Samstag, 13. Juli 2013
Cikël poetik nga Nijazi Jahja Mripa
Nijazi Jahja Mripa
NGA DITA NE DITE
Pergjova nen maske
Dhe nuk gjeta asgje,
Fytyra shnderrohet
Ne nje rol bosh
Te rrjedhes neurotike.
Aktori i perkulet
Publikut te painteresuar
Dhe i peshtyn ne fytyre
Regjisorit te pergjumur
Eshte nje bis tanime i pare
Tanime i kthyer sahere
I tmerrshem dhe i pashmangshem
I (P)Rritjes se perditeshme …
MITROVICA ALLAJAPONEZE
1.
Bora ka nis me u shkri
Në Mitrovicë asgjë e re
Barrikadat janë ngri
Rrëmet në Urë.
Imitatorët luajnë
Me trupin e vet
Ura e Re
Barrikada seç krikllon
(nën te e Vjetra)
Përbri Urës
vajza e re pret-
E ngroh dielli
Nuni pisket:
''Hajde,vetëm edhe një ...''
Karrotë të fundit!
Madje as para Mbretit
hakubeti s’e hjekë
kapelën e kashtës
Zotëriu i Madh
para Urë-Barrikadës
(nuk) zbret nga kali
Porsi njeriu
Hakubeti në Dritë Hëne
- prekëse,trishtuese.
Eh!qekjo mizë
- mjaft e dobët në kërcim
Edhe më mahnitëse!
Qysh moti
këndon Lauresha,
dhe nuk ndalet…
2.
TREPÇA
''Trepça'' në Veri
Dimër e Verë ''Trepça''
Dhe në Jug ''Trepça''
NORTH
Dimri i ''gjelbër''
e vazhdon moskuptimin
mrekullueshëm
(NUK)MUNDEM
Çfarë do më shumë :
tokën akull ta rregulloj
si një origami
STONE
Dhe qëndron guri
duke rrëfyer diellit
përralla nate
TREPÇA – 2
Dje Eldorado
Dinozaur tashpërtash
E Nesër ...Mjegull
XXX
Stinë pas stine
bisedoj me pikëllimin
këmbët rëndohen
DARK
Në padituri
të borës së hijeve
s'digjen qirinjtë
VERI(U)
Fryn dhe fryn Veri
Dhe ky Çoban njeri
Veç kqyrë seri
BLUE
Parashikim blu
për mbarë hapësirën
e paqes së ftohtë
URA
Dimër e Verë
Dashuritë dhe Ndarjet
Ura numëron
Mitrovicë e Veriut,
30 dhjetor 2012
SHIKIMI I MITROVICËS
Po më humbin shikimet,jo larg më fluturojnë
te gurët,te plepat ... te Mulliri Vjetër që ende PUNON,
te patat e Ibrit që dimër e verë këtu notojnë;
atje ku zogjtë edhe në muzgun e ditës këndojnë,
për shkak t'plagëve t'rënda edhe dielli larg nesh qëndron ...
Vetëm mendimet e dijnë deri ku shikimi fluturon ...
hetoj se i kam afër,derisa të mbartura me erën shkojnë
gurët,plepat,patat ... Xhamia Ibrit ezanin KËNDON ;
këta shpirta njerëzor të gozhduar nga mospuna jonë,
apo fjalët e Beshirit Plak* megjithatë qëndrojnë !
Mbartur me erën,aty afër mendimet përzihen
me krahë të lehtë preken sytë melankolikë
dhe nuk ka më qartësi,shikimet më zbehen ...
Sytë në pika vese apo n'pika shiu shndërrohen ...
Këtu në Veri ... derrat n'lahutë këndojnë me thikë !
* Beshiri i Ademit (Vinarci)... Një i Urtë i cili goxha ngjarje i ka parashikuar ... mes tjerash edhe se: ''N'Ure t'Ibrit ushtart e huej,n'veri ushtart shkije e n'jug tonte''
VJESHTA NË LUGINËN E VERIUT
Dëgjoni,se qysh Veri ulërinë
nëpër shtëpitë e braktisura,
ku nuk zihet më asnjë çorbë ...
Dhe e lagësht ka ra mbi Luginë
mjegulla me shtresa të dendura ...
Me britmë fluturon një korb
dhe rreth kokës m'vërtitet shpejtë -
Qielli është i trubullt krejt.
Një cigare dredh dhe nxitoj i lagur
dhe tashmë para vetes e vërej
shtëpinë e mjerë dhe të plakur,
por siguri,ngrohtësi aty gjejë …
Alarmi ogurzi të tmerron,
mbi kulm dhe oborr rrebesh i gurëve,
ndërkaq era zymtë fishkëllon
në Luginën e Dinozaurëve …
Dëgjoni,se qysh Veri ulërinë
nëpër shtëpitë e boshatisura,
ku është koka gjithmonë në torbë ...
Dhe e lagësht ka ra mbi Luginë
mjegulla me shtresa të dendura ...
Me britmë fluturon një korb
dhe rreth kokës m'vërtitet shpejtë -
Qielli është i trubullt krejt.
1.PËRVJETORI
Ulur.
Mbështjellur me Flamur.
Një fletë e letrës
pa mesazh
dhe përshëndetje.
Zorrët e thata,
plumb të ftohta.
I dhimbshëm
Ky Përvjetor.
2.TRISHTIM
Mjegullnaja
shtrihet në mëngjes.
Nga Veriu
pa zhurmë
përvidhet
Era.
Gjak mbi qepallat.
T'mbyllura.
3.PUTHJA E MITROVICES
Nga e majta në të djathtë
vijave t'buzëve tua
fllad i lehtë
ose athua
nga Jugu në Veri
shtangim deri n'dëshprim ...
Etje për Liri o Njeri.
Andej vetëm Moskuptim,
e këndej fryn Veri ...
Mitrovicë e Veriut,
28 Nëntor 2012
NUK JAM ZOG TË FLUTUROJË
Më nuk mundem të tolerojë
Zhurmën
Qortimin, klithmën
Në veshtë e mi ende
Sikur jehonën dëgjojë
Kur dikush kërkon
Qimen në ve
Do të gjejë diçka gjithmonë
Vërtetë,kam dëshirë të fluturojë
Lart,larg
O ç'ëmbëlsi
Por nuk jam zog
S'kam kënaqësi
Me thërrime
Mitrovica ime
Mitrovicë e Veriut,
Në Ditën e Flamurit
SYMBYLLAZI
Malli vezullon.
Ëndrra dridhet.
Pret ditën.
Jeta fluturon.
Pilot ka imagjinatën.
Dashuria mbetet.
***
Kështu bëjë skica.
Dhe pastaj,pastaj të vizatoj.
Shkronjat e zhgëndrrës,
në qëndismen e ëndrrës.
''... ndahet Mitrovica''.
Të të mbajë provojë.
SI SHIGJETË E THYER
Si shigjetë e thyer
që askujt s'i hy në punë
Si kalorës i vetmuar
... pa kurrfarë caku
Si reja e zezë
në detin e pafund
Si anija e ngecur në cektinë
Si hija në natën e zezë
dhe si telefoni që nuk cingërron
Ja,kështu ndihemi ... në Veriun tonë !
PROVOJ TË PIKTUROJ
Në pëlhurën e (pa)dukshme
hedh të argjentën dhe të arten,
lejoj qiellin e kaltër te ndriçoj,
ndërmjet patave dhe reve
atëherë derdh edhe gur e ujë,
pastaj Rrotën e Mullirit
dhe Minaren e Xhamisë,
ngjyrën zi -kafte të kores së plepit
dhe mbi te gjitha këto
mbështes dorën time -
sepse më kot provoj
Urën e Ibrit ta pikturoj !
KUR KËNGA (NUK)MBARON
Kur kënga qetësohet fytyrën tënde kërkoj
në farën e ëndrrës ku zgjohet një gëmushë
...sikur Drita e hënës Luginës të kalojë
si një vals mbi ballin tim të zjarrtë prush
Kur kënga vdes sytë tu i kërkoj
në puhi që përvidhet si Hënë e plotë netëve
gjumashe mbi fushat që i ëndërroj
... sikur perdet të lëvizin nga buzëqeshja e engjëjve
poshtë Luginës netët kristalore dot s'i shpjegojë
Kur zërat zhyten në përqafim të përrallave
sikur dikur pajtonat në shpatet me dëborë
përvidhem me frymën e gënjeshtrave
si një flutur nga ana tjetër e kohës pa Orë
... sikur valsi i padëgjueshëm pranë fushave të Sitnicës
valojnë floktë tu me mallin e zemrës së Mitrovicës
NOKTURNO E HUTAVE
Për hutat
Dita e gjatë fillon me të errësuarit ...
Me të mërrolurit ...
Me zgjerimin fantazmatik të bebëzave boshe
Llahtaria si fetus kruspulloset
Në fuqinë dhe stabilitetin e vet.
Si mëshira rreth një funerali
Rreth shpirtit pështjellet
Pastaj dridhet,shkurt shkundet,
Fusin kokën në qafën me pendla shkëlqyer
Dhe tërë dinamika tashmë është kryer.
Më vonë,krijohen vetëm parandjenjat e çmendura
Dhe në qetësi instiktet e përgjakura ...
Të përqëndruara
Të mëparshmet duke i përthyer.
Aty-këtu kohpaskohe dëgjohet hukatja e përgjumur
Që detyron kalimtarin të ndalojë
Dhe të kthen kokën mbrapa në llahtarinë e papritur,
Ndërkaq për kurrfarë frike nuk ka nevojë.
Sepse kjo është hukamë e vjetër
Dhe asgje nuk do të ndodhë
Në një moment tjetër.
Vetëm se krijohen parandjenjat e çmendura
Dhe në qetësi instiktet e përgjakura ...
Të përqëndruara
Të mëparshmet duke i përthyer.
Këngë nate e përkryer
E akorduar e vetëneverive
Errësirave dhe mjegullave,
E pëlqyer apo e ndyer
E Jugut apo e Veriut
Nokturno jo alla Chopin vërtetë
Po të ishte në formën e njeriut
Ndryshe do ta quaja poet.
(A) DEL YLBERI PAS SHIUT ?
Kur nata fuqishëm t'përqafon
me ofshamën e k'naqësisë,
dhe si me dara të shtrëngon
me duart e territ dhe t'zisë -
çdo asht të trupit ta dërmon.
Dhe lart kah yjet shikimi
në dritaret e ënd'rrave,
me fjonga i lidhur mendimi
për botën e përrallave,
për paqe - thirrje qet'simi.
Thundrat me pluhur gri s'presin,
kalorës të njëjtë prore
nga veriu n'galop zbresin,
veshur me t'zeza parzmore
te Ura ndalen dhe mbesin.
Shamit'e korbave n'lotë,
tregishtat këndojnë me thikë,
çiftelia ... trimat e kotë ...
dielli e mori at’ frikë …
Pas shiut del ylberi n'mot …
KINSE DITIRAMB
Ibri gurgullon,
zemra ime sillet
me Mullirin,
derisa nxehtësia e Diellit
vjen me pranverën e vonshme.
Vajza e mullisit Harap
vallëzon me lulen në flokë,
fluturat e Parkut ja mbajnë zhagun.
Dhe në më jep një puthje
lumturia ime do të jetë e plotë,
si një pikë vese në petal.
E PRANVERËS KJO DITË
MËNGJESI.
Prej s'largu frikshëm
Alarmi i mërzitshëm...
Druri i akacjes kundërmon,
Dielli i posadalur ndriçon.
Era zbret në kurorë
Mullizeza në degë këndon,
Fëmijët dalin n'oborr,
Bari me fluturën vallëzon.
(Në bangë qëndroj,
Lojën e fëmijëve shikoj.)
MESDITË.
Patat e Ibrit angullojnë.
Diellin kush e zuri ...?
Nis i imtë një shi,
Pikat që pikojnë
Gonxheve ja dhuron,
I akacjes druri
me lule e pikturon.
(Hyri gëzimi
n'flokët e mi.)
MBRËMJE.
Ndaloi dhe shiu,
Yjet vezullojnë,
Qetësi,hëna mbiu.
Fëmijët ëndërrojnë
Lulet që Liri frymojnë.
Mullizeza ëndërron:
E vetme mbi dru qëndron ...
I thonë Pranverë.
(Mendimet e mia
Mbyten në terr.)
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen