Donnerstag, 6. Juni 2013

Halil Xani

Halil Xani u lind më 1952 në fshatin Polac të Skenderajt. Shkollën fillore e mbaroi në Polac e Skenderaj ku e kreu edhe gjimnazin. Ka mbaruar studimet në degën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.
Nga viti 1974 e deri në vitin 1976 punoi arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore të Qirezit, kurse në shkollën fillore të Polacit nga viti 1976 e deri në vitin 1983. Nga viti 1983 e deri në vitin 1990, punoi gazetar në Radio Mitrovicë, deri atëherë kur policia serbe i dëboi punëtorët shqiptarë nga puna dhe mbylli programin shqip.
Pas luftës së fundit, nga një vit punoi gazetar në të përditshmet “Dita” dhe “24 orë” në Prishtinë si dhe dy vite drejtoi programin e radio Drenicës. Jeton dhe vepron në Polac të Skenderajt.

Libra të botuar:

1. Ndal Drenushë, 1996
2. Unë e babi mjeshtër, 2005
3. 101 Qyfyret e Nastradinit, 2009
4. Pak për mahi më shumë përnjëmend
5. Ec e mos u bëj nervoz
6. Borxhin e hëngri qeni
7. Gjuha e zemrës


Halil XANI

ALFABETI I DËSHMORËVE

Ju fëmijë nëse doni
A-në në mend ta mbani
Thoni A-Adem Jashari
Thoni A-Agim Ramadani.

Kur t mësoni A-në
Mbani mend në daçi
Mos thoni A-aeroplani
Thoni A-Abaz Thaçi.

Kur të shkoni te B-ja
Mos thoni bujku a bisha
Thoni B-Bedri Shala
Thoni B-Bekim Berisha.

Dhe lavdërohet F-ja
Thotë unë jam në flamur
Jam te Fehmi Lladrofci
Që nuk harrohet kurrë.

Mos thoni H-H-Hëna
Kur H-në ta takoni së pari
Në mend e mbani më lehtë
Të thoni H-Hamëz Jashari.

Kur ta mësoni I-në
Mos u thoni I-kuajve lodra
S’do ta harroni kurrë
Kur thoni I-I-Ilaz Kodra.

Unë po ju tregoj
Mos thoni nuk e diti
Se me Z të madhe
Është Zahir Pajaziti.

Ju lus fëmijë të dashur
Në qytet e katund
Këtë alfabet që nisa
Ta çoni deri në fund.



FJALA

Ka fjalë të shkurta
Ka fjalë të gjata
Ka fjalë të mprehta
Që presin si shpata.

Ka fjalë si pelini
Ka fjalë nektarplot
Ka fjalë që vrasin
Si armët me barot.

Ka dhe fjalë si era
Që s`peshojnë hiç
Ka fjalë si plumbi
S`ngriten as me vinç.

Fjala don gdhendur
Fjala don latuar
Mos të ketë gjemba
Njerëz për të lënduar.



GJYSHI E KËLYSHI

Nipi gjyshit i thotë gjysh
Gjyshi nipit i thotë këlysh
Prandaj mos pyetni si e qysh
Në odë tok, gjysh e këlysh.

Nipi është djalë me fat
E ka gjyshin avokat
Kur e bën ndonjë sherr
Gjyshi në mbrojtje e merr.

Nuk ka mjekër, ka mustakë
Dyzet euro ka pension-pak
Në avokaturë është pa orar
E mbron nipin me honorar.

Gjyshi shtrihet te koftori
Nipi e ngjesh si doktori
Uron gjyshi rrofsh or bir
E marrësh një nuse të mirë.



GJYSHI KA NJË HALL

Gjyshi sot më nuk ka kullë
As nuk është i pashkollë
Ai nuk pin duhan me llullë
Çdo ditë han nga një mollë.

Djem e reja i ikën në Evropë
Me vete morën nipër e mbesa
Gjyshit në gjoks iu bë gropë
S’ka n’konak dasma e fejesa.

Gjyshi ka celular e internet
Mesengjerin hapur e mban
Me nipër e mbesa në kurbet
Më pak flet e më shumë qan.

Oborrin e ka mbuluar bari
Të shurdhër heshtja e vret
Kush kurbetin e bëri së pari
Ai e bëftë varrin e vet.

Ka nisë të bëhet si fëmijë
Dita-ditës vetmia e mbytë
Ka thënë nëse vdes në vetmi
Çelur do të më ngelin sytë.



DUA PAQE
NË ÇANTËN TIME


Një ditë pranvere
Më cingëroi telefoni
Shokët më ftuan
Në një promovim
Shpejt e vendosa
Saora u bëra gati
Mora dhe vjersha
Nga opusi im.

Në çantën time
Kisha vendosur
Bletët në koshere
Edhe ariun
Fare s’mendova
Se aty e kisha
Edhe maçokun
Afër me miun.

Kisha dhe ujkun
Me delen galë
Dhelprën dinake
Me pula e gjel
Kisha edhe lepur
Por dhe zagarin
Gjuetar me pushkë
Pritë në zabel.

Para se të nisem
Unë i këshillova
Nuk dua t’i shoh
Askujt lot në faqe
Zëni vend në libër
Bëhuni të mirë
Në çantën time
Në mes jush dua paqe.



GJUHA E ZEMRËS

Gjuhën e gjuhës
Kush s'mund ta kuptojë
Gjuhën e zemrës
Le të nisë ta mësojë.

Për gjuhën e zemrës
Nuk duhet shkollë
Se ajo është e ëmbël
Si dardhë e si mollë.

Me gjuhën e zemrës
Njeriu kur flet
Askënd nuk ther
Askënd nuk e vret.

Kur gjuha e gjuhës
Mund të jetë e thartë
Gjuha e zemrës
Është sikur mjaltë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen