty jetoj,
Mrekulli e Zotit,
Grua
Me vajtim prej fëmije.
FINALJA E MADHE
Kur Engjëllit do t'i përkasë
Finalja e Madhe,
Fjalë s'do të ketë
Dhe s' do të ketë fjalë -
Kush je ti, moj
Mrekullia ime e gjallë.
Ti më gjykon,
Ti më trishton
Dhe më errëson
Pa qenë fajtor!
Ti më qorton,
Edhe kur hesht.
Kush je ti,
Moj bukuri e rrallë,
Mos je ti vallë
Mrekullia ime e gjallë?
RIMA TË LAZDËRUARA
Do t`iu urrej,
Duke ju dashur përherë,
O, te lazdëruarat e Zotit,
Ju rima, përjetë fajtore,
Thembra që shkelni
Mbi gjurmat
E frymëzimeve natore
Dhe botoni
Me kaçurrela fjalësh
Ato që i harron
Edhe mendja më e shkujdesur.
Ju vini e merrni njëmijë mëkate
Nga thesi plot fjalë të përqafuara,
Një arnë e qepni,
Ia jepni një palë -
Do të ju urrej
Edhe pse ju dua
Si dashurinë e parë.
ARS AMANDI
Ja se si më në fund
Arrita në skaj të botës -
Atje ku dielli
Përzjehet me kulosën
Duke u valëzuar
Deri në çakërdisje.
Përkulem dhe mbëltoj
Mbi shtatin tënd:
Tremijë puthje
Në kohën
Kur krejt bota
Zgjohet papritmas
E sëmurë nga gjumi.
PRITJE
Pas natërimit,
Prit-më në portën e agimit.
Jam këtu dhe nuk mund të shuhesh -
Drita na mban në krahëror me ëndje
Dhe na e shpërlan në ujërat e ftohta
Mjegullën time dhe vesën tënde.
Do të vemë kurora mbretërore
Dhe do të na vijë
Një turp i madh prore.
PA FJALË
Porsi Ovidi kam ardhur
Në luginën tënde të ëmbël,
Të ta ndjej ritmin e brendshëm
Duke notuar përmbi shtatin tënd
Të hijshëm, si një fushë dredhzash.
Porsi Ovidi kam ardhur
Në brigjet e këtyre ujërave,
I magjepsur
Nga rrëshqitja e një sirene
Që më kapiti
Që në shikim të parë.
Porsi Ovidi kam ardhur
Në qytetin e kapitjeve të ëmbla
Dhe dëgjoj
Mbi zanoret e fjalëve të mia
Shkrepëtimë lutjesh:
Eja edhe njëherë
T'i shijosh dredhzat
Porsi në mesverë!
KOH' E KRISUR
Sa do të vrapoj vallë
Pas kësaj bukurie
Prej qershisë së hidhur
Që hesht duke të ngjeshur
Dhe pastaj
E braktis vetveten!
YLBERI
Më ftove mu atëherë
Kur në ëndërr të ftoja.
Mes meje e teje
Ishte vetëm një udhë
Që përmes shkretëtirës
Na çonte në Parajsë.
Mbulomë mirë
Dhe fshihmë mirë!
Ti më thoshe
Dhe mu atëherë shiu pushoi.
E hapa përnjëherë dritaren
Dhe i solla pajë trupit tënd:
Tremije puthje.
Alo! Alo! Alo!
Pritmë, jam ylberi yt!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen