Mittwoch, 5. Juni 2013

Skënder Buçpapaj

Skënder Buçpapaj është lindur më 25 maj 1953 në fshatin Tplâ të Tropojës. Arsimin tetëvjeçar e ka kryer në fshatin e lindjes, arsimin e mesëm në qytetin Bajram Curri, ndërsa studimet e larta për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës. Ka kryer studimet mastër po në Universitetin e Tiranës në fushën e kritikës letrare. Krijimtarinë e ka filluar që në shkollën tetëvjeçare, kur ka botuar edhe krjimet e para në shtypin për fëmijë. Nga viti 1970 në pothuajse të gjitha të përditshmet dhe periodikët shqiptarë ka botuar poezi, përkthime nga poezia botërore prej italishtes, anglishtes dhe gjermanishtes, shënime për librat, kritika, studime monografike etj. Nga viti 1976 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga viti 1986 deri në vitin 1991 ka qenë redaktor në gazetën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Artistëve të Shqipërisë, ku ka mbuluar kryesisht sektorin e kritikës. Në fillim të vitit 1991 ka qenë inciator dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Pavarur të Gazetarëve të Shqipërisë, më vonë Lidhja e Gazetarëve, i zgjedhur dy herë në kryesinë e kësaj organizate. Në vitin 1991, për pak kohë, ka qenë kryeredaktor i gazetës "Kosova". Po në vitin 1991, në dhjetor, është emëruar zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar; ndërsa më 1992 është drejtor i përgjithshëm i RTSH, detyrë që e kreu deri në gusht të vitit 1995. Prej atëherë ka kaluar në diplomaci, në Ministrinë e Jashtme e pastaj në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, ku ka mbuluar sektorë të ndryshëm dhe ka qenë edhe i ngarkuar me punë (chargé d'affaires) pranë kësaj ambasade. Nga viti 1998 filloi në gazetën e përditshme "Bota sot", kryeredaktor i së cilës ishte për dhjetë vjet rresht. Në atë kohë, kjo gazetë, me redaksinë qëndrore në Zyrih të Zvicrës dhe me redaksi të tjera në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Frankfurt e Nju Jork arriti në 200 mijë kopje, tirazh i paparë ndonjëherë në gazetarinë shqiptare. Nga viti 1991 është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Bruksel, Belgjikë. Është po ashtu anëtar i Shoqatës së Gazetarëve APES, me qendër në Gjenevë, i Sindikatës së Gazetarisë Krijuese, me qendër në Zyrih. Është anëtar i kryesisë së Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës. Ka lëvruar pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare, që nga informacioni, kronika, repotazhi, përshkrimi, udhëpërshkrimit, analiza, komenti, fejtoni, replika, vëzhgimi, polemika, biseda, intervista etj, si dhe ka realizuar shumë dokumentarë televizivë. Ka fituar çmime të ndryshme kombëtare në poezi, kritikë, publicistikë, studime dhe skenarë dokumentarësh. Është përfshirë në antologji të ndryshme të poezisë shqipe. Ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe historiografisë letare në Shqipëri dhe jashtë vendit që me ciklin e parë poetik të botuar në revistën "Nëntori" në janar të vitit 1973. 
Skënder Buçpapaj është autor i librave me poezi, studime, eseistikë, tekste shkollore kryesisht të botuara nga shtëpitë botuese dhe mediat në Shqipëri, Kosovë e tjerë:

 Vëllime poetike:
1."Zogu i bjeshkës" (1973)
2. "Epikë" (bashkautor, 1979)
3. "Poezi" (1986)
4. "Frika nga Atdheu" (2009)
Studime:
1. "Përmbajtja filozofike dhe morale e poezisë së Fatos Arapit" (1979)
2. "Poetika e simbolikës" (poezia shqipe e Kosovës) (1986)
3. "Zana e Fishtës dhe trillet e saj" (1991)
Eseistikë
1. "Në vetë të parë Hasan Prishtina, një patraes patriae" (1995)
2. "Këndo, hyjneshë, mëninë e Faik Konicës" (2001)
Tekste shkollore (bashkautor)

1. "Historia e letërsisë shqipe", tekst për shkollat e mesme të Republikës së Shqipërisë (1993)
2. "Antologjia e letërsisë shqipe", tekst për shkollat e mesme të Republikës së Shqipërisë (1993)   



Skëner BUÇPAPAJ

PLEPAT

Te dritarja e dhomës sime të mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit
Plepat nuk rrinë thjeshtë për të fshirë yjet në prag të agimit
Ata qëndrojnë aty për të thënë
Aty po fle Skënder Buçpapaj
Prandaj mbani aq qetësi e aq zhurmë
Sa duhet për një gjumë të mirë.

Plepat ndanë Valbonës
Si matës të nivelit të kaltërsisë së lumit
Nuk rrinin gjithmonë për të treguar
Se gjithmonë lumi i kaltër do të kalojë aty

Poshtë Urës së Bujanit
Ata rrinin aty për të treguar
Se nëpër të përthimë të ditës së re
Këtu do të kalojë mësuesi i fshatit dhe poeti i Alpeve Skënder Buçpapaj

Plepat rrinë pranë brigjeve, urave, lumenjve
Dregëzohen, lëmohen, gjethohen, zhgjethohen
Gjysmëdrejtëza të hequr nga toka drejt pafundësisë
Për të treguar se nga pafundësia
Pasi të ketë lënë në pritje të gjithë plepat e botës
Do të rikthehet përsëri te plepat e vet
Skaj dritares së mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit,
Skaj lumit aty ku merr udhë për nën Urën e Bujanit
Gjithandej brigjeve, urave, lumenjve.



NDAL SOKOL FALU ME MUA

Shpendi
Sogjetar
Mbi prenë e vet
Përgjon nga hapësira

Plakat
Në dyer të tabaneve
Në Lug të Vrellës
Tellën e Pranverës
Balçinë të Luzhës
Lugun e Vocit
Gjarpër
Tëbanët e Hetës
Të baraslarguara
Nga shpendi sogjetar
Besojnë
Se një ditë tjetër të lume
Do t’u falë
Shpendi fatsjellës

Rrudhat e tyre
Apokaliptike
Palojnë flatrat
Si shpend të butë
Në fytyrat shekullore

Ato bien erë tambël vedrash
Njëqind vite larg
Deri këtu në fund të botës.



POEMA E TPLANIT

Tplani
Prej Moknit në Arvejë
Prej Ballfushës në Kryekand
Është metropoli botëror
I bretkosave.

I kam merak
Se ato, në miliarda,
Mos më mardhin
Në gjumin e tyre letargjik
Nën akull.

Pa muzikën e tyre
Nuk vë gjumë në sy
As këtu midis Alpeve të Evropës.

Druaj se mos më mardhin
Rrëshqanorët e bokave
Zhguallorët dhe jozhguallorët
Ata flenë çdo vit nga gjashtë muaj
Duke mos e ditur
Sa i kushton botës së çmendur
Ky gjumë i pafajshëm i tyre.

Druaj se më mardh
Fauna me gëzof në karma,
Prapshtia, shullëre
Druaj se mos më mardhin në shtëpitë e ftohta
Shkretanët, mbrapshtanët,
Gubanët, qurranët,
Zhelanët, breshkanët,
Gjenialët e Tplanit.



MOJ E MIRA NË ORTEK TË BORËS
Ajo ishte midis diellit
Dhe ortekut të borës
E bardha.

Dielli ishte midis
Së bardhës
Dhe ortekut të borës.

Orteku i borës
Ishte midis
Diellit
Dhe së bardhës.

Flokëbardhën
Sybardhë
Qerpik-bardhë
As me sy
As me të prekur
Por vetëm se kundërmonte zanë mali
E dallova

E bardha
Tamël deleje
Mjelë në ortek të borës
Isha i zanuari i zanës
O.

Keine Kommentare:

Kommentar posten