Nga Nehas Sopaj
Teki Dërvishi,
figura letrare e shkrimtarit
Pjesë nga libri "Individualitete letrare 2 Teki Dervishi"
Individualiteti letrar i T. Dërvishit, më vete i mbart elementet e përbashkëta estetike të një brezi shkrimtarësh të cilët u formuan dhe u dalluan kryesisht në vitet ’70 të shekullit të kaluar, në mesin e krijuesëve të etapës së tretë të Kosovës e Maqedonisë, siç janë B. Musliu, M. Ramadani, J. Buxhovi, N. Soba, J. Gërvalla, Xh. Ahmeti, Y. Shkreli, N. Halimi, S. Hamiti, Z. Rrahmani, M. Kraja, Sh. Beqiri etj. Ky shkrimtar, individualiteti i tij, sa është i veçantë dhe domethënës, është edhe autonom, sepse shumë elemente, kategori dhe aspekte të veprës së tij, siç janë natyra e shkrimit, kodet, nënkodet dhe lidhshmëritë e përgjithshme estetike të gjuhës, autorin tonë e bëjnë jo vetëm bashkëveprues dhe bashkëkrijues, por shpesh edhe mësues për shumicën e këtyre emrave të sipërpërmendur. Natyra e shkrimit të tij, me kalimin e kohës vjen duke u verifikuar si një poetikë njëmend shumë komplekse dhe shumë interesante që përshkohet me një ngjyrë të veçantë shkrimi, nis të identifikohet dhe të influencojë me tendencat drejt zgjerimit dhe konsolidohet si lëvizje e fortë letrare që me disa emra të tjerë që vijnë nga mëma Shqipëri (psh. F. Reshpja, Xh. Spahiu, M. Zeqo etj.), interkalohet nga modernizmi në postmodernizëm.
Teki
Dërvishi, krahas Marin Camajt dhe Beqir Musliut (shkrimtarët emblematikë), në
letërsinë tonë bashkëkohore është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra
e tij shënon shkollë shkrimi më vete ku autorin e shohim shumë pjellor duke
lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë dhe është vështirë
të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse
lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në
tërësi të veprës së tij është i vështirë, sepse problem numër një për receptim paraqet
mosnjohja e domosdoshme e kodeve të shkrimit të autorit, që është një sferë gnoseologjike
e shumë stileve brenda një shkrimi, të dendur dhe intertekstuale, që na shtyn
t’i kërkojmë reflekset e një metateksti i cili qet krye si ironi përtallëse e
gjithçkasë që merr ta trajtojë për t’u bërë më tej një veçori tipike autoriale për
t’u kuptuar saktë mesazhet e tij. Gjithë kjo flet për një nivel shumë të lartë të
stilit të shkrimtarit, dendurisë së shprehjes së tij, e cila ndryshe nga M.
Camaj dhe B. Musliu, ka një tjetër ndërtim që, sa duket i kapshëm dhe i qartë,
prapa ka abstragimin, duke i selektuar lexuesit në lexues që mund ta përqafojnë,
dhe në lexues që nuk arrijnë ta kapin ironinë e autorit dhe prandaj mbeten larg
asaj që flet ai, që, jo se është e fshehtë në të folur, por sepse në të folurit
ka sarkazëm që nuk kursen asgjë, madje as veten.
Teki Dërvishi u lind në Gjakovë në janar të vitit 1943 dhe
shkollimin fillor e të mesëm i mori në vendlindje. Si nxënës i shkollës së
mesme u burgos duke i shijuar mizoritë e Goli Otokut zulmëkeq jo vetëm për
shqiptarët. Ka kryer studimet për gjuhë dhe letërsi shqiptare në Fakultetin
Filozofik të Prishtinës. Qe i regjistruar në studimet e magjistraturës në
Prishtinë, në drejtimin Letërsi, të cilat i braktisi duke iu përkushtuar letërsisë
dhe publicistikës.
Dhjetë vite (1971-1981) ishte gazetar në rubrikën e kulturës së
gazetës Flaka e Vëllazërimit, shumë
kohë gazetar që e përcolli teatrin, pak kohë qe redaktor gjersa e pushuan nga
puna për t’u trasferuar në Prishtinë, në edicionin e botimeve Rilindja si korrektor, gjersa u
pensionua në Teatrin Kombëtar të Prishtinës si drejtor i tij. Pas kësaj, deri
në ditët e fundit të jetës, qe redaktor i gazetës Bota Sot. Ai gjatë gjithë jetës u mor me shkrime letrare dhe
publicistikë. Është autor i shumë veprave letrare artistike, romane, poezi,
drama, kritikë teatrore etj. që tok me ato të pabotuarat, e tejkalon numrin
nëntëdhjetë vepra.
Vepra e botuar e autorit
shënon vëllimet me poezi:
1.
Nimfa 1, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1970,
2.
I varur me vargje për drurin e blertë, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1971,
3.
Shtëpia e Sëmurë, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1978,
- Thashë, poezi, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1981,
- Nimfa 2, bot. NGBG Rilindja, Prishtinë,
1986.
Përmbledhje
me tregime:
Etje
dhe borë, tregime, bot. Flaka e
Vëllazërimit, Shkup, 1974.
Romanet:
1.
Pirgu i lartë, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1972,
- Padrona, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup, 1973,
- Skedarët, roman, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1974,
4. Halveti, mini-roman ose
cikli 3 i librit poetik Shtëpia e sëmurë,
bot. Flaka... Shkup, 1978,
5. Herezia e Dervish Mallutës, roman, bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1981,
6. Palimpsest Dush
Kusarit, roman, bot. NB Blend,
Prishtinë, 1993.
Dramat:
1.
Zbutësi i njerëzve
me sy prej zymrydi, dramë, bot. Flaka e
Vëllazërimit, Shkup, 1979,
2.
Bregu i pikëllimit,
dramë,
bot. NGBG Rilindja, Prishtinë, 1985,
3.
Pranvera e librave,
1990,
4.
Zhvarrimi i Pjetër
Bogdanit, 1990,
5.
Kufiri me atdhe,
1996,
6.
Vojceku, 1996,
7.
Nesër nisemi për
Parajsë, 1999,
8.
Eshtrat që kthehen
vonë, 2000,
9.
Ku është Populli?, 2003.
Ese dhe kritikë mbi teatrin:
1.
Qan e qesh Talia, bot. Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1978.
Në bibliotekën shtëpiake,
bibliografia e veprimtarisë letare të T. Dërvishit zgjerohet me një varg veprash
tjera, kryesisht drama të pabotuara, që presin botimin e tyre, që dmth. se kjo përqasje
ime i merr për konsideratë vetëm këto të botuarat. Edhe pse vepër letrare ndër
më të rëndësishmet të letërsisë së sotme shqiptare, kapitale do të thoja unë,
marrë në përgjithësi për këtë vepër është shkruar pak, shumë pak. Hiq ndonjë
shkrim të A. Aliut, R. Musliut, S. Hamitit, N. Islamit, J. Papagjonit e të
ndonjë tjetri, për veprën letrare të T. Dërvishit është shkruar pak, kaq sa ajo
sot vazhdon të jetë në margjina të interesimit të kritikës letrare dhe të shkencës
filologjike shqiptare. Mjerisht. T.
