Sonntag, 21. Juli 2013

Sejfulla Malëshova

Sejfulla Malëshova u lind më 2 Mars 1900 në fshatin Limar në një familje nënpunësi. I ati Tasim Hoxha, ish nëpunës dogane, në disa pika doganore të Perandorisë Turke. Lame Kodra (pseudonimi i tij letrar), mësimet e para i mori në shkollën turke. Pasi mbaroi mësimet në shkollë unike, i ati e dërgoi në Itali në Gjimnazin e "Shën Mitër Koronës". Po në Itali filloi studimet për mjekësi. Ai së bashku me studentë të tjerë në Itali, si Anton Ashta, Odhise Paskali etj, themeloi revistën "Shpresa e Atdheut", revistë cilësore, me tematikë të gjerë dhe tribunë e atdhetarizmës. Aty botoi poezitë e para. Me fillimin e Revolucionit të Qershorit 1924 të udhëhequr nga Fan Noli, Sejfullai ndërpreu studimet dhe erdhi në atdhe, ku megjithë kufizimet e moshës (ish 24 vjeç), u emërua sekretar i përgjithshëm i Qeverisë. Me rënien e qeverisë "Noli" dhe ardhjen e Zogut në fuqi, në dhjetor 1924, si shumë antizogistë të tjerë, shkoi në Bashkimin Sovjetik, Në gusht të vitit 1943 erdhi në Shqipëri. Me çlirimin e vendit drejtoi dikasterin e Arsimit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, kurse në Kongresin e I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve u zgjodh kryetar i saj. Më 1955 internohet në Ballsh dhe pasi bëri 3-4 muaj atje, transferohet në Fier dhe vendoset në punë si magazinier duhani në ish Ndërmarrjen e Grumbullimeve, ku punoi deri sa doli në pension. Vitet e pensionit iu bënë më të vështira, sidomos pas vitit 1966, kur si rezultat i Kongresit të 5-të u thellua "lufta e klasave" dhe mjaft njerëz nuk i bënin më shoqëri. Vetëm më 2 mars 1995 nipit të tij iu dorëzua Urdhri I Flamurit Kombëtar i klasit të parë.
11 Qershori i vitit 1971 për qytetarët e Fierit ka qenë një ditë e jashtëzakonshme! Shumë prej tyre kujtojnë se si ecte përmes qytetit mbi një karrocë një arkivol dhe pas tij 3-4 veta drejt varrezave të qytetit. Përcillte motra e vetme të vëllain e shoqëruar nga miku i mirë e i gjendur, Xhafer Vokshi, nga miku tjetër shekullor Mihal Kasneci etj.
 
UNË E DUA SHQIPËRINË
(fragment)
 
S'kam çiflik e s'kam pallate,
S'kam dyqan me katër kate,
Po e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Për një shkarp e për një gur,
Për një gardh e për një mur,
Për kasollen mbi Selishtë,
Për dy ara në Zallishtë,
Për një lopë e për një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar.
 
Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëm e gurgullon
Nëpër lista gjetheshumë,
Edhe zbret përposh në lumë.
Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë,
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
Në ato ferra në ato hije
Këngë malli e dashurie,
Këngë shpirti të helmuarë.
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhemshuruarë.
 
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça e Vraninë,
Ku del bujku që me natë
Me parmendë dhe me shatë,
Mbjell e korr me djell, me hënë
Dhe s'ka bukë për të ngrënë,
Ku nallbani dhe samarxhiu
Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
Krrusen ditë e krrusen natë,
që të hanë bukë thatë,
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur dhe varela,
Këmbë zbathur,  çjerrë
Punon vetëm për të tjerë.
 
Unë e dua Shqipërinë
...................................,
Ku një popull derëzi
Heq e vuan robëri
Po ka shpirtin luftëtar.
 
Unë e dua Shqipërinë
Si shqiptar e bir shqiptar.
 
 
VETVRASJA E NJË TË DASHURIT
 
Hiqmu nga mendja, vajzë e shënjtëruar
Pse më për ty unë s’jam në këtë botë;
Si një trup i hidhur mbeta i harruar
Që fare s’vlen e drejta sot për sot.
 
Këtej-andej vete i shkretë duke mejtuar,
Djalërinë e bukur që qaj me lot...
Ajo nën e gjorë t’mos më kish krijuar
Në gojë s’do të kishnja kaq mallkim të plot.
 
Po ti vazhdo - të lutem – n’këtë jetë
Pemët të shijoç me një kënaqsi,
Dhe për mua të shkretin fare mos mejto.
 
Vetëm nga nj’herë, n’hidhërim, në do
Kësaj bote thueji se një djalosh i ri
Nga faq’ e dheut u çduk... po si ato retë...
 
 
SHTRËNGATA
 
Dëgjoni, dëgjoni,
Nga deti shikoni
Si shfryn e tërbohet,
Si vjen e zgjerohet
Në qiell, në dhé –
Kaluar mi ré,
Të zeza si nata,
Shtrëngata.
 
Nga zalli po ngrihet
Si mal, e përzihet
Me breshër, me shi,
Një pluhur i zi.
Dhe rrotull në det,
Në fshat e qytet
Përhapet rrëmuja
Dhe kuja.
 
Kush pyet për djalin,
Për lopën a kalin
Një plakë qyqare
Kërkon një manare
Një nuse shikon,
Mos duket përgjon
Në detin e largë,
Një barkë.
 
Po qielli dhe deti,
Të dy si tërmeti,
Dhe shpesët i ndjek,
Dhe barkat përpjek,
Dhe pemët rrëzon,
Dhe arat shkreton,
Dhe bie mandata –
Shtrëngata.

 
PAS TËRMETIT
 
S'duken më ar' e luadhe,
po balt' e vithisur,
dhe kasoll' e katundarit
shuar e gremisur.
 
Po në mes të asaj gremine
ujët rjeth e shkon,
edhe dielli papushuar
rrëmbat i lëshon.
 
Poshtë e thellë dheu i lashtë
vlagë ka në gji
edhe zemra e njeriut
zjarr e trimëri.
 
Do të ngjallet prapë jeta
duke lulëzuar
anembanë do përhapet
duke gurgulluar.
 
Përsëri do të shkëlqejnë
ara dhe bostane
do ja thotë këngës prapë
zemra kapedane.
 
Do të rrjedhë jeta-plakë
pa fund, pa kufi
dhe do ketë si kurorë
punë e dashuri.

 
LYPSI PLAK (GJYSHI PLAK)
 
Po del nga shpella ku e ka hedhur fati,
I mjeri plak i krusur nga mundimet,
I dridhen mjekra, këmbët, gjithë shtati,
Skalitur ka në ballë hidhërimet.
Ja, fill i vetëm udhën merr nga fshati
I urtë, i shëmtuar nga mjerimet.
Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
Shiu me breshër bie e ka dëborë.
Udhës mendon kur ishte si të tjerët:
Me bukë, me kasoll’ e dashuri
Dhe psherëtiu: Oh! S’paska për të mjerët
Në këtë botë vallë Perëndi?
Po ndjen në lukth një posi të prerët
Edhe hedh këmbët plaku me fuqi.
Torbën në krahë, shkopin mban në dorë.
Në një kasolle afër sheh një zjarr,
I ngrohet plakut shpirti si një varr,
Dhe drejt kasolles niset me të katra
Gëzohet edhe qesh edhe makar
Udhës kërcen e hidhet shatra-patra.
Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
Shiu me breshër bie e ka dëborë.
I valon gjaku plakut edhe shikon
Përpara gjithnjë duke çaluar.
Po te dera një djepe ç’e shikon.
I dridhen buzët; buzët duke ngashëryer,
Një gur atëherë këmbët i pengon
Edhe përmbys atje mbetet harruar.
Torbën me krahë, shkopin mban me dorë,
Shiu me breshër bie, e ka dëborë.

 
KRYENGRITJE NË QIELL 1)
 
I madhi Zot në qiell të shtatë rrinte
Me engjëjt, kryeengjëj ky rrethuar;
Ish mez’ i natës, flinte e gërhinte
Si një gjyryk vigan i shkatërruar.
Po s’flinte Skënderbeu: me dylbi
Përposh planetin - mëmë ky shikonte,
Dhe sytë i vanë drejt në Shqipëri,
Ku fisi i tij në zgjedhë po lëngonte.
Ja Leshi e Kruja, Mati e Sopoti,
Ja Drini e Vjosa, malet Argjëndare
Ku prapë sokëllinin si qëmoti,
Kudo lëvrinin turma kordhëtare,
Po pa flamur. Sa s’qau Skënderbeu
Shën-Kostantinit, shokut ilirian,
Të gjitha një më një ky ia rrëfeu
I tha kështu viganit ky vigan:
Nga gjum’ i thellë, më duket Arbëria
Sikur po shkundet. A do ngrihet vallë
Që lart nga malet po e ndjell liria
Po njeri s’duket me flamur në ballë,
Sa herë që kam dashur e kërkuar
Të shkoj atje, në ballë të luftoj,
I madhi s’më ka lënë; kam duruar,
Po më nuk më durohet – do të shkoj.
U plaka, o Gjergj, - i tha ish perandori,
I fanitet me tmer kudo frëngjia,
Si djaj i duken vapori dhe motori,
Kujton ashtu mos bëhet Iliria.
Eja shkojmë t’i lutemi Shën-Pjetrit
Mos mbyll një sy. E gjetën tejtëhu
Tek po merrej me punën e një tjetri,
Kyçet në bres e mjekrën gjer në gju.
Po nuk dëgjoi. Atëhere si stuhi
Iu hodh Skënderi: “Kur thërret Atdheu,
Nuk pyes për Shën-Pjetr’ e perëndi,
Edhe Shën-Gjergjit ushtën i rrëmbeu
Dhe qerren Shënt-Elliut. Si rrufe
Zbriti në Mat, pështjellë në purpur
Po shkriu me të gdhirë nëpër re:
Mbeti vetëm një usht’ e një flamur.
 
(1968)
___
1)Shkruar me rastin e nëntëdhjetë vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
 

 
POETI
Muor Giove e l’inno del poeta resta
P. Carduçi
 
Pushoi lahuta, u përgjunj poeti,
Plagët e shpirtit krahët i shkurtuan;
Kundër poetit u vërsul rrëmeti,
Me sharje e shpifje jetën i helmuan.
Po vargu i tij, që popullin ngriti
Në luftë për liri e për fitore,
Që kurdoherë si kushtrim buçiti,
Në zemra u skalit si përmendore;
Dhe, pa lavdi zyrtare e pa kurorë,
Me dritën e Komunës vezullon –
Pse zhduken perëndi e perandorë,
Po kënga e poetit s’perëndon.
 
(1955)
____________________
Burimi: Revista ADMET

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen