Freitag, 7. Juni 2013

"Gjenerali" popullor i uroganëve shqiptarë

Kryetrimi Isa Boletini , ka thënë: ”Një qind herë jetën e jap, por jo kurrë: /Armën, Nderin, Flamurin e Atdheun tim!/

 Nga Prof. Murat GECAJ/ publicist e studiues-Tiranë

 1.
Lumenj gjaku u derdhën nga populli  trim e liridashës shqiptar, deri sa u kurorëzua akti i madh historik i 28 Nëntorit 1912, kur Shqipëria u shpall shtet i lirë dhe i pavarur. Në ballë të sa e sa kryengritjeve masive të shqiptarëve, kundër pushtuesve otomanë, qëndruan shumë trima të ditur dhe luftëtarë trima. Me armë e me penë, me guxim e dituri, ata nuk kursyen asgjë, që të realizohej ideali ynë i lartë kombëtar.
Kur kujtojmë figurat e shquara të Kombit tonë, menjëherë mendja na shkon edhe te biri i thjeshtë i Boletinit të Shalës, në Mitrovicë të Kosovës, Isa Boletini ose, siç e thërrisnin malësorët, “Isa Begi”, për të shprehur kështu nderimin dhe respektin për të. Lindi më 15 janar 1864, në një familje me tradita atdhetare. Kushtrimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për luftë kundër armikut, çoi në këmbë edhe Isën 17-vjeçar. Shpejt u dallua kudo për trimëri dhe guxim, zgjuarësi e urtësi. Armiku pushtues e shprehu urrejtjen e madhe për të edhe kur i dogji kullën e tij, gjashtë herë dhe gjashtë herë e rindërtoi. Nuk u mposht ndaj përndjekjeve e presioneve dhe gjurmimeve, që i bëheshin nga pushtuesit gjakatarë. Ka mbetur proverbiale shprehja e tij e njohur: “Unë jam mirë, kur asht mirë Shqipnia”. Ndërsa nuk e zinte gjumi, kur shihte padrejtësitë dhe synimet grabitqare të otomanëve pushtues dhe të monarkive shoviniste fqinje.


 Drejt Vlorës: Isa Boletini, në krye të “uruganit” të luftëtarëve trima…
 2.
Në fillim të këtij shekulli, Isa Boletini u vu në krye të Malësisë së Shalës dhe bashkë me Idriz Seferin u dallua si udhëheqës i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Veçanërisht, spikati trimëria e luftëtarëve shqiptarë në grykat e Kaçanikut e Cerralevës. Shumë domethënës është epiteti, që i vuri shtypi i kohës, i cili e quajti Isa Boletinin: “Gjenerali popullor i kryengritjeve shqiptare”.
Ai udhëhoqi me trimëri luftëtarët shqiptarë edhe për të kundërshtuar synimet grabitqare, nga shtetet shoviniste fqinje serbo-malazeze etj., që kërkonin t’i copëtonin e t’i merrnin trojet shqiptare. Qëllimi i lartë, që i vuri vetes, e afroi atë me atdhetarër e shquar e udhëheqësit më në zë popullorë, ndër të cilët ishte dhe Ismail Qemal Vlora. Biri trim i Kosovës, Isa Boletini ishte përkrah tij dhe delegatëve të tjerë shqiptarë, si: Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Vehbi Agolli, Babë Dudë Karbunara, Nikollë Kaçorri, Sali Gjukë Dukagjini, Dervish Hima, Rexhep Mitriovica, Myfit Libohova, Jani Minga, Bedri Pejani, Ilias Vrioni, Dhimitër Zografi etj., të cilët nënshkruan Aktin e Madh historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe valvitën lart Flamurin tonë Kombëtar, pas 500 vjet robërie, nën sundimin otoman. Prijësi i betejave legjendare kundër pushtuesve armiq, në krye të mbi 300 luftëtarëve të armatosur kosovarë, u bë mburojë e çeliktë për zhvillimin dhe suksesin e atij Kuvendi të madh mbarëkombëtar.
Një ndër ish-drejtorët e shkollës shqipe të Korçës dhe delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, në Kuvendin e Vlorës, por dhe kryeredaktor i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”,  Dhimitër Berati (1886-1970), në kujtimet e tij me titullin “28 Nëntor 1912”, ka shkruar: “Midis shumë të tjerëve, që kanë një emër më shumë a më pak të famshëm, tërheq vërejtjen fytyra e Isa Boletinit. Në fytyrë e në shtat Isa “Begi” përmbledh vetijat e shqiptarit dhe jo më pak në jetën e tij shpirtërore. Të pamët-luftëtari, gjithmonë i vrenjtur, kurrë s’i qeshë buza, pa shkak të rëndë. I gjatë dhe i hollë, trupi është i lidhur me dej të hekurt. Dëgjon shumë dhe flet pak; s’përzihet në fjalën e tjetrit dhe, kur flet, s’ngutet. Ai s’qe njeriu i fjalës, por i punimit a, më mirë, i pushkës” (B.Gaçe, “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”, Tiranë, 1997, faqe 205)

3.
Isa Boletini është i njohur edhe për udhëtimin, që bëri më 1913, nëpër disa shtete të Europës, për të mbrojtur me çdo kusht të drejtat e ligjëshme të popullit shqiptar, të cilat donin t’i nëpërkëmbnin, armiqtë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. Shovinistët serbomëdhenj kërkonin ta largonin trimin atdhetar nga rruga e tij e luftës për të drejtat tona kombëtare. Prandaj u përpoqën, me dinakëri e me të holla, i propozuan poste e detyra, që ta afronin të bashkëpunonte me pushtuesit e rinj ose, të paktën, të hiqte dorë nga lufta e tij e vendosur. Por Isa Boletini trashëgonte cilësitë më të mira të shqiptarit, si krenarinë, besën e burrërinë etj. Prandaj, i përçmoi të gjitha joshjet e përpjekjet e armiqëve dhe, si kurdoherë, mbeti luftëtar i papërkulur, i vendosur deri në fund, që populli shqiptar të ishte i lirë dhe i pavarur. Ai i qëndroi besnik idealit të tij, betimit që kishte bërë një herë: “Unë një qind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!”
Pasi ushtritë  austro-hungareze pushtuan Cetinën, Isa Boletini kaloi në Podgoricë. Gjenerali gjakatar, Vashoviqi bëri plane për të organizuar një kurth. E lajmëroi të shkonte tek ai, por Isa e mori vesh qëllimin dhe nuk u bind. Në këto rrethana, forcat malazeze organizuan një pritë tjetër, në befasi. I.Boletini qëlloi me kobure, duke dhënë kështu sinjalin e luftës. Beteja ishte e përgjakshme dhe ai qëndroi si u ka hije trimave, deri sa ndërroi jetë. Pranë mbetën dhe djemtë e tij, nipat e disa bashkëluftëtarë. Aty, te Ura e Ribnicës, përgjithnjë u çimentuan themelet e një lapidari trimërie e burrërie, në shërbim të çështjes së madhe mbarëkombëtare, atij të 23 janarit të vitit 1916.

4.
Tashmë, është e njohur një histori nga jeta e këtij kryetrimi shqiptar, që po e ripërsëritim më poshtë. Më 1913, atdhetarët Ismail Qemali e Isa Boletini shkuan bashkë në Londër, si përfaqësues të denjë të popullit tonë. Aty do të takonin kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve, për t’i shprehur protestën e vendosur ndaj padrejtësive të mëdha, që po i bëheshin Shqipërisë. Gjithashtu, do t’ia çonin atij betimin solemn dhe të njëzëshëm të mbarë shqiptarëve, se ata ishin të vendosur, deri në fund, për t’i bashkuar trojet tona amtare, Se ato na i kishin lënë të parët tanë trashëgim, brez pas brezi. Ishte një rregull i caktuar që, para se të hynin në zyrën e sër Eduard Greit, duhej t’i lenin armët në garderobë. Këtë kërkesë ia përsëritën edhe rojet Isa Boletinit, i cili veproi po ashtu, pra la koburën në garderobën e duhur. Pas bisedimeve zyrtare, Grei iu drejtua Isës, me të qeshur: “Më në fund, zoti Boletini, atë që nuk e kanë bërë dot pashallarët turq, e bëmë ne, në Londër!” Kreshniku i Kosovës martire dhe i mbarë trojeve shqiptare e mori vesh mirë, se diplomati  europian e kishte fjalën se, gjoja, ata e paskëshin çarmatosur!? Ndërkaq, Isa Boletini e shikoi drejt e në sy zyrtarin e lartë  dhe, po me buzëqeshjen dhe krenarinë e ligjeshme të shqiptarit trim e të zgjuar, të paçarmatosur kurrë, iu përgjigj shkurt e prerë: “Jo, besa, kurrë, as në Londër!” Dhe, aty për aty, nga gjiri nxori një kobure tjetër, me fishekët në gojë!… Për brezat  tanë, ai do të mbetet kurdoherë në kujtesën  e tyre, ashtu me armët ngjeshur fort, në brez. Të tillë e kemi tani edhe nëpër fotografi, në piktura e monumente.
Marrim, kështu, nga jeta heroike e këtij luftëtari të shquar të lirisë e Pavarësisë, mesazhin e madh, që ka përcjellur historia për shqiptarët: Ata kurrë nuk do të durojnë t’i shtypin, t’i çarmatosin as t’i nënshtrojnë armiqtë, sado të fortë e dinakë të jenë. Shqiptarët “e bëjnë dekën si me le”, kur i thërret zëri i tokës amtare, kur rrezikohen seriozisht liria dhe pavarësia e tyre. Për këtë gjë flasin qartë sakrificat e shumta, që provoi, sidomos, dhe mbarë populli martir i Kosovës, vendlindja e kryetrimit Isa Boletini, “gjeneralit” të kryengritjeve shqiptare ose uruganeve popullore. Gjeneralë të tillë të shquar, ashtu si edhe Adem Jashari me bashkëluftëtarët, bënë që andej të largohen të mundur pushtuesit serbë dhe Kosova, krahas shtetit-amë, Shqipërisë, të hyjë e sigurtë në rrugën e demokracisë, e lirë dhe e pavarur.

Nga GAZETDIELLI.COM

Keine Kommentare:

Kommentar posten