Samstag, 13. Juli 2013
Cikël poetik nga Qemajl Juniku
Qemajl Juniku
JEHONË ZHGËNJIMI
Ky tik tak sonte
Zemrës së mallit
Më bënë më të vjetër
Se dashuritë e mia të vjetruara
Mendimet më kalamenden
Dallgëve të monotonisë
Kujtesës së zhgënjimeve
Në cilën shkallë dështuese arrita
Për tu ngjitur litarit të shpresave
Urave të rrënuara të kaloj
Çudi
Kaq shumë e urrej atë që dashurova
Kaq shumë e dua atë që e urreja
Ec mbi skeletet e dashurive të mia
Qullë jam bërë nga ky shi mallkimi
Ankth
E jehonë zhgënjimi
JETA MASKENBALL DJAJSH
Valëvitëm me kokëdhembjet
Djajtë zgërdhihen rreth meje e vallëzojnë
Unë palaço i kohës
Ndërtojë lapidarin e drejtësisë
Maskat me rrotullohen për rreth
Krismat vrastare ushtojnë
Valëvitëm në prush të jetës së kallur
Lugetërit vallëzojnë rreth meje
Arenë trathëtie është jeta than
Mos kuko fati yt është lodër
Valëvitëm e valëvitëm
Lugetër,djaj e maska
Jeta maskenball djajsh
EDHE VDEKJA DO TË DEHET
Nëse përmallohesh për buzëqeshjen
Tonë të parë
Buzët e terura m`i qullos
Ta këndoj këngën e behareve të ikura
Të kujtohet
ferku agullimës
puthja jote zjarr
kurora e kujtimeve rinore
puhizave të behareve afsh
malli që përvëlon
Nëse përmallohesh për ledhatimin e parë
Mi fshi djersët e ballit pellg i valë
Lehtas ta prek kaçurrelen tënde të thinjur
Le të dehet edhe vdekja
Gostisë se zhgënjimeve mikeshë
AI NUK KËNDON MË
(Mikut tim dhe këngëtarit Esat Bicurri )
Nuk këndon më me zërin plot afsh
Kitarë e vjetër gjëmon
Si zog i plaguar degëzave të thara
Pranverave të verdha
Ah
Ai nuk këndon më
Me shpresat e dashurive shpirtit
Me dallgët e gëzimeve rinore
Për të lulëzuar trëndafilat
Për tu llastuar puhitë
Ai nuk këndon më
Me gurgullimën e krojeve kristal
Gjelbërimeve të Çabratit të pikëlluar
Për ëndrrat e vrara të jetëshkretës
Syve të rreshkur t`atdheut
Ai nuk këndon më...
PYETJE
Ke dëgjuar ndonjëherë
Mikeshë
Si kukon dashuria
Flakëurrejtja si të përflakë
Balli si të djersitet nga turpi
Zemra si të copëtohet në njëmijë copë
Nga trathëtia
Mikeshë
Ke parë ndonjëherë
Si pikturohet pikëllimi
Me ngjyra malli
Shpirti si rënkon
Buzën si bëhen eshkë
Mikeshë
Puthjeve të akullta
Ke dëgjuar ...
REKOMANDIM
Bëhu djall ndonjëherë
Gjarpërinjtë engjëj kur të bëhen
Të mos verbohen sytë
Kur tik taku i orëligës tingëllon
Bëhu flluskë sapuni e tretu
Morti të mos ngulfat
Bëhu dritë n`aurorë
Furtuna kur ta derdhë frikën
Errësira fanarët e jetës i fik
Bëhu ç`fardo miku im
Kësaj kohe të çmendur
Vetëm kob jo
AJO
Në pellg lotësh rinor
Tretet
Bëhet flutur e harlisur
Lulishteve pranverore
Këngë bilbili n`aurore
Në dallgë e dashurie
Shndërrohet
Herë bëhet buzagaz i vashës nëpër puhiza
Herë puthje e zjarrtë djaloshare
në takimin e parë
flet me gugim pëllumbash
Cicëron me zë kanarinash
E shkrihet
Thellësive të ëndrrave
Afshit të shpirtit tim
N`AGONI
Kur t`më krisin rrufet lules së ballit
Ëndrrat nuk do ti shkrumbojnë
Se prush i gjallë jam bërë
Edhe kur durimi të më soset
Hijen time të braktisur do e kërkoj
Për veten time të harruar ta pyes
Për pëllumbat e tretur mjegullnajave
Cepit të buzëve eshkë
Gjelbërimeve të verdha vaj
Rinia e venitur kotet
Buzëqeshjet e ngrira çative të jetëdhembjeve
Biografia e dashurive ditar i grisur
Edhe kur bubullimat e ankthit
Lodrojnë ethshëm
Gota e ardhmërisë copëtohet
Do zhagimet rrugëve gjembore
Deri te gërgëlatjet e gëzimeve fëmijërore
Sa të bëhem hi n`agoni
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen