Freitag, 21. Juni 2013

Sadik Krasniqi

Sadik Krasniqi

Sadik Krasniqi u lind më 1961 në Llukar të Prishtinës,diplomoi në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Krijuesve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani.(LSHKAGJ).
Jeton në Gjermani

Ka botuar librat:
  • Ofshamë në Urnë, poezi, "Faik Konica“, Prishtinë, 2008 (çmimi "Azem Shkreli“ për letërsi në mërgim)
  • Lacrima vietii-(Loti i jetës), Bukuresht 2010 (libër me poezi përkther rumanisht nga Baki Ymeri)
  • Oazë Palmash të djegura, poezi, “Faik Konica“, Prishtinë 2011.

Poezitë e Sadik Krasniqit janë përfshirë në disa antologji si dhe janë janë përkthyer në rumanisht, frëngjisht dhe gjermanisht.Eshtë laureat i disa çmimeve letrare.
Krahas poezisë, ky krijues shkruan tregime,vështrime kritike, si dhe shkrime publicistike.
Jeton jashtë atdhe.


Poezi nga Sadik Krasniqi


DËNESJE BARI

"Rrugëve kishte vetëm qen dhe policë serbë,
qyteti ishte i vdekur"*

Policët ruanin të lehurat
qentë kafshonin të vdekurit
vetëm bari dridhej nga dënesja
për vdekjen e Kosovës
e qielli si qefin i pikëlluar
binte mbi të

Humanistja franceze, Anrjeta




KUJTIM I SHASTISUR

Ende më shastiset kujtimi
për ferrin që binte në këtë qytet
e hapeshin portat e vdekjes
cerberët merrnin përkrahu
engjëjt me sytë e urtë qielli
e lotët e nënave të shkreta
u shndritnin rrugët për në parajsë

(Prishtinë, dhjetë vjet pas luftës)




U(R)NE PRANE LUMIT

Jam u(r)në gjetur pranë lumit
plot dhembje me erë ashti
Ofshamë që dridhë
një gjethë të blertë mbi valë

Në zgavrat e syve
qiell i pafund
me një pikë të zezë me flatra
e dalë nga bebëzat e pëmallta

Edhe pas dymijë vjete
hirit m´i bën hije
krahu i dallëndyshes
me fluturimin gri drejt pranvere




LUTJA

Imzot
mos më rëndo me kaq terr
udhës së mistershme
prej syve ma heq vagullinë
më jep gjak në gishta
ta prek atë rezë të brymtë
ta çel atë portë drite




PAMJA E ENGJËLLIT

Vetëm ti e unë
e shohim engjëllin tonë
përtej perdes prej loti

mbi pikëllim
bie rruga e dritës
kah vjen engjëlli ynë i blertë

me sytë prej lumi
flok muzgu
e buzëqeshje t´ëmbël

sa e flladshme puthja e prushtë
e njomë prekja e flaktë
përtej pragut të jetës

mallëngjehemi në përmallje
nga ajo urtësi
e ndahemi plot mërzi

ai bëhet prapë dritë për në parajsë
ne vijmë ne vete
dhe qajmë




UNË

Jam dre me sy engjëlli
në fushë mbi prush
kullot
blerimin e kalltë

e me mua kafshë e zezë
mezi pret të më bjerë të fikët




MUZGU

Nënë
pse këto pemë
të vrugëta
në lumë ujë i zi
udhët e mugëta

ky qiell i dergjur
pa zogj të blertë

kjo perde e verbët
në sy

muzg
nënës
muzg është

a s´ka pasur diell
kjo ditë

ah sa shpejt
nata
mbi ëndrrën time
po bie....




EPITAF

Në mes nesh
perde dheu
dhe pikëllim
me rritje bari

Keine Kommentare:

Kommentar posten