Sonntag, 2. Juni 2013

Me penë, pushkë e flamur në dorë.

SALI GJUKË DUKAGJINI - ME PENË, PUSHKË E FLAMUR NË DORË
 
Sa herë afrohet 28 Nëntori, festa e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, brezat e shqiptarëve përherë sjellin në kujtesë ato ditë gjëmimtare të vitit 1912. Se ato janë të paharruara në histori, kur intelektualë e luftëtarë të shquar të Kombit, përfaqësues të popullit tonë, firmosën një Akt të pashembullt e të papërsëritshëm-shpallën njëzëri “mvehtësinë” e atdheut e popullit tonë. Prandaj ata i kujtojmë me nderim dhe përulemi përpara jetës dhe veprës së tyre të ndritur.
Njëri ndër këta atdhetarë është dhe Sali Gjuka ose i njohur dhe Sali Gjukë Dukagjini. Lindi në qytetin e Pejës, në vitin 1876, në një familje me tradita të larta atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku familja e tij u vendos si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. Pasi kaloi vështirësitë e kohës, mundi të regjistrohej student në Fakultetin e Drejtësisë, në Selanik. Pas mbarimit të studimeve, nisi punën në gjykatën e atij qyteti dhe e vijoi veprimtarinë në shërbim të çlirimit të Atdheut të robëruar.
 
Në vitin 1909, megjithëse ilegalisht, punoi pa u lodhur për çeljen e shkollës shqipe në Pejë. Ndërsa në vitin 1910, me përkrahjen e atdhetarëve Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. u bë mësuesi i parë i shqipes për nxënësit shqiptarë, në shkollën Normale dhe Gjimnazin e Shkupit. Në këtë mision të shenjtë, aty pati përkrah atdhetarin e njohur Bedri Pejani.
            Në vitet e kryengritjeve të mëdha mbarëpopullore antiosmane të viteve 1910-1912, Sali Gjuka u dallua si një luftëtar e veprimtar i shquar, ndër më popullorët e kohës. Me nismën e tij, në prill 1912 u formua në Selanik, Klubi i ri me emrin kuptimplotë "Bashkimi", i cili propogandoi edukimin e ndjenjave atdhetare, përhapjen e gjuhës e të arsimit shqip.
           
Në Nëntorin e stuhishëm të vitit 192, Saliun do ta gjejmë përsëri bashkë me luftëtarët e mendimtarët  më në zë të kohës. Me thirrjen, që u kishte bërë atdhetari i flakët, Ismail Qemali, drejt Vlorës udhëtonin sa e sa delegatë, përfaqësues të popullit luftëtar, nga e gjithë Shqipëria. Ndërmjet tyre, si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, ishte dhe atdhetari e mësuesi i palodhur i gjuhës shqipe dhe i ndjenjave atdhetare, Sali Gjukë Dukagjini.
            Në kohën e qëndrimit në Vlorë, Sali Gjuka ishte ndihmës i Luigj Gurakuqit për problemet e arsimit. Për këtë gjë dëshmojnë dhe artikujt e botuar në gazëtën "Përlindja e Shqipnisë".
            Ndërsa në janër 1913 filloi nga puna si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit. Menjëherë hapi shkollën Normale të përkohëshme, ku do të përgatiteshin mësuesit e parë dhe do të kualifikoheshin mjaft të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Kosova, të cilët më pas shkuan në vendlindje, ku çelën shkolla në gjuhën amtare. Gjithashtu, ranë në sy puna e zelli i madh i tij për çeljen dhe funksionimin e mjaft shkollave shqipe në ato zona.
            Megjithëse shërbeu si drejtor arsimi, Sali Gjuka nuk u shkëput nga ngjarjet politike e shoqërore të kohës. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës, përkrahu Revolucionin e Qershorit  1924 dhe masat demokratike të Qeverisë së Fan Nolit.
            Patrioti i madh Bajram Curri, duke njohur e çmuar lart veprën atdhetare dhe ndihmesën e Sali Gjukë Dukagjinit në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, iu përgjigj kështu Fan Nolit, kur ky i kërkoi mendim për postin e ministrit të Arsimit, në Qeverinë Demokratike të asaj kohe: "Si unë vetë, ashtu dhe tërë kosovarët e çmojmë plotësisht rëndësinë që ka Ministria e Arsimit dhe prandaj kemi të mëdhe dëshirën që atë vend ta zejë një njeri kompetent, i zoti i punës dhe që të ketë dhënë prova në jetën e vet të sakrificave, që bëri populli ynë...Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e Sali Gjukës".
            Armiqtë e ndoqën hap pas hapi trimin luftëtar e të ditur, Sali Gjuka. Në vijim të përndjekjeve të mëparshme, në vitin 1920 e intriguan për një faj, të cilin nuk e kishte kryer. Saliun e akuzuan se, gjoja, kishte marrë pjesë në vrasjen e Abdyl Ypit. Për këtë e dënuan 10 vjet burg, 4 nga të cilat i vuajti.
            Pas fitores së Revolucionit të Qershorit 1924, kur e liruan të pafajshëm nga burgu, S. Gjuka punoi pak kohë drejtor i shkollës plotore të Beratit. Por e kuptonte se vuajtjet e shumta të jetës dhe sëmundja e tuberkulozit po e mposhtnin. Kështu, i mbylli sytë përgjithnjë në atë qytet, më 25 tetor 1925.
            Sali Gjukë Dukagjini është nderuar me titullin e lartë, “Mësues i Popullit”, me këtë motivacion: "Patriot i shquar dhe veprimtar i palodhur për përhapjen e arsimit e të mësimit të gjuhës shqipe; mësues i gjuhës shqipe në Normalen e Shkupit; pjesëmarrës në Kuvendin Kombatar të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë; drejtues dhe organizator i arsimit tonë kombëtar, në shtetin e pavarur shqiptar, në vitet 1912-1920".
            Fjalë vlerësimi e nderimi për të kanë thënë: prof.dr. Aleksandër Xhuvani, prof.dr. Aleks Buda e të tjerë. Me artikuj e studime, sidomos në vitet e fundit, gjithnjë e më tepër Sali Gjuka po bëhet i njohur në trojet shqiptare. Në vitin 1991, Dr. Muhamet Pirraku ribotoi në Prishtinë gramatikën e tij shqip-turqisht, të përkthyer në shqip dhe të pajisur me shënime e të paraprirë me një jetëshkrim të tij. Një shkollë e mesme në Urën Vajgurore të Beratit mban emrin e nderuar ta Sali Gjukës. Me jetën e tij, ai frymëzon breznitë e reja për t'iu përkushtuar sa më shumë Atdheut e diturisë.
            Në jetëshkrimin, që u botua kur ndërroi jetë Sali Gjuka, u thanë dhe këto radhë profetike: "... Emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në mermerin e famës". Ndërsa një poet beratas , ka thurur edhe këto vargje domethënese, për Sali Gjukë Dukagjinin: "Emri yt i ndritur, / balli i shkollës sonë,/ shikoje, moj Vlorë,/ Berat e Kosovë !".
 
Nga PRISHTINAPRESS.INFO

Keine Kommentare:

Kommentar posten