Sonntag, 26. Mai 2013

Luigj Gurakuqi

Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Lindi në Shkodër më 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës, dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Çakin Shkodra dhe Lekë Gruda).
Më 1908 Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.
Në vitet 1921-1923 Luigj Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i Fan Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.
Pas kundërrevolucionit emigroi në Itali, dhe në mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. F. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur "Syrgjyn-vdekur", kurse populli pas luftës ia solli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titullin e lartë "Hero i Popullit" dhe "Mësues i Popullit".
Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e ti ju përmblodhën në një vëllim më 1941.
Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën "Shko dallëndyshe" të Filip Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.
Krijimi më i njohur i tij është vjersha "Qëndresa", ku gërshetohen edhe elemente autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.
Luigj Gurakuqi është ndër të parët që parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën "Deka e zanave" thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.
Luigj Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjlit, të cilat i botoi në "Këndimet" (1912).
Interes të veçantë paraqet libri "Vargnimi në gjuhën shqipe" (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë.
Edhe si publicist Luigj Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista "Albania", te "Kalendari Kombtar", në gazetat" Drita", "Liria e Shqipërisë", "La Nacione Albanese". Si stilist i shquar, ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet.
Luigj Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet,publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.


Burimi: gjuhashqipe.com

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen