Freitag, 12. Juli 2013

Jeton Kelmendi

Jeton Kelmendi, poet,dramaturg dhe publicist, lindi më 1978 në Pejë.
Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për Komunikim Masiv në Prishtinë, kurse studimet post-diplomike në ULB- Universitetin e Brukselit (Politikat ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë). Vite me radhë shkroi dhe botoi poezi, prozë, ese dhe tregime. Është bashkëpunëtor i shumë medieve, shqiptare e të huaja, ku trajton çështjet të ndryshme kulturore dhe politike, sidomos që kanë të bëjnë me raportet ndërkombëtare. Si emër Jeton Kelmendi u bë i njohur për lexuesin në Kosovë me përmbledhjen e parë me poezi “Shekulli i premtimeve”, të botuar më 1999. Në vijim botoi edhe një serë librash të tjera. Poezitë e tij u përkthyen në më shumë se 22 gjuhë të huaja, u botuan në disa antologji ndërkombëtare. Është njëri nder poetet më të përkthyer shqiptar. Ai është përfaqësues i denjë i poezisë moderne shqiptare është thënë nga kritika letrare. Kelmendi është anëtar i disa klubeve ndërkombëtare të poetëve dhe bashkëpunon me disa revista letrare e kulturore, sidomos në gjuhët angleze, franceze dhe rumune. Qenësia e punës së tij në fushën e artit letrar është kujdesi që i kushton të shprehurit poetik, shtjellimit modern të tekstit dhe thellësisë së mesazhit. Në krijimtarinë e tij veçohet sidomos lirika e dashurisë dhe vargu eliptik i ndërthurur me metafora dhe simbole artistike. Është veteran i luftës që bëri UÇK-ja më 1998 -1999. Ka marrë shumë mirënjohje dhe çmime ndërkombëtare dhe kombëtare.  Aktualisht punon dhe jeton në Bruksel.

Tituj të veprave:
  • Shekulli i Premtimeve, 1999, poezi
  • Përtej Heshtjes, 2002, poezi
  • Në qoftë mesditë, 2004, poezi
  • Më fal pak Atdhe, 2005, poezi
  • Ku shkojnë ardhjet, 2007, poezi
  • Zonja Fjalë, 2007, dramë
  • Erdhe për gjurmë të erës,2008, poezi
  • Koha kur të ketë kohë,2009, poezi
  • Rrugëtimi i mendimeve,2010, poezi
  • EU mission in Kosova after its Independence, 2010, SHBA
  • Misionet NATO-s dhe BE-së, kooperuese apo konkurruese 2012 politikë SHBA
  • Kohë e keqe për dijen 2012, publicistikë
  •      
    Libra në gjuhë tjera
  • Ce mult s-au rãrit scrisorile / Sa fortë janë rralluar letrat, antologji personale në gjuhën  rumune, 2008,
  • Breath / Fryma, botuar në Indi, 2009.
  • Dame parol/drama; botuar në Francë, 2011
  • COMME LE COMMENCEMENT EST SILENCIEUX /(Ku fillon heshtja), poezi; Paris, Francë, 2011
  • ΠΟΥ ΠΑΝΕ ΟΙ ΕΡΧΟΜΟΙ/ (Ku shkojnë ardhjet), poezi, Greqi, 2010
  • Wie wollen /(Si me dashtë), poezi, Gjermani, 2011
  • Nasil sevmeli /(Si me dashtë) poezi, Turqi, 2011
  • A Palavra Evitou o Silêncio/(Fjala kapërcen heshtjen) 2009, Brazil
  • How to reach yourself/(Si ta takosh vetveten), poezi, SHBA, 2010
  • Frau wort  (Zonja Fjalë) Dramë Gjemani 2012
  • "فواصل للحذف " (Tri eliptikat) Poezi Egjipt 2012
  • НА ВЕРХІВ’Ї ЧАСУ (Në krye të kohës) Poezi Ukrainë 2012
  • в зените времени истлевшего (Një varg maje kohës që iku) Poezi Rusi 2013
  • 34首封面 (34 poezi- poemus) poezi Kinë 2013


  • Poezi nga Jeton Kelmendi

    ZONJA FJALË E ZOTËRI MENDIM

    1

    Kam fol pak
    Ndryshe
    Tepër ngadhënjyeshëm
    Zonjushe
    Por them
    S’ma merr për të madhe
    Fundja fjalët e një poeti
    Janë
    Dhe ti e dinë se lejohet
    Mendimet e veshura me i zhvesh
    Cipë cullak
    E të zhveshurat
    Me i veshë me kostume të qejfit tëm

    Ose
    Nëse për ty ka mjaftuar
    Të them të dua
    Atë që ja thotë gjithkush
    Gjithkujt
    Edhe burri gruas vetë
    Zonjushe
    Unë kam krejt tjetër mendim

    2

    Sikur
    Mendimi s’ka vlerë pa fjalën
    Apo fjala
    Ç’thotë pa e lodhur mendjen
    Shpirt njeriu
    Ti je zonja fjalë
    E unë zotëri mendim

    Krejt kështu i kam pa
    Vetën me ty e ty me mua
    Bile
    Edhe këtë formulë dashurie
    Gjithandej
    Nëse ka mbet ku pas
    Modernizimit

    Prandaj
    Zonja fjalë je e bukur
    Kur zotëri mendimi
    Ta jep bukurinë

    3

    E hë de
    Duhet m’u pajtua se
    Heshtja
    Na vëzhgon ankthshëm
    Çka po bëhet me ne

    Po nejse ma
    Zonja fjalë
    Dua me të puth tash
    Veç një herë
    Se e dyta e treta
    Nuk e di si vijnë

    Liria le të rrojë e lirë

    Edhe fjala
    Edhe mendja
    Le të flasin çka
    Të duan
    Unë
    Tani dua puthjen e parë


    MONALIZA

    Ajo është gjallë heshtë
    Hijeshim
    Me shpirtin e qetë
    Ruan një ofshamë jetike
    Për të mistershmen

    Rrinë përmotshëm bri
    Murit e i shikon njerëzit
    Në fytyrë
    Pa u folur

    E se len as pa u fol

    Pa ritet e zemrës rrah
    Në zemrat tjera
    Merr me vete
    Pikën tonë të syve

    Bash
    Ajo është femra
    Që i kaloj krejt kënaqësitë
    Se të hynë në sy
    E të jep
    Kënaqësi

    Verë 2006, Paris


    AMORFE

    Asgjë për gjithçka apo gjithçka për asgjë

    Matanë vetës aman
    Kur i doli fjalës
    Shpirti
    Pse lejon zoti i saj

    Enigmën e Pegasit të dritës
    E preku hëna e vetmisë
    Me hapin tjetër shkel
    Të nesërmen
    Bukës e ujit s’ka mbetur m’u besua
    Etja as uria

    Në fushën e një fjale
    Atdhe
    Sa kushi kulloti e piu
    Pse lejon zoti i tyre

    Në muret e durimit
    Sa heshtja u përplas
    Neveria na çmendi për ty nostalgji
    Të sotmen për nesër e lamë
    Edhe ne
    Pse ma lejon zoti ynë

    Gjithçkaje s’po të them asgjë
    Ke me pa kur të dalim
    Në anën tjetër


    FJALA KAPËRCEU HESHTJEN

    Dje jam mësue
    Me heshtë
    Me folë pak
    Jam mbush frymë t' idhnimit
    Zonave të këputuna
    Syve tu
    Kaherë kam nis me ardh
    P’ej teje
    Me t' folë heshtun
    Me t' kallxue
    Për ty e
    Për veti
    Dje jam hamendun
    Me t’thanë
    Se je
    Buka e vargjeve
    Uji i fjalës
    Unë për ty
    Kanga më e këndueme
    Prej motit
    Dje kam dashtë me heshtë
    Me folë pak
    Me u ba hije
    Me ta zanë dritën e diellit
    Kam dashtë
    Me i kapërcye
    Vakitë
    E krejtë njerëzimit
    Dje kam pa
    Si mundem
    Me u gjetë
    Ma p’ej teje
    Heret a vonë
    Dje
    Jam mundue
    M'u gëzue ma së shumti.

    maj 2005, Prishtinë


    UDHËPËRSHKRIM

    Aty nis e perënduar heshtja
    Si në gjysmë të natës e shtuna
    E diela e fjala e dhënë
    Presin me u pa me ne
    Gjithçka perëndoi dje
    Dikujt i ra harrimi
    Lirika e këngës, as zëri i Lahutës
    Nuk dëgjohet më në kullën e gurit
    Moti bënë
    Si në më të madhin dimër
    Aty nis perënduar edhe stina
    Këto janë ditët tona
    Rrjedha e kohës lirikë dashurie
    Dhunti e Zotit
    Nuk ndërrohet vargu
    Se ka gjak fjala
    Ka hyrë në lojën
    Që luhet rrallë
    Luhet pastaj plaket bukur

    13 shkutrt 2004


    NËN HIJEN E KUJTIMIT

    Të kisha thënë diçka të harruar
    Atë që s’të kujtohet as nesër
    Harrimi bëhet gjithnjë e më i vjetër
    Atëherë kur rrugëton heshtja
    Te lisi i tharë prej diellit
    po të pres
    në radhë me vargun
    e varur në cikol të mallit
    Aty pritet vetëm e dashura
    e unë u ula me pushua
    M’u shterë vjeshta ose ra drita
    Provova me t’ thënë diçka

    Qershor, 2004

    Keine Kommentare:

    Kommentar posten