Dërvishi në skenën letrare shqiptare për herë të parë u paraqit në mesin e
viteve gjashtëdhjeta me tregime, kryesisht me tema shoqërore dhe sociale që për
nga mënyra e shkrimit japin t’i kuptosh edhe mësuesit fillestarë të tij: Migjenin,
A. Çehovin, G. de Maupassant-in etj. Në rrugën e tij krijuese, pas një
ndërprerjeje për shkak të burgosjes në Goli Otok, në burgun më famëkeq në kohë
të Jugosllavisë titiste, librat e para autori do t’i botojë në fillim të viteve
‘70 siç janë: Nimfa 1, I varur me vargje
për drurin e blertë, Etje dhe borë, Pirgu i lartë, Padrona, Skedarët. Këto vepra realisht shënojnë fillimet e
letërsisë së tij, në të cilat lexuesi do ta hetojë një penë shumë të mprehtë
kritikuese, ku vlon gjithçka: temat të cilat “i prekin” muret e lirisë krijuese,
shkollat e ndryshme prej nga autori mëson dhe sidomos lufta për ta zotuar
shkathtësinë e shkrimit letrar që të
thuhet saktë ajo që mendohet, qoftë kjo me alegori, qoftë edhe me simbolikë
edhe kur kjo është e ndaluar. Realisht, T. Dërvishi kulmin më të rëndësishëm të
krijimtarisë së tij letrare do ta shënojë me librin Shtëpia e sëmurë (1978) dhe dramën Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi (1979), prej nga fillojnë të
rreshtohen veprat kryesore siç janë: Thashë,
Bregu i pikëllimit, Nimfa 2, Herezia e Dervish Mallutës, Palimpsest Dush
Kusarit, etj. Ky është fundi i viteve ‘70 dhe fillimi i ngritjes së
krijimtarisë së tij dhe vitet ‘80 dhe ‘90, kur autori shquhet si një ndër
pionierët e një modernizmi “ekstrem” duke u dëshmuar mjeshtër i shkrimit të të
gjitha llojeve letrare të cilat do t’i kultivojë përmes shkrimeve
eksperimentale. Letërsia shqipe e viteve ‘30 që kishte shënuar një kulm të
lartë estetik, me një pluralizëm stilistik me emrat emblematikë siç janë Gj.
Fishta, L. Poradeci, F. Noli, Migjeni, E. Koliqi, E. Haxhiademi, K. Floqi, A.
Asllani etj., tani pas lufte, për nja dy dekada e sa, kishte rënë shumë estetikisht,
ngulfatur nga ideologjizmi dhe soc-realizmi, në vitet ’70 me emrat emblematikë
siç janë M. Camaj, I. Kadare, R. Qosja, A. Pashku, A. Podrimja, T. Dërvishi, B.
Musliu, Xh. Spahiu, M. Zeqo etj. po e përngjiste ekuilibrin e humbur në shkallë
edhe më të lartë estetike, duke e ringritur dhe duke e shpënë një me letërsinë
botërore. Emri i T. Dërvishit për nga vlerat estetike që ka vepra e tij
letrare, pranë emrave më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqiptare, bindshëm
qëndron pranë shumë emrave ndër më të spikaturit të letërsisë së botës. Për
këtë gjë, sikur ka mbetur pa u informuar vetëm lexuesi shqiptar. Mjerisht. Dhe,
pa fajin e tij. Siç po shohim, profili krijues i T. Dërvishit ndahet në dy fusha
të mëdha të veprës së tij: letërsi dhe publicistikë. Ky studim mëton t’i prekë
vetëm aspektet e veprës së tij letrare. Publicistika paraqet faqen e dytë të
veprës së tij e cila është po kaq e madhe dhe e rëndësishme si edhe letërsia
dhe paraqet vlerë të veçantë për opinionin e përgjithshëm dhe meqë këtu
qëndron afirmimi i tij, me të do të mirren studjuesit e fushës përkatëse. Esetë
politike, kolumnet dhe temat polemizuese rreth aspekteve politike, kombëtare
dhe kulturore, janë fusha me të cilat priten të merren të tjerët.
