Freitag, 21. Juni 2013

Figura të ndritura të Çamërisë

 Nga Nexhat Merxhushi

Në jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë, na mbetet vetëm të kthejmë sytë edhe nga Çamëria, kjo krahinë e martirizuar, që mbeti jashtë tokës amë. Më 28 Nëntor të motit 1912, Çamëria ishte pjesë e panteonit të nënshkrimit të aktit të madh të pavarësisë edhe nga firmëtarët e saj, të paharruarit, Veli Gerra nga Gumenica, Jakup Veseli nga Margëlliçi, Rexhep Demi nga Filati dhe Aziz Tahir Ajdonati (Çami) nga Paramithia. Këta nënshkruan aktin solemn që përgatitën patriotët çamë.


Abedin Pashë Dino (Preveza)

Ëndrrën për ta parë Shqipërinë të pavarur, nuk arriti ta përjetojë kjo figurë e shquar, që dha kontributin e tij të madh, gjatë rrugëtimit për realizimin e saj. Por aktiviteti i tij njihet aq pak, sa edhe ne shqiptarët e sotëm, nuk mund t’ia përkujtojmë jo ditën, por as vitin e vdekjes. Na vjen çudi që është injoruar aktiviteti politik dhe atdhetar i Abedin Prevezës dhe është vlerësuar vetëm si një patriot me përmasa lokale. Ai vendosi gurin e parë në jug të Shqipërisë në rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte gjithë shqiptarët myslimanë dhe të krishterë drejt qytetërimit europian.

Abedin Preveza lindi në Prevezë më 5 prill 1843. Ishte i biri i Ahmet bej Dinos (1785-1849) që kishte marrë pjesë në kryengritjen kundër Tanzimatit më 1847, nga ku doli kërkesa për vetëqeverisje, siç thotë Sami Frashëri. I ati, më vonë, u internua në Konjë të Anadollit, ku dhe ndërroi jetë. Në biografinë e shkruar nga vetë Abedin Pasha, më 25 qershor 1888, ai krenohet që “i përkiste njërës prej familjeve fisnike të Shqipërisë, që i takonte popullsisë çame të saj.” E ëma, Saliheja, i përkiste familjes së mirënjohur atdhetare nga Margëlliçi, Çapari. Sipas prof. doktor Hasan Kaleshit, filloren e kreu në vendlindje, në Prevezë. Të mesmen në Janinë, në gjimnazin e mirënjohur “Zosimea”. Shkon në Stamboll, por prapë kthehet në vendlindje me detyrë ndihmës i mytesarifit dhe i kajmekanit të qytetit. Ishte politikan dhe poet. Ka shkruar prozë dhe poezi në gjuhën turke dhe ka botuar në gazetën greke të Stambollit, “Neo Logos” ( Hasan Kaleshi, “Jeta dhe vepra” fq. ‘92-‘93). Krijoi Komitetin e Vetëmbrojtjes në të katër vilajetet shqiptare.

Më 30 maj 1987, krijoi Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ku morën pjesë patriotë të mëdhenj, si Abdyl e Sami Frashëri, Vaso Pasha, Zija Prishtina dhe Jani Vreto. Në krye të veprimeve në jug qëndronte Abedin Dino. Komiteti u ngrit mbi bazën e një parimi të vetëm: shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi, duke shpallur katër vilajetet shqiptare, si autonome, ku në gurë të themelit qëndronte, “Ne duam të rrojmë në paqe me fqinjët. Jemi krejt të vendosur për të mbrojtur deri në fund çdo gjë që është e jona. Toka shqiptare t’u lihet shqiptarëve”. Për këto vlera të shquara, Abedin Dino caktohet nga kryesia e Lidhjes, krahas Abdyl Frashërit, Iljaz Pashë Dibrës, Hasan Pashës, Mihal Kristos, Mehmet Ali Vrionit, Mustafa Tetovës, Mustafa Pashë Vlorës dhe Sabri Beut, për t’i paraqitur qeverisë osmane memorandumin, ku kërkohej njohje e Shqipërisë si vilajet autonom. Lidhur me këtë, Abedin Dino, më 1877, organizon në Janinë “Komitetin e Shpëtimit Ushtarak”. Në biografinë e Sami Frashërit thuhet: “Nga mesi i vitit 1877, u ktheva në Janinë dhe nisa të punoj si sekretar i Komitetit Ushtarak, të kryesuar nga Abedin Dino.”

Avdyl Frashëri, në letrën e 20 dhjetorit 1878, dërguar nga Janina, Iljaz Pashë Dibrës thotë: “Shkova në Prevezë, Abedin Dino si edhe të tjerë bejlerë të parisë së Çamërisë, u gëzuan fort për bashkëpunimin e plotë dhe për vendimet e Lidhjes”. Më 20 qershor 1877 disa personalitete shqiptare të Stambollit dhe midis tyre edhe Abedin Dino, i dërguan një memorandum proteste Kryeministrit gjerman, Bismak, Andrashit (përfaqësues austro-hungarez), Vandingtonit (përfaqësues i Francës) ku ndër të tjera thuhet: “Do të fillonim të flisnim, për histori, për gjuhën dhe etnografinë, për të provuar ekzistencën e Shqipërisë, por ne mjaftohemi të tregojmë këtu, kufijtë e Shqipërisë që fillojnë nga Tivari, Shkodra, me të gjithë malet e banuara nga katolikë: Peja, Kurmushlia, Leskovaci, Vranja, Manastiri, Follorina, Kosturi, Grebeneja, Pindi, Kalarita, Narta dhe mbarojnë në Gjirin e Ambrakisë dhe nuk lejojmë aneksimin e këtyre trojeve nga cilado forcë e fqinjëve dhe jemi gati të biem fli të gjithë”.

Konsulli francez në Selanik, Krajevski, tregon se kjo veprimtari nuk është e fshehtë: “Të gjithë janë në dijeni se është një nga krerët e Lidhjes Shqiptare, Abedin Dino”. Memorandumi përfundon me fjalët: “Populli Shqiptar proteston para Europës kundër aneksimit qoftë dhe të pjesës më të vogël të territorit të vet, prej një kombësie tjetër cilado qoftë dhe deklaron se është gati që të bëjë fli të gjitha forcat e veta jetike dhe ushtarake për mbrojtjen e këtij vendimi të lartë, gjë që e quan një detyrë të shenjtë, …nga e drejta e vet dhe nga nderi i vet kombëtar”. (Politisehes Arehiv des Auswartingen Amts. Aktet e kongresit Berlinit, 1878, dok. Nr. 86).

Ndërsa Anastas Kullorioti, arvanitasi rilindës, shkruante në gazetën e tij “Zëri i Shqipërisë” që botohej në Athinë: “Abedin Dino është shpirti dhe zemra e Lidhjes. Është thjesht shqiptar nga zemra. Nuk bën asnjë dallim në mes shqiptarëve myslimanë dhe ortodoks, i quan të gjithë vëllezër. Abedin Dino dhe Sami Frashëri janë një shembull i madh i përparimit të shqiptarëve në qytetërim. Kurse atdhetari Dervish Hima, pas vdekjes të këtij patrioti të madh, shkruante në revistën e tij, “Shqiptari i Ilustruar”, se “I ndjeri Abedin Dino, nga paria e Çamërisë, përfaqëson një nga figurat më të nderuara të popullit fisnik shqiptar. Kur “qeveria shoveniste greke e Harrilla Trikupit, organizoi një zbarkim nga Korfuzi me 760 andartë grekë, dhe u orvatën të ngrinin në Lëkurës të Sarandës flamurin grek, nga 12 shkurti deri me 23 shkurt 1878, u ballafaquan me forcat e Abedin Dinos prej 400 trima çam e lebër dhe u shpartalluan”. (Tiso-Athinë, janar 1879)

Në komisionin tre anëtarësh për caktimin e kufijve, shpirti i bisedimeve ishte Abedin Dino. Hasan Kaleshi citon: “Në fund të vitit 1878, Abedin Dino dërgohet në Shqipëri si komisar i komisionit për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Berlinit, duke i dhënë Greqisë territore shqiptare. Por ai së bashku me Abdyl Frashërin, Mehmet bej Vrionin etj., mblodhi rreth vetes prijësit shqiptarë me 30 mijë forca, për të penguar dhënien e territoreve shqiptare. Në këtë kohë, vilajeti i Janinës nuk iu bashkëngjit Greqisë. Në fillim të qershorit 1880, Abedin Dino thirret në Stamboll dhe i jepet titulli Vezir. Më 10 qershor të këtij viti, emërohet në postin e ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë. Të gjithë dyshuan për këtë emërim, sepse ai njihej si një nga krerët kryesorë të Lidhjes. Në notën e 26 korrikut 1880, dërguar fuqive të mëdha, ai, midis të tjerave thotë: “Turqia nuk mund të pranojë vendimet e konferencës, se nuk do të ishte në gjendje t’i zbatonte, pasi Lidhja kishte fuqi të armatosura e s’donte t’ia dinte për vendimet e saj”. (Xhaferr Begu “Lidhja e Prizërenit, fq. 160”). Në fund të jetës së tij, Abedin Dinon e hoqën nga Rodosi për ta ngarkuar në Kryeministri. Në vitin 1905 vdiq papritur në Pallatin e kobshëm të Jelldizit. (Dervish Hima “Shqiptari i Ilustruar”.)

Gazeta “Dielli”, në prill 1909, shprehet me ironi të hidhur se Abedin Dino ka “pirë kafen në Jelldiz Qoshk”. Emri i Abedin Dinos ka zënë vend në disa gazeta në diasporë. Emri i Abedin Dinos ka zënë vend në enciklopedi të huaja, si turke, greke etj. Vetëm në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, emri i tij nuk figuron! Populli i Margëlliçit dhe Arpicës i këndon dhe i ka thurur vargje këtij atdhetari.


Hasan Tahsini

Një figurë e ndritur, por në një linjë tjetër, shumë të rëndësishme është edhe Hasan Tahsini (Hoxhë Tahsini). Çami intelektual, u përfshi në krijimin e alfabetit të përbashkët të shqipes, themelues i shoqërisë së të shtypurit të shkronjave shqipe në Stamboll, frymëzuesi kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, rektor i parë i Universitetit të Stambollit, mik i ngushtë i vëllezërve Frashëri, Jani Vretos, Ismail Qemalit dhe njëkohësisht mësuesi i tyre. Vetë Sami Frashëri do të shprehej: “Njerëz si Hoxhë Tahsini, 1 në 1000 vjet i vijnë Shqipërisë”.


Sabri Preveza

Financuesi i gazetave që botoheshin jashtë vendit, në mbrojtje të interesave kombëtare si “Drita” e Sofjes, “Liria” e Selanikut etj., ishte dhe Sabri Preveza. Kur u caktua mësues në gjimnazin turk të Prevezës, ishte ndër të parët që dha mësim në gjuhën shqipe. Me shpalljen e Pavarësisë u vendos në dispozicion të qeverisë së asaj kohe.


Asaf Ajdonat (Çami)

Veprimtar i shquar i arsimit shqiptar (1888-1965). Lindi në Paramithi, ku qysh në vogëli u rrit me ndjenja patriotike. Kreu studimet e larta për mjekësi (kirurgji). Ngriti klubin e Paramithisë dhe Margëlliçit, së bashku me patriotin Spiro Çalluka. Organizoi qëndresën heroike në Shkallë të Paramithisë, kundër forcave pushtuese greke, më 1913. Pas pushtimit të Çamërisë nga Greqia, Asafi u vendos në Konispol, ku shërbeu si mjek në dobi të banorëve, pa pagesë. Ngriti shoqërinë “Vëllazëria Çame” ku u zgjodh kryetar i saj. Më 23 qershor 1921 i dërgon një letër sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, nga “Përfaqësuesit e Komiteteve të Bashkuara Shqiptare, Kryengritës të krahinave të veriut, të Shkodrës, Kosovës, Çamërisë dhe Janinës”. Kjo letër është në mbrojtje të interesave kombëtare, nga synimet grabitqare të fqinjëve. Është firmosur nga Asaf Çami, Bedri Pojani, Kol Batri (marrë nga shoqata kulturore shqiptare, “Migjeni”, Ljubjanë 1990). Shok i Muharrem Rushitit, Riza Cerovës, Salih Çekës, Omer Nishanit.


Musa Demi

Figurë e rëndësishme e Rilindjes Shqiptare, i cili krahas patriotëve të tjerë të Çamërisë, si Mehmet Zeirai, Mehmet Sejko etj., morën pjesë në kryengritjet e organizuara nga Çerçiz dhe Bajo Topulli. Ky grupim u quajt “Klubi i Filatit”, ku më vonë u lidh me Klubin e Manastirit dhe të Paramithisë, të kryesuar nga Rasim Dino.


Spiro Calluka

Lindi në fshatin Potam të Paramithisë, më 1887. Më vonë u vendos me familjen në Paramithi. Kreu studimet për drejtësi në Athinë. Pas studimeve, filloi punë si avokat në këtë qytet. Kishte njohje me Ismail Qemalin, Fan Nolin, Hasan Prishtinën etj., bashkë me patriotë të tjerë ortodoks çamë, nga fisi i konomenjve, i Gliqisq, Papejtë nga Kastria, Gogozotët nga Rrapëza, që dolën në mbrojtje të tokave shqiptare nga copëtimi dhe lakmia greke. Luftoi përkrah patriotëve Damin e Tahir Mete nga Mazreku, Haxhi Braho, Iljaz Haxhiu, kundër Anadollisë.


Abedin Bako

Abedin Bako lindi në Paramithi dhe së bashku me të vëllain, Spiro Callakën dhe patriotë të tjerë, luftuan për ruajtjen e identitetit shqiptar të popullsisë çame, nëpërmjet arsimit shqip. U vra nga bandat e Zervës më 1944-n. Edhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë çamë, me penë, me pushkë dhe duke shkrirë pasurinë e tyre, punuan dhe luftuan për të mos humbur emrin shqiptar, për të qenë krenarë për emrin e tyre, duke u ndeshur dhe në përpjekje me forcat shoveniste greke, në përpjekje për të krijuar një shtet në kufijtë natyrorë, dhe kur Pavarësia erdhi në Shqipëri, kërkonin bashkimin me të, duke e quajtur xhexhe (gjyshe) ose xhexhe–xhaxheshë-xhajë, pra babë-atdhe. Pavarësia nuk erdhi në atë pjesë të martirizuar të Çamërisë.

Veprimtaria atdhetare dhe sakrificat supreme të shqiptarëve të Çamërisë, sollën një ndihmesë të vyer për pavarësinë e Shqipërisë.  Ndonëse përpjekjet e tyre në mbrojtje të trojeve shqiptare nuk u realizuan, si dhe ndodhi edhe për pjesë te tjera të tokave tona që çuan në copëtimin e Shqipërisë, lufta e tyre qe jo e vogël dhe sakrificat e gjaku i derdhur ndihmuan në këtë Shqipëri që kemi sot. Ne krenohemi me kujtimin e atyre burrave të guximshëm, që me vëllezërit e tyre shqiptarë, si në Veri, ashtu dhe në Jug, dhanë dijet e tyre, burrërinë dhe jetën, për të parë ditë të bardha të një kombi të bashkuar.

Burimi: Gazeta-shqip.com

Keine Kommentare:

Kommentar posten