Sonntag, 2. Juni 2013

Rrahman Dedaj

Rrahman Dedaj

Rrahman Dedaj lindi më 1939 në fshatin Penduhe, afër Podujeves, Kosovë. Shkollën fillore e kreu ne Podujeve, shkollën normale dhe fakultetin filozofik ne Prishtine. 
Ka punuar si gazetar e redaktor Radio Prishtine. Mëpastaj redaktor e kryeredaktor i Nermarjes Botuse
"Rilindja", drejtor i gazetës së për ditshme"Rilindja"etj. Rrahman Dedaj ka shkruar poezi dhe prozë për të rritur dhe për fëmijë.

Vdiç më 21 gusht 2005 në Londër - Angli.

"Përvojat që përmbanin historia dhe metodologjia kombëtare, krijimtaria gojore e popullit, përmblidhen në poezinë e Dedajt."/Rexhep Qosja/

Veprat:
  • "Zogu dhe Kulla",
  • "Me sy kenge",
  • "Simfonia e fjales",
  • "Balada fshehur",
  • "Etje",
  • "Fatkeqesia e urtise",
  • "Kryqezim hijesh",
  • "Fshehtësia"
  • "Medaljoni"
  • "Dy liqej".


Poezi nga Rrahman DEDAJ


TË ECËSH VETË

Nisesh nga vetja pa u hamendur
E qet një hap dhe hapin tjetër
Dhe mund të jesh fatlum
Nëse hapin e tretë
E qet sërish përpara

Duhet t'i mësosh hapat
Të ecin edhe prapa shpine
Në të mëngjër e në të djathtë

Nuk dihet si kryqëzohen rrugët
Si ngatërrohen pa gisht tregues

Mos u hamend
Asnjë lavdi s'ka udhëtuar larg
Asnjë largësi s'është afruar krejt

Është e rëndësishme
Të ecësh vetë



MË SHKRUAJ

Si na gjejnë letrat
Si na gjejnë fjalët

Ndërrimi i adresave
Nuk prish punë

Edhe largësitë flasin
E malli na kërkon
Dhe na fajëson

Më shkruaj
Derisa letrat na njohin
se po rigon shi
Që nuk gjason me shiun



ÇDO GJË ISHTE VETËM NJËHERË E NJËJTË

Po mbyllem në një kujtim
Si në guacën që solli vala
Pranë rërës pranë detit
Tërë atë që kisha
S'i duhet më askujt
Çdo gjë që ishte
Vetëm njëherë e njëjtë
Asnjë ëndërr s'diti të përsëritet
Në një pëlhurë le të pikturohet
Vetëm zemra mbi një hekur
Dhe etja pranë një kroi
Era do të fryjë e asgjë s'do të ikë
Bari do të qajë si shiu
E shiu do të këndojë si pikëllimi
Çdo gjë do të gjasojë në vetvete
Që t'i kthehet humbjes së vet


TË PAPRITURAT VIJNË PAPRITUR

Asgjë s'është këtu e njëjtë habia ime
Tëra të përsëriturat bëhen ndryshe
Qenka shpërngulur fjala
Që ta mësojë urtinë e të ecurit

Befasia është e pakutpueshme
Kryeneçësia ime e pakuptim

Çdo fjalë paska një djall
Në lakueshmërinë e verdhë
Që s'mund ta ndalin

Të pashmangshmet do të ndodhin
Koha ime e pashkelur
Të papërsëriturat vijnë papritur
U plakëm nga mençuria e premtuar




LIRIKË E MËSUAR

Gjaku im ngatërrestar
S'është paragjellë e njelmët

Fjalën e pagjunjëzuar
Le ta kërkojë
Fatkeqësia e vet

Le ta çojë shiu
Lirikën e vet të mësuar

Pa u shëruar mirë
M'u ngjit sëmundja tjetër

Në këtë qerre të cirkut
Larg do të udhëtojmë


SËRISH NË VENDIN KU U NDAMË

Qante zogu i mallit
Në paskajësinë që nuk afrohej
Dikush kthente majeve
Dikush vdiste në kujtesë

Asnjë udhë
Të kryqëzohej në zemër

Po bie shi i mallëngjimit
Mbi një thikë të kujtimit


NGA PO VJEN E ÇUDITSHMJA

Po ikin të vërtetat pa mua
Po kthehen të rremet pa kohë

Gjeometri e njëtrajtshme
Fjalën po ma fsheh

Në cilin teatër do të luhet
Roli qesharak i kujtesës sime

E dielë e shtunë e premte
E enjte e mërkurë e martë
Të hënën fillon puna sërish




NJERIU QË MBANTE DITAR

E matte jetën me pëllëmbë
Një e jetuar
Një e pajetuar
Një i dilte mashtrim
Një tjetër gabim
Çdo gjë iu kishte plakë
Më shpejt se rrita

Ishin thinjur udhët
Dhe zogu që këndonte

Keine Kommentare:

Kommentar posten