Veçantia
Emri i T. Dërvishit pa mëdyshje shënon vlerën e vërtetë të
epokës interkaluese prej modernizmit kah postmodernizmi, me çka dëshmohet si një
ndër krijuesit më këmbëngulës në kërkimet e tij në shkrime. Ai dëshmohet si një
nga stilistët, sprovuesit dhe eksploruesit më të zellshëm të mënyrave të reja
të shkrimit, një ndër eksperimentuesit më në zë që për kohën ka mbetur i
paarritshëm edhe sot, mjerisht i pastudjuar akoma gjer sot. Siç do të shihet nga
rruga e ngritjes së tij prej vepre në vepër, T. Dërvishi në kuadër të “modernizmit
kosovar” do të veçohet si luftëtar i pakompromis i thyerjeve të tabuve dhe dogmave
letrare të stileve të ndryshme të shkrimit të kohës, duke i lënë ato stile si
një tradicionalizëm që nuk i sillnin gjë të re shkrimit shqip. Qysh atëherë, në
vitin 1978, një qëndrim negativ autori e shfaq ndaj realizmit socialist, të
cilin e përtall dhe stigmatizon si kiç politik të ditës, që për kohën ishte një
lloj sfide dhe tundimi të veçantë për krijuesit, sepse të shkruarit në stilin
soc-realist për kohën, për një pjesë të krijuesve “patriotë” të Kosovës, shitej
si modernizëm (alias – novatorizëm siç e quanin në Shqipëri, prej nga e vidhnin)
dhe të deklaroheshe kundër, ishte tradhëti. Në librin Shtëpia e sëmurë, me anë të një shkrimi poezi, plus prozë, plus
dramë, do ta ironizojë, parodizojë dhe deplasojë totalisht soc-realizmin me
anë të një eksperimentimi inverziv të zërit të autorit, i cili mirëfilli do t’i
shënjojë fillet e postmodernizmit tonë. Siç do ta shohim më tutje, autori do të
jetë në korrent me kohën, sepse në mënyrën e shkrimit të tij, ai i kishte
absorbuar dhe absolutizuar të gjitha llojet e realizmave e modernizmave nga më
të ndryshmit, si shkrime demode, të tejkaluara përgjithmonë prej tij, për ta kultivuar
një mënyrë të re shkrimi, eksperimentale, që tundonte drejt shkrimeve të reja, për
nga natyra hibride, siç është poezia, plus prozë, plus dramë brendapërbrenda
strukturës narrative, duke paralajmëruar konceptet tjera, fare të reja, për
artin e letërsisë, larg farës rusofile prej nga qe importuar.
Ndryshe
nga të gjithë shkrimtarët e kohës në kulmet letrare shqiptare të viteve ‘70, T.
Dërvishi i pari e futi eksperimentin si metodë krijuese që më vonë do të përçohet
në gjithë krijimtarinë e tij letrare si mënyrë e veçantë drejt modernizmit “ekstrem”,
me një gjuhë fare tjetër shkrimi drejt çarjes së censurës, hapjes së temave të
ndaluara drejt emancipimit estetik të gjuhës poetike. Lufta me gjuhën drejt
emancipimit të saj, te T. Dërvishi reprodukon një varg veprash të cilat
lexuesit e sjellin në zanafillë të konceptit se çka në të vërtetë presupozon
arti i letërsisë, cili realisht është misioni i tij, çka në të vërtetë mundet
letërsia në konditat e epokës globale e çka jo. Që këtu, të gjitha veprat
letrare të T. Dervshit, mëtojnë t’u japin përgjigje kësaj pyetje e cila
presupozon pikërisht emancipimin e gjuhës, fuqitë e saj të brendshme deri te
ato më sakralet, që t’i thonë të gjitha kategoritë estetike të fjalës, duke
përfshirë të gjitha aspektet e mundshme të kohës dhe të hapësirës (fundin e
tyre), temat të cilat vetëm mund të ironizohen, pezhorohen ose eseizohen
(finesa e postmodernizmit).
Në vitet ’70, në galerinë e
krijuesve letrarë shqiptarë tashmë më të dalluar dhe të patundshëm në altarin
e letërsisë sonë siç janë M. Camaj, I. Kadare, A. Pashku, R. Qosja, A.
Podrimja, F. Reshpja, B. Musliu, M. Zeqo etj., poeti Teki Dërvishi shkruan
ndryshe nga të gjithë të tjerët. Gjersa ata në shkrimet e tyre mund cilësohen si
poetë modernë, Teki Dërvishi si edhe B. Musliu e M. Ramadani, në shkrimet e tij
dallohet me një tip shkrimi ndryshe nga të tjerët, diç “më modern” se
modernizmi i asaj vale krijuesish që sot i çmojmë elitë e kohës e që sjellin
një stil shkrimi “ekstremisht” të mbathur, me elemente të kulturave të
ndryshme të botës, që për kohën dallohet sheshit me gjithanshmërinë, vibrimet
dhe denduritë stilore të fjalisë prej nga ato edhe vijnë.
Letërsia latinoamerikane dhe
sidomos tregimet e H. L. Borgesit, që në letërsinë e përbotshme tashmë emërtohen
thjesht borgesizëm, shkrimi i T. Dërvishit
mbase do të kulmojë, do të ndalet aty, në atë stil. Shumë studjues, atë tip
shkrimi e konsiderojnë shkrim abstrakt, njëlloj variacioni i ri i lartpurlartizmit.
Borgesizmi, ose shkrimi me denduri formacionesh stilore brenda një stili të
vetëm (sepse shkrimi i dendur që e njohim gjer sot), në vitet ’70 ka patur një impakt
dhe difuzion zgjerimi në të gjitha letërsitë kombëtare, në Ballkan, në Evropë
dhe në botë që këtu edhe në Kosovë. Në letërsinë shqipe, T. Dërvishi është
përfaqësuesi ynë më tipik. Pikërisht sepse ky shkrim është përzierje diskursesh:
poezi, prozë e dramë, një koagulim eseizimi, mbase kjo është arsyeja pse
kritika e kohës nuk e priti autorin tonë me ovacione sikundër i prisnin
krijuesit që sillnin inovacione, pa atë enthuziazmin e dalluar të atëhershëm. Megjithatë,
ndryshe nga të tjerët, Teki Dërvishi edhe sot është i pa pranuar në skenën
letrare shqiptare, i palexuar dhe i pastudiuar, pikërisht për shkak të stilit
të shkrimit të tij, “të rëndë”, i cili rri larg shtresave të gjera të lexuesve,
studentëve dhe profesorëve, të cilët edhe sot vazhdojnë të lexojnë klasikën
tradicionale dhe klasikën moderne, por jo edhe shkrimtarët postmodernë të cilët
shquhen me dendurinë stilistikore, me begatinë dhe thellësinë gjuhësore, në “trend”
me ndryshimet në çastin kur edhe ndodhin ato ndryshime.
Është
një temë shumë e palavd të diskutohet sot për fillimet e letërsisë postmoderne
shqiptare, që sipas mendimit tim, lidhet pikërisht me emrin e T. Dërvishit, kur
këtij formacioni stilistik sot mund t’i dalë zot kujt t’i teket. Kjo për më
tepër kur kësaj letërsie, këtij formacioni stilistik, kritika jonë akoma nuk ka
arritur t’ia definojë saktë kuptimin semantik. Jemi në një kohë kur të gjithë
flasin për epokën postmoderne dhe kur me këtë definicion infiltrohen atribute
profilizimesh në pothuaj të gjitha shkencat dhe artet, të flasësh për letërsinë
postmoderne, kjo i bie sikur të flasësh për një kuptim shumë të gjerë që kemi
sot, nganjëherë edhe pa definicion. Këtu më poshtë, unë do të orvatem t’i jap
disa prova dhe skema të veprës letrare të autorit, sidomos duke filluar me
librin Shtëpia e sëmurë se në kohën
kur qe botuar, shënoi fillimin e një shkrimi për të cilin them se nis dhe
zhvillohet postmodernizmi në letërsinë shqipe.
Deri sot janë shfaqur mendime
se për postmoderne mund të jetë edhe poezia e fazës së fundit të M. Camajt (të
ashtuquajturat poezi eksperimentale të librit Nën hijen e gjarpërit), dikush proza e R. Qosjes, më saktë nga romani
Vdekja më vjen prej syve të tillë, dikush
romanet e I. Kadaresë, por ka edhe mendime të tjera, që lidhen me vepra të
tjera dhe me autorë të tjerë, qëndrime këto që duan t’i përafrojnë tezat e jo
të rrinë larg të vërtetës. Dhe, meqë definicioni postmodernizëm është
pafundësisht i gjerë dhe për të mund të flasësh e të thuash gjithçka por kurrë të
vërtetën e saktë, sepse gjithmonë diçka do të mbetet pa thënë, Teki Dërvishi duke
filluar me librin poetik Shtëpia e
sëmurë, pastaj me dramën Zbutësi i
njerëzve me sy prej zymrydi e këtej, ka bërë që shkrimi i tij i veçantë të kërkojë
nga lexuesi të jetë kategori aktive sa edhe vetë autori. Duke qenë aktanti i
tretë krahas autorit dhe veprës, T. Dërvishi kërkon që lexuesi të jetë aktant relevant
në aktin e interferimit vepër, autor dhe lexues, lexuesi të jetë i rëndësishëm me
kulturën e domosdoshme teorike po kaq sa edhe autori, domosdo për të mundur ta
receptojë atë letërsi që i servohej, gjë që është një nga faktorët kryesorë që
vepra të jetë në korrent me kohën, të jetë postmoderne [1].
Më
poshtë do ta përkujtoj lexuesin për një deklaratë të Teki Dërvishit me rastin e
vdekjes së Beqir Musliut, mikut të tij të ngushtë për nga vokacioni dhe
shkrimtaria, në të cilën ai thotë: “Poeti,
romansieri, dramaturgu, eseisti dhe publicisti Beqir Musliu është përfaqësuesi
i parë i postmodernitetit në letrat shqipe…” [2]
Them se po të ishte gjallë B. Musliu, me siguri do të deklaronte se T. Dërvishi
është shkrimtari i parë postmodern shqiptar. Kur e them këtë, për të mos u
dukur kjo një kurtoazi e ndërsjellë, ne që kemi bashkëkrijuar në atë kohë kur
ata i kanë ngritur kullat e tyre prej
arti të veçantë, them se T. Dërvishi
është borgesisti i parë, B. Musliu është surealisti i parë, ndërkaq të dytë tok
me M. Camajn, janë postmodernistët fillestarë në letërsinë tonë. Në të
vërtetë, pa kurrfarë droje dhe hezitimi them se emrat dhe veprat letrare të
këtyre dy individualiteteve, shumë të veçanta dhe të rëndësishme, bashkë me veprën
e M. Camajn, shënojnë fillimin e epokës së postmodernizmit të letërsisë
bashkëkohore shqiptare[3].
[1] Shif: Iser, W. Procesi i leximit, qasje
fenomenologjike,Teori dhe kritikë moderne, Prishtinë: Rozafa, 2008
[2] Shif te: Beqiri, Sh. Dhembja e jetës e kthyer në poezi; Deklaratat e shkrimtarëve me
rastin e vdekjes së shkrimtarit B. Musliut; Eurozëri,
Zyrich, nr. 28. VII, 1996
[3] Kjo temë është temë e hapur dhe studjuesit mund të kenë qëndrime të
ndryshme jo vetëm rreth kësaj teme, por edhe rreth shumë temave të tjera,
alternative, për çka mendimet e kundërta duhen mirëkuptuar. Megjithatë,
këmbëngul në tezën për të cilën e kam zhvilluar gjithandej jo vetëm këtu dhe në
këtë libër.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen