Sonntag, 21. Juli 2013

Skënder Rusi

Skënder Rusi u lind më 1952 në Korçë dhe ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi. Në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 për drejtues biblioteke në Kajro. Që prej vitit 1992 vazhdon të jetë drejtor i bibliotekës “Thimi Mitko”, Korçë. Ka botuar 8 libra me poezi dhe dy nga dramat e tij janë vënë në skenë nga trupa e teatrit “A. Z. Çajupi”. Krijime të tija janë përfshirë nëpër antologjitë e disa vende të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj. Prej 12 vjetësh është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në Korçë. Prej 7 vjetësh organizon dhe drejton aktivitetin më të madh kulturor në Korçë: “Netët korçare të poezisë" me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj.
 
 
SINFONIA E TAKAVE
 
Ai ishte një regjistrues i marrë,
S’kishte zemër në gjoks, kishte disqe!
Jetonte brenda në një kitarë,
Atje e desh dhe varrin kur të vdiste!
 
Ia dha vetë atë formë sobalkës së tij,
Se atje do flinte me Bet’hovenin e madh!
Se atje do ish dhe zoti Paganin,
Edhe zoti Shubert, edhe zoti Moxart!
 
Kush tha se këta ishin të vdekur!?
Ai fliste me ta, qeshte, pëshpëriste!
Brenda kitarës së tij vetëm e shoqja,
E urdhëruar ishte të mos fliste!
 
Ai bëhej xhind kur ajo lante pjatat,
Kur kërcitja e tyre i futej nëpër disqe!
Ai i ulërinte kur ia dëgjonte takat,
Pale kur padashur, ndonjëherë, teshtinte!
 
Por erdhi një ditë dhe ajo iku në qiell,
Kitara krisi, muret e saj u çanë.
Telat e saj ranë mbi Bet’hovenin,
Mbi Moxart e Shubert, mbi të gjithë ranë.
 
Tani ai vë veshin, jo për të dëgjuar tinguj,
Po për t’u çmallur me zhurmën e pjatave!
Bet’hoveni? E ç’është Bet’hoveni,
Para simfonisë së ëmbël të takave!?
 
 
EKLIPSIN PRES
 
Unë me ty, si toka me diellin,
Të vij rrotull vazhdimisht, vazhdimisht!
Por asnjëherë s’të jam afruar sadopak,
As jam larguar sadopak, natyrisht!
 
Astronomia ka ligjin e vet,
Që unë e përfill me aq sa mund!
Të të afrohem më shumë
Kam frikë se më djeg,
Të të largohem-kam frikë se më humb!
 
E ja, kështu, vetëm rrotull të vij,
Po s’jam i marrë që rri e pres më kot!
E di që një ditë, ti do të kesh eklips,
E atëherë, nuk do më djegësh dot!
 
 
ATA DY PLEQ
 
Një plak. Një plakë. Dhe një park.
Edhe një stol. Dhe bëhen katër!
Dhe një neon që ndizej, shuhej,
Sikur ta shkelte syrin natën!
 
Po pas një viti mbetën tre.
Një plak. Një stol. Një park i gjelbër.
Dhe një neon që më nuk ndizej,
Që mbeti si një sy i verbër!
 
Në vjeshtë, ah, mbetën veç dy.
Një park. Një stol krejt i vetmuar.
Që pret mos kthehen prap’ aty,
Ata dy pleq të dashuruar!…
 
 
SE TI GJITHMONË SEÇ BËN CA GJËRA
 
Të lashë në Korçë
E të kërkoj në Kajro!
(Ku dihet, mbase dhe ke ardhur!)
Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra,
Që çmëndurira t’i kam quajtur!
 
Të lashë në tokë
E të kërkoj në qiell!
(Ku dihet në ç’yll më ke pritur!)
Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra,
Sa të kam quajtur të lajthitur!
 
Kap një bionde nga flokët mbrapa,
ia kthej fytyrën për ta puthur!
Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra,
Vjen dhe atje ku s’është e mundur!
 
Se ti gjithmonë seç bën ca gjëra,
Që të tregojnë dhe më të bukur!
Ndaj ca i marrë dhe unë mundet,
Sot gjithë Kajros t’i jem dukur!
 
 
TEPER VONË
 
Ti ke një moshë me time bijë,
Me babin tënd, unë, moshatar.
Kush të dha urdhër të më duash
Me hirin tim të ndezësh zjarr?!
 
Ata thëngjij që ishin shuar
Ti si guxon me dorë i prek?!
Kush të dha urdhër të më ndezësh
Pa patur frikë se unë të djeg?!
 
Ke ardhur vonë. Tepër vonë.
Kur dimri krejt më ka pushtuar,
Kur vdekja firmën më kërkon
Ndoshta në ferr për të më çuar!
 
Ti gjysma-hënë je kur zhvishesh
Dhe gjysma tjetër-perëndi!
Me çdo të puthur m’i ul vitet,
Më kthen në moshën që ke ti!
 
Me këto gjysma, unë poeti,
Mund të ndërtoj tjetër planet.
Në djall pastaj të shkojnë vitet,
Dhe moshat le të shkojnë në dreq!
 
Po prapëseprapë një frikë ndjej,
Po mora zjarr, si mund ta fik?
Prandaj dhe po vonoj të zgjohem,
Them ndoshta ik.
Them ndoshta ik...
 
 
VAJZA PREJ QELQI
 
Vajzë e vogël,
Me sy prej qelqi,
Sa herë hyj brenda tyre,
Unë eci zbathur,
Mos thyej ndonjë gjë,
Që, dot, s’e ndreq!
 
Qelq,
I ke sytë,
Qelq!
 
Vajzë kryeneçe,
Me buzët prej qelqi,
Sa herë ndeshem me to,
Ti mua më kap rob,
Dhe robërit i trajtoke keq!
 
Qelq,
I ke buzët,
Qelq!
 
Vajzë e brishtë,
Me trup prej qelqi,
Duart i kam skelet,
Dridhem kur të prek,
Kam frikë mos më thyesh vërtet!
 
Qelq,
Je e tëra,
Qelq!
 
 
Ç'TRISHTIM
 
Ç’trishtim, të jetosh në një qytet-brengë,
Ku shumë gjëra ecin për mbrapsht!
Vajzat e bukura rrinë fshehur nga djemtë,
Të shëmtuarat shëtisin në bulevard!
 
Ç’trishim në këtë qytet që më deh,
Me erën e qelbur të vodkës!
Ku vetja herë-herë më duket,
Si Esenini rrugëve të Moskës!
 
Ç’trishtim, në këtë qytet të çmendur,
Që më ngjan me një spital të madh!
Njerëzve ju mungojnë veç bizhamat me vija,
Dhe numrat në shpinë apo në krah!
 
Ç’trishtim në këtë qytet që flet përçart,
Që as në gjumë nuk e heq paruken!
Dua t’ia marr nga koka e t’ia flak,
Por edhe ai s’më le, edhe unë nuk mundem!
 
Ç’trishtim, në këtë qytet të pushtuar nga vdekja,
Që po më vdes edhe mua pak nga pak!
Më vjen të rrëmbej shpirtin e të zhdukem,
Sa më larg prej tij, sa më larg!…
 
 
SE SI...
 
Se si po më ikën jeta! Se si!
Pa më pyetur fare,
Sikur të mos jetë imja!
Kam çaste kur edhe vetë nuk e di,
Nëse duhej ose jo, të lindja!
 
Se si po më ikin ditët! Se si!
Rrokullisen, rrokullisen, si toptha të vegjël!
Unë vrapoj pas tyre, kërkoj t’i arrij,
T’i ndaloj, t’i pyes, ç’do të bëhem nesër!?
 
Se si po më ikin ëndrrat! Se si!
Edhe në gjumë më kanë hyrë,
Edhe m’i kanë vrarë!
Ato që kanë shpëtuar kanë marrë arratinë,
Duke më lënë mua një të vdekur-të gjallë!
 
Se si po më ikin dashuritë! Se si!
Një sot. Një nesër. Një tjetër pas një jave!
Marr kokën mes grushtash,
I bie me zemërim,
Sikur të ketë bërë mijra faje!
 
Se si po më ikin dëshirat!Se si!
Si ata zogjtë shtegtarë që dimrit i trëmben!
Po ç’them edhe unë,
Do të ishte një mrekulli,
Të ishin zogj shtegtarë që ikin e kthehen!
 
 
PA DASHJE
 
Pa dashje kam plagosur një grua!
(S’e dija që më desh aq marrëzisht!)
Ajo ishte një yll, nga qielli larguar,
E zbritur në tokë rastësisht!
 
Pa dashje, kam fyer një grua!
E putha në faqe në një natë pa drita!
Pastaj dhe në ballë një puthje të dytë,
Ia shtypa pak hundën me gisht, edhe ika!
 
Pa dashje, kam vrarë një grua!
(Eh, gratë u vrakërkan kaq shpejt!)
Ajo iku në qiell, prej nga ish larguar,
Të vuante zhgënjimin e vet!
 
 
MBI KOKË MË RRI EDHE MË NDRIT
 
Gjithnjë po bëhesh më e kërrusur,
Sikur po i afrohesh tokës!
Unë jam atje, në sytë e rrudhur,
Ku është fillimi i gjithë botës!
 
Gjithnjë po bëhesh më e vockël,
Ku e ke futur gjithë atë shpirt!?
Si hënëz e ngrënë brenda dhomës,
Mbi kokë më rri edhe më ndrit!
 
Gjithnjë po bëhesh më e lehtë,
Mos ke ndërmend që të largohesh!?
Më bëj një shenjë e ngjitem vetë,
Qiellit t’i them që do vonohesh!

____________________
Burimi: Revista ADMET

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen